

Dr. Lulzim Nika/
Sot, bashkë me Kryetarin Ramiz Lladrovci, bëmë homazhe për Shaban Polluzha, Mehmet Gradica dhe të gjithë heronjtë e Luftës së Drenicës. Vështirë është të flitet për virtytet, trimërinë dhe meritat e luftëtarëve të palodhshëm të Luftës së Drenicës, të prirë nga Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, duke marrë parasysh rëndësinë dhe peshën e madhe historike të kësaj lufte dhe të këtyre dy figurave madhore.
Duke i kujtuar sot këta dy heronj, kujtojmë edhe kontributin e familjarëve tanë në këtë rezistencë titanike kundër pushtimit jugosllav.
Një dokument që kam marrë nga arkivi i presidentit Harry S. Truman (Declassified: E.O. 11632, Sec. 3(E) and 3(D) or (E); Dept. of State letter, Aug. 10, 197_), dëshmon për rezistencën e shqiptarëve të Kosovës ndaj forcave partizane jugosllave. Po ashtu, ai evidenton mosinteresimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe të krerëve të saj që Kosova të ishte pjesë e shtetit shqiptar, siç kishte qenë gjatë viteve të pushtimit nga Italia fashiste.
Në asnjë takim, përfaqësuesit e komunistëve nga Shqipëria nuk e kishin ngritur çështjen e Kosovës. Përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për të kundërshtuar konsolidimin e pushtetit jugosllav – rezistencë kjo më e fuqishme në pjesën qendrore të Kosovës, në Drenicë – mbetën të izoluara dhe pa përkrahjen e Shqipërisë.
Drenica ka rol të veçantë e të papërsëritshëm në historinë tonë kombëtare, por edhe në përgatitjen e gatishmërisë popullore për luftën çlirimtare; ajo ka një rol të pakrahasueshëm në organizimin dhe ruajtjen e frymës për lirinë e Kosovës.
Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica, këta dy tribunë popullorë që udhëhoqën kryengritjen kundër sllavo-komunistëve, u bënë referencë historike për nacionalizmin shqiptar.
Lufta, trimëria, krenaria dhe lavdia e tyre ishin frymëzim i fuqishëm për brezat e mëvonshëm të luftëtarëve, duke mbajtur lart moralin dhe vendosmërinë për të qëndruar deri në fitoren e fundit për lirinë e Kosovës.