• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Mbetëm pa një emër të shquar të kulturës kombëtare”…

November 3, 2020 by dgreca

SPECIALE – Para 25 viteve u shua Anton Çetta, Ditë Zie e shpallur nga Presidenti Rugova/

-Në Kosovë Nëntori 2020 Muaji i Anton Çettës, Qeveria e Program aktivitetetesh, disa mbahen edhe në Shqipëri/

-Anton Çetta i lindur në 3 Janar 1920 në Gjakovë, i shkolluar edhe në Tiranë dhe Korçë, profesor letërsie, shkrimtar e mbledhës i shquar i folklorit, u shua në 3 Nëntor 1995 në Prishtinë, kur në nderimet e gjithë kombit u shpall Ditë  zie në Kosovë nga Presidenti historik Ibrahim Rugova, i cili e ka derkoruar me “Medaljen e artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” në 10 Qershor 2003, në 125 vjetorin e ngjarjes historike/

-Nga raportimet e gazetës së rezistencës Bujku para 25 viteve – Presidenti Rugova: Profesor Anton Çetta do të mbetet njëri prej burrave më të mëdhenj të botës shqiptare…Ishte institucion i urtisë shqiptare…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 3  Nëntor 2020/ Në Kosovë ky Nëntor 2020 është Muaji i Anton Çettës, i shpallur nga Qeveria në 100 vjetorin e lindjes dhe 25 vjetorin e shuarjes, që është sot, si dhe në 30 vjetorin e nisjes së aksionit të pajtimit mes shqiptarëve – pajtimit të gjaqeve, të cilit i printe.

Anton Çetta i lindur në 3 Janar 1920 në Gjakovë, i shkolluar edhe në Tiranë dhe Korçë, profesor letërsie, shkrimtar e mbledhës i shquar i folklorit, u shua në 3 Nëntor 1995 në Prishtinë, kur në nderimet e gjithë kombit u shpall Ditë  zie në Kosovë nga Presidenti historik Ibrahim Rugova, i cili e ka derkoruar me “Medaljen e artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” në 10 Qershor 2003, në 125 vjetorin e ngjarjes historike. “Medalja e Paqes dhe Pajtimit Anton Çetta” është një nga dekoratat që ndante Presidenti Rugova që nga 24 Dhjetori 2003, kur nënshkroi Rregulloren për dekoratat që i jep institucioni i Presidentit të Kosovës.

Anton Çetta është dekoruar edhe nga Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu  me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm-Dr. Ibrahim Rugova” , në  30 Prill 2010 – 20 vjetorin e Kuvendit të Pajtimit të Verrat e Llukës. Para  30 viteve, në 1 Maj 1990,  te Verrat e Llukës në rrethinën e Deçanit gjysëm milioni  shqiptarë u tubuan në Kuvendin e Besëlidhjes shqiptare dhe të nisjes së aksionit të pajtimit të gjaqeve, i cili në rrethanat më të vështira të okupimit i ka bashkuar drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Profesor Anton Cetta do të mbetet njëri prej burrave më të mëdhenj të botës shqiptare. Vepra e tij e madhe ishte udhëheqja e aksionit të madh kombëtar e njërëzor – pajtimi i gjaqeve në fillim të viteve ’90-të…Profesori Anton  kontribuoi në forcimin e rrugës për liri e pavarësi duke u zgjedhur deputet i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e para të lira. Kisha nderin të jem student i tij dhe ta kam mik”, shprehej Presidenti Rugova para 25 viteve në mbledhje komemorative.

Në muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova” në Prishtinë ruhet një fotografi krejt e veçantë, e Anton Çettës me Presidentin historik Ibrahim Rugova, e cila e vetme i ka shpëtuar djegies nga zjarri i vënë në atë shtëpi nga forcat serbe para 21 viteve – në pranverën 1999.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Programin e aktiviteteve gjatë nëntorit në përkujtim dhe nderim të jetës dhe veprës së Anton Çettës, disa prej të cilave do mbahen edhe në Shqipëri:

Përurimi i veprave të Anton Çettës;   Përurimi i Kullës se Fazli Buqollit në Raushiq, investim i Ministrisë se Kulturës, Rinisë dhe Sportit;  Këndi i Anton Çettës – ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës;  Emisione Televizive- RTK, shfaqja e emisioneve dhe dokumentareve te vjetra dhe punimi i një dokumentari të ri;  Simpozium shkencor në Prishtinë dhe Tiranë; Ekspozitë e fotografive ne Prishtinë dhe Tiranë – Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Muzeu Kombëtar i Kosovës dhe Muzeu Historik në Tiranë;  Themelimi i Çmimit “Anton Çetta”.

Në 4 Maj 2017 Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, ka aprovuar kërkesën e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Pejës për përfshirjen e hapësirës Verrat e Llukës, në Fshatin Llukë të Epërme të Komunës së Deçanit, në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje.

Me atë rast u theksua se, me këtë akt institucionet e Kosovës shtet nga 17 Shkurti historik 2008 i shpalljes së Pavarësisë, tregojnë e vijojnë kujdesin e shtuar ndaj trashëgimisë kulturore të Kosovës, të cilën e marrin në mbrojtje, e promovojnë dhe ua përcjellin brezave si vlerë e shtetit të Kosovës. 

Gazeta Bujku, e përditëshme e rezistencës, e lëvizjes për liri e pavarësi të Kosovës, me orientim e përcaktim të fuqishëm propërëndimor euroatlantik që nisi të dalë  nga 18 Janari 1991, kryeredaktori i parë-themelusi i së cilës isha, e që sfidonte ndalimin e dhunshëm nga regjimi okupator serb të gazetës Rilindja – të vetmes të përditshme shqipe në Kosovë, në numrin e  6 Nëntorit 2005 – ditë e hënë, në ballinë e në dy faqe tjera të brendshme shkruante gjerësisht, duke nisur me mbititullin “Të premtën kah mesnata vdiq Profesor Anton Çetta” dhe me kryetitullin “Mbetëm pa një emër të shquar të kulturës shqiptare”.

“Kumti i rëndë dhe i dhembshëm se të premtën në mbrëmje, në Prishtinë, në moshën 75 vjeçare, vdiq intelektuali ynë i shquar Anton Çetta, jehoi pikëllueshëm ndër të gjitha mjediset shqiptare”, shkruante gazeta Bujku, e cila lart në ballinë kishte kryelajmin.

ME RASTIN E VDEKJES SË ANTON ÇETTËS

Sot ditë zie në Republikën e Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e vdekjes së deputetit më të vjetër – Anton Çetta, të zgjedhur në zgjedhjet shumëpartiake dhe të lira për Parlamentin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 24 maj 1992, shpalli ditë zie 6 nëntorin e vitit 1995.

Në ballinë Gazeta Bujku shkruante edhe për ngushëllimet nga Shqipëria me titullin “Presidenti Berisha ngushëlloi Rugovën dhe Familjen Çetta”, ndërsa duke raportuar nga mbledhja komemorative në Prishtinë të plotë e të veçantë botonte:

FJALA E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA

Anton Çetta ishte institucion i urtisë shqiptare

Familje e Nderuar, Zonja dhe Zotërinj, përfaqësues të institucioneve shtetërore e kulturore të Kosovës, Miq të Anton Çettës, në emër të Republikës së Kosovës, dhe timin, më lejoni t’i them disa fjalë me rastin e vdekjes së Profesor Anton Çettës.

Profesor Anton Çetta, siç e quan populli i Kosovës, arriti për të gjallë të bëhet Institucion i urtisë shqiptare, duke zbuluar thesarin dhe shpirtin e tij dhe duke punuar për të.

Profesor Çetta është shembulli më i mirë se si pasuria intelektuale lidhet mirë me aksionin praktik në momente të vështira e të rënda për një popull. Gjatë 50 vjetëve veprimtarie, ai nuk u ndal kurrë dhe nuk u dorëzua kurrë.

Profesor Anton Çetta do të mbetet njëri prej burrave më të mëdhenj të botës shqiptare.

Sot Profesori s’ndërroi jetë, sepse Institucioni i personalitetit të tij i mendjes dhe aksionit, formulë e urtisë shqiptare, do të jetojë në brezat që vijnë dhe do të hyjë në analet shqiptare dhe ndërkombëtare.

Vepra e tij e madhe ishte udhëheqja e aksionit të madh kombëtar e njërëzor – pajtimi i gjaqeve në fillim të viteve ’90-të.  Vetëm njeriu që e njeh mirë  shpirtin e popullit dhe të këtyre trojeve, siç ishte Çetta, kishte mundësi të shëronte shoqërinë shqiptare, të paqetonte njerëzit, edhe në këto vite okupimi.

Profesori Anton  kontribuoi në forcimin e rrugës për liri e pavarësi duke u zgjedhur deputet i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e para të lira.

Kisha nderin të jem student i tij dhe ta kam mik.

I falem kujtimit të tij.

I qoftë i lehtë dheu i Kosovës.

Filed Under: Featured Tagged With: 25 vite, Anton Cetta, Behlul Jashari, u shua

Kosovë-Para 25 viteve nisi të dalë gazeta e rezistencës “Bujku”

January 17, 2016 by dgreca

Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari në Arkivin Shtetëror të Kosovës: Ballina e numrit të parë të gazetës së rezistencës në Kosovë “Bujku”, të 18 janarit 1991/
-Nga korrespondenti në Kosovës i Gazetës Dielli, Behlul Jashari/
PRISHTINË, 17 Janar 2016/ Para çerek shekulli – 25 vitesh, në 18 janar 1991, doli numri i parë i gazetës së përditshme “Bujku”, gazetë e rezistencës, pjesë e lëvizjes gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik, të cilën e nxorën gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja, me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale. Kryeredaktori i parë-themelues i gazetës “Bujku” u bë edhe themelues i bashkëpunimeve të para të mediave Kosovë-Shqipëri me këmbime shkrimesh dhe korrespondent i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, i pari nga Kosova i një mediumi të Shqipërisë.
Ishte 17 janari 1991. Për ridaljen një herë në javë të revistës “Bujku”, ku do botoheshin edhe lajme dite, kishin dalë disa ide e propozime, edhe për fizionomi, edhe për kryeredaktor, por jo ndonjë zgjedhje e pranim detyre dhe po përfundonte mbledhja në lokalet e gazetës tradicionale Rilindja, të përditshmes së vetme në gjuhën shqipe në Kosovë, e cila që nga 7 korriku i vitit 1990 ishte ndaluar e mbyllur me dhunë nga regjimi okupues i Beogradit.
Mora ushtrimin e detyrës së kryeredaktorit, kisha idenë dhe shkasin për ta nxjerrim “Bujkun”, jo si revistë, për si gazetë dhe të përditëshme “përkohësisht”.
Atë ditë kishte nisë lufta në Gjirin Persik…Edhe me këtë shkas, shkruajta “Fjalën e Redaksisë” me titull “Përsëri ‘Bujku’…”, për faqen e parë të gazetës, ku theksoja se del si “gazetë e përkohëshme…edhe për shkak të nevojës që edhe lexuesit shqiptarë në Kosovë, në mungesë të gazetës së përditëshme, të kenë informacione sa më të gjera e me kohë në gjuhën shqipe për ngjarjen që filloi të tronditë botën – fillimin e Luftës në Gjirin Persik. Për këtë shkak edhe me fizionomi e edhe me përmbajtje ky numër është i jashtëzakonshëm”.
Me përmbajtje të ngjashme, se nga e nesërmja do dalë një gazetë në terrin informativ të Kosovës shkruajta një letër për ta njoftuar Ambasadën e SHBA në Beograd, pasi kontaktova me Ambasadën e Shqipërisë dhe ua dërgova atyre me telefax që ta përcjellnin. Ajo letër sigurisht do të ketë gjetur mbështetje për ne, pasi edhe vazhdoi të dalë gazeta, në ballinën e së cilës Bujku shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen.
“Bujku” ishte një revistë e përdymuajëshme që trajtonte kryesisht tema nga bujqësia, e që nuk kishte dalë fare një kohë, dhe duke e marrë atë emër nisi gazeta e përditshme, e paregjistruar te autoritetet okupatore serbe.
“‘Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, vlerësonte Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, në funddhjetorin e para mëse 13 viteve, në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës Rilindja, me ç’rast më dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë, të cilën administrata e UNMIK e kishte dëbuar kundërligjshëm e padrejtësisht nga Pallati Rilindja në 21 shkurt 2002, pak ditë pasi kishte festuar 57 vjetorin në 12 shkurt…
Gazeta e përditshme “Bujku” doli deri në prag të 1999-tës, të një viti tjetër të ri të luftës që po zhvillohej në Kosovë, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.
Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të Rilindjes nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, gjithnjë në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme me emrin Rilindja në Prishtinë, duke punar nëpër shtëpitë e tyre, dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova.
Ekipi i gazetës Rilindja hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup.
Ashtu siç kisha raportuar për ATSH-në një ditë më parë herët në mëngjes nga kolona e tankeve të para të forcës ushtarake më të madhe planetare, në faqen e parë të Rilindjes në kryetitull shkruhej: “Dje në orën 5.17 Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”. Në Kosovën e lirë me popullin u kthye edhe gazeta Rilindja, që nuk u ndal edhe kur u ndalua… Gazeta “Bujku” sfidoi ndalimin…
Gazeta tradicionale e historike e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 71 vitesh, në 12 shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me anagzhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja shqipe prej plumbi që u sollën me arka nga Tirana…
***
*Autori – korrespondenti në Kosovë i Gazetës Dielli, Behlul Jashari, ishte kryeredaktor i parë-themelues i Gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku”, pjesë e lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci

Filed Under: Histori Tagged With: 25 vite, Behlul Jashari, Gazeta Bujku

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT