-Ambasadori Delawie uroi ministren Hoxha për pozitën e re dhe shfaqi përkrahjen e pa rezervë për realizimin e këtyre objektivave dhe përballimin e sfidave/
PRISHTINË, 22 Korrik 2016/ Ministrja kosovare e Drejtësisë, Dhurata Hoxha ka pritur sot në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, i cili ishte i shoqëruar nga ushtruesi i detyrës sё zëvendës ambasadorit njёherit udhëheqësi i misionit tё USAID, James Hope.
Ministrja Hoxha falënderoi ambasadorin Delawie për ndihmën, bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme dhënë Ministrisë dhe institucioneve të sigurisë dhe ligjit, njёherit e siguroi për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen, në veçanti në sundimin e rendit dhe ligjit.
Ajo shfaqi përkushtimin për promovimin e transparencës, përgjegjësisë dhe llogaridhënies si parime kyçe të qeverisjes së mirë. “Përkrahja për gjykatat dhe gjykatësit, mbështetja institucionale, siguria dhe mbrojtja e qytetarëve, reformat në kodin penal dhe procedurën penale, si dhe mosndikimi i politikës në gjyqësor do të jenë prioritetet kyçe” tha ministrja Hoxha.
Ambasadori Delawie uroi ministren Hoxha për pozitën e re dhe shfaqi përkrahjen e pa rezervë për realizimin e këtyre objektivave dhe përballimin e sfidave. Mbështetja dhe bashkëpunimi me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të jetë çelësi kyç në bashkërendimin e punëve, thekson njoftimi dërguar nga Ministria kosovare e Drejtësisë./b.j/