Shqiptarja Dhurata Asllani fiton çmimin e parë “Rose Awards” në shërbimin e ushqimit në gjithë Floridën e Veriut/ Nga Keze Kozeta Zylo/
Znj.Dhurata Asllani erdhi nga Tirana në vitin 1998 dhe u vendos në shtetin e Floridës. Ndonese kishte provuar emigrimin pak vite më parë në Gjermani dhe atje ishin rregulluar mirë, përsëri Amerika për të dhe familjen e saj ngelet më e mira. Profesioni i saj ishte kimiste, por me Amerikën luhet si të të diktojnë kushtet, për më tepër kur nuk vjen në moshën e artë. E rritur në një familje me tradita të mrekullueshme shqiptare Dhurata së bashku me bashkëshortin e saj fisnik Qazim Asllani erdhën me ëndrra të bukura për vajzën e tyre të vetme Ejona e cila sot ka marrë edukimin e lartë në Amerikë dhe ka përmbushur ëndrrën e prindërve të saj. Familja patriote dhe plot kulturë e Qazimit me origjinë nga Përmeti, ku xhaxhallarët e tyre kishin studjuar në Perëndim dhe njeri prej tyre ishte në Amerikë, e kishin ushqyer birin e tyre me dashurinë për Kombin, kulturën dhe punën, ndërkohë vetë Qazimi kishte ndjerë persekucionin që i kishte sjelle regjimi komunist, për shkak të prejardhjes së familjes.
Znj.Asllani filloi të punojë në një ndër hotelet prestigjioze Sawgrass Merriott Resort në guzhinë. Ajo është dalluar atje për punën e saj tejet të përkushtuar dhe artin e gatimit, çka ka sjellë gjëra krejtësisht të reja duke shfaqur talentin e saj.
Në bisedën që pata me Dhuratën, më tregoi se ajo e ka pasur pasion guzhinën, mënyrën e shtrimit të tavolinës, rregullimin e bukur të mjedisit, dhe pastaj ngrënien nën tingujt e lehtë të pianos. Duke dëgjuar me kujdes bisedën e saj, medoemos që shpirti i Dhuratës dhe fjalët janë të veshuar me petkun e bukur të artit. Të gjitha këto e kanë bërë që të jetë e dallueshme në mjediset e këndshme të Hotel Merriott dhe të vlerësohet maksimalisht nga i gjithë ekipi ku ajo punon. Ndonëse konkurrimi ishte shumë i fortë për gjithë hotelet si dhe për shërbimin në komunitet në gjithë pjesën Veriore të Florides, ku numri i kandidatëve ishte 158, Dhurata ja doli mbanë që të fitojë çmimin midis shumë amerikanëve që shërbejnë në këtë fushë.
Znj.Asllani është një grua zonjë dhe me shpirt të madh duke ndihmuar njerëzit në nevojë me kombësi të ndryshme dhe ju është gjendur pranë së bashku me ekipin ku punon shkruajnë kolegët e saj.
Ceremonia ishte madhështore pohon Dhurata dhe kur parakalova në tapet të kuq kishja shumë emocione, por ndërkohë ndihesha shumë krenare si shqiptare. Dhënia e çmimit më jep më shumë forcë dhe kurajo dhe njëkohësisht ju shpreh mirënjohjen time gjithë komisionit të vlerësimit, redaktorëve që më përzgjodhën dhe më dhanë vlerësimin serioz të punës sime, të cilën e bëj me dashuri dhe përkushtim.
20 Janar, 2014,Staten Island, New York