
Në fund të qershorit 2024 shtëpia botuese JOZEF PUBLISHING’s hodhi në qarkullim librin e ri “SAINT PAUL IN DYRRAH – CORRECTION OF SOME NOTES AND MAPS IN THE NEW TESTAMENT” (përkthyer nga Ilir Marleka) të studiuesit shqiptaro-amerikan Thanas L. Gjika, ku me shumë dokumente historike të përmendura prej historianëve Marin Barleti, Daniel Farlati, etj, dhe fakte te nxjerra nga vete tekstet e shenjta, si dhe toponime e legjenda iliro-shqiptare, janëvërtetuar vizitat e punës misionare që bëri Shën Pali në vitet 56 dhe 62 e 63 në qytete ilire. Midis tyre përmenden Sarda (Shurdhahu), Lissus (Lezha), Dyrrach (Durrsi), Apollonia (Pojani), Backa, Buthroton (Butrinti) dhe Nikopoli i Epirit (sot gërmadha në Greqinë Veri-Perëndimore mbi qytetin Preveza).
Po riprodhojme ballinen e librit dhe tre recensionet e hartuar shqip nga studiuesit shqiptare Joan Pelushi – Mitropolit i Korces, Dr. Dom Nike Ukgjini – punonjes shkencor ne Institutin e Studimeve Teologjike Shkoder dhe Fotaq Andrea (Strasburg).
Përvec vizitave misionare në trojet ilire ky studim shquhet edhe për korrigjimin e shumë shënimeve sqaruese të “Dhiatës së Re” lidhur me prblemin se ku dhe kur i shkroi apostulli Pal letrat e tij, gje që i dha mundësi studiuesit të hartojë dhe harta të reja të udhëtimeve misionare të Sh. Palit, ku shënohen ndalesat e tij edhe në qytete ilire. Ky botim po shpërndahet midis qendrave studimore dhe specialistëve të “Dhiatës së Re” nëEuropëdhe Amerikë me qëllim që të organizohen takime shkencore për t’i bërë të njohura këto arritje. Synimi final është që në të ardhmen të botohet “Dhiata e RE” dhe “Bibla” me shënime të reja sqaruese dhe me harta te reja, ku te vihet në dukje përhapja e Krishtëimit që ne shek. e I tek ilirët prej vetë Shë Palit e nxënëve të tij, si tek grekë, maqedonë e romakë lashtë. Kjo është njërritje e rëdësishme e shkencës shqiptare në përmirësimin e Historisë së fillimeve të Krishtërimit.
Studimi i Prof. Thanas L. Gjika SHËN PALI NË DYRRAH -Korrigjim i disa shënimeve dhe hartave të Dhiatës së Re është një studim shumë i rëndësishëm për të rizbuluar rrënjët e krishterimit në Ballkanin Perëndimor. Ai mbush një boshllëk të madh në studimet e historiografisë europiane, duke hedhur dritë në një periudhë pak të njohur të historisë së Shqipërisë në përgjithësi dhe të përhapjes së krishterimit në fillimet e tij. Ky studim shumëvjeçar është origjinal, sepse siç shprehet dhe vetë autori, në përgjithësi studiuesit e Dhiatës së Re, duke qenë të kualifikuar si teologë, historianë, ose tekstologë, nuk i kanë analizuar librat e Dhiatës së Re edhe si objekt historiko-letrar, gjë që e kreu ai për herë të parë e me sukses.
Dhiata e Re dëshmon qartë se Apostoli Paul, si dhe shumë bashkëpuntorë të tij, ungjillizuan në viset e Maqedonisë, të Ilirikut, të Epirit dhe Dalmacisë. Në letrën drejtuar besimtarëve të Romës vetë Sh. Pali shkruan: … from Jerusalem and in a circuit as far as Illyricum I have thoroughli preached the good news about the Christ (Rom. 15:19). Titi, bashkëpuntor i Sh. Palit, ungjillizoi, përveç vendeve të tjera edhe në Nicopolis të Epirit (Tit. 3:12) dhe në Dalmaci (2 Tm. 4:10).
