*Përshëndesim me këtë shkrim, me rastin e çeljes së Kampionatit evropian “Euro-futboll 2016” Ekipin shqiptar të futbollit të përbërë nga futbollistë të tërë trevave shqiptaro-kosovare, duke iu uruar “Figurë të bukur kombëtare çuna!”./
* Faik Konica në revistën Albania: Një mundës shqiptar në London/
* Rubrika “Anakdotat tona”, revista “la Culture physique”, 1 tetor 1907./
Nga Fotaq Andrea/Francë/
Një shkrim i Faik Konicës në revistën Albania, me titull Një mundës shqiptar në London, botuar në shkurt 1906, na tërheq vëmendjen për faktin se në formë shënimi, po ky shkrim jepet edhe në variantin e tij në frëngjisht. Gjë që do të thotë se gjeniu Konica kërkon të propagandojë tek lexuesi i huaj europian gjithçka shqiptare me vlerë nga tërë fushat e jetës shoqërore, kulturore, letrare, artistike e sportive.
Konica e fillon shkrimin e vet në formë kronike, duke iu referuar gazetës londoneze The Morning Leader: “Erdhi në Londër, thotë ai, një mundës shqiptar, i quajtur Hysen Mahmuti.” Erdhi për t’u ndeshur… por, me sa duket, ende nuk po i dilte kundërshtar! Sepse, ndërsa rendnin për tek ai gazetarët e etur për të shkruar rreth mrekullisë që po shihnin, asnjë mundës i nivelit botëror nuk po shfaqej para tij në sallat e mundjes. Por çudia nuk përfundon këtu. Ai është ftuar në Londër nga Andon Guri, një ish kampion në mundje në rininë e vet, shqiptar nga të Moresë edhe ai, “që flet shqip bukur” e që në Londër njihet me nofkën “Greku i tmerrshëm”. Hyseni shoqërohet në kryeqytetin britanik edhe nga një mik dhe shok i tij i quajtur Leonidha Kostandini, po ashtu “mundës i nivelit mbi mesataren”.
Si gjithnjë, siç kemi shpjeguar tashmë, sa herë flitet në shtypin e periudhës para pavarësisë për shqiptarë “grekë” apo për shqiptarë “turq”, fjala është thjesht për përkatësinë e tyre fetare, ose ortodokse, ose myslimane. Por çka e bën Konicën të entuziazmohet me mundësin shqiptar Hysen Mahmuti është pamja e tij: “Një trup me përmasa të hijshme, atlet shtatlartë i hajthëm, me bukuri ideale dhe me shpejtësi të çuditshme veprimesh, duke përdorur një teknikë të mahnitshme kapjeje me zhdërvjelltësi të krahëve e këmbëve “që i lëshon përpara si vetëtimë.” Po ashtu, vetë qetësia e mundësit gjatë ndeshjes flet për një profesionist të përgatitur nga ana psikologjike, duke qenë i sigurt për fitoren që do arrijë. “Edhe kur e mbështjell kundërshtarin me një forcë prej njëqind kuajsh, thotë Konica, ai ia dërrmon eshtrat si të donte ta përkëdhelte.”
Në pritje për t’u ndeshur, Hyseni stërvitet me shokun e tij Leonidha, dhe gazeta londoneze The Morning Leader shton se të dy shqiptarët, “si njëri dhe tjetri, do t’i hapin telashe kujtdo mundësi, sado i shkëlqyer qoftë”. Ata sqaron Konica, duan të fitojnë titullin e kampionit, do me thënë zotohen të mposhtin çdo mundës anglez, francez, turk, etj. “që do t’u dalë përpara në shesh (mejdan)”.
Këto ishin pak a shumë të dhënat që jep Konica rreth këtyre dy mundësve shqiptarë në fillim të shekullit XX, kur ende Shqipëria bënte pjesë në Perandorinë osmane, apo në Turqinë evropiane, në prag të kryengritjeve shqiptare për çlirim e pavarësi kombëtare.
Mirëpo, gjatë hulumtimeve tona, kemi hasur – madje me foto -, në revistën franceze të kohës La Culture Physique (1 tetor 1907), edhe një mundës tjetër me origjinë shqiptare, i quajtur Ibrahim Mahmuti (Ibrahim Mammouth), shtatlartësia 1 m 85, (ndoshta vëllai i Hysen Mahmutit t të mësipërm), i cili u ndesh në Paris me shokun e tij Jusuf Ismailoli (Joussouf Ismaëlolo, i gjatë ky 1 m. 88), ndeshje e cila u konsiderua “si ndeshje midis dy kolosësh”. “Këta dy atletë, thuhet në këtë revistë, ishin të denjë për t’u vënë në mbulesën e revistës; domosdo bëhet fjalë për dy turqit e tmerrshëm Jusuf e Ibrahim Mahmuti” [që të dy shqiptarë të fesë myslimane]. “Ata lanë në Paris një kujtim të paharruar, një përshtypje të pashlyeshme force, guximi dhe energjie. Njëri prej tyre, Jusufi, do të vdiste më pas në katastrofën e Burgonjës, kurse tjetri u kthye në vendin e tij, për të vazhduar zanatin si mundës në Oborrin e sulltanit. Ndoshta një ditë do ta shohim përsëri midis nesh.”
Në këtë shkrim, na bie në sy fakti se në frëngjisht mbiemri “Mahmuti” është shkruar “Mammouth” – ndoshta qëllimisht për të sjellë në vëmendje të lexuesit kafshën parahistorike “mamuth”, konsideruar si kafsha më e tmerrshme për forcën goditëse dhe sulmuese, si dhe për peshën e rëndë që dërrmonte gjithçka në ato kohëra kur planeti sundohej nga bota e gjigandëve dinozaurë.
Po japim më poshtë të plotë artikullin “Një ndeshje e tmerrshme mundjeje – Ibrahim Mahmuti i reziston Jusufit,” shkruar nga gazetari sportiv francez Léon Sée.
Rubrika “Anakdotat tona”, revista “la Culture physique”, 1 tetor 1907.
Mbërritja në Paris e tre shtetasve turq Jusuf, Nurlah dhe Kara-Osman e kishte revolucionuar botën e mundjes. Disa mundës të guximshëm ishin ndeshur me ta, por pas disfatash dërrmuese, askush nuk po paraqitej më për të përballur të tmerrshmit Orientalë, dhe sidomos kampionin e tyre Jusufin, që kishte epërsi të dukshme, duke merituar titullin e kampionit të botës.
Manaxheri i tyre Doublier, më kot kishte lëshuar thirrje sfiduese për t’u ndeshur me më të fortët e globit, por kush ishte matur tashmë me Jusufin, nuk pranonte më të ndeshej me të, ndërkohë që të tjerët rrinin strukur gjithkush në qosh të vet.
Tom Cannon, ish mundësi i njohur anglez, i shndërruar tanimë në drejtues dhe organizator ndeshjesh të bujshme vendosi më në fund të shkonte vetë në Turqi dhe të sillte që andej dikë të aftë për t’i bërë qëndresë “të pamposhturit” Jusuf.
Në Kostandinopojë, ai gjeti dy të pazakontë dhe gjer në atë kohë të panjohur në Francë: Kara-Ahmedin dhe Ibrahim Mahmutin, që të dy të famshëm në vendin e tyre, të cilësuar të barabartë me Jusufin, me të cilin digjeshin nga dëshira për t’u ndeshur. Nuk ishte kështu aspak e vështirë për Tomm Cannon t’i bindte ata mundës të venin në Paris dhe gjatë udhëtimit, u morën vesh që do të ishte Kara-Ahmedi, më i rëndi në peshë, që do të sfidonte Jusufin në Paris.
Një ndeshje, apo një betejë e vërtetë, siç do të na e kishte ënda ta cilësonim, u organizua pra dhe, që të dy kundërshtarët, në marrëveshje të përbashkët, kërkuan që mundja të bëhej sipas rregullave turke, domethënë të lejoheshin tërë kapjet e mundshme, “pa asnjë përjashtim”.
Në fakt, ishte mbi të gjitha një çështje epërsie që po vihej në lojë, se cili do shpallej kampion, ngaqë secili nga të kundërshtarët më shumë i jepte rëndësi nderit dhe lavdisë që do korrte, në rast fitoreje, se sa shumave në të holla, që megjithatë ishin të mëdha, kur organizatorët i kishin bërë mirë llogaritë për të fituar gjithkush pjesën e vet.
Kërkuan pra që ndeshja të zhvillohej sipas rregullores turke, atë që njihnin më mirë dhe që fitorja t’i bënte kështu të lavdishëm në vendin e tyre.
Ndeshja do bëhej në “Cirque d’Hiver”, por në çastin e fundit Kara-Ahmedi, që vuante nga abcese dhe nga një lungë e çarë, ia la vendin me keqardhje Ibrahim Mahmutit, po aq i barabartë sa ai në forcë e qëndresë.
Në qendër të një salle mbushur cipë më cipë, të dy kundërshtarët u vunë përballë shoshoqit, mu në shesh të mejdanit.
Zhveshur lakuriq nga mesi e sipër, veshur vetëm me brekushe lëkure të trasha, siç i mbajnë mundësit e sulltanit, ata përparuan me hap të ngadaltë, që të dy tepër shtatlartë, por që bënin përshtypje të ndryshme: Jusufi më i rëndë, më masiv në shtat që mishëronte forcën e papërmbajtshme, fuqinë e pashtershme, i ndezur nga një krenari dhe një besim i pakufishëm. Fytyra e tij e egër dhe e vrazhdë, vështrimi i tmerrshëm, pamja e një e mizorie të llahtarshme mund të kishin tmerruar cilindo, por kurrsei jo Ibrahim Mahmutin përballë tij, gjithë muskuj, gjë e rrallë tek Orientalët, por po aq shtatlartë sa kundërshtari dhe njëqind herë më i shkathët nga ai.
Me shpatulla të gjera, me shtat të bukur, ai shpaloste një forcë të çuditshme bashkuar me një zhdërvjelltësi mrekullore që i jepte pamjen e një bishe gati për hovje.
Nga tigri, ai kishte huazuar, po aq sa hijeshinë e fuqinë, edhe atë vështrim ngulitës të pamposhtur, që shfaqte energji të brendshme të tërbuar.
Me të fërshëllyer bilbili, përplasja e kundërshtarëve ishte e tmerrshme: me forcën tyre të pakuptueshme dhe me njohjen e thellë të pikave të dobëta e të dhembshme, të dy kundërshtarët filluan të martirizojnë njëri-tjetrin, pa një ankesë, pa një shenjë dobësie, ndërkohë që lëkura e trupit po mavijosej, po avullonte dhe damarët gati sa nuk pëllcisnin nga mbërthimet mizore.
Për herë të parë Jusufi po haste një njeri të denjë për të; dhe çudia e tij e parë, përpara një qëndrese kaq të papritur, u shndërrua befas në tërbim të frikshëm. Kur ai pa se nuk po ia dilte dot atij njeriu të pandjeshëm ndaj dhembjeve dhe me guxim të pakufishëm, kur ai kuptoi se kapjet e tij më të fuqishme e më të dhembshme – të cilat nuk i kishin përballuar dot as pesë minuta qoftë gjigandi Nurlah, qoftë çdo mundës tjetër -, nuk kishin shkaktuar asnjë efekt te kundërshtari i tij, që s’po jepte kurrfarë shenje ankimi apo këputjeje, por veçse ishte mbuluar nga djersët, dhe më në fund, kur ai vuri re se, me gjithë lodhjen dhe rraskapitjen, kapjet dhe sulmet e Ibrahimit ishin po aq të fuqishme dhe energjike sa të tijat, atëherë, Jusufi u bë absolutisht si i lojtur mendsh.
Tek u vërvit mbi kundërshtarin, i bëri këtij një seri kapjesh që më shumë ngjasonin me goditje dashi se sa me mbërthime mundjeje, ia dërrmoi brinjët e kockat dhe u përpoq t’i thyente krahët e ta mbyste krejt.
Mirëpo, Ibrahim Mahmuti në gjunjë mbi tapet, me pamje të qetë gjatë tërë atyre sulmeve të tmerrshme, po e përballte tjetrin më së miri, po aq i paepur e guximtar pas gjysmë ore luftimi sa në fillim të ndeshjes. Duke mos mundur ta nënshtrojë, Jusufi vendosi në këtë rast të përdorë mënyrat e forta.
Tërë goditjet lejoheshin dhe tek e mbërtheu kundërshtarin në qafë me një kapje të llahtarshme që nuk mund ta përshkruaj, gati po ia shkulte anash me dorën tjetër vrimat e hundës. Ky i fundit, fytyrën gjithë gjak dhe me dhembje të padurueshme që do ta bënin edhe një dem të shembej përtokë, vazhdonte të rezistonte; por nuk mund të rezistonin më publiku dhe juria, përpara gjithë atij tmerri.
Tom Cannon i pari u lëshua mbi të dy mundësit e lidhur trup më trup dhe i kërkoi Jusufit ta lëshonte shokun. Po tjetri nuk ia vuri veshin dhe atëherë Tomi filloi ta godasë me tërë fuqitë, duke i dhënë goditje bastuni mbi kurriz, ndërkohë që epiderma e zeshkët e turkut ravijëzohej me shirita mavi pas çdo goditjeje.
Jusufi vijonte ta mbante tjetrin të shtrënguar dhe duke u kthyer nga kundërshtari i ri, i lëshoi këtij një vështrim aq të llahtarshëm sa Tom Cannon u praps nga frika. Ahere publiku u lëshua mbi pistë dhe mbërtheu Jusufin, që më në fund u detyrua ta lëshojë kundërshtarin.
Në atë çast, një komisar policie, i shoqëruar nga gjashtë karabinierë depërtoi në sallë dhe menjëherë u vu rendi e qetësia. I veshën si mundën të dy orientalët, duke u hedhur përsipër setrat e tyre dhe një grup njerëzish morën për nga komisariati, policë, mundës, organizatorë të ndeshjes, si dhe një turmë e eksituar që bërtiste si mundte kundër Jusufit.
Ky, i mbajtur nga të dy krahët nga policë, nuk bëri asnjë qëndresë, po kur kthente kohën herë pas here drejt atyre që çirreshin dhe e kërcënonin në mënyrë aq qesharake, u lëshonte një nga ato vështrime të vetat që i bënin të tjerët të prapseshin e të strukeshin, ndërkohë që gjashtë vetë nuk po arrinin ta mbanin atë nga krahët, të cilat i vërviste si helikë.
Në komisariat, oficeri i policisë që i mori në pyetje ishte në siklet përpara atyre dy gjigandëve të plagosur e gjithë gjak, por të pamposhtur. Dhe kur i rrëfyen gjithë peripecitë e ndeshjes, ngeli një çast pa ditur si të veprojë.
- A do bëni padi ndaj kundërshtarit tuaj? – pyeti më në fund Ibrahim Mahmutin.
Ky, me një krenari të habitshme,me t’i përkthyer pyetjen, u përgjigj me anë të interpretit:
- Padi, unë? Aspak. Ne thjesht u ndeshëm, nuk bëmë gjë tjetër!
Pastaj, gjithë mburrje shtoi, duke u kthyer nga oficeri i policisë:
- Tek ne, është normale që burrat të ndeshen; dhe vetëm gratë përloten.
Asnjëherë tjetër të dy kundërshtarët nuk patën rastin ta përfundonin atë ndeshje aq të barabartë; do të takoheshin të dy disa ditë më pas, pa i mbajtur kurrfarë mërie njëri-tjetrit dhe nëse Jusufi krijoi përshtypjen e një epërsie, Ibrahim Mahmuti mund të mburrej nga ana e tij se ishte i vetmi njeri në botë që i kishte dalë atij ballë për ballë.