• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vangjel Simaku, historiani erudit, artist dhe vizionar

March 6, 2017 by dgreca

1Miku i MondesShkruar nga Raimonda MOISIU/

Lajmi  i dhimbshëm dhe  i pabesueshëm, pikëllim i thellë tronditi në dt.4 Mars 2017, qytetin e dijes, kulturës, historisë dhe serenatave, Korcën, bashkëqytetarët korcarë dhe voskopojarë: Shuhet krejt papritur, profesori i letërsisë, historiani erudit dhe enciklopedik, njeriu i përkryer, Vangjel Simaku.

Arësimi në Korcë e ndjen thellë këtë dhimbje e pikëllim për  humbjen e  mësonjësit, dijetarit  dhe arësimdashësit shëmbullor, Vangjush Simaku sikundër e thërrisnin korcarët.  Është dhimbje  e pallogaritshme, humbja e një  kolegu të përkushtuar, miku të  mirë, familjari shembullor. I diplomuar për Gjuhë-Letërsi, Vangjushi ishte i pranishëm në shtypin shqiptar me shkrime historike për Voskopojën dhe njerëzit e shquar voskopojarë ndër kohëra e vite, për  kontributin dhe veprat e tyre që ata lanë pas, letërsi, esse, kritika letrare, poezi, editorialë dhe opinione sociale – politike dhe historike. Në ngushëllimin e tij, një nga bashkëpunëtorët dhe kushëriri i tij, shkrimtari Nikolla Simaku shprehet:

“Kishim shumë punë për të bërë së bashku dhe më duket  sikur më le në  mes të rrugës. Dhimbja  është  e madhe për këdo, por  jo në  moshën tënde, kur kishe kaq vrull, kaq guxim për atë që doje, si dhe kaq projekte në  kokën tënde. Kisha nevojë për  ty, për dijen tënde të gjithanëshme, për intelektin tënd dhe guximin për të foluar atë që të këshillonte ndërgjegja e jote. Në  thelb ti ishe artist, ishe vizionar. Mund të rreshtoj shumë cilësi të tuat, ti ke lënë  trashëgimi kulturore, të spikatura nga ana intelektuale, por, më në fund shumë dhimbje tek familja, tek të afërmit e tu, tek bashkëpunëtorët  e tu, tek njerëzit, që janë  në gjendje të  vlerësojnë njeriun per bukurinë e mendjes, pasionin dhe vrullin jetësor që të  karakterizonte. Ike pa na ” pyetur” duke na lënë tepër të  zhgënjyer në rrugën që të gjithë do ta ndjekim: Vdekjen. Po pse kaq shpejt? I dashur dhe i respektuar nga gjithë fisi i Simakëve, kudo që  janë kudo që jetojnë: Lamtumirë!  Të qoftë dheu i lehtë.” Ndër të  tjera Vangjushi ishte edhe kryeredaktor i Revistës Kulturore-Shkencore “TEMPULLI” qysh prej themelimit, intelektual aktiv dhe një  prej  bashkëpunëtorëve të përkushtuar dhe profesionalë  për  vijimësinë dhe rritjen e cilësisë së Revistës. Por vdekja  e papritur   e rrëmbeu Vangjushin, duke lënë në  mes shumë pasione e angazhime  intelektuale, studimore, letrare, historike,  por mbi të gjitha, i ndërpreu jetën atij në një moshë relativisht të re. Me profesorin e letërsisë dhe enciklopedikun vizionar historik , me lidhte miqësia  jo vetëm si kolegë që vinim të dy nga arësimi dhe vendlindja jonë Korca, por ne ishim në kontakt të vazhdueshëm  duke shkëmbyer  shpesh mendime për temat historike,  vecmas të Korcës dhe Voskopojës, nga ku ai kishte edhe rrënjët e inteligjencës vllahe, duke i botuar ato në gazeta Dielli, SHBA, Tirana Observer dhe gazeta DITA. Një miqësi prej dekadash që kishte në thelb promovimin e vlerave të elitës,inteligjencës  dhe qytetarisë korcare. Fjalët janë  pak dhe  nuk mund të  përshkruajnë dhimbjen dhe trishtimin që la pas ikja e Vangjushit, njeriu i dashuruar me fjalën letërsinë, historinë, mirësinë, progresin për  jetën. Vangjush Simaku ky dijetar enciklopedik historik, artist dhe vizionar shkroi me shumë dashuri e saktësi për qytetin e tij të bukur Korcën, për Voskopojën  e lashtë evidentuar me mjeshtëri. Ikja e tij u përcoll me shumë dhimbje e  trishtim në  gjithë qytetin e Korcës e kudo ku ai kish miq e kolegë, edhe te  patriotët e tij korcarë kudo ku ndodhen që nga Amerika, Tirana , Kosova, Maqedonia, Vjena e tërë Europa dhe deri në Australinë e largët. Dhimbje  e madhe për  humbjen e  profesorit të nderuar të letërsisë, drejtorit të gjimnazit historik “Themistokli Gërmenji”, të historianit dinjitoz dhe poetit të dhimbjes e traditës. Vangjel Simaku do të kujtohet  gjithmonë me shumë  respekt dhe vlerësime pa fund, për dritën që la pas me veprat dhe shkrimet e tij,

 

Filed Under: ESSE Tagged With: artist dhe vizionar, historiani erudit, Raimonda Moisiu, Vangjel SIMAKU

Prof. Stavro Skëndi-SHQIPTARI I MADH I AMERIKËS

November 3, 2016 by dgreca

skendi1*Arshi PIPA: “Shqipëria ka nxjerrë gjeneralë dhe burra shteti, por tepër rrallë dijetarë të njohur botërisht .Profesor Stavro Skëndi hyn ndër këta të rrallët.”/

skendi2*Prof. Sami Repishti: Prof. Stavro Skendi,  Dekan i shkollës së albanologjisë”./skendiNga Vangjel SIMAKU/Shekulli i njëzetë ishte ende në agimet e tij dhe Shqipëria ende vuante në natën otomane, kur më 21 gusht 1905, në Korcë, lindi Stavro Skëndi. Ai rridhte nga një familje luftëtarësh të vjetër, apo thënë ndryshe  “shtëpi pushke”, trimëria e të cilës përjetohej në vargjet e një kënge ku thuhej: “Skëndajt dhe Agarajt e kanë dyfekun baraj”.

Origjina e saj ka qenë nga Lekli i Tepelenës dhe vetë një prej paraardhësve të Stavros ka pas qenë këshilltar i Vezirit të Janinës. Skëndajt, një familje me një histori që u ngjan legjendave, ndoshta edhe pse shumë pjesëtarë meshkuj të saj u kthyen në legjendë. Skëndajt, pas vdekjes së Ali Pashës, ndiqen egërsisht nga turqit dhe detyrohen të dalin maleve kacakë. Njëri prej tyre Nini ( Kostandini ) martohet e vendoset në Shtëpëz, ku i lindin gjashtë djem dhe një vajzë me emrin Tana. Por fatkeqësite vijnë njëra pas tjetrës në këtë familje. Dy djem të Ninit vriten për hasmëri ditën e Pashkës, njëlloj si në baladat e dhimbshme shqiptare. Njëri prej djemve Nika merr hak për vëllezërit e tij,  dhe për shtatë vjet detyrohet të bëjë jetën e kacakut. Ai pat porositur të motrën, Tanën që sa herë familjes t’i afrohej ndonjë rrezik t’i binte fyellit njëlloj si në këngën që këndohet edhe sot:

“Tanë, moj Tanë,

Ngre babanë nga gjumi ,

Qen’ e mirë na e vranë,

Dash’ Kicon për helli e kanë.a”

Kështu kacaku Nika zbriste fshehurazi në fshat, sa herë e lajmëronte Tana. Dhe Jorgji, biri i tij do të lindte, kur Nika ishte ende maleve.

Për t’i shpëtuar vrasjeve dhe hasmërive, Jorgji, si djalë i vetëm i Skëndajve, kur u rrit, do të vendosej në Stamboll. Këtu i ndihu fati dhe hapi një dyqan këpucësh, ku punësoi edhe cirakë. Por malli për tokën e të parëve e digjte si prush dhe herë pas here vinte në Shqiperi. Këtu njihet dhe martohet me Marigonë, vajzën e vetme të Nikollë Spicerit ( Kondili ), me origjinë nga Zhapa e Labovës.Kondilajt qenë një familje e shkolluar dhe vetë Nikolla pat studiuar për farmaci në Odesë të Rusise. Ai ishte vendosur më pas në Korce, hapi një farmaci dhe ishte zgjedhur edhe në kryesinë e Dhimogjerondisë, e cila kishte edhe funksione administrative. Nga martesa pati dy vajza dhe një djalë, Stavron .

Kur mbaroi Lufta e Parë Botërore, Jorgji largohet sërish drejt Stambollit dhe mori me vete të birin, Stavron , i cili do të niste studimet në  “Roberts College”, ku studionin edhe shumë djem e vajza nga Shqipëria, që më pas do të bënin emër në historine e saj.

Një ditë, ndërsa qëndronte në një kafene,  Jorgji Skëndi vdes papritur  nga  hemoragjia celebrale. Kjo ishte një humbje e madhe për djaloshin Stavro, një njeri me shpirt tejet të ndjeshëm.

Pasi diplomohet për matematikë tek ky kolegj me emër, Stavro Skëndi nisi  studimet në Fakultetin e Studimeve Ndërkombëtare në Zvicër.

Nuk dihen mirë arsyet pse ai detyrohet të lerë në mes studimet e të kthehet në atdhe. Më 1930-ë emërohet në Shkollën Tregëtare të Vlorës dhe pas tri vitesh në Liceun e Korcës, ku jepte lendën e matematikës.

Në kujtimet e ish- nxënësve të kësaj shkolle me reputacion të madh brenda e jashtë vendit ai ka mbetur si një pedagog i shkëlqyer, që e urrente brutalitetin dhe njëanshmërinë në vlerësim. Një ish-liceist, Spiro Katro do të shprehet:”I dashur, i sjellë, që dinte të respektonte nxënësit e vet pa dallim, nëse ishin të fortë apo të dobët. Nuk mbaj mend në asnjë rast, momente nervozizmi nga ana e tij; ishte i butë dhe për më tepër shumë korrekt në vlerësimin e nxënësve në matematikë. Duke ngacmuar kujtesën time, tashmë të plakur, më vijnë ndërmend fjalët e babait tim të dashur:”Të jini krenare që kini në lëndën e matematikës një profesor si Stavro Skëndi “.

Ndërsa një tjetër ish-liceist e karakterizon kështu:”Nuk e kam patur qejf matematikën, por kur këtë lëndë e jepte profesor Stavri, kënaqesha. I qetë, me atë buzëqeshjen e tij të ëmbël, e donim dhe e respektonim shumë. Na shpjegonte me shumë durim, nuk nevrikosej dhe nuk thërriste kurrq. I pëlqente natyra, e pëlqente  dëborën…”

* * * *

Sidoqoftë Stavro Skëndi ishte jo vetëm intelektual, por edhe atdhetar i vërtetë. Shumë shpejt e shohim të marrë pjesë aktive në jetën politike të kohës. Më 10-ë, dhjetor 1938-ë, ai mbajti një fjalim të zjarrtë para monumentit të Themistokli Gërmenjit në Korcë. Krijon lidhje të ngushta me një sërë intelektualësh dhe patriotësh kudo në Shqipëri si; Kostaq Cipo, Nonda Bulka, Naum Stralla, Vasil Avrami, Thoma Turtulli, Jorgo Meksi,Vangjel Koca, Patër Anton Harapi, Lef Nosi, Spiro Kolea etj. Ai bie ndesh me pushtimin fashist të vendit dhe e kundërshton me zjarr atë. Thirrjet e gjakut stërgjyshor u kthyen tek ai; mbase duke shkelur një betim tëheshtur shpirti i tij u rebelua. Për idetë e tij antifashiste transferohet fillimisht në Berat e më pas do të pasonte një kalvar internimesh në Tiranë, Peqin, Gramsh, sërish në Berat, e prej andej për dy vjet në burgun famëkeq të Ventotenes në Itali, ku ishin burgosur edhe shumë atdhetarë të tjerë. Këtu miqësohet me antifashistë italianë si Sandro Pertini, Prof. Einandi dhe forcoi mëtej bindjet e veta antifashiste.

Më 1941-ë, kthehet nga internimi në Korcë, tashmë i burrëruar dhe hapi një librari – kartoleri me libra të shumë fushave, sa artistike e shkencore, sic pati bërë në Tiranë edhe Lumo Skëndoja. Librarinë  nisën ta frekuentonin intelektualët e nacionalistët më në zë të Korcës. I formuar e me një kulturë të admirueshme perëndimore, Stavro Skëndi ra ndesh jo vetëm me fashizmin, por edhe me idetë e importuara komuniste,  që kishin filluar të qarkullonin herët edhe në Korcën e tij. Ai nisi t’i shohë fashizmin e komunizmin si faqe të të njëjtës medaljeje, si dy ekstreme të rrezikshme, që e cuan njerëzimin në rrugë pa krye. Kështu ai do ta shohë veten e tij më pranë platformës së Ballit Kombëtar, i cili, të paktën në fillimet e tij u pozicionua kundër fashizmit. Pikërisht në këtë kohë edhe shumë intelektualë të kulluar u radhitën në rreshtat e kësaj organizate, e cila në një nga dhjetë pikat e “Dekalogut” të vet shprehej: “Luftojmë për një Shqipëri që do të dënojë pa mëshirë dhe në mënyrë shëmbullore antipatriotët, tradhëtarët, të shiturit, ngaterrestarët , servilët e spiunet, për një Shqipëri ku nuk do të ketë vend për dallkaukët, servilët, feudalët e të gjithë ata që pengojnë zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë së rilindur “.

Kjo pikë, rreshtat e fundit të së cilës përkojnë me vargjet e njërës prej poezive të Nolit, do të ketë ngacmuar sedrën e ish – studentit të Robert College, i cili shihte të shprehur në të, ëndrrat e mbetura si testament nga rilindasit.

Këtu fillon tirada e anatemave ndaj Stavro Skëndit. Në rastin e tij asgjë nuk u mor parasysh: as origjina e familjes së tij, as të qenët pedagog në shkollën më të mirë të Shqipërisë, as burgosjet e internimet e herëpasherëshme si antifashist, as fakti se ai nuk qe njeri i pushkës si pararendësit e tij, por i mendjes dhe  as arsyeja tjetër shumë kokëfortë, se para se të ndodhte krisja e parëmes Frontit Nacional-Cirimtar dhe Ballit Kombëtar në Mukje, (gusht 1943), apo ndarja përfundimtare mes tyre, (Konferenca e Labinotit, shtator 1943), Stavro Skëndi ishte larguar përgjithmonënga Shqipëria .

C’kishte ndodhur ndërkohe ?

Sërish i kanosej internimi nga fashistët italianë, këtë herë në Porto Romano. Ushtruan kontroll shtëpinë e tij, por ai i shpëton për mrekulli arrestimit, i fshehur pas një perdeje. Detyrohet të hidhet në ilegalitet dhe në verën e vitit 1943, udhëton për në Tiranë i maskuar me syze të errëta dhe i shoqëruar nga e motra, Dhimitra, por pa i shpëtuar dot blicit të një aparati fotografik, që u kthye kështu në dëshmitarin e largimit të tij përgjithmonë nga Shqipëria. Në hotel regjistrohet me tjetër emër. Të nesërmen kaloi në Bullgari dhe përmes saj në Stamboll. Sërish në vendin e ëndrrave rinore. Këtu lindën njohje të reja dhe mes tyre do të ringjallej edhe një idil i këputur dashurie me studenten spanjolle Daisy Franco, e cila u bë më pas gruaja e tij e ardhëshme .Në Stamboll qëndroi deri më 1946-ë, vit në të cilin u nis drej SHBA-ës.Ishte 41-ë vjecar, ndërsa udhëtonte drejt Amerikës, drejt “vendit të bekuar të lirisë” sic do të shprehej më vonë.Ishte një udhetim drejt një bote të re dhe të panjohur. Gjithsesi nuk duhej thyer zemra. Ai e dinte se aty jetonte prej vitesh një diasporë e kulluar shqiptarësh, shumë prej të cilëve me origjinë nga vendlindja e tij. Ai po vinte drejt tyre i sigurt; drejt Amerikës për t’u bërë përfundimisht qytetar i saj i dorës së parë.

* * * *

Megjithëse në moshë tashmë burrërore asgjë nuk e pengoi të nisë studimet universitare, falë ndihmës së American Council of Learned Societies,  për të cilin sic do ta pohonte  më vonë me mirenjohje: ” …më erdhi në ndihmë që të plotësoj studimet unversitare dhe më në fund të fitoj gradën më të lartë, që jepet në këtë vend të përparuar “.

Kështu, më 195-ë, Stavro Skëndi merr doktoraturën në gjuhësi nga Universiteti i Kolumbias, me një tezëtepër interesante mbi epikën gojore shqiptare dhe sllave (Albanian and South Slavic Oral Epic Poetry ), e cila u botua më 1954-ën,  dhe u ribotua më 1969-ë. Në këtë aspekt sic pohon prof.Arshi Pipa:” …ai u bashkua me mendimin e shkollarëve të njohur si Alois Schmaus, Max Lambertz, Fulvio Cordignano, simbas të cilëve cykli epik i kangëvet kreshnike shqipe, asht versioni shqipar i kangëvet kreshnike boshnjake, tue nenvijue njikohësisht anën origjinale ethnike të versionit shqiptar .”Kaq mjaftonte që të shkaktohej menjëherë një reaksion jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Amerikë. Sikur të mos mjaftonin sulmet e sistemit komunist të instaluar në Shqipëri dhe të vetë udhëheqësit komunist ndaj tij, por në garë me të do të vihej edhe shkrimtari Ismail Kadare.Ky tek “Autobiografia e popullit në vargje ” atakon direkt Stavro Skëndin ku pohon se : …”ngaqë s’ka mundësi ta shesë vëndin e tij, sic ka bërë më parë (!!!), po përpiqet të nxjerrë në ankand thesaret poetike të tij, e shpie origjinën e ciklit në shek 16- 18 duke i mohuar kryekëput shqiptarësinë”.

Secili që lexon këto rreshta, i vjen keq që një shkrimtar i përmasave të Kadaresë ka rënë në pozitat e partizanizmit. Në fakt nuk është ky rasti i parë. As ka vepruar kështu ai edhe me At’Gjergj Fishtën, apo me Koliqin e Konicën, që nuk iu ka kursyer epitetet më të  zeza?  Jo vetëm Kadareja, që shkruante nën trysninë e sistemit në Shqipëri, por edhe në Amerikë pati shumë nga ata që nuk e kuptuan veprën e Stavro Skëndit. Studiuesi Fron Mazi është shprehur mes të tjerash: “…kur flet me studiues shqiptarë e amerikanë qe e njohin veprën e Skëndit , e quajnë atë një perfeksionist. Nje shqiptaro- amerikan është shprehur kështu: “Skëndi ka qenë pa dyshim një nga studiuesit më të mëdhenj të Ballkanit. Ai ka shkruar për një grup të vecanë.Problemi që ndeshnin shumë shqiptarë në veprën e tij është se ajo u dukej e ftohtë. Skëndi nuk glorifikonte asnjëherë. Ai jepte vetëm fakte dhe bënte analiza që ishin teëer shkencore e në mjaft raste kritike. Fatkeqesisht shumë nga pjesa më e paarsimuar e shqiptaro- amerikanëve e interpretuan atë sikur ishte antishqiptar “.