Po ashtu, edhe shumë dokumente të vjetër, dëshmojnë për praninë e Apostullit Pal në trojet Ilire në përgjithësi, dhe në Dyrrachium / Dyrrach në veçanti. Sipas disa studjuesve, ai ka qëndruar në Dyrrach në vitet 53-58, kurse në këtë studim saktësohet se ai punoi në Dyrrach dhe në Apollonia e Adriatikut gjatë udhëtimit të tretë misionar në qershor e korrik të vitit 56, dhe se në Dyrrach Pali shkroi letrën kryesore drejtuar besimtarëve të Romës (Rom 1:1-15:33). Po ashtu sqarohet se gjatë udhëtimit të katër apostulli ndali dy herë në Dyrrach: në maj të vitit 62, kur u largua nga Roma drejt Jerusalemit dhe në maj të vitit 63, kur u kthye nga ky udhëtim për në Romë.
Shën Jeronimi, lindur në Iliri rreth viteve 342-347 dhe vdekur në vitin 420, siguron në Letrën e tij nr. 59, se Ungjilli u përhap me Thomain në Indi, me Pjetrin në Romë, me Pain në Ilirik (In omnibus locis versabatur; cum Thoma in India, cum Petro Romae, cum Paulo in Illyrico).
Studjues dhe klerikë të tjerë, ndër shekuj, kanë sjellë dëshmi për praninë e Sh. Palit në trojet Ilire, por ky studim i konkretizon dhe i qartëson akoma më mirë. Disa nga dishepujt apostolikë ndër të Shtatëdhjetët, ishin me origjinë nga Iliriku, vend në të cilin ata ishin të pranishëm në udhëtimet e tyre misionare dhe përmenden më vonë si peshkopë në disa qytete të Ilirikut. Gjithashtu, tradita kishtare dhe gojëdhënat, të ruajtura ndër shekuj në popullin shqiptar, si edhe toponimet e shumta kudo në Shqipëri, që lidhen me veprimtarinë e Sh. Palit, të cilat, trajtuar shkencërisht nga autori, janë të dhëna të rëndësishme dhe nuk mund të shpërfillen. Prania e martirëve të shumtë në shekullin e parë dhe të dytë, si Sh. Cezari, Sh. Sosthenes, Sh. Asti, Sh. Lefteri, Sh. Flori dhe Sh. Lauri, etj., tregon se krishterimi ishte tashmë i pranishëm në këto treva.
Ndonëse këto fakte janë tashmë të njohura nga të gjithë dhe tregojnë qartë se historia e krishterimit në Shqipëri fillon që në shekullin e parë, duke na treguar se krishtërimi nuk u përhap në këto troje nga misionarë latinë apo grekë, por është autokton, në kuptimin që është predikuar nga vetë apostujt dhe nxënësit e tyre, si në të gjithë botën mesdhetare të asaj kohe dhe është zhvilluar pastaj në mënyrën e tij. Por kjo e vëtetë është lënë në hije dhe anashkaluar nga shumë studjues. Studimi i Prof. Thanas L. Gjika merrr një rëndësi të madhe sepse, duke ndjekur një metodë origjinale gjithëpërfshirëse, bën që këto të dhëna të shihen në një dritë më të qartë dhe bindëse.
Për krishterimin në Shqipëri dhe sidomos për fillimet e tij nuk është shkruar shumë. Për këtë arsye çdo studim për këtë periudhë është i mirëpritur dhe është nxitje e madhe për studime të mëtejshme për këtë periudhë të historisë së krishtërimit, periudhë, e cila ka luajtur rol të madh edhe në formimin psiko-kulturor të popujve.
