Një i vdekur pas shkëmbimit të zjarrit në Paris,Policia evakuoi 3000 persona/
Në aeroportin e Parisit, Orly një person u qëllua për vdekje nga policia pasi i rrëmbeu armën një ushtareje. Prokuroria e Përgjithshme Franceze filloi hetimet për terrorizëm.
Sipas agjencisë së lajmeve, AFP që bazohet në burime të Ministrisë së Brendshme franceze sulmuesi sulmoi një ushtare për t’i rrëmbyer armën, ai u fut në një dyqan në aeroportin e Orlys, por në fund ai u qëllua për vdekje nga forcat e sigurisë. Ministri i Brendshëm, Bruno Le Roux u shpreh, se personi nuk ia kishte dalë të kishte në zotërim armën.
Le Roux bëri të ditur, se ky person pak orë më parë në një kontroll rutinë të policisë në Stains, kishte qëlluar kundrejt një polici duke e plagosur lehtë. Sipas të dhënave të policisë, autori vjen nga qarqet radikale myslimane. Në aksionin policor në aeroportin Orly nuk pati lëndime personash të tjerë. Policia evakuoi 3000 persona për arsye sigurie, ndërkohë që trafiku ajror u bllokua, dhe fluturimet janë transferuar në aeroportin Charles de Gaulle. Prokuroria e Përgjithshme franceze filloi hetimet. Orly, aeroporti i dytë më i madh i Parisit, ka qenë shpesh objekt sulmesh.