Ambasada amerikane në Tiranë nëpërmjet një njoftimi në rrjetin social “Facebook” ka kërkuar ndihmën e të gjithë qytetarëve shqiptarë, në lidhje me zhdukjen e një avioni në vitin 1944. Bëhet fjalë për një avion amerikan me bazë në Itali, i cili u nis për një mision në Sofje të Bullgarisë. Por, ai pësoi dëmtime ndërsa fluturonte në Shkup, për shkak të hapjes së zjarrit. Avioni u kthye mbrapsht për në Itali, por pasi kaloi qytetin e Elbasanit, dy nga katër motorët e avionit u prishën dhe u fikën. Piloti e mbajti avionin nën kontroll, duke i dhënë kohë anëtarëve të ekuipazhit që të hidheshin me parashutë. Asnjë nga anëtarët e ekuipazhit nuk e pa se çfarë ndodhi me avionin dhe as nuk dëgjuan zhurmën e rënies së tij; kjo ishte edhe hera e fundit që ata panë pilotin e tyre. Edhe sot e kësaj dite, ai avion dhe piloti, ende nuk janë gjetur.
Ambasada amerikane në Tiranë kërkon ndihmën tuaj!
Jemi duke kërkuar për këtë avion dhe mendojmë se dikush prej jush mund të na ndihmojë. Në janarin e vitit 1944, gjatë një misioni të Aleatëve, një avion amerikan B-24 Liberator me bazë në Itali, u nis për një mision në Sofje, Bullgari, por pësoi shumë dëmtime ndërsa fluturonte në Shkup, për shkak të hapjes së zjarrit. Avioni u kthye mbrapsht, duke u përpjekur që të kthehej në bazë, duke fluturuar mbi Elbasan, rrugës për në Itali. Pak pasi kaloi qytetin e Elbasanit, dy nga katër motorët e avionit u prishën dhe u fikën. Duke treguar vetëmohim heroik, piloti i avionit qëndroi në kontroll, duke i dhënë kohë anëtarëve të ekuipazhit që të hidheshin me parashutë. Ekuipazhi që mbijetoi u kap nga Gjermanët dhe u mbajtën si robër lufte. Asnjë nga anëtarët e ekuipazhit nuk e pa se çfarë ndodhi me avionin dhe as nuk dëgjuan zhurmën e rënies së tij; kjo ishte edhe hera e fundit që ata panë pilotin e tyre. Edhe sot e kësaj dite, ai avion dhe piloti, ende nuk janë gjetur.
Çdo pjesë e këtij avioni ka një numër identifikimi unik. Nëse ne mund të gjejmë pjesë të avionit, mund të kemi mundësi të gjejmë edhe eshtrat e pilotit, në mënyrë që familja e tij të mund të kryejë një ceremoni varrimi. Nëse ju ose ndonjë i njohuri juaj ka informacion mbi këtë avion ose çdo përplasje të mundshme në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, ju lutem na bëni me dije dhe na dërgoni detaje apo foto me një mesazh në “Facebook”.
Vini re:Mos prekni gjë nëse gjeni vendin e përplasjes. Në këtë rast, është më mirë të bëni foto. As mos nisni kërkime me qëllimin specifik për të gjetur avionin. Ky lajmërim është vetëm një kërkesë e thjeshtë për të gjetur informacion që mund të ekzistojë dhe jo një kërkesë për veprim. Faleminderit për ndihmën tuaj dhe ju lutemi ta ndani këtë postim me të tjerët duke bërë share në faqen tuaj – pasi sa më shumë njerëz ta shohin këtë lajmërim, aq më shumë mundësi kemi për të gjetur heroin tonë të humbur./B.S/INA/