Ky studim jep një ndihmesë të jashtëzakonshme për të kuptuar rolin e qytetit Dyrrach në veprën apostolike të Sh. Palit, duke plotësuar dhe duke sqaruar me hollësi të shumta veprën ungjillizuese të tij në Ballkanin Perëndimor. Autori është përqëndruar kryesisht në përcaktimin e momenteve kryesore të jetës, veprimtarisë dhe krijimtarisë të Apostullit Pal, meqënëse ai është, jo vetëm një autor shumë i rëndësishëm i Dhiatës së Re, por edhe se ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në përhapjen e Ungjillit në të gjithë botën mesdhetare të asaj kohe.
Duke qenë një nga portat e Via Egnatia dhe një qytet i rëndësishëm i asaj kohe, qyteti Dyrrach nuk mund të mbetej jashtë udhëtimeve apostolike. Pa një studim serioz mbi rëndësinë e qytetit Dyrrach në historinë e hershme të krishterimit në Shqipëri nuk mund të kemi një histori të plotë të tij. Autori jep të dhëna të shumta, me anë të së cilave, unë mendoj, do të ndihmohen edhe studjues të tjerë për hulumtime të mëtejshme.
Ky studim është një vepër origjinale, ku qartësohen dhe nxirren në dritë të dhënat e njohura dhe sillen të dhëna të reja, përmes analizash e argumentesh të pashfrytëzuara prej studiuesve të mëparshëm. Shquhet për thellësinë e analizave historike dhe letrare. Metoda e këtij studimi është e veçantë, kombinon dhe përfshin të dhënat e rëndësishme nga fusha të ndryshme, gjë që e ka ndihmuar autorin për të sqaruar me detaje veprën ungjillizuese të Sh. Palit. Ky studim i ndërtuar me këtë metodologji të re sjell fakte të padiskutueshme se besimi i ri, besimi i krishter u përhap në trojet Ilire qysh në shekullin e parë kryesisht nëpërmjet veprës apostolike të Sh. Palit dhe dishepujve të tij.
Historiografia moderne i shikon ngjarjet historike në shumë dimensione, sepse të gjitha këto janë të pandashme dhe të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Paraqitja e njëanshme nuk e jep të plotë historinë dhe si pasojë e deformon dhe e gjymton atë. Vetëm një metodë tërësore mund t’i afrohet më shumë së vërtetës historike.
Mendoj se një nga kontributet e tjera kryesore të këtij studimi është sqarimi me detaje rreth hartave të Dhiatës së Re për katër udhëtimet misionare të Sh. Palit, duke saktësuar datat e nisjes e të mbarimit të tyre dhe vendet e punës së këtij misionari. Hartat e udhëtimeve të Sh. Palit deri më sot ishin hartuar, duke pasur parasysh vetëm ato emra dhe vende që përmenden në Dhiatën e Re. Por, pa dyshim, Apostulli ka vizituar edhe vende të tjera, të cilat nuk janë përmendur aty. Siç shpjegon edhe autori i këtij studimi, në Dhiatën e Re gjenden fakte direkte, ose indirekte, për udhëtimet e Sh. Palit dhe nxënësve të tij në vende të tjera, si ato në troje Ilire, që i përkasin Shqipërisë së sotme. Për këtë arsye, gjithmonë ka vend për korrigjime dhe shënime të mëtejshme, për ta pasuruar, sa më shumë që të jetë e mundur, hartën e veprimtarisë së tij dhe të bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë.
Studimi i Prof. Dr. Thanas L. Gjika hap një udhë të re për gjithë studiesit e kësaj periudhe dhe është një kontribut shumë i vlefshëm në historiografinë e kishtërimit. Ai shquhet për seriozitet, për metodologjinë e tij origjinale, si edhe për risitë e çmuara që sjell nëpërmjet kësaj metode.
Mitropoliti i Korçës Imzot Joan Pelushi,
Korçë 20 Janar 2024.
* * *
Prof. Thanas L. Gjika, me librin Shën Pali në Dyrrach – korrigjim i disa shënimeve dhe hartave në Dhiatën e Re, sjell një punim tërësisht origjinal, që përbën dukshëm risi në fushën e shpirtërores ungjillike. E më tej, risi po aq të veçantë për vetë historiografinë e fillimeve të krishtërimit. Falë të dhënash të reja, dhe përmes analizash e argumentesh të pashfrytëzuara nga studiues të mëparshëm, prof. Gjika e bën të padiskutueshëm faktin se besimin e ri të krishterë e solli në trojet ilire, sot shqiptare, drejtpërdrejt apostulli Pal me nxënësit e tij që në mesin e shekullit të parë. Me forcën e kritikës argumentuese ndaj studimeve të mëparshme, qoftë edhe të vetë Koncilit të II-të të Vatikanit, ai nxjerr në pah se nuk ishin misionarë të ndryshëm që vajtën prej Romës në trevat ilire dy shekuj më vonë për përhapjen e krishtërimit, por ky besim, ashtu sikurse për helenët, maqedonët dhe romakët e lashtë ishte autokton, me rrënjë të hershme, që në fillimet e veta apostolike.
Pas një pune këmbëngulëse shumëvjeçare, mbështetur mbi një literaturë të bollshme bibliografike, duke botuar rregullisht në këtë fushë të vështirë e delikate të Shkrimeve të Shenjta artikuj, studime dhe sidomos librat Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re (2007), Shën Pali punoi dhe në brigjet e Adriatikut (2014) dhe Disa korrigjime në shënimet dhe hartat e Dhiatës së Re (2022) dhe tani me arritjet e botimit të përmirësuar në anglisht, ky studiues çan e depërton guximshëm drejt shtigjesh të reja shkencore për t’u vënë në pararojë të studiuesve dhe biografëve më të njohur të jetës apostolike të Sh. Palit dhe autorëve të tjerë të Dhiatës së Re. Ai ia del mbanë të vërtetojë se përtej vendimeve, përtej paragjykimeve, ka vend përherë për korrigjime dhe saktësime historike lidhur me punën dhe udhëtimet misionare të Sh. Palit.
Prof. Gjika nxjerr në pah se mbarë krahinat e sotme shqiptare, nga Veriu në Jug, mbartin historikisht emërtesa, gjurmë, gojëdhëna dhe kujtesë të pashuar popullore për punën misionare të Sh Palit në përhapjen e Fjalës së Shenjtë të Jezusit. Zona Shën Pal me 14 fshatra në lindje të Tiranës; Qafa e Guri i prerë të Shën Palit në Gomsiqe të Mirditës, Guri i Shën Palit në Kabash të Pukës, Kepi i Palit, në Veri të Durrësit (i shënuar në hartat e vjetra veneciane Capo di Paolo); Kroi Pal pranë fshatit Backa në Skrapar; Lumi Pavlla në Jug të Butrintit – tërë këto toponime pra, janë qëmtuar të gjitha njëpërnjë, për të vërtetuar se në tërë krahinat iliro-shqiptare, puna misionare e Sh. Palit është vlerësuar e vlerësohet prej popullit shqiptar, pavarësisht nga historia e tij tragjike, më shumë se popujve të tjerë.
Me të drejtë në këtë studim shpaloset qyteti Dyrrach, si qendra më e afërt me Romën jashtë Gadishullit Italik, të cilin Sh. Pali e ktheu gjatë Udhëtimit të Tretë e të Katër Misionar në një qendër stacionimi për predikim e meditim, sidomos për të hartuar letrën e tij më të rëndësishme drejtuar të krishterëve ende të panjohur të Romës (Rom 1:1-15:33).
