• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MEMORIA E KOMBIT- Dr. Ibrahim Rugova – President i Pavarësisë së përjetshme të Kosovës

January 21, 2021 by dgreca

-Sot, 15 vjetori i shuarjes së Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, ideator dhe arkitekt i Pavarësisë së Kosovës/

-“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Rugova/

-Intervista ekskluzive që kam zhvilluar me Presidentin historik të Kosovës,  Dr. Ibrahim Rugova që nga e para më shumë se çerek shekulli më parë – e Shtatorit 1994 deri te e fundit në Shkurt 2005 dhe deklarata tjera/

  -Raportime të Janarit 2006: GEORGE W. BUSH: HUMBJA E RUGOVES NE KETE KOHE VENDIMTARE, TRAGJIKE – Presidenti i SHBA i shkruan familjes së Rugovës dhe popullit të Kosovës; PRISHTINË, FLAMURI AMERIKAN ULET NË GJYSMË SHTIZË …/

-Me rastin e shuarjes në 21 Janar 2006 të Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova, Presidenti Amerikan Bill Clinton shprehej: “Kam pasur nder ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”…

-Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja e 27 Janarit 2006: Bota nderoi Presidentin Historik të Pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova/

 -Disa nga raportimet që kam bërë para 15 vitev, në Janar 2006/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 21 Janar 2021/ Përkujtohet sot në 15 vjetorin e shuarjes Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në prag të përvjetorit të 13 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ideator dhe arkitekt i së cilës ishte.

Homazhet kanë nisur në mëngjes, në veprimtaritë përkujtimore theksohet se  në lëvizjen për liri e pavarësi Dr. Ibrahim Rugova u bë simbol i rezistencës me përkrahjen e gjithë popullit të Kosovës, elitës intelektuale, patriotëve dhe të botës demokratike perëndimore.

Që para tre dekadave, Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për Kosovën shtet të pavarur. “Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkobëtar si fazë kalimtare”, theksonte e ritheksonte ai.

Dr. Ibrahim Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, në 23 Dhjetor 1989 u bë themeluesi dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila më shumë se parti politike lindi si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.

Pas Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, që shpallte Kosovën Republikë, si dhe Referendumit për Pavarësi të fundshtatorit 1991, në 24 Maj 1992 Rugova në zgjedhjet e para pluraliste nacionale parlamentare e presidenciale u zgjodh President i Republikës së Kosovës, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Si gjithmonë, edhe në 4 Mars 2002, duke u inauguruar në Parlamentin e Kosovës President i pas zgjedhjeve të para nacionale të pasluftës – në liri, Rugova shprehej: “Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’”.

Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.

 “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Ibrahim Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën e parë ekskluzive që kam zhvilluar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) para më shumë se çerek shekulli, derisa bisedonim gjatë ditën e enjëte të 22 Shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, po edhe në raste të tjera, e falënderonte e vlerësonte shumë Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti Rugova në intervistë.

Ajo intervistë e parë e një presidenti të Kosovës për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë zhvillohej në kohë të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova, në intervistën ku fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

Në intervistë, Presidenti Rugova tek fliste atëherë si për ëndërra parashikonte ngjarjet që pasuan, theksonte se “kishte kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta dhe më pas të bisedohej me serbët për ardhmërinë e Kosovës”. 
“Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë. Kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”, theksonte Rugova. 
Ai besonte se mbrojtja ndërkombëtare në Kosovë do të mbërrinte. 

“Në planin ndërkombëtar ideja për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë shqyrtohet, do të thotë është marrë në konsiderim, dhe shikohen mundësitë si të aplikohet kjo dhe si të veprohet në këtë drejtim”, shprehej Presidenti Rugova.
Pyetjes se çfarë do të thotë politikë globale shqiptare dhe si mund të realizohet ajo në praktikë, në kushtet e ndarjes së shqiptarëve me shumë kufij, Presidenti Rugova iu përgjigj: “Kjo politikë do të shembë muret mes shqiptarëve”.

“Praktikisht mund të themi se politika globale shqiptare ka nisur të realizohet. Përkundër pengesave të shumta, që ka sidomos Kosova, sot kemi kontakte të ndryshme, bashkëpunim, qoftë në planin kulturor, në planin arsimor, në planin politik. E kam thënë disa herë, por vazhdimisht duhet të përsëriten gjërat, se për herë të parë ne shqiptarët po bashkëpunojmë në planin politik”, theksonte Presidenti historik i Kosovës. 
 “Në këtë politikë globale shqiptare respektohet vullneti politik i shqiptarëve të Kosovës, pastaj i shqiptarëve në Maqedoni, i shqiptarëve në Mal të Zi e në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë. Do të thotë se kemi një vizion se ç’duhet të bëjmë në këtë drejtim. Dhe, mund të them se politika globale shqiptare përditë është prezente dhe realizohet hap pas hapi, nuk është diçka abstrakte”, shprehej ai. 
Rugova vlerësonte se, “politikë globale është se sot Shqipëria më shumë se kurrë e ndihmon çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në planin ndërkombëtar”. “Po ashtu, edhe Kosova me institucionet e saj, brenda dhe jashtë, e ndihmon Shqipërinë dhe në këtë plan ka një bashkëpunim, një mirëkuptim dhe një marrëveshje, që nuk e kemi pasur më parë ne shqiptarët”, vijonte ai. 

Në 11 Tetor 1991, në Prishtinë, ishte miratuar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova.  Deklarata kishte tre opsione për zgjidhjen e çështjes shqiptare.

Presidenti Rugova në intervistën për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë vlerësonte se, “ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar”, se “opcioni i parë ishte një Kosovë e pavarur e neutrale”, dhe “që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër,  të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale”.

Presidenti i Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në konferencën për shtyp  të para 23 viteve – 6 Shkurt 1998 duke u përgjigjur në pyetjet që i bëja theksonte se Bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërhyjë në Kosovë para se të ndodhë konflikti, ndërsa reagimi si komb i shqiptarëve është normal dhe e drejtë e çdo populli të rrezikuar.

E pyeta se, duke pasur parasysh intensitetin e shpejtësinë e zhvillimeve të rrezikshme në Kosovë, a priten masa të mjaftueshme e me kohë të bashkësisë ndërkombëtare për parandalimin e konfliktit, ndërsa Presidenti Rugova u përgegjegj:

“Ne kemi kërkuar që bashkësia ndërkombatare të intervenojë në Kosovë para se të ndodhin konfrontimet, e jo pasi të ndodhin, sepse do të bëhej vonë, dhe kemi bërë apel që të çmohet ajo që ka sakrifikuar populli i Kosovës për shumë vite që ta evitojë konfliktin. Masat parandaluese ndërkombëtare në radhë të parë duhet të jenë një presion shumë më i madh mbi Beogradin që ka përqëndruar forca të mëdh dhe kërcënon që edhe ushtarakisht ta godasë Kosovën”.

Në pyetjen tjetër që i bëra, se si i komenton deklaratat e politikanëve shqiptarë në Shqipëri, Maqëdoni, etj., për reagim si komb në rast konflikti në Kosovë, presidenti Rugova u përgjegj:  “Është i natyrshëm dhe mëse normal ky qëndrim i Shqipërisë, përkundër vështirësive që ka ajo sot. Shqiptarët janë të organizuar si shtet e si shoqëri edhe në Kosovë, edhe pse nën okupim. Edhe shqiptarët në Maqedoni kanë një organizim, që dita-ditës po përparon më shumë. Kemi tërhequr vërejtjen dhe të gjithëve u është bërë e ditur se po të fillojë diçka, më e keqja, në Kosovë, atëherë i gjithë rajoni do përfshihej, edhe Shqipëria, Maqedonia, Greqia, gjithësesi Serbia,  Mali i Zi dhe vende të tjera. Prandaj, është një kujdes i shtuar i bashkësisë ndërkombëtare”.

Presidenti Rugova i bëri thirrje Beogradit që t’i kthehet dialogut me ndërmjetësim ndërkombëtar për Kosovën, që të  mos e provokojë edhe më tej situatën dhe të ndërpresë dhunën. Ai tërhoqi vërejtjen edhe për seriozitetin e pohimeve se në Vojvodinë (krahinë në Serbi) regjimi serb po rekruton rezervistë për t’i dërguar në Kosovë…

Me Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova kam zhvilluar intervista ekskluzive, së pari për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë e pastaj të tjera për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, isha edhe në konferencat e shumëta për shtyp që mbante para, gjatë e pas luftës në Kosovë, ku bëja pyetje e merrja përgjigje, jam takuar edhe në raste të tjera…

Para 22 viteve, në 5 Mars 1999, një takim i Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova me Senatorin Amerikan Robert Doll – të Dërguarin e Posaçëm për Kosovën të Presidentit të SHBA Bill Clinton, ishte edhe një paralajmërim lirie. Takimi shumë i rëndësishëm u mbajt në Shkup, pasi regjimi kriminal okupator serb e kishte pamundësuar në Prishtinë.

Ishte koha kur konferenca ndërkombëtare për Kosovën – Konferenca e Rambujesë, e nisur në 6 Shkurt 1999,  u ndërpre në 23 Shkurt pa rezultate përfundimtare, ndërsa vazhdimi i saj u thirr për datën 15 Mars në Paris.

Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova,  në Prishtinë i kthyer nga Rambujeja e para nisjes përsëri për atje drejt Parasit në një konferencë shtypi në 5 Mars paralajmëronte nënshkrimin  para 15 Marsit 1999 të Marrëveshjes së Rambujesë, për të cilën një ditë më vonë dha miratimin edhe Kuvendi Republikës së Kosovës së Deklaratës së 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990. Në konferencën për shtyp ku ishte edhe korrespondenti tash i Gazetës DIELLI – organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, Presidenti Rugova paralajmëronte edhe vendosjen e NATO-s në Kosovë…

Dhe, vetëm pas më pak se tre javësh, në 24 Mars 1999 filloi fushata ajrore e NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër caqeve ushtarake serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, pas së cilës nga mëngjesi i  Ditës së Lirisë -12 Qershorit 1999 forcat paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s nisën të hynin në Kosovë,  në vendin që në 2021-tën feston 22 vjetorin e Lirisë e 13 vjetorin e Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008.

Ashtu si paralajmëronte Presidenti Rugova, në mes të marsit përfaqësuesit e Kosovës nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë/Parisit për Kosovën, ndërsa Beogradi – pala serbe refuzoi ta nënshkruajë. Ishte hapur rruga për ndërhyrjen ushtarake për Kosovën të NATO-s, forcës më të madhe planetare, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 Në 29 Maj 1998, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin Amerikan Bill Clinton. “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”, deklaronte Presidenti Rugova pas takimit. Ndërsa, Presidenti Clinton tha se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s…

Në mbrëmjen e 24 Marsit 1999, kur ndodhi ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s me bombardimin e caqeve të forcave kriminale serbe, në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve të goditjeve nga qielli të aviacionit të forcës më të madhe planetare shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.

“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodhë në Kosovë është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton,  derisa nga Shtëpia e Bardhë  i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s…

Njëmbëdhjetë vite pas takimit në Uashington, në 1 Nëntor 2009 në Kosovën e lirë Presidenti Amerikan Bill Clinton, në fjalën e tij në Kuvendin e Republikës kosovare, por edhe në Sheshin me Emrin e Shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar. 
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, tha Presidenti amerikan Clinton. 
“Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”,  ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve, Clinton gjatë vizitës në Kosovë.

Me rastin e shuarjes në 21 Janar 2006 të Presidentit historik të Kosovës Rugova, Presidenti Amerikan Clinton shprehej: “Kam pasur nder ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”…

 
Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 i hyrjes së NATO-s në Kosovë prirë nga Amerika, për Presidentin historik e kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ngjarje e vitit 2000 ishin zgjedhjet lokale të 28 Tetorit në Kosovë, ndërsa ngjarja që do ta shënojë vitin 2001 do të jetë mbajtja e zgjedhjeve nacionale presidenciale e parlamentare.

“Të mira, të mira…”, përsëriti disa herë Presidenti Rugova, derisa e pyeta të deklarojë për gazetën Rilindja se cilat janë parashikimet e tij, në prag të Vitit të Ri 2001, për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Për njohjen e pavarësisë së Kosovës “e presim momentin më të mirë, momentin e duhur, në kohën e duhur”, theksoi Rugova duke shtuar se “vendi është, është vendi i duhur”.

Përgjigja u shoqërua me duartrokitje të gazetarëve të pranishëm dhe me urime, në një atmosferë të gëzuar të pritjes së organizuar në Rezidencën e Rugovës në prag të Vitit të Ri 2001 dhe të fillimit të Milenumit të Tretë.

Ndërsa, duke u përgjigjur në një pyetje tjetër, Rugova tha: “Unë nuk i ndërroj fjalët shumë, por kur ndryshojnë gjërat i ndryshoj edhe fjalët. Jam duke punuar në ndryshimin e gjërave të mëdha, pra, si pavarësia, etj, që të njihen”.

Presidenti historik Rugova edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, edhe në Amerikë e në shtetet e Bashkimit Evropian, kudo, fliste për Pavarësinë e Kosovës si zgjidhja më e mirë dhe kompromisi i shqiptarëve.

 “Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”, citoja kështu Presidentin Dr. Ibrahim Rugova në kryetitull të ballinës së gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në fundvitin 2002, në intervistën ekskluzive që kisha zhvilluar pas kthimit nga festimet në Vlorë të 28 Nëntorit dhe takimit që kishte me Sekretari Amerikan të Shtetit Igëllberger.

 Në Rezidencën Presidenciale në Velani – Prishtinë Presidenti Ibrahim Rugova mbante në duarë dhe në tryezë gazetën Rilindja botim special festiv për jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të 28 Nëntorit 2002, derisa në atë kohë kur isha kryeredaktor i gazetës historike në fund të Dhjetorit 2002 zhvilloja intervistën ekskluzive për Rilindjen festive të Vitit të Ri.

Më pak se një muaj para përurimit të Shtëpisë së Pavarësisë në Prishtinë, Presidenti Rugova në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare kishte dalë me propozimin për simbolet shtetërore, për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës.

“Gjithsesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës”, thoshte Rugova në intervistën ekskluzive që zhvillova në prag të Vitit të Ri 2003 për gazetën Rilindja.

Mes pyetjeve që i bëra Presidentit Rugova, në bashkëbisedim, iu drejtova: “Kosova po bëhet edhe me simbolet shtetërore. Në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare dolët me propozimin për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës. Para pak ditësh, në 13 vjetorin e LDK-së, partisë që e udhëheqni Ju që nga fillimi si një lëvizje për liri, pavarësi e demokraci, përuruat edhe një monument, një shenjë shtetërore – Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës. Ju lutem të na flisni edhe për këto momente të rëndësishme në rrugën e bërjes së Kosovës shtet”.

Presidenti Rugova u përgjegj: “Gjithësesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës. Siç e dini, flamurin qe sa vite unë e përdor edhe si stemë të Presidentit të Kosovës, pra si emblemë, edhe në komunikime ndërkombëtare zyrtare, po edhe të brendshme. Edhe flamurin shtetëror duhet ta kemi, flamur që shpreh specifikën e Kosovës. Tani shenjat kombëtare i përdor Shqipëria si shtet aktual.

Për himnin, do përkujtuar se është ajo kënga e dashur e 1912-tës, që e kanë kënduar të gjithë shqiptarët. Natyrisht do të ketë përpunim artistik, po them standarde artistike, po edhe standarde shtetërore. Për këto do të ndiqen procedurat, pra në konsultim me institucionet e Kosovës, me Parlamentin, me Qeverinë. Po edhe njerëzit le të diskutojnë, le t’i thonë hapur mendimet e veta. Por, besoj se shumica në Kosovë – e popullit, e intelegjencies, e klasës politike – janë dakord që të kemi simbolet tona. E kam marrë këtë si një inisiativë të Presidentit. Është në detyrën time t’i eci këto punë dhe besoj se së shpejti do të kryhen. Në këtë vazhdë ishte edhe përurimi i Shtëpisë së Pavarsisë. Dëshiruam të lëmë një monument, një traditë, atje ku janë krijuar institucionet e para të Republikës së Kosovës. Do të ketë një kompleks të Pavarësisë aty, që do të ketë objekte përcjellëse, ndërsa po ajo shtëpi nismëtare do të ruhet dhe do të ketë edhe karakter muzeal, po edhe aktiv. Do ta mbajmë gjallë atë kompleks. Pra, të krijojmë edhe një traditë. Ne kemi një traditë me Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, pastaj në Shqipëri është Shtëpa e Pavarësisë në Vlorë, edhe këtu tash Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, që ka simbolikën e vet. Kemi edhe një shenjë të veprimit, sepse të gjithë, i gjithë populli i Kosovës, kemi kaluar nëpër atë shtëpi që ka qenë një shtëpi e shpresës, e pavarësisë, e lirisë dhe e demokracisë”.

Edhe tani dhe përjetshëm Flamuri i Dardanisë, i dizajnuar sipas idesë së Presidentit historik Rugova dhe Flamuri Kombëtar Shqiptar janë në të dy anët e Flamurit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Shtëpinë e Pavarësisë me emrin e Ibrahim Rugovës.

Presidenti Rugova kaherë theksonte idenë për autostradën Shqipëri-Kosovë, Rrugën e Kombit, nëpër shtigjet e vjetra historike, derisa shprehej se, “nëpër vendin tim kalojnë rrugë të rëndësishme evropiane, sikur ishte rruga antike Via Egnatia”.

Me vendimin e Qeverisë kosovare, është emërtuar “Ibrahim Rugova” autostrada në Kosovë, e ndërtuar në vazhdim të autostradës në Shqipëri nga bregdeti shqiptar-Durrësi deri në portën kufitare në Morinë-Vërmicë, mes qytetit të Lidhjes së Prizrenit dhe Kukësit.

Në Tetorin e vitit 2005,  Presidenti Rugova në takim me projektuesit thoshte se se ndërtimi i autostradës Prishtinë-Durrës tregon se, “ne jemi të aftë të bëjmë dhe mbajmë shtet, dhe se e meritojmë pavarësinë”.

 “Kosova dhe populli i saj janë sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e pavarësisë, të jemi një anëtar i bashkësisë së kombeve të botës së lirë”, më thoshte Presidenti Dr. Ibrahim Rugova në një intervistë tjetër eksluzive në jubileun e 60 vjetorit të gazetës Rilindja, të 12 Shkurtit 2005, ku poashtu fliste edhe për autostradën dhe marrëdhëniet me Shqipërinë, edhe për garancitë e shtetit të Kosovës për pakicat kombëtare, për të gjithë qytetarët.

“Pavarësia e Kosovës do të kishte efekt pozitiv edhe për të gjithë fqinjët tanë”, theksonte Rugova në intervistën eksluzive që në ballinë të gazetës Rilindja kishte kryetitullin: “Pavarësia e Kosovës është e mira e të gjithë qytetarëve dhe do ta qetësojë rajonin”.

“Njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, theksonte Rugova.

Ndërsa, i pyetur për marrëdhënet e realiteteve të reja mes Kosovës dhe Shqipërisë, edhe sipas shumë vlerësimeve, shembull për rajonin dhe se si e shihte të ardhmen e këtyre dy vendeve, jo vetëm në marrëdhëniet e tyre, por edhe në integrimet euroatlantike, Rugova thoshte:

“Po, ne gjithsesi do të kemi gjithnjë e më shumë marrëdhënie të mira me Shqipërinë në të gjitha fushat. Ju e dini, tashmë kemi edhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë, pastaj, marrëveshje të ndryshme për bashkëpunim ekonomik, kulturor, etj., dhe gjithsesi do të ndikojë pozitivisht ndërtimi, nuk është e tepërt ta themi, i Autostradës Prishtinë-Durrës, që do të hapte edhe një lidhje tjetër të Kosovës me botën. Dhe, gjithsesi synimet tona, të të dy vendeve, janë integrimi në Bashkimin Evropian, pra Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera, dhe kjo është perspektiva dhe në këtë plan po punojmë me të gjithë”.

Me rastin e pritjes që më bëri dhe intervistës ekskluzive në prag të 12 Shkurtit 2005 – ditës së 60 vjetorit të gazetës Rilindja, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues e Kryeredaktorit Presidentit Rugova i dhurova Pllakatin e Jubileut të 60 vjetorit të Rilindjes, punar me ar e argjend nga zejtarët e Prizrenit, qytetit ku ka dalë numri i parë i gazetës tradicionale e historike të Kosovës.

Kjo ishte intervista e fundit ekskluzive që kam zhvilluar me Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nga i cili  kam regjistruar edhe deklaratën e fundit  para përfundimit të vitit 2005.

Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së,  partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi, ritheksonte se pavarësia është e padiskutueshme, tek fliste jepte mesazh, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005, më pak se një muaj para se të kaloi në amshim në 21 Janar 2006.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme të Kosovës.

Në Rezidncën Presidenciale në Velani, ku regjistrova për të fundit herë deklaratat e Presidentit historik Rugova,  në 23 Dhjetorin 2005, ai kishte takime të veçanta – priti kryetarët e degëve të LDK-së në Kosovë dhe diasporë me rastin e 16 vjetorit të themelimit të LDK-së, e më pas kishte takim pune me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës Bajram Kosumi.

Ibrahim Rugova u lind në 2 Dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë, të komunës së Istogut, në një familje të madhe që kishte prejardhjen nga krahina e Rugovës, ndërsa u shua në 21 Janar 2006.

 “Presidenti Ibrahim Rugova ndërroi jetë”, bënte të ditur Presidenca e Kosovës në komunikatën e dërguar para 15 viteve, në 21 Janar 2006, në mesditë.

 “Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, prijësi i Kosovës në vitet e mëdha të procesit për pavarësi të vendit tonë,  ndërroi jetë sot (e shtunë) në ora 11:38.

Presidenti Rugova ndërroi jetë në shtëpinë e vet në Prishtinë, duke pasur përreth familjen e tij, mjekun personal me stafin ndihmës nga vendi, si dhe mjekë amerikanë”, thuhej mes tjerash në komunikatën e Presidencës së Kosovës.

Më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës.

GAZETA RILINDJA E 27 JANARIT 2006: BOTA NDEROI PRESIDENTIN HISTORIK TË PAVARËSISË SË KOSOVËS, IBRAHIM RUGOVA

 Para 15 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës, Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha, ka raportuar se, më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik të Pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit.

Gazeta Rilindja në botimin special, në kryelajmin lart krahas logos-emrit shkruante: 500.000 NJERËZ – MË SE 500.000 NJERËZ NËPËR RRUGËT DHE SHESHET E PRISHTINËS, NË SALLËN “1 TETORI”, TE VARREZAT E DËSHMORËVE E HERONJËVE TË KOMBIT NË LAGJEN VELANIA NË BREGUN E DIELLIT I SHPREHËN NDERIMET MË TË LARTA KOMBËTARE E NDËRKOMBËTARE PRESIDENTIT HISTORIK TË PAVARËSISË SË KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA.

Kryetitulli i ballinës në gazetën Rilindja ishte BOTA NDEROI e nëntitulli NDERIMET MË TË LARTA KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE.

Në ballinën e gazetës Rilindja paralajmëroheshin tre intervista ekskluzive të gjata që ribotoheshin në faqet e brendshme, e që i kisha zhvilluar me Presidentin historik Ibrahim Rugova në kohën e lëvizjes e luftës së Kosovës për liri, pavarësi e demokraci dhe pas luftës në Kosovën e lirë: PRESIDENTI RUGOVA PARASHIKOI DHE KRIJOI TË ARDHMEN E KOSOVËS DHE TË SHQIPTARËVE. TRI INTERVISTA EKSKLUZIVE, E PARA PARA 12 VJETËVE.

Fotoja e vetme në ballinën e gazetës Rilindja ishte pamja nga Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, para Kuvendit e Qeverisë, ku tash është sheshi me emrin e shtatoren e Presidentit të parë e historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Në atë pamje-fotografi, në plan të parë ishte një pano-bilbord-kornizë ngjyrë ari me portretin e Presidentit historik me Flamurin e Dardanisë në anën e djathtë, nën të cilën ishte shkruar: Dr. IBRAHIM RUGOVA President i Kosovës (1944 – 2006).

DR. IBRAHIM RUGOVA PRESIDENT HISTORIK I PAVARËSISË SË KOSOVËS PËRGJITHMONË, shkruante me shkronja të mëdha gazeta Rilindja nën fotografi dhe me këtë përmbyllej imazhi i faqes së parë.

KOMEMORACION NË RILINDJE – NDERIMET MË TË LARTA PËR PRESIDENTIN E PAVARËSISË, DR. IBRAHIM RUGOVA

Prishtinë, 24 janar 2006 /TN /QIK – Ndërmarrja Rilindja në një mbledhje komemorative ka shprehur sot nderimet më të larta për Presidentin e Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova.

Presidenti historik i Pavarësisë së Kosovës me penën, fjalën e veprën e tij madhore gjithmonë ishte dhe do të jetë në Rilindje, tha krytetari i Këshillit Drejtues e Kryeredaktori Behlul Jashari, duke përkujtuar se kishte nderin që Dr. Rugovës t’i dhuronte Pllakatin e Jubilet të 60 vjetorit të gazetës tradicionale të Kosovës, të shkruar me ar e argjend. Drejtori i Shtypshkronjës Vesel Makolli në fjalën e tij tha se Rilindja, shtypshkronja e saj, ishte botuesi më i madh i librave – veprës së madhe letrare të Dr. Ibrahim Rugovës, Presidentit të Kosovës.

Të pranishmit e shumtë në koomemoracion i shprehën ngushëllimet më të thella e më të sinqerta familjes Rugova.

DISA NGA RAPORTIMET E MIA PARA 15 VITEVE, JANAR 2006:

PIKËLLIM I MADH NË CERRCË, TEK MOLIKA E MBJELLË NGA IBRAHIM RUGOVA

– Nga Behlul Jashari –

     PRISHTINË, 22 Janar /ATSH/ – Pikëllim i madh ka rënë në vendlindjen e Presidentit Ibrahim Rugova, në Cerrcë të Istogut, te molika që ai kishte mbjellë në oborrin e shtëpisë, kur ishte tetë vjeç. Presidenti Rugova vdiq në moshën 61-vjeçare, molika vazhdon të rritet në vendlindjen e tij edhe pas 53 vjetëve.
     Rreth asaj molike u tubuan njerëzit e fshatit, sapo morën lajmin për vdekjen e Presidenti dhe si në një vend të bekuar qëndrojnë të bashkuar edhe sot, kur kanë kaluar më shumë se 30 orë nga lajmi i hidhur. 
     “Me duart e veta e pat mbjellë këtë molikë”, thotë xhaxhai i Ibrahim Rugovës, Ali Rustë Rugova, njeriu që e rriti dhe e shkolloi dhe që sot pret ngushëllime. “A ende e paske molikën time?”, e kishte pyetur Rugova i lumtur xhaxhain  në vizitën e fundit që i bëri vendlindjes.
     Në luftën e fundit, forcat serbe dogjën e rrënuan shtëpitë e familjes Rugova. Aliu tregon me dorë andej ku tani nuk ka më shtëpi dhe thotë: “Në këtë vend ka lindur Ibrahimi, këtu e kemi pasur truallin e shtëpisë”.
     Por historia e familjes Rugova është edhe më e hidhur. Vetëm një muaj pasi lindi, foshnja që e kishin quajtur Ibrahim, mbeti pa babanë: Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor 1944, ndërsa më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë i pushkatuan babanë, Ukë Rugovën dhe gjyshin, Rustë Rugovën. Ky i fundit ishte luftëtar i njohur kundër grupeve çetnike që kishin depërtuar gjatë Luftës II Botërore në krahinën e Rugovës.
     “I kanë vra në Kullën e Popit. I vrau OZNA, UDB-ja. As sot nuk ua dimë eshtrat”, tregojnë njerëzit e familjes Rugova. Më e moshuara e Cerrcës, Rabë Rugova, mbi njëqind vjeçe, tregon edhe histori të tjera. “Uka, babai i Ibrahimit, ka pasë lindë pas gjashtë vajzave dhe ishte gëzim i madh për familjen e farefisin. Kur Ukën e vranë, për Ibrahimin u kujdes vëllau im, Aliu, si për djemtë e vet”.
     Në Cerrcë tregojnë se plaka Rabë shpesh çohet edhe natën dhe e puth fotografinë e të nipit, President i Kosovës. Tregojnë edhe histori të tjera. Tregojnë se tek i biri, Uka, Ibrahim Rugova ka përtërirë emrin e të atit, Ukës së vjetër. 
     Bashkë me të tjerët, pret ngushëllime edhe Ajet Hasanaj, shok i fëmijërisë dhe i shkollës i Ibrahim Rugovës. “Ibrahimi ishte i gjithë Kosovës”, flet ai me dhembje të madhe për humbjen e madhe. “Kosova do shkojë përpara edhe pas Rugovës, se ka veprën e tij të madhe. Ibrahim Rugova do mbetet përgjithmonë President i Pavarësisë së Kosovës”, thonë njerëzit në Cerrcë, në vendlindjen e Presidentit Rugova.
/pas/s.s./

KOSOVË, 15 DITË ZI KOMBËTARE PËR PRESIDENTIN RUGOVA
 

     PRISHTINË, 22 janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Këshilli Organizativ i Varrimit të Presidentit Rugova ka shpallur 15 ditë zi kombëtare në Kosovë, duke filluar nga dita e hënë, 23 janar 2006, për nder të Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili ndërroi jetë të shtunën, më 21 janar 2006. 
     Për katër ditë, prej të hënës deri të enjten, në datat 23-26 janar 2006, institucionet arsimore të të gjitha niveleve në Kosovë nuk do të zhvillojnë mësim. 
     Dita e varrimit të Presidentit Rugova, e enjte, më 26 janar 2006, do të jetë ditë kur nuk do të punohet në asnjë institucion. 
     Këshilli Organizativ i Varrimit të Presidentit Rugova njofton se homazhet publike fillojnë nesër, ditë e hënë, më 23 janar 2006, duke filluar nga ora 12:00, në Kuvendin e Kosovës.      
     Qytetarët do të mund të bëjnë homazhe deri në ora 18:00. 
     Në dy ditët e tjera, të martën dhe të mërkurën, orari për homazhe publike do të jetë prej orës 09:00 deri në ora 18:00. Homazhet bëhen edhe paraditën e së enjtes, deri para nisjes së funeralit për në ceremoninë qendrore dhe varrimin, që do të bëhet në Prishtinë. 
     Qytetarët e Kosovës do të mund të shkruhen në Librat e Zisë për Presidentin e Kosovës,  Ibrahim Rugova. 
     Librat do të vendosen në të gjitha komunat e Kosovës, në Bibilotekën Kombëtare dhe Universitare dhe në Teatrin Kombëtar në Prishtinë. Ndërkaq, Libri i Zisë për Trupin Diplomatik do të vendoset në Kuvendin e Kosovës./ a.jor. 

PRISHTINË, FLAMURI AMERIKAN ULET NË GJYSMË SHTIZË

     PRISHTINË, 23 Janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Zyra e SHBA-së në Prishtinë uli sot (e hënë) flamurin amerikan në gjysmështizë, në nderim të Presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova, gjatë një ceremonie të shkurtër, të drejtuar nga Shefi i Misionit, Philip Goldberg.
     Në fjalën që mbajti me këtë rast, z.Goldberg tha se me ndarjen nga jeta të Presidentit Rugova, Kosova ka humbur një udhëheqës të madh, por edhe SHBA humbi një mik të madh e të përkushtuar. 
     “Në botë nuk ka shumë udhëheqës apo popuj, të cilët kanë aq shumë dashuri dhe respekt për Shtetet e Bashkuara, siç pati Presidenti Rugova dhe siç ka populli i Kosovës. Dhe, për shkak të respektit për të, për miqësinë e tij me Shtetet e Bashkuara dhe respektit për popullin e Kosovës, unë e ndjej se është me vend që edhe ne të ulim flamurin amerikan në gjysmështizë gjatë periudhës së zisë”, tha z. Goldberg. 
     “Kjo ka një domethënie të madhe për ne dhe jam i sigurtë se do të ketë edhe për popullin e Kosovës”, theksoi ai, ndërsa komandanti i njësisë së Marinës së SHBA-së uli flamurin amerikan në gjysmë shtize. 
    Shefi i Misionit Goldberg solli dhe kujtimet e tij të 18 muajve të fundit, nga koha kur ai drejton Zyrën Amerikane në Prishtinë, si dhe të takimit të parë me Presidentitn Rugova, para njëmbëdhjetë vitesh, në Uashington.
    “Veç asaj që ai bëri si udhëheqës – dhe me të vërtetë si një simbol i Kosovës për botën – unë e njoha atë edhe si një njeri shumë të këndshëm dhe të përzemërt”, tha shefi i Misionit të SHBA-së në Prishtinë, duke propozuar një minutë heshtje në nderim të Presidentit Rugova.
/klod/pas/

GEORGE W. BUSH: HUMBJA E RUGOVES NE KETE KOHE VENDIMTARE, TRAGJIKE

-Presidenti i SHBA i shkruan familjes së Rugovës dhe popullit të Kosovës-


     PRISHTINE, 23 Janar /ATSH Behlul Jashari/ – Zyra e Shtypit e SHBA-së në Prishtinë sapo ka shpërndarë për mediat letrën që Presidenti i SHBA-së George W. Bush i ka nisur  familjes së Presidentit Rugova dhe gjithë popullit të Kosovës. Në letrën e nisur nga Shtëpia e Bardhë shkruhet: “Me pikëllim të thellë e mora lajmin për vdekjen e Kryetarit Ibrahim Rugova. Kryetari Rugova për shumë vite udhëhoqi fushatën për paqë dhe demokraci në Kosovë dhe fitoi respektin e botës për qëndrimin e tij parimor kundër dhunës.
     Shtetet e Bashkuara kanë humbur një mik të vërtetë. Gjatë viteve të konfliktit, Ibrahim Rugova ishte zëri i arsyes dhe maturisë që i ndihmoi popullit të Kosovës për të vënë bazat për një të ardhme paqësore. Humbja e këtij zëri, në këtë kohë vendimtare, është posaçërisht tragjike për Kosovën. Më lejoni t’ju siguroj se Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për të punuar me gjithë njerëzit e Kosovës për ndërtimin e një ardhmërie që është stabile, demokratike dhe përparimtare. 
     Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, unë dhe Laura i shprehim ngushëllimet tona familjes së Kryetarit Rugova dhe gjithë popullit të Kosovës”.

AEROPORTI I PRISHTINËS DO NDIHMOHET EDHE NGA PISTA TE TJERA FQINJE

     PRISHTINË, 23 Janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Aeroportit të Prishtinës do t’i vijnë në ndihmë edhe disa aeroporte fqinjë, pasi ky i vetëm nuk mund t’i përballojë fluturimet e shumta speciale të delegacioneve që do marrin pjesë në  varrimin e Presidentit Ibrahim Rugova. 
     Zyrtarë të këtij aeroporti thanë sot (e hënë) se kanë shumë kërkesa për ulje dhe se për shkak të kapaciteteve të kufizuara, shumë fluturime do drejtohen për në aeroportin e Shkupit, në Maqedoni. Sipas të njëjtave burime, do shikohen mundësitë që për këtë qëllim të shfrytëzohet edhe një pistë tjetër uljeje afër Gjakovës.
 /pas/

KOSOVE, RRADHË TË GJATA QYTETARËSH PRESIN TË BËJNË HOMAZHE PRANË TRUPIT TË PAJETË TË  PRESIDENTIT RUGOVA 
 
     PRISHTINË, 23 Janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Shumë qytetarë kosovarë janë mbledhur sot (e Hënë) para Kuvendit të Kosovës, në pritje për t’i bërë homazhe Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.   
     Shumë prej tyre kanë ardhur nga e gjithë Kosova dhe hapësirat e tjera shqiptare dhe kanë mbushur sheshin Skënderbej dhe rrugën “Nënë Tereza” në Prishtinë.  Qindra qytetarë presin të nënshkruajnë Librat e Zisë, që janë vendosur në Bibliotekën Kombëtare e Universitare dhe në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.
     Kosova mban zi sot për Presidentin e saj, Ibrahim Rugova, i cili vdiq të shtunën, në moshën 61 vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.
/s.s./lira/  

Filed Under: Featured Tagged With: 15 vjet nga Vdekja, DR. IBRAHIM RUGOVA, DR. IBRAHIM RUGOVA: KOSOVA

KUJTESA-Imzot Mark Sopi (1938-2006)

January 11, 2021 by dgreca

– në përvjetorin e 15-të të vdekjes-11 Janar 2006-11 Janar 2021-/

Nga Don Lush Gjergji/

Jeta dhe vepra/

Imzot Mark Sopi, lindi në Binçë më 26 shkurt 1938. Pas shkollës fillore në Viti, gjimnazit klasik në Pazin të Kroacisë, studimet filozofike dhe teologjike i kishte filluar në Zagreb dhe përfunduar në Romë.Shugurohet meshtar në Romë, më 29 qershor 1968.  Don Dedë Ramaj, famullitari i Stubllës dhe Binçës, në fjalën e rastit gjatë drekës kremtore pati thënë në mënyrë profetike:“Mos harro biri i kujt je, së pari i Zotit, pastaj i Kishës sonë martire, pasardhës i tyre, pastaj i famullisë dhe së fundi i familjes… Ndero të parët dhe ndero vetveten, sepse ke gjurma për të ndjekur nga lashtësia dhe historia…”.        

Pesë vitet e para të meshtarisë ishte famullitar në Ferizaj dhe sekretar i Imzot Nikë Prelës. Gjatë viteve 1974-1991 famullitar në Zllkakuqan, me shërbime të palodhshme në çdo kuptim dhe drejtim: baritor, bamirës, organizativ, ndërtimor, për objektet kishtare, përgatitjen për themelimin e dy famullive të reje, të Klinës dhe të Budisalcit, në pajtimet e gjaqeve…

Ishte edhe intelektual i mirëfilltë dhe punëtor i palodhshëm nëpër revista të ndryshme, sidomos “DRITA” e Ferizajt dhe “Vëgim drite” të Durrësit. Si fryt i kësaj pune ka dhuruar këto botime: “Baca Kolë dhe famullitari”(1995), “Martirët e Karadakut”(1996),” Koncilet ekumenike” (2000) dhe “Shën Luçia”  (2003).

Papa Gjon Pali II. e emëroi ipeshkëv të Kosovës më 23 nëntor 1995, pas shërbimit katërvjeçar në Durrës, dhe më vonë e shuguroi në Vatikan më 6 janar 1996. Udhëheqjen e Ipeshkvisë e mori në Prizren, më 18 shkurt 1996, me plot flijim, kujdes dhe përkushtim, e udhëhoqi deri në ndërrimin e jetës, më 11 janar 2006.

Tiparet vepruese dhe dalluese

 Nga jeta dhe profili i tij ka shumë tipare vepruese dhe dalluese, unë do t’i theksoj vetëm disa.

Parimor dhe guximtar në çdo rrethanë të jetës dhe të veprimit, para, gjatë dhe pas Luftës së vitit 1999. Ishte Bariu i Mirë i grigjës së besuar, jo vetëm i asaj katolike, por i të gjithëve, sidomos atyre që s’kishin mbrojtje, përkrahje, liri, dinjitet. Gjatë këtyre dhjetë viteve ishte kudo lypej dhe kërkohej, sidomos në takime me vendorët dhe ndërkombëtarët, gjithnjë i gatshëm për të dëgjuar, kërkuar dhe punuar për të mirën e përbashkët, për t’i ngushëlluar të pikëlluari dhe ndihmuar të varfëritë, për të qenë aty ku njerëzit tanë vuajnë, ishin të goditur dhe kërcënuar.

Me qëndrime të qarta dhe largpamëse, me zemër të madhe dhe bujare për të varfër dhe nëpërkëmbur. Gjithnjë në kërkim për shërbimin e Zotit, Kishës sonë, në çështje shoqërore, kulturore, arsimore, sidomos në mishërimin e jetës dhe të veprës së Nënës Tereze në traditën, kulturën dhe qytetërimin tonë.

Ëndrra e tij jetësore ishte ndërtimi i Shenjtërores – Katedrales së Nënës Tereze në Prishtinë, si fanar në detin tonë të trazuar, si dhe zgjidhja fatlume e çështjes së Kosovës.

Posaçërisht, dua të theksoj aftësitë e tija për komunikim me të gjithë, me përfaqësues të huaj në Kosovë apo gjetiu, për paraqitjen dhe mbrojtjen e çështjes sonë madhore dhe për të mirën e përbashkët.

Me një fjalë, Imzot Mark Sopi ishte njeri urëlidhes mes skajshmërive, veprues në çdo kënd dhe vend, flijues për të mirën e të gjithëve, me gjakftohtësi dhe me urti, me fe të gjallë, shpresë të ngultë dhe dashuri flijuese dhe dhuruese për Zotin, për Kishën, për popullin Shqiptar, për të gjithë.

Imzot Mark Sopi fill pas rrënimit të diktaturës në Shqipëri, së bashku me Mons. Damjan Kurti, shkoi në Durrës si misionar për ta ndihmuar dhe shërbyer këtë Kishë dhe Popull martir, duke dëshmuar kështu dashurinë flijuese dhe dhuruese.

Testamenti shpirtëror i Imzot Mark Sopit

“Unë jam Ringjallja dhe Jeta: kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë. E kush jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë” ( Gjn 11, 25-26).

Jezusi na pyet edhe ne sot, siç e pyeti dikur Martën: “A e beson ti këtë?”. “Po, Zotëri! Unë besoj se Ti je Mesia, Biri i Hyjit – ai që duhej të vijë në botë!” (Gjn 11, 26-27).

I vdekuri jeton dhe flet, për ne që besojmë në Zotin, në vdekjen dhe ngjalljen e Jezu Krishtin, në jetën e pasosur. Pra, Imzot Mark Sopi është i gjallë ndër ne, jo vetëm në  mendje dhe në kujtime, por para së gjithash në Zotin, në pritje të ngjalljes së trupit dhe në jetën e pasosur.

Kjo është zanafilla e fesë së krishterë,  Kishës Katolike, Imzot Mark Sopit, feja jonë që na ka mbledhur rreth Sofrës së Krishtit  në dhjetëvjetorin e kalimit të tij në amshim. Është rast i mirë që edhe ne të forcohemi në fe, të ngjallemi në shpresë dhe të ndizemi në dashuri, për Zotin, për Kishën, për njëri-tjetrin, t’i zgjojmë ndjenat e nderimit dhe të falënderimit ndaj Kishës dhe barinjve të saj që na kanë udhëhequr në rrugën e shëlbimit.

Në këtë shtyllë Imzot Mark Sopi e ka ndërtuar jetën  tokësore dhe veprimtarinë e tij baritore, në personin e Jezu Krishtit, të mishëruar, të vdekur dhe të ngjallur, si burim i pashtershëm feje dhe dashurie, si mundësi konkrete për dëshminë e krishterë.

Pa këtë lidhje dhe trinom  Jezu Krishti – Kisha – Populli Shqiptar, ne s’mund ta kuptojmë, shpjegojmë dhe zbërthejmë jetën dhe veprimtarinë e Imzot Mark Sopit ndër ne, me ne dhe për ne,  rrezikojmë ta cungojmë apo edhe të japim  interpretime të njëanshme dhe të gabuara për të.

Imzot Mark Sopi ka jetuar dhe vepruar për Krishtin e ngjallur,  ka besuar, predikuar dhe dëshmuar gjithnjë ngjarjen kulmore të ngjalljes së tij, si fitore jona,  është frymëzuar dhe flijuar për Atë. Krishti i ngjallur  është shpërblim  më i madh i tij në amshim.

Njësia e dytë e jetës dhe veprës së tij ishte pa dyshim Kisha katolike, si “Mësuese dhe Nënë”, të cilën ai e ka dashur dhe shërbye me tërë qenien e tij njerëzore dhe të krishterë. Pra, Krishti dhe Kisha  ishin dy binaret e jetës, të cilat ai kurrë nuk i ndau dhe harroi, por me mendje dhe me zemër i pranoi dhe përqafoi duke i shërbye deri te ofshama e fundit të kësaj jete.

Shpesh thoshte kështu: “Tash Kisha jonë e stërlashtë dhe martire, ka gjasa të lulëzojë, pas dimrit kaq të rëndë dhe të gjatë shekullor. Ne duhet t’i rrimë gati “arës së Zotit”, ta përgatisim dhe mbjellim sa më mirë. Zoti do të bëjë të rriten të korrat…”.

Sot mund të themi se pati të drejtë. Frytet e para të kësaj “pranvere” shihen dhe hetohen dukshëm kudo ndër ne.

Kishte njohuri, nderim dhe admirim, dashuri të madhe për paraardhësit tanë, “Martirët e Karadakut”, që i kishte studiuar nëpërmjet dokumenteve të arkivit “Propaganda Fide” në Romë,  si model i jetës  dhe dëshmisë së krishterë.

Ishte i lidhur qenësisht me Popullin tonë Shqiptar në të mira dhe të vështira, gjithnjë në shërbim dhe flijim të të gjithëve, pa dallime dhe përjashtime. E Lumja Nëna Tereze ishte hallka dhe unaza që i lidhte këtë trinom, Krishtin, Kishën, Popullin Shqiptar, gjithnjë nën ndikimit e fesë dhe frymëzimin e dashurisë.

Imzot Mark Sopi Nënën Tereze e pati takuar në Romë gjatë studimeve, dhe që nga ajo kohë lidhja kurrë nuk ishte ndërprerë. Atë  e ka pasur si model të përsosur të jetës së kushtuar, si fryt të Kishës tonë martire, dhe si përfaqësuese të denjë të Kishës dhe Popullit Shqiptar në botë, tash edhe në amshim. Në vizitat e saja nëpër Kosovë dhe në Shqipëri, ishte së bashku me Nënën Tereze, duke e  pranuar dhe përcjellë,  po ashtu edhe këtu në famullinë e Zllakuqanit. Ishte shumë i gëzuar dhe i lumtur në pjesëmarrjen e lumturimit të saj në Romë, më 19 tetor 2003, edhe pse kishte disa halle shëndetësore.

Jo rastësisht dha shpirt në Prishtinë, gjatë një bisedimi në Komunë rreth ndërtimit të Katedrales dhe Shenjtërores së saj, më 11 janar 2006. Pra, dëshira, testamenti i fundit i Imzot Mark Sopit, ishte i ndërlidhur me Nënën Tereze, ndërtimin e Kishës dhe Katedrales me emrin e saj, me jetën dhe porosinë e saj për ne dhe për botën.

Tash, shpresoj dhe uroj, që së bashku ta shijojnë amshimin e lumtur në parajsë dhe të luten e të ndërmjetësojnë për ne, për Kishën dhe Popullin tonë./Kortezi- drita.info

Filed Under: Opinion Tagged With: 15 vjet nga Vdekja, don Lush Gjergji, Imzot Mark Sopi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT