• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Mbetëm pa një emër të shquar të kulturës kombëtare”…

November 3, 2020 by dgreca

SPECIALE – Para 25 viteve u shua Anton Çetta, Ditë Zie e shpallur nga Presidenti Rugova/

-Në Kosovë Nëntori 2020 Muaji i Anton Çettës, Qeveria e Program aktivitetetesh, disa mbahen edhe në Shqipëri/

-Anton Çetta i lindur në 3 Janar 1920 në Gjakovë, i shkolluar edhe në Tiranë dhe Korçë, profesor letërsie, shkrimtar e mbledhës i shquar i folklorit, u shua në 3 Nëntor 1995 në Prishtinë, kur në nderimet e gjithë kombit u shpall Ditë  zie në Kosovë nga Presidenti historik Ibrahim Rugova, i cili e ka derkoruar me “Medaljen e artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” në 10 Qershor 2003, në 125 vjetorin e ngjarjes historike/

-Nga raportimet e gazetës së rezistencës Bujku para 25 viteve – Presidenti Rugova: Profesor Anton Çetta do të mbetet njëri prej burrave më të mëdhenj të botës shqiptare…Ishte institucion i urtisë shqiptare…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 3  Nëntor 2020/ Në Kosovë ky Nëntor 2020 është Muaji i Anton Çettës, i shpallur nga Qeveria në 100 vjetorin e lindjes dhe 25 vjetorin e shuarjes, që është sot, si dhe në 30 vjetorin e nisjes së aksionit të pajtimit mes shqiptarëve – pajtimit të gjaqeve, të cilit i printe.

Anton Çetta i lindur në 3 Janar 1920 në Gjakovë, i shkolluar edhe në Tiranë dhe Korçë, profesor letërsie, shkrimtar e mbledhës i shquar i folklorit, u shua në 3 Nëntor 1995 në Prishtinë, kur në nderimet e gjithë kombit u shpall Ditë  zie në Kosovë nga Presidenti historik Ibrahim Rugova, i cili e ka derkoruar me “Medaljen e artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” në 10 Qershor 2003, në 125 vjetorin e ngjarjes historike. “Medalja e Paqes dhe Pajtimit Anton Çetta” është një nga dekoratat që ndante Presidenti Rugova që nga 24 Dhjetori 2003, kur nënshkroi Rregulloren për dekoratat që i jep institucioni i Presidentit të Kosovës.

Anton Çetta është dekoruar edhe nga Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu  me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm-Dr. Ibrahim Rugova” , në  30 Prill 2010 – 20 vjetorin e Kuvendit të Pajtimit të Verrat e Llukës. Para  30 viteve, në 1 Maj 1990,  te Verrat e Llukës në rrethinën e Deçanit gjysëm milioni  shqiptarë u tubuan në Kuvendin e Besëlidhjes shqiptare dhe të nisjes së aksionit të pajtimit të gjaqeve, i cili në rrethanat më të vështira të okupimit i ka bashkuar drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Profesor Anton Cetta do të mbetet njëri prej burrave më të mëdhenj të botës shqiptare. Vepra e tij e madhe ishte udhëheqja e aksionit të madh kombëtar e njërëzor – pajtimi i gjaqeve në fillim të viteve ’90-të…Profesori Anton  kontribuoi në forcimin e rrugës për liri e pavarësi duke u zgjedhur deputet i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e para të lira. Kisha nderin të jem student i tij dhe ta kam mik”, shprehej Presidenti Rugova para 25 viteve në mbledhje komemorative.

Në muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova” në Prishtinë ruhet një fotografi krejt e veçantë, e Anton Çettës me Presidentin historik Ibrahim Rugova, e cila e vetme i ka shpëtuar djegies nga zjarri i vënë në atë shtëpi nga forcat serbe para 21 viteve – në pranverën 1999.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Programin e aktiviteteve gjatë nëntorit në përkujtim dhe nderim të jetës dhe veprës së Anton Çettës, disa prej të cilave do mbahen edhe në Shqipëri:

Përurimi i veprave të Anton Çettës;   Përurimi i Kullës se Fazli Buqollit në Raushiq, investim i Ministrisë se Kulturës, Rinisë dhe Sportit;  Këndi i Anton Çettës – ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës;  Emisione Televizive- RTK, shfaqja e emisioneve dhe dokumentareve te vjetra dhe punimi i një dokumentari të ri;  Simpozium shkencor në Prishtinë dhe Tiranë; Ekspozitë e fotografive ne Prishtinë dhe Tiranë – Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Muzeu Kombëtar i Kosovës dhe Muzeu Historik në Tiranë;  Themelimi i Çmimit “Anton Çetta”.

Në 4 Maj 2017 Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, ka aprovuar kërkesën e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Pejës për përfshirjen e hapësirës Verrat e Llukës, në Fshatin Llukë të Epërme të Komunës së Deçanit, në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje.

Me atë rast u theksua se, me këtë akt institucionet e Kosovës shtet nga 17 Shkurti historik 2008 i shpalljes së Pavarësisë, tregojnë e vijojnë kujdesin e shtuar ndaj trashëgimisë kulturore të Kosovës, të cilën e marrin në mbrojtje, e promovojnë dhe ua përcjellin brezave si vlerë e shtetit të Kosovës. 

Gazeta Bujku, e përditëshme e rezistencës, e lëvizjes për liri e pavarësi të Kosovës, me orientim e përcaktim të fuqishëm propërëndimor euroatlantik që nisi të dalë  nga 18 Janari 1991, kryeredaktori i parë-themelusi i së cilës isha, e që sfidonte ndalimin e dhunshëm nga regjimi okupator serb të gazetës Rilindja – të vetmes të përditshme shqipe në Kosovë, në numrin e  6 Nëntorit 2005 – ditë e hënë, në ballinë e në dy faqe tjera të brendshme shkruante gjerësisht, duke nisur me mbititullin “Të premtën kah mesnata vdiq Profesor Anton Çetta” dhe me kryetitullin “Mbetëm pa një emër të shquar të kulturës shqiptare”.

“Kumti i rëndë dhe i dhembshëm se të premtën në mbrëmje, në Prishtinë, në moshën 75 vjeçare, vdiq intelektuali ynë i shquar Anton Çetta, jehoi pikëllueshëm ndër të gjitha mjediset shqiptare”, shkruante gazeta Bujku, e cila lart në ballinë kishte kryelajmin.

ME RASTIN E VDEKJES SË ANTON ÇETTËS

Sot ditë zie në Republikën e Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e vdekjes së deputetit më të vjetër – Anton Çetta, të zgjedhur në zgjedhjet shumëpartiake dhe të lira për Parlamentin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 24 maj 1992, shpalli ditë zie 6 nëntorin e vitit 1995.

Në ballinë Gazeta Bujku shkruante edhe për ngushëllimet nga Shqipëria me titullin “Presidenti Berisha ngushëlloi Rugovën dhe Familjen Çetta”, ndërsa duke raportuar nga mbledhja komemorative në Prishtinë të plotë e të veçantë botonte:

FJALA E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA

Anton Çetta ishte institucion i urtisë shqiptare

Familje e Nderuar, Zonja dhe Zotërinj, përfaqësues të institucioneve shtetërore e kulturore të Kosovës, Miq të Anton Çettës, në emër të Republikës së Kosovës, dhe timin, më lejoni t’i them disa fjalë me rastin e vdekjes së Profesor Anton Çettës.

Profesor Anton Çetta, siç e quan populli i Kosovës, arriti për të gjallë të bëhet Institucion i urtisë shqiptare, duke zbuluar thesarin dhe shpirtin e tij dhe duke punuar për të.

Profesor Çetta është shembulli më i mirë se si pasuria intelektuale lidhet mirë me aksionin praktik në momente të vështira e të rënda për një popull. Gjatë 50 vjetëve veprimtarie, ai nuk u ndal kurrë dhe nuk u dorëzua kurrë.

Profesor Anton Çetta do të mbetet njëri prej burrave më të mëdhenj të botës shqiptare.

Sot Profesori s’ndërroi jetë, sepse Institucioni i personalitetit të tij i mendjes dhe aksionit, formulë e urtisë shqiptare, do të jetojë në brezat që vijnë dhe do të hyjë në analet shqiptare dhe ndërkombëtare.

Vepra e tij e madhe ishte udhëheqja e aksionit të madh kombëtar e njërëzor – pajtimi i gjaqeve në fillim të viteve ’90-të.  Vetëm njeriu që e njeh mirë  shpirtin e popullit dhe të këtyre trojeve, siç ishte Çetta, kishte mundësi të shëronte shoqërinë shqiptare, të paqetonte njerëzit, edhe në këto vite okupimi.

Profesori Anton  kontribuoi në forcimin e rrugës për liri e pavarësi duke u zgjedhur deputet i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e para të lira.

Kisha nderin të jem student i tij dhe ta kam mik.

I falem kujtimit të tij.

I qoftë i lehtë dheu i Kosovës.

Filed Under: Featured Tagged With: 25 vite, Anton Cetta, Behlul Jashari, u shua

ARTI SHQIPTAR NE ZI- Shuhet kolosi i humorit Gëzim Kruja

April 5, 2020 by dgreca

E Diele, 5 Prill- Sot paradite, në moshën 80-vjeçare u shua mjeshtri i madh i humorit shkodran dhe jo vetëm Gëzim Kruja. Për herë të fundit ai u ngjit në skenë në 2018. Gjendja e tij ka qenë e rënduar, ndërsa kohët e fundit e kishte të pamundur të fliste për shkak të sëmundjes. Gëzim Kruja e kaloi jetën në skenën e humorit ku interpretoi mbi një mijë role. Presidenti Meta: U duartrokit nga shumë breza, do mbetet në memorie/

Humori shqiptar në zi! Ndahet nga jeta në moshën 80-vjeçare mjeshtri i madh i skenës Gëzim Kruja. Ai u shua sot paradite, ndërsa lajmi është konfirmuar nga familja. Gjendja e tij ka qenë e rënduar, ndërsa kohët e fundit e kishte të pamundur të fliste për shkak të sëmundjes. Dalja e tij e fundit për mediat ishte në festën e 80-vjetorit të lindjes në dhjetor të vitit të kaluar, që miqtë e teatrit i organizuan. Vepra e fundit që ngjiti në skenë Gëzim Krujën ishte në vitin 2018.

Humoristi shkodran lindi në 4 dhjetor 1939. Gëzim Kruja karrierën humoristike e nisi që në moshën 13-vjeçare. Fillimet me estradën amatore nisën që në kohën kur ishte ushtar më 1958. Më pas vazhdoi aktivizimin në vitin 1960 me estradën profesioniste të Shkodrës. Gëzim Kruja mbaroi në vitin 1979 Institutin e Lartë Pedagogjik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë në Shkodër.

Ai kaloi një jetë në skenën shkodrane të humorit, ku spikati me rolet e tij të shumta. Gëzim Kruja shkroi 15 komedi, 10 recitate, 2 libra me monologë gazmor, ndërsa interpretoi mbi një mijë role në skeçe të ndryshme në 52 vite. Në vitin 2004 mori titullin “Krenaria e Qytetit”, ndërsa një vit më pas “Naim Frashëri i Artë” dhe në 2010 “Mjeshtër i Madh”.

Për aktorin dhe regjisorin Bruno Shllaku, Gëzim Kruja ishte një perëndi. “Është një datë e keqe për humorin mbarë shqiptar. Ikën nga froni një perëndi, që për dekada me radhë dha atë që vështirë mund ta kishin dhënë të tjerët. Ai ngelet një shkollë e madhe, një virtyt, një dashuri për publikun dhe artin. Ai fron do të mbetet për shumë vite i pazëvendësueshëm për shumë vite. Ai ishte një personazh i dashur që nga fëmijët në kopshte deri te pensionistët që ishin në orët e fundit dhe që qeshnin me humorin e Gëzim Krujës. Unë kam pasur privilegj të punoj me Gëzimin në disa komedi. Gjithmonë merrja çmime kur Gëzim Kruja ishte në role”. Shllaku kujton edhe vitin 2018 kur me regji të tij Kruja u ngjit në skenë për herë të fundit. “Nuk më kishte shkuar në mendje kurrë, por jeta kjo është. Ai e mbylli, e finalizoi jetën. Ai e mbylli përballë shkodranëve si radhë herë me duartrokitje sikur donte të thoshte se….‘ tha ai.

Presidenti Meta: U duartrokit nga shumë breza, do mbetet në memorie 

Lajm trishtues e cilëson Presidenti Ilir Meta ndarjen nga jeta të aktorit të madh Gëzim Kruja.  “Ndarja nga jeta e Mjeshtrit të Madh të skenës dhe humorit, Gëzim Kruja është një lajm trishtues. Me talentin e spikatur, Gëzim Kruja do të mbahet mend si një prej figurave më të dashura të artit shqiptar, që falë personazheve karakteristike të interpretuara mjeshtërisht u duartrokit nga shumë breza, duke lënë pas një trashëgimi të vyer artistike. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Kruja, të afërmve, të gjithë artdashësve dhe qytetarëve të mrekullueshëm të Shkodrës, për këtë humbje të pazëvendësueshme‘ shkruan Ilir Meta.

ZYLIHA MILOTI: HUMBJE E MADHE PER ARTIN SHQIPTAR

Aktorja e mirënjohur nga Shkodra Zyliha Miloti, një nga bashkëpunëtoret e Gëzim Krujës shpreh trishtimin për largimin e tij nga jeta. Në një lidhje telefonike për Report Tv, aktorja thotë se po ikën një brez i mrekullueshëm. “Sapo morëm vesh humbjen e një artisti të madh, jo vetëm shkodran, por të gjithë Shqipërisë. Nuk ka pak minuta që fola me djalin e Gëzimit, është një humbje e madhe. Deri para një viti ka qenë i fortë, por humbje e madhe. Unë desha të ngushëlloj edhe familjet e tjera që kanë humbur të afërmit, situata është e vështirë. Por kjo e Gëzimit na ka prekur të gjithëve, më vjen keq, sepse nuk e meritonte, pasi do të ishte përcjellë me ceremoni të madhe nga të gjithë. Më vjen shumë keq. 

Kohët e fundit po më thoshte i vëllai se nuk ka mundësi me ngrënë dhe pak a shumë e kemi pritur. Po na ikën artistët me radhë, një brez i mrekullueshëm. Por Gëzimi ka qenë njeri i mrekullueshëm. Nuk mund të komunikonte, por vetëm me të shkruar dicka. Gëzimi mendonte se në 80-vjetor të bënte edhe një recital, e kishte me qejf por nuk iu realizua. Gëzimi nuk ka qenë vetëm aktor, por edhe ka shkruar shumë bukur. Na vjen keq se nuk mund të marrim pjesë në përcjelljen e tij, ky është kulmi, nuk e ka merituar këtë gjë, por cfarë të bëjmë‘ tha ajo.

Qytetarët e Shkodrës nuk do të kenë mundësi që të përcjellin Gëzim Krujën për në banesën e fundit sikur e meriton. Lamtumira dhe duartrokitja e fundit do të jetë e pamundur për shkak të koronavirusit dhe situatës që është krijuar, ku ndalohen grumbullimet. Në ceremoninë e varrimit të mjeshtrit të madh do të jetë vetëm familja.(Kortezi:Shqiptarja.com)

Filed Under: Featured Tagged With: u shua

SHKRIMTARI QË TREGOI “SI MBIJETUAN SHQIPTARËT”, S’ËSHTË MĒ MIDIS NESH

March 7, 2017 by dgreca

1 Demolli Nga Sinan KAMBERAJ/ U nda nga jeta Arif Demolli, shkrimtari, i cili arriti t’i kthente në humor me shumë sukses situatat dramatike jetësore, përmes magjisë së artit të vet letrar.
Jam me fat që e kam njohur nê auditorët e Fakultetit Filizofik të Prishtinës, në Vitin 1971. Që atëherë e shtuam miqësinë, si kolegë, gazetarë në Gazetën e Studentëve “Bota e Re”; tri vjet më vonë, poashtu bashkë – në Televizionin e Prishtinës, për ta ruajtur miqësinë, edhe në situatat dramatike të jetë së tij, deri sot, kur e dha frymën e fundit.
Për gati pesë dekada, me Arifin i kemi përjetuar dhe pjesëtuar bashkarisht gëzimet jo të pakta familjare, ashtu sikurse edhe hidhërimet mjaft të shpeshta që di t’i sjell jeta, sidomos ato që u “parashkruhen” njerëzve jokonformistë, siç ishte Arif Demolli.
Arifi ka qenë një intelektual i rrallë, në plotëkuptimin e fjalës, – një gazetar e redaktor i guximshëm, një shkrimtar prodhimtar – poet e prozator; romancier, eseist, autor tekstesh muzikore, autor librash shkollorë dhe, mbi të gjitha, ai ishte një mjeshtër i prozēs së shkurtër satirike dhe i poezisë humoristike. Menjëfjalë, Arifi ishte një krijues i gjithanshëm që na la trashëgim dhjetëra vepra që zënë një vend nderi në fondin e artit letrar shqiptar.
Arif Demolli ishte një i dënuar politik, i cili i vuajti dy vjet burg, siç iu tha, si kundërshtar i regjimit 1981/82. Qe akuzuar se ishte tallur me qeverinë dhe se kjo shihej nga provat që i kishin parë të gjalla zyrtarët e shtetit në një ditar privat të tij, që i ishte gjetur gjatë një bastisjeje policore të shtëpisë familjare në Kolovicë të Prishtinēs.
Më pastaj, shtatë vjet të tjera, Arifi mbeti pa punë (!).
Ndoshta nuk është rasti të thuhet, por nuk mund të përmbahem pa e thënë se turpi duhet të bie mbi atë që e spiunoi, mbi urdhërdhënësin, hetuesin, prokurorin e gjyqtarin, serbë a shqiptarë qofshin ata, që e arrestuan dhe e dënuan Arifin, që u përpoqën t’ia prishnin jetën, ashtu si dhe mbi ata që s’e lanë të punonte, mbas vuajtjes së dënimit.
Ata që ia mohuan kētë të drejtë themelore, pra të drejtën e punës (shqiptarë ishin), do të duhej ta dinin se Arifi i kishte katër fëmijë që duhej rritur e ngritur. Fëmijët, megjithatë, do të rriteshin e do të ngriteshin, ndonëse me shumë mundime … Ata u rritën me dinjitet, me përkujdesjen e Gjyshit Rizë, sa ishte Arifi në burg, dhe Nënës Nergize, gjatë gjithë kohës, gjatë vuajtjes së burgut dhe më pas.
Sot, kur tashmë janë bërë të zotët e vetës, Anila, Mimoza, Ylli dhe Dodona, të gjithë me studime të mbaruara, duhet të jenē krenarë për Babën e tyre, Arifin.
Me Arifin krenohen edhe miqtë e shokët e tij të shumtë.
Arifi e ka përballuar dënimin me burg. Arifit ia kanë ndaluar të botonte për shtatë vjet, por s’kanê mundur t’ia ndalojnë të shkruante!
Ai shkruane pa u lodhur. “Po shkruaj për vete”, thoshte shpesh, deri në vitin 1990, pa shpresë se do t’i botonte në të gjallë.
Arifi e dinte si mbijetohet, sepse e dinte “Si mbijetuan shqiptarët”. Ai e dinte si dukej qyteti me sytë e një artisti, sepse i shihte mē mirë se të tjerët “Ballkonet e njē qyteze”. Secili e ka fëmijërinë dhe djalërinë e vet; edhe Arifi e kishte të vetën. Por, “Fëmijëria, djalëria …  ” e Arifit ishte tjetër, është artistike, është kryevepra e tij.
U gëzuam vjet që Ministria e Kulturës e Kosovēs e nderoi me   Çmimin Kombëtar “Azem Shkreli” për Krijimtari Jetësore Letrare, për Vitin 2015.
Ajo e nderoi Arifin, por edhe vetëvetën.
Pêr fat të keq, që sot, artdashësit do ta kenë mangut një krijues të mirëfilltë të letêrsisë. Por, duhet ta pranojmë me keqardhje se fëmijët sot janë humbësit më të mëdhenj. Atyre do t’u mungojë shkrimtari Arif, autori i dhjetēra veprave për fëmijë, vepra me shumë vlerë. Atyre do t’u kēputet vargu i librave të reja të Arifit në raftet e bibliotekave shkollore e familjare.
Arifin do ta kujtijnë të gjithë ata që e kanë njohur! Do ta kujtojnë, sepse, Arif Demolli, ashtu siç shpërthente në gaz, duke qeshur me zemër për një barcoletë të rrëfyer nga tjetri, pikëllohej për njē pipth dardhe të shartuar, që s’e nxirte sythin në kopshtin e tij në Kolovicë.
Pushoftë në paqe shpirti i tij paqësor!
_____

New York, 6 mars 2017
___

Një foto e vitit 1970. Anëtare të Redaksisë së Gazetês “Bota e Re”, bashkë me anëtarë të SHKA të Studentëve “Ramiz Sadiku”. Arif Demolli (i treti në këmbë, nga e djathta)

Filed Under: Opinion Tagged With: Arif Demolli, Sinan Kamberaj, u shua

U shua një yll në qiellin e albanologjisë

August 22, 2014 by dgreca

Nga Kolec Topalli/
Më datën 16 gusht ndërroi jetë njëri nga albanologët më të shquar të ditëve tona, prof. Besim Bokshi, anëtar i dy akademive shqiptare, në Kosovë e Shqipëri, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, autor i shumë veprave shkencore e letrare, njëri nga aktivistët më të spikatur për lirinë e Kosovës dhe vendosjen e demokracisë, deputet në Kuvendin e Kosovës, përfaqësues i denjë i kulturës, shkencës dhe letërsisë shqiptare në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë. Mbarë Gjakova ku kishte lindur e Prishtina ku jetonte, tërë Kosova e Shqipëria, shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë e kudo në diasporë, e ndjenë humbjen e thellë që la largimi i këtij dijetari, shkencëtari të mirëfilltë, poeti e veprimtari. Jeta e tij qe një përpjekje e vazhdueshme për të ngritur gjithnjë e më lart shkencat albanologjike, vullneti i tij ishte një shembull për të gjitha ata që la pas.
I lindur në Gjakovë më 1930, u shkollua në Tiranë, në vendlindje, në Prishtinë e Beograd. Dha kontributin e tij në fushën e arsimit e të shkencës, si profesor gjimnazi dhe drejtor i tij, në shkollën e lartë Pedagogjike, në Institutin Albanologjik si punonjës shkencor, pedagog i historisë së gjuhës në Universitetin e Prishtinës. Në Akademinë e Shkencave dha kontribute të mëdha në fillim si anëtar korrispondent, pastaj anëtar i rregullt, më vonë si nënkryetar dhe kryetar i saj. Ka mbajtur ligjërata e kumtesa në Kosovë e jashtë saj, në universitete e qendra shkencore të Europës. Në fushën politike si kryetar i Partisë Socialdemokrate, qe luftëtar për të drejtat e njeriut, për lirinë e demokratizimin e vendit të tij. Si poet shquhet për elegancë, figuracion e meditime të thella. Por kontributin më të madh e ka dhënë si shkencëtar albanolog në fushë të historisë së gjuhës, duke studiuar sistemin emëror e nyjor, vetor e foljor me vepra të thella për nga përmbajtja, të plota për nga argumentet, të sakta për nga shembujt. Veprat e tij i kapërcejnë kufijtë e albanologjisë duke dhënë kontribute të vlefshme në fushë të ballkanistikës, romanistikës, sllavistikës dhe indoeuropianistikës. Kultura e gjerë, njohja e shumë gjuhëve të huaja, këmbëngulja për të zgjidhur probleme të vështira e të ndërlikuara të historisë së gjuhës shqipe e vënë këtë dijetar në radhën e më të mirëve të kohës sonë. Veprat e tij, si: “Ndryshimi i strukturës së temave emërore të shqipes” (1971), “Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes” (1980), “Prapavendosja e nyjës në gjuhët ballkanike” (1984), “Pjesorja e shqipes” (1998), “Për vetorët e shqipes” (2004), “Periodizimi i ndryshimeve morfologjike të shqipes” (2010), si edhe një shumicë artikujsh shkencorë, janë një kontribut me rëndësi të veçantë në fushën e historisë së gjuhës shqipe.
Sot ky dijetar i përmasave jo të zakonshme, nuk është më. Ai prehet i qetë në tokën e lirë të vendlindjes, për të cilën punoi aq shumë, shpeshherë në kushte të vështira. Pranë varrit të tij prehet një kolos tjetër i albanologjisë, prof. Selman Riza, daja i tij, prej të cilit mësoi shumë ai dhe të tjerë, që vazhdojnë rrugën e tyre. Por vdekja nuk mund të mposhtë njerëz të përmasave të tilla. Ata mbeten të gjallë përmes veprave të tyre dhe kontributeve, që e çojnë shkencën përpara. Besim Bokshi do të përmendet sa kohë të ketë albanologji, sa kohë të ketë shqiptarë.

Filed Under: ESSE Tagged With: albanologjisë, Besim Bokshi, Kolec Topalli, në qiellin e, nje Yll, u shua

ALI KUÇI, VATRANI QË UDHËHOQI NË FUSHATËN PËR SHPËTIMIN E SHQIPËRISË, U SHUA NË DUART E HETUSËVE

August 19, 2014 by dgreca

NË VEND TË NJË SQARIMI PËR LISTAT E KONTRIBUTEVE TË SHQIPATËVE TË AMERIKËS “PËR SHPËTIMIN E SHQIPËRISË”/
Prej ditësh Gazetë Dielli po boton online(www.gazetadielli.com) Listat e vatranëve që kontribuan në fushatën e madhe “Për Shpëtimin e Shqipërisë”, fushatë që nisi me 3 qershor 1917 dhe vazhdoi edhe në vitet 1918-1919.Përmes komenteve, telefonatave dhe emaileve që kanë ardhur në Vatër, një pjesë e lexuesëve kanë shprehur habi për sasinë e dhurimeve. Kjo është arsyeja pse po japim këtë sqarim.
Së pari; vlera e athershme e dollarit ishte shumëfishi i sotëm.
Së dyti, lista përcjellin vetëm kontributin e datës 3 Qershor 1917, pra ditënisjen e fushatës.Po të vështrosh listën nr 10, emri i parë është Ali Kuçi, i cili sipas kësaj liste ka si kontribut $10.00, aq sa dhuroi ditën e parë të garës, me 3 Qershor 1917, por nuk është vetëm ky kontributi i tij. Këtë e saqron më së miri ky numër i Gazetës Dielli të datës 22 Mars 1919. Në ballinën e gazetës të atij numri është shkruar me shkronja të mëdha se “Z. Ali Kuçi fton në konkursin e madh çdo shqiptar”. Ai deri në atë moment ishte mbajtësi i Flamurit të garës, kishte shënuar rekord ndaj vatranit tjetër, z. Banush Feta, që ishte deri në atë çast rekordmeni i garës me $650.00. Ali Kuçi që ishte në kryesinë e pleqësisë së degës së Vatrës PA, e ngriti rekordin në $680.00.
Në shënimin e Diellit shkruhej se:”Atdhetari i njohur dhe një nga përkrahësit dhe luftëtarët më të fortë dhe më energjik të çështjes sonë këtu, thërret në konkursin e madh në fushatën për Shëptimin e Shqipërisë çdo atdhetar që rron në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada. Zoti Ali Kuçi bën këtë deklaratë:” Ftonj në konkurs cilindo që dëshiron të mbanjë Flamurin e Shpëtimit të Shqipërisë.”- Ali A. Kuchi.
Kjo thirrje, ashtu si edhe thirrjet e mëparshme i ngriti në këmbë jo vetëm shqiptarët e Amerikës dhe të Kanadasë, por sollën kontribute për këtë fushatë Kombëtare edhe nga shqiptarët e Argjentinës.
Pak Histori: Kjo fushatë, sipas rekordeve të Vatrës, e kishte pasë shtysën që më 19 Maj 1917, kur Komisioni i Vatrës ishte mbledhë në një takim të rëndësisshëm dyditorë në zyrën e Federatës. Në këtë takim, gjatë ditës së parë u diskutuar për botimin e një Kalendari Kombëtar të Vatrës, të cilin e mori përsipër Fan S. Noli.
Ditën e dytë, të dielën e 20 Majit pas dreke, Komisioni mbaroi së kënduari raportin e delegatit të Vatrës në Londër- Mehmet Be Konitza( Mehmet Konitza ishte përfaqësues i Shqipërisë në Londër dhe paguhej që nga viti 1916 nga Vatra). Raporti përshkruante të gjitha veprimtaritë diplomatike n’Evropë për punët e Shqipërisë. Delegati Konitza shtronte propozimin që të formohej një Komitet në Evropë i përbërë prej miqsh shqiptarofilë dhe shqiptarësh atdhetarë, i cili do të punonte për fituarjen e të drejtave kombëtare të Shqipërisë me kufijt’ e saj ethnografike në Konferencën e Paqes. Organizimin e këtij Komiteti duhej ta merrnin përsipër shqiptarët e Amerikës.
Me këtë mendim të Mehmet Konitzës ishte bashkuar edhe Dr. Mehmet Be Turtulli, edhe ky delegat i Vatrës në Zvicër.
Pas raportit të delegatit Konitza, Komisioni lexoi edhe një letër të dr. Turtullit, i cili dhuronte 1,000.00(Një mijë dollarë) për nisjen e fushatës dhe jepte mendimin që të fillonte menjëherë çelja e fushatës nga Vatra për mbajtjen e Komitetit në Evropë për propogandimin e çështjes shqiptare.
Vatra falenderoi dr. Turtullin për ndihmën bujare me një letër zyrtare.
Komisioni i Vatrës vendosi të caktonte datën 3 Qershor 1917 për hapjen e fushatës, të cilën e quajti”Fushata për shpëtimin e Shqipërisë”, sipas propozimit të Dr. Turtullit. Fushata nisi me mendimin që të mblidheshin rreth 40 mijë dollarë, por vatranët u përgjigjën me duar e zemra hapur dhe mblodhën më shumë se trefishin e shumës, plot $150.000.00.(njëqin e pesëdhjetë mijë dollarë), janë miliona me vlerën e sotme të dollarit.
Pikërisht ata punëtorë që ksihin lënë familjet për të rregulluar ekonominë, që punonin rëndë nga 12-14 orë në ditë, që merrnin 8-9 dollarë në Javë,bënë mrekullinë për shpëtimin e Shqipërisë. Shqiptarët e Amerikës i dhanë çdogjë Shqipërisë dhe nuk kërkuan kurrgjë. Shumë nga këta patriotë as që mundën ta shkelnin tokën e Shqipërisë, ndërsa një pjesë, u kthyen për t’i shërbyer Shqipërisë dhe u dënuan si armiq!
Siç shkruan Petro Ktona në Misionin e Federatës Vatra, Emigracioni i ri le t’u jetë mirënjohës këtyre shqiptarëve, le t’i respektojë për patriotizmin dhe të kaluarën e tyre dhe të mos shikojnë influencën politike që kanë pësuar nga rrethanat e kohës.I gjithë Kombi duhet t’jete mirenjohes VATRES. Këta janë të gjithë patriotë shqiptarë.
Shuma prej 150 mijë dollarë ka qenë e mjaftueshme për të mbajtur delegatët në Konferencën e Paqes(Jo vetëm të Vatrës), për të dërguar Ambasadorë në kryeqytetet e ndryshme të Evropës dhe për të përballuar protestat e shumta të shqiptarëve, peticionet, dërgimin e kablogrameve, shtypin dhe të tjera shpenzime të nevojshme për një ndërmarrje kaq të madhe organizuar nga VATRA. Kjo sakrificë e vatranëve ndihmoi shumë në shpëtimin e Shqipërisë nga rreziku i copëtimit.
Ali Kuçi, ky vatran shpirtbujar, që pat kryesuar kryesinë e Pleqsisë së Vatrës në PA, e la Amerikën dhe u kthye në Shqipëri, nën thirrjen e Fan S Nolit “Të bëjmë Shqipërisë”. Madje ai ngriti edhe një fermë të tipit amerikan në Shqipëri. Nuk u kthye më në Amerikë. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, i mbrujtur me parimet e Demokracisë Amerikane, ndihmëoi këdo që luftonte për liri. Përkrahu edhe partizanët, edhe nacionalistët, por menjëherë pas lufte, ai u arrestua dhe iu kërkua që të jepte llogari”pse i kishte ndihmuar ballistët”! Asnjë fjalë për kontributet që u kishte dhënë partizanëve. Shpirti i tij i lodhur nga torturat fizike të trupit, u shua në qelitë e Hetuesisë së Beratit. Ky ishte shpërblimi për kontributin që kishte dhënë ai dhe pesëmijë vatarnët e tjerë për shpëtimin e Shqipërisë.
Nuk e dimë nëse ka ndonjë vlerësim për këtë figurë atdhetare, që dha gjithçka për Kombin, por Vatra nga ana e saj, i ka propozuar Presidentit të Republikës, që Ali Kuçi, së bashku me vatranët e tjerë martirë, të pushkatuar, burgosur, internuar nga diktatura, të vlerësohen e dekorohen.

Filed Under: Editorial Tagged With: "PER SHPETIMIN E SHQIPERISE", ALI KUÇI, dalip greca, NË DUART E HETUSËVE, NË FUSHATËN, u shua, VATRANI QË UDHËHOQI

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Vatra Queens feston 10 vjetorin e themelimit më 3 Qershor 2023 ora 4 pm
  • THE MISSIONARY HERALD (1894) / GJERASIM QIRIAZI, PREDIKUESI I PARË PROTESTANT SHQIPTAR
  • Nuk mund të ketë individë e as grupe mbi ligjin
  • NAT0 deploys 700 additional troops in Kosovo after clashes in Serb-majority North
  • Albanian American Community Calls for Immediate Action Against Serbia for Inciting Violence and Attacking NATO Troops in Kosova
  • Shënohet 4- vjetori i Shoqatës së Avokatëve Shqiptaro-Kanadezë
  • Ismail Qemal Vlora në Staten Island, Amerikë – Takim pune për ditën historike 3 Qershor
  • Fe e re
  • Poezi nga Marjeta CANAJ – Bukuritë e vendit tim
  • Shqip për të huajt në Prishtinë
  • TENSIONET NË VERI, OSE PARADHOMA E NJË PROTEKTORATI TË RI!
  • Albanian Festival of Worcester
  • HOMAZH PATRIOTIZMIT TE POPULLIT UKRAINAS
  • Kosova përjetë do t’i kujtojë Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj
  • VATRA DËNON SKENARËT SERBO-RUSË NË VERI TË KOSOVËS

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT