Stavro Stavri- Kavajasi që mbante një emër melodioz e të harmonishëm, si vetë kënga e mjellmës/
Nga Fotaq Andrea/
E kemi fjalën për Stavro Stavrin (1885-1955), ish ministrin fuqiplotë shqiptar në Francë, Jugosllavi e Greqi, avokat, doktor në drejtësi (diplomuar në Paris), ish deputet i Prefekturës së Durrësit në vitet 1920, ish Sekretar i përgjithshëm i Kryesisë së Republikës së Shqipërisë, deputet i Tiranës, ish profesor i gjuhës shqipe në Shkollën e Gjuhëve Orientale në Paris, mik i madh i Francës, që e dekoroi më 1950 me Çmimin e madh të Gjuhës franceze. Po japim më poshtë dy dokumente historike që e shfaqin atë patriot të përkushtuar me zemër, zë e mendje për çështjen shqiptare në fillimet e shtetit të ri shqiptar. Sepse është i treti shqiptar (pas Mustafa Abdylit dhe Dhimitër Beratit), zëri i bukur i të cilit figuron historikisht i regjistruar në Arkivat e Vjenës e të Sorbonës dhe i dyti ministër i Shqipërisë (pas Iliaz Vrionit) në cilësinë e Anëtarit të asociuar të Akademisë Diplomatike Ndërkombëtare të Parisit. Figurën e tij e ka bërë të njohur publikisht në kohët tona Olimbi Velaj (2006), dhe më pas në korrespondencë me njëri-tjetrin (2012) Rudi Metaj e i ndjeri Robert Elsie, ky enciklopedist modern i botës shqiptare që prehet përjetësisht nën hijen e rëndë të Alpeve të Shqipërisë. Më pas, mësojmë nga studiuesi Fatmir Minguli se biografi Zyhdi Shehi i ka kushtuar një monografi diplomatit Savro Stavri, por për fat të keq, librin e tij nuk e disponojmë.
Arkivat franceze dhe sidomos Biblioteka e pasur numerike “Gallica” japin disa të dhëna interesante për Stavro Stavrin sipas shtypit të kohës kur ai jetoi e veproi në vitet 20-30. Kështu, mësojmë nga goja e Stavrit se vetë emri i tij me tingëllim të harmonishëm “canorus” do të thotë “Kryqi i Kryqit”, se më 1925 synonte të botonte një “përmbledhje rrëfenjash të Orientit” në bashkëpunim me Zonjushen Alice Brenot, doktore në Letërsi, dhe latiniste e rrallë për kohën, me të cilën ai do të martohej po atë vit, dhe se më 1932, kur jepte pritje në Ambasadën shqiptare në të famshmen “Rue de la Pompe”, në krah të Znj. Brenot, ai kishte botuar tashmë një poemë në revistën “La Bourgogne”. Po ashtu, libri i tij “Etudes sur l’Albanie” (“Studime për Shqipërinë”), botuar në Paris që më 1922, ishte komentuar nga shtypi i kohës “si një vepër interesante në të cilën [autori] përshkruan doket, historinë fetare e letrare, zakonet familjare të atij vendi nga i cili ai ka dalë si një nga përfaqësuesit më të shquar të tij” (gazeta “Cœmédia”, 3 gusht 1925).
Lidhur me dy dokumentet e mëposhtme, vlen të theksojmë se incizimi i zërit të tij nga Arkivat e Sorbonës pasqyron një dialekt “puro kavajas”, që përbën, si çdo dialekt tjetër, një pasuri fonetike të shqipes, mjaft me interes për gjuhësinë historike shqiptare; nga ana tjetër, historiku i shkurtër i kombit shqiptar që ai shpalos në fjalën e tij para Akademisë Diplomatike ndërkombëtare të Parisit shfaq jo vetëm frymën e tij të fuqishme patriotike, por edhe erudicionin e tij të thellë, që e mbështet më ndonjë rast në teza e teori të kohës, me kufizimet dhe pasaktësitë e tyre shkencore, si për shembull prejardhja e popullit shqiptar nga Azia, tezë që e mbështeste gabimisht Louis Benloew, ky gjuhëtar e etnolog i mirënjohur hebre-francez. Por, po ja lëmë fjalën vetë Doktor Stavro Stavrit me transkriptimin që i kemi bërë zërit të tij të incizuar dhe me fjalën që mban në Akademinë Diplomatike të Parisit.
Letër drejtuar një miku
8 qershor 1921
nga Stavro Stavri (transkriptim i tekstit të incizuar, 2, 09 minuta).
I dashni e i nershmi vlla,
Mora letrën tate mas gjasht’ vjet që nuk ta pata pa shkrimin e u g’zova shum’ për shnetin tuj. Sikur ju, en mu, m’ka marr malli shum’ për ju, për Kavajën, ene për gjithë viset e Shqipnis’. Letra juj më pru nër men’ gjith’ qejfet e djemnis, fjalimet [bisedat] që kena bã, kangët kombiare që kemi punu, djemt’, gocat e gjith’ ato njerzit qi i mësojën me kënu e me shkru shqip në kohën e Turqis.
Pres me gëzim dit’n e lumtme që do ju shof me sy, se nuk paska gjã m’e amël e mã e dashme se mãmëdheu. Gëzohem që kãm n’gju [dëgjuar] se sot se gjith’ shqiptar’t, t’mãdhenj e t’vegjël, burra e gra menojn e punojn për Shqipni. Me kët’ mënyr’ do përmajm’ e do shigurojm’ të drejtat tona. Në qoftë se gjinet nonji që ene nuk i ka ardhë menja, do dojim të fluturojëm të vijëm atje e t’i thojëm :
O vlla shqiptar,
Që n’gjith’ punët je i mar’[mbarë],
Pa ktheji syt’ në Shqipni,
Se gjinet ene në idhni.
Mos bȭ [e bë] me g’zim anmikun,
Që do Shqipnin m’ e fikun.
Shqipnin e ka neru Zoti me gjith’ t’mirat,
Me det, lumna, projna, me fusha, male e bjeshka,
Me tok’ t’begatshme që mshef shum’ pasuni.
à burrani pra, t’mësojm,
Nat’ e dit’ t’punojm’
Mãmëdhen t’lulzojm’,
Q’i t’na gëzohet miku
E t’na ket nez [ndez] anmiku
E gjith’ bota t’na nerojn’.
Kaq gjã nji student shqiptar, me zemër plot mall ju thot : « Dashtë Zoti o mãmdhetarë, mos i shkoj kjo lutje kot !
I falem shnet t’gjithve,
Stavri [pasojnë duartrokitje].
Statuti ndërkombëtar i Shqipërisë
Nga Stavro Stavri
Fjala në Akademinë Diplomatike Ndërkombëtare, Paris, 1932.
Nëse bashkimi bën forcën, kohezioni sjell fuqinë, dhe Akademia Diplomatike Ndërkombëtare, falë frymës së harmonisë mes anëtarëve të saj, e ka për detyrë t’i bëjë Europës dhe Botës mbarë shërbimet më të çmuara.
Kompani ndërkombëtare, Akademia na shfaqet sa nyje lidhëse, aq edhe udhërrëfyese e vatër ndriçuese për tërë ata që ndihen të izoluar, të pasigurt a mbërthyer nga ankthi i së nesërmes.
Kombet, ashtu si familjet, mund të jenë në mos të përçara, të paktën të shqetësuara nga konfliktet e interesit, por është pikërisht zgjuarsia e anëtarëve të saj, udhëhequr nga fryma e kortezisë, e bamirësisë dhe, në rast nevoje, nga fryma e sakrificës dhe e vetëmohimit, ajo që do dijë t’i sheshojë tërë çështjet e mosmarrëveshjeve.
Çka përbënte madhështinë e Familjes së lashtë ishte nënshtrimi ndaj autoritetit prindëror, dhe çka e bën me emër edhe sot familjen patriarkale ballkanike është bindja ndaj kreut të saj, dhe rezultatet pozitive të kësaj bindjeje shfaqen nëpërmjet unitetit të drejtimit dhe të orientimit familjar.
Çka do të shfaqë madhështinë e Botës njerëzore, dhe në mënyrë të veçantë të Europës së qetësuar e të ringritur do të jetë nga ana e cilitdo Anëtar të Familjes Universale – dua të them nga ana e çdo Shteti -, pranimi i vullnetshëm i sugjerimeve apo i propozimeve të një Këshilli me kompetenca të plota, i pavarur e i paanshëm, me objektiv të vetëm riorganizimin e përgjithshëm.Ditën kur ky Këshill do të jetë i përbërë nga Anëtarë tek të cilët dija që zotërojnë do të jetë garanci për pagabueshmëri nga ana e tyre, jeta shembullore që bëjnë do të dëshmojë se nuk udhëhiqen nga asnjë ndjenjë interesi të ngushtë, se ndershmëria në veprimet e tyre do të jetë model i ndershmërisë morale; dhe po atë ditë nuk do të ketë kurrfarë dyshimi që Këshilli do të ushtrojë mbi fatet e pesë kontinenteve një ndikim të efektshëm përherë e më të madh.Pikërisht këtë përpiqet të realizojë nëpërmjet punimeve të veta Akademia Diplomatike Ndërkombëtare, e cila sot po më bën nderin të më pranojë në radhët e saj për të zënë vendin e paraardhësit tim të ndjerë Ilias Vrionit, i cili ka qenë gjatë karrierës së tij Kryetar i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, Ministër i Punëve të Jashtme në disa kabinete qeveritare dhe që prej shtatë vjetësh i akredituar pranë Qeverisë së Republikës Franceze në cilësinë e të Dërguarit të Jashtëzakonshëm dhe të Ministrit Fuqiplotë të Shqipërisë.
Zotërinj,
Pesëqind e dymbëdhjetë Ambasadorë e Ministra, të bërë bashkë, me një qëllim të vetëm, tek i shohim të bashkërendojnë përpjekjet e tyre në të njëjtin drejtim, të dhurojnë krejt cilësitë e tyre të natyrshme, rezultatin e punëve dhe të përvojës për realizimin e të njëjtit qëllim, atë të gjetjes së një zgjidhjeje për vështirësitë që po kalon sot Bota – ja forca e zgjuarsisë dhe e gjenisë përfaqësuar prej tyre, ja shenja paralajmëruese e suksesit të pritshëm!
Do t’ju flas sot për Shqipërinë, për origjinat e saj, për gjendjen e saj në Europën e sotme.
Ka shtete të rinj dhe Shqipëria është një prej tyre; ka popuj të lashtë, dhe shkipëtarët janë një prej tyre.
Shkipëtarë, është emri i të parëve tanë, pak a shumë njëlloj si Galët që është emri i të lashtëve tek Francezët, apo si Iberët, tek Spanjollët, si Kletët tek Irlandezët dhe si Germanët tek Alemanët.
Ardhur prej Azie gjatë mërgimesh parahistorike të popujve, ky degëzim i vogël i familjes së madhe ariane, degëzim që ruajti në gjuhën e vet krejt karakteristikat e gjuhëve indo-europiane, u vendos në këtë krahinë ballkanike buzë Adriatikut dhe u mbajt aty me aq vitalitet sa aty ndodhet edhe sot e kësaj dite.
Ardhur para Grekëve, ardhur para Sllavëve, në një epokë aq shumë të hershme, ata shfaqen tashmë autoktonë, dhe vetëm gjurmët gjuhësore e kujtimet tradicionale shfaqin atë stad kalimtar të jetës së tyre buzë detit Kaspik dhe në malet e Kaukazit para mbërritjes së tyre në Iliri.
Shkipëtarët, të lumtur tek e panë veten të vendosur në këtë qoshk toke të re për ta, e shprehën ndjenjën e tyre me fjalën “i lirë”, duke e quajtur kështu vetveten “ilirianë“, dhe më pas do të njiheshin vetëm me këtë emërtim. Në bazë të krahinave ku banonin, ata dalloheshin mes tyre në Taulantë, Peonë, Dardanë… Ishin paganë, adhuronin forcat e natyrës si dhe zogun mbret të maleve, shqipen, nga ku morën emrin shkipëtarë, bij të Shqipes.
Si njohën jetën nomade, mbërritën në stadin e jetës patriarkale, hapën toka të reja, dhe e quajtën veten arbanës apo arëbërës, kultivues të arës, aurura, emër homerik i tokës-arë. Emri modern Shkipëtarë megjithatë vazhdon të ekzistojë.
Disa shekuj më vonë, Bizantinët i quajtën Alvanites apo Arvanites, që Turqit e shqiptuan Arnautë apo Arnavutë.
Sikur shqiptarët të kishin jetuar në qetësi në tokën e tyre, nuk ka kurrfarë dyshimi se do të kishin njohur që herët një erë të gjatë paqeje shoqërore, por të vendosur siç ishin në udhëkryq të Lindjes e të Perëndimit, do ndodhte pikërisht në territorin e tyre përplasja midis dy koncepteve morale që do të trondiste Europën përgjatë shekujsh: krishterimi dhe besimi kuranik.
Në shekujt e parë të erës sonë, apostulli Pal erdhi në Iliri të përhapë doktrinën e Jezusit, madje ai i përkushtoi shumë prej epistulave të veta Ilirëve, të cilët i ktheu në besimin e tij.
Gjatë skizmës së Orientit, të ndodhur nën ndikimin politik të Kostandinopojës, shumë prej tyre pranuan ritin ortodoks; po kur në shekullin XV filloi lufta e gjysmëhënës kundër kryqit, shumë shqiptarë do të njihnin vuajtjet dhe mjerimet e kësaj lufte.
Dhe me pushtimet e njëpasnjëshme që bënë, ngadhënjyesit do të impononin edhe fenë e tyre për cilindo që do donte të ruante të drejtën për të zotëruar toka, si dhe për të pasur disa privilegje. Pikërisht në këtë kohë, për të shmangur rrënimin e tyre, shqiptarët, e disa syresh me bindje të plotë, pranuan fenë e Muhametit. Dhe me përhapjen e kësaj feje, dy sekte do të viheshin përballë njëri-tjetrit, ai i sunitëve, muhamedanë të hershëm, dhe ai i bektashinjve që, tek adhuronin Allahun, njihnin për profet Muhametin por edhe Aliun. Aktualisht, myslimanët e Shqipërisë, të pavarur nga Kalifati, formojnë një bashkësi myslimane shqiptare, dhe kreu i tyre shpirtëror është Krye-Myftiu, i përqendruar në Tiranë. Bektashinjtë kanë për të parë të tyre Krye-Gjyshin, i cili është i përqendruar edhe ai në Tiranë.
Ortodoksët kanë gjithashtu kishën e tyre autoqefale kombëtare, kurse katolikët romakë kanë vartësi nga Vatikani.
Shqiptarët gëzojnë në Shqipëri liri të ndërgjegjes dhe qofshin katolikë, ortodoksë apo myslimanë, të gjithë kanë të drejtën e barabartë për funksionet publike dhe kulti që praktikojnë më me zell është përkushtimi ndaj atdheut.
Pa mjetet e duhura, duke qenë të izoluar për shkak të natyrës malore të vendit, shqiptarët, prapëseprapë kanë pasur nderin t’i bëjnë kauzës së Europës së krishterë një shërbim të çmuar duke ngritur një barrikadë ndaj sundimit aziatik.
Është pikërisht Heroi i tyre kombëtar Skënderbeu, ai që u bë artizan i në vepre të tillë, mburojë përballë tërë asaj ofensive.
Gjon Kastrioti, nga familje fisnike shqiptare, banonte në kështjellën e Krujës dhe mbretëronte në rajonin e Matit dhe të provincave përreth. Sulltan Murati II, që kishte pushtuar një pjesë të Azisë e të Thrakisë, erdhi për të sulmuar princërit fqinjë të Shqipërisë. Gjon Kastrioti po ashtu u sulmua nga trupat e Muratit. Për të shpëtuar popullin e tij, nuk gjeti mënyrë tjetër veçse dha peng katër djemtë që u morën në Adrianopojë. Sulltani helmoi tre syresh, dhe më i vogëli, vetëm nëntë vjeç, e çuditi me bukurinë dhe zgjuarsinë e tij, e rriti kështu së bashku me djalin e tij, Mehmetin, ai që më vonë, do të pushtonte Kostandinopojën. Mësoi aty greqishten, latinishten, turqishten, arabishten, italishten, sllavishten, si dhe zanatin e armëve, në të cilin nuk do vononte të shkëlqente. Në Anadoll, korri fitore dhe do të njihte gradat më të larta dhe krejt lavdet, ndërkohë që sulltani do t’i vinte emrin Skënderbe, domethënë princi Aleksandër.
Gjon Kastrioti sakaq do të ndërronte jetë dhe sulltani e pushtoi krejt vendin brenda një kohe të shpejtë, duke e nënshtruar e duke mbajtur mbyllur në pallat nënën e Skënderbeut dhe të motrën. Skënderbeu ndjeu thellë në shpirt dhembje të tillë që u shndërrua në urrejtje të pamëshirshme ndaj vrasësit të vëllezërve të tij dhe pushtuesit të vendit ku kishte lindur. Priti çastin e volitur për t’u përgjigjur.
Despoti George Brankoviç i Serbisë ishte thyer ndërkohë nga Turqit dhe papa Eugjeni IV porositi Hungarezët, Polakët dhe Transilvanët të shkonin në ndihmë të Serbëve kundër ushtrive turke ku shkëlqente Skënderbeu në atë kohë. Në kulmin e betejës, Huniadi la Vladislavin në kampin e vet dhe niset në krye të 10.000 trupave për të bërë një manovër të fshehtë, duke përparuar në drejtim të Moravës për të zënë në befasi trupat turke.
Skënderbeu tek zbuloi këtë manovër, kuptoi se kishte ardhur çasti për shpagim. Mblodhi aty-aty besnikët e tij shqiptarë që e shoqëronin dhe mori së bashku me ta vendimin për tërheqje; Hungarezët i ranë befasisht ushtrisë turke dhe e shpartalluan. Skënderbeu mbërtheu ndërkohë reis efendiun që mbante vulën zyrtare të sulltanit dhe i diktoi një ferman drejtuar guvernatorit të Krujës, qyteti i tij i lindjes. Fermani urdhëronte që guvernatori t’ia linte postin e tij Skënderbeut.
Guvernatori, duke i besuar këtij urdhri të sulltanit nuk e bën fjalën dysh. Në çast, Skënderbeu mbledh krerët dhe parinë e rrethinave të Krujës, i vë në dijeni të planeve pushtuese dhe armiqësore të sulltanit. Të gjithë në një zë shprehin gatishmërinë për t’i bërë qëndresë sulltanit dhe e shpallin Skënderbeun mbret, ndërkohë që prapsin sulmet e garnizoneve të sulltanit. Skënderbeu ishte në atë kohë njëzet e nëntë vjeç.
Sulltani, me t’u vënë në dijeni të qëndrimit hakmarrës të Skënderbeut ndaj tij, i drejtoi një letër plot qortesë, po prapë e falte për veprimin që kishte bërë.
Skënderbeu iu përgjigj me këto fjalë:
“Nga kampi i tij pranë Krujës, më 12 gusht 1445, Gjergj Kastrioti, ushtar i Jezu-Krishtit dhe Princ i Epirotëve, për Muratin, Princ i Turqve, përshëndetje!…” E përligj më pas qëndrimin e vet dhe deklaron hapur se do të vazhdojë luftën gjer në fund për shpëtimin e atdheut të tij.
Sulltani përgatiti atëherë një ushtri tepër të madhe në numër që e drejtoi vetë kundër Krujës, por u mund dhe iu desh të largohet nga Shqipëria. La aty vetëm dy gjeneralë dhe 25.000 trupa për të mbrojtur disa fronte në kufi me Maqedoninë.
Skënderbeu festoi fitoren në krejt trojet shqiptare dhe, pa lënë kurrgjë pas dore, e përdori gjeninë e vet për të inspektuar qytetet dhe krahinat, për të zhdukur pasojat e luftës dhe për të ringjallur kudo shpirtin shqiptar.
Njëzet e pesë vjet me radhë, ai luftoi me sukses kundër armiqve të Shqipërisë duke u veshur me lavdi. Kështu Turqit, që kishin nënshtruar Azinë, Greqinë dhe kishin pushtuar Kostandinopojën Trebizondën, Valakinë, Serbinë, Bosnjën, pësuan dështim në Shqipëri, gjë që i pengoi të pushtonin Romën dhe të ngrinin flamurin e gjysmëhënës në Kapitol.
Ai mbretëroi për njëzet e dy vjet si Mbret i Shqipërisë, i zgjedhur nga populli i tij, i njohur nga Selia e Shenjtë, nga Venediku, nga Mbreti i Napolit, nga mbreti i Francës, nga princërit e Serbisë, të Valakisë, të Hungarisë, madje edhe nga kundërshtari i tij Mehmeti II, me të cilin përfundoi marrëveshje tregtare.
Pas vdekjes së tij më 1467 [1468], pushtimi islamik u vendos sërish dhe Shqipëria u shndërrua në provincë osmane. E megjithatë, asnjëherë shqiptarët nuk e konsideruan veten si banorë të një vendi të pushtuar, tek përjetuan thjesht administrimin otoman, aq difektoz për më tepër në Europë, por edhe më shumë në Azi, ndërkohë që ruajtën gjuhën, doket, zakonet e tyre dhe sa herë që u jepej rasti, do shfaqnin fuqishëm ndjenjat e tyre separatiste e autonomiste. Kështu ndodhi me Bushatllinjtë, pashallarët trashëgimtarë të Shkodrës, më pas me Ali Pashë Tepelenën, me Himariotët, Suliotët, Malësorët e Mbi-Shkodrës, Mirditorët banorët e krahinës së Matit, që ruajtën gati përherë njëfarë autonomie.
Gjatë Kongresit të Berlinit, u formua Lidhja e Prizrenit për të parashtruar të drejtat kombëtare e për t’i mbrojtur ato. Edhe më pas, më 1909, 1910, 1911, ata luftuan me ashpërsi kundër Xhon- Turqve dhe ashtu sikurse ndodh me hekurin që tek e rreh në kudhër pa pushim, arrin më në fund ta thyesh, po ashtu, pas një numër revolucionesh lokale, një mbledhje e tërë patriotëve shqiptarë u mbajt më 28 nëntor 1912 në Vlorë, ku u ngrit nga Ismail Qemal Vlora, në shenjë pavarësie, flamuri kombëtar, i kuq me shqiponjën e zezë dykrenore. Përpara faktit të kryer, në prani të një populli i gatshëm që më mirë të vdesë se sa të jetojë pa liri, pavarësia e Shqipërisë u njoh nga Fuqitë e mëdha më 20 dhjetor 1912 në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës.
Zotërinj,
Tek pata nderin t’ju flas për zanafillat e Shqipërisë, tek solla në kujtesën tuaj shkurtimisht etapat kryesore të historisë sonë, gjer më 1912, më lejoni t’ju paraqes tani gjendjen e sotme të Mbretërisë së Shqipërisë dhe marrëdhëniet e saj me shtetet fqinje si dhe me shtetet e tjera europiane.
Ahmed Zogu, prejardhur nga një familje e lashtë dhe fisnike shqiptare e Matit, pasi luftoi pareshtur gjatë pesëmbëdhjetë vjetësh për të konsoliduar pavarësinë e atdheut të vet tronditur rrezikshëm, pasi siguroi unitetin e të gjitha krahinave dhe stabilitetin e kufijve të përcaktuar nga Protokolli i Firences, u zgjodh mbret i Shqiptarëve më 1 shtator 1928 nga Asambleja kombëtare, kur kishte qenë më parë President i Republikës së Shqipërisë; u ngjit në fron me emrin “Zogu i parë”.
Shqipëria është sot një monarki demokratike, parlamentare, e trashëguar, në bazë të Kushtetutës monarkike të 1 dhjetorit 1928.
Dy termat “monarki demokratike”, që duken në vetvete kontradiktore, shpjegohen kësisoj: me përjashtim të anëtarëve të Familjes Mbretërore, që mbajnë titullin “Madhëri, Princ, Princeshë”, Shqipëria nuk jep asnjë titull tjetër fisnikërie, dhe Shqiptarët nuk mund të mbajnë kësi titujsh në vendin e tyre. Gjithë shqiptarët janë të barabartë në të drejta e detyra, dhe nuk ekzistojnë privilegjet.
Janë krijuar dy urdhra kombëtare dekorimesh, “Urdhri i Skënderbeut” dhe kohët e fundit “Urdhri Besa”. Vetëm mbreti ka të drejtë t’i japë këto urdhra.
Kushtetuta monarkike që shfuqizonte tërë dispozitat e Kushtetutës republikane, përpunuar nga Asambleja Kushtetuese gjatë rivendosjes së Legalitetit më 21 janar 1925, ia beson pushtetin ekzekutiv Mbretit, që e ushtron këtë pushtet nëpërmjet Ministrave të tij. Mbreti ka gjithashtu të drejtën e faljes dhe të drejtën për të ulur apo ndryshuar ndëshkimet. Pushteti legjislativ ushtrohet si nga Mbreti, ashtu dhe nga Dhoma e Deputetëve. Kjo Dhomë, e zgjedhur për katër vjet, sapo është ripërtëritur dhe përbëhet nga gjashtëdhjetë anëtarë të zgjedhur me votim të përgjithshëm në dy shkallë.
Mbreti përfaqëson shtetin shqiptar si brenda, si jashtë, pret dhe akrediton veprimtarët diplomatikë. Nga ana tjetër, në rast agresioni, mund të shpallë gjendjen e luftës, si dhe përfundon marrëveshje miqësie, aleance etj., duke i dhënë llogari Parlamentit për qëndrimet e tij në pajtueshmëri me interesin e lartë të shtetit.
Shqipëria shpreh gëzim për regjimin e vet monarkik. Populli e mbështet njëzëri sovranin e tij, duke e shfaqur entuziazmin gjatë festave kombëtare dhe shtypi i bashkohet gjithë këtij entuziazmi.
Të huajt, udhëtarët që kanë shkuar në Shqipëri para pesë vjetëve, dhe që janë kthyer përsëri aty, shohin tani një vend krejt të transformuar. Dhe kjo, falë energjisë dhe urtësisë së mbretit të vet, që ka ditur të stimulojë zellin për punë dhe të thyej fuqinë e dembelizmit dhe fatalizmit rrënjosur në popull përgjatë katër shekujsh sundimi osman, duke e zëvendësuar me energjinë dhe përkushtimin ndaj atdheut.
Ndër njëmijë shembuj, do të përmend vetëm një, vëmendjen krejt të veçantë me të cilën Sovrani ynë përkujdeset për edukimin kombëtar: kështu, në Shqipëri, Zotërinj, në mbrëmje, tek dalin nga shkolla, shohim, qoftë edhe nëpër fshatrat e vegjël, të ecin me hap rreshtor vajza të reja duke kënduar këngë patriotike; dhe, si nëna të ardhshme për brezat e rinj, asgjë nuk është lënë pas dore në formimin e tyre si edukueset e para të drejtuesve të ardhshëm të shtetit, të mjekëve të ardhshëm, të avokatëve të ardhshëm, të inxhinierëve të ardhshëm, të punonjësve të ardhshëm të dorës dhe mendjes. Dy cilësitë që ato zotërojnë dhe që duhet t’i zotërojnë plotësisht: guximi dhe vetëmohimi, janë të tilla që duhet të njihen edhe jashtë kufijve, sepse Shqipëria sot kërkon të zërë një vend të denjë për të, të denjë për të shkuarën e saj heroike, të denjë për një shtet të lirë e të pavarur siç është sot nën qeverisjen e sovranit të saj fisnik e gjenial.
Marrëdhëniet e Shqipërisë me shtetet fqinje, Jugosllavinë e Greqinë, janë miqësore dhe me vullnetin e mirë të të gjitha palëve, këto marrëdhënie mund të bëhen përherë e më të përzemërta.
Shqipëria dhe Italia kanë marrëdhënie të shkëlqyera mbështetur në Traktatin e aleancës mbrojtëse, nënshkruar në Tiranë më 22 nëntor 1927. Në bazë të këtij Traktati, përcaktohet shprehimisht se të dyja Palët e larta kontraktuese kanë vendosur të merren vesh për një aleancë mbrojtëse, qëllimi i vetëm i së cilës është forcimi i marrëdhënieve të natyrshme që ekzistojnë fatmirësisht midis të dyja vendeve, për të siguruar një politikë zhvillimi paqësor.
Qeveritë britanike e franceze janë shprehur në favor të zhvillimit të shtetit të ri shqiptar, dhe politikanë të Britanisë së Madhe, burra shteti francezë si d’Estournelle de Constant e Z. Ministër Justin Godart, i kanë sjellë Shqipërisë nga pikëpamja ndërkombëtare një mbështetje të madhe gjatë formimit të saj si shtet i pavarur.
Ne kemi përfaqësues diplomatikë në Athinë, Beograd, Ankara, Sofje, Romë, Paris, Londër, Uashington, si dhe një delegat të përhershëm në Shoqërinë e Kombeve.
Kjo është gjendja e sotme e Shqipërisë, e këtij vendi aq të njohur për bukuritë e veta dhe për pasuritë natyrore, një vend i hapur ndaj shteteve europiane dhe Botës së Re.
Kur më 1930, Konferenca e parë ballkanike u mblodh në Athinë me qëllim që të punohet për afrimin e popujve të ndryshëm të Ballkanit dhe për të intensifikuar marrëdhëniet e tyre ekonomike, populli shqiptar nuk qëndroi moskokëçarës ndaj ftesës që iu bë, po dërgoi delegatët e vet në Athinë, dhe këtë gjë bëri edhe në Stamboll e Bukuresht.
Asnjë ftesë për pjesëmarrje në Konferenca ndërkombëtare, që i është drejtuar qeverisë apo popullit shqiptar, me qëllim që të forcohet bashkëpunimi i çiltër për ruajtjen e paqes, nuk ka mbetur pa përgjigje të favorshme nga ana jonë, sepse Shqipëria, e lirë dhe e pavarur, e quan si detyrë të vet të japë kontributin e saj bashkëpunues për rendin dhe prosperitetin në Ballkan e në Adriatik, ku ajo ka portet e veta të Shëngjinit, Durrësit, Vlorës dhe Sarandës; nën drejtimin e Mbretit të saj, ajo ia kushton tërë përpjekjet e veta paqes në botë, për interesin ndërkombëtar.
Përktheu nga origjinali
Fotaq Andrea