Senatori McCain: Të shtohet angazhim amerikan dhe evropian, pasi Rusia po shtrin ndikimin në Ballkan/
Senatori republikan John McCain, bëri thirrje për rikonfirmimin e angazhimit amerikan dhe evropian në Ballkan, për të cilin tha se megjithëse ka përparuar ndjeshëm që nga konfliktet e vitit 1990, ende ka vështirësi dhe paqendrueshmëri të konsiderueshme.
I kthyer së fundmi nga një turne në rajon, senatori në një intervistë për shërbimin serb të Zërit të Amerikës, përmendi si sfida, krizën në Maqedoni, drejtimin e Serbisë pas zgjedhjeve presidenciale, dhe rolin e islamizimit radikal. “Shqetësimi im është se, ndërsa vëmendja jonë është zhvendosur tek Rusia, tek Ukraina, tek Lindja e Mesme, tek Kina, nuk i kemi kushtuar vëmendjen e duhur Ballkanit, madje as evropianët”, tha ai.
Senatori McCain deklaroi se, është e qartë që rusët po përpiqen të shtrijnë ndikimin e tyre në rajon. “Përpjekja për grusht shteti në Mal të Zi, është një shembull i qartë. Ishte një përpjekje për përmbysjen e një qeverie të zgjedhur të një vendi”, tha senatori me ndikim ne radhet e republikaneve. Faktin që Rusia po zgjeron influencën, senatori ia atribuon mungesës së udhëheqjes amerikane dhe evropiane, në zonën që ai thotë se mendohet të jetë më e paqendrueshmja në Evropë. “Ne luajtëm rol në zgjidhjen e konflikteve atje, që shkaktuan humbje jete dhe duket se vitet e fundit jemi tërhequr dhe ky është një shembull tjetër i nevojës absolute për rol udhëheqës të Shteteve të Bashkuara”. Senatori McCain tha se, kishte parë si në Kosovë edhe Shqipëri, një dëshirë të madhe për integrim në BE.