Ky studimi rrok fuqishëm një tematikë të përmasave botërore dhe përbën një kontribut me vlerë në fushën e përhapjes së Fjalës së Shenjtë, sidomos nëpërmjet krijimit të bashkësive të para të krishtera në qytete ilire dhe koloni romake të bregut Lindor të Adriatikut. Duke depërtuar në atmosferën e kohës, duke respektuar parimet bazë të hulumtimit dhe të metodës shkencore, duke parashtruar fakte të reja dokumentare, duke i vëzhguar, krahasuar e analizuar ato në mënyrë racionale, duke bërë punë të mirëfilltë topografie si hartues hartash, prof. Gjika arrin të strukturojë në mënyrë të saktë lëndën biblike, konkretisht atë të Dhjatës së Re dhe të hartave shoqëruese të saj. Niset kështu nga ngjarje konkrete, nga fakte e të dhëna, të patrajtuara historikisht e hollësisht, për të arritur në një hipotezë e tezë të një besueshmërie të lartë, me probabilitet të pashmangshëm, falë arsyetimit bajezian (sipas emrit të pastorit dhe matematikanit të famshëm anglez Thomas Bayes), siç është rasti konkret i letrës së Sh. Palit shkruar në maj të vitit 62 në Dyrrach për kishën e Jerusalemit, prej së cilës ruhet fragmenti Heb 12:1-13:25. Dhe nuk ka si të mos mbështes sot propozimin e prof. Gjikës për ngritjen në qytetin e Durrësit të një përmendoreje të Sh. Palit në pozicion ulur sikur shkruan Letrën Romakëve, Ungjillin e tij. Ky monument do të jetë një simbol i fuqishëm historik kuptimplotë, simbol krenarie atdhetare, sidomos në kohët e sotme të lëvizjes së shpejtë të njerëzve, ideve dhe të zhvillimit të turizmit.
Me kompetencën e studiuesit serioz, me guximin e frymës novatore, në mënyrë të qartë, të prerë dhe të drejtpërdrejtë, studiuesi Gjika ia del mbanë të shuajë në këtë libër mjaft paragjykime e dyshime lidhur me fjalën misionare të Sh. Palit në trevat iliro-shqiptare, të vërë në vend rolin ndikues të këtij apostulli në krijimtarinë e Sh. Pjetrit, Sh. James-it, Sh. Juda-s. Korrigjon gabime që rrjedhin nga vendime të mëparëshme, që përmbajnë shtrëmbërime, kufizime dhe dogma, duke e grishur Papatin për rishikim dhe shkëputje nga dogmat e dikurshme, ashtu sikurse ka vepruar me të drejtë po ky Papat në kohët e sotme të zhvillimeve moderne për mjaft çështje të rëndësishme dhe delikate, morale dhe fetare, kur ka pranuar tashmë të renë dhe rishikimin e pozitave të veta me frymë autokritike.
Është e vërtetë që shpirtërorja çan me vështirësi në Udhën e Ndriçimit, ashtu sikurse vetë idetë novatore, që arrijnë të thyejnë kornizat e hekurta paragjykuese të së shkuarës. Dhe fatmirësisht, prof. Gjika, që di të ndajë shkencoren nga jo shkencorja, nuk është sot i vetëm në fushën e analizës dhe kritikës konstruktive të Dhjatës së Re, kur punimet e tij kanë shkuar paralel me ato të Dom Lush Gjergjit dhe Dom Agim Qerkinit, krahas analizave dhe studimeve të Edvin Jacques, të Kristo Frashërit dhe mjaft figurave shqiptare e të huaja.
Si përfundim theksoj se arritjet e këtij libri duhen studiuar e diskutuar sa më parë prej studiuesve të Dhiatës së Re në Europë dhe Amerikë për të arritur në formulime sa më të sakta në shënimet sqaruese të shkrimve të shenjta dhe përmirësim të hartave të udhëtimeve misionare të Sh. Palit në botimet e ardhëshme të Dhiatës së Re dhe të encilkopedive e fjalorëve që pasqyrojnë këto probleme.
Fotaq Andrea
Strasburg, 24 Janar 2024.
* * *
Studimi i ri i Prof. Thanas L. Gjika Shën Pali në Dyrrach -korrigjim i disa shënimeve dhe hartave në Dhiatën e Re sjell arritje të dukshme në historinë e fillimeve të krishtërimit në Ballkanin Perëndimor, që banohej prej popullsisë Ilire, pararendësve të Shqiptarëve të sotëm.
