*KËRKESA TË BËJMË SHTET DEMOKRATIK DHE PROTESTA E OPOZITËS NUK REALIZOHET DUKE ANASHKALUAR KUSHETUTËN PËR ZGJIDHJEN E PROBLEMIT TË PRONËS/
“*RIVENDOSJA E TE DREJTES KUSHTETUESE TE SHTETASVE MBI PRONËN E MOHUAR DHE TE GRABITUR NE EMER TE LIGJIT/
Shkruan: Prof. Dr. Gezim Boçari/Të bëjmë shtet tha kryetari i mazhorancës dhe Kryeministri aktual z. Edi Rama dt. 18 Shkurt 2017 si përgjigje ndaj mijëra protestuesve të opozitës, që filluan protestën e tyre.Që gjërat ti themi ashtu siç janë pas vitit 1945 deri në 1991 Shqipëria kishte Shtet por kishte shtetin e diktaturës që ndërtoi Enver Hoxha dhe për 45 vjet drejtoi sipas doktrinës së Marksizëm –Leninizmit. Në atë kohë ligjet zbatoheshin dhe në atë shtet jo vetëm kundërshtarët politikë, por edhe pronarët që mund të ishin luftëtarë antifashistë të orëve të para konsideroheshin armiq të klasës (proletarëve), janë burgosur e keqtrajtuar apo persekutuar si kulakë. Në atë kohë Shteti jepte denim kapital për një mendim të shprehur në kafene apo në mbledhje.
Në 1991 revolta popullore përmbysi shtatoren e diktatorit, por mentaliteti mbeti dhe politika u fut dhe po vazhdon në drejtim të gabuar dhe jo në drejtimin e respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut. Doktrina ose parimet që kanë zbatuar drejtuesit e partive politike pas 1991 është pëzierje e elementeve të çrregullt të ekonomisë së tregut me kleptokracinë në terren të papërgjegjshmërisë. Kjo e ka kriminalizuar shtetin. Në këto 26 vjet vazhdon të quhet demokraci pluralizmi pseudodemokratik, zbërthimi i Shtetit dhe vjedhja sipas modelit të Katovicës që la pas Ramiz Alia. Në bindjen time kryeministri ka shumë të drejtë për kërkesën të bëjmë Shtet dhe këtë nuk e kundërshton askush nëse me fjalën Shtet, kuptojmë shtetin demokratik, ndarjen e politikës dhe drejtësisë nga krimi i organizuar. Në sheshin ndërmjet Kryeministrisë dhe Kuvendit ku prej datës 18 Shkurt 2017 po proteston opozita e bashkuar, Kryetari i PD z. Basha, theksoi se protesta është fillimi i demokracisë së vërtetë. Ai kërkoi Qeveri teknike për garantimin e zgjedhjeve. Ndër të tjera z. Basha shtoi se çdokush do të mund të flasë dhe të zgjidhë hallin e vet. Kjo dhe kërkesa e Kryeministrit për të bërë shtet përputhen me kërkesat e të gjithë popullit shqiptar por dhe me kushtet e Rezolutës së Parlamentit Europian të dt. 15.02.2017. Këto kërkesa kanë vlerë të padiskutueshme por këtu ka “diçka” që pengon, diçka që nuk shkon pasi lojrat politike për 26 vjet i kanë kthyer kërkesat e mësipërme në shifra zero që i mungon numuri një përpara që ato të marrin vlerën e tyre reale. Në kushtet e sotme të Shqipërisë njëshi i munguar para zerove është zbatimi i detyrimit të Shtetit për kthimin dhe kompesimin e pronës së grabitur tek i zoti në përputhje me nenin 181 dhe 41 të Kushtetutës. Duke mohuar pronën e trashëguar politika na ka mashtruar dhe masakruar për 26 vjet. Këtë duhet ta kuptojë çdokush që mendon të mirën e Shqipërisë përfshi të majtë apo të djathtë.
Pas vitit 1991, për 26 vjet vjedhjen e pronave të shqiptarve po e mbështet shteti, noteri, gjyqtari, drejtori i ZRPP,drejtori i ALUIZNit dhe shumë hallka të tjera sepse nga e majta dhe e djathta për të maskuar vjedhen e pronës në kushtet e pluralizmit u zbatua platform e “katovicës”. Prona private është dallimi midis sistemit diktatorial komunist nga i cili duam të shkëputemi dhe demokracisë së modelit euroatllntike ku dëshirojmë të shkojmë. Ku shkon shoqëria shqiptare nëse partitë politike e të dy krahëve vazhdojnë ta anashkalojnë anarkinë e tutujve të pronësisë ?
Me gjyq dhe pa gjyq sistemi i diktaturës në 45 vjet ka pushkatuar 5-6 mijë shtetas. Në Kuvend kryeministri Edi Rama dhe jo vetëm ai, por edhe deputetë të tjerë kanë deklaruar se për shkak të anarkisë së titujve të pronësisë kanë humbur jetën mbi 8000 njerëz. Deklarohet se gjyqtarët nuk justifikojnë pasurinë dhe këtë do ta hetojë Vetingu. Kjo është e drejtë por ky veting, nuk do jetë i suksesëshëm dhe rrezikon të degradojë në gjobëvenie nëse nuk përfshin Kuvendin dhe Qeverinë, në raport me detyrimet kushtetuese dhe denoncimet tona për pronën.
Bërja e shtetit, demokratik, që respekton të drejtat e njeriut, kërkon bashkimin e pronarëve, të përndjekurve dhe diasporës për zgjidhjen e drejtë e problemit të pronës së grabitur. Opozitë e vërtetë e kleptokracisë janë gazetarët investigative të emisionit “Fiks Fare” “Stop” etj. Në numurin e madh të partive politike egzistuese, partia e re “Aleanca Popullore për Demokraci” bën sens demokratik, pasi me programin e saj merr përsipër të korigjojë gabimet e tranzicionit. Programi saj përmbush kërkesat për pronën në përputhje me Kushtetutën, prandaj kam pranuar të jem pjesë e kryesisë së këtij subjekti politik. Në programin e APD për problemin e pronës thuhet tekstualisht: “ RIVENDOSJA E TE DREJTES KUSHTETUESE TE SHTETASVE MBI PRONËN E MOHUAR DHE TE GRABITUR NE EMER TE LIGJIT
- Prona është një nga prioritetet kryesore të APD dhe për integrimin në Bashkimin Europian, si dhe për marrjen e statusit si vend anëtar. Ngritja e një strategjie për arritjen e zgjidhjes përfundimtare.
- APD do të kërkojë që kthimi dhe kompensimi të përcaktohen me ligj të Kuvendit si detyrim i Shtetit. Sipas këtij ligji në zbatim të nenit 181 të Kushtetutës, Shteti duhet të hapi regjistrat e shtetëzimit dhe konfiskimit të pasurive të patundëshme dhe të dallojë se ne vitin 1991, pas abrogimit të Kushtetutës komuniste të vitit 1976, cilat prona janë të shtetit dhe cilat prona janë prona që u janë konfiskuar qytetarëve dhe Shteti demokratik që në vitin 1991, kishte detyrimin kushtetues që ti kthente tek subjekti i shpronësuar, pavarësisht nga zëri kadastral i pronës në momentin e kthimit.
- Në zbatim të Kodit të Proçedurës Administrative për aktet absolutisht të pavlefshme, Neni 116 etj, nëpërmjet proceseve të rregullta gjyqësore, Shteti të shpalli NUL vendimet dhe transferimet e bëra pas vitit 1991, vetëm për ato prona ku Komisionet e pronave dhe institucionet e tjera të shtetit, pronat që në zbatim korrekt të detyrimeve kushtuese duhet ti kthenin tek pronari i ligjëshëm, ato i ndryshuan emrin e pronarit dhe i transferuan në përsona të tretë.
- Kompesim financiar ose mënyra të tjera kompensimi të pasurive të paluajtëshme të subjekteve të shpronësuara nga regjimi komunist, ligji të parashikojë vetëm për pronat të cilat nuk mund të kthehen fizikisht tek pronari original, pasi për shkak të kohës janë asgjesuar dhe nuk egzistojnë (fabrika, punishte, etj), të pronave që gjatë regjimit diktatorial u tjetërsuan për nevoja publike si godina banimi, rrugë, spitale ose nevoja të tjera publike si dhe pronat që edhe sot vazhdojne të përdoren për nevoja publike .
- Përfundimi i proçesit të kthimit dhe kompensimit të pronave, të jetë procedurë që do të kryhet nga institucionet shtetërore, brenda një afati te shkurter kohor prej pak muajsh, dhe prona t’i kthehet subjektit të shpronësuar. Zbatimi nga Shteti i nenit 181 dhe 41 të Kushtetutës, eliminon faturën financiare që imponon legjislacioni aktual, eliminon pasigurinë e titujve të pronësisë dhe kohen e gjatë të parashikuar nga politika aktuale, me pretendimin për zgjidhen e problemit nëpërmjet kompensimit, hap rrugën për investimet e huaja private, realizon stabilitetin social dhe ekonomik duke bërë të mundur, zhdukjen e konflikteve ndermjet familjeve dhe brenda familjes. Në rastet kur subjekti i shpronësuar ka kundërshtime, për pronën që i kthehet trungut familjar të shpronësuar a do të ketë të drejtën ti drejtohet rrugës gjyqësore. APD merr përsipër paraqitjen e draftit të këtij projektligji për miratim në Kuvend me procedurë të përshpejtuar”.
Për shkak të mungesës së vullnetit politik, Shoqata “Pronësi me Drejtësi” dhe shoqatat e tjera të pronarëve “Krahina Jonë“, “Bregdeti” etj me shtrirje më të lokalizuar janë investuar individualisht, për kthimin e pronës tek i zoti. Shoqatat kanë bërë të pamundurën për ta mbajtur të gjallë kauzën, por drejtuesit e Shtetit për 26 vjet e kanë intriguar zbatimin e detyrimeve kushtetuese , duke i bërë ligjet ashtu siç ju ka interesuar krerëve të oligarkisë politike, duke e devijuar kthimin fizik të pronës së grabitur tek i zoti. Përpjekja e Qeverisë nëpërmjet ligjit 133/2015, për të justifikuar dhe maskuar shkeljet monstruoze me pronën të akumuluara prej vitit 1991, kanë dështuar pasi defakto këtë ligj e ka rrëzuar Gykata e Strasburgut. Kundërshtimi i Strasburgut për ti kompensuar 5 dosje sipas kërkesës e Qeverisë është gjithashtu garanci për korigjime të rëndësishme në legjislacionin për pronat. Unë, nuk mund të parashikojmë kohen dhe nëse do bëhen korigjime të tjera apo një ligj i ri që do detyrojnë legjislativin dhe ekzekutivin shqiptar të zbatojë kushtetutën, por jam i sigurtë se e drejta e pronës do respektohet. Juridikisht zgjidhja individuale nëpërmjet Strasburgut për çdo trung familjar realizohet me proçese gjyqesore brenda vendit, ku ankuesi të kërkojë kthimin fizik të pronës dhe kompensim vetëm për ato pjesë që janë tjetërsuar për nevoja publike, me vlerën që tashmëGJEDNJ e ka percaktuar. Pas përfundimit të gjyqeve brenda vendit, nga ankuesi pa humbur kohë ankesa duhet dërguar në Strasburg. Sa më shumë ankesa të drejtohen ne Strasburg aq më mirë sqarohet situata për Strasburgun dhe kështu e drejta e pronës afrohet.
Bashkëpunimi bën të mundur këtë qasje ndryshe, më të thelluar që na lejon të shfrytëzojmë të gjitha mjetet dhe mundesitë demokratike të kohës. Atdhetari Loro Stajka një kundërshtar i diktaturës i emigruar rreth viteve 1954 në SHBA me zemrën dhe mendimin e tij patriotik, me një shkrim të botuar date 31.01.2017 në gazetën “Dielli“ rikujtoi për pronarët dhe të përndjekurit porosinë e lënë nga Gjergj Katriot Skenderbeu, se “bashkimi bën fuqinë”. Po intelektualë patriotë si z. Loro ne emigracion ka shumë dhe ata kanë rol të pazëvendësushëm për të shpëtuar Shqipërinë nga krimi dhe kleptokracia e organizuar .
Këto 25 vjet pas vitit 1991 e deri sot kanë bindur pronarët se qëndrimi në sqetullën e kësaj apo asaj partie politike rezultoi se është dështim i programuar. Që kauza jonë e përbashkët të zgjidhet mirë, shpejt dhe pa shpenzime kërkon bashkimin dhe solidaritetin tonë në rrugën politike dhe konkretisht formimin e një formacioni politik kompakt dhe të qartë në kërkesën për pronat dhe të drejtat e tjera të mohuara. Pronarët, janë të persekutuarit e pas vitit 1991, ata së bashku me të përndjekurit dhe diasporën janë grupe te lidhura pazgjidhshmërisht me njera – tjetrën lidhur me kërkesën që shteti të ketë detyrimin ti kthejë secilit pronën e grabitur. Prona është kërkesë që intreson dhe biznementët që duan të kërkojnë investime të huaja private, të zhvillojnë industrinë turistike etj.
Në planin shoqëror, nisur nga grupet e intereseve që përfaqesojnë, për problematikat dhe pengesat që këto dy grupe parësore interesi, hasin në realizimin e misionit te tyre për rivendosjen e të drejtave të mohuara me dhunë dhe mashtrime prej vitit 1945 e deri sot Shoqatat e Pronarëve dhe ato të Përndjekurve Politike, janë dy anët e një medaljeje. Këto shoqata pavarësisht nga mendimet ndryshe apo grindjet eventuale midis kryetarëve, për renditje në kontributet që ata kanë dhënë, ka ardhur koha të ndryshojmë mënyrën e veprimit për realizimin e të drejtave të shkelura. Duhet të realizohet një bashkepunim dhe bashkerendim, pa asnje kusht për platformën e pronës, nga të gjitha shoqatat që mbrojnë interesat e pronarëve dhe të përndjekurve. Nëse kryetarë dhe persona të vaçantë do të gjejnë sebepe për tu grindur dhe jo mirëkuptim e bashkëveprim atëhere “katovicën” , pavarësisht se kush e instaloi, nuk duhet ta kërkojmë askund tjeter por e kemi në mes nesh. Kryetari i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, z. Rrapo Danushi në shkrimi botuar ne gazetën “Ballkan” dt 16 Shkurt 2017, ju thotë publikisht politikanëve “Jepini fund katrahurës me pronat”. Të njëjtën kërkesë ka bërë dhe Kryetari i Koalicionit të disa shoqatave të pronarëve z. Axhem Imeri dt.18 Shkurt, po në gazetën Ballkan.
Vetëm pas këtij bashkëpunimi të mirëorganizuar përfaqësimi i pronarëve, i të përndjekurve dhe mbështetja e diasporës garanton negocim të vlefshëm të APD në nivelin e duhur me subjekte të tjera politike që do pranojnë ta kenë pjese integrale të programit te tyre kthimin tek i zoti të pronës së grabitur në përputhje me kushtetutën dhe me vendimet e Strasburgut.
Shpreh bindjen se nëpërmjet bashkëpunimit dhe bashkërendimit të forcave tona i shërbejmë kauzës tonë të përbashkët plotësojmë kërkesën e të gjithë shqiptarëve që e duan Shqipërinë tokë të shqiptarëve dhe ju ftoj të gjithëve të merrni pjesë në këtë diskutim me mendime pro apo kundër.