Dr. Bujar LESKAJ
Mirënjohje për studiuesin Enver Memisha – Lepenica dhe veprën e tij kushtuar avokatit nacionalist , Dr.Skënder Muço…
Studiuesi i dytë në të cilën doja të përqëndrohesha në këtë seancë të fundit, është studiuesi i apasionuar i historisë së nacionalizmit shqiptar z.Enver Memishaj – Lepenica, i cili në vitin 2024, vitin e 80 vjetorit të çlirimit, pruri një studim monografik të veçantë mbi luftëtarin e shquar antifashist avokatin dr. Skënder Muço.
Avokati Skënder Muço, i lindur më 1904 në Tragjas është një nga personalitetet e Luftës së Dytë Botërore, personalitet dhe udhëheqës i organizatës së Ballit Kombëtar dhe themelues dhe kryetar i Partisë Social Demokrate.
Në këtë vepër, studiuesi Memisha – Lepenica vlerëson jo vetëm jetën dhe veprën e një luftëtari të shquar antifashist dhe themelues i organizatave politike por i jep një pasqyrë të gjallë të gjithë zhvillimeve politike në vitet 1939 – 1944. Kujtoj këtu që avokat Skënder Muço është dënuar me vdekje nga Zogu si pjesëmarrës në lëvizjen e Vlorës në vitin 1932, është dënuar nga fashizmi Italian në 1942 me sekuestrim pasurie dhe djegien e shtëpisë nga fashistët, është dënuar nga komunistët si udhëheqës i organizatës nacionaliste të Ballit Kombëtar, dhe u pushkatua nga nazistët si një aleat i fortë i qënësishëm, i konsiderushëm i misionit anglo-amerikan, që zhvillonte veprimtarinë e tij në qytetin e Vlorës dhe në rrethinat e Vlorës.
Skënder Muço është një figurë simbol e Luftës Antifashiste, e Luftës së Dytë Botërore, është një nga pjesëmarrësit në Konferencen e Mukjes, ka themeluar gazetën “Mbrojtja Kombëtare”, në Vlorë në vitin 1943 dhe “Zëri i Lirisë” sëbashku me të paharruarën, simbolin e femrës shqiptare Musine Kokalarin. Gjithashtu në shtator të vitit 1942 së bashku me patriotin, ballistin e shquar Hysni Lepenica krijuan çetën e parë antifashiste në Vlorë, çetë e cila morri pjesë në të gjitha aksionet që janë zhvilluar në qarkun e Vlorës, së bashku me forcat e tjera nacional-çlirimtare .
Studimi mbi veprën e dr. Skënder Muços, është një studim i plotë, është një studim të cilin ne do ta promovojmë e publikojmë në Vlorë, ta lartësojmë këtë vepër, në veçanti avokatin e shquar, antifashistin nga fshati Tragjas i Vlorës, simbol i nacionalizmit dhe patriotizmit, simboli dhe bashkëpunëtori i parë i forcave perëndimore në Shqipëri, anglo-amerikanëve.