*Republikani Paul Ryan u zgjodh pa vështirësi kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve/
*Presidenti i zgjedhur Donald Trump do ta fillojë mandatin e tij me një Kongres të kontrolluar nga republikanët.Kongresi i 115 i SHBA bëri të martën betimin në Uashington. Republikani Paul Ryan u zgjodh pa vështirësi kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve. Në Senat, republikanët kanë paraqitur një projektligj që do t’i paraprijë përpjekjes së tyre për të shfuqizuar reformën e kujdesit shëndetësor të Presidentit Obama.
Ndërkaq, kryetari republikan i Komisionit të Senatit për Politikën e Jashtme tha se seancat e konfirmimit për kandidaturën e zotit Rex Tillerson si Sekretar i Shtetit do të fillojnë javën tjetër dhe pritet të zgjasin dy ditë. Komisioni do të marrë shumë shpejt një deklaratë të hollësishme financiare nga zoti Tillerson, i cili ka punuar për firmën Exxon Mobil prej 43 vjetësh.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump do ta fillojë mandatin e tij me një Kongres të kontrolluar nga republikanët. Por megjithë zotimet ambicioze që bëri gjatë fushatës për reforma në kujdesin shëndetësor, në politikat fiskale si dhe për shkurtime buxhetore, asgjë nuk është e garantuar për presidentin e ardhshëm:
Në fillim të dhjetorit u pa një moment uniteti pas takimit të Kreut të Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan dhe presidentit të zgjedhur Donald Trump.“Jemi shumë entuziastë për mundësinë që kemi t’i futemi menjëherë punës për ta vënë vendin në rrugën e duhur,” tha zoti Ryan.
Për presidentin e ardhshëm suksesi do të matet nga disa reforma të rëndësishme:“Donald Trumpi do të përpiqet të sigurojë ulje masive taksash, ndërkohë që ka premtuar shtimin e shpenzimeve për mbrojtjen, dhe ka propozuar projekte në infrastrukturë me shpresën se do të mund të deklarojë fitore në këto përpjekje për reforma brenda 100 ditëve të para,” – thotë analisti Norm Ornstein.
Për amerikanët, të cilët me votën e tyre sollën këtë qeverisje republikane në Uashington, suksesi matet me reforma në politikat e imigracionit, me ekonominë dhe shkurtime në programet qeveritare. Edhe pa ardhur zoti Trump në Shtëpinë e Bardhë, Kongresi është mobilizuar për të anuluar ligjin e Presidentit Obama për kujdesin shëndetësor.
Por republikanët kanë vetëm një shumicë të ngushtë në Senat dhe do të duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të mos anulojnë elementë të ligjit që gëzojnë popullaritet, në mënyrë që të mos humbin kapital të nevojshëm politik.
“Do të ketë një numër të mjaftueshëm demokratësh në Senat që mund ta pengojnë procesin, por çfarë do të nxjerrin në atë mënyrë?” pyet udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell.
Kandidaturat e zotit Trump për poste kabineti kërkojnë konfirmim në Senat. Pritet që të dyja partitë të ngrenë pyetje të forta për këta kandidatë, shumë prej të cilëve nuk kanë eksperiencë në qeveri.
Në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët do t’u bëjnë rezistencë planeve të kryetarit Paul Ryan, për të reduktuar programet qeveritare të asistencës.
“Demokratët në Kongres dhe miliona amerikanë në të gjithë vendin do ta bëjnë shumë të qartë se nuk duan shkurtime në programin e kujdesit shëndetësor për të moshuarit”, thotë Nancy Pelosi, Udhëheqëse e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve.
Shkurtimet do të binin ndesh me premtimet e zotit Trump për të mos i prekur këto programe. Ndërsa për tregtinë ai mund të ndeshë kundërshtime të forta nga vetë republikanët:
“E dimë që shumë nga ato që premtoi Trumpi nuk janë gjëra që i duan republikanët. Lind pyetja, sa do ta përdorë Trumpi autoritetin e tij për urdhra ekzekutivë, i acaruar që Kongresi nuk po bën ato që i kërkon ai,” thotë analisti Norm Ornstein.
Përgjigja që do të marrë kjo pyetje mund të diktojë nëse uniteti mes republikanëve do të vazhdojë, edhe pas 100 ditëve të para të presidencës Trump.(Kortezi:Zeri i Amerikes)