E Diele, 5 Prill- Sot paradite, në moshën 80-vjeçare u shua mjeshtri i madh i humorit shkodran dhe jo vetëm Gëzim Kruja. Për herë të fundit ai u ngjit në skenë në 2018. Gjendja e tij ka qenë e rënduar, ndërsa kohët e fundit e kishte të pamundur të fliste për shkak të sëmundjes. Gëzim Kruja e kaloi jetën në skenën e humorit ku interpretoi mbi një mijë role. Presidenti Meta: U duartrokit nga shumë breza, do mbetet në memorie/
Humori shqiptar në zi! Ndahet nga jeta në moshën 80-vjeçare mjeshtri i madh i skenës Gëzim Kruja. Ai u shua sot paradite, ndërsa lajmi është konfirmuar nga familja. Gjendja e tij ka qenë e rënduar, ndërsa kohët e fundit e kishte të pamundur të fliste për shkak të sëmundjes. Dalja e tij e fundit për mediat ishte në festën e 80-vjetorit të lindjes në dhjetor të vitit të kaluar, që miqtë e teatrit i organizuan. Vepra e fundit që ngjiti në skenë Gëzim Krujën ishte në vitin 2018.
Humoristi shkodran lindi në 4 dhjetor 1939. Gëzim Kruja karrierën humoristike e nisi që në moshën 13-vjeçare. Fillimet me estradën amatore nisën që në kohën kur ishte ushtar më 1958. Më pas vazhdoi aktivizimin në vitin 1960 me estradën profesioniste të Shkodrës. Gëzim Kruja mbaroi në vitin 1979 Institutin e Lartë Pedagogjik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë në Shkodër.
Ai kaloi një jetë në skenën shkodrane të humorit, ku spikati me rolet e tij të shumta. Gëzim Kruja shkroi 15 komedi, 10 recitate, 2 libra me monologë gazmor, ndërsa interpretoi mbi një mijë role në skeçe të ndryshme në 52 vite. Në vitin 2004 mori titullin “Krenaria e Qytetit”, ndërsa një vit më pas “Naim Frashëri i Artë” dhe në 2010 “Mjeshtër i Madh”.
Për aktorin dhe regjisorin Bruno Shllaku, Gëzim Kruja ishte një perëndi. “Është një datë e keqe për humorin mbarë shqiptar. Ikën nga froni një perëndi, që për dekada me radhë dha atë që vështirë mund ta kishin dhënë të tjerët. Ai ngelet një shkollë e madhe, një virtyt, një dashuri për publikun dhe artin. Ai fron do të mbetet për shumë vite i pazëvendësueshëm për shumë vite. Ai ishte një personazh i dashur që nga fëmijët në kopshte deri te pensionistët që ishin në orët e fundit dhe që qeshnin me humorin e Gëzim Krujës. Unë kam pasur privilegj të punoj me Gëzimin në disa komedi. Gjithmonë merrja çmime kur Gëzim Kruja ishte në role”. Shllaku kujton edhe vitin 2018 kur me regji të tij Kruja u ngjit në skenë për herë të fundit. “Nuk më kishte shkuar në mendje kurrë, por jeta kjo është. Ai e mbylli, e finalizoi jetën. Ai e mbylli përballë shkodranëve si radhë herë me duartrokitje sikur donte të thoshte se….‘ tha ai.
Presidenti Meta: U duartrokit nga shumë breza, do mbetet në memorie
Lajm trishtues e cilëson Presidenti Ilir Meta ndarjen nga jeta të aktorit të madh Gëzim Kruja. “Ndarja nga jeta e Mjeshtrit të Madh të skenës dhe humorit, Gëzim Kruja është një lajm trishtues. Me talentin e spikatur, Gëzim Kruja do të mbahet mend si një prej figurave më të dashura të artit shqiptar, që falë personazheve karakteristike të interpretuara mjeshtërisht u duartrokit nga shumë breza, duke lënë pas një trashëgimi të vyer artistike. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Kruja, të afërmve, të gjithë artdashësve dhe qytetarëve të mrekullueshëm të Shkodrës, për këtë humbje të pazëvendësueshme‘ shkruan Ilir Meta.
ZYLIHA MILOTI: HUMBJE E MADHE PER ARTIN SHQIPTAR
Aktorja e mirënjohur nga Shkodra Zyliha Miloti, një nga bashkëpunëtoret e Gëzim Krujës shpreh trishtimin për largimin e tij nga jeta. Në një lidhje telefonike për Report Tv, aktorja thotë se po ikën një brez i mrekullueshëm. “Sapo morëm vesh humbjen e një artisti të madh, jo vetëm shkodran, por të gjithë Shqipërisë. Nuk ka pak minuta që fola me djalin e Gëzimit, është një humbje e madhe. Deri para një viti ka qenë i fortë, por humbje e madhe. Unë desha të ngushëlloj edhe familjet e tjera që kanë humbur të afërmit, situata është e vështirë. Por kjo e Gëzimit na ka prekur të gjithëve, më vjen keq, sepse nuk e meritonte, pasi do të ishte përcjellë me ceremoni të madhe nga të gjithë. Më vjen shumë keq.
Kohët e fundit po më thoshte i vëllai se nuk ka mundësi me ngrënë dhe pak a shumë e kemi pritur. Po na ikën artistët me radhë, një brez i mrekullueshëm. Por Gëzimi ka qenë njeri i mrekullueshëm. Nuk mund të komunikonte, por vetëm me të shkruar dicka. Gëzimi mendonte se në 80-vjetor të bënte edhe një recital, e kishte me qejf por nuk iu realizua. Gëzimi nuk ka qenë vetëm aktor, por edhe ka shkruar shumë bukur. Na vjen keq se nuk mund të marrim pjesë në përcjelljen e tij, ky është kulmi, nuk e ka merituar këtë gjë, por cfarë të bëjmë‘ tha ajo.
Qytetarët e Shkodrës nuk do të kenë mundësi që të përcjellin Gëzim Krujën për në banesën e fundit sikur e meriton. Lamtumira dhe duartrokitja e fundit do të jetë e pamundur për shkak të koronavirusit dhe situatës që është krijuar, ku ndalohen grumbullimet. Në ceremoninë e varrimit të mjeshtrit të madh do të jetë vetëm familja.(Kortezi:Shqiptarja.com)