Melsen Kafilaj/Studiues
Kjo javë qe e mbushur plot e përplot me habere të reja; ndryshime dhe riciklime në kabinetin qeveritar, demokraci Bashiste, davete politike Gaspardhjane, dosje SPAKU me dhe pa Luleshtrydhe brënda, etj por crème de la crème qe lajmi mbi themelimin e një partie të re politike.U gëzuam shumë me thënë të drejtën se N+1+1 i Partive Politike në vend (132 të tilla të rregjistruara) është i vogël dhe i pamjaftueshëm për ndryshimin e Regjimit dhe Populizmi e Propaganda Politike janë ende të pakta në Atdheun tonë të boshatisur…
Të frymëzuar nga nisma politike e mësipërme (e cila është me pëlqim amerikan, sigurisht) por edhe nga rrethanat (boshatisja e vendit) thamë me vete: “Në djall të vejë! Pse të mos e nisim edhe ne themelimin e një partie të re politike?!” E meqë çdo shqiptar i thjeshtë e fisnik e ka në gen që të jetë Skënderbe mbi kalë, Kapidan e Kumandar dhe të ketë jeniçerët e vet, çetën e vet dhe çerdhen e vet të militantëve, përse të mos kemi edhe ne tonën?! Për këtë qëllim kemi hartuar një propozim modest të cilin e hedhim në mexhlis për konsumim publik për lexonjësit tanë.
Puna më e vështirë për shkrimin e këtij propozimi qe “çështja e emrit”.Emri është një çështje delikate dhe mjaft sensitive; gjykatoret të mbërthejnë prej zverku e s’të lënë që të shkosh pa të shtrydhur më parë mirë e mirë, polici të rras në hapsanë ndërsa shtetet të bëjnë madje që të ndryshosh edhe emrin për çështjen e emrit.Kështu që s’ka shaka me emrat! Pa e bërë dy, nisëm kërkimet. Partia e Gomerëve, Partia e Dashurisë, Partia e Rakisë, Partia e Bordellove Publike dhe e Kanabisit ishin të zënë me kohë e me vakt si emra.Kështu që pasi e vramë ca rradaken, gjetëm diçka më origjinale, më përfaqësuese dhe më internacionale dhe vendosëm ta quajmë “Partia WWW” (dabëllju, dabëllju, dabëllju).Flamurin politik nuk do ta kemi as të kuq, as blu dhe as lejla (një kombinim ky mes të kuqes dhe blusë, për ata që e njohin Teorinë e Ngjyrave) por bojë hiri (Ngjyrën e zezë na e kishin përvetësuar më parë për fat të keq Piratët e Detrave dhe ata të Kalifatit). Ndërsa logoja do të jetë 3W me dy vija paralele poshtë.Arsyeja?! Vu-Vu-Vu rrjedh vaj si lum dixhital!
Do të jemi një parti dixhitale; dmth pa zyra fizike, pa erë fizike dhe pa struktura fizike fare.Në parti s’do të kemi as Hierarki, as Kryetarësi dhe as Nënkryetarësi pasi të gjthë jemi Kryetarë. Duke qënë se të gjithë jemi Kryetarë, ne as nuk votojmë dhe as nuk zgjedhim askënd.Anëtarësia do të jetë e hapur dhe pa kuotizacione, dmth nuk do t’ju marrim leka, paunxha, evro apo dollarë të çdo shteti të botës as dorazi, as me llogari bankare, as me Bitcoins dhe as me “Go Fund Me” apo platforma të tjera. Si 132+1 Partitë e mësipërme as edhe ne nuk do të kemi ndonjë program politik por ndryshe prej tyre që ju premtojnë “parajsa me thasë” dhe ju japin “Noc Rrokun” pas çdo zgjedhjeje elektorale, ne as nuk ju premtojmë dhe as nuk ju zhvasim asgjë. Ne ju japim thjesht kohën tuaj, kohën tonë për ndryshim.
Si parti dixhitale me një “log dixhital”(kuvend) do ti japim përparësi diskutimeve, rrahjes së mendimeve, pranimit të mendimeve ndryshe por edhe të komenteve ndryshe (tek këto të fundit shqiptarët shkrijnë krejt talentin e tyre).As nuk do ti fshijmë, as nuk do ti filtrojmë komentet e tyre por do ti lëmë ashtu “sade” dhe transparente si për njëri-tjetrin ashtu edhe për hafijet e Pushtetit.Duke qënë transparentë në gjithëçka neve nuk do të na duhen as mbikqyrësit dhe as patronazhistët dixhital.Nocioni i një “zyre propagande e mbyshur cyt me data analysts, spin-doctors dhe fabrikator gënjeshtrash” do të jetë i huaj për ne.Kjo për arsyen e thjeshtë se me 80 e kusur vite propogande Populli është lodhur me marifetet e Artizanëve të Errësirës dhe një prej arsyeve që Atdheu boshatiset përbindshëm çdo ditë është pikërisht e njëjta ta-ta-ta e vjetër dhe kushtet e këqija të jetesës.Duke e parë realitetin me sytë tanë ne nuk e simulojmë dhe tjetërsojmë atë për ti bërë propagandë dhe për të gënjyer në mënyrë foshnjarake njëri-tjetrin.Ne nuk do të largojmë apo dëbojmë askënd prej Partisë tonë.Nëse dikush dëshiron me pëlqimin e tij që të hyj apo të dalë prej radhëve tona ai është vetëm një “log in” dhe një “log out” larg.Performancën tonë si Parti do ta masim si Perandorët Romakë në Koloseum, dmth “me gishtin sipër” (pëlqim) apo “me gishtin poshtë” (mospëlqim).Nëse e dhëntë ndonjëherë Perëndia- ky Demijurg i Madh i Botëve që të masivizohemi në kohë e hapësirë dhe të krijojmë qeverinë tonë, kjo e fundit do të jetë gjithashtu një qeveri dixhitale dhe proçedura e miratimit po e njëjta, dmth me gishta.Vetëm propozimet do ti bëjmë “me dorën virtuale ngritur”, pra si Spartanët e Lashtë.Duke qënë një qeveri dixhitale dhe rrjetesh sociale është e kuptueshme për rrjedhojë që jemi gjithashtu edhe “një qeveri klikimesh”.Ndryshimi i vetëm është që Ne nuk ndjekim në parim Juvenalin “ku survejuesi survejohet” dhe as nuk heqim kënd nga puna “për mosngritje a mosulje gishtash”.Ne as nuk ndëshkojmë dhe as nuk shpërblejmë pasi partia jonë dhe qeveria jonë dixhitale nuk e quan spiunllëkun punë.
PS: Propozuesit të këtij projekti në këtë çast është duke iu kalamendur koka dhe po i rrëshqet pena nga dora kështu që po e lë shkrimin përgjysmë për të bërë gjumin e zhegut.Në një çast të dytë do t’ju informoj gjerë e gjatë për këtë ndërmarrje utopike dhe synimet e saj.