NË VEND TË NJË SQARIMI PËR LISTAT E KONTRIBUTEVE TË SHQIPATËVE TË AMERIKËS “PËR SHPËTIMIN E SHQIPËRISË”/
Prej ditësh Gazetë Dielli po boton online(www.gazetadielli.com) Listat e vatranëve që kontribuan në fushatën e madhe “Për Shpëtimin e Shqipërisë”, fushatë që nisi me 3 qershor 1917 dhe vazhdoi edhe në vitet 1918-1919.Përmes komenteve, telefonatave dhe emaileve që kanë ardhur në Vatër, një pjesë e lexuesëve kanë shprehur habi për sasinë e dhurimeve. Kjo është arsyeja pse po japim këtë sqarim.
Së pari; vlera e athershme e dollarit ishte shumëfishi i sotëm.
Së dyti, lista përcjellin vetëm kontributin e datës 3 Qershor 1917, pra ditënisjen e fushatës.Po të vështrosh listën nr 10, emri i parë është Ali Kuçi, i cili sipas kësaj liste ka si kontribut $10.00, aq sa dhuroi ditën e parë të garës, me 3 Qershor 1917, por nuk është vetëm ky kontributi i tij. Këtë e saqron më së miri ky numër i Gazetës Dielli të datës 22 Mars 1919. Në ballinën e gazetës të atij numri është shkruar me shkronja të mëdha se “Z. Ali Kuçi fton në konkursin e madh çdo shqiptar”. Ai deri në atë moment ishte mbajtësi i Flamurit të garës, kishte shënuar rekord ndaj vatranit tjetër, z. Banush Feta, që ishte deri në atë çast rekordmeni i garës me $650.00. Ali Kuçi që ishte në kryesinë e pleqësisë së degës së Vatrës PA, e ngriti rekordin në $680.00.
Në shënimin e Diellit shkruhej se:”Atdhetari i njohur dhe një nga përkrahësit dhe luftëtarët më të fortë dhe më energjik të çështjes sonë këtu, thërret në konkursin e madh në fushatën për Shëptimin e Shqipërisë çdo atdhetar që rron në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada. Zoti Ali Kuçi bën këtë deklaratë:” Ftonj në konkurs cilindo që dëshiron të mbanjë Flamurin e Shpëtimit të Shqipërisë.”- Ali A. Kuchi.
Kjo thirrje, ashtu si edhe thirrjet e mëparshme i ngriti në këmbë jo vetëm shqiptarët e Amerikës dhe të Kanadasë, por sollën kontribute për këtë fushatë Kombëtare edhe nga shqiptarët e Argjentinës.
Pak Histori: Kjo fushatë, sipas rekordeve të Vatrës, e kishte pasë shtysën që më 19 Maj 1917, kur Komisioni i Vatrës ishte mbledhë në një takim të rëndësisshëm dyditorë në zyrën e Federatës. Në këtë takim, gjatë ditës së parë u diskutuar për botimin e një Kalendari Kombëtar të Vatrës, të cilin e mori përsipër Fan S. Noli.
Ditën e dytë, të dielën e 20 Majit pas dreke, Komisioni mbaroi së kënduari raportin e delegatit të Vatrës në Londër- Mehmet Be Konitza( Mehmet Konitza ishte përfaqësues i Shqipërisë në Londër dhe paguhej që nga viti 1916 nga Vatra). Raporti përshkruante të gjitha veprimtaritë diplomatike n’Evropë për punët e Shqipërisë. Delegati Konitza shtronte propozimin që të formohej një Komitet në Evropë i përbërë prej miqsh shqiptarofilë dhe shqiptarësh atdhetarë, i cili do të punonte për fituarjen e të drejtave kombëtare të Shqipërisë me kufijt’ e saj ethnografike në Konferencën e Paqes. Organizimin e këtij Komiteti duhej ta merrnin përsipër shqiptarët e Amerikës.
Me këtë mendim të Mehmet Konitzës ishte bashkuar edhe Dr. Mehmet Be Turtulli, edhe ky delegat i Vatrës në Zvicër.
Pas raportit të delegatit Konitza, Komisioni lexoi edhe një letër të dr. Turtullit, i cili dhuronte 1,000.00(Një mijë dollarë) për nisjen e fushatës dhe jepte mendimin që të fillonte menjëherë çelja e fushatës nga Vatra për mbajtjen e Komitetit në Evropë për propogandimin e çështjes shqiptare.
Vatra falenderoi dr. Turtullin për ndihmën bujare me një letër zyrtare.
Komisioni i Vatrës vendosi të caktonte datën 3 Qershor 1917 për hapjen e fushatës, të cilën e quajti”Fushata për shpëtimin e Shqipërisë”, sipas propozimit të Dr. Turtullit. Fushata nisi me mendimin që të mblidheshin rreth 40 mijë dollarë, por vatranët u përgjigjën me duar e zemra hapur dhe mblodhën më shumë se trefishin e shumës, plot $150.000.00.(njëqin e pesëdhjetë mijë dollarë), janë miliona me vlerën e sotme të dollarit.
Pikërisht ata punëtorë që ksihin lënë familjet për të rregulluar ekonominë, që punonin rëndë nga 12-14 orë në ditë, që merrnin 8-9 dollarë në Javë,bënë mrekullinë për shpëtimin e Shqipërisë. Shqiptarët e Amerikës i dhanë çdogjë Shqipërisë dhe nuk kërkuan kurrgjë. Shumë nga këta patriotë as që mundën ta shkelnin tokën e Shqipërisë, ndërsa një pjesë, u kthyen për t’i shërbyer Shqipërisë dhe u dënuan si armiq!
Siç shkruan Petro Ktona në Misionin e Federatës Vatra, Emigracioni i ri le t’u jetë mirënjohës këtyre shqiptarëve, le t’i respektojë për patriotizmin dhe të kaluarën e tyre dhe të mos shikojnë influencën politike që kanë pësuar nga rrethanat e kohës.I gjithë Kombi duhet t’jete mirenjohes VATRES. Këta janë të gjithë patriotë shqiptarë.
Shuma prej 150 mijë dollarë ka qenë e mjaftueshme për të mbajtur delegatët në Konferencën e Paqes(Jo vetëm të Vatrës), për të dërguar Ambasadorë në kryeqytetet e ndryshme të Evropës dhe për të përballuar protestat e shumta të shqiptarëve, peticionet, dërgimin e kablogrameve, shtypin dhe të tjera shpenzime të nevojshme për një ndërmarrje kaq të madhe organizuar nga VATRA. Kjo sakrificë e vatranëve ndihmoi shumë në shpëtimin e Shqipërisë nga rreziku i copëtimit.
Ali Kuçi, ky vatran shpirtbujar, që pat kryesuar kryesinë e Pleqsisë së Vatrës në PA, e la Amerikën dhe u kthye në Shqipëri, nën thirrjen e Fan S Nolit “Të bëjmë Shqipërisë”. Madje ai ngriti edhe një fermë të tipit amerikan në Shqipëri. Nuk u kthye më në Amerikë. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, i mbrujtur me parimet e Demokracisë Amerikane, ndihmëoi këdo që luftonte për liri. Përkrahu edhe partizanët, edhe nacionalistët, por menjëherë pas lufte, ai u arrestua dhe iu kërkua që të jepte llogari”pse i kishte ndihmuar ballistët”! Asnjë fjalë për kontributet që u kishte dhënë partizanëve. Shpirti i tij i lodhur nga torturat fizike të trupit, u shua në qelitë e Hetuesisë së Beratit. Ky ishte shpërblimi për kontributin që kishte dhënë ai dhe pesëmijë vatarnët e tjerë për shpëtimin e Shqipërisë.
Nuk e dimë nëse ka ndonjë vlerësim për këtë figurë atdhetare, që dha gjithçka për Kombin, por Vatra nga ana e saj, i ka propozuar Presidentit të Republikës, që Ali Kuçi, së bashku me vatranët e tjerë martirë, të pushkatuar, burgosur, internuar nga diktatura, të vlerësohen e dekorohen.