• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SEANCË SOLEMNE E KUVENDIT TË KOSOVËS

June 12, 2020 by dgreca

-Seancë solemne e Kuvendit të Kosovës, me rastin e 12 Qershorit – Ditës së paqes. Kryeparlamentarja Osmani: Siç ishim dikur unik për lirinë si një akt sublim, sot duhet të jemi unik në idenë për paqe të qëndrueshme, duke mbrojtur sovranitetin e shtetit tonë në çdo pëllëmbë të territorit të tij/

-Video-mesazhe nga katër personalitete te njohura ndërkombëtare: ish-senatori amerikan Bob Dole, ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s George Robertson, ish-kryeministri italian Massimo D’Alema dhe komandanti i KFOR-it, Michele Risi/

-Në shenjë kujtimi për fëmijët e vrarë, në oborrin e Kuvendit mbillen 1133 lule/


PRISHTINË, 12 Qershor 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Me rastin e 21-vjetorit të çlirimit të Kosovës dhe shënimit të Ditës së Paqes, Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryeparlamentares dr. Vjosa Osmani, u mblodh sot në seancë solemne. 

Që në hyrje të seancës, kryetarja Osmani bëri të ditur se për shkak të situatës pandemike dhe masave të ndërmarra, prezenca e mysafirëve në këtë seancë ka qenë e pamundur. 

Në vazhdim, ajo iu drejtua Kuvendit me një fjalë rasti: 

“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës, 
Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar!

Ndjehem tepër e nderuar që mund t’ju drejtohem sot nga foltorja e tempullit të demokracisë, Kuvendit të Republikës, dhe t’jua përcjell urimet më të mira me rastin e 12 qershorit, ditës së lirisë dhe çlirimit të shtetit tonë të dashur, Republikës së Kosovës për të gjithë qytetarët pa dallim. 

Shkaku i rrethanave të krijuara nga pandemia Covid-19 dhe duke respektuar rekomandimet e institucioneve shëndetësore për respektim të distancës sociale, na është pamundësuar që kjo seancë solemne të mbahet me mysafirë të ftuar, të shumtë, të cilët i janë gjetur vendit tonë në ditët më të vështira dhe të cilët do ta madhështonin këtë solemnitet. 

Pjesëtarët e trupave paqeruajtëse të NATO-s, sot nuk janë me ne në këtë sallë, por festojnë me ne. Ata kanë bërë shumë që ne sot të jemi këtu, të ndihemi të lirë, të jetojmë të lirë dhe ta ndërtojmë gradualisht Kosovën që e duam ne në një shtet ku sundon rendi e ligji, ku garantohet siguria humane dhe fizike në çdo cep të vendit dhe ku shteti mbi të gjitha është në shërbim të mirëqenies së qytetarëve të vet.

Të dashur qytetarë!

Si sot, 21 vjet më parë, u realizua përfundimisht ëndrra dhe përkushtimi i brezave të tërë, të cilët jo vetëm që e ëndërruan lirinë por edhe luftuan për të, të bindur se politikat shfarosëse dhe dhuna e regjimeve nuk mund ta shuajnë kurrë vullnetin e një populli për të jetuar i lirë e i mosvarmë. 

Atë ditë në Kosovë zbarkuan trupat e parë të Aleancës më të fuqishme në histori të njerëzimit- trupat e NATO-s. Pas 78 ditë bombardimesh të caqeve ushtarake jugosllave dhe të policisë serbe, shpresa ngadhënjeu. Kosova e pa dritën e lirisë, teksa qytetarët e saj morën frymë, e përjetuan atë që njihet si ditë e lirisë, apo ditë e çlirimit.

Hyrjes së trupave të NATO-s u parapriu marrëveshja e Kumanovës, e 9 qershorit, e cila i dha fund pranisë së regjimit jugosllav e serb në Kosovë. E, me hyrjen e NATO-s në Kosovë, u rilidh aleanca jonë me popujt e lirë, aleancë të cilën ne e kemi dëshmuar së paku në tri momente jetike në historinë e popullit tonë, momente që e kanë shënuar jo vetëm ekzistencën tonë, por edhe identitetin tonë pro-perëndimor, të cilit i përkasim qysh në krye të herës: projekti integrues i Skënderbeut, Lidhja e Prizrenit, 142-vjetorin e së cilës e festuam dy ditë më parë, si dhe projekti ynë nacional-kulturor i bashkimit të të gjithë shqiptarëve gjatë viteve të ’90-ta.

Projekti i parë, ai i Skënderbeut, e krijoi aleancën e përbashkët me qytetërimin perëndimor, duke e mbrojtur atë në portën hyrëse të saj, në Arbëri. Lidhja e Prizrenit e ridëshmoi përkatësinë tonë kombëtare, sensibilizoi nevojën e rizgjimit kombëtar karshi copëtimit të tokave shqiptare dhe depërtimit nga trojet tona stërgjyshore. Lëvizja për pavarësi e viteve ’90, ndërkaq, e vulosi përfundimisht orientimin tonë properëndimor dhe krijimin e miqësive dhe aleancave. Ajo ishte nismëtare e ndryshimit idelologjik në Ballkanin e trazuar dhe të stërkequr nga sistemi komunist, duke e sforcuar identitetin tonë politik e historik dhe duke e bërë të mundur jetësimin e shtetit të Kosovës. Ajo e krijoi solidaritetin e thellë e të papërsëritshëm në mes qytetarëve të këtij vendi, si dhe e ringjalli frymën e lirisë, e cila, duke u ripërtërirë, ka mbijetuar gjithmonë në shpirtin tonë. Përfundimisht, u dëshmua në Kosovë më shumë se kudo tjetër në botë se liria e jashtme mund të vijë vetëm nëse e fitojmë lirinë e brendshme. Lëvizja na mësoi që, sikur thoshte modeli filozofik i Rugovës, Pjetër Bogdani, në mundime ta shpalosim guximin, në rreziqe ta ruajmë besimin, ndërsa në turbullira të veprojmë me qetësi. Prandaj, ne u çliruam edhe sepse e fituam lirinë e brendshme, sepse guxuam të ëndërrojmë e luftojmë për liri, sepse e ruajtëm besimin dhe sepse, mbi të gjitha, këmbëngulëm në vlerat humane kur fqinjët tanë verior i shkelnin ato.

Aleancat historike të ndërtuara ndër vite ishin bazë e fortë që në orët e liga, në të cilat kaloi Kosova, të luajnë rol jo vetëm historik, por edhe ta rinisin jetën. Këto aleanca na shpëtuan nga zhbërja, prandaj sot jemi këtu në këtë përvjetor edhe falë tyre dhe u përulemi me pietet. 

Rrugëtimi ynë nuk do të përmbyllej kurrë pa përkushtimin e miqve tanë të shumtë gjithandej globit, të cilat lëvizja i krijoi dhe i ruajti me përkushtim. Te cilat populli i Kosovës në çdo cep të saj i ndërtoi e i ruan edhe sot. Ai nuk do të ishte i mundur sikur presidenti i SHBA-ve në atë kohë, presidenti Bill Clinton, të mos e dëgjonte lutjen e Nënë Terezës që ta ndihmonte dhe ta ruante popullin e saj shqiptar; pa përkushtimin e vetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj parimeve të lirisë dhe pa këmbënguljen e miqve tanë në kongres dhe senat, por edhe të gjitha administratave, edhe të demokratëve, dhe të republikanëve, përfshirë presidentin Bush dhe presidentët e tjerë që erdhën pas tij. Respekt e mirënjohje të pafund Kosova do të këtë edhe për sekretarën e shtetit znj. Medeleine Albright si dhe këmbënguljen e kryeministrit Blair, për këmbënguljen dhe ndihmën e kancelarit Shroeder, presidentit Shirak, kryeministrit Massimo D’alema, sekretarit gjeneral të NATO-s Javier Solana, dhe gjeneralin e NATO-s në atë kohë Ëesley Clark.  Por edhe për shumë e shumë emra të tjerë qe na u gjenden në kohërat më të rënda.

Ne do t’u jemi përjetësisht mirënjohës atyre për rreshtimin e tyre në krah të popullit të Kosovës në një moment të rëndë historik, kur shfarosja dhe dëbimi ishin bërë projekt hegjemonist, të cilin po kujdesej ta realizonte regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Për një rrezik të tillë kanë folur edhe dy sekretarë të Përgjithshëm të NATO-s, Sekretari Stoltenberg si dhe së fundi edhe zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana. Që të dy konfirmuan që NATO-ja intervenoi në Kosovë për të parandaluar gjenocidin.

Kjo përkrahje tashmë është shndërruar në miqësi të përhershme, të cilën ne do të dimë ta kultivojmë më tej e ta ruajmë, ashtu siç na mësuan paraardhësit tanë. Sepse, është në traditën tonë që miqësitë t’i krijojmë e t’i ruajmë. 

Por, kur e kujtojmë 12 qershorin e 99-ës, ne nuk mund të mos e kthejmë vëmendjen në përpjekjet e pafundme të gjeneratave të tëra, të bijve dhe bijave të këtij vendi, të cilët, të bindur fort se liria është e arritshme, nuk pushuan kurrë së punuari e luftuari për të. Në këtë ditë, ne e kujtojmë dr. Ibrahim Rugovën, ikonën e përbashkët të lirisë, njeriun e dijeve, liderin shpirtëror të shqiptarëve, njeriun për të cilin ish-kryeministri britanik, z. Tony Blair, mes tjerash kishte thënë: “Më 1998 ai erdhi në një vizitë në Doënings Street. Ishte një person i heshtur dhe modest. Deri sa po dilte, më tha: të lutem, një gjë të vetme ta kërkoj. Mos lejo që njerëzit e mi të vuajnë më. Ndjej për ata atë që do të kishe ndjerë për popullin tënd dhe ndihmo. I thashë se Britania do të ndihmonte. Ia dhashë besën time Rugovës, fjalën e nderit, dhe e mbajta, e çliruam Kosovën”. 

Po kështu, i kujtojmë sot me pietet e me nderimet më të larta heronjtë tanë, të cilët lirinë e vendit e patën ideal jetësor. E kujtojmë komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare, Adem Jasharin, gjithë familjen Jashari, e cila dha gjithçka për Kosovën, u sakrifikuan për lirinë e vendit, dëshmorët e heronjtë e këtij vendi, dhe njëkohësisht i kujtojmë me dhimbje mbi 1.600 të pagjeturit tanë, bijtë e nënë Ferdonijes e të shumë nënave të tjera, i kemi në vëmendje vuajtjet e grave që i mbijetuan dhunës seksuale gjatë luftës, i kujtojmë martirët e shumtë, përfshirë gratë, fëmijët e pleqtë, si dhe të gjithë njerëzit e mirë të këtij vendi, të cilët sakrifikuan çdo gjë për lirinë e vendit të tyre; në këtë ditë të veçantë e nderojmë edhe gjeneratën e deputetëve të këtij kuvendi, të cilët më 1990 e shpallën Deklaratën e Pavarësisë si akt themeltar të shtetit të Kosovës dhe, më pas, Kushtetutën e parë të vendit, atë të Kaçanikut; si vullnet qytetar, i shprehur me Deklaratën e shpalljes së pavarësisë së vendit. I falënderojmë të gjitha ato gra dhe burra që e jetësuan këtë vullnet me Deklaratën e Pavarësisë të vitit 2008.

Të dashur qytetarë!

Ne e njohim mirë peshën e lirisë, sepse e kemi përjetuar për shekuj të tërë mungesën e saj. Por, po kështu, ne mund të dëshmojmë se sa e madhe është vlera e saj dhe i rëndë çmimi që kemi paguar. Pavarësia e Kosovës e ka vulosur fatin dhe lirinë e popujve në Ballkan. Ne, qytetarët e Republikës së Kosovës, e kuptojmë se çfarë do të thotë të rritesh nën një regjim shtypës, në të cilin rrënjët etnike janë argument i mjaftueshëm për të qenë i shtypur e i vrarë; ne e kemi përjetuar këtë dhe mund të dëshmojmë për të. Historinë e kemi në krah. Kosova ka numrin më të madh të fëmijëve të vrarë e të masakruar në raport me numrin e banorëve krahasuar me të gjitha luftërat në territorin e ish-Jugosllavisë.  Prandaj, dua që sot ta kthejmë vëmendjen veçanërisht kah këta 1133 fëmijë, shumë prej tyre foshnje vetëm disajavëshe ose disamuajshe, fëmijë të vegjël të cilët u vranë sepse ai regjim nuk e kursente askënd.

Në këtë Ditë të Lirisë, nga kryeqyteti i shtetit të Kosovës kemi vetëm një mesazh. Siç ishim dikur unik për lirinë si një akt sublim, sot duhet të jemi unik në idenë për paqe të qëndrueshme, duke mbrojtur sovranitetin e shtetit tonë në çdo pëllëmbë të territorit të tij. Ne jemi të gatshëm ta kultivojmë paqen e stabilitetin rajonal siç kemi bërë gjithnjë. Kjo ishte edhe porosia e presidentit Klinton në vitin e tij të parë në Ferizaj pas luftës kur tha: “Ne e fituam luftën, por tash është koha qe ju të ndërtoni paqen”. 

Por, nuk do të mund të arrijmë në këtë pikë, nëse nuk i kujtojmë të gjithë ata që sakrifikuan për këtë ditë, posaçërisht këta 1133 fëmijë e vrarë e të zhdukur gjatë luftës. Ata do të jenë peng i yni edhe për aq kohë sa nuk do të mund të zbardhet fati i secilit fëmijë të zhdukur dhe derisa akterët e këtyre vrasjeve e masakrave nuk do të përballen me drejtësinë. 

Sot i kujtojmë të gjithë në zemrat e mendjet tona. Më lejoni të ndaj vetëm disa nga storjet e ëndrrat e tyre.

Kujtojmë Burimin i cili ishte vetëm 12 vjeç. Ai kishte pasion recitimin e leximin, aq sa në oborr ruante abetaren dhe fletoren, në rast se shtëpia i digjej apo në rast se do dëboheshin. 

Kujtojmë fëmijët e familjes Muqolli të Poklekut të Vjetër, të cilët me 17 prill 1999 u masakruan e u vranë e më pastaj u djegën kufomat e tyre dhe familjarëve të tyre.

Kujtojmë fëmijët e familjes Deliu nga Abria e Epërme të cilët një ditë pasi që u strehuan në mal të gjithë e gjetën vdekjen në mënyrën më mizore më 26 shtator 1998. 

Kujtojmë Hajriun 12-vjeçar që donte të bëhej polic për t’i mbrojtur të tjerët dhe jo për t’i vrarë e dëbuar, vëllain e tij Agonin e motrën e tyre Dardanen  që donin të bëheshin mjekë. Me 12 qershor 1999 në Pejë, në mbrëmje, gjersa ishin në gjumë, një breshëri plumbash automatikësh dhe granatash ua ndërpreu atyre ëndrrat e tyre përgjithmonë.  

Kujtojmë fëmijët e vrarë të familjes Berisha në Suharekë. Kujtojmë të gjitha ata fëmijë të rënë në çdo cep të Kosovës.  

Kujtojmë fëmijët e rënë të familjes legjendare Jashari. 

Kujtojmë po ashtu Anitën, Lirijen, Çlirimtarin, Arianitin e të gjithë fëmijët që iu ndërpre jeta në një mujorin e parë.

Kujtojmë fëmijët e vrarë në bodrumin e shtëpisë së familjes Vejsa në Gjakovë. 

Kujtojmë Dafinën , foshnjën 6 muajshe të cilën forcat serbe e ekzekutuan në kraharorin e nënës dhe ajo ishte e pagjetur deri para pak vitesh kur u rivarros nga prindërit dhe familja.  

Kujtojmë secilin fëmijë që u shndërrua në lule të lirisë.

Ta kujtojmë nënën shtatzënë Lirijen, e cila, e barti barrën e së ardhmes së Kosovës në trupin e saj dhe e skaliti të ardhmen e vendit me emrin e saj. Ajo nuk arriti t’i jepte jetë foshnjës së saj, sepse atë ua ndërpreu regjimi gjenocidal serb, por arriti t’i jepte jetë dhe kuptim shtetit të ardhshëm të fëmijëve të tjerë. 

Sot shkëputa vetëm disa emra e disa rrëfime nga mijëra e mijëra familje që kanë dhënë më të shtrenjtit e tyre, por le të sigurohemi së bashku që emrat, rrëfimet  dhe ëndrrat edhe të fëmijëve të tjerë të vrarë të dëgjohen e të tregohen, sepse është më e pakta që ua kemi borxh atyre.

Për ta jetësuar këtë kujtim, i propozoj Kuvendit të Kosovës që, me mirëkuptimin e deputetëve të Republikës dhe në përputhje me procedurat e përbashkëta që i kemi, njërën nga ulëset në qendër të sallës ta mbajmë të rezervuar si dedikim fëmijëve të pafajshëm të këtij vendi, të cilëve lufta ua këputi jetën ende pa e nisur mirë. Ndonjëri prej tyre sot do të mund të ishte deputet, sepse ishte në moshën e shume prej neve. Do të mund të ishte përfaqësuese e popullit në Kuvend. Prandaj, le t’ua kushtojnë atyre një ulëse dhe t’i vendosim ata në qendër të kësaj salle, sepse ata janë epiqendra e sakrificës së popullit tonë dhe t’i mbajnë në qendër të vëmendjes sot e përherë. Kjo ulëse do të ishte thirrje e përhershme dhe reflektim për të gjithë ata që flasin nga kjo foltre, sot e kurdo, që ta kthejnë vëmendjen kah ta, ta mbajmë të freskët kujtimin për ta, e të punojmë sa duhet e si duhet për gjeneratat e ardhshme.

Sivjet ne e festuam ditëlindjen e 12-të të republikës. Por, ndërsa po i numërojmë përvjetorët e lindjes dhe të rritës së saj, ora e këtyre 1133 fëmijëve të vrarë është ndalur. Distanca mes moshës së tyre e moshës së republikës po rritet, siç po rritet edhe zbrazëtia që kanë lënë ata në familjet e tyre dhe në gjithë vendin. Fytyrat e tyre janë thirrje e përhershme për ne. Fytyrat e tyre janë thirrje e përhershme për drejtësi. Ata do të na rrijnë përballë e do të na flasin çdo ditë. Së bashku me plagën e mbetur hapur: të pagjeturit.  

Të nderuar deputetë!

Historia nuk do të na falë nëse ne nuk bëjmë përpjekje të hapim një faqe apo kapitull të ri, pa e lexuar e rilexuar me kujdes faqen e së djeshmes dhe të sotmes dhe prej saj të nxjerrim mesazhet dhe qëndrimet e duhura për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë.
Zoti i bekoftë familjet tuaja!
Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës!
Zoti e bekoftë Republikën tonë!”. 

Në fund, deputetët ndoqën video-mesazhet nga katër personalitete te njohura ndërkombëtare: ish-senatori amerikan Bob Dole, ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s George Robertson, ish-kryeministri italian Massimo D’Alema dhe komandanti i KFOR-it, Michele Risi. 

Kryeparlamentarja Osmani tha se mesazhe urimi janë pranuar edhe nga personalitete të tjera të rëndësishme ndërkombëtare. 
 

NË SHENJË KUJTIMI PËR FËMIJËT E VRARË, NË OBORRIN E KUVENDIT MBILLEN 1133 LULE

Pas seancës solemne të Kuvendit, kryetarja dr. Vjosa Osmani dhe deputetë të tjerë, dolën në oborrin e Kuvendit, ku, në shenjë kujtimi për fëmijët e vrarë gjatë luftës së fundit, janë mbjellë 1133 lule.

Kryeparlamentarja Osmani tha se kujtimi për 1133 fëmijët e vrarë do të jetë i përhershëm.

“Në kujtim të 1133 fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, luleve të bardha të Kosovës, që u këputën ende pa çelur mirë, me ëndrrën e fjetur mbi ballë, por që u shndërruan në lulen e lirisë së saj. Këtu i kemi 1133 lule që do t’i mbjellim bashkë me deputetët e pranishëm, në kujtim të përhershëm të secilit prej tyre”, theksoi kryeparlamentarja Osmani.  

Filed Under: Politike Tagged With: 12 qershori, Behlul Jashari, Dita e Paqes, Seance Solemne

Pozita dhe opozita nuk e shënojnë bashkë as 12 Qershorin

June 13, 2015 by dgreca

Data 12 Qershor paraqet një ditë sublime për popullin e Kosovës, ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Këto komente, ai i bëri në një seancë të veçantë të Kuvendit, kushtuar Ditës së Paqes, që për shumëkënd në Kosovë nënkupton edhe ditën e çlirimit. Në këtë datë, 16 vjet më parë, pas fushatës 78-ditëshe të bombardimeve mbi caqet ushtarake e policore serbe, rreth 50 mijë trupa të NATO-s patën zbarkuar në Kosovë, me çka i kishin dhënë fund dhunës që pushteti i Sllobodan Millosheviqit që po ushtronte mbi popullatën civile të Kosovës.Për të shënuar këtë datë, Kuvendi kishte thirrur një seancë të veçantë, ku në vend të debateve politike, u dëgjuan vepra të njohura artistike të kompozitorëve vendas e ndërkombëtar të interpretuar nga Filarmonia e Kosovës.

Me këtë rast, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se kjo datë, paraqet ditën e triumfit të lirisë mbi shtypjen dhe tiraninë.

“Kjo është një ngjarje e veçantë në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës. Një koncert festiv i Filarmonisë së Kosovës në nderim të 12 Qershorit. 12 Qershori është një ditë sublime për popullin e Kosovës, por edhe për vlerat e paqes dhe humanizmit. 12 Qershori është dita e triumfit të lirisë njerëzore mbi shtypjen dhe tiraninë”, ka thënë Veseli.

Megjithatë, edhe kjo datë nuk ka kaluar pa ndasi, të cilat për një kohë tashmë janë të pranishme në skenën e këtushme politike.

Opozita e ka bojkotuar këtë seancë. Sipas opozitës, koalicioni qeverisës edhe kësaj radhe është përpjekur që të organizojë solemnitete për të krijuar imazhe të rrejshme të gjendjes në Kosovë, përderisa popullata po ballafaqohet me varfëri të skajshme.

Deputeti Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje ka sqaruar se një prej arsyeve të mungesës së opozitës, ishte edhe refuzimi që në seancën e së premtës, përveç kryetarit të Kuvendit, të flisnin edhe përfaqësuesit e partive opozitare.

“Këto seanca simbolike, të cilat kanë filluar të shtohen kohëve të fundit, po bëhen sidomos nga kryetari i Kuvendit me qëllim që të shfrytëzohet Kuvendi i Republikës së Kosovës për ta krijuar imazhin e një Kosove pa probleme, si një vend në të cilin po lulëzon demokracia, po ka zhvillim ekonomik, po ka vende të punës, por ne jemi të bindur që saktësisht e kundërta është e vërtetë“, ka thënë Konjufca.

Seanca, është bojkotuar edhe nga dy subjektet tjera opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma.

Përndryshe, 16 vjet pas çlirimit dhe 7 vjet pas pavarësisë së saj, Kosova vazhdon të përballet me sfida të shumta, përfshi zhvillimin ekonomik, shkallën e lartë të papunësisë, sundimin e rendit dhe ligjit si dhe sfidën e shtrirjes së sovranitetit në gjithë territorin e saj. Po ashtu, Kosova po ballafaqohet me probleme serioze në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ngjashëm edhe me vendet tjera, Kosova po përballet edhe me sfidën globale të luftimit dhe parandalimit të ekstremizmit fetar.

Ndërkaq, nga aspekti i jashtëm, Kosova mbetet ende një vend që ka probleme me subjektivitetin e saj shtetëror. Mosnjohja e saj nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian vazhdon t’i krijojë probleme në proceset integruese. Po ashtu, shteti më i ri evropian, mbetet edhe vendi më i izoluar në Evropë.

Kurse, kontestimi i shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë që mbështetet nga Rusia si vend anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, i pamundëson Kosovës që, tash për tash, të llogarisë në anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. (Kortezi:Ziojadin Gashi?

Filed Under: Komente Tagged With: 12 qershori, opozita e pozita, te dnare

Artikujt e fundit

  • GADISHULLI BALLKANIK  
  • Lindja e Mesme, Trump dhe kthimi në Realpolitikë
  • HISTORIA E KRYEVEPRES SË NDOC MARTINIT
  • SI LETRAT BRENDA SHISHEVE…
  • Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror
  • SI U HOQ BUTRINTI NGA DUART E PUBLIKUT
  • Të arratisurit nga Shqipëria deri më 31 tetor 1990
  • Nga lufta e Kosovës, në Distriktin 14-të në New York
  • Hieroglifet e mallit…
  • Një ftesë për shqiptarët e Amerikës
  • VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR NË 50 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT ABAS KUPI
  • Si e ka portretizuar Kosova sportin në pullat e saj postare
  • Balluku nuk është rasti, është testi!
  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT