• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ANTON ÇETTA: PAJTIMTARI I TROJEVE SHQIPTARE –

November 5, 2020 by dgreca

  NË 100-VJETORIN E LINDJES-  

Nga Frank Shkreli -Javën që kaloi, qeveria e Republikës së Kosovës në një takim të radhës miratoi propozimin e paraqitur nga Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, (MKRS-ja), Zonja Vlora Dumoshi, që muaji Nëntor të jetë “Muaji i Anton Çetës”, pasi ky vit shënon 100-vjetorin e lindjes së Pajtimtarit të Kombit, 25-vjetorin e vdekjes së tij dhe 30-vjetorin e pajtimit të gjaqeve — kryesisht në Kosovë, por edhe në trojet e tjera shqiptare dhe në diasporë.  Qeveria e Kosovës vendosi që në kuadër të këtij muaji, kushtuar bacës Anton, të organizohen një numër aktivitetesh, sa vijon:  Do të bëhet përurimi i veprave të shumta të Anton Çettës.  Do të përurohet Kulla e Fazli Buqollit në Pejë ku thuhet se u realizua pajtimi i parë i gjaqeve. Do të hapet “Këndi i Anton Çettës”, një ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës, për jetën dhe veprimtarinë e këtij shqiptari të madh.  Radio Televizioni i Republikës së Kosovës është angazhuar se gjatë këtij muaji do të transmetojë emisione të ndryshme dokumentarësh dhe RTK-ja do prodhojë një dokumentar të ri mbi jetën, veprimtarinë akademike të Çettës dhe mbi pajtimin e gjaqeve. Për më tepër, në Prishtinë dhe në Tiranë do të mbahen simpoziume shkencore mbi Anton Çettën dhe në Muzeun Kombëtar të Kosovës dhe në Muzeun Historik të Tiranës do të ekspozohen fotografi nga veprimtaria dhe tubimet e pajtimit të gjaqeve.  Gjatë këtij muaji, autoritetet kompetente të Kosovës kanë vendosur të themelojnë edhe “Çmimin Anton Çetta”, në nder dhe përkujtim të Pajtimtarit të Kombit.

Në njoftimin e qeverisë së Republikës së Kosovës thuhet se propozimi i Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, u miratua pasi “Viti 2020 shënon 100-vjetorin e lindjes dhe 25-vjetorin e vdekjes së Prof. Anton Çettës, intelektualit të ndritur, mbledhësit të shquar të folklorit, shkrimtarit të njohur e pajtuesit të palodhur të gjaqeve. Njëkohësisht, viti 2020 shënon edhe 30 vjetorin e pajtimit të gjaqeve, kthesës historike mbarë popullore në Kosovë e jashtë saj, që i kontriboi zhdukjes së hasmërive dhe shërimit të shoqërisë shqiptare, e pajtimit mes njerëzve”, përfundon njoftimi i vendimit të qeverisë së Kosovës, që muaji i Nëntorit t’i kushtohet Prof. Anton Çettës.

Ndërkaq, nuk di se çfarë ka ndodhur me shtatoren e Anton Çetës në oborrin e Institutit Albanologjik ose në ndonjë vend tjetër në Prishtinë, në këtë përvjetor të lindjes së tij — aty ku ishte paraparë fillimisht të vendosej — e për të cilën kam shkruar në fillim të këtij viti.  https://telegraf.al/analize/frank-shkreli-gypat-qe-ndalojne-vendosjen-e-shtatores-se-anton-cetes-ne-prishtine/ Në atë kohë, disa media të Kosovës kanë shkruar se po zhvillohej një debat i ashpër mospajtimi për vendosjen e shtatores kushtuar Pajtuesit më të madh në historinë e shqiptarëve!  Sipas medias vendore, kundër vendosjes së shtatores së Anton Çettës në oborrin e Institutit Albanologjik, kishte dalë vet ky institut – anëtar i të cilit ishte dikur Anton Çetta.  Është vështirë të merret me mend se kush dhe pse do të ishte kundër vendosjes së shtatores së Anton Çettës në oborrin e Institutit Albanologjik Prishtinë, ose në ndonjë vend tjetër.  Nuk ishte e qartë nëse ishin “gypat” apo “qypat”, ata që pengonin vendosjen e shtatores së Profesor Anton Çettës në oborrin e Institutit Albanologjik Prishtinë, ose diku tjetër.     

Përditësim: sipas një lajmi të mire që posa më ra në dorë thuhet se në mbledhjen e radhës të Kuvendit Komunal të Prishtinës do të merrej vendimi për caktimin  e lokalicionit se ku do të vendoset shtatorja e Profesor Anton Çettës, si pjesë e aktiviteteve të muajit Nentor, kushtuar këtij njeriu të madh të Kombit. 

Në këtë ndërkohë, me gëzim mësova gjithashtu edhe lajmin se ish-Kryetarja e Parlamentit të Kosovës – sot Presidente e Republikës së Kosovës – Vjosa Osmani ka thenë se do të propozojë që shtatorja e Anton Çettës do t’i bënte nder Prishtinës dhe mbarë Kosovës po të vendosej në oborrin e Kuvendit Kosovës, për një atdhetar i cili, sipas saj,  bëri “të pamundshmen, në një kohë të pamundshme”.  Në postimin e saj, me rastin e 25-vjetorit të shkuarjes së tij në amëshim, Zonja Osmani shtoi se, “Ideja e tij për pajtim nuk ka marrë fund. Ëndrra vazhdon, teksa nevoja për pajtim e unifikim vjen e rritet në këto kohë të zorshme për vendin.  Ne nuk arritëm ende ta kemi një shtatore të tij të vendosur në një vend të denjë, ku mund të përkulemi e ta falënderojmë, që në vitet 90-ta, na ktheu shpresën, na mobilizoi e na bëri një rreth kauzës kombëtare.  Ndaj sot, dy dekada më pas një shtatore për Plakun e urtë do t`i bënte nder jo vetëm kryeqytetit, por gjithë Kosovës! Si Kryetare e Kuvendit, do t’i propozojë Kryesisë së institucionit më të lartë përfaqësues e legjislativ, që shtatorja e Anton Çettës të vendoset në oborrin e Kuvendit, pra në shtëpinë e përfaqësuesve të popullit, si figurë frymëzimi e pajtimi”, ka premtuar Zonja Osmani.

Bravo, pra Presidentes Osmani dhe Ministres së  Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe qeverisë së Kosovës për interesimin e tyre mbarë-institucional të shtetit, për të shënuar në mënyrë dinjitoze këto tre përvjetorë me rëndësi, në jetën dhe veprimtarinë e Anton Çettës, në nderim dhe kujtim të kësaj figure të ndritshme dhe historikisht të rëndësishme, jo vetëm për Kosovën, por edhe për mbarë Kombin Shqiptar.

Aktiviteteve të lartëpërmendura të njoftuara më heret, thuhet se u parapriu, ditën e martë të kësaj jave, botimi i kompletit të veprave të Profesor Anton Çettës, vepra të cilat i prezantoi Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, MKRS-ja Vlora Dumoshi, në një takim që ajo zhvilloi me Ministren e Financave të Republikës së Kosovës, Hykmete Bajrami. Në njoftimtin e Ministrisë së Kulturës të Kosovës, thuhet se kompleti i veprave të Çettës—i sponsorizuar nga MKRS-ja dhe Qeveria e Kosovës — përmban gjithsejt 13 vëllime.  

Botohet kompleti i veprave të Anton Çettës, në 25-vjetorin e tij të vdekjes

       Botohet kompleti i veprave të Anton Çettës, në 25-vjetorin e tij të vdekjes

Aktivitetet e shumta në kujtim të Anton Çettës gjatë këtij muaji, po bëhen në bashkpunim midis Ministres së MKRS, Dumoshi dhe Ministres së Financave, Hykmete Bajrami të cilën Zonja Dumoshi e falënderoi për mbështetjen që i ka dhënë botimit të veprave të Anton Çettës.  Ministret Dumoshi e Bajrami e vlerësuan lartë figurën e Anton Çettës dhe u shprehën se përmes këtyre aktiviteteve Qeveria e Kosovës e nderon dhe e çmon figurën e tij.

Në përvjetorin e Anton Çettës, ministret Dumoshi e Bajrami qëndruan për homazhe tek varri i tij, në Prizren, së bashku profesor Rizah Krasniqin, si rikujtim dhe përulje për angazhimin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm për pajtimin e mijëra familjeve të hasmuara dhe në çrrënjosjen e dukurisë së keqe të gjakmarrjes.  “Aksioni për Pajtimin e Gjaqeve bëri që viti 1990 të futej në histori si viti kur kjo plagë do të zhdukej rrënjësisht. Si institucione të shtetit të Kosovës e kemi për obligim dhe detyrim që historinë e Kosovës ta kujtojmë dhe nderojmë brenda të gjithë mekanizmave institucionalë që posedojmë”, është shprehur Ministrja Dumoshi.


Qeveria e Republikës së Kosovës po bën të duhurën dhe sikur po lanë mëkatet e harresës dhe të mospajtimit në radhët e disave, për të kujtuar, më në fund, rolin e Pajtimtarit të Kombit, duke nderuar njeriun që përveç kontributeve të shumta në fushën e Albanologjisë dhe në fushë të tjera të shkencës e letërsisë, ka pajtuar me mijëra familje shqiptare në hasmëri, jo vetëm në Kosovë, por edhe në diasporë.  Një atdhetar i merituar — i cili sipas të ndjerit Prof. Zekeria Canës — një bashkpuntor i ngushtë i Anton Çettës — punoi aq shumë, “që gishtin e krimit t’a zevendësonte me dorën e pajtimit, ndër shqiptarët”.

Sot, më shumë se kurrë, shqiptarët kanë nevojë për pajtim – për pajtuesë dhe unifikuesë si Profesor Anton Çetta.  Kujtimi i tij qoftë gjithmonë i paharrueshëm në historinë e Kombit Shqiptar. Urime Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Zonjës Dumoshi dhe qeverisë së Kosovës, që më në fund, po i venë gjërat në vendin ku duhet duke nderuar dhe kujtuar jetën dhe kontributin e pazëvendësueshëm të Profesor Anton Çettës, në mbështetje të kauzës dhe unitetit kombëtar — këtij aktivisti të palodhur të çeshtjes kombëtare, të cilin Perëndia ia dërgoi Kombit në kohën kur kishte më shumti nevojë për bashkim e pajtim midis shqiptarëve.

Frank Shkreli

Botohet kompleti i veprave të Anton Çettës, në 25-vjetorin e tij të vdekjes
Botohet kompleti i veprave të Anton Çettës, në 25-vjetorin e tij të vdekjes

“Populli shqiptar është i mirë dhe bujar, por ka ra pre nën ndikimin e së keqes, është robëruar nga shumëkush dhe shumëçka, e ne, bijtë dhe bijat e tij, duhet ta “zgjojmë” nga kjo kllapi, ta lirojmë nga ky robërim dhe kushtëzim i traditës së keqe, e cila nuk është e jona, mbi të gjitha është shumë e dëmshme dhe vdekjeprurëse, sepse vëllain e shndërron në vrastar…”.(Anton Çetta)

               Tubimi tek Verrrat e Llukës në Maj të vitit 1990 ku morën pjesë rreth një gjysëm milion shqiptarë, përfshirë Heroin e Kombit, Adem Jashari, siç mund të shihet në këtë fotografi.

Anton Çeta me Prof. Zekeria Canën dhe Lush Gjergjin: “Synimi ishte i qartë: mposhtja dhe çrrënjosja e gjakmarrjes një herë e përgjithmonë, si parakusht qenësor për paqe dhe pajtim, për liri dhe demokraci, për një të tashme dhe ardhmëri më fatbardhë” (Dom Lush Gjergji).

        Konsiderohet si tubimi më i madh në historinë e popullit shqiptar, me rreth gjysëm milioni pjesëmarrës. “Pranvera e madhe e vitit 1990, me Pajtimin e Gjaqeve, me Shoqatën Humanitare Bamirëse të Kosovës “Nëna Terezë”, me Luftën kundër Analfabetizmit, që shprehej me krijimin e sistemit paralel shkollor dhe shëndetësor, kishte vetëm një Protagonist: Popullin Shqiptar.  Një Prijës dhe Frymëzues: Prof. Anton Çetën.  Një qëllim dhe përcaktim: takimin, afrimin dhe bashkimin e mbarë popullit rreth një ideali: LIRISË DHE PAVARËSISË”. (Lush Gjergji, bashkpuntor i ngushtë i Anton Çetës)
Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova me Prof. Anton Çetën dhe Prof Zekeria Canën në kryeqendrën e LDK-së,1992

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Cetta, Frank shkreli, Pajtimtari

“Mbetëm pa një emër të shquar të kulturës kombëtare”…

November 3, 2020 by dgreca

SPECIALE – Para 25 viteve u shua Anton Çetta, Ditë Zie e shpallur nga Presidenti Rugova/

-Në Kosovë Nëntori 2020 Muaji i Anton Çettës, Qeveria e Program aktivitetetesh, disa mbahen edhe në Shqipëri/

-Anton Çetta i lindur në 3 Janar 1920 në Gjakovë, i shkolluar edhe në Tiranë dhe Korçë, profesor letërsie, shkrimtar e mbledhës i shquar i folklorit, u shua në 3 Nëntor 1995 në Prishtinë, kur në nderimet e gjithë kombit u shpall Ditë  zie në Kosovë nga Presidenti historik Ibrahim Rugova, i cili e ka derkoruar me “Medaljen e artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” në 10 Qershor 2003, në 125 vjetorin e ngjarjes historike/

-Nga raportimet e gazetës së rezistencës Bujku para 25 viteve – Presidenti Rugova: Profesor Anton Çetta do të mbetet njëri prej burrave më të mëdhenj të botës shqiptare…Ishte institucion i urtisë shqiptare…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 3  Nëntor 2020/ Në Kosovë ky Nëntor 2020 është Muaji i Anton Çettës, i shpallur nga Qeveria në 100 vjetorin e lindjes dhe 25 vjetorin e shuarjes, që është sot, si dhe në 30 vjetorin e nisjes së aksionit të pajtimit mes shqiptarëve – pajtimit të gjaqeve, të cilit i printe.

Anton Çetta i lindur në 3 Janar 1920 në Gjakovë, i shkolluar edhe në Tiranë dhe Korçë, profesor letërsie, shkrimtar e mbledhës i shquar i folklorit, u shua në 3 Nëntor 1995 në Prishtinë, kur në nderimet e gjithë kombit u shpall Ditë  zie në Kosovë nga Presidenti historik Ibrahim Rugova, i cili e ka derkoruar me “Medaljen e artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” në 10 Qershor 2003, në 125 vjetorin e ngjarjes historike. “Medalja e Paqes dhe Pajtimit Anton Çetta” është një nga dekoratat që ndante Presidenti Rugova që nga 24 Dhjetori 2003, kur nënshkroi Rregulloren për dekoratat që i jep institucioni i Presidentit të Kosovës.

Anton Çetta është dekoruar edhe nga Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu  me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm-Dr. Ibrahim Rugova” , në  30 Prill 2010 – 20 vjetorin e Kuvendit të Pajtimit të Verrat e Llukës. Para  30 viteve, në 1 Maj 1990,  te Verrat e Llukës në rrethinën e Deçanit gjysëm milioni  shqiptarë u tubuan në Kuvendin e Besëlidhjes shqiptare dhe të nisjes së aksionit të pajtimit të gjaqeve, i cili në rrethanat më të vështira të okupimit i ka bashkuar drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Profesor Anton Cetta do të mbetet njëri prej burrave më të mëdhenj të botës shqiptare. Vepra e tij e madhe ishte udhëheqja e aksionit të madh kombëtar e njërëzor – pajtimi i gjaqeve në fillim të viteve ’90-të…Profesori Anton  kontribuoi në forcimin e rrugës për liri e pavarësi duke u zgjedhur deputet i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e para të lira. Kisha nderin të jem student i tij dhe ta kam mik”, shprehej Presidenti Rugova para 25 viteve në mbledhje komemorative.

Në muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova” në Prishtinë ruhet një fotografi krejt e veçantë, e Anton Çettës me Presidentin historik Ibrahim Rugova, e cila e vetme i ka shpëtuar djegies nga zjarri i vënë në atë shtëpi nga forcat serbe para 21 viteve – në pranverën 1999.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Programin e aktiviteteve gjatë nëntorit në përkujtim dhe nderim të jetës dhe veprës së Anton Çettës, disa prej të cilave do mbahen edhe në Shqipëri:

Përurimi i veprave të Anton Çettës;   Përurimi i Kullës se Fazli Buqollit në Raushiq, investim i Ministrisë se Kulturës, Rinisë dhe Sportit;  Këndi i Anton Çettës – ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës;  Emisione Televizive- RTK, shfaqja e emisioneve dhe dokumentareve te vjetra dhe punimi i një dokumentari të ri;  Simpozium shkencor në Prishtinë dhe Tiranë; Ekspozitë e fotografive ne Prishtinë dhe Tiranë – Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Muzeu Kombëtar i Kosovës dhe Muzeu Historik në Tiranë;  Themelimi i Çmimit “Anton Çetta”.

Në 4 Maj 2017 Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, ka aprovuar kërkesën e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Pejës për përfshirjen e hapësirës Verrat e Llukës, në Fshatin Llukë të Epërme të Komunës së Deçanit, në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje.

Me atë rast u theksua se, me këtë akt institucionet e Kosovës shtet nga 17 Shkurti historik 2008 i shpalljes së Pavarësisë, tregojnë e vijojnë kujdesin e shtuar ndaj trashëgimisë kulturore të Kosovës, të cilën e marrin në mbrojtje, e promovojnë dhe ua përcjellin brezave si vlerë e shtetit të Kosovës. 

Gazeta Bujku, e përditëshme e rezistencës, e lëvizjes për liri e pavarësi të Kosovës, me orientim e përcaktim të fuqishëm propërëndimor euroatlantik që nisi të dalë  nga 18 Janari 1991, kryeredaktori i parë-themelusi i së cilës isha, e që sfidonte ndalimin e dhunshëm nga regjimi okupator serb të gazetës Rilindja – të vetmes të përditshme shqipe në Kosovë, në numrin e  6 Nëntorit 2005 – ditë e hënë, në ballinë e në dy faqe tjera të brendshme shkruante gjerësisht, duke nisur me mbititullin “Të premtën kah mesnata vdiq Profesor Anton Çetta” dhe me kryetitullin “Mbetëm pa një emër të shquar të kulturës shqiptare”.

“Kumti i rëndë dhe i dhembshëm se të premtën në mbrëmje, në Prishtinë, në moshën 75 vjeçare, vdiq intelektuali ynë i shquar Anton Çetta, jehoi pikëllueshëm ndër të gjitha mjediset shqiptare”, shkruante gazeta Bujku, e cila lart në ballinë kishte kryelajmin.

ME RASTIN E VDEKJES SË ANTON ÇETTËS

Sot ditë zie në Republikën e Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e vdekjes së deputetit më të vjetër – Anton Çetta, të zgjedhur në zgjedhjet shumëpartiake dhe të lira për Parlamentin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 24 maj 1992, shpalli ditë zie 6 nëntorin e vitit 1995.

Në ballinë Gazeta Bujku shkruante edhe për ngushëllimet nga Shqipëria me titullin “Presidenti Berisha ngushëlloi Rugovën dhe Familjen Çetta”, ndërsa duke raportuar nga mbledhja komemorative në Prishtinë të plotë e të veçantë botonte:

FJALA E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA

Anton Çetta ishte institucion i urtisë shqiptare

Familje e Nderuar, Zonja dhe Zotërinj, përfaqësues të institucioneve shtetërore e kulturore të Kosovës, Miq të Anton Çettës, në emër të Republikës së Kosovës, dhe timin, më lejoni t’i them disa fjalë me rastin e vdekjes së Profesor Anton Çettës.

Profesor Anton Çetta, siç e quan populli i Kosovës, arriti për të gjallë të bëhet Institucion i urtisë shqiptare, duke zbuluar thesarin dhe shpirtin e tij dhe duke punuar për të.

Profesor Çetta është shembulli më i mirë se si pasuria intelektuale lidhet mirë me aksionin praktik në momente të vështira e të rënda për një popull. Gjatë 50 vjetëve veprimtarie, ai nuk u ndal kurrë dhe nuk u dorëzua kurrë.

Profesor Anton Çetta do të mbetet njëri prej burrave më të mëdhenj të botës shqiptare.

Sot Profesori s’ndërroi jetë, sepse Institucioni i personalitetit të tij i mendjes dhe aksionit, formulë e urtisë shqiptare, do të jetojë në brezat që vijnë dhe do të hyjë në analet shqiptare dhe ndërkombëtare.

Vepra e tij e madhe ishte udhëheqja e aksionit të madh kombëtar e njërëzor – pajtimi i gjaqeve në fillim të viteve ’90-të.  Vetëm njeriu që e njeh mirë  shpirtin e popullit dhe të këtyre trojeve, siç ishte Çetta, kishte mundësi të shëronte shoqërinë shqiptare, të paqetonte njerëzit, edhe në këto vite okupimi.

Profesori Anton  kontribuoi në forcimin e rrugës për liri e pavarësi duke u zgjedhur deputet i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e para të lira.

Kisha nderin të jem student i tij dhe ta kam mik.

I falem kujtimit të tij.

I qoftë i lehtë dheu i Kosovës.

Filed Under: Featured Tagged With: 25 vite, Anton Cetta, Behlul Jashari, u shua

Vëllai mund të vritet atëherë kur bën (tradhëti) kombëtare…!

June 30, 2020 by dgreca

Kosova,Shqiptarët,Historia-  Kujtime nga profesor Anton Çetta/

Shkruan:Skender KARAÇICA-ÇIKAGO/

Në një takim në katundin Lupç të Llapit, në familjen e heroinës së Kosovës,Ylfete Humolli,që në udhën e dijes për në shkollë e kishin vrarë forcat ushtarako-policore-paramilitare të Serbisë, vetëm pse ishte shqiptare dhe kërkonte Liri, Demokraci, Pavarësi për Kosovën…!

Po në ketë takim në Lupçin e Ylfetes, ishte profesori dhe Plaku i urtë i Kosovës, Anton Çetta, i cili  në porosinë e motit të madh bëri pajtimin e kombit shqiptar dhe kurdisja e orës për krismat e pushkëve të djelmenisë së UÇK-së kundër regjimit me logjistikën ushtarake të gjenocidit të Serbisë së Millosheviçit.

Profesor Anton Çetta fliste me zërin e tij karaktersitik të ëmbël të akorduar në sintaksën e tij kombëtare,për për djeshmën dhe të ardhmen e Kosovës dhe të kombit shqiptar në hapësirën e vet etnike në Ballkan.

Në shtypin e kohës për heronin Ylfete Humolli dhe për moshatarët  nëpër udhët e rezistencës në Kosovë pata shkruar artikullin ,,Ylfete Humolli dhe shoqet e brezit e gjuanin hasmin me gurë…,,!(Fjala jonë, Prishtinë).

Biseda me profesor Anton   Çetta nuk kishte fund.Në odën e burrave , dikur, doli një zë burri duke e pyetur profesorin:

– Profesor, kur duhet të vritet vëllai…?- dhe në odën e burrave për një çast u shtangën të gjithë dhe, mezi prisnin se çfarë do të thoshte Njeriu i Udhës së Kombit Shqiptar…?

Për një çast profsor Çetta, tymosi ngadale cigarën dhe me shikimin e tij burrëror, nisi të përgjigjej për pyetjen, që,shumë prej nesh për herë të parë e dëgjonim…!

– Vëllai nëse e kërkon shtëpinë, jepjani…!

– Vëllai nëse e kërkon livadhin, jepjani…!

– Vëllai nëse e kërkon malin, jepjani…!

– Vëllai nëse kapërcen murin e turpit, faleni…!- thoshte në mes rreshtave të refrenit profesor Çetta në odën e Llapit.

Dhe, sërish e ndezi cigarën dhe përmes tymosjes nisi të flasë:

– Por, nëse vëllai ka bër tradhëti kombëtare, hane drekën e fundit dhe me një plumb të kryeni obligimin që kemi kur e kur vjen në pyetje Kombi, Atdheu, Kosova,-ishte fjala e profesor Anton Çetta në odën e burrave në Lupçin e Ylfete Humollit dhe bijes së Llapit të Adem Demaçi…!

Filed Under: Komente Tagged With: Anton Cetta, Kur vritet vellai, Skender Karacica

Anton Çetta, mirë se vjen në Gjakovë ! Kur ?

June 21, 2015 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/

“Populli shqiptar është i mirë dhe bujar, por ka ra pre nën ndikimin e së keqes, është robëruar nga shumëkush dhe shumëçka, e ne, bijtë dhe bijat e tij, duhet ta “zgjojmë” nga kjo kllapi, ta lirojmë nga ky robërim dhe kushtëzim i traditës së keqe, e cila nuk është e jona, mbi të gjitha është shumë e dëmshme dhe vdekjeprurëse, sepse vëllain e shndërron në vrastar…”.(Anton Çetta)

“Ishte 9 maj 1990, festa e “Shën Kollit” “… në fshatin Sellagrazhdë, famullia Velezhës, komuna e Prizrenit “. Kishim vendosur që për këtë festë të kremtonim edhe pajtimin e gjaqeve në ato hapësira, së bashku shqiptarët katolikë dhe myslimanë. Kjo e kishte “turbuar” Serbinë, sidomos pas ngjarjes historike të Verrat e Llukës /1 maj 1990/, ku NDODHI POPULLI.

Më 3 maj 1990 Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë me dekret e kishte ndaluar pajtimin e gjaqeve në Kosovë dhe më gjerë me këto arsye:

•           Sepse populli shqiptar nuk ka traditën e faljes së gjaqeve, (gjë kjo që nënkuptonte dëshirën e tyre: le ta vazhdojnë traditën e vrasjeve!  (vr. ime).

•           Këtë lëvizje e udhëheq Anton Çetta, me “njëfarë” prifti katolik shqiptar, Don Lush Gjergji, edhe pse shumica e shqiptarëve janë myslimanë;

•           E tërë kjo lëvizje është kryekëput kundër popullit serb në Kosovë dhe kundër Serbisë.

Prof. Anton Çettën e kishin ndalur dhe burgosur, mua më kishin kërcënuar deri me vdekje dhe me pushkatim, popullin e kishin keqtrajtuar në format më të vreshta, por kot, sepse tashmë Shqiptarët e shijonin pajtimin, vëllazërinë gjithshqiptare, bashkimin në dallime.”

Përkujtojmë sot më 3 janar prof. Anton Çetën, gjakovarin e madh, intelektualin e ndritur, mbledhësin e shquar të folklorit, shkrimtarin e njohur e pajtuesin e palodhur të gjaqeve, në përvjetorin e lindjes.- thoshte Don Lush Gjergji.

Po sot si ta kujtojmë ? Me një Shatore të madhe në qendër të Gjaokovës. Kur?Gjakovari  Prof. Anton Çeta lindi në Gjakovë më 3 janar 1920. Mësimet e para i mori në vendlindje, të mesmet në Tiranë, në Korçë e në Milano të Italisë. Deri në vitin 1950 studioi romanistikë në Universitetin e Beogradit ku, posa u diplomua, nisi punën e asistentit në katedrën e albanologjisë.Me hapjen e fakultetit filozofik të Prishtinës, Prof. Anton Çeta u emërua ligjërues për letërsinë e vjetër shqipe. Nga viti 1968 e deri sa doli në pension, vijoi të punonte së bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, duke kryesuar degën e folklorit dhe botimin e revistës “Gjurmime albanologjike” – folklor e etnologji.

Gjakovarit  Prof. Anton Çeta me një shtaore në Gjakovë.Krenaria e Gjakovës dhe e mbarë shqiptarisë.

“Me shumë bindje dhe kënaqësi mund të them se pata fatin, rastin, dhuratën dhe hirin e Zotit që të isha një ndër bashkëpunëtorët e të palodhshmit, të paprintueshmit dhe të pavdekshmit prof. Anton ÇETTA në lëvizjen e madhe të pajtimit të gjaqeve. Ai gjatë tërë jetës dhe veprimtarisë së tij të mëhershme ishte “Bleta” që mblodhi “nektarin” më të mirë të popullit shqiptar, me letërsinë dhe traditën gojore, etnografike dhe folklorike, me grumbullimin dhe sistemimin e thesarit të rëndësishëm dhe të çmuar popullor për ne dhe për brezat e ardhshme.- shkruan Don Lush Gjergji “

Anton Çeta ndoshta më mirë se akush prej nesh e njihte fare mirë dhe për së afërmi dhe në brendi e thellësi shpirtin e lënduar dhe të robëruar të popullit shqiptar nga vuajtja, vetmia, izolimi, kërcënimi i gjak – hakmarrjes, e cila nuk ishte asgjë tjetër përpos vëllavrasje dhe përfundimisht vetëvrasje – bashkëpunim me sundimtarët e huaj. Shi për këtë ai ishte tejet i motivuar, gjithnjë i frymëzuar më tepër se kurrë në këtë nisje fatbardhe dhe të bekuar, do të thoja edhe më tepër, providenciale.

Së bashku me rininë tonë, me botën e kulturës dhe të artit, me krijuesit e profileve të ndryshme, me hoxhallarë dhe meshtarë, me një fjalë me të gjithë, kishte krijuar një “orkestër” unik të pajtimit të gjaqeve, të cilin ai e “dirigjonte” me shumë mjeshtri dhe me dashuri.

Pranvera e madhe e vitit 1990 me Pajtimin e Gjaqeve, Shoqatën Humanitare Bamirëse të Kosovës “Nëna Terezë”, Luftën kund Analfabetizmit, që shprehej me krijimin e sistemit paralel shkollor dhe shëndetësor, e kishte vetëm një Protagonist, Popullin Shqiptar, një Prijës dhe Frymëzues, Prof. Anton Çetën, një qëllim dhe përcaktim, takimin, afrimin dhe bashkimin e mbarë popullit rreth një ideali, LIRISË DHE PAMVARËSISË.

Atë kohë ishim më shumë se sot!

Të tjerët po na vrasin vazhdimisht, a duhet atëherë edhe ne të vritemi me njëri-tjetrin?… Jo, duhet të jemi si kurrë më parë afër dhe së bashku me njëri-tjetrin, sepse na presin sprova dhe rreziqe të ndryshme edhe më të mëdha…” (Giancarlo-Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Kosovo un popolo che perdona, EMI, Bologna, 1997, fq. 48: Më gjerësisht lexo: Po aty, vep. e cit. fq. 31-105).

Gjakmarrja , një e keqe e ardhur  dhe e futur në gjakun tonë nga turqit !-thot Kadareja

Falja e gjakut është trimëri kulmore, kërkesë, nevojë dhe domosdoshmëri e kohës sonë, sepse pa flakjen e kësaj dukurie, kancerit shpirtëror shqiptar, nuk ka liri dhe demokraci të mirëfilltë….

Pajtimin e gjaqeve nuk e kërkonim kurrë në emër të vrastarit dhe kriminelit, por në emër të të pafajshëmve, mbi të gjitha në emër të Zotit dhe të Popullit shqiptar, të fëmijëve dhe të rinisë, për të tashmen dhe për ardhmërinë tonë.E keqja kurrë nuk e mund të keqen, por vetëm e mira, falja dhe pajtimi nuk lejojnë që “zinxhiri” i traditës t’na ngulfat dhe t’na fundosë paskajshmërisht në vëllavrasje dhe vetëvrasje.

Ja si e përshkruante Anton Çetta këtë lëvizje: “Në fillim të shkurtit 1990, disa studentë të Pejës me disa mësimdhënës kishin themeluar “Këshillin e Pajtimit” për ta pajtuar popullin. Tentimi i parë ishte disi i suksesshëm, kemi pajtuar një rast vrasje, ndërsa në pesë raste tjera kemi marrë “besën” për tre muaj. Fillimi ishte në fshatin Lumbardh dhe Raushiq afër Pejës… Rinia ka punuar shumë me javë të tëra për t’i zbuluar këto raste, për t’i përgatitur njerëzit për paqe. Sipas mendimit tim janë katër arsye kryesore të pajtimit. Në rend të parë ishte një propozim human dhe kishte për qëllim kryesor “paqen mes njerëzve”. Në rend të dytë propozimi ishte në duar të njerëzve të vlefshëm, të rinisë dhe të inteligjencës… Populli fill e përqafoi këtë propozim… S’duhet harruar edhe momentin historik të ngjarjeve si dhe domosdoshmërinë e pajtimit për krijimin e shoqërisë pluraliste dhe demokratike…” (Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Resistenza nonviolenta nella ex-Jugoslavia, EMI, Bologna, 1993, fq. 70-71. Më gjerësisht lexo: Po aty, vep. e cit. fq. 25-80).

“Baca Anton ishte dukshëm i lodhur, por edhe i disponuar. Më tha kështu: “Don Lush, prekma pak shpinën. A kam ende shpinë?”.Unë iu përgjigja: “Si jo, në shpinën tënde është mbarë Kosova, edhe më tepër, populli shqiptar!”.Ai si në hoka më tha: “Nuk e di a kam më shpinë, aq jam këputur… A ka ndonjë vend ku mund të mbështetemi pak para se të dalim para popullit në kremtimin e pajtimeve të gjaqeve?”.Dhe u mbështetem në një odë të madhe, ai me një skaj, unë dhe bashkëpunëtorët tjerë, në një skaj tjetër, diku afro një ore.  Pas këtij pushimi kaq të nevojshëm, baca Anton më tha: “Tash mund të qëndroja në bisedime edhe për ndonjë ditë dhe natë… Ja, kështu është puna me popull dhe për popull. Njeriu i tejkalon edhe nevojat biologjike, çdo pengesë… Këtë e kemi sprovuar shpeshherë gjatë pajtimeve të gjaqeve… Motivimi dhe dashuria bëjnë mrekulli!…”.

Shtatorja e gjakovarit  Anton Çetta në Gjakovë , nderë ,obligim ,shpirtbardhësi dhe falënderim për Anton Çettën.   Lavdi !

Fahri Xharra, 20.06.15 Gjakovë

Filed Under: Analiza Tagged With: Anton Cetta, mirese vjen

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT