SOFRA POETIKE E DIELLIT//
Poezi /
Nga Anton Çefa /
Lagunë e idhtë e dhimbjes/
(Tokës sime)/
Oh, toka ime e shejtë,/
Ec e ec,/
Sa vite bana udhë e udhë/
Mbi pllajën e idhtë të dhimbjes./
Në albumin plot baltë të rrugëve/
M’i ruen gjurmët e hapave/
Si peng kujtimi/
Të nji fjale/
Me ngjyra të dridhshme ethesh/
Ku feks jehonë e shqetë e brëngës për ty/
Si rrezatim ylberi.
Oh, toka ime e shejtë,
Lagunë e idhtë e dhimbjes,
Filtroma fjalën time
Me baltën tande të shejtë !
Jehe melodish
Në mendimin tim
Thërmohet nji tingull guri
E vorbuj flake
Ngre në çdo pikël gjaku,
Mandej nji mal me dhimbje
E jehe melodish
Ma të lashta se kohë e gurit.
Te guri mbështeta kokën
Te guri mbështeta kokën
Emnin e frymën,
Te guri ia vuna sinoret fjalës
E vetes.
Te guri thinjat më ranë
Siç bien nga kokë e kohës.
Me gurin çava gropën e gjoksit
Dhe i dhashë dritë natës së kobit.
Se guri asht rit i shejtë i jëtës sonë,
Enigma e gjakut të Arbnit.
Njeriu
Për lindjet e dritës
Prendimet përflaken n’lakmi
Dhe agimet
Drejt muzgjeve përjetësisht shtrijnë duert.
Njeriu –
Nji pikë e vetme
Në këtë univers dëshire.
Dhimbje e gdhendun
Dhimbje e heshtun
E gjatë
E gdhendun në gurin prej mermeri të kaltër
Të jetës
Në shteg të pambarimit.
Herë- herë tundim i nji dyshimi,
Nji pyetje
Mandej nji flakëz shprese
Gjithmonë e ndezun.
Mall i dikurshëm
Mall i dikurshëm,
Si hini i nji stine të djegun
Në krahanuer.
Kur të trazoj
Me nji mashë të fortë kujtimi
Ti rishtas djeg
Etje qi s’shuhet kurr.
Ti
Ti që në dekorin e dhimbjes sime,
me duer të brishta,
vizaton fytyrën tande
si pa dashtë,
ti që në brigjet e andrrës sime
hedh nji klithmë pulbardhe
si pa u kujtue,
ti që me kurmin tand t’ përflakun
përndez delire në damarët e mi,
si pa u mendue,
je vëtë dashuria
e unë jehonë e saj.
Shija e fjalës
Ia kam ndie shijen fjalës
Si lules,
E njomë, e hijshme, e brishtë.
Ia kam ndie shijen fjalës
Si detit,
e kripun, e gjanë, e thellë.
Ia kam ndie shijen fjalës
Si malit,
E rreptë, madhështore, e lirë.
Ia kam ndie shijen fjalës
Si trollit,
E lashtë, e dashtun, burrnore.
Amaneti i gjyshit
Amanetin të randë ma la gjyshi:
“Fjala s’bahet dysh!”, më tha.
Fjalën ia lashë lisit amaet,
Po fryu vjeshtukja
E ai e shkundi si gjethet.
Ia lashë fjalën lumit amanet,
Po ai e çoi në det
Me valëzat e prrojeve.
Ia lashë fjalën gurit amanet
E ai e mbajti.
Guri-gur e fjala-fjalë.