-Qeveria e Kosovës miratoi nismat për lidhje të bashkëpunimit policor në luftimin e krimit me qeveritë e Italisë, Belgjikës, Lituanisë dhe Estonisë, si dhe nismën për lidhjen e marrëveshjes në fushën e zbatimit të ligjit për parandalim dhe luftim të krimeve të rënda me qeverinë e Danimarkës/
PRISHTINË, 10 Shkurt 2016-B.Jashari/ Qeveria e Kosovës sapo mbajti sot një mbledhje me 26 pika në axhendë, 18 prej të cilave ishin vendime për “vënie në mbrojtje strikte” të zonave të ndryshme malore në Parkun Kombëtar të Sharrit.
Qeveria e Kosovës miratoi nismat për lidhje të bashkëpunimit policor në luftimin e krimit me qeveritë e Italisë, Belgjikës, Lituanisë dhe Estonisë, si dhe nismën për lidhjen e marrëveshjes në fushën e zbatimit të ligjit për parandalim dhe luftim të krimeve të rënda me qeverinë e Danimarkës.
Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi sot mbledhjen e 74-të, të shtatën në vitin 2016, të cilin e nisi me dy mbledhje brenda ditës së 8 janarit.
Në mbledhjen e 29 janarit, qeveria ka themeluar Këshillin Organizativ për shënimin e tetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në 17 shkurt, ndërsa tashmë aktivitetet festive kanë nisur.
Qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të mëdha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, vazhdon punën në vitin e saj të dytë që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.
QEVERIA E KOSOVËS MBAN ANKANDIN E BONOVE TË THESARIT
PRISHTINË, 10 Shkurt 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur Ankandin e Bonove të Thesarit KV003-16, ku u ofertuan Bono Thesari 12-mujore në vlerë nominale prej 25 milionë euro. Shuma e ofertuar do të shërbej për ri-financimin e instrumentit të emetuar në shkurt 2015.
Njoftimi dërguar sot nga Ministria e Financave thekson se, në ankandin e Bonove të Thesarit, tregu ka shfaqur kërkesë për blerje në vlerë 72.2 milionë euro. Kjo është shuma më e lartë që ndonjëherë ka ardhur si kërkesë e tregut të Bonove të Thesarit. Ndërsa, është pranuar vetëm shuma e shpallur paraprakisht e cila është 25 milionë Euro. Norma e interesit për këtë ankand ishte 0.97% vjetore, gjë që paraqet një dallim prej 56 pikësh bazë krahasuar me normën e interesit të ankandit të kaluar të bonove 12-mujore, e cila ishte 1.53%.
Blerësit e Bonove të Thesarit sipas kategorive janë Bankat private me 24.75 milionë euro si dhe Kompanitë e sigurimeve me 0.25 milion euro dhe si rezultat i normës më të ulët të ri-financimit do të ketë edhe të hyra buxhetore prej 138,036.59 euro.
Ankandi i Bonove të Thesarit i mbajtur dje është edhe një tjetër vlerësim pozitiv që kanë institucionet financiare në vend për stabilitetin financiar të qeverisë së Kosovës, duke shprehur kështu interesimin e tyre të lartë dhe gatishmërinë për Bonot e Thesarit. Por, njëherit është edhe përkushtim i qeverisë së Kosovës për transparencë dhe treg të pastër të bonove të thesarit, thekson deklarata./b.j/
*Foto Gazeta Dielli-Behlul Jashari: Qeveria e Kosovës në mbledhje, 10 shkurt 2016