• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Search Results for: themistokli germenji

AMANETI DHE UDHËTIMI NËN QIELLIN E KALTËR TË KALIFORNISË

October 8, 2017 by dgreca

1 kristaq_turtulli_kaliforni

(Shënime udhëtimi)

NGA KRISTAQ TURTULLI/

Ditët e para të shtatorit, mot i ngrohtë dhe qielli është i kthjellët. Avioni u shkëput nga pista mori lartësi dhe u drejtua nga jug-perëndimi. Mbeti pas qyteti i madh i Torontos i përmbytur nga dritat, i katërti në Amerikën e veriut për nga popullsia.Prej aeroportit u nisëm nga ora tetë e mbrëmjes. Ndenjësen e kam pranë dritares dhe kemi disa orë të natës që udhëtojmë me avion mbi re, por nuk më vjen për gjumë.

UNITED STATES - JANUARY 26: View of the Golden Gate Bridge, 1933-1937, architect Joseph Baermann Strauss, with the bay and the city of San Francisco in the background, at night, California, United States of America. (Photo by DeAgostini/Getty Images)
UNITED STATES – JANUARY 26: View of the Golden Gate Bridge, 1933-1937, architect Joseph Baermann Strauss, with the bay and the city of San Francisco in the background, at night, California, United States of America. (Photo by DeAgostini/Getty Images)

Më në fund nata e shkurtër iku, humbi pas reve të bardha. Midis lindjes dhe perëndimit, midis oqeanit Atlantik dhe oqeanit Paqësor ka tre orë diferencë. Fluturuam mbi tokë, mbi male, liqene, lumenj dhe fusha, jo mbi oqean siç më ndodh kur shkoj në vendlindje. Amerika është kontinent i madh. Piloti na lajmëroi që po afroheshim drejt vendit të mbërritjes. Udhëtimi ishte i qetë. Mbushem me frymë. Mbështes supin në anën e majtë të murit të shpendit metalik dhe ngre perden e dritares së avionit. Me kërshëri vështroj poshtë. Hapësirë toke e pamat. Ja, atje, me teren të thyer dhe gjelbërim të dendur, vreshta, agrume, të mbjella shtrihet Kalifornia, i quajtur ndryshe ‘Shteti i artë’, ose ‘Tokë e begatë e një fillimi të ri.’

E vizitoj për herë të parë këtë vend dhe, diku më në jug se këtu do përmbushet Amaneti i tim ati. Përgjatë fluturimit nuk vura pikë gjumë në sy. Kam udhëtuar natën edhe herë të tjera dhe jam përkundur e fjetur në ndenjëse e avionit si në djep. Por këtë herë është ndryshe, krejt ndryshe. Mendja ime është e mbërthyer nga kujtimet dhe nostalgjitë e viteve të shkuara e, mbi to qëndron AMANETI.

1SantaBarbaraCA10-28-08

Amaneti. Respekti i kujtimit. Premtimi. Fjala e dhënë. Kushtimi i të parëve e ka shoqëruar shqiptarin në shekuj e shekuj. BESA aq e njohur e shqiptarit në botë. Janë ngritur legjenda, balada, gojëdhëna. Të gjitha këto për Njeriun kanë pasur identitet dhe do kenë identitet e kuptim të madh. Dikush mund të mbledhë buzët dhe ti duken të rëndomta, anakronike, të dala mode e të pyesë: Përse çani kryet për to, sa vlerë kanë, kur ne jemi në kohën e revolucioneve të mëdha të zhvillimit të shkencës, teknikës, kompjuterizimit, internetit? Hapja e kufijve dhe lëvizja e lirë në botë është një gjë e zakonshme e ditës. Rinia lë vendlindjen, lë vatrën e ngrohtë. Lë pleqtë në shtëpitë gjysmë të rrënuara, pa kthyer kokën prapa. Sidoqoftë, harrojmë, njerëzit dhe ngjarjet lëvizin, rrjedhin tmerrësisht shpejt. Ikin, nuk janë më, harrohen sikur nuk kanë qenë kurrë. Të gjitha zhvillimet, ngrehinat, sfumohen bëhen një Hiç. Pikërisht në këtë lëvizje të harbuar të njeriut duhet to ngrihet përsëri, është më se e domosdoshme: Amaneti. Respekti. Kujtimi. Besa. Fjala e dhënë. Premtimi. Sepse janë më të prekshme, më reale, më tokësore, më qiellore, shpirtërore dhe asnjëherë nuk tjetërsohen. Amaneti lëviz shpirtrat, gurët, shkëmbinjtë, shkul vitet dhe shekujt…

Jo rrallë e kam pyetur dhe e pyes veten, përse ne të gjallët jemi kaq të pakujdesshëm, ngatërrestarë, zhurmëtare, ziliqarë, hakmarrës, indiferentë, sikur do jetojmë gjithë jetën? Ne e dimë, por shumë shpejt harrojmë që jemi vizitorë tmerrësisht të përkohshëm. Çfarë është e rëndësishme për NJERIUN në këtë amulli mendimesh, vetëkënaqësish, etje e shfrenuar për tu pasuruar dhe shpërdoruar. Vrarë, humbjesh poshtërsish dhe pasigurish?! Janë miliona që kanë ikur prej Shqipërie dhe shumë nga fëmijët e tyre kanë harruar të flasin gjuhën e bukur shqipe, duke fajësuar politikën e sotme dhe mizerien e mëparshme. Pikërisht në shkëputjen prej vatanit, ikjes, për të gjetur më të qenësishmen. Duhet të kthejmë kokën prapa, të mbajmë të zgjuar, të pashuar atë që na lanë të parët; Amanetin dhe Besën…

Këto mendoj, zemra më rreh fort dhe endet në qiellin e lartë ku gjendet ngrehina e Amanetit akoma e parealizuar e tim ati…

Me qindra e mijëra herë gjatë jetës sime e kam përsëritur në mendje Amerikën dhe Kaliforninë, pa guxuar ta shprehja dhe biseduar me të tjerët, mbasi më priste ndëshkimi. Partia dhe sigurimi i shtetit të ndëshkonte ashpër vetëm ta shkoje nëpër mendje Amerikën dhe Kaliforninë. Propaganda e verbërisë dhe e së keqes e mbante të ndehur shpatën mbi popull. Natë e ditë, që nga mëngjesi në darkë shante shtetin e demokracisë, të mirëqenies. Amerikën na i paraqiste si një lubi, Sfinks i tmerrshëm ku ha njeriu njeriun.

Më kujtohet vite të shkuara, kur im atë strukej në kthinën më të largët të shtëpisë, hapte radion, puthiste veshin pranë altoparlantit, dëgjonte me ton fare të ulët zërin e Amerikës, zërin e së vërtetës. Por u ndruhej komshinjve, ngado përgjoheshim. Sigurimi i shtetit rreth nesh kishte vënë spiunë. Një mbrëmje teksa dëgjonte Zërin e Amerikës e pashë babanë të përlotur, kishte dëgjuar të vëllain, Llambin, të intervistuar nga Zërin e Amerikës dhe këngën e tij.

Si të gjitha Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kalifornia është vendi i përparimit, shteti i lirisë, i së drejtës dhe demokracisë. Aq shumë e ëndërruar e dëshiruar e kërkuar, e shpresuar, e lakmuar nga miliona e miliona njerëz. Vetëm në vendin tim të vogël sa e sa veta janë vrarë prej diktaturës komuniste, arrestuar, burgosur, internuar, në përpjekje për të kaluar kufirin e rrethuar me tela me gjemba. Arratisur, ikur nga sytë këmbët prej ferrit komunist, për të mbërritur në këtë vend të begatë, ku lartohet e drejta dhe dinjiteti i njeriut, për ta shkelur, vizituar dhe jetuar aty. Kalifornia është shteti më i madh për nga popullsia në Sh. B. A. Kalifornia quhet hambari i Amerikës dhe e treta për nga territori pas Alaskës dhe Teksasit.

Shteti i Kalifornisë kufizohet në perëndim nga Oqeani paqësor. Në lindje nga malet e Sierra Nevadës. Në veri- perëndim nga pyjet Redwood- Douglas dhe në juglindje nga Shkretëtira e Mojavës. Kalifornia është e mirënjohur nga koha e ngrohtë e ngjashme me klimën e detit Mesdhe. Ka temperaturë të lagësht në veri, të nxehtë në lindje, në shkretëtirë dhe dëborë në malet alpine.

Influenca dhe ekonomia e shtetit të Kalifornisë është më e madhe se shtetet e tjera të Amerikës, në kulturë e politikë, infrastrukturë. Kalifornia është origjina e industrisë së filmit, potenciali i saj botëror. 58% për qind e ekonomisë së shtetit është përqendruar në financë, shërbime të ndryshme, në internet, në personal kompjuter, teknologji, shkencë, agrikulturë, industri etj.

Kalifornia e pasur me male, kodra, ajër të freskët, plot diell, kaltërsi dhe dritë. Brigjet e tij përkëdhelen prej ujërave të kaltra të oqeanit Paqësor. Popullsia Kalifornia është 39. 250, 017 banorë. Pesë milion banorë më shumë nga Kanadaja, atdheu im i dytë, ku emigrova. Kanadaja është shteti i dytë në botë për nga hapësira pas Rusisë.

Shteti i Kalifornisë me qytetet e zhurmshme, të veçanta, mbresëlënëse, të ngritura anës bregdetit të pasur si rrallë gjetkë; San Francisko, Monterej, Pismo Beach, Santa Barbara, Santa Monika,  San Diego, Los Angjelos, me të famshmet lagje Beberlli Hill dhe Malibu. Të intrigon emri i Hollivudit shkruar në të bardhë dhe lartuar në shpatin e malit. Hollivudi është qendra e zhvillimit, kulturës, modës e kinematografisë. Vendi ku janë mbledhur gjenitë, aktorët, regjisorët, skenaristët, këngëtarët e mëdhenj. Deri te Rialto, qytezë e vogël turistike ku jetoi dhe ndërroi jetë xhaxhai im, tenori i zë engjëll LLambi Turtulli.

Shqiptari mërgimtar për shekuj me radhë, nëpër balada e legjenda nga dëshirat e pamundura dhe dertet e pashuara për përmbushjen e amaneteve, përdori kuaj me krahë fluturuese. Të kaptonte male, në shi e në furtunë, për ta bërë legjendën dhe ëndrrën realitet, sikundër im atë që s’mundi. Tani, pas shumë e shumë vitesh, u rrëzuan muret ndarëse, u  përmbysën sistemet diktatoriale dhe u hapën rrugët. Njeriu krijoi avionët të kapin qiejt dhe ta zbresin legjendën e baladën në tokë…Djaloshi i talentuar i Korçës dhe përfaqësuesi i një prej familjeve fisnike, më të shquara tregtare dhe patriotike: Llambi Turtulli në vitin 1936 përfundoi me sukses studimet e larta për kanto në Rumani dhe Itali. Në përzgjedhjen e studentëve më të mirë të graduar nga viti akademik, dha koncerte në Francë, Paris, Itali, La Skala, Gjermani, Berlin, Austri, Vjenë e gjetkë. Këto koncerte u drejtuan nga dirigjentë të shquar. Fama e tij  si këngëtar i talentuar u përhap në gjithë Evropën.

Mbas përfundimit të turneut në Evropë Llambi Turtulli u kthye me mall e dëshirë në mëmëdhe e dha koncert në kryeqytet dhe në disa qytete të Shqipërisë. Djaloshit këngëtar, me zë të ëmbël, nuk i pritej  sa të shkonte në qytetin e vendlindjes, Korçë. Këndoi në qendër të qytetit, në krah i gjendej përmendorja e porsa ngritur e Luftëtarit të panjohur, simbol i përpjekjeve për liri dhe pavarësi. Me shokët e fëmijërisë, u ngjit në kodrat e Shën Thanasit dhe këndoi serenada me kitarë:

                                    Hëna po del, seç hënë, kjo magjike
Larg një kitarë ëmbël tingëllon,
Përhap ca nota shumë melankolike,
Dhe gjoni mbi një pemë ligjëron…

                   Gazetat e asaj kohe shkruanin me konsiderata të larta për këngëtarin e ri, tenorin Llambi Turtullin, këtë zë engjëll.Shqiptarët e Amerikës me Fan. S. Nolin dhe Faik Konicën në krye i bënë ftesë Llambit të vinte dhe të jepte koncerte në qytetet e Çikagos, Bostonit, Detroit e kudo ku kishte shqiptarë mërgimtarë, të malluar për këngën dhe serenatën e ëmbël shqipe. Llambi e pranoi me shumë kënaqësi ftesën e të mërguarve. I hipi anijes dhe lundroi drejt botës së re, të panjohur, që quhej Amerikë.

Xhaxhai im LLambi Turtulli këndoi pa u lodhur këngë klasike dhe serenata të ëmbla korçare. U ngrohu zemrat e të mërguarve me muzikë, musht e zjarr shqiptarie. Këndoi dhe në teatrot më prestigjioze të këtyre qyteteve dhe u vlerësua lart nga shtypi i kohës për zërin e tij të veçantë dhe të bukur.

Por shumë shpejt e gjithë bota u përfshi nga flakët e luftës së dytë botërore dhe po merrte shumë jetë të pafajshme. Llambi Turtulli si bir i familjes fisnike korçare, veshi uniformën e ushtarit amerikan dhe shkoi vullnetar në vijën e parë të frontit të luftës. Luftoi dhe, me kërkesën e komandës së repartit ushtarak dha koncerte të ndryshme në zjarrin e luftës së madhe. Në pushimet e shkurtra, ku fushonin shokët e tij ushtarë të lodhur, të lënduar nga lufta me armikun.

Pas përfundimit të luftës së bashku me repartin e tij ushtarak u kthye në Amerikë. Por mendja dhe zemra i rrihte të kthehej në atdhe, pranë familjes së dashur, në qytetin e tij të lindjes, Korçë. Kishte mall për prindërit, vëllain, shokët, miqtë, rrugicat e kalldrëmta, kodrat me pemë e vreshta. Por në vendlindje kishin filluar të grumbulloheshin re të zeza, ishte bërë sekuestrimi i pasurive dhe lufta e klasave e po bënte kërdinë.

Me zemër të lënduar vazhdoi të këndonte dhe të jepte koncerte të ndryshme kudo ku kishte shqiptarë si të shkëmbente dhe të shkrinte mallin me ta. Vite më vonë me ftesë e autoriteteve vendase e të mërgimtarëve shqiptarë që jetonin në treva e largëta të perëndimit, mori rrugën për në Kaliforninë e begatë. Ndalesa e parë ishte qyteti i San Franciskos…

Avioni u ul ngadalë në aeroportin e madh të San Franciskos. Ngarkuam valixhet në makinën e marrë me qira, hymë në autostradë dhe ngamë makinën drejt qendrës së qytetit, me pallate të larta, të xhamta.

San Francisko na pret me kohë të ngrohtë dhe qiell të kthjellët. San Francisko, një prej qyteteve më të rëndësishme të Kalifornisë, në qendër  të qytetit lartohen gradaçielat e xhamta. Por shumë nga lagjet e qytetit janë ngritur në teren të thyer, me rrugë dhe shtëpi karakteristike. Të duket sikur shtëpitë dhe rrugët e qytetit u janë qepur, kacavjerrë me ngulm malit e kodrave përreth, duke krijuar një ansambël interesant me të përpjeta e tatëpjeta rrugësh dhe ndërtesash si rrallë gjetkë.

Makina vrapon në asfalt, ngjitet dhe zbret. Nga të dy anët gjithçka jeshilon prej fushave të pafundme me të mbjella, me vreshta, perime, agrume! Shatërvanët e ujit sjellin freski dhe vaditin të mbjellat.

Ja, më në fund makina ndalet në një nga hotelet e qytetit të bukur të San Franciskos, me dritare nga oqeani. Varka të madhësive të ndryshme, me vela të bardha shkasin mbi valët e buta. Kaltërsi e pafundme, përsipër një mjegull e lehtë e përhime.

San Francisko është një nga qytet më të rëndësishme të Kalifornisë, me port të madh dhe të fuqishëm. San Francisko si rrallë qytet në botë ka dhe disa emra të tjerë; “The city by the bay”, “Golden Gate City” “Frisco”, “SF”, “San Fran”, “Fog City”, dhe më e vjetra  “The City that Knows How”, “Baghdad by the Bay”, “The Paris of the West”, Ndodh që qyteti quhet thjesht “The City.”

Sipas të dhënave, San Francisko u krijua me kolonizatorë nga Spanja më 29 qershor të vitit 1776. Në ‘Golden Gate’ Porta e artë, u krijua misioni  San Francisko de Asis. Tani Golden Gate është kthyer në një park i madh nacional. Qendër e madhe turistike, ku nuk ke ku të parkosh makinën. Në një vend kryesor, lartohet ‘Tempulli i muzikës’. Nga të dy anët shtrihen ‘De Young muzeum, ‘Akademia e shkencës’, ‘Japoni Tea gardën, Konservatori i luleve,’’ Kopshti botanik.’

Një kuriozitet; aktori dhe regjisori i shquar Çarli Çaplini në këtë park xhiroi disa skena të dy prej filmave të tij.

Qyteti i San Franciskos ka dhe disa kopshte të tjera të rëndësishme si: ‘Kopshti i Shekspirit’, ‘Kopshti i trëndafilave’, etj. Me pak fjalë e gjithë San Franciskoja është një kopsht i bukur, madhështor në breg të Oqeanit Paqësor.

Teksa vizitoja gjithë këto Kopshte, njëri më i bukur se tjetri, njëherësh mu kujtua vendi im, Shqipëria, ne vetëm një kopsht botanik kemi, në kryeqytet, në Tiranë. Por dhe ky i ashtuquajturi Kopsht Botanik është katandisur si mos më keq.

Qyteti i San Franciskos ka një shtrirje natyrale të madhe bregdeti. Më shumë se dyzet skela, quhen ndryshe dhe ura bregëzimi, që zgjaten në thellësi, në oqean. Këto skela i dhanë zhvillim qytetit bregdetar. Këto skela kanë qenë pika nevralgjike, nyje lidhëse e botës me qytetin, me vaporët e furnizimit që vinin nga bota, me mallra dhe udhëtarë. Më e famshmja dhe më e madhja nga këto skela ka qenë dhe mbetet skela, ura e bregëzimit 39. Kjo skelë tashmë është kthyer në një qendër shumë tërheqëse turistike, me dyqane të shumta, restorante dhe akuarium, e vizituar nga turistët e shumtë nga e gjithë bota.

Në kokën e  Skelës 39 nga ana e veriut dëgjuam klithma të thekshme, të çuditshme, të cilat na tërhoqën vëmendjen. U drejtuam për aty. Habitshëm pamë një mori të madhe luanësh deti, ne i quajmë foka, shtrirë në dërrasa, ngroheshin në diell. Një pjesë prej tyre lodronin, klithnin, hynin dhe dilnin nga uji.

Qyteti i San Franciskos për nga bukuria, veçantia, madhështia dhe ndërtimet karakteristike, të urave, të shtëpive e rrugëve, qysh në fillim të shekullit njëzet u quajt Parisi i perëndimit.

Urat madhështore që lidhin qytetin me rrethinat, si rrallë gjetkë në botë, njëra më e bukur se tjetra, të mahnitin me ndërtimet e tyre inxhinierike; Ura e San Francisco–Oakland Bay Bridge u hap në 1936, ndërsa Ura Golden Gate Bridge u hap në vitin 1937. Ndërsa në vitin 1939 u hap Ura Golden Gate International Exposition që lidhet me Ishullin e Thesarit. Ka qenë periudha kur ishulli Alcatraz, nga qendër ushtarake u kthye burg i sigurie të lartë. Në këtë burg të ndërtuar në ishull u mbajtën të burgosur mafiozët e gangsterët më të mëdhenj të Amerikës si Al Capone, dhe Robert Franklin Stroud.

E veçanta tjetër e këtij qyteti janë të përpjetat dhe tatëpjetat e rrugëve të San Franciskos: Të krijohet përshtypja sikur ky qytet i është kacavjerrë me ngulm kodrave dhe maleve që e rrethojnë. Kur zbret nëpër rrugë me makinë të duket sikur fluturon. Këto rrugë të pjerrëta më kujtuan rrugën e tatëpjetë të fëmijërisë së qytetit tim. Në dimër me dëborë kur vinte karroca e druve i shkarkonte poshtë, në rrugën kryesore. Ne hiqnin të zitë e ullirit, i ngarkonim drutë në torba dhe thasë, ngjitnim të përpjetën duke u  mbajtur këmbë e duar deri në shtëpi.

Mëngjesin e parë në San Francisko u ngrita herët. Endej një mjegulle e lehtë e përhimë. Nuk më pritej sa të dilja në breg, të merrja ajër të freskët oqeani. U befasova, përpara meje nuk kishte ujë, por veç baltovinë. Ku shkoi uji i oqeanit? Vura dorën strehë mbi sy, uji gjendej larg. Për herë të parë në jetën time pashë aq pranë e magjishëm, tërheqjen e ujit prej bregut, ikjen dhjetëra e dhjetëra metra larg. Më ngjau një largimin e trishtuar i ujit. Gjigandi oqean ishte larguar prej bregut duke zbuluar pëqinjtë, lënë pas baltë, mbetje, gurë si alga prehistorike. Mora një kafe, u ula në bisht dhe prita me durim, kur uji filloi të shkiste ngadalë, të afrohej, të merrte tokë, të shkonte në vendin e mëparshëm, asnjë centimetër më tepër…

Batica dhe zbatica. Për herë të parë mësova për Baticën e Zbaticën prej rrëfimeve të David Koperfildit të madhit Çarls Dikens. Nuk do kthehesha në qytetin Gjiri i Monterej (Monterey Bay) Po të mos kujtohesha se dikur kisha lexuar një letër, në të cilën LLambi i shkruante babait:

’Vëlla i dashur, shkova në qytetin Gjiri i Monterej dhe takova një mik të nderuar, shkrimtarin e madh Jon Steinberkun. U darkuam dhe kënduan së bashku.’

Ky takim kishte ndodhur në fillim të viteve 60. Shkrimtari i njohur Jon Steinberk u vlerësua me çmimin nobël me novelën e bukur: ‘Punishtja e konservave’ Cannery Row. Kjo novelë e bëri qytetin Gjiri i Monterej të njohur në gjithë botën dhe të pavdekshëm. Monumenti për nder të shkrimtarit Jon Steinberk dhe personazheve të tij është derdhur në bronc. Vendosur në qendër të qytetit të vjetër të Monterej, rrethohet nga tetë figura të tjera, të ndërtuara me art e mjeshtëri; njërëz të thjeshtë, peshkatarë, punonjëse të konservimit të peshkut, pleq. Ky monument vlerëson karakteret e ndryshme që kishte skalitur shkrimtari Jon Steinberk në librin e tij: ‘Punishtja e konservave’ Cannery Row.

Gjiri i Monterej është një nga parqet nacionale më të rralla nën ujore në Amerikë dhe në botë. Zgjatet 50 kilometra, mbulon një sipërfaqe prej 700 mijë kilometra katrore dhe ka një varietet të larmishëm të specieve ujore që përfshin 26 specie gjitarë si balenat, 345 specie peshq. Katër lloje të ndryshëm breshkash dhe 31 specie jo vertebrore dhe qindra specie bimore.

Monterej është e njohur për konservimin e peshkut. Dikur ka qenë kryeqytet i Alfa Kalifornia nën Spanjë dhe Meksiko. Në vitin 1846 u bë pjesë e Amerikës dhe një gji i rëndësishëm.

Fjetëm një natë në një nga hotelet atij qyteti mbresëlënës dhe të nesërmen në mëngjes u nisëm drejt qytetit bregdetar të Santa Barbara. Qyteti bregdetar Santa Barbara është me fytyrë nga jugu dhe shtrihet ndërmjet maleve të thella të Santa Shën Inezit dhe Oqeanit Paqësor. Santa  Barbara është një nga seksionet më të gjata të plazhit në bregdetin perëndimor të Amerikës. Është i veçantë nga mënyra e ndërtimit të shtëpive, ku janë gërshetuar kulturat amerikane me atë spanjolle. Në çdo stinë të vitit qyteti bregdetar me klimë të lakmueshme, të ngrohtë frekuentohet mjaft nga turistët e huaj dhe vendas. Santa Barbara është e njohur e për vreshtari dhe verën e shijshme të tavolinës.

Siç mësova vonë : Xhaxhai im LLambi Turtulli, me dëshirën e gruas së tij aktores së shquar Fern. J. Turtulli nderuar në Hollivud në vitin 1949 me Ammy Awords, çmim të lartë për film televiziv shumë të suksesshëm në atë kohë, qëndruan disa muaj në qytetin e Santa Barbarës. Të dy së bashku shkuan vizituan dhe Old Mision të Santa Barbaras, kishën e vjetër dhe, Llambi këndoi në atë kishë. U habit nga akustika e mrekullueshme e kishës dhe përcjellja e valëzuar e zërit. Pranë tyre u afrua murgu Agustin. E falënderoi LLambin për këngën dhe e përgëzoi për zërin e bukur. Xhaxhai ia tha përshtypjen  e tij për akustikën dhe përcjelljen e zërit. Murgu Agustin buzëqeshi lehtë dhe u përgjigj:

‘Zotëri i nderuar, ju falënderoj, por më lejoni tu them; se arkitektura e ndërtimit të kishës sonë Old Misionit u bazua në dhjetë librat e arkitekturës së shkruar nga arkitekti romak Vitruvius rreth 27 para erës sonë.’

Në sheshin përpara kishës Misioni i vjetër lartohet është një shatërvan i bukur, i gdhendur në gur, me ujë të kthjellët, sjell freski, e ndërtuar në vitin 1808.

Misioni i Santa Barbara është një nga misionet më të vjetra në Amerikë krijuar dhe ndërtuar mbi një lartësi nga françeskanët spanjollë rreth viteve 1786- 1790. Në të majtë të kishës shtrihet kopshti meditativ i ullinjve. Ngjan si labirint. Në çdo qoshe është pikturuar në gur udha e bërë e Krishtit drejt kryqëzimit. Kopshti, në mënyrën e gjetjes dhe të ndërtimit të shtyn instinktivisht në shtegun çlodhës e meditues.

Nismëtar për ndërtimin e këtij misioni ka qenë Padre Junipero Serra. Ky mision qëndron si një dëshmi e gjallë e kontributit të françeskaneve në historinë e zhvillimit ët shtetit të Kalifornisë.

Afro gjysmë shekulli kanë kaluar kur tim ati vdekja ia mori gojën, por luftoi, mos e jepte jetën pa lanë amanetin. Kërkoi laps dhe letër. Me mundim, me germa të shtrembra shkroi: LLa, M, K, P, V.., e të tjera germa të pa deshifruara. Vështrimi i tij  i mugët brodhi mbi ne, të mbledhur rreth tij. Qëndroi, e nguli shikimin te unë, që gjendesha te këmbët e tij, më i vogli i familjes, mes katër vëllezërve dhe dy motrave. U mpiva. Lëmsh i madh mu mblodh në grykë. Im atë s’e shkëputi shikim nga unë. Më bëri me shenjë të afrohesha më pranë, ti gjendesha në krah. Më lëshoi në duar, ngadalë, copën e letrës. S’ ma ndau shikimin, lëvizi buzët e thara. Mu bë sikur dëgjova:

‘I vogli im, a më premton për kryerjen e një Amaneti? Hë. Më premto dhe, mos harro..! Një lot i madh u rrokullis në fytyrën e tij të rrëgjuar, i ra në jastëk. Mu duk sikur i gjithë jastëku u qull. Im atë u shtriq, mbylli sytë.

Pulita qepallat u mata t’i thosha:-‘Babait, pse pikërisht unë, më u vogli i familjes? Të tjerët janë më të mëdhenj në moshë, më të pjekur, më të sprovuar në jetë?! A mundem! Xhaxhai është larg, shumë larg, në Amerikë, matanë kësaj bote.’

Nuk pata kohë të hamendësohesha, babai dha shpirt, iku, u bë frymë. Fleta e babait më përvëlonte duart. Disa prej inicialeve ishin për vëllain e tij Llambi Turtulli, këngëtarin, tenorin e mrekullueshëm. Im atë më kishte treguar për persekutimin, peripecitë e jetës, të familjes Turtulli. Për vëllain e dashur LLambi Turtulli dhe thyerjen e pllakave të gramafonit prej bastisjeve të sigurimit të shtetit. Por dhe unë edhe pse i mitur i ndjeva mbi shpinë thonjtë e mprehtë plot helm të persekutimit.

Shikimi i lëngshëm e ngulmues më depërtoi thellë në shpirt, koka më shungulloi. Kur isha fëmijë më tregonte për vëllain LLambi. Dhe kur përfundonte më thoshte:

‘Mos i harro këto që të thashë, vëri vëth në vesh, dëgjon?

‘Dëgjoj,’ i thosha.

‘Nuk i dihet si rrjedh jeta,’ dhe shtonte, ‘vjen një ditë e vdes ky dreq komunizëm. Në këtë botë asnjë sistem s’ është i përjetshëm’.

Por si mundet?! Si?! Ne gjendeshim në vorbullën e tmerrshme të ashpërsimit të luftës së klasave dhe luftës së eliminimet brenda llojit. Ishte gusht i viti 1976, kishin dalë gjithë ato grupe anti parti, dhjetëra dënime me pushkatim, ministra, gjeneralë dhe qindra arrestime…

Dikur xhaxhai im LLambi Turtulli donte të kthehej në vendlindje, plasi lufta e dytë botërore. Rrugët u mbyllën. Mbaroi lufta. Filloi lufta e klasave, kufiri u rrethua me tela me gjemba. Llambi vinte deri në Itali, të takonte njerëzit e dashur. Nuk e lejonin të hynte në mëmëdhe. LLambi ndërroi jetë tre vjet pas babait. Të dy ikën prej kësaj bote pa u parë kurrë…

Përpara se të merrja rrugën e kurbetit shkova te varri i prindërve. Mu bë sikur rasa e varrit u drodh dhe dëgjova zërin e thellë të tim ati:

‘Mos harro premtimin bir! Kështu erdhi puna, nuk e takova dot. Por një tufë me lule e pret nga ti im vëlla: Llambi Turtulli.1 Tenori Llambi TurtulliTenori dramatik shqiptar Llambi Turtulli/

 

Vitet rrjedhin pa u ndjerë në dhe të huaj në Kanada, në pështjelljen e pandalshme të ditëve, javëve, muajve dhe viteve, por Amaneti i tim ati herë pas herë më oshtinte në veshë, s’më linte të qetë. Ndërkohë para disa vitesh dhe rastësisht u lidha në internet me studiuesin, krijuesin e talentuar dhe zemërartë Timo Mërkuri. Jo pa qëllim po përcjell një fragment të shkëputur nga libri i tij: ‘VAJZA E VALËVE’ të botuar së fundi që bën fjalë për xhaxhain tim Llambi Turtulli:

Emrin e Llambi Turtullit e kam dëgjuar për herë të parë, në rininë time, nga im atë.
Familja e tim eti, duke qenë një familje blegtorësh shtegtonin shpesh në zonën e Korçës dhe im atë, atëherë djalë gjashtëmbëdhjetëvjeçar, kishte patur rastin ta dëgjonte koncertin e dhënë nga Llambi Turtulli, dhe Jorgjia Truja në vitin 1932, në kinema Majestic. Për hir të së vërtetës duhet të them se, interesimi i tim eti dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes së tij për këtë koncert, lidhej vetëm me emrin e Llambi Turtullit. Dhe ky emër, dhe emri i Tefta Tashkos) ishte i dashur për familjen e tim eti, jo aqë për artin që ai përfaqësonte si tenor modern, (sepse duhet të pranoj se të kënduarit e Llambi Turtullit ishte pak larg shijeve tradicionale të tim eti) , se sa për faktin se ishte një nga shokët e Neço Muko Himarjotit dhe të Andrea Balës. Veç faktit të një miqësie tradicionale me familjen e Andrea Balës, gruaja e të cilit, Fllorina, u bë vite më vonë, nuna ime, emri dhe zëri i Llambi Turtullit kishte hyrë në familjet bregdetase nëpërmjet pllakave të incizuara nga Grupi i Neço Mukos në Firmën PATHE në Paris. Nga ato pllaka, dilte një zë engjëlli…që e dëgjonin pa marrë frymë, në shtëpitë e bregdetit. Duhet të theksoj se ato incizime ishin si një tërmet në botën e thjeshtë të barinjve dhe detarëve bregdetas dhe emrat e këngëtarëve, si dhe këngët e tyre i dinin përmendësh në të gjitha familjet bregdetase. Kjo qe arsyeja që dhe im atë, një djalë i ri, i mori 1 lek të atit, (aq kushtonte bileta) dhe zbriti në Korçë, të shikonte këtë zë engjëll, që aq shumë herë e kishte dëgjuar në ato pllaka të bekuara, ardhur nga Parisi dritëshumë… Dhe na fliste e na fliste pa pushim, mua, si dhe gruas së Andrea Balës e vajzave të tij, nëpër vizitat e shpeshta që i bënim, për atë shfaqje dhe për atë engjëll, por interesimi im për këto dëshmi, fatkeqësisht, atëherë ishte shumë i vogël. Ishte koha kur në fantazinë time ndrinin më shumë sytë e gjimnazisteve sesa kujtimet, qofshin ato të brilanta, të tim ati.

Interesimi im lindi vetëm kur u njoha me përbërjen e grupit të Neço Mukos, në kuadrin e studimeve të mia isopolifonike. Por ishte vonë. Im atë nuk ishte më, që të më  jepte edhe njëherë dëshmitë e tij. Gruaja e Andrea Balës kishte ikur shumë më shpejt, duke marrë me vete brengën e një jete plot përndjekje e peripeci, me gjyqe, burgje e sekuestrime. Dhe ja, befas, në një gazetë në 15.09.2010, nën titullin kuptimplotë “Shpërthyesit e ‘32” lexova për atë shfaqje, që aqë shumë ma kishte përmendur im atë. Lexova për duartrokitjet e pambarim që publiku u dhuroi artistëve, bijtë Korçës kulturë shumë. Dhe nisa të kërkoj për Llambi Turtullin, zërin e të cilit pata rastin ta dëgjoj edhe unë në një nga disqet e incizuara në ato vite të largëta, në Paris. Kështu, duke kërkuar, u njoha me nipin e tij, Kristaq Turtulli, me banim në Kanada, nëpërmjet faqes së gazetës “Fjala e Lirë”, bashkëpunëtorë të së cilës jemi të dy.
Kërkesës sime për të dhëna dhe foto të Llambi Turtullit, ju përgjigj me një dashamirësi, që mua më tronditi me përmbajtjen e saj, sepse më dëshmoi që pothuaj të gjithë
autorët e këtij monumenti famoz të artit shqiptar, patën gatitë njëjtin fat. Vuajtje, persekutime, injorime nga një regjim injorant.
Ja se ç’më shkruan në e mailin e parë Kristaq Turtulli për xhaxhanë, tenorin e madh, pinjolli i një fisi atdhetarësh:
“Përshëndetje Timo Mërkuri. Të falënderoj për përshtypjet, mirësinë dhe interesimin për xhaxhanë tim, Llambi Turtulli. Ai ka qënë një tenor i mrekullueshëm, ka kënduar këngë dhe ka dhënë koncerte me Tefta Tashko Koçon, Jorgjie Trujën dhe me të talentuarin Neço Muko, i cili vdiq i ri.
Llambi ka dhënë koncerte…në Evropë edhe në Amerikë, në Boston Detroit Kaliforni e gjetkë. Ne i kishim të gjitha pllakat e gramafonit të incizuara me këngët e Llambit, por nga bastisjet dhe kontrollet e herë pas hershme të sigurimit të shtetit, për ironi të fatit, u thyen u shpërdoruan dhe u flakën në kosh. (ato pllaka që qenë historia dhe lavdia e artit shqiptar. Shen imi T.M.) Kur unë doja të bëja diçka, nuk gjeta asnjë gjurmë dhe më vjen shumë keq se kanë humbur vlera, jo vetëm për xhaxhanë tim Llambi, por për vlerat e kulturës Shqiptare, sepse artistët nuk i përkasin vetëm familjes, por kulturës së një kombi.
… Me respekt
Kristaq Turtulli”
Ndërsa emaili i dytë ishte plot me të dhëna konkrete të cilat po ja vë në dispozicion edhe lexuesit të kësaj gazete:
“I nderuar miku im Timo! Të përshëndes dhe të uroj gjithë të mirat. Të falënderoj edhe njëherë për interesimin, Juve në veçanti dhe të gjithë anëtarët e nderuar të grupit…. U përpoqa të gjeja disa nga materialet që më kërkove për xhaxhanë tim Llambi Turtulli dhe të cilat menjëherë po t’i dërgoj. Në fotografinë e parë është familja ime, gjyshja dhe roli aktiviteti i saj në shërbim të çështjes kombëtare. Pa futur këtu Mihal Turtullin*, firmonjësin e (Aktit) pavarësisë dhe Thoma Turtullin, Filantropin më të madh shqiptar, i cili i fali Korçës Tre pika kyçe, e bëri Korçën qytet me mendim perëndimor, Liceun, Spitalin, Bibliotekën, Shtëpinë e jetimoren, si dhe ndihma të mëdha për shkolla dhe kisha etj. Fill mbas ikjes në Amerikë e pas një aktiviteti dhe suksesi të bujshëm, në fillim të pranverës të vitit 1939 , vendosi të vinte në Shqipëri, preu dhe biletën, por ndërkohë, Italia fashiste pushtoi atdheun dhe u bë e pamundur ardhja. Ai kish mall për prindërit dhe familjen, por lufta e preu në mes ( mundësinë e takimit). Kur u çlirua Shqipëria, i dërgoi një letër babait dhe i tha se do bëjë përpjekje të vij unë në atdhe ose t’ju marr dhe juve këtej në Amerikë. Për fat të keq marrëdhëniet e shtetit të ri shqiptar me Amerikën po acaroheshin dhe ne ishim ne tehun e luftës së klasave. Babai i shkruan letër Llambit: Mos mendo asnjë nga këto. Ti qëndro atje ku je dhe fati jonë është të qëndrojmë këtu, sepse nuk është ashtu siç kujton ti. Na kishin shpronësuar dhe na morën të gjitha ato që kishim dhe na hodhën në kullat e hirit me rrobat e trupit… Rrodhën vitet, ne kaluam nën kalvarin e persekucionit dhe na i shkatërruan të gjitha ato që ruante me zjarr im atë për të vëllanë. Llambi kërkoi disa herë me radhë të vinte për vizitë në Shqipëri por nuk i jepej e drejta dhe nuk i kthehej asnjë përgjigje. Im atë vdiq më gusht të vitit 1976 dhe nuk e pa të vëllanë. Llambi Turtulli vdiq më 10 qershor të vitit 1979, tre vjet mbas vdekjes se babait. I zhuritur për mallin e familjes dhe të atdheut, që ai i këndoi me aq zjarr dhe dashuri. Kjo është me pak fjalë fati i njeriut të artit dhe i xhaxhait tim, këngëtarit të shquar LLAMBI TURTULLI. Nuk e di sa munda të bëj në kujtim të xhaxhait tim, artistit të madh, që nuk u përmend kurrë nga sistemi komunist.
Me respekt Kristaq Turtulli”
I botova të dy këto e maile, të cilat japin të plotë palcën biografike dhe fatin e artistit Llambi Turtulli.
Nuk e di se ç’të shtoj tjetër mbi këto radhë. T’u them që nëna, Dhoksi dhe babai i tij, Nisi, shtëpinë e tyre e kishin kthyer në një bazë të çetës së Mihal Gramenos e Çerçiz Topullit, Themistokli Gërmenjit, Spiro Bellkamenit e Sali Butkës? Apo të shënoj faktin që vëllai i Llambit, Petraqi qysh në moshën 17 vjeç inkuadrohet në çetën komite të Themistokli Gërmenjit? Të them që mësimet e para në muzikë i mori në Konservatorin e Bukureshtit apo të shtoj që mësimet e para në të kënduar i mori nga mjeshtri me famë botërore, Toskanini? Mos doni të dini që më 1928 hyri në Konservatorin e Milanos, (prej nga edhe u thirr nga Neço Muko Himarjoti për incizime në Paris, ku edhe shkoi) dhe që u diplomua në 1936?
Shfaqjen e parë e dha në teatrin Puçini, në Milano ku këndoi në operën e famshme “Kavaleria Rostiacana”, në 1930 në Budapest këndoi për tre muaj rresht në operat “Luçia dë Lamermour”, “Toska” dhe “La Bohema”, në Lugano të Zvicrës, më 1935 këndoi në 12 koncerte rresht, ku ishin mbledhur figurat më të shquara të kulturës botërore, në Boston në 1937 dha çfaqje të pareshtura në skenat më prestigjioze etj etj. Edhe unë shumë pak di për këtë artist, bile- bile, nga këto e maile mësova se Llambi nuk u rikthye dot në Atdhe, duke u endur si refugjat nëpër botë, por duke ngritur lart emrin dhe lavdinë e Atdheut të tij, për të cilin aqë shumë ka bërë fisi i tij dhe ai vetë dhe që disa pushtetarë ja ndaluan kthimin në të. Më mirë po shtoj disa paragrafë të artikullit “Shpërthyesit e ‘32” botuar në Gazetën e Korëës më 12 tetor 1932 dhe ribotuar në një gazetë tjetër më 15.09.2010. ku shkruhet:
-E mërkura e 14 shtatorit 1932 ka hyre ne historinë e muzikës shqiptare. Ne kinemanë Mezhestik te Korçës mbahet koncerti i pare artistik prej shqiptarëve nga një grup artistesh profesionistë që do te pushtonin shtypin e kohës. Mos harroni Te mërkurën me 14 shtator ne cinema Mezhestik jepet Koncerti i Artistëve Shqiptarë i organizuar prej shoqatës sportive Krahinore për shoqërinë sportiv. Skënderbeu.
Ky ishte koncerti i parë klasik që bëhej ne Korçë por edhe në Shqipëri prej artistëve shqiptarë. Dhe kjo u shënua me shkronja të zeza në afishet njoftuese. Katër artistë profesionistë që vinin nga studimet jashtë vendit, formuar për muzikë, sopranoja Gjeorgjie Filce, që e njohim me emrin Jorgjie Truja, pianistja Lola Aleksi, tenori dramatik Llambi Turtulli dhe violinisti Thoma Bezhani hyjnë në  histori, pasi njihet si fillimi i artit profesional shqiptar me grupin e artistëve lirikë që dhanë koncertin e së mërkurës së 14 shtatorit, i pari me artistë profesionistë me tendencat për të treguar për herë të parë muzikën e kultivuar përmes një romance shqiptare.…dhe romanca “Për se nuk më do më” nga akti i tretë i veprës Turandot të Pucinit, u interpretua nga studenti, tenori dramatik Llambi Turtulli.
. ..Romanca e tij (Kristo Konos, kënduar prej Llambi Turtullit) “O i mjeri Bilbil” pothuaj u përfshi në komentet e gjithë shtypit të kohës, pasi për herë të parë muzika shqiptare po shfaqej e kultivuar përmes
MBAN MËND.
Disku 44017
Këndon:
Llambi Turtulli
                  Mban mënd një natë në kinema
Në errësirë krah për krah
E jashtë kur duallëm si më the
Për dashurinë më bëre be
Kurdo që ndodhem në atë vend
Më vijnë një nga një në mënd
E qaj me lotë. Në këtë botë.
Ku është? Ku vate ajo kohë!
Ta dije dhimbjen që kam brenda në zemër (Refr)
Pikon gjithë gjak e katran, në veten time qaj
Fjalën se mbajte që the, dole e pabesë
Të rreme ato që the dhe beja e rreme qe.
E ç’domethënë pra që të rroj
Kur jetën me lotë e shkoj
Kur një i neveritur jam
E ndonjë shpresë nuk kam
Kur zemra ska qetësi
Po helme plot hidhësi
Ah! Kjo gjëndje, me këtë dhimbje
As nuk shkon as nuk ndryshon.
SHKODRA*
Disku 44020
Teksti: N. Muko
Këndon:
Llambi Turtulli
Brodha Shqipërinë e duke vajtur në veri
Pashë një qytet me tepër bukuri
Rreth e rreth me male e kodra
Me lum e liqen
Një kënaqësi
Të fort’ njeriu ndjen.
Kopshte shumë e fusha të mëdha
Kush i pa keto e nuk i tha:
Oh, Shkodër e bukur
Pamjen tënde magjike poetike
Do ta kujtoj.
Oh Shkodër e bukur
Plot me shpresa, kujtime, dëfrime
Që s’i harroj.
Me vajza plot, si ujë i ftoht
Që mëndja të qëndron
Me liri e gjallëri
Me shije e fantazi
O, Shkodër e bukur
Shijen e djalërisë
Njeriu aty kupton.
* Shoqëron Piano dhe dy Violi.
ËNDRRAT
Këndon:
Llambi Turtulli
Hëna po del, seç hënë, kjo magjike
Larg një kitarë ëmbël tingëllon
Përhap ca nota shumë melankolike
Dhe gjoni mbi një pemë ligjëron
Por ti je brenda, mbyllur rri dhe vuan
E dhimbje të ashpëra natë e ditë heq
Se ëndrrat e tua një mëngjes u shuan
Dhe pate një zgjim shumë të keq.
Po kush në botë nuk ka shpresa (Refr)
Kush s’bën pallate dhe ndërtesa
Për disa sy të dashuruar
Për disa buzë, disa duar.
Kush nga të rinjt’ ska puthur faqe
Kush nuk ka dashur manushaqe
Kush është ai që nuk gënjehet
Dhe kush nuk pret dhe ëndërron.
Në këtë natë, natë pranverore
Zemra ime që dëshirë ndjen
Të dilje ti njëherë në dritore
Natyrën të shikoje që shkëlqen.
Mos u dëshpëro, atë mendim pra nxirre
Se bota s’ka qëndrim po rrotullon
Dhe ëndrrat janë një lumturi ngaherë
Sa rron njeriu, gjithnjë shpreson.

E falënderoj nga zemra studiuesin Timo Mërkuri për studimin e tij dinjitoz dhe shumë të lavdëruar në librin:’ VAJZA E VALËVE’. Për evidentimin e vlerave të këngëtarit të mirënjohur LLambi Turtulli, që sistemi komunist qëllimisht nuk  e përmendi kurrë…

 

Qyteti i famshëm Los Angjelos më magjepsi. Shtrihet në jug të Kalifornisë. Bregdeti i pafund i pastër, i rrallë, rëra si flori, ku verojnë, çlodhen plazhistët e ardhur nga e gjithë bota. Pamje e rrallë, nga një anë Oqeani Paqësor i pafund, madhështor, që vezullon prej rrezeve të ngrohta diellore dhe pas tij tutje në sfond malet e larta me dëborë.

Emri i dytë i Los Angjelos është ‘Qyteti i Engjëjve’. I dyti për nga popullsia pas Nju Jorkut, me rreth 4 milion banorë. Me gjithë rrethinat shkon deri në 18. 7 milion. Zona e Los  Angjelos, tok me Long Beach është e njohur për klimë të ngrohtë mesdhetare.

Los Angjelos për herë të parë u zbulua për Spanjën nga portugezi Joan Rodrigea Kabrillo në vitin 1542. Los  Angjelos është shtëpia e Hollivudit dhe qendra më e madhe e industrisë se reklamës në botë. Dobly Teatër është qendra ku jepen çmimet Akademike dhe aktivitete të tjera të rëndësishme. Por njëherësh këtu ka dhe disa qendra të tjera si: ‘Los Angjelos muzic center’ ‘Los Agjelos Philarmonia’, ‘ Los  Angjelos Opera’, etj. Këtu janë tre nga studiot më të mëdha filmike: ‘Paramaunt Pikture, ‘20 Centëry Foks’ dhe ‘Universal Picture’. Ky qytet ka rreth 840 muzeume dhe Galeri  Arti. Pra ka Muzeume dhe Galeri Arti më shumë se çdo vend tjetër në botë.

Beverly Hill, në zemër të qytetit, aq shumë e njohur dhe e përfolur në botë; me bukuri të rrallë, luksoze, befasuese, intriguese, e veçantë, enigmatike. Rrethuar me pemë të larta, ku kanë jetuar dhe jetojnë aktorët më të mëdhenj. Gjithashtu ndër të veçantat është Malibu, me shtëpitë e bukura, karakteristike, me veranda të hapura përballë ujit, të ndërtuara buzë bregut të oqeanit të duket sikur dremit anës bregdetit.

Santa Monika shtrihet në jug të Kalifornisë dhe është pjesë e qytetit të Los Angjelos, por njëherësh e qytet më vete, një qendër e rëndësishme plazhi. Skela e Santa Monikës që shtrihet në oqean është mjaft e njohur, si një qendër turistike, argëtimi, çlodhje, me dyqane, restorante etj. Për nga bukuria Santa Monika qetësia dhe çlodhja, përbën një kapitull më vete, të veçantë.        Perëndimi i diellit në plazhin e madh dhe të pafund të këtij qyteti është një e papritur e rrallë, të lë pa frymë nga bukuria dhe përsosmëria e ngjyrave, të kuqërremë, në ohër të fortë, në ngjyrë të verdhë vezulluese. Rëra e kuqërremtë shtyhet drejt ujit dhe të duket sikur valëzon, me tone dhe intonacione që rrallë i ndesh në jetë. Përnjëherësh të bëhet sikur sheh vajzën magjike të valëve, që humbet, tretet në sfond. Këtë perëndim dielli të mahnitshëm e ndoqëm që nga skela e madhe e  Santa Monikës.

Në qytetin e famshëm të Los Angjelos u nderua me çmim të madh dhe gruaja e xhaxhait tim LLambi,  Fern, J Turtulli më 1949.

Sipas hartës qyteti Rialto, ku jetoi për vite me radhë dhe ku ndërroi jetë xhaxha Lambi Turtulli së bashku me gruan e tij Fern. J. Turtulli është rreth dy orë e gjysmë larg nga Los Angjelos. Moti është i nxehtë dhe ne u nisëm në mëngjes herët për aty. Hymë në autostradë, makina vrapon, nga një anë shtrihet oqeani i pafund dhe nga ana tjetër fusha jeshilon dhe vaditet prej shatërvanëve të ujit që sjellin freski deri te ne. Morën në të djathtë drejt perëndimit. U ndalëm një copë herë për tu furnizuar me karburant dhe blerë kafe. Me vete mora dhe një kopje nga romani im i përkthyer në gjuhën angleze: ‘The inn with two doors,’ për t’ia dhuruar kryetarit të bashkisë së  Rialtoas dhe për të mësuar informacion më të hollësishëm për jetën e vdekjen e xhaxha LLambi Turtullit.

Ndërtesa e bashkisë ishte një godinë e re njëkatëshe me tulla të kuqe, por që ish e mbyllur. Unë u habita mbasi qe ditë e premte. Kështu që mbetej e vetja mbështetje për informacion, biblioteka ose kisha. Për ndihmesën e punonjëses fjalë ëmbël Lara së bibliotekës dhe respekt të kujtimit të xhaxhait, i dhurova bibliotekës një kopje nga romani im i përkthyer në gjuhën angleze:’ The inn with  two doors.’

E gjeta më në fund vendin ku prehet xhaxhai, tetori i mrekullueshëm Llambi Turtulli. Ku është Njeriu, i talentuari, gjeniu?! Veç një pllakë e thjeshtë dhe një poçe e vogël me hi nën të. Por është emri i mirë që ke lënë pas dhe Amaneti i të tjerëve, i babait, i të dashurve, Besa që i jep kuptim e bën me vlerë dhe e çon në pavdekësi.

Tashmë nuk jam më ai djaloshi i njomë që, im atë më la në dorë, fletën e fletores të zhubravitur me germat të shtrembra, të shkapërderdhura. Më la AMANETIN, që se tret kurrë dheu, në përpjekje të jashtëzakonshme të mposhte vdekjen dhe thënë të pathënën. Tashmë i kam kaluar të gjashtëdhjetave dhe flokët më janë zbardhur. Sa vite kanë rrjedhur qysh atëherë në lumin e jetës, sa vite!

Mu duk sikur… Jo, nuk mu duk, im ungj kishte pritur që dikush të vinte nga larg, ti thoshte një fjalë prej zemre, një amanet mëmëdheu të largët, ti sillte një tufë me lule të freskëta, blerë te shitësi plak, i verbër, në qoshkun e rrugës së madhe. Kur i dhashë shitësit plak lëkurë zeshkët 10 dollarë dhe mora tufën me lule të freskëta. I verbri ngriti sytë e zbrazët mbi kokën time dhe bubulloi:

– Hej mik, kjo buqetë me lule është më e veçanta që shes në jetën time.

Vështrova i shtangur lëkurën e zeshkët të tendosur dhe bebet e syve të zbrazëta që i lëvrinin me vrull, si të gërmonte diku dhe të zbulonte atë që dinë dhe e kuptojnë vetëm të verbrit. Ç ‘donte të thoshte burri plak, ezmer me ato fjalë? Mos ishte furçë lustre e zakonshme e shitësve ambulantë të vegjël, paçka e janë të verbër, për të zhvatur ndonjë bakshish? Por ai ishte larguar disa hapa nga makina! Ndoshta shitësi i verbër i luleve, lëkurë zeshkët, shihte diçka ndryshe që shohim ne dhe ta ketë kuptuar misionin tim?!

-Paç mbarësi, miku im, ke bekimin e Zotit!- dëgjova që më tha shitësi plak i verbër dhe u ul duke u lëkundur në stolin e drunjtë, mes buqetave me lule.

E falënderova.

Të gjitha këto ndoshta i dëgjoi xhaxhai im. Fryu një fllad i lehtë, fëshfëritën degët e gjethet e pemës që gjendej aty pranë dhe, përnjëherësh mu bë sikur dëgjova zërin e tij të bukur… këndonte me shpirt, siç dinë të këndojnë vetëm shpirtrat që kanë bërë vend në hapësirën e pamat qiellore.

U përkula në gjunjë përpara pllakës së varrit të xhaxhait, pranë tij  ishte pllaka me emrin e së shoqes aktores së famshme Fern. J. Turtulli. Vendosa tufën me lule me dy pllakave dhe fola shqip, me zë të ulët:

‘Xhaxha Llambi Turtulli: Amanetin e kreva. Besa është e shenjtë. Qetësohu, prehu dhe le të prehen, të qetësohen Zërat: Le të zbardhen e të prehen të qeta të pathënat. Këtu me mua është babai, gjyshi, gjyshja, Korça, Shqipëria që shpejt a vonë do të ri zgjohet, do të respektojë, do të vërë në vendin që të takon, mes të mirëve. Dhe, të gjithë të dashurit e tjerë që të kanë respektuar, nderuar, miqtë e mikut tënd të hershëm Neço Muko që shkruajnë për ty dhe të kujtojnë sot e kësaj dite…

KRISTAQ TURTULLI

2 shtator- 10 tetor 2017

Filed Under: Emigracion Tagged With: KRISTAQ TURTULLI/AMANETI DHE UDHËTIMI NËN QIELLIN E KALTËR, TË KALIFORNISË

SI U SHUA VATRANI NË BURGUN E BURRELIT?

September 15, 2017 by dgreca

*KOLË RODHE,VATRANI, DEPUTETI, PREFEKTI, LUFTËTARI I LIRISË U SHUA NË BURGUN BURRELIT…./

1 Kola me Kostum.JPG ok

* Atdhetari vatran Kolë Rodhe, që la Amerikën për të bërë Shqipërinë, u akuzua si armik i popullit dhe u mbyll në burgun e Burrelit, ku u shua dhe sot nuk ka as varr…

2 ok Kola vullnet ok3ok Vatra Marlboro4 ok5 Vullnetari ok6 Noli dhespot7ok eleni Rodhe Leka ok

Foto 1-Grupi i Besa-Besën me uniformat 1909, ku shkruhej shqip:”Liri a Vdekje”. 2- Ne krye te  degës nr. 19 të  në Marlboro( i dyti majtas) 3-Gazeta e tij”Vullnetari” 4- Kur Noli u dorezua Dhespot 5-Vajza e Koles Eleni me te shoqin Genc Leka, pushkatuar nga dikttaura komuniste/

* Vajza e Kolës, mësuesja Eleni Leka(Rodhe), e martuar me poetin e pushkatuar Genc Leka, do të persekutohej e flakej rrugëve…

NGA DALIP GRECA

Në radhën e vatranëve, që ndriçojnë në rrugëtimin më shumë se një shekullor të Federatës Panshqiptare të Amerikës ”VATRA”, qëndron edhe Kolë Rodhe, luftëtari i lirisë kundër bandave greke, ish kryetari i Besa-Besë, Kryetari i Shoqatës”Arsimi” në SHBA, vatrani i përkushtuar, botuesi i së përdyjavshmes kombëtare ”Vullnetari”, deputeti i Korçës, prefekti i Beratit, Gjirokastrës, Shkodrës, martiri që u burgos nga turqit, grekët dhe komunistët, i cili pati një fund tragjik duke u shuar në burgun famkeq të Burrelit. Më kot kërkova me ngulm kronikat e viteve 1946, 47, 48 të gazetës Dielli, për arrestimin, burgosjen, dhe vdekjen tragjike të vatranit Kolë Rodhe. Nuk e gjeta, shkaku merret me mend: Në atë kohë Vatra mendonte se Qeveria e Enver Hoxhës ishte demokratike dhe në faqet e Diellit botoheshin fjalimet, biografia e Hoxhës, reportazhet dhe sukseset e qeverisë komuniste, lëvdohej Enver Hoxha, madje shahej dhe Amerika e mbrohej Bashkimi Sovjetik. Edhe kur shkruhej ndonjë fjalë për arrestimet e nacionalistëve, qofshin edhe vatranë, kalohej me ndonjë fjali të thatë, ku lajmi mbetej i dyshimtë. Kështu kur u arrestuan intelektualë e nacionalistë të Korçës, në fund të kronikës shkruhej:”Thonë se me këtë grup armiqsor është arrestuar edhe Kristo Kirka e Kolë Rodhja…”

Ndërsa në Diellin e Prill-Maj 1955, gjuha e Diellit është e mprehtë, therëse, kritike. Kupa e helmit është mbushur.Vatranët e Amerikës e kanë mësuar të vërtetën. Që në faqen e parë botohet kronika e vdekjes në burgun e Burrelit: “Kriminelët komunistë bëjnë kërdinë… Vazhdon pamëshirë çfarosja sistematike e patriotëve në Shqipërinë e Kuqe….Edhe Kristo Kirka vdiq në burg….”

Shkrimi vijon:” Pas Kolë Rodhes, Bahri Omarit, Kol Tromarës, Akile Tasit, Hito Sadikut, dhe shumë shqiptaro-amerikanë  e vatranë të tjerë, u vranë nga komunistët  e Shqipërisë ose vdiqën në burgjet e tyre të tmerrshme…Kristo Kirka vdiq në burgun e”Kryetrimave”, ku kishin vdekë dhe vatranë të tjerë, si Kolë Rodhja”

Shqiptari i Amerikës ndjen dhimbje.Vatranët vajtojnë për vatranët që po i grinte diktatura…

***

… Kolë Rodhe është ndër ata vatranë, që u nderua vonë nga shteti shqiptar, ndërkohë që shteti komunist e pat shpallë armik, luftëtarin e Lirisë, që luftoi gjithë jetën kundër armiqëve të Shqipërisë. Etaloni i demokratëve, vuajti në burgun e Burrelit, ku u shua dhe ende nuk i dihet varri as sot. Nuk mjaftoi vetëm dënimi i tij, por dhe familja u përndoq e u end dhimbshëm në Kalvarin e vuajtjeve. Përveç bashkshortes, edhe vajza e tij do të kalonte në ferrin e vuajtjeve për shkakun se ishte e bija e armikut të Partisë, Kolë Rodhes, që kishte vdekur në burg, por ishte edhe e shoqja e poetit, “armikut të rrezikshëm të partisë”, që u pushkatua me akt-akuzë për poezitë dhe përkthimet, Genc Bardh Leka.

Me propozim të Vatrës, Kolë Rodhe u nderua nga presidenti Bujar Nishani me Urdhërin e Artë të Shqiponjës, në nëntor 2015.

Po kush ishte Kolë Rodhe?

Kolë Rodhe lindi me 25 Korrik 1883 në qytetin e Korçës. Familja i mundësoi shkollimin bazë, gjimnazin. Ndjenja e shqiptarizmit e burrëroi herët, e rreshtoi me armë në dorë në radhët e çetave të Lirisë, por edhe e përplasi herët në qelitë e burgjeve. Ishte 18 vjeç, kur u burgos nga Xhonturqit, si njeri që trazonte Perandorinë. Pas 9 muajësh burg lirohet, por nuk mundi të jetonte më në Korçën e dashur, pasi emri i tij ishte vendosur në rreth. Ndjenja e patriotizmit e çon në Odesë të Rusisë me qëllim që të mbledhë ndihma për familjen e dëshmorit Papa Kristo Negovani, të masakruar nga grekomanët. Më pas kontribuon për mbledhjen e fondeve për gazetën e Sotir Pecit”Kombi” që botohej në Boston. Atdheari është i kudondodhur në vorbullën e Lëvizjes Kombëtare. Gjendet në Sofje dhe në Bukuresht, ku ka vendosë lidhje me patriotët shqiptarë të atjeshëm, ka kontakte me priftin patriot At Naum Çere e të tjerë. Më 1908 është me taborrin  e shqiptarëve që kërkojnë organizimin e Lëvizjes Kombëtare, mbështetës i patriotëve shqiptarë në Amerikë. Lëvizja e këtushme(SHBA) i jep pjekuri guximit dhe shpirtit të tij atdhetar. Fillimisht me Nolin e më pas dhe më Konicën, Kristo Kirkën, Kolë Tromarën, e patriotët e tjerë, bëhet një nga shtyllat e lëvizjes shqiptare në SHBA. Është në taborin mbështetës,kur Noli themeloi Kishën Ortodokse Shqiptare, gjendet aty kur u dha mesha e parë. Zgjidhet Kryetar i Shoqatës Besa–Besën, është kryetar i pleqësisë për degën e Vatrës në Marlboro, është ithtar i përgatitjes së Trupave vullnetare me djemtë e shqiptaro-amerikënve dhe i oficerave shqiptarë, për t’i dërguar më pas në Shqipëri për t’u mbrojtë nga fqinjët grabitqarë të tokave arbërore.

***

Që kur ishte tek shoqata Besa-Besën, Kol Rodhe kreu një akt që pakëkush do ta bënte. Shoqata Besën e kishte në programin e saj mbrojtjen e Atdheut. Ata kishin krijuar edhe uniformat ushtarake për të qenë të gatshëm kur t’i kërkonte Atdheu. Në kapelat e uniformës shkruhej në gjuhën shqipe”Liri a Vdekje”. Kur Kol Rodhe ishte në krye të Besa-Besë, si kryetar i saj, dha shembullin për të tjerët: Unë i pari,- tha ai. Pastaj bëri ftësën:

-Të tjerët pas meje t’i ndihim Atdheut që po rënkon!

Dhe u nisën drejt Shqipërisë. Kur mbërritën në Korfuz, u zbuluan dhe u arrestua nga Xhonturqit. E dërgojnë në burgun e Janinës, më pas në kalanë e Gjirokastrës. Gazeta “Koha” e Mihal Gramenos në numrin e saj të 17 majit 1917, jepte këtë kronikë:” Si vetëtimë u përhap kushtrimi prej Gjirokastre, që përcillte lajmin e bukur që atdhetarët Nikolla(Kolë) Rodhe dhe Vasil Tromara, pas 8 muajësh burg në Delvinë, Janinë e Gjirokastër, muarën berarët dhe u liruan nga burgu. Këta atdhetarë vuanin si martirë për çështjen kombëtare, se vjet në verë ardhë nga Amerika e i burgosën në Delvinë pas Kryengritjës.”

Sapo fiton lirinë, kthehet në qytetin e tij dhe vendos lidhje me luftëtarët e lirisë. Krijon grupimin e tij me një masë të konsiderushme luftëtarësh të lirisë nga Gora, Opari dhe me ta çliron Bërzeshtën, Pogradecin etj. Sërish kthehet në Korçë dhe merr pjesë në çlirimin e saj. Kapet prapë nga xhonturqit dhe burgoset në bodrumet e Mitropolisë së bashku me shokët e tij. Sapo u përhap lajmi, fshatarët e fushës së Korçës mësyjnë dhe shpërthejnë burgun. Kola lirohet dhe bashkohet me çetën e Sali Butkës dhe Kajo Babienit, sulmojnë Kolonjën e çlirojnë dhe nisën drejt Beratit.

Kudo ku luftohej për liri atje ishte Kol Rodhja. Mori pjesë në Luftën e Çifligut përkrah shokut të armëve Spiro Ballkameni. Shokë armësh e idealesh me Themistokli Gërmenjin, Çerçiz e Bajo Topullin, mori pjesë në Luftën e Mashkullorës, ku merr plagë dhe e nisin drejt Vlorës.

Nëse do të vazhdonim të shfletonim kronikat e bëmave atdhetare të këtij luftëtari të Lirisë, do të shënonim:Kolë Rodhen me 1 dhe 2 prill 1914, e gjejmë shef të Xhandarmërisë në Korçë. Në krye të forcave të mbrojtjes së qytetit ai shtyp kryengritjen e grupimeve të komitëve grekë, të ndihmuar nga ushtarët grekë, e ashtquajtur kryengritja e Vorio Epirit.

Më 1915 kthehet sërish në Amerikë. Si përherë aktiv. Në shkurt 1916 është ndër krijuesit e shoqatës “Arsimi Kombëtar” dhe në krye të saj, si kryetar.

Me gazetën e tij”Vullnetari”, që nisi botimin me 1916, u bë një avokat i aftë i Vatrës dhe i Lëvizjes Kombëtare në SHBA.

Numri i parë i Vullnetarit është publikuar me 18 Shkurt 1916 në Natick-Massachusetts. Botohej dy herë në muaj.Ishte gazetë politike e satirike.Që në numrin e parë gazeta botoi programin, ku spikaste qëllimi i botuesit dhe mbështetësve të gazetës: Gazeta ka si qëllim të mbrojë vetëqeverimin dhe tërësinë e Shqipërisë, të forcojë Lëvizjen Kombëtare, të godasë çdo kundërshtar, që pengon Lëvizjen Kombëtare, të demaskojë publikisht para shqiptarëve intrigantët, provokatorët, dhe përçarësit, të mbajë lart nderin e atdhetarëve të shkëlqyer dhe shqiptarëve Kombëtarë etj. Vullnetari, që në numrin e parë denonconte masakrat e grekëve në Jug të Shqipërisë dhe vajtonte fatin e popullit të masakruar, ndërkohë që godiste fort përçarjet mes shqiptarëve, përfshi dhe tek shqiptarët e Amerikës.

***

Si shumë atdhetarë të tjerë përkrahës dhe dishepuj të Fan S.Nolit, edhe Kol Rodhja, kthehet në Atdhe për të”bërë Shqipërinë”. Korça e vlerësoi kontributin e birit të vet duke e zgjedhur deputet të të parit Parlament Shqiptar më 21 prill 1921.

Gazeta “Posta e Korçës” e datës 9 mars 1922 shkruante: “Votoni për kandidatët e pandarë të Im Zot Nolit, zotin Kolë Rodhe dhe Faslli Frashëri…”.

Ndërsa më 11 Mars 1922, e njëjta gazetë shkruante:”Populli e tregoi me fakte besimin e tij, duke i dhënë votat zotit Kolë Rodhe për postin e deputetit.”

Studiuesi Teki Selenica do të shkruante në librin e tij statistikor”Shqipëria më 1927”: I zgjedhur për trimërinë dhe respektin që krijoi Korça e mrekullueshme, Korça shqiptare midis Banush, Hamdi, e Estref Frashërit, Loni Kristos, Pandeli Calës, Kristo Kirkës, Pandeli Evangjelit, Sejfi Vllamasit, Sotir Pecit, …vuri edhe Kol Rodhen.”

Në shtypin e kohës gjenden gjurmët e veprimtarisë së vlerësuar atdhetare të Kolë Rodhes. Gazeta e Vatrës, që dilte në Korçë nën drejtimin e Hasan Bitinckës”Shqiptari i Amerikës”, në artikullin me titull”Deputeti i Korçës” botuar në numrin e 24 marsit 1923, ku jepet një kronikë nga punimet e Parlamentit të 22 marsit, shkruan:” Pardje(22 mars), doli Qeveria para Parlamentit për shkoqitje e votëbesim.Fjala e Kryeministrit u karakterizua prej opozitës si konferencë premtimesh e shpresash për të ardhmen…prej opozitës folën Isuf Benga, Luigj Gurakuqi, Ali Këlcyra, Bahri Omari, Koço Tasi, Kol Rodhe e Medi Frashëri.”

Kol Rodhe përveçse deputet aktiv, kreu dhe detyra të tjera shtetërore, paçka se ishte kundërshtar i hapur i Monarkisë, Mbreti Zog, e ngarkoi me detyra qeveritare si Prefekt në Shkodër, Berat, Fier, Gjirokastër. Kundërshtarët politik ia vlerësonin atdhetarizmin dhe përkushtimin Kombëtar. Ai kishte dhënë prova me armë në dorë për mbrojtjen e Atdheut. Pushtimin fashist të Shqipërisë e priti me revoltë, ashtu siç kishte pritë të gjithë pushtuesit. Në ditëpushtimin fashist ai dha dorëheqjen nga detyra shtetërore. Edhe pse e përkrahu luftën kundër pushtuesit Kolë Rodhe nuk pranoi thirrjet për të marrë pjesë në Konferencën e Pezës, Kongresin e Përmetit, Konferencën e Beratit etj. Kola kishte përvetësuar demokracinë amerikane- ishte për një pluralizëm e demokraci alla amerikane.I kuptoi shpejt qëllimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe kërkoi të veprojë për ta ndalë të keqen.

Ishte kjo arsyeja që u vu në krah të opozitës përballë komunistëve, duke qenë në radhën e socialdemokratëve në zgjedhjet e para pas çlirimit. Nuk pranoi që të votonte me 2 Dhjetor 1945, abstenoi në votime së bashku me vajzën dhe gruan e tij. Ishte kundërshtar i hapur i bashkëpunimit me Jugosllavinë. Për këto qëndrime arrestohet me 27 Janar 1946 dhe në qershor, atdhetari, që kishte luftuar aq shumë për pupullin e tij, me pranga ndër duar, gjykohej para popullit si “armik i popullit”! Dhe kush?… Ai luftëtari i përhershëm për çlirimin e Atdheut, që kishte luftuar me turqit, grekët, e italianët…Gjykohet së bashku me 37 antikomunistë (Grupi i Sami Qeribashit dhe Musine Kokalarit) në qershor 1946.Mbajti qëndrim burërror para Trupit Gjykues. Dëshmia e atij gjyqi vjen nga kronika prej sallës së Gjyqit, që e ka përcjellë Gazeta e Frontit Demokratik”Bashkimi” në numrat e 19 dhe 21 qershor 1946, kur shkruan:

” Kolë Rodhja jep llogari.”

Akuza: Kolë Rodhja zhgënjeu komunistët, të cilët përdorën reputacionin e tij në popull duke e vënë në Kryesinë e Frontit Demokratik”…

Kryetari i gjyqit, sulmonte me mllef atdhetarin e orëve të para: – “Armik i popullit”!..

– Sabotator!

– Ujk plak…!

Kryetari i Trupit gjykues:- I pranon akuzat?

Kola:-Asnjë!

Kryetari:-S’ke pasur lidhje me tradhtarët?

Kola:-JO!

Prokurori:-Po asnjë faj nuk ke bërë ti, Kolë Rodhja?

Kola:-Asnjë!

Prokurori:- Mos të kemi sjellë kot këtu?…

(Salla dhe trupi gjykues(të orkestruar) qeshin…)

Prokurori:- Gënjen Kol Rodhe…Ti thua që rinia nuk duhet të merret me politikë. Ti ke qenë Inspektor i Ministrisë së Brendshme…Nuk ke përkrahur lidhjet tona me Jugosllavinë. Kërkoje Autonominë e Kosovës.Po, o Ujk plak, po Kol Rodhe…Ti deshe Regjencën e Mehdi Frashërit, deshe ndërhyrje të jashtme, se gjendja qenka e errët…Deshe shpërndarjen e ushtrisë, mbrojtjen e atdheut…deshe qeveri koalicioni me shumë partira, deshe të prishësh unitetin politik e popullit shqiptar…

Akuzat vazhdonin lumë….

Ç’ti thoshte Kola këtij prokurori militant ?  Dhe zgjodhi heshtjen….

Kol Rodhja kur gjykohej ishte 67 vjeç… Trupin gjykues i dha dënimin me 30 vite burgu. Mosha, torturat, e lodhën patriotin, që një vit pas dënimit u shua në burgun famkeq të Burrelit…

Kalvarit të vuajtjeve nuk i shpëtoi as familja e tij, e cila u “shpërblye” për aktivitetin patriotik të Kolës duke e hedhur në krahët e mjerimit dhe punët e krahut!

Vajza e tij, e martuar me poetin disident Genc Leka,u përjashtua nga arsimi. Ndër akuzat që i formuluan ishte dhe ajo e vjehrrit, Kolë Rodhe,ish deputet i Zogut(kështu e quante Vangjel Çërrava) dhe shtonte në raportin e tij konfidencial për organet e  diktaturës: Babai i saj, ka vdekur si “armik” në Burgun e Burrelit…Deputet i Zogut!

***

BIBLIOGRAFI

1- Gazeta Dielli, 16 Prill 1947, faqe 1(Gjyqi i Korçës)

2- Gazeta Dielli-Prill-Maj 1955, F .1

3- Klara Çelo”Udhëve të Historisë)-Të pathëna për shqiptarët e famshëm-Vëllimi i I, Faqe 99-104

4-Gazeta “Koha” e Mihal Gramenos 17 maj 1912, 25 Maj 1914

5-Gazeta”Shqiptari i Amerikës”,24 mars 1923

6-Gazeta e Korçës, 26 prill 1924

7-Gazeta “Bashkimi”, 21 Qershor 1946

8-Teki Selenica”Shqipëria më 1927”, f 21, Pasqyra A

9-Gazeta “LIRIA A”- 14 Mars 1996, faqe 6 , 8, autor Gaqo Rrota-ish deputet.

10-Gazeta”Dita”,6 tetor 2008: Klara Çelo”Kolë Rodhe, një jetë në shërbim të atdheut”.

 

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Kole Rodhja, ne Burgun e Burrelit, Si u shua Vatrani

DOM NIKOLLË KAҪORRI – APOSTULL I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVET

August 1, 2017 by dgreca

1NikolleKacorri

“Kaçorri ka mendue thjesht e vetëm si mâ i kullueti Shqiptar idealist e ashtu ka veprue”-  MUSTAFA MERLIKA – KRUJA/

1-Eugjen-Merlika-225x300

Shkruan: Eugjen Merlika/

“I ndyer prift shqiptar, atdhetar i rrallë ! Ti ishe i zgjedhur prej klerit katolik të ndritur, të cilit Kombi shqiptar aqë përparim i a di për të mirë. Urtësia, gjakftohtësia, frika ne Zoti dhe trimërija Jote përbënin karakterin tënd të thjeshtë shqiptar.

            Tufa shqiptare intelektuale, e cila kishte fatbardhësinë me Të pasë në mest të saj, ndillte gjithmonë fuqi dhe shpresë prej energjisë Tënde të palodhur, edhe në kohërat më të rrezikshme. Ҫdo armiku të Kombit tonë i nxore Ti parzmin përpara, kurdoherë gati Të bëhesh theror, si bariu i mirë për grigjën e vet. Të pashkruara janë vojtjet e Tua edhe rreziqet që në kohët e djalërisë Tënde për realizimin e idealit Tënd të lartë, të cilin e përbënte liria, shdrivillimi dhe qytetërimi i Kombit t’onë shumëvojtës….”

Shkëputa këtë fragment nga fjala mortore, e mbajtur në Vjenë, plot njëqind vjet më parë, më 1 qershor 1917, në varrimin e Dom Nikollë Kaçorrit, që kishte ndërruar jetë aty, mbas një lëngate prej tre-katër muajsh në kryeqytetin austriak, e të botuar në gazetën “Vëllaznia”, të nesërmen e asaj dite.

Përbëjnë këto pak fjalë një portretizim të saktë të personalitetit të atij “prifti të ndritur dhe atdhetari të rrallë”, siç i pëlqeu t’a mbyllë përshëndetjen e tij mortore zotit B., fatkeqësisht i mbetur vetëm me këtë inicial në kujtesën e lidhur me përcjelljen e fundit të famullitarit shtetar, ish Nënkryetarit të Qeverisë së parë shqiptare të Shtetit të parë shqiptar.

Vjena, vëndi i prehjes së tij trupore, ishte kryeqendra e një Perandorie, e cila ndërthurej shpesh me fatet e Shqipërisë, pjestare e Perandorisë Otomane, por edhe me atë të priftit nga Lura, i cili, në sajë të veprimtarisë së dëndur atdhetare, u bë një nga përfaqësuesit më të spikatur t’asaj pjese të klerit katolik, që ishte vënë në ballë të lëvizjes intelektuale të Rilindjes shqiptare, e cila synonte ringjalljen e Kombit. Jeta e tij tokësore qe e shkurtër, nuk arriti as në gjysmën e qindvjetit, por qe e mbushur me përpjekje, mund, punë të palodhur në shërbim të misionit të tij si meshtar katolik në përkujdesin për “grigjën e Krishtit”, i së cilës ai ishte një bari i zellshëm. Krahas këtij misioni, të marrë përsipër që në bangat e Propaganda Fide-s, ku studjoi e u shugurua prift në moshën 22-vjeçare, Dom Nikolla i kushtoi një pjesë të mirë të zotimit të tij vetiak e shoqëror edhe problemeve të shumta e të ndërlikuara të Atdheut.

Krahas figurave të tjera të shquara të klerit katolik shqiptar si Fishta, dy vëllezërit Mjeda, Gjeçovi, Marlaskaj, Shantoja etj. që, veç detyrës së predikimit të fjalës së Zotit, dhanë ndihmesën e tyre themelore edhe në jetën kulturore, politike e shoqërore të Kombit, Kaçorri u shqua jo vetëm si “bari shpirtërash”, por edhe si një shqiptar shumë i mirë, për të cilin dyshja “Fe e Atdhe”përbënte besojmën më të lartë të qënies së tij. Ata dy koncepte ishin të pandara në gjithë veprimtarinë e tij jetësore në shërbim të Vendit të tij. Nuk kishte asnjë kundërshti mes atyre nocioneve në formimin dhe forcimin e personaliteteve vepruese të klerikëve shqiptarë. Misioni i parë i tyre ishte zgjedhja që kishin bërë për të qënë “shërbëtorë të Zotit”. Krahas kësaj zgjedhjeje, rrethanat historike e shoqërore urdhëronin ndihmesën e tyre në veprimtarinë kulturore e arsimore, herë herë edhe n’atë politike. Trajtimi i këtyre figurave vetëm në këndvështrimin e fundit e gjymton të vërtetën historike dhe cungon paraqitjen e personaliteteve të tyre.

Në një jetë normale e në Vende të stabilizuara, prelatët e kishës zakonisht nuk hyjnë në jetën politike. Shqipëria e shekujve të pushtimit otoman ishte një Vend në të cilin fëmijët ishin të dënuar të mos mësonin në gjuhën e tyre. Për pasojë, edhe vetë brumosja e tyre me vlerat kulturore të popullit të tyre ishte një mundësi e mohuar. Shqiptarët, në ndryshim nga të gjithë popujt e tjerë të siujdhesës ballkanike, deri në dhjetëvjetëshin e fundit të pushtimit të gjatë otoman, e kishin të ndaluar të kishin shkollat e tyre në gjuhën shqipe. Ideja e kombit pësonte kështu një goditje vdekjeprurëse me faktin se qytetarët shqiptarë nuk kishin gjuhën e tyre të shkruar dhe mejtepet e Turqisë, krahas mësimit të gërmave turke e leximit të kuranit arabisht, mundoheshin të ngulisnin në mëndjen e fëmijëve të tyre idenë se i përkisnin Kombit të madh otoman. Do t’ishte mirë të mbahej parasysh fort kjo e vërtetë e hidhur historike nga të gjithë ata, që sot mëtojnë t’a paraqesin pushtimin otoman si ujë trëndafili e “shpëtimtar” për shqiptarët e, në bazë të këtij koncepti, të rishkruajnë historinë tonë.

Përballë atij realiteti dramatik, të gjithë njerëzve të shkolluar ju binte për detyrë të merrnin përsipër edukimin e fëmijëve në gjuhën e tyre e me vlerat e popullit të tyre. Kësaj detyre nuk i u shmangën kurrë, në gjysëm mijëvjeçarin otoman, klerikët katolikë. Prirja e historiografisë dhe kritikës komuniste, për të veçuar personalitetin fetar të meshtarit nga veprimtaria e tij atdhetare, madje për t’i vënë në kundërshtim me njëri tjetrin, është një përpjekje e dështuar për të shtrembëruar të vërtetën historike. Habit fakti se edhe në ditët tona, kur nuk ekziston më çensura e rreptë e realizmit socialist, hasim ide dhe interpretime të kësaj natyre. Duke marrë një shëmbull të thjeshtë nga një vepër mjaft e vlefshme e historiografisë së viteve të fundit, hasim në një pohim të tillë, sa i përket personazhit të famullitarit të Durrësit :

“Këtë na e thotë një nga nxënësit e tij, Agustin Serreqi, i cili shkruan në kujtimet e veta, se në shkollën e Durrësit, Nikoll Kaçorri “ishte i pari që na kalli në zemër atdhedashurinë”. Si rrjedhim, ndonëse prift, ai e trajtoi shkrimin shqip jo si vijë përçuese të ideologjisë fetare, ashtu siç e dëshëronte Vjena, por si një mjet, që do t’a çonte Vendin drejt përparimit dhe popullin shqiptar drejt bashkimit në luftë për lirinë e Atdheut.”

Një pohim i këtillë, jo vetëm që është i prirur kundër fetar, por as nuk i përgjigjet së vërtetës historike, mbasi dihet botërisht se Austro – Hungaria ka qenë mbrojtësja zyrtare e katolikëve shqiptarë gjatë periudhës otomane, financuese e shkollave katolike dhe Vendi ku u shkolluan një shumicë të rinjsh shqiptarë. Madje nuk duhet të harrojmë se qe konti Bercthold, ministri i Jashtëm i Perandosisë, që i kërkoi me ngulm Syrja Bej Vlorës që në qytetin e tij të shpallej Pavarësia e plotë e jo një autonomi, siç ishte projekti fillestar i kryengritjeve shqiptare dhe i Etërve themelues.

Në veprimtarinë e tij mësimore e atdhetare, famullitari i Durrësit do të përballej me synimet kundërshqiptare të dhespotit grek e të mytesarifit turk, që nuk donin të pranonin n’asnjë mënyrë mundësinë e krijimit të Shqipërisë së pavarur e të shkëputur nga ndikimi filogrek i Patriarkanës së Stambollit. Një vështrim tejet i rëndësishëm i kësaj përballjeje ishte dhe pozicionimi i Dom Nikoll Kaçorrit në dobi të shkronjave latine për alfabetin shqiptar. Qe një betejë e ashpër dhe e gjatë që vuri në lëvizje të gjithë jetën intelektuale shqiptare n’Atdhe, por edhe në kolonitë shqiptare të Misirit, Sofjes, Bukureshtit, Stambollit, SHBA, e veçanërisht studentët shqiptarë në kryeqytetin e Perandorisë. Në këtë betejë famullitari i Durrësit pati rol parësor, një rol që i u njoh hapur nga bota intelektuale shqiptare në Kongresin e Manastirit. “Shprehja e respektit që gëzonte Kaçorri, bëri që mes 50 delegatëve e 200 të ftuarve n’atë Kongres, të përzgjidhej si më i spikaturi dhe më i veçanti për të hapur Kongresin me fjalën e tij përshëndetëse.”[1]

Hapja e Kongresit prej tij në prani të ajkës së inteligjencës shqiptare, tregonte jo vetëm konsideratën e lartë që gëzonte te bashkatdhetarët e tij, por edhe shtatin moral e intelektual të tij. N’atë Kongres që vendosi shkronjat latine në shqipen e shkruar, në të cilin u shfaq për herë të parë në kohët moderne vullneti i shqiptarëve për t’anuar nga Evropa në t’ardhmen e tyre “Dom Nikollë Kaçorri në ligjëratën e tij deklaroi gëzimin që ndjente, duke parë të mbledhur aty gjithë ata shqiptarë të ardhur, për të hedhur themelet e një bashkimi dhe vëllazërimi.”[2]               

            Bashkimi i shqiptarëve, shkrirja e prirjeve të tyre vetiake e, herë herë anarkiste, në hullinë e përbashkët të vlerave të Kombit e të projektit të s’ardhmes së tij evropiane qe filli i artë që përshkoi gjithë jetën e veprën e meshtarit lurian. Në jetën shoqërore u bë ky problemi që shqetësoi më shumë Kaçorrin dhe i vuri vulën e vet gjithë përpjekjeve të tij të shumanëshme, që shtriheshin në të gjithë hapësirën shqiptare të kohës. Ai ishte njeriu që, në kundërshtim me drejtimin që i detyronte misioni i tij kishtar, merrej drejt për drejt me furnizimin me armë të kryengritësve malësorë që në vitet 1905 – 1907, u ngritën në mbrojtje të venomeve të hershme që u siguronin mos pagimin e taksave e mbajtjen e armëve. Kaçorri ishte për ta jo vetëm kujdestari i paisjes me armë, por edhe pika e tyre e riferimit, njeriu me shkollë që bëhej zëdhënësi i kërkesave e i të drejtave të tyre. Si i tillë ai ishte gjithmonë në kontakt me diplomacitë e huaja, kryesisht austro – hungareze, të cilave i shpjegonte me fakte të gjalla përndjekjen e rëndë  të kryer nga ushtritë turke në dëm të popullsive civile të Kurbinit. Madje ishte dora e tij, që shkruante parashtresat e malsorëve, drejtuar 7 konsujve të huaj në Shkodër, me anën e të cilave kërkohej një garanci për tërheqjen e ushtrisë turke nga territori i tyre.

Ideali i bashkërendimit të vullneteve shqiptare në dobi të idesë së Shtetit të pavarur të tyre, shfaqej hapur në të gjitha kuvendet ku ai merrte pjesë. Veç Manastirit shihet në Kuvendin e Elbasanit dhe në mitingun e madh të Durrësit, ku u vendos krijimi i klubit “Bashkimi”, që do të kishte një veprimtari, tejet të frytëshme për çështjen shqiptare. N’atë tubim ai do të përfundonte fjalën e tij të zjarrtë me urimin “që të ecim përpara me shpresën e besimin tek Zoti, përkrah njëri tjetrit e me shpirt të pastër”[3]  Ai urim, sa i përkorët në fjalë, aq i thellë e largpamës në përmbajtjen e tij, ishte një përmbledhje e ndritur e vetivet që i nevojiteshin shqiptarëve për të projektuar t’ardhmen e tyre. Ende sot, mbas më shumë se një shekulli të shqipërimit të tyre, ne shohim në të aftësitë profetike, sepse ende nuk arrijmë t’i vemë në jetë, na mungon dëshira për të qëndruar krah për krah e, mbi të gjitha, na mungon shpirti i pastër. Shpirtin e kemi ngarkuar me mëkate të rënda si vllavrasja dje e turravrapi mbas interesit vetiak në dëm t’atij të përgjithshëm, i shoqëruar me mjetet e metodat më të shëmtuara në ditët e sotme.

Rruga e Shqipërisë nuk ishte aspak e lehtë. Pushtimi i gjatë turk kishte ende ndikimin e tij të fuqishëm në mendësinë e pjesës më të madhe të shqiptarëve. Shumica e tyre nuk donin as autonominë, e Kaçorri provoi dhimbje në zemër, kur pa qindra vetë të shkatërronin ndërtesën e Klubit “Bashkimi” e të hidhnin gurë mbi atë të famullisë së tij. Ishin ata që bërtisnin “Nuk duam shqipen”, që më vonë do t’i suleshin shtëpive ku mësohej gjuha shqipe e kur Evropa caktoi një Princ gjerman si Kryetar Shteti të Shqipërisë, mbushën taborret e rebelëve të Haxhi Qamilit e të Musa Qazimit që luftonin për “Babën” e Dovletin, deri në ikjen e Princit e , së bashku me të, edhe të perspektivës evropiane të Shqipërisë.

Ishte ajo lëvizje mbrapakthyese, të cilën historiografia komuniste do t’a lëvdonte për gjysëm shekulli, duke e paraqitur si fitore të “masave fshatare” e si “embrion i revolucionit popullor”, paraprijës i komunizmit që përcaktoi negativisht që në lindje fatin e Shqipërisë. Shëmbëlltyrat e atyre që gjuanin me gurë famullinë e Dom Nikoll Kaçorrit, do t’i shihnim dhjetëvjeçarë më vonë të luftonin besimin tek Zoti si objektivin kryesor të veprës së tyre. Ishin po ata, që në mesin e viteve 60 do të shembnin objektet e kultit, apo do t’i kthenin ata në depo, stalla, apo në rastin më të mirë në pallate sporti.

Dom Nikoll Kaçorri u arrestua dhe u dënua me katër vjet burg, të pakësuara në dy nga Gjykata e Diktimit e Stambollit, sepse kishte çuar armët tek bashkatdhetarët e tij, që luftonin në trojet e tyre kundër ushtrisë turke. Tridhjetë e pesë vjet më mbrapa “çliruesit” e Shqipërisë fusnin armët fshehurazi në qelat e kishave të Shkodrës dhe dënonin me vdekje disa prej krerëve të Kishës katolike, duke i paditur për atë veprim. Një krahasim i thjeshtë ndërmjet këtyre dy fakteve, na bën të përsiasim thellë mbi rrugën e mbrapshtë të ecjes sonë në shekullin që shkoi, deri në pranimin e një sistemi që nuk kishte të ngjajshëm në historinë tonë, një sistem që ende adhurohet nga gjysma e bashkatdhetarëve tanë.

Dom Nikoll Kaçorri ishte një shtetar largpamës. Në tetor 1912, një nga periudhat më kritike e më vendimtare për fatin e Shqipërisë, prifti nga Lura ishte në qendër të të gjitha përpjekjeve të atdhetarëve shqiptarë për autonominë e kërkuar prej kryengritjeve, të cilat kishin pushuar, si pasojë e marrëveshjes së Shkupit ndërmjet të dërguarit të qeverisë turke, Ibrahim Pashës dhe udhëheqësve kosovarë. Por gjendja u ndërlikua shumë me fillimin e luftës ballkanike, e cila vinte në rrezik tërësinë tokësore të Shqipërisë autonome. Në këta çaste tepër të vështira duhej mëndjemprehtësi e guxim të ndryshoje kahun e vijës politike të ndjekur deri atëherë. Dom Nikolla dëshmoi me fakte se i zotëronte ato cilësi e qëndrimi i tij anoi nga mbrojtja e interesave të vërteta të Shqipërisë. Studjuesi Hajredin Isufi, në librin e tij “Feja dhe Flamuri”, tregon një episod shumë domethënës për aë qëndrim. Në faqet 315 – 316 të veprës së tij lexojmë :

“ Në këtë kohë, rreziku me të cilin përballeshin shqiptarët ishte agresioni sërbo – malazez dhe propaganda malazeze tek fiset e malësorëve katolikë që të mos i ulnin armët kundër forcave turke…. Dom Nikollë Kaçorri, sipas një raporti të konsullit të Vjenës në Durrës, ishte mes fiseve katolike të Bregmates për t’i bindur ata që të luftonin përkrah forcave qeveritare, duke i furnizuar edhe me 400 pushkë e me municionin përkatës që ishin marrë nga depot e armatimit të Lezhës.

            Dom Nikollë Kaçorri nuk e kishte dhe aq të lehtë, kur u drejtohej krerëve të fiseve dhe malësorëve që t’i ulnin armët kundër Turqisë, kur për vite me rradhë u kishte folur atyre të rroknin armët kundër atij tirani shekullor. Ai tani ishte i bindur për propagandën që bënte, se s’kishte rrugë tjetër, duke i qëndruar besnik tezës se më mirë nën një fuqi si Turqia që kishte marrë rrokullimën se sa Shqipëria të copëtohej mes shteteve shoviniste…..”

Autori Isufi e përshkruan thjesht e bukur mundin e sfilitjen shpirtërore të pjesës përparimtare të nacionalizmit shqiptar, në të cilin Kaçorri ishte një nga përfaqësuesit e rëndësisë së parë, kundrejt një gjëndjeje të re e të paparashikuar, tepër të rrezikshme për t’ardhmen e Shqipërisë, asaj të pushtimit të trevave të gjëra me popullsi shqiptare. Ishte një gjëndje që vinte në diskutim gjithë punën e tyre në 7-8 vitet e fundit e ngrinte pikëpyetje që ende sot, mbas më shumë se njëqind vjetësh, nuk kanë marrë ende përgjigje të prera e të sakta : A ishin të shëndetëshme për Shqipërinë kryengritjet kundër Turqisë n’ata vite?; A mos ndikuan ato në dobësimin e fuqisë ushtarake të Turqisë, e cila nuk ishte më në gjëndje t’i bënte ballë pushtimeve të territoreve shqiptare nga ana e Serbisë, Malit të Zi e Greqisë?; Deri ku arrin përgjegjësia e jonë në pamundësinë për të mbrojtur trojet tona n’ata vite, pamundësi që përcaktoi gjithë historinë tonë nga 1913 deri në ditët e sotme ?

Një përgjigje të shkurtër u dha, mbas tridhjetë vitesh, një mik i ngushtë i Dom Nikollë Kaçorrit, Mustafa Kruja, sekretar organizativ i kryengritjes së Shqipërisë së Mesme, në fjalën e tij si Kryeministër i Shtetit të bashkuar shqiptar në tubimin e Prizrenit, më 1 korrik 1942 : “Por duhet t’a pohojmë burrnisht, or vllazën, e t’a kemi gjithmonë para sŷsh se gjaku i ynë i derdhun në 1912, vlejti jo né për lirinë qi kërkojshim, por anmiqvet t’onë për nji robní të këtyne viseve mâ të zezë se ajo e para. Sërbët, qi i ranë mbë shpinë, bashkë me besatarët e vet, ushtrís turke të dërmueme prej nesh, thanë se Kosova ishte e tyne, mbasi këtu kishin luftue dikur e lânë kryet e Car Lazarit.”

Historia është një mësuese e madhe e shpesh nxënësit e saj i kuptojnë me vonesë leksionet e saj. Kështu edhe Mustafa Kruja, që në shtatorin e 1912-s kishte shkuar në Shkup së bashku me Abdi Toptanin e Markagjonin për të biseduar me krerët e Kryengritjes së Kosovës, i kishte qortuar ata për marrëveshjen e firmosur me të dërguarit e Qeverisë Otomane, mbas tridhjetë vitesh pranon haptas se strategjia e atyre viteve mund të kishte qenë e gabuar. Kjo sepse sulmi i paparashikuar nga ushtritë e fqinjve ballkanas sollën për Shqipërinë një gjëndje shumë herë më të rrezikëshme për fatet e saj se sa qëndrimi në suazën e Perandorisë Otomane.

Lidhur me Dom Nikollë Kaçorrin vlen të vihet në dukje një koment që i bën Mustafa Kruja rrahjes së mendimeve në grupin atdhetar që në tetor 1912, në qelën e famullitarit të Durrsit përpiloi një letër të shkruajtur prej këtij të fundit e të drejtuar Perandorit austro-hungarez Franz Jozefit. Letra ishte firmosur nga Dom Nikollë Kaçorri, Abdi Toptani, Mustafa Asim Kruja, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani dhe Sali Gjuka.[4] Në atë përkujtesë të shkruar, ndërmjet të tjerave thuhej : “…. Na duket se nji mretnië Shqyptare mban peshën jo vetëm të Ballkanve por edhe të gjith Shteteve t’Evropës e sidomos n’mujt m’u baa nji mretni e paanë mbas dishirit t’on sikurse Belgji e Svicera.”

Në komentin e tij Kruja vëren :   

            “Se ç’farë regjimi, ç’farë statuti me lypun për Shqipnín prej Mbretit t’Austrís, ka qênë bâmë objekt bisedimesh mjaft të gjata, ndonse jo t’ashpra ndërmjet ndënshkruesvet të ksaj letre. Dikush, sidomos i shkreti Salih Gjukë, njohës i thellë i popullit t’onë, kishte ngulun kâmbë se ky s’ishte edhe i pjekun për nji pavarsí të plotë e se prandej kishte nevojë për nji dorë sa të fortë aq’edhe dashamirë qi t’i prînte në hapat e para të jetës së tij të pavarme e t’a pruente kundra lakmís s’anmiqvet ; këtë dorë atnore ai e gjênte tek ai qi po i çohej lutja e propononte qi të kërkohej proja e Austro – Hungarís. Teza e kundërt ishte ajo qi fitoi e qi kishte për pështetës mâ të fortë nji prift katolik, mik të sinqertë të mbretnís austro – hungare, të ksaj projse të madhe të katolikve shqiptarë ndën regjimin turk : t’Emzot Kaçorrin. Situatë paradoksale do t’a quente këtê nji profan i shpirtit të nacjonalistit shqiptar t’atyne kohnave ; nji spektakull i mallëngjyeshëm idealizme të thjeshtë, të kulluet ishte në realitet.”

Pa marrë parasysh ndjenjat e respektit të thellë dhe të miqësisë që e lidhnin mësuesin krutan të gjimnazit të Durrsit me famullitarin e atij qyteti, arsyetimi i Kaçorrit në diskutimin e bërë nga të gjithë pjesëmarrësit është një leksion stili për të gjithë diplomacinë tonë që, në raste të tjera, ka patur jo pak lajthitje në kërkesat për protektorat nga Vende të tjera. Pavarësisht zhvillimeve historike, që i bënë të parealizueshme idetë e shprehura në qelën e Kaçorrit, në të spikat qartësia e mendimit dhe fryma e lartë atdhetare, që përshkonte mendimet e veprimet e tyre e që përbën një pasuri të çmuar për kujtesën tonë historike.

Në hullinë e atyre ideve e veprimeve ngjarjet u rrokullisën shpejt e para atdhetarëve shqiptarë u shfaq domosdoshmëria e shpalljes së Pavarësisë e krijimit të Shtetit shqiptar, larg përfytyresës së një shteti normal e të bashkuar, mbasi ushtritë sërbe, malazeze e greke kishin pushtuar ose kërcënonin pjesë jo të vogla të trojeve shqiptare. Përballë kësaj gjëndjeje që e rrezikonte Shqipërinë të kthehej në vetëm “një shprehje gjeografike”, siç ishte shprehur njëzet vite më parë Kancelari Bismarck, jo vetëm si pasojë e mësymjes së fqinjëve, të cilët gjenin përkrahjen e Fuqive të Mëdha evropiane si Anglia, Franca e Rusia, por edhe pavendosmërisë e luhatjeve të mjaft qarqeve politike shqiptare, të lidhur mendërisht me Perandorinë otomane, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Syrja bej Vlora, e të tjerë atdhetarë të njohur, të nxitur edhe nga diplomacitë mike të Vjenës e të Romës, u zotuan tërësisht në shpejtimin e aktit të “Shpalljes së Mëvetësisë”.

Grupi nismëtar zbriti në Durrës ku “vendasit”, Dom Nikollë Kaçorri e Mustafa Kruja, u përpoqën në të gjitha mënyrat që t’a bënin qytetin simbol të lashtësisë shqiptare, qendrën e Shpalljes së Pavarësisë e kryeqendrën e Shtetit të ri të bashkuar. Por, me dhimbje të thellë, ata kuptuan se Durrësi mbetej ende prè e ndikimeve të huaja turke e greke, kryesisht, e populli i tij, me përjashtime të vogla, ishte refraktar ndaj idesë zotëruese t’atyre çasteve, asaj të Shqipërisë së pavarur. Nëpërmjet atdhetarizmit e besnikërisë së Hamit bej Toptanit e ushtarëve të tij të rojës, mundën të siguronin paprekshmërinë e grupit nismëtar dhe i u bashkuan atij në rrugën e vështirë drejt qytetit të Ismail Qemalit.

Shpallja e Pavarësisë nga Plaku i Vlorës qe edhe triumfi vetiak i veprës së Dom Nikoll Kaçorrit, këtij biri të përvuajtur të Lurës, këtij prifti katolik që kishte trokitur deri në dyertë e diplomacisë vjeneze, për një ndërmjetësim pranë Vatikanit, “që Selia e Shenjtë të dërgonte një qarkore tepër rezervate, në të cilën  të këshillonte një harmoni mes myslimanëve e katolikëve, e cila do të ishte mjaft e efektëshme”[5] Kuvendi kombëtar i Vlorës e nderoi Dom Nikollë Kaçorrin me emërimin në postin e Nënkryetarit të qeverisë së Përkohëshme. Epitetet “I urti” dhe “I dituri” ishin disa prej vlerësimeve që antarët e Kuvendit i vishnin atij. Në mbledhjet e Qeverisë fjala e Kaçorrit kishte një peshë të veçantë. Kështu ndodhi edhe në mbledhjen e 17 dhjetorit 1912 “një mbledhje urgjente e Qeverisë për të analizuar shkallzimet e reja, që kishin marrë ngjarjet në Durrës e në Tiranë”[6] Ishte fjala për përndjekjet e ushtrisë sërbe ndaj popullsisë së Shqipërisë së Mesme, në zonat e pushtimit të tyre. Dom Nikolla, që ishte në kontakt të vazhdueshëm me bashkëpuntorët e tij në Durrës, porosiste nga Vlora që : “Populli dhe patriotët durrsakë të ruanin qetësinë, të forconin bashkimin dhe harmoninë me njeri tjetrin, të bashkëjetonin si vëllezër myslimanë e të krishterë”[7] Aventurizmi i kotë dhe i pafrytshëm nuk bënte pjesë në mendësinë e tij, që kujdesej n’ata çaste tepër të vështira të pakësonte, sa më shumë t’ishte e mundur dëmet, sidomos në popullsinë civile. N’atë mbledhje Kaçorri ishte shprehur në të njëjtën gjatësi vale të mendimit, duke vënë në dukje rrethanat fyese e poshtëruese në të cilat ndodhej popullsia e Shqipërisë së Mesme, si pasojë e sjelljes dhe qëndrimit të ushtrisë sërbe. “Kaçorri kishte theksuar se shqiptarët mezi e mbanin veten dhe, me sa dij un, kishte thënë Dom Nikolla, ishte Arqipeshkvi Bianki, që i kishte frenuar dhe mirë kishte bërë, sepse e kishte shpëtuar popullsinë e pafajshme dhe të paarmatosur nga një tragjedi e madhe e me pasoja në humbje njerëzish të pafajshhëm”. [8] Urtësia dhe barazpesha e Kaçorrit gjetën një spondë tek Kryetari i Qeverisë i cili, si diplomat kariere në Perandorinë Otomane, ishte i vetëdijshëm se në gjëndjen ku ndodhej Shqipëria, pa ushtri, pa armë, pa organizim kombëtar, me shumicën e truallit të saj të pushtuar nga veriu në jugë, pasurinë e vetme që kishte, jetën e qytetarëve, duhej t’a mbronte deri në fund, pa kaluar në veprime të nxituara, në dukje atdhetare, në fakt tepër të dëmshme për Atdheun. Kështu me ndikimin e Kryeministrit dhe të Zëvendësit të tij, u vendos që t’i besohej diplomacisë çështja shqiptare e të mos nxiteshin ndeshjet me armë, por të ruhej gjakftohtësia dhe durimi kundrejt ngacmimeve të përditëshme sërbe.

Durimi dhe veprimtaria diplomatike e Qeverisë pati përfundimet e saj, sepse me kërkesën e Austro – Hungarisë dhe t’Italisë, në pranverën e 1913-s u vendos  nga Fuqitë e Mëdha pranimi i Shtetit të pavarur shqiptar që, edhe se me kufij të cunguar, ishte një fitore mbasi detyronte Sërbinë të tërhiqte trupat e saj ushtarake nga Shqipëria. Idealisti Kaçorri shprehte bindjen në aftësitë e shqiptarëve për të shkuar përpara, në dhuntitë e tyre natyrore që në një Vënd të lirë do të bënin mrekullira. “Shqipëria pas çlirimit të saj (nga sundimi osman), do të zhvillohet me ritme t’atilla, sa që Evropa do të mbetet e habitur”.[9] Kështu shprehej ai në fjalën e tij mbas asaj të Ismail Qemalit, në hapjen e Kuvendit të Vlorës. Dhjetëvjeçarët pasues të shekullit e përgënjeshtruan priftin idealist, shqiptarët e habitën Evropën me egërsinë e vënies në jetë të komunizmit për një gjysëm shekulli, me paligjshmërinë zotëruese në një të katërtën tjetër të tij, por jo me zhvillimet e ekonomisë, që mbeti përjetë e fundit n’Evropë.

Për Qeverinë e Vlorës filluan menjëherë të përpjetat në rrugën e saj. Pjesa e territorit që kontrollonte ishte shumë e vogël, gjëndja financiare shumë e dobët. Në krahinat e pushtuara nga sërbët dhe grekët vazhdonte masakrimi i popullsisë, ndërsa ajo ishte e pazonja t’u vinte në ndihmë. Këtyre mungesave objektive të gjendjes i shtoheshin intrigat e Esat Pashë Toptanit që, për të kënaqur ambicjet e tij vetiake, sajonte gjithfarë gjërash për të hedhur baltë mbi Qeverinë dhe Kryetarin e saj. Përvoja e së parës Qeveri shqiptare të Shtetit të pavarur nuk qe aspak e këndëshme. Esat Pasha vinte duke fituar më shumë ndikim dhe e kërcënonte çdo ditë atë. Kryetari i Qeverisë dërgoi në Tiranë Abdi Toptanin dhe Mustafa Krujën, përkatësisht Ministër i financave dhe kryesekretar i Këshillit të ministrave, për të biseduar me pashain e Toptanëve. Edhe se kushuri e mik familjeje t’Esatit, ata nuk arritën t’a bindin atë të pranonte autoritetin e Qeverisë, në të cilën tashmë ai kishte funksionin e Ministrit të Mbrendshëm.

Prirja për të qënë ai i pari i shqiptarëve, ishte shumë e fortë dhe u kthye në një dramë të vërtetë kombëtare kur atë prirje e përkrahën shumë intelektualë të njohur si Faik Konica, Mithat Frashëri, Dervish Hima, Fan Noli, Abdyl Ypi etj. që mendonin të zëvëndësonin Kryeministrin e Vlorës me Pashain e Tiranës.[10] Paditë që i bëheshin Qeverisë së Vlorës ishin nga më të ndryshmet. Mjafton të lexohet shpallja që Pretoria e Durrësit i drejtonte popullit më 13 tetor 1913, që fillonte me këto fjalë :

“Shrregullimin qi ka shkaktue Qeveria e Përkohëshme e Vlorës në vênd, paligjsít e paudhsít e saja i din mbarë Evropa. Me gjithë këtê na shtrojmë para sŷve të kujdesshëm pikat qi vijojnë.

            Në shërbim të sigurimit janë shti në punë shumë laro e gjaksorë dhe kështu ai përparim a ajo rregull qi kanë pritun shqiptarët prej regjimit të ri s’kanë mujtë m’u sendërtue e prandej gjithkush e ka humbun shpresën e besimin qi ka pasun n’atë qeveri.

            Nëpunësit nuk janë zgjedhun prej njerzve të ndershëm e t’aftë dhe aqë sa ka qênë nevoja, por janë mbajtun në vênd zyrtarët e vjetër të regjimit turk dhe me rroga mâ të majme tue shkaktue rrenimin e bugjetit të këtij populli të vorfën për sod e nesër.

            Deri tashti nuk âsht botue asnji dokument mbi t’ardhunat e të prishunat e Shtetit, populli âsht lânë në t’errët mbi këtë pikë e kjo punë e ka shtue mâ tepër mosbesimin e tij.

            Qeverija e Vlorës quhet e Përkohëshme. Por me gjithë këtê s’i a ka pritue aspak me dhânë konçesione qi kanë të bâjnë me përtardhmen e kombit, me ekonomín e tij e me punët botore, tue shpërdorue në këtë mënyrë besimin e popullit. Nji Qeveri e përkohëshme s’ka të drejtë e kompetencë me dhanë konçesione…..” [11]   

Ky ishte vetëm fillimi i Shpalljes së Pretorisë së Durrësit, një krijesë e Esat Pashës për t’i u kundërvënë Qeverisë së Vlorës, në të cilën mbante postin e Ministrit. I gjithë dokumenti është një lumë padish kundrejt Ismail Qemalit e Qeverisë së tij, edhe se ndonjeri prej atyre që fshiheshin mbas atij dokumenti, sapo e kishte lënë atë Qeveri. Ndoshta ka meritën të jetë i pari i llojit të tij në Shqipërinë e pavarur, që do të hapte brazdën e luftërave politike në gjirin e një populli që ishte sa një qytet i mesëm i Evropës. Ka qenë ajo luftë politike pa kufij e pa kritere  të drejta frenuesi kryesor i ecjes së çalë të Shqipërisë së pavarur. Mund të shërbejë si model i imituar shpesh deri në ditët tona, sa që duket i prodhuar sot në Shqipërinë e shekullit 21. Kishte në të një dozë të theksuar demagogjie e edhe nëse mund të kishte ndonjë të vërtetë në paditë që bëheshin, ajo humbiste vlerën nën lymin e diskreditimit që kishte si qëllim marrjen e pushtetit.

Si gjithmonë flitej në emër të popullit dhe interesave të tij edhe se sulmohej një Qeveri e cila nuk kishte më shumë se dhjetë muaj në detyrë, që kishte punuar e punonte mes njëmijë vështirësish, sepse voziste kundër rrymës, e koha nuk punonte për të. Duke mbajtur parasysh se, mbas atij dokumenti nuk qëndronte vetëm Esat Toptani, por edhe shumë prej njerëzve të respektuar edhe sot në historinë tonë, vlen të shihet me imtësi e sy kritik. Por historiografia e jonë nuk ndalet në të, i anashkalon sepse nuk ka kurajën të përballet me të vërtetën edhe mbas njëqind vjetësh. Në tërësi ai dokument më duket se është një dëshmi e dështimit tonë që në hapat e para të ecjes me këmbët tona dhe jo një shfaqje e një lufte të ndershme politike.

Në këtë lumë akuzash edhe Dom Nikollë Kaçorri ka detyrimisht pjesën e tij si numuri dy i Qeverisë, për ata më pak se pesë muaj qëndrimi në të. Ai kishte dhënë dorëheqjen më shpejt si pasojë e pakënaqësive kundrejt Kryetarit të tij, të cilit i u drejtua me një letër në fillim të marsit 1913. Studjuesi i vëmendshëm Hajredin Isufi, duke u ndalur në këtë aspekt, aspak të bukur, të marrëdhënieve mes krerëve të Qeverisë vëren : “Ftohja e Kaçorrit ndaj Ismail Qemalit arriti kulmin në fund të shkurtit dhe në fillim të marsit 1913, kur pa një anije greke t’ankoruar në limanin e Vlorës dhe ekuipazhi i saj shëtiste nëpër rrugët e qytetit të Vlorës, sikur të ishte Vlora një qytet helen…”[12]

Teksti i letrës së Kaçorrit, drejtuar Ismail Qemalit, në të cilën ai jep dorëheqjen, më duket se nuk bind e se argumentat e shtjelluara në të janë krejtësisht të pamjaftueshme për të përligjur largimin nga detyra të Nënkryetarit të Qeverisë, n’ata çaste aq të vështira për fatet e Shqipërisë. Por megjithatë ai nuk u bë kurrë pré e lakmivet të Esatit. Ndryshimi ndërmjet tij dhe atyre që braktisën Vlorën për të përqafuar Durrsin, ishte se ai i mbeti besnik idesë së Vlorës. Edhe se jashtë qeverisë, ai mbeti gjithmonë në ballë të luftës për Princin evropian, që do të duhej të normalizonte, me ndihmën e Evropës, gjëndjen e mjeruar të Shqipërisë. Edhe se ai luftoi shumë për një Princ katolik, të cilin e quante më të përshtatëshëm për Atdheun e tij, përkrahu me të gjitha forcat Princ Wiedin.

Në verën e vitit 1914 Kaçorri ishte njëri nga nismëtarët e themelimit të Lidhjes “Për Atdheun dhe Thronin” që kishte si qëllim “t’i shërbejë e t’i ndihmojë me këshilla e me mjete të tjera M.T. Mbretit e Qeverisë në përpjekjet e tyre, për shpëtimin e Atdheut nga trazimet e rrezikëshme në të cilat ndodhet sot.”[13]

“Lidhja do të qeveriset prej një këshilli 22 vetësh, Themelues të Lidhjes janë Z.Z. Imzot Kaçorri, Dr. Temo, Abdyl Ypi, Mustafa Kruja, Dr. Fahri Gjilani, Luigj Gurakuqi, Refik Toptani, Eshref Frashëri, Izet Zavalani, L.Logori, G.Jatro, Themistokli Gërmënji, Idhomeno Kosturi, Sejfi Vllamasi, Ahmet Dakli, Shefqet Dajiu, Kost Paftalli, Nuri Vila, G.Cilka, Kasneci, Syrja Pojani, Hasan Frashëri.”

Kjo Lidhje nuk pati jetë të gjatë, mbasi rebelimi i Haxhi Qamilit dhe Musa Qazimit e intrigat e Esat Pashës me të huajtë, bënë që Princ Wiedi të mos kishte mundësi të qeveriste, por ishte një dëshmi e vullnetit kombëtar, nga Veriu në Jugë, për të ndihmuar veprimtarinë e Princit të Evropës. Dom Nikollë Kaçorri ishte i pari në listën e personaliteteve të njohura e më pak të njohura, që ishin zotuar të çonin përpara çështjen shqiptare, në marrëveshje me Evropën. Fatkeqësisht, fuqitë e së keqes, të përfaqësuara nga rebelizma, mundën të imponojnë përkohësisht vullnetin e tyre e rruga e Shqipërisë së pavarur u bë edhe më e përpjetë se ç’ishte, me fillimin e Luftës së Parë botërore e pushtimin e Vendit nga forcat ndërluftuese.

Famullitari i Durrsit u kthye përsëri në trojet e tij, në malësitë me popullsi katolike e myslimane, duke predikuar gjithmonë harmoninë e bashkimin mes tyre, ashtu siç mësonte Ungjilli i Krishtit dhe ideja e tij e funksionimit të Shtetit. Ai ishte thelbi i mësimit të prijësit legjendar të shqiptarëvet, Gjergj Kastriotit që, në çastet e fundit, me një tufë thuprash në dorë, i dëshmoi princërve të Arbërisë se bashkimi bën fuqinë edhe shpresën, ndërsa dasija nuk sjell tjetër veçse dobësi, humbje e nënështrim.

Ne sot përkujtojmë njëqind vjetorin e largimit të trupit të Dom Nikollë Kaçorrit nga jeta tokësore. Kthehemi me mendimin tek ai e përkëdhelim idenë se ai është ende mes nesh, ashtu i gjallë me fytyrën e pastër e ballin e lartë, me sytë e qeshur dhe mustaqet e hijshme, me veladonin e tij duke i u ngjitur maleve të Shqipërisë, për të shpënë atje fjalën e Zotit e bekimin e Tij për Shqipërinë. Por e përfytyrojmë edhe në tubimet e shqiptarëve, ku ai printe me fjalën e shtruar dhe bisedën e rrafshtë, me guximin e tribunit e me frymëzimin e shpresës në t’ardhmen, gjithmonë duke predikuar bashkimin e tyre, që mbetej për të gjithmonë ideja bazë e përparimit të Shqipërisë. E mbajmë të gjallë në sytë e mëndjes atë ditë fatlume të 28 nëndorit 1912, duke ngritur flamurin e Skënderbeut së bashku me Plakun e Vlorës e të tjerë burra idealistë, që u shkrinë për Atdheun si “qiriu” i Naimit.

         Ne tani përkulemi me nderim para jetëve të tyre, ngremë sytë drejt qiellit e u lutemi shpirtërave të tyre, të na ndriçojnë përsëri me idetë e shëmbujt e tyre moralë, sepse kemi ende shumë nevojë për ato ide e për ata shëmbuj, sot më shumë se kurrë, kur duket se varka jonë e ka humbur busullën e drejtimin e duhur, sepse ka mbetur në dorën e piratëve, pa patur një kapiten  trim e të mënçur që t’a drejtojë në detin me shtrëngatë që na rrethon.

Urojmë e shpresojmë që Dom Nikollë Kaçorri, ky apostull i lartë i shqiptarizmës dhe i bashkimit të shqiptarëve, do të mbetet përherë gjithmonë i tillë në kujtesën tonë historike, sepse njerëz të tillë nuk kanë kohë të caktuar, ata kanë fituar përjetësinë.

Maj 2017                                                                       Eugjen Merlika

[1] Hajredin Isufi : “Feja dhe Flamuri” Faqe 115

[2] Po aty  Faqe 115

[3] Po aty Faqe 135

[4] Eugjen Merlika : “Mustafa Kruja në historinë shqiptare” Faqe 170 – 171

Simbas variantit të studjuesit Hajredin Isufi, n’atë kuvend të vogël ka marrë pjesë e ka firmosur edhe Mithat Frashëri.

[5] Hajredin Isufi : “Feja dhe Flamuri” Faqe 392

[6] Hajredin Isufi . “Feja dhe Flamuri” Faqe 353

[7] Po aty Faqe 350

[8] Po aty Faqe 353

[9] Po aty Faqe 364

[10] Roland Qafoku : Historia e 33 kryeministrave tw Shqipwrisw  Faqe 9.

[11] Eugjen Merlika : “Mustafa Kruja në historinë shqiptare” Faqe 212, 213, 214, 215, 216.

[12] Hajredin Isufi : Feja dhe Flamuri Faqe 377

[13] Eugjen Merlika : “Mustafa Kruja në historinë shqiptare” Faqe282

 

Filed Under: Opinion Tagged With: DOM NIKOLLË KAҪORRI – APOSTULL, Eugjen Merlika, I BASHKIMIT, TË SHQIPTARËVET

1921, kur qeveria Vrioni zhvilloi zgjedhjet e para në Shqipëri

April 29, 2017 by dgreca

Përplasjet politike mes grupimeve të kryesuara nga Pandeli Çale, Eshref Frashëri dhe Koço Kotta. Si ia “fusnin” politikanët njeri-tjetrit kur hartoheshin listat e kandidatëve për deputetë. Kush nuk kishte të drejtë të ishte në listat e zgjedhësve. Devijimi nga vendimi i Kongresit të Lushnjës dhe “prapësitë” që erdhën si pasojë/

1 HarallambNga Harallamb Kota*/

Një nga vendimet e rëndësishme të Kongresit të Lushnjës, ishte mbajtja  e zgjedhjeve  për “Asamblenë Kushtetuese”, të cilat do të organizoheshin me një ligj të hartuar nga Këshilli Kombëtar. Por Ligji u hartua nga Qeveria më 5 dhjetor 1920 dhe u dekretua nga Këshilli i Naltë më 10 dhjetor 1920.

Duke organizuar zgjedhje “Parlamentare”, në vend të atyre për “Asamblenë Kushtetuese”, qeveria Vrioni dhe Këshilli i Lartë, dolën hapur kundër vendimit të Kongresit të Lushnjës.

Ligji u hartua nga qeveria

Kandidat për deputet mund të ishte çdo shtetas burrë apo grua, që kishte mbushur moshën 30 vjeç, dinte gjuhën shqipe me shkrim e me gojë dhe nuk “ishte shërbëtor i kurkujt”. Sipas nenit 26, Oficerët që japin kandidaturën për deputet, duhet të japin dorëheqjen nga shërbimi ushtarak. Sipas nenit 2, deputetët zgjidhen në emër të Prefekturës, si përfaqësues të popullit të saj.

Nuk pranoheshin kandidat për deputet, Sipas nenit 1 dhe 8: burrat që janë dënuar me shëmtim, ata që janë falur po qe se nuk kanë të drejtat qytetare, si dhe ata që janë të burgosur, të falimentuar dhe të çmendur.

Zgjedhës mund të ishte ç’do shtetas (burrë), që sipas nenit 6, kishte mbushur moshën 20 vjeç në shkallën e parë dhe 25 vjeç në shkallën e dytë dhe paguan a s’paguan vergji.

Përjashtohen nga e drejta e votës, Sipas nenit 6: gratë. Sipas nenit 25: Fuqija e armatosur, komandantët, oficerët e ushtarët. Sipas nenit 1 dhe 8: burrat që janë dënuar me shëmtim, ata që janë falur po qe se nuk kanë të drejtat qytetare, si dhe ata që janë të burgosur, të falimentuar dhe të çmendur.

Sipas neneve 23 dhe 24 të “Ligjit” zgjedhjet do të bëheshin me votim të tërthortë, me dy shkallë. Emri i kandidatit duhej të shkruhej me dorë nga votuesi. Duke qenë se 80% e popullsisë ishte analfabete, ligji e lejonte që emrin e kandidatit ta shkruante edhe një person i tretë.

Ligji për zgjedhjet, u kritikua nga rrethet atdhetare e përparimtare, pasi siç thekson akademiku shqiptar Arben Puto në veprën “Shqipëria Politike 1912-1939”, Ligji i zgjedhjeve nuk dallohej për parime demokratike. Parimet anakronike përcaktuan edhe përbërjen e parlamentit. Në fakt, zgjedhjet që u bënë në pranverën e 1921-shit, dhanë një rezultat në favor të rrymës konservatore. Nga 78 deputetë ku bënte pjesë edhe Fan Noli përfaqësuesi i Vatrës, shumica shprehte interesat e bejlerëve, pra vazhdimin e rendit feudal, ashtu si kishte mbetur që nga koha e Perandorisë Osmane.

Listat e deputetëve

Zgjedhjet e para parlamentare u organizuan në muajin e parë të vitit 1921 nga qeveria me Kryeministër Iliaz Vrionin, sipas listave të miratuara nga Qeveria për çdo Prefekturë. Megjithatë, duhet nënvizuar se kandidatët që u përfshinë në këto lista, në pjesën dërmuese, ishin anëtarë të organizatës patriotike “Krahu Kombëtar” e cila përfaqësohej nga intelektualë të shkolluar në perëndim, apo të dalë nga shkolla revolucionare e turqve të rinj, (oficerë e civilë), për të organizuar dhe drejtuar “Lëvizjen Kombëtare” dhe për mbrojtjen e stabilizimin e Shtetit Shqiptar; pjesa tjetër ishin figura atdhetare të arsimuar në Europë e Amerikë, si dhe patriotë shqiptar të diasporës që kishin përqafuar mentalitetet perëndimore. Në zgjedhjet e para pluraliste, kjo organizatë politike atdhetare, kishte si synim zgjedhjen për deputetë të personave: “Me parime politike të Kongresit të Lushnjës”.Veç të kandiduarve nga “Krahu Kombëtar”, në zgjedhjet e para pluraliste, morën pjesë edhe kandidatë të propozuar nga shtresa e pronarëve të mëdhenj të tokave, nga nacionalistë dhe nga elementi kosovar që vinte nga “Komiteti Mbrojtja e Kosovës”.

Zgjedhjet tepër problematike

Zgjedhjet e para pluraliste, krijuan mjaft situata problematike në të gjithë Shqipërinë.

Në zonat e Shqipërisë së Mesme, elementë turkoman nxisnin fshatarësinë e atyre anëve që të mos pranonin të votonin dhe të zgjidhnin deputet për në parlamentin e Shqipërisë. Elementë të ndryshëm me tituj dhe ofiqe perandorake, kërkonin ende që Shqipëria të ishte “Principatë Turke”. Ata “frynin” urrejtje karshi administratës shqiptare, flamurit shqiptar, gjuhës shqipe dhe elementit të krishterë shqiptar. Sipas Sejfi Vllamasit, “nga ana tjetër vlonte propaganda e organizimit të zgjedhjeve sipas përkatësisë krahinore e fetare, e cila binte ndesh me vlerat e Rilindjes Kombëtare Shqiptare”. Sipas teorisë së këtyre propagandistëve, shprehet Vllamasi; “Ç’do geg që bashkëpunon me toskët nuk është geg. Geg i vërtetë është ai që është kundër toskëve”.

Në Jug të Shqipërisë, krahas elementit turkoman, vepronte energjikisht elementi grekoman, i cili pengonte organizimin e zgjedhjeve në ato Krahina.

Lufta Politike

Lufta politike që u zhvillua në Korçë me rastin e zgjedhjeve parlamentare ishte më tepër një “luftë midis personave të të njëjtit grup politik”, por që kishin qëndrim të ndryshëm për sa i përket asamblesë kushtetuese, si dhe për listën e personave që do të zgjidheshin. Grupi që kryesohej nga Koço Kota nguli këmbë që zgjedhjet të bëheshin për asamble kushtetuese, pra të zbatohej vendimi i Kongresit të Lushnjës, kurse grupi Pandeli Çale-Eshref Frashëri ishte për zgjedhje parlamentare, pra kundërshtonte pikëpamjen dhe kërkesën e grupit të Koço Kota-s.

Prefekti provizor i Korçës Nikolla Zoi që përkrahte zgjedhjet parlamentare, dhe kryetari i Bashkisë Sotir Kotta që përkrahte zgjedhjet për asamblenë kushtetuese, ngritën komisionet zgjedhore dhe morën të gjitha masat e duhura, që kandidatët për deputet, pjesëmarrës në këto zgjedhje, të paraqiteshin para popullit në zonat e ndryshme të prefekturës, në fshatra, katunde dhe qytete. Emrat që u përfshinë në listën e kandidatëve për deputet në Prefekturën e Korçës, sikurse shënon Sejfi Vllamasi,  u organizuan qysh në Tiranë nga Eshref  Frashëri dhe Pandeli Çale. Qëllimi i tyre, shprehet Vllamasi, ishte për të formuar një grup deputetësh solidarë në mendime, mentalitete dhe interesa, për ta përfaqësuar Korçën në emër të “bejlerëve, turqve e kaurëve të lidhur me ta”. Në këtë grup bënte pjesë edhe prefekti Nikolla Zoi, komandanti i xhandarmërisë Ferit Frashëri dhe ministri P.Brendshme Xhafer Ypi. Ndërkohë që përgatiteshin listat e zgjedhësve, sipas Dr.Kaliopi Naska në librin “Këshilli Kombëtar 1920”,  në krahinën e Korçës vazhdonte lëvizja për mbledhjen e një “Asambleje Kushtetuese”, që “sipas vendimeve të Kongresit të Lushnjës, kishte të drejtën të shpallte formën e regjimit në Shqipëri”.

Kundërshtarët politikë

Ndërsa lëvizja për zgjedhjen e “Asamblesë Kushtetuese” ishte përkrahur nga kryeministri Sulejman Delvina, ajo ishte kundërshtuar nga një pjesë e qeverisë dhe e Këshillit Kombëtar. Për këtë shkak Sulejman Delvina dha dorëheqjen dhe kryeministër u caktua Iliaz Vrioni. Përkrahësit e kësaj lëvizje, konsideroheshin nga qeveria si kundërshtarë politikë dhe ndaj tyre po organizoheshin komplote. “Fazlli Frashëri, thotë Vllamasi, për një fjalim që kishte mbajtur në një miting për zgjedhjen e një “Asambleje Kushtetuese”, ishte ngatërruar keq me Xhafer Ypin, ministrin e Drejtësisë dhe të P.Brendshme në qeverinë e Iliaz Vrionit”.

Komploti sipas Vllamasit, “ishte organizuar qysh në Tiranë për zëvendësimin tim me Xhafer Ypin.  Po kështu vepruan edhe me Koço Kotën, i cili përfshihej në listat për kandidat për deputet. Ai ishte anëtar i vjetër i Krahut Kombëtar, shok i pandarë i Sotir Pecit dhe i emi, por ishte kundra Eshrefit dhe Pandeli Çales me shokë”.

“Kundërshtia e Koços me ta, thotë Sejfi Vllamasi, nuk ishte nga mospajtim idesh e mentalitetesh, por rridhte sepse Koço Kota figuronte në listën e kandidatëve që përbëhej prej 4 të krishterëve dhe 4 myslimanëve. Koço nguli këmbë që të hynte në listë vetë i tretë, bashkë me Kol Rrodhen dhe Llambi Bimblin, që të tre patriotë të vjetër. Atëherë Pandeli Çale edhe ay veteran patriot, mbetej automatikisht përjashta listës”.

Kështu mendonte Vllamasi. Por, e vërteta ishte krejt ndryshe. Kundërshtia e grupimit të përfaqësuar nga Koço Kotta ndaj grupimit qeveritar të përfaqësuar nga  Pandeli Çale, nuk ishte punë listash, apo luftë për karrigen e deputetit, siç e kishte kuptuar në kohën e tij Sejfi Vllamasi, por ishte punë idesh. Ishte lufta pa kompromis për të mbrojtur vendimet e mara nga Kongresi Lushnjës ku Koço Kota përfaqësonte popullin e Korçës dhe u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar-Senator.

 

 

PROBLEMI FETAR

Në administratë do të punësohen të krishterë apo myslimanë?

 

Për të kuptuar nga se erdhën mbrapshtitë e zhvillimeve të ardhshme, është e domosdoshme të sjellim në vëmendjen e lexuesit, të vërtetën e hidhur por reale, lidhur me ekzistencën e dy mentaliteteve: mentaliteti oriental dhe mentaliteti oksidental, si dhe të nivelit të arsimimit të popullsisë e të administratës shtetërore. Shumë personalitete shtetërore, shfaqnin ende mentalitete orientale dhe parapëlqenin të mbanin titujt, gradat dhe privilegjet e dhëna nga Sulltani, gjë e cila vërtetonte ekzistencën e mbeturinave të mentaliteteve orientale dhe sipas nacionalizmës grekomane “karakterin turk të shtetit shqiptar”. Kjo situatë favorizonte pretendimet greke, për të ndërhyrë brenda shtetit shqiptar, në mbrojtje të popullsisë ortodokse, që sipas tyre “dhunohej nga administrata turkomane shqiptare”. Po ti referohemi statistikave qeveritare, situata në krahinat e Shqipërisë Jugore paraqitej: Analfabetizmi përfshinte  80% të numrit të shqiptarëve. Pjesën më të madhe të analfabetëve e zinte popullsia myslimane. Shqiptarët e arsimuar përbënin 20% të numrit të popullsisë. Pjesa më e madhe e të arsimuarve ishin të besimit ortodoks që zinin 75% të shqiptarëve të arsimuar.

Pyetja është e thjeshtë dhe kuptimplote: Kush duhej të punonte në administratën shtetërore, shqiptarët analfabetë, apo shqiptarët e arsimuar? Si mund të përparonte Shqipëria? Përgjigja është gjithashtu e thjeshtë dhe kuptimplote: Duke qenë se të krishterët ortodoksë përbënin 75% të shqiptarëve të arsimuar, duhej që në strukturën e pushteteve vendore, të punësoheshin 75% të krishterë e 25% myslimanë.

Aplikimi i baraspeshës në përfaqësim, 50% analfabetë dhe 50% të arsimuar, është miopi politike, shterpëzuese, antikombëtare dhe pragmatiste për qëllime elektorale.

Aplikimi në përfaqësim, 100% shqiptarë të arsimuar, pa dallim feje, krahine dhe ideje, ishte dhe mbetet  “politikë e drejtë kombëtare”.

Largimi nga mentaliteti oriental turkoshak dhe orientimi drejt një mentaliteti të ri oksidental, do ishte e vetmja mënyrë zhvillimi dhe rruga që të çonte drejt përparimit, ekonomik, kulturor, e social-shoqëror.

Administrata shqiptare duhej ndërtuar, me elementë shqiptar të arsimuar,të formuar dhe të edukuar me mentalitete oksidentale dhe të orientuar drejt aleancave euroatlantike. Është krejtësisht e besueshme, që ky është thelbi i mendimit të Burrit të Shtetit Shqiptar dr.Koço Kota, lidhur me krijimin e një Shteti Shqiptar, të fuqishëm dhe të zhvilluar. Fatkeqësisht, Kryeministri Vrioni, jo vetëm nuk kishte guxuar ta sillte në axhendën e qeverisë së tij këtë projekt, por e kishte anashkaluar.

 

 

Pandeli Çale

Ishte një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë. Lindi në Korçë më 1874. Kreu liceun klasik francez të Aleksandrisë në Egjipt. Në vitet 1900-1904 punon në koloninë e Bukureshtit. Më 1904 kthehet në Shqipëri. Bashkë me Themistokli Gërmenjin dhe Mid’hat Frashërin vuri bazat e Komitetit të Fshehtë Shqiptar në Selanik. Kryetar i shoqërisë “Banda e Lirisë” më 1908. Në shkurt 1909, sekretar i shoqërisë “Lidhja orthodhokse”. Në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1910 – 1912 drejtoi çetat e zonës së Korçës. Merr pjesë në mbledhjen e 5 nëntorit 1912 dhe shoqëron Ismail Qemalin për në Shqipëri. Më 28 nëntor 1912, si delegat i Korçës, firmos manifestin e Pavarësisë me siglën “Pandeli Cale”. Emërohet Ministër i Bujqësisë, Industrisë dhe Tregtisë. Vitet e Luftës së Parë Botërore i kalon në Zvicër, Ukrainë, Bullgari, Francë. Më 1919 kthehet në atdhe. Më 1920 hartues dhe firmëtar i Protokollit të Kapshticës. Më 1920 emërohet Prefekt i Korçës. Në shkurt 1921 zgjidhet deputet në të parin parlament shqiptar. Vdiq i sëmurë në vitin 1923, nw një spital të Selanikut.

 

Eshref Frashëri

Ishte njw politikan me origjinw nga Korça. Ishte anëtar i Komitetit Kombwtar tw Mbrojtjes sw Kosovws. U emwrua Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Botore në Kongresin e Lushnjës në vitin 1920.Ishte njw nga figurat kryesore nw kwtw kongres, sw bashku me ASqif pashw Elbasanin dhe Ahmet Zogun. U dërgua nw Korçw me qwllim qw tw siguronte se ushtria franceze do t’ia dorëzonte qytetin qeverisw shqiptare dhe jo trupave greke qw ishin grumbulluar pranw kufirit. Organizoi njw miting popullor nw kwtw qytet ku u proklamua bashkimi i Republikws Autonome tw Korçws me Shqipwrinw. Militoi nw radhwt e partisw sw quajtur “Partia e Popullit” qw dominohej nga Ahmet Zogu. Shërbeu si Kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqipërisë nga 1922 deri më 1923. Në vitin 1924 u zgjodh Kryetar i Kuvendit Kushtetues të Shqipërisë dhe në vitet 1924-1925 ishte Kryetar i Senatit. Mori pjesw nw dy rebelime kundër Presidentit Zog nw vitin 1925, por gjithsesi arriti tw ruante regata tw mira me kryetarin e shtetit. Vdiq nw vitin 1938.

 

Koço Kotta

U lind në Korçë në vitin 1889. Mësimet e para i kreu në qytetin e lindjes dhe më pas ai shkoi në Greqi dhe vazhdoi Universitetin në Athinë, ku u diplomua në Shkencat Politike. Në vitin 1912 Kota iu përgjigj thirrjes së Ismail Qemalit dhe mori pjesë në administratën e tij duke punuar si kryesekretar i Ministrisë së Arsimit në Qeverinë që kryesohej nga vetë Ismail Qemali. Në vitin 1920, Koço Kotta mori pjesë në Kongresin e Lushnjes si deputet i Korçës ku u zgjodh dhe Sekretar i Kongresit. Nga viti 1921 deri në 1923 ai ishte prefekt i prefekturës së Beratit. Në vitin 1924 u emërua Ministër i Punëve Publike. Pas ngjarjeve të qershorit 1924, ai u largua nga Shqipëria për në Greqi. Mbas rrëzimit të qeverisë së Fan Nolit, Kota u kthye në postin e tij ministror. Ai shërbeu si Ministër i Arsimit në janar 1925. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1925, Kota u zgjodh deputet i Korçës. Ishte kryetar i Parlamentit 1925-1928 dhe 1930-1936. Ishte Kryeministër i Shqipërisë nw periudhat 10 shtator 1928 – 5 mars 1930 dhe 9 nëntor 1936 – 7 prill 1939 si dhe Ministër i Brendshëm nw periudha tw ndryshme. U dwnua nga regjimi komunist dhe vdiq nw burgun e Burrelit mw 1949.

*Studiues i historisë

Filed Under: Histori Tagged With: 1921, kur qeveria Vrioni. zgjedhjet e para

Vangjel Simaku, historiani erudit, artist dhe vizionar

March 6, 2017 by dgreca

1Miku i MondesShkruar nga Raimonda MOISIU/

Lajmi  i dhimbshëm dhe  i pabesueshëm, pikëllim i thellë tronditi në dt.4 Mars 2017, qytetin e dijes, kulturës, historisë dhe serenatave, Korcën, bashkëqytetarët korcarë dhe voskopojarë: Shuhet krejt papritur, profesori i letërsisë, historiani erudit dhe enciklopedik, njeriu i përkryer, Vangjel Simaku.

Arësimi në Korcë e ndjen thellë këtë dhimbje e pikëllim për  humbjen e  mësonjësit, dijetarit  dhe arësimdashësit shëmbullor, Vangjush Simaku sikundër e thërrisnin korcarët.  Është dhimbje  e pallogaritshme, humbja e një  kolegu të përkushtuar, miku të  mirë, familjari shembullor. I diplomuar për Gjuhë-Letërsi, Vangjushi ishte i pranishëm në shtypin shqiptar me shkrime historike për Voskopojën dhe njerëzit e shquar voskopojarë ndër kohëra e vite, për  kontributin dhe veprat e tyre që ata lanë pas, letërsi, esse, kritika letrare, poezi, editorialë dhe opinione sociale – politike dhe historike. Në ngushëllimin e tij, një nga bashkëpunëtorët dhe kushëriri i tij, shkrimtari Nikolla Simaku shprehet:

“Kishim shumë punë për të bërë së bashku dhe më duket  sikur më le në  mes të rrugës. Dhimbja  është  e madhe për këdo, por  jo në  moshën tënde, kur kishe kaq vrull, kaq guxim për atë që doje, si dhe kaq projekte në  kokën tënde. Kisha nevojë për  ty, për dijen tënde të gjithanëshme, për intelektin tënd dhe guximin për të foluar atë që të këshillonte ndërgjegja e jote. Në  thelb ti ishe artist, ishe vizionar. Mund të rreshtoj shumë cilësi të tuat, ti ke lënë  trashëgimi kulturore, të spikatura nga ana intelektuale, por, më në fund shumë dhimbje tek familja, tek të afërmit e tu, tek bashkëpunëtorët  e tu, tek njerëzit, që janë  në gjendje të  vlerësojnë njeriun per bukurinë e mendjes, pasionin dhe vrullin jetësor që të  karakterizonte. Ike pa na ” pyetur” duke na lënë tepër të  zhgënjyer në rrugën që të gjithë do ta ndjekim: Vdekjen. Po pse kaq shpejt? I dashur dhe i respektuar nga gjithë fisi i Simakëve, kudo që  janë kudo që jetojnë: Lamtumirë!  Të qoftë dheu i lehtë.” Ndër të  tjera Vangjushi ishte edhe kryeredaktor i Revistës Kulturore-Shkencore “TEMPULLI” qysh prej themelimit, intelektual aktiv dhe një  prej  bashkëpunëtorëve të përkushtuar dhe profesionalë  për  vijimësinë dhe rritjen e cilësisë së Revistës. Por vdekja  e papritur   e rrëmbeu Vangjushin, duke lënë në  mes shumë pasione e angazhime  intelektuale, studimore, letrare, historike,  por mbi të gjitha, i ndërpreu jetën atij në një moshë relativisht të re. Me profesorin e letërsisë dhe enciklopedikun vizionar historik , me lidhte miqësia  jo vetëm si kolegë që vinim të dy nga arësimi dhe vendlindja jonë Korca, por ne ishim në kontakt të vazhdueshëm  duke shkëmbyer  shpesh mendime për temat historike,  vecmas të Korcës dhe Voskopojës, nga ku ai kishte edhe rrënjët e inteligjencës vllahe, duke i botuar ato në gazeta Dielli, SHBA, Tirana Observer dhe gazeta DITA. Një miqësi prej dekadash që kishte në thelb promovimin e vlerave të elitës,inteligjencës  dhe qytetarisë korcare. Fjalët janë  pak dhe  nuk mund të  përshkruajnë dhimbjen dhe trishtimin që la pas ikja e Vangjushit, njeriu i dashuruar me fjalën letërsinë, historinë, mirësinë, progresin për  jetën. Vangjush Simaku ky dijetar enciklopedik historik, artist dhe vizionar shkroi me shumë dashuri e saktësi për qytetin e tij të bukur Korcën, për Voskopojën  e lashtë evidentuar me mjeshtëri. Ikja e tij u përcoll me shumë dhimbje e  trishtim në  gjithë qytetin e Korcës e kudo ku ai kish miq e kolegë, edhe te  patriotët e tij korcarë kudo ku ndodhen që nga Amerika, Tirana , Kosova, Maqedonia, Vjena e tërë Europa dhe deri në Australinë e largët. Dhimbje  e madhe për  humbjen e  profesorit të nderuar të letërsisë, drejtorit të gjimnazit historik “Themistokli Gërmenji”, të historianit dinjitoz dhe poetit të dhimbjes e traditës. Vangjel Simaku do të kujtohet  gjithmonë me shumë  respekt dhe vlerësime pa fund, për dritën që la pas me veprat dhe shkrimet e tij,

 

Filed Under: ESSE Tagged With: artist dhe vizionar, historiani erudit, Raimonda Moisiu, Vangjel SIMAKU

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 29
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT