• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Search Results for: themistokli germenji

VASIL GËRMENJI, NIPI I THEMISTOKLI GERMENJIT, DIPLOMAT I SHQUAR NË KRYQËZATËN KUNDËR KOMUNIZMIT

September 1, 2013 by dgreca

           *Inxhinieri i hekurudhave që u diplomua në Marsejë- Francë dhe u kthye profesor në Shkollën Teknike në Tiranë.

  • Perpjekja për të kandiduar për deputet në Korcë, tërheqja pas dy javësh.
  • Në ditëpushtimin fashist të Shqipërisë, Vasili dhe bashkëshortja franceze u larguan drejt Marsejës.Inxhinieri detyrohet të kthehet në këpucar.
  • Bashkimi me Rezistencën Nacionale Franceze dhe dekorimi me “ Kryqi i Meritës ” i      klasit të pare. Zyrtarisht, veteran i Çlirimit      Kombëtar të Frances.
  • Refuzon ftesën për t’u kthyer në Shqipëri, nga që e njihte nga afër  Enver Hoxhën. Ai deklaronte se Enver Hoxha nuk ishte komunist kur e kishte  njohur ai. U bë i atillë kur u takua me serbo-malazezët. * Diplomat i shquar në kryqëzatën politike kundër komunizmit,kryetar i Kuvendit të Kombeve Europiane të Robëruara.

 NE FOTO: Nga e majta, Jusuf Begeja, dr. Athanas Gegaj, dr. Odhise Dhima, Ing. Vasil Gërmenji- Strasburg 1958, kryetar i delegacionit të komitetit Shqipëria e Lirë

 NGA IDRIZ LAMAJ*/

1-   Derë e traditës atdhetare

 

            Vasil Gërmenji rrjedh nga një derë e traditës  atdhetare. Gjyshi i tij, Thanas Gërmenji, udhëtonte shpesh për në Stamboll dhe Misir, ku takohej me patriotë dhe veprimtarë të shquar të Lëvizjes Kombëtare si me Naim Frashërin, Thimi Mitkon, Spiro Dinen e sa e sa të tjerë. Thanasi kishte miqësi të ngushtë me Jani Vreton, të cilin e përkrahu edhe materialisht për botimin e shkrimeve të para. Ai mbante lidhje me mërgimtarë të ndryshëm në kolonitë e shqiptarëve të Bukureshtit, Sofjes, Stambollit e Egjiptit dhe njëkohësisht u shërbeu dhe si ndërlidhës me të afërmit e tyre në vendlindje duke u dërguar lajme e të holla nga mërgimi, duke luajtur kështu rolin e një bankieri të vogël. Thanas Gërmenji ishte një prej themeluesve të lëvizjes së fshehtë “Dora e Zezë”. Ai u vra diku në Thrakë, duke lënë pas tre djem, Spiron, Themistokliun e Telemakun, të cilët mbetën jo vetëm jetimë por edhe në gjendje shumë të vështirë ekonomike.

Më 1892 të bijtë e Thanas Gërmenjit emigrojnë në Rumani. Aty kryejnë punë të rënda fizike, si çirakë e, në të njëjtën kohë, marrin pjesë në të gjitha veprimtaritë e shoqatave kombëtare në kryeqytetin rumun. Pas nëntë vjetësh, Telemaku e Themistokliu, kthehen përsëri në Korçë e, pas shumë peripecish, vendosen me banim në Manastir.

Në atë kohë, Manastiri ishte një prej qyteteve më të mëdha të Ballkanit, ku zhvilloheshin veprimtari të ndryshme politike e kulturore. Aty ishte Valiu i Stambollit. Në atë qytet zhvillonin veprimtarinë e tyre edhe shumë organizata shqiptare dhe të huaja, sidomos greke e bullgare.  Në saje të babait të tyre atdhetar dhe të miqësive që kishte, kryetari i bashkisë u dha atyre me kontratë një biznes për furnizimin me gaz të qytetit. Me anë të asaj sipërmarrje, vëllezërit Gërmenji, siguronin jetesën familjare e njëkohësisht mbulonin veprimtaritë e tyre atdhetare.

Në fillim të vitit 1908, Telemak e Themistokli Gërmenji hapën një hotel në  qendër të qytetit dhe i vunë emrin “Liria”, i cili shumë shpejt u bë qëndra e shqiptarëve të Manastirit dhe gjithë atyre që u binte rruga andej. Hoteli, veç dhomave për të fjetur, kishte një restorant, një sallë të madhe për konferenca dhe një bibliotekë që mund ta shfrytëzonin të gjithë. Në një dhomë të fshehtë ndodhej shtypi kombëtar: libra, gazeta dhe revista të shtypura në gjuhën shqipe në Sofje, Bukuresht, Boston e gjetkë.

Telemak e Themistokli Gërmenji, për t’i shërbyer kombit, nuk e ndërprenë asnjëherë veprimtarinë e tyre patriotike nga Korça, e cila prej kohësh qe bërë djepi i tërë atyre shoqërive e veprimtarive atdhetare kombëtare.

Themistokli Gërmenji luajti rolin kryesor në nënshkrimin e protokollit shqiptaro-francez të 10 dhjetorit 1916 për shpalljen e krahinës autonome të Korçës, e njohur si “Republika e Korçës”,  dhe në dëbimin prej andej të pushtuesve grekë dhe të administratës së tyre. Por,  “miqësia” e autoriteteve ushtarake franceze me Themistokliun nuk do të  zgjaste shumë. Kur qeveria  franceze filloi të marrë anën e grekëve, gjenerali francez, Salle,  në një bisedë që pati me Themistokli Gërmenjin, e pyeti ndër të tjera edhe për hapjen e shkollave greke në Korçë. Themistokliu iu përgjegj gjeneralit prerë: “ Kurrë ndonjëherë qeveria shqiptare nuk do të lerë hapjen e shkollave greke në Korçë”.  Ky qëndrim i patundur atdhetar i Themistokliut dhe korçarëve të tjerë patriotë si ai, njihej mirë nga autoritetet ushtarake franceze. Tashmë ata  nuk kishin më interes për krahinën autonome të Korçës. Jo vetëm kaq por, për të kënaqur shovinizmin grek, me urdhër të qeverisë franceze, Themistokli Gërmenji arrestohet dhe ekzekutohet në Selanik, më 9 nëntor 1917.

Sipas historianit Athanas Gegaj, Themstokliu, në momentin kur do ekzekutohej, nuk lejoi t’i mbylleshin sytë, si zakonisht në këto raste. Për më tepër, kur e vunë para skuadrës së pushkatimit, ai vetë urdhëroi në frengjisht, me zë të lartë: “Feu!” – “Zjarr!”

*    *   *

Ndërsa po hidhja në letër këtë shkrim të thjeshtë, vetëm sa për të kujtuar 25 vjetorin e vdekjes së Vasil Gërmenjit, miku im i ngushtë, Bejtullah Destani, më dërgoi nga Londra këtë letër të prekshme, të pa njohur deri tani,  që përkon me datën e ekzekutimit të Themistokli Gërmenjit, të cilën ia dërgonte zonjës së vet:

“ E dashura ime Evdhoksi,

Rashë dëshmor i çpifjeve. Me qenë se unë nuku kthenem në Korçë dhe më s’ jam për shtëpi, tinë ke të drejt të martohesh, po për martesën tënde të këshillohesh me Pandelinë e Tsalit i cili ka për detyrë, si atdhetar që është, të mos të të lërë të vuash. Nënës i puth dorën. Vasilin dhe Efçën i puth me mall sytë. Dijeni që vdes i pafajshëm. Kërkoj ndjesë nga të gjithë atdhetarët, në qoftë se kam bërë ndonjë të ligë pa dashur. Rroftë Shqipëria nën mbrojtjen e Francës. Shoqi yt, Themistokli Gërmenji, Selanik 9, 11, 1917. Adresa Evdhoksi Th. Gërmenji, Në Korçë, Shqipëri.”

Telemak Gërmenji, babai i Vasilit, ishte vrarë tre vjet para Themistokliut, më 1914,  bashkë me Memdu Zavalanin, në afërsi të Pogradecit. Në atë kohë, për vrasjen e tij u fajësuan bejlerët e Starovës. Telemaku konsiderohej si truri, strategu politik dhe organizatori i kryengritjeve të njohura anti-turke. Novelisti i njohur korçar, Bendo Shapërdani, (Vasil Alarupi), shkrimet e të cilit janë vlerësuar lart nga Noli, shkruan për Telemak Gërmenjin:

“…Me mençurinë e Telemakut dhe trimërinë e Themistokliut, u formuan çeta të mëdha luftëtarësh për të fituar atdheu lirinë. Këto çeta u  bënë më me fame dhe aq kërcënonjëse nga trimëria e atyre djemve luftëtrarë, me të vërtetë trimëria tradicionale e shqiptarit. E provuan duke shënuar një nga episodet më të kuximshme kur kryen vrasjen e komandantit të suvarinjëve otomanë, Rexhep Pashës.  Vrasja u bë brënda në Korçë nga e gjithë çeta e sbritur në qytet dhe prirej nga Themistokliu që kish për kra Vasil Tromarën…” (“Shqiptari i lirë”,shkurt 1971, fq. 3 ).

 

2-   Vasili lindi në Manastir e u rrit jetim.

 

Vasil Gërmenji lindi në Manastir më 12 mars 1908, pikërisht në  hotelin “Liria”, që siç thamë më lart, ishte pronë e vëllezërve Gërmenji. Me vrasjen e të atit, ai mbeti jetim qysh gjashtë vjeç. E ëma qe nga prindër grekë dhe, siç duket, ata do ta kenë detyruar të bijën që të ndahej nga familja Gërmenji. Vasili u rrit në familjen e xhaxhait dhe, pas vrasjes së tij, jetoi me Teton, siç e thërriste ai të shoqen e Themistokoliut, Evdhoksinë.

Vasili, u rrit dhe u edukua në Korçë ku kreu edhe Lyceun e njohur të atij qyteti. Studimet e larta për inxhinjeri hekurudhash, i kreu në Marseille të Francës. Gjatë studimeve u njoh me Geramaine, me të cilën edhe u martua para se të kthehej në Shqipëri, më 1934. Me që Shqipëria në atë kohë nuk kishte hekurudha, u emërua profesor në Shkollën Teknike në Tiranë, ndërsa e shoqja, profesoreshë e frengjishtes në Institutin “Nëna Mretërshë”. Bashkëshortët Gërmenji shumë shpejt u bënë tepër popullorë në kryeqytetin shqiptar.

Më 1935, me ardhjen në fuqi të qeverisë së kryesuar nga Mehdi Frashëri, u duk se në Shqipëri po shfaqej një lloj lirie në zgjedhjet që do të bëheshin për deputetë. Vasili mendoi të shfrytëzojë rastin dhe vuri kandidaturën në prefekturën e Korçës. Por, kjo iniciativë e tij zgjati vetëm dy javë. Autoritetet e vendit e thirrën atë dhe i thanë se “nëse donte të mbante kandidaturën, duhej të hiqte dorë nga detyra e profesorit në Shkollën Teknike.” Ai e kuptoi lojën që po luhej edhe në ato zgjedhje dhe u tërhoq nga çdo lloj veprimtarie poltike. Dy-tre javë para pushtimit të Shqipërisë nga Italia, Vasili i la lamtumirën atdheut për të mos u kthyer dot  kurrë më në të. Vendoset me banim në Marseille të Francës.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjendja ekonomike, veçanërisht për shtetet e ndërlikur në luftë, u bë tepër e vështirë. Njerëzit vuanin deri edhe për kafshatën e bukës. Vasili me të shoqen, për të përballuar jetesën, hapën një dyqan të vogël për riparim këpucësh, me fjalë të tjera, punon si këpucar. Me atë punë të thjeshtë arrin jo vetëm të bëjë një jetë normale por dhe të ndihmojë shumë shokë e miq. Vasili ishte i njohur për bujari. Pas pushtimit të Francës jugore nga forcat gjermane, i bashkohet Frontit Luftarak Francez, Resistence Nacional, që kryesohej nga Francois Mitterand, i cili, kur vdiq Vasili, ishte president i Francës. Në mbarim të luftës i jepet në shenjë nderimi “ Kryqi i Meritës ” i klasit të parë dhe njihet zyrtarisht veteran i Çlirimit Kombëtar Frances.  Pas Luftës vazhdoi punën në dyqanin e këpucëve.

 

                     3-Gazetar i pavarur në mërgim

 

Si çdo periudhe tjetër historike, edhe asaj të emigracionit të gjatë politik shqiptar të pas-Luftës së Dytë Botërore, i përkasin ngjarje dhe personalitete të shquara dhe të veçanta. Me formimin e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, më 1949, përveç figurave të njohura politike, nacionaliste, që ishin larguar nga Shqipëria duke lënë pas familjet, të afërmit e tyre dhe popullin në përgjithësi, në një gjëndje të tmerrshme persekutimi, toturash, ekzekutimesh, internimesh e burgosjesh, shquhet edhe Vasil Gërmenji i cili, me veprimtarinë e gjithanshme që zhvilloi, iu bashkua fushatës politike anti- komuniste.

Pas përfundimit të Luftës, Vasilit iu afruan menjëherë “shokët” e dikurshëm duke i propozuar të kthehej në Shqipëri e të  bashkëpunonte me regjimin e ri komunist, duke i ofruar madje edhe poste të larta në qeveri. Vlen të theksohet fakti se Vasili e njihte prej kohësh personalisht Enver Hoxhën. Me të, bile, kishte pasur edhe një farë miqësie, si në Korçë edhe në Francë. Sipas Vasilit, Enveri, në kohën kur e kishte njohur ai, nuk kishte pasur ndjenja apo aspirata komuniste. Vasili e lidhte fanatizmin e Enver Hoxhës, si komunist e diktator, qysh në momentin e rënies së tij nën kontrollin e agjentëve sërbo-malazez.

Lidhur me ftesën që iu bë Vasilit për t’u kthyer në Shqipëri, të cilën ai e refuzoi me përbuzje,  Dr. Ramazan Shpati na njeh me një bisedë të zhvilluar në mes Vasilit dhe Behar Shtyllës, në Paris, më 1947.  Konflikti i tij i hapur me Shtyllën kishte nisur rreth çështjes së Kosovës. Kur Vasili e kishte pyetur z. Shtylla për problemin e Kosovës, ai i qe përjgjigjur: “Mjaft i kemi në Shqipëri një milion injorantë, (atëherë thuhej se Shqipëria kishte një  milion banorë), pa i shtuar edhe katër apo pesë qind mijë të tjerë”. Vasili nuk kishte duruar më dhe ia kishte përplasur në fytyrë: “ Këtë  tradhëti të lartë kombëtare do ta paguani shtrenjt!” –  dhe ishte larguar pa u përshendetur me të, megjithëse e njihte prej kohësh. Menjëherë, pas këtij refuzimi, ai u angazhua intesivisht në fushatën politike të ashpër kundër regjimit të Enver Hoxhës.

Tërheq dhe mbledh rreth vetes emigrantë të pa ndërlikuar në partira politike. Si i pavarur, përgatit, publikon dhe shpërndan, për katër vjet, 1950-1954, buletinin mujor: “I mërguemi”, të cilin, pas disa numrash, e kthen në gazetën dy gjuhëshë, shqip e frengjisht, “Liri e Kombit”. Në këtë gazetë ai trajtoi me hollësi jo vetëm zhvillimet e brëndëshme në Shqipëri por dhe në regjimet e tjera komuniste, në përgjithësi. Në komentet e analizat e tij, ai dallohet si social-demokrat i vendosur dhe bën thirrje për bashkimin e të gjitha forcave nacionaliste në një fushatë të përbashkët kundër regjimit komunist. Regjimin komunist të Tiranës ai e akuzon gjithashtu edhe për tradhëti të lartë kombëtare lidhur me çështjen e Kosovës. Gjatë tërë veprimtarisë së vet atdhetare-diplomatike, ai asnjëherë nuk e ndau problemin e Kosovës nga kauza e bashkimit kombëtar. Në shtypin e tij, si në asnjë tjetër të emigracionit, ai ndjek me vëmendje gjithë zhvillimet e brëndshme në Jugosllavi.

Në fushatën e tij politike kundër regjimit komunist në Shqipëri, ai del me një program të qartë politik. Buletini  “I mërguemi” dhe gazeta “Liri e Kombit”, janë dëshmi e gjallë e përpjekjeve të tij të gjithanëshme për çlirimin e atdheut nga regjimi komunist dhe realizimin e Shqipërisë etnike demokratike.

Polemikat e tij në shtyp janë konstruktive në plot kuptimin fjalës. Ai u bën thirrje grupeve politike në mërgim që mos të  grinden me njëri tjetrin për pikëpamjet e tyre partiake, por të përqendrohen në një platformë të përbashkët, thjesht për çështjen shqiptare.  Në artikullin “Parullat”, botuar tek “Liri e Kombit” para 60 vjetësh, ai shkruante:  “ Nuk na pëlqejnë parullat. Veçanërisht ato që premtojnë vdekje, prerje, varje, vrasje dhe kusure, kujt do qoftë…  Sot në Tiranë ku mbretëron një diktaturë e  urrejtur kriminale, nuk del një gazetë, nuk bëhet një shkresë, nuk shkruhet as një kartolinë edhe private, pa patur në krye parullën  “Vdekje Fashizmit – Liri Popullit”… Sidoqoftë, me gjithë parullën e tyre, Liri Popullit nuk i dhanë. Nuk i dhanë as bukë e vesh-mbathje… E futën popullin në punë të detyrueshme… Edhe sikur të ndërtojnë vepra arti dhe teknike madhështore dhe gjigandeske, dhe që mund të mbeten për një kohë të gjatë, ato do të na kujtojnë veprat e mëdha që kanë mbetur edhe sot, që kanë bërë faraonët e Egjiptit të vjetër me skllevër… Mjaft diktatura dhe diktatorë!… Le të punojmë me urtësi për heqjen e diktaturës së sotme të Tiranës dhe për zevendësimin e  saj me një demokraci të vërtetë. “Urtë e butë e tigani plot”, themi në Korçë e gjetkë.”

Po të studjohen me kujdes, shkrimet e tij gjatë katër viteve, sidomos artikujt në frengjisht, shihet qartë se ai ishte një njohës i  thellë i problemeve të brëndëshme të shteti komunist shqiptar, i shqetësimeve të mërgatës nacionaliste shqiptare apo dhe i hendekut të thellë midis komunizmit sovjetik dhe demokracive perendimore.

 

4-Antar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”

 

Me 26 gusht 1949, shpallet në Paris Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë”,  nën kryesinë e Mitat Frashërit. Për themelimin e atij Komiteti shkruan gazeta të ndryshme perëndimore. Gazeta: “The Christian Science Monitor”, e 26 gushtit 1949, bëri këtë njoftim:  “… qëllimi i tij do të jetë  përfaqësimi i të gjitha shtresave shqiptare të cilat dëshirojnë  vendosjen e një qeverie e cila respekton të drejtat dhe lirinë e shtetasve të vet…  Në këtë Komitet përfshihen përsonalitete të shquara shqiptare në sferën shoqërore dhe politike dhe do të ketë selinë e  vet në Nju York…”. Në fakt, ndryshe nga ç’shkruan gazeta e mësipërme, në atë komitet përfaqësoheshin vetëm disa nga rymat politike nacionaliste të mërgimit. Grupet politike që kishin mbetur jashtë përfaqësimit në Komitet, filluan menjëherë reagimin e tyre serioz. Vasil Gërmenji, i pa angazhuar në asnjë grupim politik, pa vonuar, në fillim të vitit 1950, përmes buletinit “I mërguemi”, përkrah idenë për një përfshirje sa më të gjerë në këtë komitet. Faktin që Komiteti e kishte selinë në Nju York, megjithëse akoma nuk ishte antar i tij, e vlerëson si diçka të rëndësishme e shpresdhënëse.

Pas reformimit të Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, kur drejtimin e tij e mori Hasan Dosti, Vasil Gërmenji emërohet antar i këtij komiteti. Pavarësisht nga kjo, ai nuk angazhohet aq
tepër në veprimtaritë e tij, thjesht për atë që e cilësonte si “një grumbullim njerzish dhe intrigash të rrezikshme për çështjen shqiptare”. Ai, me sa duket, e kishte nuhatur infiltrimin në radhët e antarëve të Komitetit të Sigurimit të Shtetit shqiptar dhe të UDB-së jugosllave.

Më 1956, kur në krye të këtij komiteti emërohet Dr. Rexhep Krasniqi, Vasil Gërmenji ishte antari i parë që u ftua për të marrë pjesë në të, ftesë që ai e pranoi menjëherë. Pas rregullimit të shpejtë të dokumentave të udhëtimit, emigron në SHBA dhe shërben me kompetencë të jashtëzakonshme në çdo fushë të  veprimtarisë së Komitetit.

Për bashkëpunimin e ngushtë vëllazëror midis Krasniqit dhe Gërmenjit, thjesht për kureshtje, po i sjell lexuesit disa rastësi të çuditëshme! Të dy kishin lindur jashtë territorit të shtetit politik shqiptar, Vasili në Manastir e Rexhepi në Gjakovë. Ishin rritur jetim e në varfëri të skajshme, njëri nga zonja e Themistokli Gërmenjit dhe tjetri nga zonja e Bajram Currit, në dy qytete të ndryshme: Vasili në Manastir e në Korçë, tjetri në Gjakovë e në Shkodër. Megjithëse me përgatitje të ndryshme shkollore, Vasili me kulturë franceze dhe Rexhepi gjermane, bashkoheshin në të gjitha idealet nacionaliste shqiptare. Kishin të njëjtin mendim për regjimin komunist në Shqipëri, duke e konsideruar atë thjesht si vegël të interesave sllave, e si i tillë, duhej luftuar pa mëshirë dhe në çdo mënyrë. Të dy, megjithëse i përkrahnin dhe i respektonin partitë politike shqiptare në mërgim,  kishin qëndrime të rezervuara ndaj tyre. Për ta, çdo çështje shqiptare duhej parë mbi interesin personal e partiak. Tërë këto, nuk i pengonin ata që të ishin plotësisht të pavarur në personalitetin e tyre: prof. Krasniqi më konservator, ing. Gërmenji më liberal.

 

5-Diplomat i shquar në kryqëzatën politike kundër komunizmit, kryetar i Kuvendit të Kombeve Europiane të Robëruara.

 

        “…Në mbledhjen plenare të Kuvendit të Kombeve Evropiane të Robëruara, (Assambly of Captiv Europian Nations, – ACEN), të mbajtur me 15 shtator 1970, në Nju York, antari i  Komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe përfaqësuesi i tij permanent pranë kësaj organizate, Ing. Vasil Gërmenji, u zgjodh kryetar për të dytën herë. Ky ishte një nder që i bëhej në mërgim Shqipërisë tonë aq të vuajtur, një njohje të kontributit të parreshtur që i kishte dhënë Kuvendit, Komiteti “Shqipëria e Lirë”, që prej fillimit të tij, dhe njëkohësisht një vlerësim i lartë personal i z.Vasil Gërmenji nga kolegët e tij të ACEN-it. “Nëse mund të supozohet se zgjedhja e parë e tij ka qenë një shenjë kortezie ndaj një organizate antare, zgjedhja e dytë duhet konsideruar pa asnjë dyshim si shenjë e prestigjit që gëzonte z. Gërmenji ndër kolegët e tij në ACEN.”, shkruante ndër të tjera gazeta, “Shqiptari i lirë”, shtator-tetor 1970, fq.1, organ i Komitetit “Shqipëria e Lirë”.

Po ç’ishte ACEN-i, Kuvendi i Kombeve Evropiane të Robëruara? Kjo ishte organizata më e madhe dhe më e fuqishme antikomuniste në botë e mbështetur moralisht dhe materialisht nga qeveria e SHBA-së. Që nga themelimin i saj, më 1954, kur zuri vendin e Komitetit “Evropa e Lirë”,  ACEN-i vazhdoi veprimtarinë e vet gati deri në rënien e regjimeve komuniste në shtetet europiano-lindore. Kuvendi Ekzekutiv ose Asamblea e kësaj organizate, përbëhej prej përfaqsive të Shqipërisë, Bullgarisë, Çekosllovakisë, Hungarisë, Estonisë, Letonisë, Lituanisë, Polonisë dhe Rumanisë. Këto  nëntë shtete të Evropës Lindore dhe Qendrore që kishin qënë të lira dhe sovrane para 1939-së, ishin antare të rregullta të  ACEN-it dhe secila prej tyre kishte  të drejtën e një vote. Aty bënin pjesë edhe disa organizata ndërkombëtare pa të drejtë vote, si “Ndërkombëtarja Agrare”,” Bashkimi Demokratik i Krishterë i Evropës Qendrore”,” Qendra e Sindikatave të Lira në Mërgim” etj. Qendra e Kuvendit ishte në Nju York, në një pallat afër Misionit Amerikan pranë Kombeve të Bashkuara. ACEN-i kishte zyra edhe në Uashington, D.C.  Gazeta e njohur “The Nju York Times”,  e ka vlerësuar ACEN-in si një OKB të vogël. Ai kishte përfaqësi të përherëshme në Argjentinë, Australi, Brazil, Kanada, Francë, Gjermani, Angli, Itali, Suedi, Danimarkë,  Kolumbi, Ekuador, Greqi,  Indi, Japoni,  Liban, Meksikë,  Filipinë dhe Zvicër.

ACEN-i e realizonte veprimtarinë e vet me anë të këtyre organeve: Komiteti i përgjithshëm, organ ekzekutiv që drejtonte shërbimet e organizatës gjatë vitit; Komiteti i punës, Komiteti politik dhe juridik, Komiteti ekonomik dhe social, Komiteti kulturor dhe informativ dhe Sekretariati me zyrën përkatëse të shtypit dhe të kontabilitetit.

Kjo organizatë e fuqishme antikomuniste përbëhej nga personalitete të njohura e të shquara të vendeve përkatëse si burra shteti, diplomatë,  ushtarakë, etj. të cilët kishin gëzuar popullaritet në vendet e tyre, si gjatë Luftës dhe  pas ardhjes në fuqi të regjimeve komuniste. Midis tyre mund të përmendim: Ferenc Nagy.,  ish kryeministër i Hungarisë; Constandin Visoianu,  ish ministër i jashtëm i Rumanisë; Stefan Korbonski, ish kryetar i lëvizjes kryengritëse kundër okupatorit gjerman në Poloni dhe shkrimtar i njohur; Dr. George Dimitrov, kryetar i komitetit Bullgar dhe mik i Shqipërisë; Dr. Lettrih, ish kryeministër sllovak;  Dr Stefan Osuki, një nga themeluesit e Çekosllovakisë dhe figura të tjera të shquara, patriotë demokratë që luftuan për lirinë e popujëve të tyre të shtypur nga regjimet komuniste. 

Në tetor 1962 Vasil Gërmenji  u zgjodh nënkryetar i Federa- tës Ndërkombëtare të Gazetarëve të Lirë. Është e gjatë lista e intervistave, fjalimeve, konferencave shkencore, analizave, debateve dhe shkrimeve të tij të ndryshme  me karakter kombëtar e ndërkombëtar. Gjatë karierës së tij ai shkroi qindra artikuj, analiza dhe raporte diplomatike. Në shtypin e kohës, emri i tij përmëndet shpesh për rolin që ka luajtur në veprimtari të ndryshme apo për takimet e nivelit të lartë që ka pasur në Uashington me burra shtetesh e diplomatë nga të katër anët e botës. Siç e vumë në dukje dhe më parë, në tërë këto veprimtari, ai vazhdimisht ngrinte edhe çështjen e Kosovës e protestonte energjikisht ndaj regjimit të Beogradit.

6-Përshëndetja e fundit

 

Për Vasil Gërmenjin 28 Nëntori ishte dita më e shënjtë. Ai, edhe pasi doli në pension më1973, kërkonte me këmbëngulje që përkujtimi i Festës sonë Kombëtare nga Komiteti “Shqipëria e Lirë” të organizohej sa më mirë dhe sa më dinjitoz. Ditën e Festës, aty nga ora 10 e mëngjezit, na telefonte në zyrë dhe na kërkonte hollësitë e fundit si dhe numurin e telefonit të sallës së hotelit ku do të zhvillohej ceremonia. Megjithëse dërgonte një përshendetje me shkrim, ai bënte edhe një përshëndetje me telefon në sallë, për të uruar të pranishmit dhe për të falenderuar mysafirët e huaj për pjesëmarrjen e tyre. Në përeshendetjen e fundit me shkrim që i dërgoi Dr. Krasniqit, më 19 nëntor 1988,  shkruan ndër të tjera:

“Më vjen keq që për arësye largësije dhe shëndeti nuk jam në gjëndje të marr pjesë në përkujtimin e 76-të të festës Kombëtare Shqiptare. Edhe një here tjetër, po përkujtojmë dhe festojmë në mergim ditën më të shenjtë të kombit tonë. Ashtu si e kemi bërë çdo vit, që kur kemi ikur  prej atdheut, për arsye të ndryshme, por më shumë se çdo gjë,  sepse nuk kemi dashur të pranojmë zaptimin e tokës tonë nga të huajtë, as që nuk kemi dashur t’i bindemi diktaturave të inspiruara ose të shtërnguara mbi kombin tonë prej të huajsh, ose prej ideologjish të huaja. Jemi të bindur se bashkë-atdhetarët tonë në Shqipëri dhe në tokat tona të robëruara, e festojnë gjithnjë këtë ditë të shquar, dhe shpresojnë të gëzojnë jetë të lumtur, në paqe me të gjithë liritë demokratike që duhet të kenë njerëzit e lirë dhe për të cilat kanë luftuar me gjak të parët tonë.”

Ndërkaq, telefonatën në sallën e hotelit, ku Komiteti “Shqipëria e Lirë” po përkujtonte Festën tonë Kombëtare, nuk arriti ta bënte. Atë ditë, më 28 Nëntor 1988, ai mbylli sytë përgjithmonë, në një aksident automobilistik, aty nga ora 12 e ditës. Trupi i tij ishte përgjakur, skenë kjo që të kujtonte fundin tragjik si të babait ashtu edhe të gjyshit të vet.

Lajmi i vdekjes tragjike të Vasil Gemenjit dhe të zonjës së tij, na erdhi pa përfunduar akoma ceremonia e Festës së Flamurit. Prof. Rexhep Krasniqi dhe Dr. Hamdi  Oruçi, miq të ngushtë të familjes Gërmenji, u nisën menjëherë për në Florida. Atje organizuan në mënyrë dinjitoze funeralin e tyre në varrezat e qytetit Inverness. Komiteti “Shqipëria e Lire” mori letra e telegrame ngushëllimi nga personalitete të ndryshme të ACEN-it, ministria e Jashtme amerikane, etj.. “Zëri i Amerikës” transmetoi të nesërmen një nekrologji të zgjeruar të Germenjit ku u evidentua veprimtaria e tij në shërbim të atdheut.

Gazeta kryesore e qytetit Inverness, në Floridën qendrore, botoi një përmbledhje të veprimtarisë politike të Vasil Gërmenjit, si antar i Komiteti “Shqipëria e Lirë”, bashkë me një fotografi të tij para ndërtesës së Kongresit Amerikan, në Uashington, kur ai po i dorëzonte kongresmenit të Nju Yorkut, Horton, një memorandum politik mbi gjendjen e Kombeve të Robëruara Europiane, nga ACEN-i në vitin 1969, kur ai ishte Kryetar i organizatës në fjalë.

 

7- Heshtje e dhimbëshme ndaj tij

 

Vasil Gërmenji,  trashëgimtar i një dere të njohur atdhetarësh, rritur jetim me vuajtje e varfëri të skajshme; njeri praktik dhe i gjëndshëm në jetë; bujar, besnik dhe atdhetar i shquar, sot pushon në heshtje larg atdheut.  Emri tij gadi nuk njihet as në Korçën e tij të dashur e lëre më në atdheun e tij etnik, të cilit i kushtoi jetën.

Kam pasur fatin të njihem me Vasil Germenjin dhe të bashkëpunoj me të për njëzet vjet, qysh ditët e para të ardhjes time në SHBA, më 1968 dhe përpjekjeve për të ndihmuar prof. Nexhat Peshkëpinë, në përgatitjen e gazetës  “Shqiptari i Lirë”, e deri ditën që ai mbylli sytë, në aksidentin e përgjakshëm automobilistik. Vite pas vdekjes së tij, mësova nga Dr. Krasninqi, se Vasili kishte insistuar para se të ndërronte jetë Nexhati, më 1970, që të hyja unë në komitetin “Shqipëria e Lirë” dhe të merresha me problemet e shtypit të tij.

Kthimi i eshtrave të Vasilit në atdhe dhe ngritja e një busti pranë xhaxhait të vet në Korçë, do të nderonte Korçën dhe korçarët. Emërimi i një rruge ose Bulevardi në Tiranë, me emrin e tij, do të nderonte Shqipërinë dhe shqiptarët. Është detyrim moral, atdhetar e kombëtar edhe për shqiptarët e Kosovës të nderojnë Vasil Gërmenjin, sepse manastirliu i Korçës, i doli zot Kosovës edhe në Pallatin e  Organizatës të Kombeve të Bashkuara.  Kolegëve të Vasil Gërmenjit, burrave të shteteve, diplomatëve dhe politikanëve mërgimtarë të Kombeve Europiano-Lindore, të sunduara prej komunizmit sovjetik, u janë ngritur permendore në kryeqytetet e vendeve të tyre. Pas 20 vjet demokracie në Shqipëri, është dhimbje e tmerrshme kur mendon se veprimtaria kombëtare  e  Vasil Gërmenjit po iu jepet bashkëkombasve të tij vetëm përmes këtij shkrimi të thjeshtë.

*Ish gazetar i Zerit te Amerikes dhe sekretar i Komitetit “Shqiperia e Lire”(Botoi: Dielli, gusht 2013 dhe Telegraf)

 

Filed Under: Featured

Në nëntorin e Pavarësisë kujtojmë patriotin e shquar Vasil Gërmenjin

November 27, 2025 by s p

Elez Osmani/

Nuk arriten për ta festuar 28 nëntorin!

Më 28 nëntor të vitit 1988, ditën e festës Kombëtare të Shqipëtareve, në të gjithë diasporën shqiptare që jetonte në SHBA, u hap lajmi i vdekjes aksidentale të Ing. Vasil Gërmenjit , një prej personaliteteve më të spikatura të mërgatës antikomuniste, dhe bashkëshortes se tij. Vdekja e Ing. Vasil Gërmenjit në atë kohë u përcoll pothuaj nga i gjithë shtypi shqiptar antikomunist i Perëndimit. Gazetat dhe revistat e ndryshme shqip dhe anglisht, vdekjen tragjike e pasqyruan me tituj te medhenj ne faqet e para. Ato lajmronin dhe jepnin një përshkrim të përmbledhtë të veprimtarisë politike të të Gërmenjit.Poashtu shtypi lokal në gazetën kryesore të qytetit Inverness të Florides qëndrore e pasqyroi vdekjen aksidentale te Gërmenjëve.Me një artikull ballor “Patrioti shqiptar vdes në një aksident automobili” të ndodhur tamam më 28 nëntor 1988. Gazeta në fjalë jep një përshkrim të veprimtarisë politike të Gërmenjit…

Kush ishte Vasil Gërmenji ?

Punëtor i vyer, diplomat i shkathët, politikan, shqiptar i matur, i patundur në mendimet e veta. Gazetar i shquar dhe nënkryetar i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve të Lirë. Poet satirik e thumbonjës. Anetar i “Komitetit Shqipëria e Lirë”, anëtar dhe kryetar i “Asamblesë së kombeve të Robruara të Euvropës”. Atdhetar shpirt-madh i pa lodhur, i pa përtuar, që përherë ishte në krye të punëve të Shqiptarisë, me ide të qarta për një Shqipëri të lirë dhe të vërtetë. Patriot i rrallë, shëmbullor dhe fort i denjë i të parëve të tij të shquar, që për lirinë e Atdheut dhanë jetët.

Vasi Germenji lindi në 1909, në Manastir, në hotelin e njohur “Liria”, pronë e vëllezërve Gërmenji. Në fakt këtë hotel e kishte hapur Themistokliu bashkë me vëllanë, Telemakun, babain e Vasilit, kur u kthyen në atdhe pas nëntë viteve në kurbet, dhe u vendosën në qendrën e Vilajetit në Manastir. Aty hapën hotelin “Liria” në fillim të vitit 1908.

Përveç dhomave për fjetje, ai kishte një restorant, një sallë të madhe për konferenca dhe një bibliotekë që mund ta shfrytëzonin të gjithë. Në një dhomë të fshehtë ndodhej shtypi kombëtar: libra, gazeta dhe revista të shtypura në gjuhën shqipe në Sofje, Bukuresht, në Stamboll, në Boston e gjetiu. Ishte vend i tubimeve të rinisë shqiptare që në atë kohë shkollohej në qytet. Ndihmoi për organizimin e Kongresit të Manastirit, që u mbajt po në atë vend, pra në hotelin e tij. Vasili kishte mbetur jetim që fëmijë, andaj ishte rritur në familjen e xhaxhait të tij, duke pasur si nënë Evdhoksinë dhe si baba, Themistokliun.

U shkollua në Korçë, në Liceun Kombëtar. Studimet e larta i përfundoi në vitin 1933, në Marseille të Francës për inxhinieri hekurudhash. Kthehet në atdhe në vitin 1934 dhe emërohet profesor në Shkollën Teknike të Tiranës, ku në këtë detyrë qëndroi deri në pranverën e vitit 1939. Në ndërkohë, gruaja e tij franceze, Gerameina, ishte caktuar profesoreshë e frëngjishtes në Institutin “Nëna Mbretëreshë”.

Në prill të vitit 1939, kur Shqipëria pushtohet nga fashizmi italian, Vasili, në shenjë proteste, largohet përfundimisht nga atdheu dhe vendoset në Marseille të Francës. Aty kishte hapur një punëtori ku punonte si këpucëtar, bashkë me të shoqen. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, merr pjesë në forcat e rezistencës antifashiste franceze dhe ishte bashkuar me grupin që kryesohej nga presidenti i mëvonshëem i Francës. Z Mitterand. Pas fitores, Vasili kishte fituar Medaljen e Klasës së Parë për “Çlirimin e Francës”. Medaljen dhe diplomën e mbante përherë në dhomën e fjetjes por edhe i mbarte kudo që shkonte.

Pas Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri pushtetin e marrin komunistët. Por, Vasili nuk ishte kthyer në Shqipëri. Përkundrazi, ishte përfshirë në krahun e lëvizjes demokratike, antikomuniste të mërgatës shqiptare. Gjendja e përgjithshme shoqërore, kudo në viset shqiptare, po përkeqësohej . Kush mundej largohej nga vendi, kryesisht të rinjtë, merrnin rrugën e mërgimit, me shpresë se nga andej mund të ndihmohej edhe familja, edhe vendi, kurse në rastet më të mira për të bërë shkollë në shtete të tjera. Ky fat ishte përcaktuar edhe për Vasilin. Mehmet A. Beqiraj 22 Shtator 1953 për Germenjin shkruan:.. Kam plotësuar në lidhje me personin t’uaj,.. me jeteshkrimin t’uaj aq të shkurtër dhe kuptim-plot: “Malësor i jugut, ish- profesor i teknikës, mërgimtar nga të parët në tufën e mërgimtarëve të luftës së dytë botnore, dhe zanataçi i thjesht në kohën e sotme, ku duhet të ishin rekrutuar dhe aktivuar shumë me drejtësisht dhe fuqimisht vlerat intelektuale të mërguemit.”

Dhe kjo nuk ishte e lehtë, për një djalë jetim, si ai, për një njeri të lindur e të rritur në një vend me gjendje ekonomike te rënduar.

Jeta e familjes ishte bërë shumë e rëndë, për të mos thënë e padurueshme. Andaj, Vasili i hyri rrugës plot halle të jetës, me dëshirën për të jetuar ndershmërisht dhe me vullnetin për t’i bërë ballë të gjitha pengesave dhe telasheve të saj. Ai e kishte të qartë se në Perëndim koha nuk priste. Njeriu fatin e ka në dorën e tij. Ai punonte, studionte dhe merrej më çështjen e kombëtare.

Këto fakte ai i pohon edhe vetë në një letër që ia dërgon një mikut të tij, më 5,gusht të vitit1952, nga Marseja e Francës.”Nuk mund të te përgjigjem shpejt, sepse kam qenë i zënë me punët e Gazetës, dhe puna e përditshme më merr kohë dhe s’më le të lirë. Ndofta nuk e di, se për të jetuar punoj si kundraxhi, dhe se kundraxhinjtë kudo në Evropë, nuk kanë një jetë të kollajt…”. Sepse ai,këpucëtari “Ngrihet që me natë,Bën zanat të ngratë,Me bizë dhe pe, Të çlodhet ska nge”Pastaj në letrën e cituar vazhdon: ‘‘ Problemi i jetesës është tepër i vështirë? Për veten time, me gjithë titujt dhe diplomat, jam i detyruar të mbulos këpucët e miletit, për të nxjerrë me zor një kafshatë bukë të matur shumë. Prej kësaj kafshate, duhet të heq një copëz të vogël për të nxjerrë atë fletushkë, që është për shumë prej nesh që jetojmë në oksident. (…) Dua të te them se ne nuk jemi gazetarë dhe shkrimtarë të zanatit, por vetëm të rastit. Këtë e bëjmë vetëm se ata që kanë cilësira më tepër se na, i kanë venë më shumë në shërbim të vetes së tyre se sa të SHQIPERISË.”

Gadi për të gjithë tē mërguarit, pozita shoqërore dhe gjendja ekonomike ishte e njejtë.…”depresjoni shpirtnuer i nji të merguemi që asht i detyruem me punu dita- ditës për të mbajtë familjen me grue e dy fëmij, thekson dr.Nush Bushati, ne një letërkembim me Vasilin. Punën, ma ka ënda kurdoherë, por punë të tilla që i përshtaten mësimeve qi kam ba, e jo punë të mërzitshme sa për të fitue bukën e përditshme, pos kësaj, më vjen shumë keq që s`jam tuej marrë pjesë në veprimin e emigracijonit për lirimin e vendit t`onë.

Ata që e kishin njohur tregojnë se Vasili ishte djalë i shoqërueshëm. Me këdo që rrinte e bënte shok. Dhe kishte shumë shokët , e njëri prej të cilëve ishte Enver Hoxha, me të cilin Vasili kishte lidhje shoqërore (miqësore) në Korçë e në Francë, por ne atë kohë Enveri nuk ishte i “kuq”.

Vasili në ditarin e tij ka shënuar

“Enveri, ishte njeri i së majtës. Ai diti dhe mundi të vendosë në vend, një regjim diktatorial komunist. Ishte njeri i së majtës, si po thuajse gjithë, ose shumica e rinisë se para 39- tēs. Por megjithëse i ka 40 e sa libra që ka shkrojtur mbi komunizmin, ai nuk ka qenë kurrë komunist. Por megjithatë ai diti dhe mundi të vendosë në vend, një regjim diktatorial komunist. Kështu solli atje një ideologji të huaj, pak të përshtatshme me ndjenjat dhe mendimet e shumicës dërmuese të popullit patriot (shqiptar). Këtë e dinte aq qartë sa që kurdoherë që duhej të kërkonte sakrificë nga banorët, këtë e ka kërkuar në emër të atëdhe dashurisë”

Shoqërisë së tij, me shokun e rinisë, shpejt do t’i vijë fundi. Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, kur në Shqipëri shtrihej diktatura komuniste, ndonëse Enveri e kishte ftuar që të kthehej në Shqipëri.

Polemika me Behar Shtyllën

Ftesën që i bëhet Vasilit për t’u kthyer në Shqipëri, ai e refuzoi me përbuzje. Dr. Ramazan Shpati e përshkruan bisedën që kishte zhvilluar Vasili me Behar Shtyllën, në Paris, në vitin 1947. Konflikti i tij i hapur me Shtyllën kishte filluar rreth çështje së Kosovës. Pasi Vasili e kishte pyetur z. Shtylla për çështjen e Kosovës, kurse i ai i kishte thënë se mjaftë kemi në Shqipëri një milion injorant, (atëherë thuhej se Shqipëria kishte një milion banorë), pa i shtuar edhe katër-pesëqind mijë injorantë të tjerë. Vasili ishte revoltuar dhe ia kishte përplasur në fytyrë: “Këtë tradhëti të lartë kombëtare do ta paguani shtrenjt”, dhe ishte larguar pa u përshëndetur me të, megjithëse e njihte me kohë. Këtë takim ne një formë më të gjerë e rrëfen edhe vetë Vasili më rastin e mbajtjes se Kongresit të parë te Lidhjes së Prizrenit në Mërgim ne New York, ku mbajti një fjalë rasti: “….Pas luftës më 1946, kur isha duke punuar në Marseille të Francës, erdhi në dyqanin tim një zyrtar i lartë i Partisë Komuniste të Tiranës.Atëherë ai ishte gazetar dhe tani është diplomat. Ka qenë edhe dy tri herë delegat në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në New York, Behar Shtylla dhe Nesti Nase.

Ai me entusiazëm dëftonte për Fitoren qe kanë berë(komunistë) dhe, ndër të tjera,theksonte vëllazërimin qe kanë me Jugosllavinë titiste dhe ndihmën e madhe që u jep kjo, etj. Si mbaroi së foluri ia bëra vetëm këtë pyetje. Meqenëse ju e paskeni kaq mirë me Jugosllavinë, përse vallë se kërkoni që tju jap Kosovën? Ai mu përgjigj: Ti po llafosesh si nacionalist dhe kapitalist: Jugosllavia i don shqiptarët e Kosovës dhe ata i kanë fituar te drejtat e tyre:ne kemi luftuar për socilalizëm dhe kemi mjaftë luftë të brendshme ne Shqipëri me një popull injorant që është i tërhequr nga ndjenja fetare dhe nacionaliste, dhe nëse fusim e dhe një milion reaksionar të tjerë nga Kosova, ne nuk mund ta mbajmë Shqipërinë.Ky ishte justifikimi i Tiranës komuniste për ta lenë Kosovën shqiptare nen Jugosllavi”

Menjëherë, pas refuzimit me përbuzje të bashkëpunimit me një qeveri diktatoriale, për të cilin thuhej se ishte nën urdhrat e komunistëve serbo-malazez, ai filloi fushatën politike e mediatike kundër regjimit të Enver Hoxhës.

Nxjerrja e Gazetës “I merguemi” dhe “Liri e Kombit”

Pasi puna e këpucëtarit i shkoi mirë, Vasili e vazhdoi atë punë, edhe pas luftës dhe, bashkë me tiranasin Dr.Ramazan Shpatin, filluan të botojnë një gazetë me titull “I Mërguemi”, në gjuhën shqipe dhe në gjuhën frënge,pastaj e shendrroj në “Liri e Kombit”

Ky organ mediatik në vetvete zë një vend të konsiderueshem në historinë e medias shqiptare në diasporë dhe në historinë e shtypit shqiptar. Kjo dëshmon se veprimtaria e patriotëve antikomunistë në mërgatë përbën një aspekt të rëndësishëm historik të kësaj mërgate e cila meriton që të ekspozohet dhe të studiohet më shumë nga ekspertët e shkencave politike dhe të medias shqiptare.

“I Mërguemi ” ishte një zë potent dhe përbashkues për kauzën e shqiptarëve të mërguar dhe antikomunistë. Ishte një media që mbajti gjallë dhe bashkoi veprimin patriotik, publicistik, kombëtar e atdhetar shqiptar.. Shtypi i mergatës ashtu si mërgata, ne tërsi përbëjnë krenari kombëtare, histori të lavdishme e të qënësishme idenditare, e përpjekje të pashtershme për komb, atdhe dhe çështjen kombëtare.

“Plot dhe plot Shqipëtarë kanë dhënë jetën e tyre për Atdhe (shembullin më të mirë për mua ma kanë dhënë prindërit) dhe të tjerë, sot në Shqipëri vuajnë dhe lëngojnë po për këtë gjë. Duhet edhe ne që kemi luftuar të rrojmë të lirë të bëjmë diçka për atë të shkretë dhe që na dhimset aq shumë. “Kemi shkuar prej Shqipërie, por atje kemi lënë njëkohësie me zemrën tonë edhe te dashurit tonë , prindër, gjini, far’e fis dhe miq të shumtë për të cilët na digjet zemra” Nuk na pëlqejnë parullat,veçanarisht ato që premtojnë vdekje, prerje,varje,vrasje dhe kusur, kujtdo qoftë. Parullat vdekjeprurëse mbajnë erë diktature.

Diktature fashiste dhe diktatura e kuqe :” Të dyja janë një llojt”

Gjatë botimit të përkohshmen “I merguemi“, në Francë, në vitet 1950-1954 te cilën pas dy vjtesh e shëndrrohet në“Liri e Kombit”, shkruan artikuj dhe analiza kundër regjimit komunist, të cilin e akuzon, përveç rrugës të gabuar që kish marrë brenda vendit, edhe për tradhëti kombëtare lidhur me fatin e Kosovës,edhe sot kur e shfleton ndjen një krenari të veçantë për rolin e kontributin për shqiptarinë, peshën e mendimit, forcën e argumentit, thellësinë e trajtimit e mbi të gjitha depulesën e amanetin për kauzën kombëtare .Pastaj analizon thellë zhvillimet e brëndëshme në Shqipëri dhe në Europën qendër-lindore.

“Sot në Tiranë mbretëron një diktaturë e urryer kriminale, nuk del një gazetë e pavarur, nuk shkruhet një kartolinë private. Me gjithë parullën e luftës “Liri Popullit”, popullit liri nuk i dhanë. Nuk i dhanë as bukë dhe as veshmbathje. E futën në punë të detyrushme. Edhe sikur të ndërtojnë vepra madhështore, arti apo teknike, që mund të mbeten gjatë, ato do të na kujtojnë … diktaturë… Mjaft diktatura dhe diktatorë! Të punojmë për një demokraci të vërtetë!” – kështu do të shkruante Vasili në një prej numrave të gazetës së tij “Liri e Kombit”.

Pra nuk është e rastësishme veprimtaria atdhetare e mërgatës shqiptare. Nuk mund te kalohet këtu fakti , se Vasil Gërmenji me shokë, ne kushte shumë të vështira e nxori gazeten “I merguemi”, dhe e dërgonte te bashkatdhetarët e mërguar dhe i informonte rreth gjendjes së mjerë në atdhe, nga i cili ishin të tretur , mbi 15 mijë njerëz, dhe gjendeshin neper kampe te ndryshme anë e mbanë botës. Ata nuk kishin asnjë burim informacioni, për familjete tyre, farefisin e tyre dhe atdheun e tyre,si dhe për çështje tjera.

“ I Mërguemi ” mbetet një vlerë në historinë e medias ne diasporë, që në trojet shqiptare njihet fare pak. Nëse do të studiosh e vlerësosh punën dhe përpjekjet historike të një mërgate, shqyrtimi i medias fakton dhe evidenton gjithçka. Ky organ mediatik, shpreh peshën intelektuale të mërgatës, fuqinë e veprimtarive, çështjet e ngritura e mbi të gjitha patriotizmën që ka qenë frymëzim në të gjitha aktivitetet kombëtare e komunitare e antikomuniste të mërgatës.

Ai gjatë veprimtarisë së tij atdhetare-diplomatike asnjëherë nuk e ndau çështjen e Kosovës nga kauza e bashkimit kombëtar. Në shtypin e tij, përcjell me vemendje çdo lloj zhvillimi të brendshëm në Jugosllavi. Gadi ne çdo numër të fletes (siç e quan ai) “I Merguemi” gjenden artikuj për Kosovën, saqe të krijohet përshtypja se, Ramazan Shpati, oratk, bashkëpunëtor dhe kumbar i emrit te gazetës”I merguemi” e kishte vetem këte detyrë.

Mergimtarët, anipse ballafaqoheshin me teleshe te jetës në mergim, ata më së shumti i mundonte copëtimi i trojeve shqiptare,dhe shpreheshin me tone kritike :” Tash në këto kohët e fundit ka hyrë grindja edhe ma tepër. U bëmë turpi i botës, se për fat të keq, janë tue shkrue edhe ne gjuhë të hueja. Pastaj ajo që mue më prek ma tepër asht se për Kosovën e gjorë kërkush nuk po shkruen asgjë, pse duket se kan frigë se mos e zemrojne zaptuesin. Por atëherë le të heqin dorë ma mirë e le ta shpallin se nuk u intereson të mirren me atë çështje . Unë jam tue vazhdue nga pak me temen e Kosoves e mbas do kohe do ja u dergoj. Por nuk e dij a do kete vleften e duhun mbasi si Komiteti ashtu edhe partit e tjera e kan lanë fare mbas dore kete çashtje jetike te vendit t’one.”

Në kushtet kur shumë botime botoheshin jashtë Shqipërisë, ku fjala nuk ishte e censuruar, e kufizuara, e varuar nga politika shtetërore, organet e shtypit në Emigracion u bënë tribuna kryesore e mendimit te lirë politik e shoqëror shqiptar, natyrisht edhe për çështjen e Kosovës. Në to gjetën pasqyrim ,në radhë të parë idetë për ruajtjen e kufinjve toksor dhe çlirimin e popullit shqiptar nga komunizmi. Pjesa më e përparuar e atdhetarëve, e sidomos intelektualët luftonte me këto mjete, dhe nëpërmjet organeve të shtypit mbronin programin e tyre për lirimin e Shqipërisë nga komunizmi, por kishte edhe ide radikale dhe shpreheshin për realizimin e tij me anë të kryengritjes së armatosur.

Kontribues i shquar në kulturën shqiptare

Vëllimi i shkrimeve të Vasil Germenjit, është mjaft i gjerë, edhe duke krijuar larg atdheut, ai bëri një gazetari shqipe, që ishte një shkollë mendimi. Ata që kanë pasur rast të lexojnë shkrimet e tij, e vlerësojnë veprën e Vasilit, dhe konsiderojnë si të pashmangshme, për të kuptuar mendimin shqiptar të kohës.

“Vasili qe prolifik,(pjellor) në shkrimet, në artikuj dhe publikimet e tija në mërgim janë të shumta.Fatkeqësia është se ai përdorë shumë pseudonime dhe rrallëherë e nënshkruante artikullin.Nuk qe antarë i asnjë partie politike dhe punoi me dashuri e vendosmëri në Komitetin “Shqipëria e Lirë” dhe mori pjesë me gëzim në të gjitha veprimtarit e bashkësive shqiptare n’ë Amerikë e në Evropë.Ai qe një poet popullor me tepër satirik. Shumica e poezive janë botuar në gazetën e Vatrës “Dielli”, ne fleten “ I merguemi” ose disa edhe në gazetën “Liria e Kombit”, Disa artikuj u botuan edhe në gazetën “Shqiptari i Lirë” dhe në revistën “Koha e Jonë”, etj. Por, vollumi i shkrimeve të Vasl Germenjit është mjaft i gjerë, në shqip në frengjisht dhe anglisht. Ai duke krijuar larg atdheut bëri një prozë shqipe, një poezi shqipe, një gazetari shqipe, inicoi një shkollë mendimi të pa varur, jashtë ndikimeve të partive politike nacionaliste në mërgim.

Mërgata shqiptare në diasporë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjithnjë ishte në lëvizje, në shërbim të lirisë së Kosovës dhe shqiptarëve të tjerë ne ish Jugosllavi, por pa e lene anash ndryshimin e regjimit komunist në Shqipëri dhe demokratizimin e saj. Fatmiresisht, për ti dalur zot shqiptarisë, u bashkuan të gjith dhe në fund te shekullit XX-të trokitën për herë të parë në derën e duhur, në Washington.

Kësaj çështje i erdhen në krah,ndër vite, sa e sa patriot,intelektual, jo komunist, pra shumë sish, ish faktorë politikë të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore të cilët me instalimin e komunizmit në Shqipëri, duhej të iknin nga vendi. Shumë prej tyre bashkëpunuan me qeverinë perëndimore dhe shërbimet sekrete në rrëzimin e komunistëve dhe ndryshimin e formës së regjimit në Shqipëri, sikurse edhe për çlirimin e Shqiptarëve në trojet e tyre etnike. “ Dhe këta shqiptarë nacionalista,qe me shpirtë ndër dhambë, kaluen në botën e lirë.

Dikush, tue u përshkue nepër plumba e dikush, tue u depertue nëpër tela me gema. Dikush, tue u hjedhun në detë e, dikush, tue notue nepër liqej e nepër lumej. Tue kapërcyem njimijë e sa rreziqe, të lodhun e të shkallmuem, mujtën me u hjedhun e me u strehue në botën e lirë demokratike.Dhe kështu, filloi nji jetë e re’ e ndoshta,ma komode se ajo, qi, dikuer, kishin në Shqipni. Me gjithë këtë, nacionalizmi shqiptar, tue i lanun në nji anë komoditetet, u interesue per fatin e Kombit. Nuk e humbi shpresën, nuk e harroi idealin, për të cillin u flijue. Aj, vendosi mos me i ndërrue ditët e para per të mbramet. Si pasojë e këtij kujdesi, nacionalizmi shqiptar në mërgim, filloi me u rreshtue në grupe e në partina të ndryshëme për me e vijue luftën e vet të shenjtë.”

Mërgata nacionaliste shqiptare,me deklarata, me protesta, me fletore(revista) me libra, e përgjithësisht, me shtyp dhe në menyra tjera, mundi me e fitue opinionin e botës së lirë në dobi të çashtjes shqiptare,në çdo kand të lamshit të dheut Mërgata shqiptare, ka mund me marrun pjesë dhe në formacione të ndryshëme e në organizata ndërkombtare, të cillat dhe ka mund me i bindun përgjithësisht përmbi realitetin shqiptar në Ballkan. Ka ba edhe menyra tjera shërbimi.. Pra, çdo shqiptar nacionalist i vetëdijshëm, në mërgim, me fuqin dhe me mundësin, që i ka, asht në krye të detyrës, sado qi takatet ndryshojnë.” Pervec aktivitetit të tyre politik ata i kushtuan kujdes edhe mediave te shkruara

Pikërisht në ato vite të vështira, krijohetn levizja politike e në diasporë.Me sygjerimet e miqëve nderkombëtar formohet Komitetit Kombëtar nShqipëria e Lirë’’, anëtar i të cilit, më 1955, emërohet edhe Vasil Germenji.Më vonë, në vitin 1957 kur u riformua Komiteti “Shqipëria e Lirë“, në New York, është emëruar anëtar i Komitetit Ekzekutiv, .

Trakt i K.K.SH.L., botuar ne fagen e pare te gaze”Shqiperia”, 28 Nëntor 1951. Sipas te dhenës

te Komitetit, 5.000 kopje te kesaj gazete janë hedhur me aeroplan ne Shqipèri, ne orêt e para

te mëngjezit, ditën e Festès Kombetare.

Dr, Krasniqi riorganizoi Komitetin “Shqipëria e Lirë” brenda disa ditësh dhe filloi me një herë nga puna. Nga 40 anëtarët e më parshëm, ai zgjodhi vetëm katër përsona: Sotir Avramin, Vasil Gërmenjin, Kapedan Ndue Gjomarkajn dhe prof. Nexhat Pëshkëpinë. Sekretar e emroi prof. Konstantin Vangjelin. Një vit më vonë Krasniqi emroi edhe tre këshilltar të Komitetit: Mehdi Frashërin, prof .Karl Gurakuqin, dhe z.Ali Këlcyrën… Siç duket nga përberja kishin në konsideratë çelsin regjional dhe fetar. Komiteti “Shqipëria e Lirë” u drejtua nga prof. dr. Rexhep Krasniqi plotë 35 vjetë deri në përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri. Kishte zyrën qendrore në New York dhe shtypin e vet shqip dhe anglisht, dhe veproi me sukses dhe respektim të veçantë si në mesin e mërgatës politike shqiptare, të komuniteteve shqiptare të diasporën të paraluftës dhe në qarqet më të larta të vendeve të lira perendimore në fushatën politike kundër sllavo-komunistizmit sovjetik.

Në Komitetin e dytë, kur qe riformuar në Romë, në ato vite të vështira, anëtar i tij qe emrua edhe Vasil Germenji, ndërsa kur u riformua Komiteti “Shqipëria e Lirë “ në New York,Vasili u emrua antar i Komitetit Ekzekutiv, në vitin 1957.

.

Hapat drejtë karrierës

Vasili,nënkryetar i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve të Lirë,nenkryetar dhe kryetar i ACENit.

Theksuam më parë,se në gusht të vitit 1949, kur u shpall në Paris Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë” nën kryesinë e Mid’hat Frashërit. Vasil Gërmenji ishte njëri prej anëtarëve aktiv të tij. Ndërsa nga viti 1955, Zoti Gërmenji ka qenë kryetar i Dërgatës Shqiptare pranë Asamblesë së Kombeve Europiane të Robëruara, dhe anëtar i Komitetit të Pergjithshëm te kësaj Asambleje. Mirëpo, Vasili do të zgjidhet dy herë kryetar i këtij Komiteti. Në këtë cilësi ka qenë dy herë në Tajpei dhe në kryeqytete të ndryshme të Azisë. Kjo organizatë antikomuniste, me juridiksion botëror, kishte mbështetjen morale dhe materiale të qeverisë amerikane dhe veprimtaria e saj shtrihej kryesisht në popujt e robëruar të Europës Lindore.

Aktiviteti i Vasilit ishte i thukët .Kështu ai në tetor të vitit 1962 zgjidhet nënkryetar i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve të Lirë. Në tetor 1968 Vasili zgjidhet përseri nënkryetar i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve të Lirë. Nga ajo pozitë kishte mundësin qe të komunikoj me botën për ta plasuar të vërteten mbi shqiptarinë.Ndaj është e gjatë lista e intervistave, fjalimeve, konferencave shkencore, analizave, debateve dhe shkrimeve të tij të ndryshme me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar.

Gjatë karrirës së tij ai shkroi qindra artikuj, analiza dhe raporte diplomatike. Shpesh u shkrua për rolin dhe veprimtarinë e tij si dhe për takimet e tij te nivelit më të lartë në Washington, dhe me burra shtetesh e diplomatë të vendeve të ndryshme të botës së lirë Europiano – perëndimore dhe aziatike,ku stigmtizonte drejtëpërdrejtë shkaktarët që krijuan gjendjen e mjeruar ndër shqiptarë.

Polemika me perfaqësuesin jugosllav

Në shtator të vitit 1958 Vasil Gërmenji, përfaqësues i ACEN-it e ngriti çështjen e Kosovës në një sesion të veçantë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Aty ishte i pranishëm edhe perfaqësuesi jugosllav,i cili reagoi,pas diskutiit te Vasilit.Bile e quajti edhe fashist.Por Vasili i tregoi dekoraten qe mbante me vedi, që dëshmonte se e kishte luftuar nacizmin dhe fashizmin.Pastaj jugosllavit i tha se; une i perfaqësoi shqiptarët këtu qe nga Tivari deri ne Manastir, aty ku është vendlindja ime,por shteti juaj ështëi okupator, shtypës i shqiptarëve. Perfaqësuesi jugosllave , me të dëgjuar diskutimin e Vasilit, u largua nga salla në shenjë proteste. Për këtë zenkë tē V. Gërmenjit me përfaqësuesin jugosllav shkroi edhe gazeta New York Post .

Zgjidhjen e çështjes shqiptare, Vasili e shihte si mundësi, vetëm duke u mbeshtetur te SHBA.Për këtë ishte i bindur dhe për këtë përpiqej: “ Pra deri sa të ecin sipas urdhërave të Moskës jo vetëm se nuk do të mundohem kurr që të bëjnë përqapjet e duhura për të ardhur në marrëveshje me Amerikë, por do të vazhdojnë sharjet dhe ç’pifjet më të ndyta kundër Amerikës. Cila vall qe arsyeja që Qeverija e Tiranës e dëboj Mr. Fultz-in nga Shqipërija ? Mardhanje të mira në mes të Shqipëris dhe Amerikës do të kemi nga dita që Shqipërija do t’i thotë sikterr Moskës nga e cila s’kemi parë kurrë ndonjë të mirë.” Konludon me te drejtë Vasili,në gazetën e tij “I merguemi”.

Kurse ne diskutimin e tij (hearingun) para një Nenkomisioni të Dhomës Amerikane, ka dëshmuar se “se populli shqiptar tani, si në të kaluarën, i ka parë Shtetet e Bashkuara si një mik të dashur dhe si një vend të madh, paqedashës dhe si mbrojtës natyror i të dobëtve. Propagandimi anti-amerikane i frymëzuara dhe i drejtuara nga rrethe sovjetike vicioze shumë vite nuk ka arritur të njollosë këtë imazh apo të shkatërrojë miqësinë e qëndrueshme që shqiptarët në Shqipëri dhe gjetkë që ndjejnë me Shtetet e Bashkuara” .

Vasili kryeson Kuvendin e Kombeve Evropiane të Robëruara -ACEN-in

Në vitin 1964, Asambleja e Kombeve Europiane të Robëruara, zgjodhi për kryetar të saj Vasil Gërmenjin, anëtarin e “Komitetit Shqipëria e Lirë” Kjo kishte ngjarë, pas një pergatitje shumë vjeçare. Z. Muharrem Bajraktari më 12 . 9. 1955 nga Roma e lajmron Vasilin se nga Sekretaria e K. K, jeni zgjedhur delegate për të marrë pjesë në një mbledhje, në Ansamblen e Kombevet të Bashkuara në NEW YORK. Mënyren si jeni zgjedhur ua njofton Z. Dosti i cili asht qenë present në komitetitn e ekzekutiv kurë asht veprue. .. Vasil Gërmenji më 15 Shtator 1955 i shkruan kolonel. Muharrem Bajraktarit: “ Kam marë vesh se juve më kini propozuar për ne NewYork për këtë gjë ju falemnderoj. Do të mundohem të veproj ashtu si më shkruani gjë që është ne interesin e kauzes së përbashkët.. Do bëj ç’shtë emundur që të mbush detyrën…Sidoqoftë ju lutem të jini të bindur i dashur Kolonel se do të bëj të pamundurën që të mproj interesat kombëtare, kundër kujt do qe do mundohet t’i cënojë.” Gjithashtue edhe Z. Hasan Dosti me 15 shkurt 56 i shkruan: “ju falenderoj për sa kini bërë pranë ACEN-it duke më propozuar si kandidat… Personalisht, nuk institoj aspak dhe juve si pas rastit veproni…

Tevona në “…Në mbledhjen plenare të Kuvend.it të Kombeve Evropiane të Robëruara (AssambJy of Captiv Nations – ACEN), të mbajtur me 15 shtator 1970, në New York, antari i Komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe përfaqësuesi i tij përmanent pranë kësaj organizate, Ing. Vasil Gërmenji, u zgjodh kryetar për të dytën herë. Ky është një nderë që i bëhet në mërgim Shqipërisë tonë kaq të vuajtur, një njohje të kontributit të parreshtur që i ka dhënë Kuvendit, Komiteti “Shqipëria e Lirë” që prej fillimit të tij, dhe njëkohësisht një çmuarje e lartë përsonale e z. Vasil Gërmenji nga kolegët e tij të Acen-it. Nëse mendohet se zgjedhja e parë e tij ka qenë një shenjë kortezie ndaj një organizate antare, zgjedhja e dytë shquan pa asnjë dyshim prestigjin që gëzon z. Gërmenji pranë kolegëve të tij të Acen-it…”

Sensibilizimi ndërkombëtar i çeshtjes Shqiptare

Puna aktive dhe aktiviteti i tij i pa lodhur si dhe programi ne Organizatën e tij ,i dhane mundësin qe te njihet edhe me personalitet me te shquara te Amerikës.Për çdo vit mbahej « java e Kombeve te Robëruara në Amerikë »dhe aty kontaktonte përsonalitete nga me te ndryshmit, e gjere te kryetari i shtetit. Ne nje leter nga Prsidenti Nikson I shkruan; I dashur z. Germenji

“E kishe menduar të më lejoni të kisha pikëpamjet tuaja në lidhje me largimin e Simas Kudirka, detar lituanez. Si ju,edhe unë u trondita kur mësova se si u trajtua përpjekja për dezertim dhe ju siguroj se një incident i tillë nuk do të ndodhë më. Jam i vendosur që Amerika do të respektojë traditën e saj krenare për të garantuar sigurinë e refugjatëve. Me urimet me te mira .Sinqerisht Richard Nikson

‘’Perfaqësuesi i A.C.E.N.-it , Vasil Germeni, ka dëshmuar para një Nenkomisioni të Dhomës Amerikane, posaçersiht i ngarkuar të hetoj,për një rikqyrje të politikës së Shteteve të Bashkuara,per Shqiptarët. Perfundimi ka qenë botimi i dëshmisë dhe e një Raporti për Shqipërinë ne librin Captive European Nations hearing…… Jo vetëm kaq,.Vasili ishte shumë i kujdesëshem dhe vigjilente per ta plasuar te vërteten për Shqiperine dhe Shqiptarët,çdo herë, e çdo kund, kur i ipej rasti.

Leter e dreguar nga Presidenti Nikson, Vasil Gërmenjit

Vasili me të shoqen Gerameinen në sherbim të Komunitetit

Vasilin e gëzonin ecuritë e mbara në Komunitetin Shqiptar,te cilin e ndihmonte dhe perkrahte. Më 28 gusht 1955 Vasil Germenji i shkruante Mehmet Beqirit dhe i thonte:”Unë jam i martuar me një frënge prej 21 vjetç. Zonja Gërmenji ka jetuar 5 vjet në Shqipëri, ku bile ishte dhe profesore e frëngjishtes në “Insitutin Nëna Mbretëreshë” ,për 4 vjet rresht, gjer më 1939 kur u larguam së bashku pas ardhjes së italianëve në Shqipëri.”

Kur u hap shkolla shqipe per të vegjel ne Nju Jork ai e ndihmoi shumë.Dhe jo vtem ai por e dhe e shoqja e tij, profesoresha e nderuar, francezja Gerameina. Ajo, femijte qe dilnin nga shkolla shpesh i ftonte në shtepine saj siç duket ne këtë foto. Ajo me nostalgji përkujtonte çastet me të dashura me fëmjët në Tiranë,

Geremaina ishte mishrua me shqiptarë. Si profesoreshë ne Tiranë, ajo i kishte njohe për se afëmi.Kishte mësua karakterin e tyre,sakrificën perpjekjet dhe vendosmërin e shqipëtarëve. Kishte provua qe te mbillte te ta ,ide iluministe franceze,kulturë dhe njohuri te reja .Ajo i donte dhe i priste ata ne shtëpin e saj,edhe ne Amerikë,i ndihmonte i këshillonte.Nga korespodenca e Vasilit me bashkatdhetarë, shifet se ata kurr nuk e harrojne,por e vlerësojne lartë angazhimin dhe mikpritjen e saj bile edhe në shtëpi si mysafirë.Janë të shumta leter kembimet, ku bashkëvendasit e Vasilit,dergonin te fala dhe pershendetnin gruan e nderuar franceze.Ajo vdiq me mall dhe me merak qe nuk pati rastin qe ta shohë Shqipërin e lirueme nga komunizmi dhe qe nuk arriti ta merrte Dosjen për vjehrrin e saj, Themistokli Germenjin, nga Arkivat Franceze. Si franceze qe ishte,ate Dosje “super sekrete “e kerkoi me ditë te tera, pas viteve te lejuara me ligjin e arkivae, por nuk iu dha!!! Ajo nuk ngurroi të jetë krahë për krah me shqiptarë, pa dallim feje e krahine.

Vasili në Paris në inaugurimin e ” Sheshit Skënderbej”

“Anëtari i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, Vasil Gërmenji, i ftuar nga kryetari i Bashkisë së Parisit, Z. Chirak, ish- kryeministri i Francës, si dhe nga komisioni i përgatitjes së festës, ka marrë pjesë në inaugurimin e ‘‘Sheshit Skënderbej” në Paris. Ja si shkruan “Shqiptari i lirë”, numër veçantë, vjeti XXIII, 1979-80

…Pas një pritjeje prej më tepër se dhjetë vjetësh, kryeqyeti i Francë, Parisi i dritave, sot ka një shesh, që mbanë emnin e heroit kombëtar Skanderbeg… Bashkia e Parisit, kishte dërguar përfaqësuese Zonjën tepër simpatike, Yvette Maurange-Tumit, që e paraqiti vetë “La collaboratrice de Mr. Le Maire Jsque Chirac”, bashkëpunëtore e Kryetarit të Bashkisë…

Pasi i jepet fjala Ing. Vasil Gërmenjit, i cili më zë kumbues, me një frëngjishte elegante e të saktë, në emër të “Komitetit Shqipnia e Lirë” dhe të ACENIT, shprehu falënderime për Republikën e Francës dhe të Bashkisë së Parisit, sidomos për z. Jacque Chirac, për nderin që i bëhej kombit shqiptar duke emëruar një shesh të qytetit të dritave, me emrin e Heroit tonë kombëtar “Skënderbe”.

Fjala spontane oratorike e Z. Gërmenji, me një frëngjishte elegante dhe me një gjuhë diplomatike, ishte përcjellë nga të pranishmit me duartrokitje të gjata. Përfaqësuesja e Bashkisë, Zonja Maurange -Toumit, që e ishte e ulur në të njëjtën tavolinë, ishte habitur, andaj më tha, se folësi, patjetër duhej të jetë francez. I tregova se është shqiptar nga Korça…

Fundi i jetës se tij

Pas një përpjekje dhe mundi relativisht te gjatë, pas një angazhimi shumë vjeçar ,për çeshtjen kombëtare,gjithnjë përmes punës dhe përkushtimit, duke krijuar lidhje dhe bashkëpunim me zyrtarë amerikanë e tjerë,mbrojti fuqishëm të drejten e popullit te vetë për të qenë i lirë dhe i orientuar si pro përendimor,Vasili pensionohet.Ky , për ti kaluar ditët e pleqërisë e zgjodhi Floridën,ashtu siç e preferojnë shumica e të moshuarve në ShBA. Në Inverness te Citrues County – Florida e bleu një pronë dhe e ndërtoi shtëpinë sipas shijes së tij. Aty u vendos dhe vazhdoi jetën me të shoqen , natryrisht duke qenë në kontakt të përhershëm KSHL dhe me Komunitetin shqiptar në New York e më gjerë. Kështu më shumë se një dekadë , familja Gërmenji ka kalue pleqëninë e vet në krahinën e pyllëzueme në Floridën qëndrore ,të bukur dhe me klimë të butë dhe të kandëshme.Aty jetonin të qetë, dhe në rehati të plotë , jo shumë larg kishin edhe fqinjë, nder ta edhe shqiptarë . Ate ditë, me 28 nëntor, 1988 pasi uron bashkëkombasit e tij në Nju Jork për Festën e Flamurit, Vasili se bashku me të shoqen Gerameinen del ne qytet me makinë,ku pëson një aksident komunikacioni,me ç’rat humb jetën së bashku me të shoqën.” Ne varrimin e tij moren pjesë shumë bashkatdhetarë.Nga Nju Jorku shkuan Dr.Rexhep Krasniqi dhe dr.Hamdi Oruçi.

Filed Under: Opinion

Letërkëmbimi i Vasil Germenjit dhe faqja tjetër e historisë

November 2, 2024 by s p

Instituti Albanologjik i Prishtinës,

Prof. Dr. Emin Kabashi

Këshilltar shkencor

(Fjalë për veprën e Elez Osmanit kushtuar Vasil Germenjit)

Përkufizimi

Jeta historike e popullit shqiptar, herë ka pasur vetëm njërën anë të ndriçuar, herë tjetër ka mbetur nëpër arkivat e botës, kurse të shumtën e herëve është mohuar ndriçimi i tërësishëm i periudhave historike, i ngjarjeve që janë zhvilluar, andaj edhe shumë veprimtarë të çështjes kombëtare kanë mbetur ose të panjohur, ose janë njohur pjesërisht. Një fat të këtillë e ka pasur edhe figurua shumë planesh e atdhetarit me traditë, Vasil Germenjit. Ishte nip i Themistokli Germenjit, andaj ngjarjen e parë që e kishte vëzhguar nga afër në shtëpinë e tij, ishte Kongresi i Manastirit, i vitit 1908, që kishte zhvillua punimet në hotelin e familjes së tij. Po ashtu, siç del edhe nga letërkëmbimi që ka studiuar Elez Osmani, prof. Ai ishte njohës i mirë i të gjitha rrethanave që kishin ndodhur në Shqipëri, që para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe rrethanat që ishin krijuar pas ardhjes në pushtet të sistemit komunist shqiptar.

Letërkëmbim që dëshmon rrugën historike të popullit shqiptar

Çka dëshmon letërkëmbimi i Vasil Germenjit? Cila ishte gjendja e mërgatës shqiptare, sipas këtij letërkëmbimi? A kishte mundësi që shqiptarët të merreshin vesh për të ardhmen e atdheut? Dua të besoj se këto janë dilemat kryesore të tërësisë së shpëtuar të letërkëmbimit të Vasil Germenjit, me të cilin është marrë Elez Osmani. Po ashtu, në shumësinë e interesimeve të Vaasil Germenjit, përherë dhe kudo, siç thuhej, me bukë, apo pa të, përherë në vend të parë ishte çështja e Shqipërisë etnike, ashtu siç e kishte mësuar nga i ungji dhe babai, por edhe nga tërë Rilindja jonë kombëtare. Kudo që shqiptarët, me veprimin e tyre, me punën dhe angazhimin e tyre, bënin diçka të mirë për atdheun e tyre, Vasil Germenji ishte ai që i inkurajonte, ai që gëzohej për secilën fletushkë, gazetë, apo revistë që dilte në gjuhën shqipe. Në shtrirjen e përgjithshme të interesimeve të tij, siç del nga ky letërkëmbim me të cilin është marrë Elez Osmani, Vasil Germenji me vetëdijen më të lartë kombëtare, gjithë veprimtarinë e tij, gjithë angazhimin e tij intelektual, gjithë veprimtarinë në institucione të ndryshme ndërkombëtare, ia kishte kushtuar lirisë së Shqipërisë, duke kërkuar nga mërgata shqiptare, kudo që ishte ajo, që të mos lodhej asnjëherë për të qenë në shërbim të atdheut. Qoftë edhe vetëm për këtë aspekt të vepre së tij madhore, ajo ka merituar kaherë të njihej nga shqiptarët, ka merituar të jetë botuar deri tashti, siç edhe do të duhej të ishte pjesë e edukimit të gazetarëve shqiptarë nëpër të gjitha këto periudha kohore. Kësisoj, do të shlyhej një obligim i madh kulturor ndaj veprës së Vasil germenjit, por edhe ndaj mërgatës shqiptare në përgjithësi.

Kërkesat e Vasil Germenjit për mundësinë që shqiptarët të merren vesh në mes vete

Lexuesi i këtij letërkëmbimi që e ka sistemuar dhe e ka përgatitur me përkushtim dhe njohuri, Elez Osmani, përveç aq shumë angazhimeve të Vasil Germenjit për të ndriçuar aspekte të jetës historike të popullit shqiptar, janë edhe kërkesat e tij, për mënyrën dhe mundësitë e pajtimit të shqiptarëve për të ndihmuar atdheun si të bashkuar. Në letërkëmbimin e Vasil Germenjit shumë shpesh gjendet edhe një kërkesë, që mund të përmblidhet në synimin e tij për të pajtuar anët e politikës shqiptare në shërbim të atdheut. Si e ka konceptuar Germenji këtë kërkesë, sipas gjasësh, për pushtetin aktual të Shqipërisë së asaj kohe, por edhe për mendimin e shumë partive politike të mërgatës shqiptare, ishte e pazbatueshme. Ishte e tillë për faktin, se Germenji kërkonte të hiqeshin nga përdorimi nga dorë ligjesh të shtetit, të liroheshin të gjithë të burgosurit politikë, të mundësohej kthimi i mërgimtarëve në atdhe, si dhe të krijoheshin marrëdhënie të mira me SHBA. Marrë të tërësi, letërkëmbimi i Vasil Germenjit shtrihet në të gjitha anët e jetës shoqërore që zhvillohej në atdhe, por edhe në të gjitha vendet ku ishte vendosur mërgata shqiptare. Kurdo që ka rastin të ketë në dorë ndonjë botim të kësaj mërgate, Vasil Germenji e përgëzon me aq përkushtim, sa përkufizohet me gjuhën e rilindësve tanë, kur bëhej një shërbim në të mirë të atdheut. Puna që ka bërë Elez Osmani në mbledhjen, sistemimin, fillimisht në ruajtjen e këtij letërkëmbimi është me vlerë të paçmueshme, qoftë edhe për faktin se e gjithë veprimtaria e tij është pjesë e historisë së mërgatës shqiptare, rrjedhimisht është pjesë e historisë sonë kombëtare.

Përfundim

Duke shfletuar me kujdes punën e Elez Osmanit në përgatitjen dhe shqyrtimin e letërkëmbimit të Vasil Germenjit, na vjen në mendje mësimi i lashtësisë shqiptare, se kushdo që vë një gur në kalanë atdheut, kryen një obligim moral ndaj tij, por mbi të gjitha bëhet shkollë për të ardhmen e mendësisë së shqiptarëve, se secila punë në shërbim të atdheut, vlerësohet nga brezat që vijnë. Letërkëmbimi i Vasil Germenjit e dëshmon në tërësi këtë kërkesë, sepse na mëson edhe anën tjetër të historie shqiptare, e cila pa marrë parasysh paragjykimet e mundshme, është në shërbim të lirie së atdheut, është në shërbim të çështjes së madhe kombëtare, e cila nuk është e plotë pa Kosovën dhe viset e tjera që janë lënë jashtë gjeografie së atdheut nga Fuqitë e Mëdha të kohës. Qoftë, edhe vetëm për këtë porosi të madhe që del nga letërkëmbimi i Vasil Germenjit, meriton shqyrtim, studim, analizë dhe mbështetje të përhershme.

Filed Under: Histori

THEMISTOKLIU, MARTIRI I LIRISË SË SHQIPTARËVE

November 10, 2022 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Shteti kombëtar shqiptar lindi shumë i dobët në vitin 1912-1913. Nëse do perifrazonim një shprehje të njohur diplomatike, do të përshkruhej përmes saj se ai lindi si një “fëmijë i gjallë por i mekur”. Vështirësitë që hasi shteti i porsalindur shqiptar nuk kishin të bënin vetëm me vështirësitë e njohura të qeverisjes administrative dhe të sundimit të ligjit por kryesisht me mbijetesën e tij.

Territoret shqiptare u kthyen në një teatër luftimesh të luftërave ballkanike në 1912-1913 në vigjilje të lindjes së shtetit shqiptar dhe gjatë viteve tëLuftës së Parë Botërore(1914-1918), çka e vështirësoi shumë mbijetesën e pikëpamjes politike të vazhdimësisë së shtetit shqiptar në kufijtë e përcaktuar në Konferencën e Londrës.

Pikërisht në këtë kohë, përpjekjet e patriotëve shqiptarë të shpërndarë nga zjarri i Luftës së Madhe nëpër kolonitë shqiptare në Europë dhe SH.B.A për të krijuar vazhdimësinë juridike të shtetit shqiptar dhe njohjen e tij nga aleancat e ndryshme që ishin krijuar gjatë Luftës së Parë Botërore, janë përpjekje epike që meritojnë një vëmendje të veçantë nga ana e studimeve historike.

Krahina autonome e Korçës dhe figura e Themistokli Gërmenjit, arkitektit të krijimit të këtij enti të veçantë shtetformues, përbëjnë një histori politike dhe sociale të admirueshme, efektet e së cilave u ndjenë të ishin pak vite më vonë përcaktuese për fatin politik të Shqipërisë dhe për vazhdimësinë kulturore të lidhjeve të Shqipërisë me Perëndimin.

Korça është djepi i nacionalizmit shqiptar dhe qyteti ku u mbrujtën idetë e mëdha të krijimit të shtetit të ardhshëm të shqiptarëve. Kjo ngjizje e ideve kombëtare në Korçë dhe rrethinat e saj nuk ishte e rastësishme. Krahina e Korçës përmbushi shumë më herët se krahinat e tjera shqiptare kushtet për një urbanizim të shpejtë nëpërmjet rritjes së volumit të tregtisë mes krahinave të Epirit dhe Maqedonisë duke shfrytëzuar shumë mirë portin e Selanikut, si dhe nëpërmjet emigracionit të suksesshëm në shumë qendra urbane të Evropës Lindore si Bukuresht, Athinë, Sofje apo dhe deri në Afrikë, në Kajro, Aleksandri dhe Ismailia.

Në këto qendra urbane, kryesisht në Bukuresht e Kajro u mbrujtën dhe u formuan dy breza veprimtarësh të Lëvizjes Kombëtare, ku mes tyre spikat dhe Themistokli Gërmenji. Patrioti shqiptar Themistokli Gërmenji është një nga figurat kombëtare, jeta dhe aktiviteti i të cilit ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën kolektive shqiptare. I shkolluar si shumica e patriotëve shqiptarë në një shkollë greke në qytetin e Korçës, ashtu si shumë figura të tjera në historinë e kombeve të tjerë, zgjimin kombëtar e përfiton përmes gjuhës së shkruar. Një letër e ardhur nga Bukureshti nga i ati i tij emigrant në gjuhën shqipe, shërbeu si shkëndija për të kuptuar identitetin e vet gjuhësor e kombëtar përkarshi identiteve të tjerë fetarë dhe imagjinar që i mbivendoseshin nga arsimimi i tij. Historia e tij personale në fakt u kthye në një histori të përgjithshme të komunitetit të tij që arsimohej në shkolla greqisht por frymonte dhe gjallonte shqip në jetën e përditshme. Ndarja tejet e prapambetur e popullsisësipas modelit të mileteve në Perandorinë Otomane kishte krijuar keqkuptime të mëdha që mundoheshin të plotësoheshin nga nacionalizmat agresivë të fqinjëve.

“Kultura islamike e Perandorisë Osmane i kishte mëshuar identifikimit të besimit fetar me kombin, duke sheshuar dallimin midis shqiptarëve e myslimanëve të tjerë nga njëra anë dhe duke nxjerrë më në pah, nga ana tjetër, atë midis islamikëve dhe të krishterëve gjithfarësojësh. Në një shoqëri shumëkombëshe, siç ishte ajo e Perandorisë Osmane, jeta e nënshtetasve të saj, ç’është e vërteta, ishte organizuar rreth besimit, të cilit, ata i përkisnin: domethënë, vija ndarëse ndërmjet të qeverisurve dhe qeverisësve – ose, thënë më shkoqur, popullsisë hegjemone – ishte religjioni dhe jo kombësia, ku padyshim, ashtu si në të gjithë perandorinë, myslimanët përftonin një pozicion të priveligjuar, gjë që, në rastin e Shqipërisë qe shndërruar e kishte përbërë një pengesë objektive për të arritur bashkimin kombëtar të myslimanëve me të krishterët, qofshin ata ortodoksë apo katolikë .

Themistokli Gërmenji do të ishte në ballë të zgjimit të komunitetit të vet shqiptaro-ortodoks për të rikomfirmuar identitetin kombëtar dhe do të shndrohej në një tribun dhe udhëheqës të popullsisë së vet. Ai do të ishte dhe njeri i aksionit pasi në krahinën e Korçës, çeta e tij patriotike do të ishte nga të parat që do të ngrinte flamurin e lirisë. Kjo trashëgimi politike dhe kulturore e personalitetit të tij do të ishin faktorë vendimtarë që në vitin 1916 do të bënte të mundur themelimin e Krahinës Autonome të Korçës nën flamurin francez. Zona e pushtimit francez ishte më e vogël se zona e pushtimit austro-hungarez dhe ajo italiane gjatë Luftës së Parë Botërore në Shqipëri. Megjithatë në këtë zonë ndodhej një nga qytetet me të rëndësishme të Shqipërisë, Korça. Para ardhjes së francezëve, Korça ishte në duart e ushtrisë greke e cila e pushtoi zyrtarisht qytetin më 27 tetor 1914.

Menjëherë sa vendosën pushtimin e tyre në këtë rajon për realizimin e synimeve aneksioniste, vendosën në të gjitha postet kryesore funksionarë grek. Regjimi i egër i pushtimit grek dhe si dhe synimet e kahershme ndaj qytetit të Korçës dhe krahinave përreth tij, shkaktuan pakënaqsi në rradhët e popullsisë shqiptare. Në këto kushte sapo ushtria franceze vendoset në qytet, një komision korçarësh, në emër të popullsisë së krahinës u kërkoi atyre largimin e menjëhershëm të trupave greke dhe ngritjen e një administrate shqiptare. Komanda franceze jo vetëm nuk i mori parasysh këto kërkesa, por e kaloi administratën e qytetit nga duart e grekëve kostandinistë në duart e aleatëve të vetë, grekëve venizelistë . Në rrethana të tilla patriotët shqiptarë i drejtuan armët e tyre edhe ndaj pushtuesve francezë. Robert Voutres, gazetari zvicerina i dërguar me mision në Shqipëri për të raportuar për revisten “L’Illustration” në artikujt e botuar shkruan se Franca, në fillim të dhjetorit, kishte në Korçë çeta të dobëta të destinuara për të ruajtur qetësinë në vend, për të parandaluar spiunazhin dhe kontrabandën dhe për të mbuluar krahun ekstrem të majtë të ushtrive aleate që vepronin në zonën Follorinë – Manastir. Në sytë e nacionalistëve shqiptarë, Franca ishte e njohur vetëm si filohelene. Kur një oficer francez bisedonte me Sali Butkën, duke i kërkuar atij pse luftonte kundër nesh, shefi i komitëve u përgjigj: “Franca, në Konferencën e Londrës, ishte armiqësore ndaj vendit tim. Ajo kërkon t’i japë Greqisë më shumë se ç’është e mundur në Shqipërinë Jugore. Austria, nga ana tjetër, mbështet të drejtat tona, kjo është arsyeja pse ne jemi austrofilë”. Kjo atmosferë e mosbesimit të ndërsjelltë do të reflektohej dhe në ballafaqimin e forcave ushtarake në terren. Forcat e organizuara patriotike shqiptare filluan të përbëjnë jë problem të vërtetë për komandën franceze çka vërtetohet dhe nga reportazhet e Voutre që pasqyrojnë frymën e kohës. Ndërkohë, komitat rrethuan Korçën me një brez bajonetash. Vetëm rruga e Bilishtit ishte e jona. Të gjitha kodrat përreth në lindje, jug dhe perëndim, ishin në dorë të shqiptarëve, që ishin të ndarë në dy çeta: Ajo e Themistokli Gërmenjit, një i krishterë ortodoks nacionalist i bindur se kishte grupuar nën komandën e tij të gjithë të krishterët shqiptarë dhe ajo e Sali Butkës që kishte të rekrutuar në mesin e muslimanëve. Postat e batalioneve tona indo-kineze ishin në dalje të qytetit, dhe, në fillim të dhjetorit, situata dukej kritike. Për të mundur komitët duheshin kontingjente të mëdha ushtarësh, të angazhuar në këtë kohë në një pjesë tjetër të frontit, dhe (Korça-shënimi im) ishte në dorë të një sulmi të disa mijërave ushtarëve të çrregullt me pushkë gjermane dhe të paguar me ar austriak. Shqipëria nuk ishte në luftë me Francën, atëherë pse ushtarët tanë rrezikonin çdo herë që dilnin jashtë qytetit dhe goditeshin? “Nëse Franca, – tha Themistokli Gërmenji, – do me të vërtetë të shpallë pavarësinë tonë duke vazhduar të na mbrojë ushtarakisht, ajo duhet të jetë e sigurt se paqja do të mbizotërojë së shpejti në vend.”

Kjo lëvizje patriotike i detyroi autoritetet ushtarake franceze dhe përfaqësuesit e qytetit të nënshkruanin marrëveshjen e 10 dhjetorit 1916 për shpalljen e “Krahinës Autonome të Korçës”, e cila zgjati deri më 16 shkurt 1917. Repoteri Robert Voutre përshkruan entuziazmin dhe optimizmin e popullsisë së Korçës në momentin e shpalljes së autonomisë së krahinës nën protektoratin francez. Më 10 dhjetor, para një turme të madhe, flamuri kombëtar shqiptar, i kuq, me shqiponjën e zezë dykrenore në mes, flamuri i vjetër të Skënderbeut që luftoi kundër turqve, u ngrit në ballkonin e kolonelit francez që komandonte territorin dhe bashkinë e qytetit. Një këshill administrativ, që shërben në të njëjtën kohë si parlament dhe qeveri, u zgjodh nga populli. Ai përfshin katërmbëdhjetë anëtarë, shtatë myslimanë dhe shtatë të krishterë, dhe një delegat nga Bilishti. Ky këshill përgjigjet për administrimin e brendshëm të qytetit që numëron më shumë se njëqind mijë njerëz. Protokolli i 10 dhjetorit ishte i përbërë prej 9 nenesh me një përfaqësi prej 14 vetash nga Korça, ku bënin pjesë (7 ortodoksë e 7 myslimanë), të cilët arritën të nënshkruanin me komandantin e forcave franceze të Korçës, me kolonelin Hanri Dekuan. Administrimi i krahinës iu besua një këshilli administrativ i quajtur ndryshe këshilli qeveritar, i përbërë po nga ato figura politike shqiptare, që kishin nënshkruar dokumentin.

Ky këshill do kishte nën urdhrat e veta xhandarmërinë dhe njëkohësisht do të krijoheshin edhe repartet lëvizëse shqiptare për të ruajtuar “pavarësinë e territorit dhe lirinë e banorëve”. Ky protokoll mbyllej me dy pika të ndjehme për shqiptarët, ku gjuha zyrtare do të ishte shqipja, ndërsa flamuri i krahinës autonome të Korçës do të ishte “flamuri tradicional i Skënderbeut me shiritat trengjyrësh të flamurit francez” . Shpallja e autonomisë me emrin “Republikë” u bë në një mbledhje solemne, ku u mbajtën fjalime nga Themistokli Gërmenji dhe koloneli Dekuan. Me emrin e “Republikës” u shtypën pulla poste dhe u vunë në qarkullim monedha 1 fr. dhe 0.5 fr .Shpallja e autonomisë së krahinës së Korçës zgjoi energji të fjetura te popullsia shqiptare në rajon. “Shqipëria shqiptarëve”shkruan Voutre, kjo është motoja e njerëzve të të gjitha komuniteteve të kësaj pllaje të pasur të Korçës, ku toka është shumë pjellore, nëntoka e pasur me bakër dhe mineral hekuri. Qymyri është në nivelin e tokës dhe në ditët e fundit këshilli administrativ filloi shfytëzimin. Ky qymyrgur shitet nën kujdestarinë franceze për nevojat e trupave tona. Republika e Korçës është ndoshta aktualisht shteti i vetëm në Evropë që balancon buxhetin e tij dhe nuk ka defiçit. Nga taksat, të dhjetat dhe detyrimet raportohet në të vërtetë 46.000 franga në muaj, 35.000 prej të cilave shërbejnë për të përforcuar xhandarmërinë e qytetit. Të pajisur mjaft mirë, me një uniformë kaki dhe një tegel kuq e zi, dy ngjyrat kombëtare, policia ka një pamje të bukur. Ata formojnë dy organe të veçanta: xhandarmërinë e policisë dhe xhandarmërinë e lëvizshme (kufitare). E para mban rendin në qytet, e dyta është përgjegjëse, në përputhje me kushtetutën e shtetit të ri, për të mbrojtur integritetin territorial dhe pavarësinë e Shqipërisë. 350 xhandarët erdhën për të luftuar me ne kundër bandave të çrregullta që i shërbenin Austrisë. Shkollat ne Korçë janë siguruar finaciarisht nga emigrantët shqiptarë në Amerikë dhe Egjipt në shuma të mëdha deri në disa milionë franga, të cilat rritën kështu buxhetin vendor. Sapo vendosëm në program mësimin e gjuhës franceze. Në Korçë po botohen shumë gazeta. Kryesorja, “Gazeta e Korçës”, del në katër faqe në shqip, frëngjisht dhe greqisht. Një rend i përsosur mbizotëron tani në territorin e qytetit me trupat tona austriake, bullgare dhe greke. Për dy muaj nuk ka pasur asnjë krim, fakt i veçantë në historinë e Shqipërisë. Pulla të shtypura ose të gdhendura duke përdorur burimet lokale dhe duke mbajtur shqiponjë me dy koka dhe mbishkrimin «Korçë (emrin shqiptar i Koritza), Shqipëria e pavarur,» zëvendësojnë aktualisht pullat e vjetra greke apo epirote. Kartëmonedha 1 Franga dhe 50 qindarka janë krijuar për të plotësuar pamjaftueshmërinë e monedhës të vogël. Franca, për nga traditat e saj liberale, dhe me frymën e vetëmohimit me të cilat ajo kishte të bënte me qytetin e Korçës, është vlerësuar sidomos nga shqiptarët si fuqi mbrojtëse. Çka bëjmë, nuk është e mërzitshme, nuk ka asnjë synim territorial në Shqipëri dhe gëzon nga ana tjetër, një autoritetit të padiskutueshëm moral në Ballkan.

Stadi më evolues i Krahinës Autonome të Korçës, në Republikën e Korçës është frut i drejtë për së drejtë i aksionit politik të Themistokli Gërmenjit që në atmosferën e krijuar në Korçën e zbrasur nga ushtritë greke por ende me grekomanë shqiptarë brenda, diti të luajë një Real Politikë të vërtetë duke plotësuar qëllimet e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare por edhe interesat e francezëve në rajon. Ishte pikërisht arritja e këtij qëllimi të lartë shkaku i fundit tragjik të Themistokli Gërmenjit. Patrioti shqiptar u vra dhe nuk u pushkatua ligjërisht nga organet e sigurisë franceze sepse pikërisht ishte njeri që me aktivitetin e tij prishi të gjitha skemat e pista të rregullimit të territoreve të pasluftës.

Në vitin 1916-1917, Greqia po përjetonte një dilemë të madhe politike për të hyrë apo jo në Luftën e Parë Botërore përkrah Antantës, vendet e të cilave tradicionalisht kishin sponsorizuar nacionalizmin agresiv grek po të qëndronte neutral për të ndihmuar Fuqitë Qendrore pasi ishte e lidhur kulturalisht dhe politikisht nëpërmjet origjinës së Dinastisë së vet mbretërore.

Në krye të fraksionit pro Antantës qëndronte politikani i rafinuar grek Venizellos, ndjekësit të Megali Idesë dhe hartuesi i politikës së jashme greke të tre deteve dhe dy kontinenteve, ku krahina e Vorio-Epirit (Epirit të Veriut) zinte një vend qendror në mëtimet territoriale greke ndaj Shqipërisë. Për t’i shpëtuar presionit politik të ruajalistëve grekë ai ishte shpërngulur në Selanik ku ishte vendosur dhe Armata Franceze e Lindjes. Republika e Korçës dhe aktet administrative të ngritjes së flamurit shqiptar, hapjes së shkollave shqip dhe pjesëmarrjes së shqiptarëve të dy besimeve fetare në administratën franceze-shqiptare ishin veprime politike që kishin ç’bërë gjithë politikën ekspansioniste greke të më së 30 vjetëve në rajon. Rolin destabiliyues të Greqisë e ka kuptuar dhe një vëzhgues i jashtëm si shte reporteri e gazetari Robert Voutre. Mbërrita në Korçë-shkruan ai- dy muaj pasi ishte shpallur Republika dhe nga të gjitha anët, në mes muslimanëve e ortodoksëve, kam dëgjuar vetëm mirënjohje për Francën. Kuptohet qartë pasiguria e kësaj popullate të vuajtur të Korçës këto katër vitet e fundit. Prej dy muajsh shqiptarët dëshmojnë se ata janë në gjendje të jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin. Mosmarrëveshjet fetare nuk ekzistojnë për arsyen e thjeshtë se nuk ka se kush t’i nxisë. Venizellosi dhe përkrahësit e tij ishin kundërshtarë të rreptë të asaj se çkish ndodhur në Korçë dhe statusit që kishin fituar patriotët shqiptarë në krahinë.

Në Selanik ishte vendosur dhe Esat Pashë Toptani sëbashku me 500 trupa të tij shqiptare që mëtonte se përfaqësonte Shqipërinë dhe ishte rreshtuar përkrah Antantës. Edhe ai ishte një kundërshtar i rreptë i çdo përpekje që delegjitimizonte aksionte e tij politike. Dokumentet historike të shqyrtuara dhe të njohura deri më tash nuk na lejojnë të flasim me siguri për përfshirjen e këtyre dy personazheve në pushkatimin e Themistokli Gërmenjit, por një analizë shkak pasojë na bën të mundur që të sugjerojmë se edhe Venizellosi si dhe Pashai tiranas mund të jetë përfshirë në intrigën politike kundër Themistokli Gërmenjit.

Esat Pasha gjendej vetëm, pa përkrahje nga pothuajse e gjithë klasa dhe elita politike shqiptare dhe kërkonte me ngulm një territor shqiptar ku mund të hynte sërish me luftëtarët e vet dhe prej andej të shpallte qeverinë e vet. Pjesa veriore dhe qendrore e Shqipërisë ishte nën administrimin austriak pas dërrmimit të Serbisë dhe zona jugore shqiptare ishte nën Italinë.

Me të dy këto fuqi ai tashmë nuk kishte më marrëdhenie të mira për ta lejuar që të rikthehej në Shqipëri dhe i vetmi territor ku ai mund të kthehej ishte terriori i Korçës dhe rrethinave të saj ku ishin trupat franceze. Esat Pasha ishte në marrrëdhënie shumë të mira me gjeneralin francez Sarrej dhe aksioni i tij politik përkonte shumë mirë me synimet politike franceze në rajon. Reduktimi i statusit të Krahinës Autonome të Korçës menjëherë pas vrasjes së Themistokli Gërmenjit dhe hyrjes së Greqisë në Luftën e Parë Botërore përkrah Antantës dëshmon se interesat greke dhe franceze përputheshin në rajon.

Sigurisht që fjala e fundit i mbetet shqyrtimit të dosjes së plotë hetimore, të dëshmitarëve për fat të keq shqiptarë në gjyqin me dyer të mbyllura ndaj Themistokli Gërmenjit që duhet të shqyrtohet dhe shikohet nga historianët dhe penalistët. Por një gjë është e sigurtë se Themistokli Gërmenji nuk u pushkatua sepse tradhëtoi për interes të një fuqie tjetër të huaj idealet e mëdha të Republikës Franceze, Liri-Barazi-Vëllazëri por sepse me patriotizmin e tij për Shqipërinë dhe aksionin politik të krijimit të Republikës së Korçës prishi planet politike të Greqisë dhe tutorëve të saj politikë në rajon. 102 vjet pas vrasjes së tij, çështja e Themistokli Gërmenjit duhet sqaruar plotësisht para opinionit publik shqiptar në mënyrë të tillë që organizatorët të mos i shpëtojnë gjyqit të historisë.

Filed Under: LETERSI

VASIL GËRMENJI NË KUJTESËN TIME

August 11, 2013 by dgreca

Derë e traditës atdhetare/

Nga Idriz Lamaj/

  Vasil Gërmenji rrjedh nga një derë e traditës  atdhetare. Gjyshi i tij, Thanas Gërmenji, udhëtonte shpesh për në Stamboll dhe Misir, ku takohej me patriotë dhe veprimtarë të shquar të Lëvizjes Kombëtare si me Naim Frashërin, Thimi Mitkon, Spiro Dinen e sa e sa të tjerë. Thanasi kishte miqësi të ngushtë me Jani Vreton, të cilin e përkrahu edhe materialisht për botimin e shkrimeve të para. Ai mbante lidhje me mërgimtarë të ndryshëm në kolonitë e shqiptarëve të Bukureshtit, Sofjes, Stambollit e Egjiptit dhe njëkohësisht u shërbeu dhe si ndërlidhës me të afërmit e tyre në vendlindje duke u dërguar lajme e të holla nga mërgimi, duke luajtur kështu rolin e një bankieri të vogël. Thanas Gërmenji ishte një prej themeluesve të lëvizjes së fshehtë “Dora e Zezë”. Ai u vra diku në Thrakë, duke lënë pas tre djem, Spiron, Themistokliun e Telemakun, të cilët mbetën jo vetëm jetimë por edhe në gjendje shumë të vështirë ekonomike.

Më 1892 të bijtë e Thanas Gërmenjit emigrojnë në Rumani. Aty kryejnë punë të rënda fizike, si çirakë e, në të njëjtën kohë, marrin pjesë në të gjitha veprimtaritë e shoqatave kombëtare në kryeqytetin rumun. Pas nëntë vjetësh, Telemaku e Themistokliu, kthehen përsëri në Korçë e, pas shumë peripecish, vendosen me banim në Manastir.

Në atë kohë, Manastiri ishte një prej qyteteve më të mëdha të Ballkanit, ku zhvilloheshin veprimtari të ndryshme politike e kulturore. Aty ishte Valiu i Stambollit. Në atë qytet zhvillonin veprimtarinë e tyre edhe shumë organizata shqiptare dhe të huaja, sidomos greke e bullgare.  Në saje të babait të tyre atdhetar dhe të miqësive që kishte, kryetari i bashkisë u dha atyre me kontratë një biznes për furnizimin me gaz të qytetit. Me anë të asaj sipërmarrje, vëllezërit Gërmenji, siguronin jetesën familjare e njëkohësisht mbulonin veprimtaritë e tyre atdhetare.

Në fillim të vitit 1908, Telemak e Themistokli Gërmenji hapën një hotel në  qendër të qytetit dhe i vunë emrin “Liria”, i cili shumë shpejt u bë qëndra e shqiptarëve të Manastirit dhe gjithë atyre që u binte rruga andej. Hoteli, veç dhomave për të fjetur, kishte një restorant, një sallë të madhe për konferenca dhe një bibliotekë që mund ta shfrytëzonin të gjithë. Në një dhomë të fshehtë ndodhej shtypi kombëtar: libra, gazeta dhe revista të shtypura në gjuhën shqipe në Sofje, Bukuresht, Boston e gjetkë.(Te plote kete speciale te sapo pergatitur nga studiuesi dhe publicisti Idriz Lamaj, ish gazetar i Zerit te Amerikes, do ta lexoni ne Diellin e printuar)

 

Filed Under: Histori Tagged With: Idriz Lamaj, ne kujtesen time, Vasil Germenji

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 29
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT