Dr. Adriana Fishta-Bejko
Me datën 25 Qershor, 2022, pas një viti pune intensive të mësuesve, prindërve dhe nxënësve për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit tonë edhe në diasporēn a largët në Calgary, Kanada, shkolla shqipe “Foleja e Shqiponjave” festoi arritjet e tyre në veprimtarinë e bukur të mbylljes së vitit shkollor 2021-2022. Suksesi i kësaj veprimtarie u arrit në sajë të një bashkëpunimi të suksesshëm midis bordit të shkollës “Foleja e Shqiponjave”, prindërve të fëmijëve, fëmijët dhe bordit të shoqatës “Albanian-Canadian Association of Calgary”. Një shfaqje e bukur e punës në ekip dhe pa “protagonistë” rezultoi në një festë plot emocione të bukura, krenari dhe dashuri për të bukurën. Recitime, valle, ekspozitë pikture dhe shumë mirënjohje për ata që kontribuan në përcjelljen e vlerave, kulturës, historisë, traditës dhe gjuhës shqiptare! Ҁdo gjë për Fëmijët tanë! – është motivi që shihet qartë në Komunitetin Shqiptar në Calgary, i cili është model i bukur i patriotizmit dhe ruajtjes se identitetit në Diasporë. Këto rezultate janë arritur vetëm në sajë të një mësimdhënje të mirë-organizuar dhe me baza shkencore, me një një filozofi të qartë (mësimdhënja me bazë trurin) dhe një pedagogjije të mbështetur ne metodat e Reggio Emilias. Një mësimdhënje e tillë rezulton në angazhimin e nxënësve të Folesë, në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare duke shijuar edhe mësim interesant me projekte të bukura. Në vazhdimësi “Shqiponjat” tona n’a gëzojnë me arritjet e shkëlqyeshme në përvehtësimin e gjuhës letrare dhe kultures shqipe. Kjo u duk qartë në montazhin e nxënësve me një program të pasur artistik me recitime, konkurs pikture e këngë. Programi filloi me Himnin e Flamurit që u shoqërua në piano nga ish-nxënësi ynë Drinor Ugzmajli. Dy nxënës, Lois Kola dhe Eliana Bejko, sollen me krenari flamujt e Shqiperise dhe Kosovës në sallë. Mësuesja e parë e shkollës sonë, Zoica Dhamo dhe kryetari i shoqatës, Bledi Elshani, përshëndetën pjesëmarrësit.
. Në konkursin e Fjalës Artistike u recituan poezi nga Naimi, Asdreni, Fishta etj. dhe Ҁmimin e pare e mori vogelushja 5 vjecare Emma Fetiu me vjershën “Kam një kukull në kuti”. Ҁmimin e dytë e mori Eliana Bejko me poezinë “ Për një shkronjë……” dhe Ҁmimin e tretë e mori Arjana Kuqi me vjershën “Ç’ke harruar moj Valbonë”
Në konkursin e piktures u nderua me cmimin e pare nxënësja Mattea Sulko. Po ashtu, organizatorët falënderuan edhe mbështetësit e përherëshëm të shkollës shqipe, z. Shaqir Duraj, z. Agron Miloti, z. Petrit Belishaku, znj. Marsela Kola etj.
Mbi të gjitha, është kënaqësi që pikërisht këta fëmijë, të cilët përpara se të vinin në Shkollën Shqipe, as që mendohej se do të lexonin vetë një ditë libra apo të flisnin shqip, sot janë arsyeja pse komuniteti shqiptar në Calgary mblidhet dhe gëzon sëbashku. E pra, sot ata mbaruan dhe një vit shkollor tjetër dhe gjatë pushimeve verore do të mund të lexojnë kudo që do të shkojnë dhe do të flasin me gjyshin dhe gjyshen në Tiranë, Prishtinë, Ulqin apo Shkup pa përkthyes.
Në Shkollën Shqipe të Calgary ne japin një kontribut modest në ruajtjen e identitetit tonë në diasporë. Sot ishte dita e fundit për këtë vit shkollor dhe “sakrificat” për të ardhur në shkollë të shtunave mbaruan. Por asgjë nuk arrihet pa mbështetjen e prindërve të fëmijëve, të cilët edhe sot i kishim në krah! Mirënjohje pafund për cdo bashkëatdhetar kudo në botë që me krenari thotë “Jam Shqiptar” dhe me dinjitet punon për ruajtjen e Shqiptarizmës, sic thonin Rilindasit tanë, edhe jashtë trojeve shqiptare. Siҫ n’a mësonte Fishta ynë,
Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis’,
trashigim, që na la i pari,
trashigim s’ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
flet e t’veten e lèn mbas dore