
Prend Ndoja/
Sot iu dha lamtumira e fundit veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, kontributorit të lirisë së Kosovës Nikollë (Marash) Perkaj. Në moshën 65-vjeçare pushoi përgjithmonë së rrahuri zemra e madhe e një atdhetari, patrioti e veprimtari me gjurmë në lirinë e Kosovës.
Jeta e tij ishte ndoshta ndër më të veçantat e çdo emigranti dhe atdhetari. Zemra e tij jetonte midis dy dashurive të mëdha, dashurisë për Atdheun dhe dashurisë për familjen. Kur e thirri nevoja ai vuri atdheun në plan të parë duke lënë familjen dhe 9 fëmijë për të shkuar në luftë për Kosovën. Familja e tij kishte ardhur herët nga Luhari i Tuzit dhe ishte vendosur në Lug Bunar, pranë Gjakovës. Nikolla lindi në trojet pranë Gjakovës heroike. Prindërit e rritën dhe e edukuan me dashurinë e pafund për dheun e të parëve, për Kosovën e Shqipërinë, për historinë e traditat patriotike. Edhe pse larg atdheut dhe me vështirësi të shumta për t’u sistemuar në vend të huaj, Nikolla nuk e ndërpriste veprimtarinë e tij atdhetare në Amerikë. Mendjen dhe zemrën i kishte në vendlindje, në Kosovën, ku gjendja bëhej gjithnjë e më e rëndë për shkak të represionit serb. Shqiptarët e Amerikës shpesh herë organizonin tubime solidarizimi dhe përkrahjeje për Kosovën nënë. Në këto tubime Nikollë Perkaj ishte përherë i pranishëm, me fjalën e tij të mençur e të guximshme.
Megjithatë vendosi që të kthehej në Kosovë e të bashkohej me forcat çlirimtare në luftën për çlirimin e saj nga pushtuesit. Vendosi të linte atje bashkëshorten me 9 fëmijët, më i vogli prej të cilëve ishte 9 vjeç. Kur mori vesh vendimin e tij, një gazetar e pyeti:
-A ke menduar se ku po i lë gruan dhe fëmijët?
-E kam menduar. Këtu janë më të sigurtë e nuk do të vriten. Kurse në Kosovë gratë dhe fëmijët vriten çdo ditë. Kosova, sot më shumë se kurrë ka nevojë të ketë pranë bijtë e saj. Dhe unë do të shkoj të luftoj në mbrojtje të tokës sime, të popullit tim,- qe përgjigja e Nikollës.
U vendos në radhët e batalionit “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pranë Koshares. Me shtatin e tij prej malësori kreshnik, me kurajon dhe trimërinë që e karakterizonin, ai u shqua në betejat e zhvilluara kryesisht rreth zonës së Koshares, por edhe në pjesë të tjera të territorit. Zemra e tij mbushej me gëzim e krenari kur shihte që betejë pas beteje forcat serbe thyheshin dhe liria fillonte të shpërndante rrezet e saj në tokën shqiptare të Kosovës. Ai i përjetonte me dhimbje momentet kur ndokush nga shokët e tij binte në fushën e betejës, apo kur shihte çfarë masakrash kishin bërë serbët mbi popullsinë e pafajshme, mbi gra, pleq e fëmijë.
Mbante kontakte edhe me shoqatat e mërgimtarëve në Amerikë, ku punonin bashkërisht për Kosovën, për historinë e kulturën shqipe, për gjuhën e bukur shqipe. Në Kosovë vazhdoi aktivitetin e tij atdhetar e politik. Shpejt u vu në krye të “Ballit Kombëtar Shqiptar” dhe luftonte për ideale të pastra, përherë burrë i fjalës dhe i besës, i pamposhtur në luftën për t’i shërbyer Kosovës dhe kombit shqiptar. Nikolla u nda këto ditë nga jeta, larg gruas, larg fëmijëve, larg nipërve e mbesave që i donte më shumë se jetën e tij. Vdiq në Kosovën e tij, për të cilën luftoi me të gjitha forcat. Kombi dhe komuniteti do ti jenë përherë mirënjohës. Trupi i tij do të prehet në tokën mëmë, por zemra e tij mbetet përtej oqeanit, tek njerëzit e dashur. Pushofsh në paqe, miku im Nikollë, veprimtaria jote atdhetare do të ruhet e freskët në altarin e historisë dhe lirisë së kombit tonë.