-Kryeministri Ramush Haradinaj verëson lart takimin e dytë të Këshillit të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë/
-Në Bruksel, ftesa për festimet e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës/
-Për Kosovën roli i SHBA-ve në çështjet e pambyllura është i pazëvendësueshëm/
-Fjala e plotë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në takimin e dytë të Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së, të mbajtur dje në Bruksel/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 18 Nëntor 2017/ Kryeministri Ramush Haradinaj vlerësoi lart takimin e dytë të Këshillit të Stabilizim Asociimit midis Bashkimit Evropian dhe Kosovës, të mbajtur dje në Bruksel, prej nga u kthye sot në Prishtinë, ndërsa theksoi edhe se për Kosovën roli i SHBA-ve në çështjet e pambyllura është rol i pazëvendësueshëm.
Në një konferencë shtypi, pasditen e sotme, kryeministri kosovar theksoi se, “axhenda evropiane e Kosovës ishte tema e takimit” dhe se në Bruksel ka bërë ftesa për festimet e 10 vjetorit të Pavarësisë së shtetit të ri evropian në 17 shkurtin e vitit 2018.Në konferencë u bë e ditur se, në takimin e Këshillit të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë, i cili u kryesua nga kryeministri, Ramush Haradinaj dhe nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federica Mogherini, “është biseduar për perspektivën dhe rrugën evropiane të Kosovës, si dhe për përmbushjen e kritereve të dala nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit”.
Kryeministri Haradinaj njoftoi edhe për takimet që ka zhvilluar në Bruksel me Federica Mogherini dhe me Komisionerin për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, në të cilat janë paraqitur të arriturat dhe qëndrimet e Kosovës për perspektivën evropiane.
“Është me rëndësi të theksoj se në të gjitha këto takime kemi shfrytëzuar mundësinë të raportojmë për punët e bëra në 22 prej prioriteteve të Axhendës së Reformave Evropiane, njëkohësisht për prioritetet e identifikuara për vitin 2018 dhe për qëndrimet tona në përputhje me temat që janë me rëndësi, siç janë zhvillimet rajonale dhe dialogu”, tha kryeministri Haradinaj.
Ai bëri të ditur se në çdo takim ka dominuar edhe çështja e liberalizimit të vizave dhe e statusit të kandidatit për Kosovën.
“Unë e kam shfrytëzuar rastin të shpreh qëndrimet tona e të cilat janë se vërtetë është krijuar një shpërputhje në rajonin tonë, ku trajtohen në mënyrë më të privilegjuar disa vende dhe ka një vonesë sidomos me Kosovën. Kur vendeve tjera iu lajmërohet edhe viti i anëtarësimit në BE ose procese të përshpejtuara drejt BE-së, Kosova është në fazën më të vonë, vetëm MSA-ja dhe po ashtu është privuar nga e drejta për qarkullim të lirë që është e drejtë e domosdoshme në Kosovë, pra qarkullimi pa viza”, u shpreh kryeministri Haradinaj.Kreu i qeverisë kosovare theksoi rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve për Kosovën, duke thënë se problemet e Ballkanit nuk janë zgjedhur pa rolin serioz të Amerikës.“Kosova është serioze në perspektivën e vet evropiane. Kosova nuk është neutrale. Ne jemi vend euroatlantik që aspirojmë anëtarësimin në NATO dhe njëkohësisht për Kosovën roli i Amerikës në çështjet e pambyllura është rol i pazëvendësueshëm dhe në këtë pozicion tonin besoj se pajtojmë të gjithë, edhe të tjerët, sepse problemet e Ballkanit nuk janë zgjidhur pa rolin serioz të Amerikës dhe ky është qëndrimi ynë”, tha kryeministri Haradinaj në konferencën për shtyp.
“Këshilli i Stabilizim Asociimit shqyrtoi zhvillimet e fundit kryesore lidhur me përmbushjen e kritereve politike, si dhe gjendjen në lidhje me kriteret ekonomike, bashkëpunimin financiar dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit” , e cila “është në thelb të marrëdhënieve midis BE dhe Kosovës”, ka deklaruar Zyra e Kryeministrit.
Para nisjes së kryeministrit drejt Brukselit, qeveria e Kosovës të mërkuren e kësaj jave ka miratuar dokumentin për qëndrimin shtetëror në takimin e dytë për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, ndërsa në në mbledhjen e 10 nëntorit ka miratuar dokumentin “Prioritetet kyçe të Axhendës Evropiane për vitin 2018”.
“Angazhimi dhe puna e mirë e qeverisë në përmbushjen e Axhendës Evropiane do të krijojnë një momentum të ri për Kosovën që të aplikojë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka theksuar kryeministri Haradinaj.
Këshilli për Stabilizim Asociim në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës ka mbajtur takimin e parë në 25 nëntor 2016. “Ky takim inaugurues shënon një fazë të re të rëndësishme të marrëdhënieve BE-Kosovë”, theksonte komunikata nga Brukseli.
Fjala e plotë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në takimin e dytë të Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së, të mbajtur dje në Bruksel
E nderuar Përfaqësuese e Lartë Mogherini,
I nderuar Komisioner Hahn,
Të nderuar përfaqësues të shteteve anëtare,
E nderuar Ambasadore Apostolova,
Kolegë të nderuar,
Ju faleminderit për mirëpritjen tuaj sot në Bruksel në takimin e dytë të Këshillit të Stabilizim-Asociimit.
Qeveria e Republikës së Kosovës njeh rëndësinë fundamentale të procesit të integrimit evropian si interes strategjik shtetëror. Procesi i integrimit evropian gëzon mbështetje të madhe nga qytetarët tanë që nga vitet e 90-ta.
Dëshiroj të theksoj, ashtu siç edhe kam deklaruar, se Kosova nuk shkon në BE, Kosova bëhet BE.
E nderuara zonja Mogerini, i nderuar Komisioneri Han,
Me 17 shkurt, Republika e Kosovës shënon 10-vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë, Jubileu i parë si shtet sovran. Me këtë rast dua që t’ju ftoj që të dy për të qenë pjesëmarrës në festimet tona gjatë muajit shkurt të vitit të ardhshëm. Ftesat zyrtare do t’i pranoni në kohën e duhur.
Qeveria e ka pranuar si parim udhëheqës dhe themelor aderimin në BE. Për më shumë, Qeveria e Kosovës është e përkushtuar fuqishëm që të ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme në mënyrë që të marrë statusin e kandidatit deri në fund të vitit 2018. Në këtë veprim ne do të koordinohemi ngushtë me institucionet e BE-së dhe të gjitha shtetet anëtare.
Hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit ishte një hap i rëndësishëm përpara. Me sukses kemi vendosur marrëdhënien kontraktuale që shërben si bazë për reformat në fushën e sundimit të ligjit, qeverisjen e mirë dhe zhvillimin ekonomik; reforma këto që do të jenë me dobi për qytetarët tanë dhe që çojnë drejt marrëdhënieve edhe më të fuqishme me Bashkimin Evropian.
Jam i vetëdijshëm për kapacitetet zbatuese, por jam duke punuar ngushtë me të gjitha ministritë e linjës dhe ato sektoriale me qëllim të funksionalizimit të MSA-së dhe ARE, në mënyrë që të rezultojë me një afat të qartë kohor për Qeverinë e Kosovës në zbatimin e reformave të nevojshme para se Kosova të marrë Statusin e vendit kandidat për BE. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për një qartësim të rrugës së integrimeve dhe detyrë e kësaj qeverie është që të rikthejë shpresën tek populli i Kosovës, me qëllim të shmangies së një vale të re të migrimit, të trazirave sociale dhe të dëshpërimit.
Që nga marrja e detyrës, Qeveria ka ndërmarrë hapa vendimtarë në zbatimin e reformave kyçe të identifikuara në Agjendën e Reformave Evropiane. Jam i përkushtuar për një qeveri që bazohet në performancë, e udhëhequr nga rezultatet dhe llogaridhënia. Prioritetet e mia kryesore janë: Qeverisja e Mirë, Sundimi i Ligjit, Ekonomia, Shëndetësia dhe Arsimi.
Deri më sot, institucionet kanë bërë përparim të qëndrueshëm në të gjitha 22 prioritetet e ARE-së. Duke pasur parasysh se viti 2017 ishte vit zgjedhor dhe me qëllim të përshpejtimit të reformave në vitin 2018, u kam kërkuar të gjitha ministrive përkatëse që të vendosin një kurs të qartë dhe të matshëm veprimi për vitin 2018. Jam plotësisht i vetëdijshëm se përparimi ynë në realizimin e reformave të MSA-së do të matet në bazë të veprimeve konkrete.
Nuk mund të flasim për procesin e integrimit evropian pa përmendur çështjen e regjimit aktual të vizave për Kosovën. Liberalizimi i vizave mbetet aspirata e parealizuar e Kosovës, e të gjitha komuniteteve në Kosovë që vuajnë nga izolimi dhe mungesa e perspektivës. Kosova mbetet i vetmi vend në Evropë, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë pa viza. Kjo nuk është në përputhje me aspiratat e fuqishme të popullit të Kosovës, por poashtu besojmë se kjo nuk është në përputhje as me vlerat e BE-së dhe as me parimet e BE-së për të drejtat e njeriut dhe lirinë e lëvizjes.
Këtë vit kishim zgjedhjet e para në të cilat votoi për herë të parë gjenerata e lindur pas vitit 1999. Është e paqartë për ta dhe plotësisht e papranueshme se Kosova vazhdon të jetë një çështje e pakryer. Ka konfuzion në mesin e popullatës së Kosovës dhe ekziston një vakum i cili po të mbushej në mënyrë jo të duhur do të kërcënojë stabilitetin. Gjeneratat e reja të Kosovës jetojnë në teh të radikalizimit dhe dëshpërimit.
Jemi fuqishëm të përkushtuar për të çrrënjosur aktivitetet kriminale dhe efektet negative në shoqërinë tonë.
Qeveria e Kosovës ka intensifikuar veprimet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Numri i rasteve të targetuara, ngritjes së aktakuzave, vendimeve të shkallës së parë, vendimeve përfundimtare dhe dënimeve të shqiptuara është rritur vazhdimisht që nga viti 2016, duke dëshmuar vendosmërinë e fuqishme të Kosovës për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar.
Sa i përket çështjes së demarkacionit, Qeveria ka thyer bllokadën dhe status-quon dy vjeçare lidhur me këtë çështje. Përgjatë dy muajve, është bërë përparim thelbësor duke e lëvizur çështjen nga status-quo-ja në një proces që do të marrë kahje drejt zgjidhjes përfundimtare. Meqenëse kjo çështje ndau qytetarët e Kosovës për dy vite, ne ndërmorëm masa të menjëhershme dhe:
· Shkarkuam komisionin shtetëror të mëparshëm;
· Emëruam një komision të ri profesional dhe apolitik;
· Raportuam përpara komisioneve parlamentare përkatëse;
· E përgatitëm shoqërinë;
· Ndërkohë, veprime të tjera do të pasojnë menjëherë sapo komisioni i ri të dalë me gjetjet e tij deri në fund të këtij muaji. Ju garantoj se në këtë drejtim do të ndjekim standardet dhe praktikat e avancuara ndërkombëtare për të siguruar një epilog profesional.
Agjenda evropiane për Kosovën në veçanti dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi duhet të jetë e qartë dhe e hapur dhe Kosova pret që përparimi që bëjmë të pranohet dhe të njihet.
Në aspektin rajonal, Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha shtetet duke synuar avancimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Ne i respektojmë fqinjtë tanë dhe presim të njëjtën edhe nga ata. Kosova është shtet i Pavarur dhe Sovran dhe të gjithë duhet ta kuptojnë dhe ne do të sillemi si të tillë. Pa dashur që ta theksojmë asnjë çështje, por ne do të veprojmë vetën si shtet Sovran.
Ne besojmë se dialogu me Serbinë nuk ka alternativë por fillimisht duhet t’i bëjmë të ditura dy gjëra:
· E para, ky dialog duhet të ketë një epilog të përcaktuar në kohë,
· E dyta, duhet të ketë përfshirje të SHBA-së. Ne filluam zgjidhjen e çështjes së Kosovës në vitet e 90-ta së bashku me SHBA-në dhe BE-në dhe ne besojmë se duhet të qëndrojmë së bashku deri sa Kosova të bëhet çështje e kryer.
Kosova është e përkushtuar që të përmbyllë të gjitha çështjet e hapura me Serbinë, përmes garantimit të dialogut nga BE dhe SHBA. Kosova beson se kjo garanci dhe përcaktimi kohor i dialogut do të përmbyllet me njohjen reciproke nga të dyja vendet.
Anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë nuk është vetëm në interes të Kosovës por është imperativ i kohezionit politik, ekonomik e social për të gjithë rajonin.
Me Marrëveshjen për Bashkëpunim Rajonal, Kosova pret që të marrë pjesë dhe të nënshkruaj marrëveshje të reja në përgjegjësitë e saj dhe të flas për veten e saj në të gjitha takimet rajonale. Është e papranueshme që të dëgjojmë nga Serbia se si dialogu dhe stabiliteti është me rëndësi për rajonin, ndërkohë që në anën tjetër ajo në mënyrë proaktive lufton kundër anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë dhe në veçanti në mekanizmat e sigurisë – INTERPOL dhe EUROPOL.
Në këtë rrafsh, në përputhje me Kornizën e Agjendës Evropiane, na kërkohet në vazhdimësi që të ngrisim bashkëpunimin me EUROPOL-in. Deri tani kemi arritur progres të konsiderueshëm në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar, duke nënshkruar 74 marrëveshje bilaterale bashkëpunuese. Sidoqoftë, Kosova duhet të jetë anëtare me të drejta të plota në INTERPOL dhe EUROPOL sa më shpejt dhe në të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë. Serbia duhet menjëherë të ndalojë të gjitha aktivitetet që e bllokojnë Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në këto organizata.
Ne nuk mund të flasim për përparim dhe mirëbesim përderisa Serbia vazhdon me këtë sjellje!
Dhe për fund, më lejoni t’ju falënderoj për bashkëpunimin dhe dialogun tuaj në vitin 2017. Ne kemi përfunduar me sukses të gjitha takimet nën ombrellën e MSA-së. Kjo nuk do të ishte e mundur pa punën e paepur të bërë nga ju dhe ekipet tuaja, veçanërisht Ambasadoren Apostolova për sinqeritetin dhe ndihmën e saj praktike ndaj institucioneve të Kosovës.
Ju faleminderit për vëmendjen.