
Nga Rafael Floqi/
Shtypi evropian, veçanërisht ai austro-hungarez dhe britanik, e paraqiste Kryengritjen e Malësisë së Madhe si një përballje dramatike mes një populli të vendosur për të ruajtur lirinë dhe identitetin e vet dhe një perandorie osmane në rënie, që përpiqej me çdo kusht të mbante nën kontroll territoret e saj në Ballkan. Kryengritja e Malësorëve, veçanërisht e fisit katolik të Malësisë, shihej si simbol i rezistencës shqiptare dhe i shpërthimit të tensioneve të akumuluara ndaj qeverisjes osmane, e cila ishte gjithnjë e më represive dhe e shkëputur nga realiteti i popujve që sundonte. Media evropiane theksonte trimërinë dhe organizimin e shqiptarëve, duke e konsideruar këtë kryengritje jo vetëm si një çështje lokale, por si pjesë e një lëvizjeje më të gjerë kombëtare shqiptare për vetëvendosje.
Nga ana tjetër, shtypi francez e përshkruante kryengritjen me një ton më diplomatik dhe herë-herë më të rezervuar, duke reflektuar edhe interesat gjeopolitike të Francës në rajon dhe marrëdhëniet e saj me Perandorinë Osmane. Megjithatë, raportimet në gazetat si La Dépêche de Constantineapo. Le Temps dhe Fare D’Alexandrie e portretizonin situatën si të rëndë dhe të pakontrollueshme për autoritetet turke, duke theksuar humbjet e mëdha që kishin pësuar trupat osmane përballë luftëtarëve shqiptarë. Shtypi francez, ndonëse më i kujdesshëm në qëndrime, nuk mund të fshihte simpatinë për kauzën shqiptare, veçanërisht kur përballeshin me një qeveri që kishte humbur legjitimitetin në sytë e popullit të saj dhe të opinionit ndërkombëtar.
La Dépêche de Constantine: Gazetë politike e përditshme
Përplasje mes shqiptarëve dhe trupave turke
Vjenë, 29 mars. — Një agjenci zyrtare austriake raporton se disa përleshje kanë ndodhur në kufirin malazez mes shqiptarëve dhe trupave turke. Fisi i Malësorëve thuhet se ka shkatërruar tre bunkerë (blockhaus) dhe ka detyruar turqit të braktisin shtatë të tjerë. Autoritetet ushtarake turke kanë dërguar kundër tyre një batalion nga Ipeku dhe dy të tjerë nga Shkodra. Gjithashtu, dy brigada të rezervistëve nga Anadolli janë dërguar.
Banda serbe sulmojnë postet kufitare turke — Situatë e rëndë
Selanik, 29 mars. — Pavarësisht mohimeve zyrtare që përpiqen ta paraqesin situatën në mënyrë pozitive, gjendja në Shqipërinë e Veriut përkeqësohet dita-ditës. Rrethet drejtuese kanë marrë lajme të rënda nga Peja dhe Gjakova, sipas të cilave shqiptarët po tregojnë gjithkund një qëndrim armiqësor ndaj autoriteteve dhe ushtrisë. Në rajonin e Prishtinës, disa banda të vogla serbe kanë sulmuar postet kufitare turke. Dy ushtarë turq janë vrarë. Serbët janë larguar pa pësuar humbje të mëdha.
Trupat e Malësorëve, të cilat vlerësohen në rreth 4.000 vetë, kanë sulmuar bunkerët turq dhe kanë marrë disa prej tyre: tridhjetë ushtarë janë vrarë; rreth njëzet janë marrë rob. Malësorët kanë marrë të gjithë bunkerët turq në kazanë e Tuzit. Ata kanë çarmatosur ushtarët dhe kanë marshuar drejt Tuzit, të cilin e kanë pushtuar. Kanë marrë armët, municionet dhe tre topa.
Gjendja është e rëndë edhe në vilajetin e Shkodrës. Shqiptarët e arratisur po bashkëpunojnë në kufi me malazezët. Është e mundshme që kryengritja të përhapet më tej.
Kryengritja shqiptare
Londër, 25 prill. Telegramet nga Vjena flasin për një humbje të rëndë të trupave turke nga shqiptarët e fisit katolik të Malësorëve në lartësitë lindore të Tuzit. Sipas raporteve zyrtare turke, disa njësi janë rrethuar, dhe dy kompani të dërguara nga Tuzi për t’i shpëtuar ranë në pritë, duke pësuar 12 të vrarë dhe një numër të madh të plagosurish.
Kryengritja shqiptare
Londër, 27 qershor.
Shtypi thekson se situata në Shqipëri është kërcënuese dhe i bën thirrje me forcë Turqisë që të hyjë në pajtim me shqiptarët, të mos i shtypë ata dhe të dëgjojë këshillat e Austrisë dhe Rusisë. Po ashtu thekson se një konflikt me Malin e Zi do të kishte pasoja të rënda. Porta (qeveria osmane) u ka dhënë Malësorëve një afat tjetër prej 15 ditësh për t’u dorëzuar.