Autori, si njohës i mirë i letërsisë shqipe dhe i historisë së popullit shqiptar, me librin në fjalë, është përpjekur të bëjë analiza të hollësishme dhe interpretime të teksteve të Dhiatës së Re, duke i krahasuar ato me tekste të përkthyera e të komentuara nga disa bibliçistë të huaj dhe ndonjë vendas. Një përçapje e tillë ku ben krahasime e sqarime shtesë të udhëtimeve të Sh. Palit dhe të nxënësve të tij e posaçërisht në Ilirik, e duke mos ndërhyrë në pjesën dogmatike të Biblës, e cila do konsiderohej një herezi, diskursi i autorit më këtë rast, vetëm i ben mirë studimeve të mëtejshme të teksteve të Biblës, e cila ka nevojë vazhdimisht të gjenerojë ide dhe frymëzime të reja për boten njerëzore.
Sipas studimeve teologjike, Bibla si një botim më i njohur e më i përkthyer në botë, ka vlera fetare, historike, letrare, etnografike, morale e tjera. Ajo shkrimet e saj i ka të bazuara, në dokumente të shkruara, por dhe në traditë e gojëdhëna. Shoqëritë që e kanë implementuar ju është bërë pjesë e jetës dhe ndërgjegjes së tyre. Kjo ka ndodhur edhe me popullin Iliro- shqiptar, i cili krishterimin e mori drejtpërsëdrejti nga Sh. Pali dhe nxënësit e tij dhe apostujt të tjerë të emëruar drejtpërsëdrejti prej Krishtit, gjë që dëshmohet në dokumente, traditë e gojëdhëna të transmetuara brez pas brezi deri në ditët e sotme.
Përpjekjet e autorit për t’i sqaruar edhe njëherë më saktë lëvizjet e Sh. Palit në Ballkanin Perëndimor që ishte ndarë në dy provinca Romake, në Maqedoni dhe Ilirik, e ku shigjeton udhëtimin e tretë që ai e saktëson të jetë kryer në këto anë në vitin 56, dhe udhëtimin e katërt, i cili nga ana kishtare akoma është i pavërtetuar. Studiuesi Gjika sqaron se Sh. Pali i ka vizituar qytetet Sarda, Lissus, Dyrrach, Apollonia e Adriatikut, Buthroton, Nicopolis i Epirit, etj. Duke i ballafaquar këto argumentet të autorit, me faktet tashmë të njohura historike për prezencën e apostujve në trevat Iliro-Shqiptare, konstatojmë së përpjekjet dhe arritjet e këtij studimi janë legjitime e të drejta.
Autori duke u mbështetur në argumente, analiza, gojëdhëna edhe metoda logjike, plotëson dhe nxjerr përfundime të arsyeshme, për përhapjen e Krishterimit prej Sh. Palit dhe ekipit të tij, në vendet të caktuar të Krahinës Jugore të Ilirikut, dhe në Dyrrach, Apolloni të Adriatikut, në Nikopolis të Epirit, në Korint, etj. Ai është mbështetur jo vetëm në të dhëna të vetë Sh. Palit si ne vargjet Rom 15:19; Titi 3:12; 2Tim 4:10b, por dhe në të dhëna të historianëve Marinus Barletus, Daniele Farlati, Hyacinthe Hecquard, Anthim Alexoudes, etj.
Sipas dokumenteve të më vonshëm, edhe apostuj të tjerë kanë kontribuar në ungjillëzimin e Ilirisë. Burimet kroate flasin së Sh. Luka ungjilltar ka predikuar nëpër Dalmaci, kurse Jacobo Coleti, në Iliricum Sacrum vell., VIII, dëshmon së Sh. Matia, ka predikuar në Dardani.
Qyteti Lissus (sot Lezha) i ka fillesat e veta që në kohët e hershme të periudhës antike, duke vazhduar kurben e ngjarjeve historike gjatë gjithë periudhave pasuese të zotërimit romak, antikitetit të vonë dhe mesjetës. Në këtë studim sqarohet se krishtërimin në këtë qytet të rëndësishëm e solli shën Pali kur ndaloi aty gjatë kalimit nga qyteti Sarda për në Dyrrach. Për shkak se fusha midis qyteteve Lissus dhe Dyrrach përmbytej në muajt mars-prill-maj nga vërshimet e ujrave të Lumit Matius, Sh. Pali kalo me anie nga Lissus në Kepi i Dyrach-ut e pastaj kaloi në këmbë në Dyrrach. Mbas punës misionare të Sh. Palit tek porti i këtij kepi, ky kep u quajt më vonë Kepi i Palit (It. Capo di Paolo). etë traditë tashme e kanë konfirmuar si burimet historike ashtu edhe te dhënat arkeologjikë.
Mbi fillimet e zhvillimit të krishterimit në Ilirik, në bazë të dokumenteve të shkruara, sistematikisht janë marrë historianët e njohur D. Farlato dhe J. Coleti në veprën Illyricum Sacrum, vell., VII /1, ku gjejmë të shënuar emirin e ipeshkvit të parë të Durrësit, Ceasar, nga viti 58 Pastaj kah viti 100 gjejmë emrin e ipeshkvit të dytë të Durrësit, Sh. Asti martir. Në vazhdim radhitën emrat e ipeshkvijve të tjerë. Afërsisht e të njëjtës vjetërsi, është edhe historia e katërmbëdhjetë ipeshkvijve të tjera të cilat gjendeshin në mbarë krahinat ilire.
Një numër tjetër i madh i shkrimtarëve kishtarë, flasin mbi krishterimin e Ilirikut të madh. Këtu, para të gjithëve, prinë Shën Gregori i Nishit (nga Naissusi, 334-379). Pastaj dijetari dhe shkencëtari i madh ilir, Shën Jeronimi (347-420) nga Stridoni. Mbi veprimtarinë e Shën Lukës ungjilltar në Dalmaci, flet Shën Epifani, i cili ka vdekur në vitin 403. Shën Pjetër Damiani, i cili u lind në vitin 1007 në Ravenna, thekson se si Shën Pali ka vizituar tërë Ilirikun . Për këtë J. Zeiller konstaton: se fillimet e krishterimit në Ilirik datojnë që nga epoka apostolike . Nga ana tjetër, po përmendim edhe martirët e parë nga këto vise: Sh. Sosthenes dhe Sh. Caeasar në Dyrrach gjatë shekulli të parë dhe Sh. Asti në fillim të shekullit II, Shën Terini në Buthroton në shekullin III, pastaj martirët dardanë, Flori dhe Lauri në Ulpianë, të cilët dhanë jetën e vet gjatë kohës së mbretit Hadrian (117-138) e të tjerë.
Përjekja e kahershme e krishterimit në botën ilirike ka lënë gjurmë në mendësinë e popullsisë vendase. Këto gjurmë shprehen në mënyrë të vetëdijshme dhe në përkthimin shqip të Biblës qysh herët, me Mesharin më 1555 prej Dom Gjon Buzukut e pastaj me përrkthimin e plotë prej Dom Simon Filipaj (1994), që duhet vlerësuar jo vetëm si ngjarje e madhe për jetën e Kishës, por përgjithësisht si një pikë me rendësi në kalendarin shumëshekullor të kulturës shqiptare.
Libri në fjalë, është përpjeke serioze dhe analizë e mirëfilltë, biblike e teologjike, historike e kulturore dhe në një të ardhme të afërt realisht do të hapë debate, diskutime e analiza të reja konstruktive në fusha të caktuara, për shkrimet e udhëtimet të autoreve të Dhiatë së Re e sidomos për ngjarjeve të ndodhura në gadishullin e Ilirikut.
Dr. Dom Nikë Ukgjini
Instituti i Studimeve Teologjike e Filozofike Shkodër,
Shkodër, 28 Janar 2024.