Po profesor Skëndi si ka vepruar në këtë rast ?

Gjithnjë buzagaz e gjakftohtë, ai i priti goditjet ndaj tij me fisnikëri, kur edhe  pohonte:“…shqiptarët këtu në Amerikë, më janë sjellë kurdoherë mirë. Kur njerëzit e regjimit poshtë bënin lloj – lloj cpifje dhe intriga që t’i ftohnin prej meje ata nuk u tundnë”.

Natyrisht ishte koha ajo që do t’i vinte notën e do t’i jepte të drejtë shumë prej përfundimeve të tij. A nuk e pohon këtë fare qartë Peter Prifti kur thotë: “…po ta shohim punën shkencore të prof.Skëndit në tërësi dhe me objektivitet, duhet të pranojmë se ai i ka bërë një shërbim të shënuar letërsisë shqiptare dhe cështjes kombëtare në botën e jashtme”.

Pasi mori doktoraturën, ai  punoi për gati një vit si lektor në Universitetin e Torontos në Kanada e , pastaj si pedagog ne Programin mbi Evropen Qendrore e Lindore ne Universitetin e Kolumbias. Me  logjikë të ftohtë ai analizoi dhjetëvjetëshin e parë të regjimit totalitar në Shqipëri në veprën “Albania ëith the Slav Orbit.Advent to poëer of the Communist Party”. Por edhe kjo vepër nuk u prit mirë në fillim, bile edhe nga “VATRA” dhe Fan Noli, për të cilin Skëndi ushqente respekt të vecantë dhe kjo për arsyen e vetme se “asokohe cdo lloj kritike ndaj komunistëve interpretohej si antishqiptarizëm . ”

Por natyrisht vepra më madhore e tij, që e bëri atë një historian me autoritet është “The albanian National Aëakening 1878-1912 “. Për këtë vepër me vlera, Arshi Pipa është shprehur: “Kjo vepër botue më1967-ë, asht fryt i kërkimeve të autorit për disa vjet me rradhë në arkivat e Vjenë, Romës dhe Parisit. Kjo asht një pikturë objektive e gjendjes shoqnore, politike e kulturore e periudhës së Zgjimit dhe qorton gabimet dhe partizaninë ideologjike të veprës sovjetike mbi të njëjtën periudhë nga I.G. Senkovich, mbi të cilën bazoheshin tekstet e Universitetit të Tiranës, n’atë kohë”.

Në këtë punë titanike prof.Skëndin e ndihmonte mjaft fakti i të qënit poliglot. Ai zotëronte në mënyrë të përsosur anglishten, frëngjishten, gjermanishten, italishten,  rusishten, serbo-kroatishten dhe greqishten. Duke u udhëhequr nga parimi i Aristotelit: “Mik e kam Platonin, por më tepër kam mik të vërtetën “vepra e Stavro Skëndit dallohet kështu si vepër e një dijetari të paanshëm, i cili “pa ngurrue i ra ndesh ideologjive të ndryshme, tue përfshi nacionalizmin shqiptar, kur ato i shmangeshin të vërtetës objektive” ( A . Pipa )

Kurse prof. Sami Repishti është shprehur: “….me kalimin e kohës nga fusha e aksionit politik Stavro Skëndi hyri në fushën akademike, atje ku mendjet njerëzore përpiqen të kuptojnë atë,  që aksioni vetë nuk e shpjegon.Beteja e mendimit politik u zgjerua, u transformua në një përqafim të tërësisë së përgjithshme, që përjashton dallimet e kohës dhe të hapësirës”.

Është kjo arsyeja që Sami Repishti do ta cilësojë Stavro Skëndin: ” Dekan të shkollës së albanologjisë”.

Me kohë emri i prof.Skëndit u bë i njohur jo vetëm në Amerikë, për shkak të botimeve të tij serioze e me vlerë dokumentare, por edhe nga pjesëmarrja e tij dinjitoze në shumë aktivitete me vlerë akademike në Europë e gjetkë. Kjo vepër akademike me kalimin e kohës ” …ka zgjeruar konceptin e kombit tonë që nga elementet fillestare të historisë, të gjuhës së folur e të vullnetit popullor deri tek faza e pjekurisë si komb i plotësuar dhe si traditë politike , nga koncepti i kombit si burim pikënisjeje deri tek koncepti i kombit si qëllim suprem ” ( S. Repishti )

Në Amerikë prof. Skëndi do të gjente  atmosferën e përshtatëshme për të zgjeruar horizontin e tij në fushën e shkencës ballkanistike, duke u përpjekur të zgjidhë shumë nyje të ngatërruara të politikës e kulturës ballkanike. Sic mund ta gjykojmë dhe nga bibliografia e pasur e veprës së tij, nuk ka patur tema lidhur me Ballkanin që të kenë kaluar pa u prekur nga syri i tij vëzhgues. Sic pohon edhe vetë: “Si Shqipëria, ashtu edhe popujt fqinjë kuptohen më mirë nëse shikojmë zhvillimin e tyre nga një prizëm ndërballkanik. Jo sepse popujt e Ballkanit nuk kanë karakteristika të vecanta, por të tjerat janë të përbashkëta, sepse janë formuar gjatë sundimit turk “.

Ishte viti 1970-ë, kur prof.Skëndi do të tërhiqej nga puna e tij si profesor i gjuhës dhe kulturës ballkanike në Universitetin e Kolumbias dhe pas dy vjetësh ky universitet e shpalli; ” Profesor Emeritus “. Gjatë viteve 1972- 1973,  ai punoi si bashkëpunëtor në Institutin për Studime të Avancuara në Universitetin e Princentonit, një institut ky tepër prestigjioz, ndërsa instituti i njohur i Gugenheimit i jep cmimin “GRAND “.

Më 1980-ë ai botoi veprën tjetër madhore me tri pjesë ” Balcan Cultural Studies ” e cila sipas disiplinave përbërëse ndahet në tri pjesë: Histori, Folklor, Gjuhësi. Sic vë në dukje Arshi Pipa: “Në të tria këto lamije,  Skëndi u dallua si shkencëtar i paanshëm, pa ngurrue me i ranë ndesh ideologjive të ndryshme, tue përfshi nacionalizmën shqiptare, ku ato i shmangeshin të vërtetës objektive .”

Në fushqn e gjuhqsisq, gjithmonq sipas prof. Arshi Pipqs, Skqndi u shpreh kunder imponimit të të ashtuquajturës ” gjuhë e njehsuar ” , mendim i cili gjeti përkrahje edhe nga kolosët e gjuhësisë shqiptare,  Eqrem Cabej dhe Aleksandër Xhuvani .

Tepër i rëndësishëm në llojin e vet paraqitet edhe studimi krahasues i kompletuar “Kacic’s Razgovor and Fishta’s Lahuta e Malcis “. Sipas prof. Skëndit,  At’Fishta u frymëzua kur shkroi kryeveprën e vet nga shkrimtari i hershëm dalmat Andrija Kacic Mioshic, poet dhe publicist dalmat i periudhës së iluminizmit, që njihet sidomos me veprën e tij “Razgovor ugodni naroda slovinkoga ” (Bisedë e këndshme e popullit sllav ), një përmbledhje më proze e poezi për historinë serbo- kroate.Duke krahasuar veprat e dy franceskanëve, Skëndi gjente pikëtakime në mendësinë e popujve fqinjë shekullore, duke theksuar se të dyja këto vepra madhore ia kanë dalë ” të glorifikojnë historinë dhe shpirtin e paepur të heronjve dhe popujve të tyre. Ato nuk janë  thjesht histori; ato janë histori dhe legjendë.”

Shenjë e respektit që gëzonte vepra e profesorit të nderuar te diaspora shqiptare e Amerikës dhe me gjerë,  është darka e shtruar në Neë York, Sheraton Hotel me 4 tetor 1980-ë, për nder të 75 vjetorit të tij të lindjes. Në të morën pjesë shumë të ftuar nga Nju Jorku e vise të largëta të Amerikës. Të shumta qenë përshëndetjet e të pranishmëve dhe po aq të shumta letrat e telegramet e dërguara prej atyre që s’mundën dot të vinin. Në parathënien e broshurës të botuar me këtë rast marrim vesh që Eduart Lico, i cili  celi edhe darkën, mes të tjerash të ketë thënë se ” …profesori që po nderojmë sonte, të cilin ne enjohim,  si njërin prej historianëve tanë më të shquar,  është njëkohësisht edhe një edukator i dorës së parë që ka patur Shqipëria.”

Kurse kryetari i Shoqërisë” VATRA” , Andrea Elia, në letrën që dërgoi me këtë rast duke perifrazuar një thënie të Faik Konicës, shprehej se ” …për të arritur njeriu një shkallë të tillë diturie, studimi i fakteve të peshuara, shkrimi me hollësi etj, duhen t’i bëhen një sëmundje që s’ka shërim, një martesë pa ndonjë posibilitet, një udhëtim i pasosur.

Profesor Stavro Skëndi i ka patur këto cilësi në mendjen e trupin e tij, ndryshe nuk do të kishte mundur të na nderonte me kaqë vepra të shenuara.”

 

Filed Under: Histori Tagged With: Prof. Stavro Skëndi-SHQIPTARI I MADH I AMERIKËS, Vangjel SIMAKU

Historia e dhimbëshme e amerikano-shqiptarit, kampion i mundjes në SHBA

October 20, 2016 by dgreca

Të vranë,  o Gaqi, të vranë,/Ti me  grushte , ata me kamë./

vangjel-simaku

Nga Vangjel SIMAKU/

Historikisht dihet që korçarët ishin emigrantët e parë, të cilët  zbarkuan në kontinentin e ri, Amerikën, që në shekullin e ’19-ë . Ata  bënin atje, punë  nga më të rëndomtat, natyrisht  edhe nga më të vështirat. Me kalimin e kohës disa prej tyre kishin mundur edhe të pasuroheshin. Krijuan edhe një diasporë atdhetare, që u përpoq shumë për  dheun e të parëve. Njëri prej tyre ishte edhe djaloshi korçar, Gaqo Vërvëri. Ishte një bir i Korçës, që edhe ai si shumë bashkëatdhetarë të tij, pati emigruar qysh i vogël nga Korça drejt Amerikës, vendit të ëndrrave.

Po kush ishte Gaqo Vërvëri…

Ai pat shkuar atje i vogël dhe u vendos në Boston të SHBA-s. Fillimisht bëri punën e lustraxhiut të këpucëve. Djaloshi hodhi shtat shumë shpejt dhe në të njëjtën kohë kishte filluar të ushtronte sportin e mundjes (wrestler) edhe të  boksit. Vitet rrodhën dhe ai mori pjesë në shumë ndeshje në të cilat doli fitimtar dhe u shpall dy herë kampion i mundjes. Djaloshi korçari  binte në sy për trupin e fuqishëm, muskuloz e shtatin e lartë.

Një ditë të bukur kampioni shqiptaro – amerikan vendosi të kthehet në vendlindjen e tij, Korçë. Por ai kësaj here nuk erdhi vetëm, solli me vete edhe gruan e tij të re amerikane, Sarën.Të gjithëve,  në Korçën e atyre viteve -ishte koha e mbretërisë shqiptare, – u bënte përshtypje ky çift i ri,  i paparë ndonjëherë në këto anë. Gaqo Vërvëri  me bashkëshorten e tij, e veshur allafrënga , bridhnin fushave nga Drenova e tutje, të hipur mbi dy kuaj race.

Ai kishte bërë dhe një shtëpi, diku  në periferi të Korçës, midis  trekëndëshit të sotëm dhe sanatoriumit, me qëllim që fushat ku lodronte me kuaj t’i kishte pranë. Gaqo Vërvëri, i cili nga një djalë i zakonshëm, ishte kthyer në një kampion të mundjes në Amerikë, kishte shumë të gjallë edhe shpirtin e bamirësisë. Ai çdo vit derdhte një shumë të hollash në adresë të jetimores së Korçës. Merrte përsipër të martonte edhe shumë vajza nga familje të varfëra apo jetimë.  Emri i tij filloi të përmendej mes atyre të shumë filantropëve të tjerë korçarë.

Por një natë mizore,  një bandë kusarësh dhe vrasësish të nxitur nga Maliq beu mësyjnë në shtëpinë e bukur të kampionit shqiptaro-amerikan. Maliq  Beu,  nuk dëshironte dhe nuk mund të lejonte kurrësesi askënd mbi veten,  që një  tjetër person ta rivalizonte,  dhe aq më tepër  një i krishterë,  i cili solli në Korçë,  mënyrën amerikane të jetesës. Shërbëtorja e shtëpisë, e blerë prej  njerëzve të Maliq beut, qëllimisht nuk i vuri shulin derës një  mbrëmje.

Njerëz të armatosur hyjnë atë  buzëmbrëmje në shtëpinë e shqiptaro – amerikanit, Gaqo Vërvëri për ta grabitur e vrarë.

Kampioni shqiptaro-amerikan, i cili  e dinte se në ç’vend jetonte e me ç’njerëz kishte  të bënte, mbante poshtë jastëkut ku flinte, një revole. Vrasësit hyjnë tinëzisht nga dera e jashtme e lënë enkas hapur dhe sulmuan  dhomën e çiftit të ri. Tetë veta hidhen ta mbërthejnë në gjumë  kampionin amerikan.  Arrijnë  t’i marrin edhe revolen poshtë jastëkut,  por nuk dinin ta përdornin. Gaqoja  me trupin e tij të fuqishëm,  i flakte tutje kundërshtarët.

– Topuzin ! – thirri ai .Gruaja e tij amerikane shfrytëzoi rrëmujën,  që u shkaktua nga dylyftimi i vrasësve me të shoqin dhe doli nga dhoma. Por ajo nuk e dinte ku ndodhej topuzi. Atëhere shtyu derën e tualetit, e cila kishte në anën e jashtëme një pasqyrë  të madhe, që e maskonte shumë mirë dhe u fut aty. Përveç saj dhe bashkëshortit askush nuk e dinte se pas  asaj pasqyre,  ndodhej  tualeti. Ndërkohë në dhomën e gjumit ndeshja vazhdonte. Gaqoja  mbrohej  i vetëm me grushte  ndaj   bandës së grabitësve. Ai i theu krahun njërit prej tyre dhe vuri poshtë një tjetër, por ndërkohë gjashtë të tjerët u sulën drejt tij dhe e qëlluan me thika. Mbi dhjetë herë vrasësit ngulën thikat në trupin e tij të fuqishëm. Pas këtyre goditjeve Gaqo Vërvëri u shemb në tokë.

Vrasësit u tmerruan nga guximi i tij. Disa i zuri gjaku  dhe disa u plagosën keq. U larguan nga sytë këmbët, pa mundur të vidhnin asgjë. Kjo ngjarje tronditi qytetin e Korçës. Menjëherë  policia e  mbretërisë së Zogut u vu në lëvizje. Gjatë dy luftimit me kampionin korçar, vrasësit u plagosën, dhe lanë shumë shenja. Policia e shtetit shqiptar, më saktë e mbretërisë shqiptare, që ishte vërtet shtet, nuk e pati shumë të vështirë , u shqyrtuan gjurmët e gjakut dhe pas disa ditësh vrasësit u kapën. Ata u dënuan të gjithë me vdekje  dhe u ekzekutuan brenda një kohe të shkurtër.

Kjo ngjarje u përcoll me shumë  indinjatë dhe dhimbje  në qytetin e Korçës. Populli i këndoi birit të tij kampion një këngë  ku spikatin vargjet:

Të vranë,  o Gaqi, të vranë,

Ti me  grushte , ata me kamë.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Gaqo Viveri, historia e kampionit, te mundjes ne SHBA, Vangjel SIMAKU

NJË PËRMENDORE E MUNGUAR

October 12, 2016 by dgreca

*Anastas Avramidhi – Lakçe -NJERIU QË S’KA NEVOJË PËR PËRMENDORE/

*….njerëzit e mëdhenj janë të vetëdijshëm, që në gjallje të tyre, sa më tepër se përmendoret që i bren koha dhe ndryshku, ata vetë i kanë  ngritur vetvetes, një përmendore të pavdekshme.Përmendore të tilla s’ka forcë në botë që t’i shembë.’/

1-anastasavramidhi

Nga Vangjel Simaku/

Anastas Avramidhi – Lakçe (1821 – 1890 ) është bir i shquar i Korçës  dhe një nga filantropët dhe patriotët më në zë të saj. Ai lindi në këtë qytet,  më 1821-ë, kur ai, si e gjithë Shqipëria ishte ende pjesë e Perandorisë Osmane.Viti 1921-ë ishte viti, kur në shumë vende të Ballkanit u shfaqën shkëndijat e para të lëvizjeve të mëdha çlirimtare, që do të çonin pastaj në lindjen e shteteve të rinj ballkanike .Anastas Lakçe pati emigruar qysh i ri,  si dhe shumë korçarë të tjerë drejt Rumanisë, ku ishte formuar edhe një diasporë e fuqishme atdhetarësh, të cilët u morën shumë me çështjen kombëtare shqiptare. Atje Lakçe arrin të bëhet një nga njerëzit më të pasur të Rumanisë dhe një nga shtyllat e lëvizjes patriotike  në atë vend. Ndërkohë asnjëherë nuk e largoi vëmendjen nga toka e të parëve dhe Korça e tij. Shpeshherë bënte donacione të mëdha për ndërtime rrugësh e shkollash në këtë qytet dhe ndihmonte çdo vit familjet e vobekta,  duke përgatitur pajën për vajzat e tyre, që martoheshin,  pavarësisht nëse ishin të krishtera apo myslimane. Gjithashtu falë kontributit të tij në Korçë,  morën jetë shumë  institucione   kulturore dhe fetare.

Në një shkrim të tij mbi Koloninë Shqiptare të Bukureshtit, poeti Lasgush Poradeci shprehet kështu për kontributin e veçantë të Lakçes atje: ” Mbledhja e madhe e paralajmëruar u bë në të vërtetë pa as më të voglin vonim me 27 Dhjetor 1884 dhe  u themelua zyrtarisht Shoqëria e Pavarur – “Autoqefale” – e Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit, me kryetar plakun milioner Anastas Avramidhi  Lakçe – Korçën. Ky i pari mbi të gjithë, fali një shumë prej 200 napolonash,  që në krijim të shoqërisë, ku u mblodhën  me tepër se 15 mijë franga ari. Emri i shoqërisë i pranuar midis entuziazmit me zëra të përbashkët u vendos të jetë “Drita” , simbol i ndritjes,  që sot e tutje të popullit shqiptar nga errësira shekullore. Përveç kryetar Lakçes dhanë njëkohesisht shuma të mira të hollash 49-ë antarë nga më të flaktit .”

Kjo shoqëri më pas do ta ndryshojë emrin nga “Drita” në “Dituria” dhe do të arrijë të nxjerrë edhe 12 numra të revistave me të njëjtin emër.

Një nga kontributet e Lakçes në këtë kohë ka qenë momenti, kur kjo Shoqëri vendosi t’i drejtohej Dhimogjerondisë  në Korçë, për futjen e mësimit të shqipes në shkollat greke të Korçës.Ajo dërgoi për këtë qëllim Efthim Markon, për të biseduar për këtë problem, i shoqëruar nga një letër personale e vetë Lakçes, milionerit me shumë reputacion në qytetin e Korçës, që derdhte çdo ditë shuma të mëdha pranë Dhimogjerondisë për ngritjen e mbarëvajtjen e institucioneve të Kishës. Ja çfarë shkruan më tej Lasgush Poradeci për këtë ngjarje:

“Kur kryepleqësia e Korçës  me gjithë përbënjës e numeronte Lakçen vazhdimisht si më parë një anëtar dhe  përfaqësues të bindjeve të përhershme, ky Anastas Avramidhi Lakçja, shtyllë shpirtërore dhe financiare,  e  fortë e Komitetit Ortodoks dhe e Mitropolisë së Korçës, bënte tashmë pa pritur një thyerje kundrejt qëndrimit të tij të mëparshëm, dërgonte me vendim të Komitetit në verën e ardhme të vitit 1885-ë, në Korçë Thimi Markon,  të ndërmjetësonte pranë Dhimogjerondisë dhe Mitropolitit Fillotheos Kostandinidhis , duke e porositur të futej gjuha shqipe në shkollat greqishte të Korçës”

Më 1888-ë, Lakçe publikoi edhe një libër të vetin në shqip, që u përkthye me pas edhe në gjuhët frenge, greke dhe rumune me titull “Për shqiptarët nga një shqiptar”, ku ai tregonte rëndësinë e edukimit në gjuhën shqipe.

Anastas Lakçe nuk u martua kurrë, por tërë pasurine e vet e shkriu për të tjerët dhe tokën e të parëve.

Por kontributi më i madh i tij ka qenë pa dyshim financimi për ndërtimin në qytetin e tij të lindjes i kishës katedrale të Shën Gjergjit, një kryevepër arkitekturore, nga më të bukurat e madhështoret jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan .

Kisha e vjetër me këtë emër datonte që në Mesjetën e Hershme, me 1253.Por rritja e vrullshme e qytetit të Korçës, mundësonte ngritjen e një kishe më të madhe me emrin e mbrojtësit të qytetit. Kështu që,më 1875-ë,  u prish kisha e vjetër dhe u rrethua vendi për ndërtimin e katedrales së re, mbi rrënojat e  saj.

U mblodhën për këtë shumë fonde e ndihma nga Mitropolia e Shenjtë e Korçës dhe më 1881-ë filloi ndërtimi i katedrales madhështore të Shën Gjergjit. Por fare papritur ndërtimi i saj u ndërpre.Dikush  ishte ankuar në Portën e Lartë në Stamboll se të krishterët e Korçës po ndërtonin një keështjellë. Në fakt kisha po ndërtohej me gurë të mëdhenj ngjyrë gri  nga malet e Korçës,  në mes të të cilëve  ishte shpuar  një vrimë, ku derdhej kallaj i shkrirë.Kjo i kthente gurët në një masë të vetme, që nuk  donte t’ia dinte për asgjë.

Kur u ndaluan punimet, Mitropolia e Shenjtë e Korçës, i kërkoi Patriarkanës së Shenjtë të  Kostandinopojës, që të ndërmjetësonte pranë qeverisë turke për të rimarrë lejën dhe  për të vazhduar punimet. Edhe njëherë  këtu, shkëlqeu sërish reputacioni i padiskutueshëm  i Anastas Lakçes. Njeriu, të cilin edhe vetë mbreti i Rumanisë e priste menjëherë, duke lënë mënjanë tërë punët e tij, edhe në këtë rast  ndërhyri fuqishëm pranë Portës së Lartë. Ajo u detyrua të dërgonte në Korçë një grup arkitektësh specialistë, të cilët  raportuan se ajo çka po ndërtohej nuk qe kështjellë, por një kishë.

Filantropi dhe patrioti i madh Anastas Lakçe  financoi që në fillim punimet me 5000 napolona flori, ndërkohë që shuma të konsiderueshme dhanë edhe shumë qytetarë të tjerë korçarë.

Ndërtimi i katedrales  iu besua mjeshtrit nga Opari  i Korçës, Naum Trasha. Ai përfundoi më 1905, vit në të cilin edhe u inaugurua.

Kaq madhështore  dhe fine  ishte kjo ndërtesë, sa që arkitektët italianë, vite më pas do të mahniteshin prej saj e në ndërtimin e Bankës Nacionale në Korçë, do të përdornin të njëjtën teknikë me gurë për  ndërtimin e saj .

Mbi portën e brendëshme të kishës ishte vendosur edhe një pllakë e madhe, në të cilën ishte shkruar emri i mirëbërësit Lakçe dhe viti i ndërtimit.

Më 1914, te kjo kishe u mbajt mesha e parë në gjuhën shqipe, kurse më 1923, imzot  Theofan Noli, doreëzohet kanonikisht peshkop nga dy mitroplite të dërguar nga Patriarkana e Kostandinopojës.

Po kjo mrekulli e Korçës nuk i shpëtoi dot mynxyrës së kuqe që ndodhi në Shqipëri,   pas vitit 1967-ë. Kontributi i Lakçes me shokë, i Nolit të madh dhe i patriotëve të tjerë, u hodh në erë me dinamit, më 1971-ë. Kjo vepër arti u  shemb marrëzisht në tokë, kurse gurët e saj u përdorën për ndërtimin e shkallëve të stadiumit të qytetit .

Por monstruoziteti i kuq vazhdoi më tej. Trupi i Anastas Lakçes, pas vdekjes, më 1984-ë, nën kujdesin e diaporës shqiptare  u balsamos dhe u soll në vendlindje. Ai u vendos tëprehej në një maozoleum, ndërtuar në oborrin e kishës së Shën Gjergjit. Kështu që  Korça po përjetësonte birin e vet.

Po injoranca e cinizmi i kuq satanik, që kishte filluar të hidhte rrënjë edhe në qytetin e kulturës, nxiste fëmijët dhe të rinjtë “lejfenistëë’ të përdhosnin nderin e këtij qyteti edhe atje, në banesën e fundit. Ata zbrisnin si hije nëpër shkallët e maozoleumit dhe ngulnin gozhdë e gjilpëra në kafkën e njeriut, që pat bërë aq shumë për prindërit e tyre të vobektë dikur. Ky ishte një akt i turpshëm e barbar, një denatyrim njerëzor, që vetëm terrori dhe mizoria e kuqe mundi të pjellë në këtë vend, të vetëshpallur si ateist. Më vonë trupi i Lakçes u vendos në varrezat e qyteti, ku prehet edhe sot.

Anastas Avramidhi – Lakçe, tërë jetën u përpoq për  çështjen kombëtare dhe qytetin e tij. Por  Korça kjo  “nënë pa dashuri”, nuk diti  ta vlerësojë siç duhet birin e  saj të madh. Ende sot në Korçë nuk ka një përmendore të filantropëve me emër të saj, të këtyre patriotëve të kulluar, që do t’i bënin nder çdo vendi.

Por njerëzit e mëdhenj janë të vetëdijshëm, që në gjallje të tyre, sa më tepër se përmendoret që i bren koha dhe ndryshku, ata vetë i kanë  ngritur vetvetes,  një përmendore të pavdekshme .

Përmendore të tilla s’ka forcë në botë që t’i shembë.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Anastas Avramidhi, Permendoret, Vangjel SIMAKU

HISTORI-FILANTROPI KORÇAR, THOMA TURTULLI…..

October 10, 2016 by dgreca

 

turtulli2

turtulli

turtulli3

turtulli4

turtulli5Nga Vangjel SIMAKU /

Dikur e njihnin të gjithë. Sot pak njerëz në Korçë e jashtë saj dinë   për të.Ai ishte një nga filantropët më të mëdhenj që ka nxjerrë kombi shqiptar,  shëmbull që duhet ndjekur edhe sot nga kushdo.Ishte bamirësi që i dhuroi Korçës, qytetit më të kulturuar të Shqipërisë: bibliotekën , kinemanë, liceun, spitalin dhe jetimoren. Filantropi që shpëtoi nga vdekja e sigurt me dhjetra njerëz, por nuk shpëtoi dot vetveten prej saj. Ishte ai që pergatiti pajën e shumë familjeve të vobekta korçare dhe fitoi dashurinë e simpatinë e mijëra zemrave. Por sistemi i kuq monstruoz , u soll egërsisht me familjen Turtulli.  Kur varrezat e Korçës u zhvendosen nga kisha e Shën Mërisë, u prish në mënyrë barbare varri monumental i kësaj familje të shquar dhe eshtrat e Filantropit të Madh nuk dihet ku perfunduan. Urrejtja patologjike e Enver Hoxhës ndaj kësaj familje,  bëri që një nga filantropistët më të njohur e të mëdhenj në Ballkan e më gjerë,  Thoma Turtulli – të mos ketë sot as varr.

Thoma Turtulli ishte me origjinë nga Vithkuqi,  dikur një qytet i madh  me shumë lagje, kisha e shkolla, që rivalizonte për nga përparimi vetë Voskopojen. Por njësoj,  si Voskopoja dhe Vithkuqi u dogjën dhe u grabitën  tre herë. Zjarrvënësit ishin po të njëjtët.

Familja Turtulli u zhvendos në Korçë dhe  bëhet një prej famijeve më të njohura tregetare të kohës. Thoma Turtulli e kompania e tij zhvillonte tregëti me Durresin , Shkodrën, Tiranën, por edhe me Selanikun, Manastirin e Stambollin .

Shumë shpejt ai iu përkushtua punëve të mëdha filantropike, për ta bërë Korçën , shëmbull të një qyteti europian .

Kështu në qytetin e Korçës më 25 dhjetor 1927-ë, çeli dyert kinemaja “Majestic” , një La Scala e vogël në zemër të qytetit. Kjo kinema e bukur u ngrit nga Kompania Anonime Shqiptare ” Cinemato ” , e krijuar prej Thoma Turtullit e miqëve të tij.

Ai i dhuroi qytetit arsimdashës të Korçes, bibliotekën, duke parë etjen e madhe për dije të korçarëve. Në qytetin tonë e rreth tij, ekzistonin shumë libra nga bibliotekat e dikurshme të Voskopojës ,Vithkuqit e vetë Korçës si dhe të sjella dhe nga shoqëria ” Vatra ” e SHBA-ës. Kështu që biblioteka e bukur e Korçës, e inauguruar më 1930-ën, numuronte rreth 30000-ë libra, asaj kohe .

Korçës së kulturës biri dhe filantropi i madh, Thoma Turtulli i dhuroi edhe, liceun këtë vatër dije,  brenda e jashtë Shqipërisë.

Kurse spitali i qytetit u inaugurua me 1934-ë.

Pas përfundimit të tij bashkëshortja e Thoma Turtullit, Athinaja,  i dhuroi shtetit 40.000 franga ari për ndërtimin e shkollës industriale. Mbreti Zog e dekoroi zonjën Athina Turtulli me ” Urdhërin e Skënderbeut “.

Thuhet se Thoma Turtulli ndiqte vete punimet për ndërtimin e spitalit dhe atje u sëmur nga bronkopneumonia. Me gjithë  përpjekjet e jashtëzakonshme të mbretit Zog, i cili solli enkas nga Selaniku mjekët më të mirë, ai nuk shpëtoi dot.

Veprat e këtij bamirësi të madh edhe sot shkëlqejnë në Korçën tonë dhe janë shprehje e frymës evropiane që mbolli në këtë qytet,  Thoma Turtulli e filantropë të tjerë me emër.

 

Filed Under: Histori Tagged With: FILANTROPI KORÇAR, THOMA TURTULL, Vangjel SIMAKU

Artikujt e fundit

  • 23 MARS 1935…Vdekja a aktorit te madh dhe “Unaza e Iffland-it”…
  • VATRA I PËRGJIGJET ADI KRASTËS
  • Në st. Gallen të Zvicrrës u promovua libri që i kushtohet 1432 fëmijëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë gjakatare!
  • SCIENTIFIC AMERICAN (1942) / GJON MILI DHE METODA E BLICIT TË SHUMËFISHTË STROBOSKOPIK
  • VATRA URON BESIMTARËT BEKTASHIANË: GËZUAR SULLTAN NOVRUZIN
  • “Gjergj Kastrioti Skenderbeu Way Honors the Old and New Generation of Albanians,” Petitioners and Worcester Councilors Say
  • Dorëheqja si proces vetëdijësimi
  • Ndërthurrje mitesh
  • “Çfarë populli mendojnë ata se jemi ne…” Winston Churchill
  • ZERI I AMERIKES: DASH: Mangësitë në pavarësinë e gjyqësorit, mungesa e pavarësisë në media dhe korrupsioni, problemet kryesore në Shqipëri
  • FAQE ARKIVI: Reportazhi nga kufiri Kosovë-Shqipëri “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”- Mars 1996
  • Tri objektiva të rëndësishme që duhet t’i arrijë Kosova
  • RRËFIME TË VEPRIMTARISË KOMBËTARE TË EKREM BARDHA
  • DOJA TË ISHA DHE UNË…
  • DASH godet ashpër Serbinë për diskriminimin e vazhdueshëm shtetnor e institucional ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT