• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

25 vjet nga eksodi i marsit 1991

March 2, 2016 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli/

25 vjet më pare, mijëra banorë të Durrësit dhe mbare vendit “pushtuan” anijet tregëtare dhe peshkatore të bregëzuara në Portin e Durrësit e radë dhe u nisën drejt brigjeve italiane, duke shënuar një nga eksodet më të mëdha në historinë e popullit shqiptar. Ishte një eksod biblik që pasoi dyndjen drejt ambasadave në gusht 1990 dhe vazhdoi me eksodin e Gushtit 1991. Në historinë mijëra vjecare midis dy brigjeve, kjo ishte dyndja e katërt e madhe. Mijëra shqiptarë në emër të një jetë më të mirë, në emër të lirisë, në ato ditë të ftohta të marsit 1991, mes plumbave, terrorit e sakrificave pafund zbarkuan në brigjet Apenine. Ky ishte migrimi më i madh i shqiptaërve dhe grushti i fundit që ju dha diktaturës. Pamvarësisht se kanë kaluar 25 vjet nga ato ditë tragjike, shqiptarët ruajnë në memorie episode pa fund të atyre ditëve, pasi në eksodin e marsit 1991, shumica e shqiptarëve kishin nga një familjar, të afërm, nga një mik ose shok, nga një copë dhimbje e loti… I kam përjetuar me ankth, shqetësim e shpresë njëherësh këto ditë, pasi më ikën disa të afërm me këto anije, por dhe disa ushtarë të repartit që komandoja, për të cilët duhet të jepja llogari para organizatës së partisë që ishte në grahmat e fundit. Ne ushtarakët bashkë me detarët shqiptarë ishim të stresuar e terrorizuar, mbase më shumë se shtresat e tjera të popullsisë, pasi në momente kritike jemi keqpërdorur nga politika e shteti shqiptar. Në një ambient të pasigurt e plot peripeci, ishim të dyzuar në mendime, aq sa mendimi për të ikur me të tjerët, na shoqëronte në cdo cast. Gjithsesi familjet durrsake, detarët, ushtarakët, njerzit e rendit, zyrtarwt e institucioneve tw ndryshme që vepronin në Durrës, arritën me gjakftohtësi e qetësi ta menaxhonin këtë situatë të pazakontë….pamjet apoliptike të atyre ditëve jetojnë në memorien e cdo bashkëkohësi e qyetari durrsak. Ja si i përshkruan një qytetar durrsak, dëshmimtar okular,  pjesë e eksodit, ato ditë marsi… Shoh përreth…jemi mijëra që drejtohemi për tek porti. Të gjithë nxitojmë. Nëse dje ishte ëndërr, sot është realitet. Dje ishin dhjetra, sot janë mijëra. Rruga flet, thërret, fishkëllen, por si përgjigje dëgjohen breshëritë e automatikëve. Shkëndija e një nate më parë është kthyer në flakë. Nata e mëparëshme ishte e mbarsur me pasiguri, ndërsa sot shprehet vendosmëri për tu larguar, krahas dëshirës për mbijetesë… anija-njeri flet të vetmen fjalë “liri’. Një nocion shumë kompleks. Një fjalë që nuk mund të zvëndësohet me asnjë sinonim, por që në këtë rast zvëndësohet me fjalën largim, liri!-fjalë që ishte fshehur në qënien e gjallë, në atë pjesë të globit që mban emrin e shqiponjës…I drejtohemi anijes “Lirija”…I afrohemi cimës dhe fillojmë të kacaviremi. Me tu futur në anije, kapemi pas dore që të mos biem në det. Kici{pjesa fundore e anijes} ishte tejmbushur, aq sa nuk mund të hidhje një hap. Djem të ulur, familje të tëra, grupe njerzish që qëndrojnë në këmbë. Fëmijë të frikësuar që fshihen pas prindërve apo të afërmëve. Dikush kërkon dikë dhe të gjithë flasin me zë të lartë. S’dëgjoj asnjë dhe asgjë…salla e mashinës është mbushur me djem që thërisnin :-Vriteni qenin! O derr! Do të të varim këtu, po se ndeze motorin! Të gjithë në sallën e mashinës thërasin e kërcënojnë, por askush nuk kupton nga motori…Kemi frikë mos përplasemi me kalatën e portit. Një shoku im erdhi nga anija “Skënderbeu”. Kam erdhur me not, më tha me gjysëm zëri. Nuk kam ngrënë që mbrëmë..pashë disa djem që hanin sheqer, miell e makarona. Kthej kokën nga porti, shoh qytetin tim, duart e ngritura të nënës e motrës, dhe portin që po e le, portin e lotëve…lëndina e lotëve tani është porti i lotëve?! Me qindra nëna, motra e gra, me sy të përlotur shohin perëndimin… Qëndrojmë të mbështetur tek dera e kabinës. Nuk flasim. Grupi i djemve në kabinë flet me zë të lartë për vendin ku duhet të drejtohemi me anije.  Përmendin emra të porteve të ndryshme italiane. Njëri prej tyre propozon Spanjën, një tjetër Francën…dikush Italinë e Jugut…Anija nuk ka aparaturat e lundrimit në rregull…Gjithsesi anija-njeri lëviz drejt horizontit derisa bëhet një pikë e zezë. Shpesh pyesja veten, nëse në Durrës ka ngelur njeri..Më kujtohej thënia e një durrsaku të vjetër që shpesh përsëriste: po të ngrinte deti, gjithë durrsakët do iknin në Itali me karrige duke shtyrë njëri-tjetrin!…Aventura jonë zgjati 16 orë, duke lundruar pa asnjë aparat drejtimi. I ngjante një anije në errësirë drejt mbytjes…Por mbas këtyre peripecive, dritat e Brindizit, u shfaqën befas pak e nga pak, duke mbushur hapësirën e radës. Afrohemi…thuajse e njëjta pamje tronditëse. Gardhi me karabinierë, ambulanca, thirrje e britma që nuk pushojnë..Njerzit zbresin nga cimat e anijes. Pasiguria dhe frika i bën të mendojnë se nuk do zbresin në tokë dhe se anija do të niset me ta në bord. Madje nga nxitimi dikush bie në det.. Eksodi i marsit 1991, e renditi Durrësin si qytetin e eksodit, si një qytet që ngjasonte me murin e Berlinit, ku ndaheshin e bashkoheshin dy botë!

Qyteti që kërkoi të ndërtojë urat e prishura, ky ishte Durrësi i marsit 1991!

Respekt për Durrësin, për familjet durrsake, për të gjitha ata që i hynë detit me këmbë, në emër të një jetë më të mirë! Respekt për detarët shqiptarë, për ushtarakët dhe forcat e rendit që nuk lejuan incidente të rënda me humbje jete në këtë eksod unikal për nga përmasat dhe mjetet e përdorura. Një flotë e tërë e ngritur për 50 vite drejt Italisë!? Këto më shkonin në mëndje gjatë ditës së sotme.

Ceremonia tek galeria “Nikolet Vasia”

Në kujtim të kësaj ngjarje të rëndësishme jo vetëm për Durrësin, por gjithë shqiptarët, sot 2 mars 2016, në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” Durrës, u përurua ekspozita fotografike “Porti i Durrësit – 25 vjet pas eksodit 1991”. Kjo veprimtari e organizuar nga Autoriteti Portual Durrës, në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit dhe Agjencinë Telegrafike Shqiptare, ATSH, riktheu në vemendjen e opinionit publik një nga episodet më të rëndësishme në historinë e re të Durrësit dhe të gjithë vendit, eksodin me anije në Mars 1991. Ngjarjet e marsit 1991, njëlloj si ato të korrikut 1990 dhe gushtit 1991 u fokusuan në portin më të madh të vendit, nga ku u nisën dhjetra anije dhe motopeshkatore me qytetarë shqiptarë kryesisht drejt brigjeve italiane. Në ekspozita u paraqitën 25 foto bardhezi të atyre ditëve që sollën emocione tek pjesmarrësit. Ndërkohë në një monitor u shfaqën pamjet filmike të portit në vitin 1991, realizuar nga operatorët e RTSH, ndërsa në pjesën tjetër të galerisë u ekspozuan foto me pamje aktuale të portit të Durrësit. Në cerëmoninë e përurimit të kësaj Foto-ekspozite morrën pjesë drejtues të pushtetit vendor e qëndror, drejtues e specialistë të Autoritetit Portual Durrës, ushtarakë, detarë me dhe pa uniformë, qytetarë, dëshmimtarë e protogonistë të këtij eksodi, përfaqësues të mediave e shoqatës së detarëve “ADRIJON”, etj. Fillimisht të pranishmit i përshëndeti Drejtori i Autoritetit Portual Durrës, zoti Gazmend Shalsi, i cili falenderoi për pjesmarrjen në këtë aktivitet të rëndëshëm përkujtimor, duke e cilësuar këtë si një traditë të re, e cila do të përfshihet në ceremonitë përkujtimore në vijim. “Qyteti ishte totalisht i përfshirë në këtë eksod. Pas 25 vjetësh ne e përjetojmë me emocion dhe e përkujtojmë. Kjo është një traditë e re në kujtim të kësaj ngjarjeje të shënuar, e cila do të vijojë të kujtohet edhe në të ardhmen”, theksoi zoti Shalsi.  Ndërsa kryebashkiaku Dako u shpreh se “Ne sot kujtojmë 25 vjet më parë, ato ditë të trishtueshme që ka kaluar ky qytet në jetën e tij. Ditët e eksodit, kur mijëra të rinj e të reja u larguan drejt Europës. 25 vjet kanë kaluar por asnjë herë nuk duhen harruar. Porti i Durrësit është parë si një mundësi shprese, dhe nga dyert e këtij porti kanë emigruar të rinjtë tanë drejt Europës”. Drejtori i ATSH-së, zoti Gëzim Podgorica, shprehu gatishmërinë për të vënë në dispozicion të studjuesve e qytetarëve arkivin filmik e fotografik të ATSH . “25 vite janë sa larg edhe afër, por e rëndësishme është që të sjellim gjithmonë në vëmendje ngjarje e momente nga Shqipëria jonë e dashur”, tha zoti Podgorica. Duke vizituar fotoekspozitën, dhjetra qytetarë durrsakë rikujtuan ngjarje dhe episode nga ato ditë trishtimi dhe shprese të javës së parë të marsit 1991. Ekspozita do jetë e hapur deri më datën 7 mars 2016.

Shënim: Historinë e zgjeruar të eksodeve nga viti 1990 deri në vitin 1997, bazuar në tregimet e dëshmimtarëve okularë dhe arkivave Italo-Shqiptare, bashkë me foto eksluzive e gjeni tek vëllimi i II-të e III-të,  i “Antologjisë së Detarisë Shqiptare”

Filed Under: Histori Tagged With: 25 vjet, nga eksodi i marsit 1991, Shefqet Kercelli

Basha: 25 vjetori i rrëzimit të shtatores së diktatorit, simbol i lirisë

February 20, 2016 by dgreca

TIRANË, 20 Shkurt /ATSH-Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se 25 vjetori i rrëzimit të shtatores së diktatorit e gjen Shqiperinë të ndarë në dy botë, ne boten që qas politikat e përendimit dhe ne boten që qas diktatorin.

“Për ne, 20 shkurti 1991, është simboli i lirisë”, tha kryetari i opozites në Muzeun Kombëtar ku u zhvilloi një aktivitet përkujtimor në 25 vjetorin e rrëzimit e shtatores së diktatorit në Tiranë, më 20 shkurt 1991. Aktiviteti u zhvillua në prani te personaliteve të politikës, drejtuesve të lartë të Partisë Demokratike, deputëteve të PD-së, dhe diplomateve të akredituar në Tiranë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha falenderoi me kete rast të gjithë ata që gjendeshin ne kete aktivitet por dhe ata që kane marre pjesë në rrëzimin e shtatores së diktatorit. “Ne sot jemi mbledhur të kujtojmë ngjarjen më kulmore të historisë, rrëzimin e shtatores së diktatorit Enver Hoxha. Sa herë kujtojmë përballjen madhështore të 20 shkurtit 1991, seicilin nga ne e përshkojnë emocione, pasi shembja e shtatores së diktatorit ishte ora e frymarrjes së lirisë dhe e çlirimit të shqiptarëve nga tirania”, tha ai.

“Rrëzimi i shtatores është ngjarja që i tregoi botës së Shqipëria ishte vendi më i izoluar në botë por njëherazi tregoi se ketu jetonte një rini e guximshme e etur për Shqipërinë si gjithë Europa. Nëse do të përfytyronin një panair të lirisë, Shqipëria do të prezantohej pikërisht me 20 shkurt 1991. Nderim për të gjithë ata që u derdhën në shesh atë ditë. Njërëz që historia i mbanë në hije, por pa të cilët nuk mund të kishte fitore, ne i nderojme studentët, sindikalistë dhe qytetaret që u bënë pjese e kësaj dite historike”, cilesoi Basha.

Sipas Bashes, qeveria e sotme e injoroi këtë ditë të madhe dhe nuk organizoj asnjë ceremoni përkujtimore. Si është e mundur një heshtje nga qeveria , kjo është e turpshme, provokuese dhe ogurëzezë. Atyre nuk u bënë zemra nuk mund të lartësojnë vlerat qytetare. Këtë 25 vjetor me lejoni t’u drejtohemi qytetarëve shqiptarë që ta bëjmë 20 shkurtin  emblemen e lidhjeve tona për liri” tha  kryetari i opozites .

Aktiviteti moderohej nga Tomor Alizoti,  përfaqësues i departamentit të të përndjekurve politik në PD. Gjate ketij aktiviteti pjesmarres te asaj dite sollen kujtimet e tyre dhe momente të dites kur u rrëzua shtatoria e diktatorit.

***

Basha: Në këtë 25 vjetor, 20 shkurti  ndan sërish dy modele, dy botë, dy  rrugë për të ardhmen e vendit. Ne që mesojmë nga modeli i demokracive  perëndimore, dhe kundershtarëve tanë që kanë në mendje, pavarësisht se mundohen ta fshehin adhurimin për modelin e diktatorit.  Kjo nuk është reotrike, sic u tha sot disa herë Qeveria e sotme pasi injori festimet për 25 vjetorien nuk tha asnjë fjaklë të vetme për ngjarjet shkorurëzues të Enver Hoxhës dhe nuk organizoi asnjë veprimtari përkujtimore për 20 shkurtin. Si është është e mundur? Në cilin vend të botës mund të ndodhe që qeveria të heshtë për një ngjarje kaq të rëndësishme.

Hështja e mbajtur nga qeveria dhe Rama është e turpshme dhe provokuese, është e dënueshme dhe ogurzezë, është një heshtje që flet, flet shumë për raportin e tyre të vërtetë me trashëgiminë hoxhiste.

Kreu i opozitës qeverinë për devijim nga aktet madhore të 20 shkurtit pasi liria nuk bashkëjeton me krimin dhe korrupsionin në sistem. Basha e konsideroi 20 shkurtin si standard të papajtueshmërisë me të keqen ne nje embeleme te lidhjeve të vlerave të demokracisë.

Filed Under: Politike Tagged With: 25 vjet, Basha, rrezimi i shtatores, se enverit

25 VJET PA TIRANIN ENVER HOXHA !

December 12, 2015 by dgreca

13  DHJETOR  1990- SHKODRA  PERSHËNDETË  DEMOKRACINË/

 ■Edhe njëherë plot dritë kjo ndertesë e Prefekturës së Shkodres!/

Nga Fritz RADOVANI/

Ishte zgjue Shkodra mbarë me një mendim 46 vjeçarë në kokë: “Deri kur surrati i këtij tirani të pashoq perballë Prefekturës sonë?!”…

Vlonin rrugët e Shkodres, vlonin rrethinat, vlonin urat lidhse të qytetit… Rinia ishte zgjue nga gjumi gjysëshekullor… Pushkët dhe kazmat i kishte kraheqafë Ramiz Alia!

■Doli nga Instituti Pedagogjik i Shkodres një djalë me një suazë të madhe në dorë, dhe mbas tij disa studentë… Sa mërrijti tek shkallat e hymjes kryesore, veç kur i dha krah asaj korrnizë, e shkoj tek trotuari copa e grima xhami bashkë me surratin e Enver Hoxhës!

Mendova me vete: “Sot i erdhi fundi edhe këtij qen e bir qeni!”…

Eca nga Dugajt’ e Reja, ku takova një grup djelmësh të rij, që shpejtonin hapin…

■Nga të katër anët Pjaca Fusha e Çelës, po vershohej nga njerzit që shpejtonin me shkue tek Prefektura e Shkodres. Ferdinand Temali në ecje më tha këto fjalë: “Po shkojmë me rrëzue bustin e diktatorit, mirë u pafshim!..”

Të gjithë ishin aq të gëzuem, sa ndoshta, u dukej, se po shkojnë në darsem…

U bashkuen tek Banka e Shtetit me një grup tjeter që me Flamurin e Shqipnisë “pa yll”, thërrisnin: “Liri Demokraci!”, “E duem Shqipninë si gjithë Europa!”, “Enver Hitler!” ishte shperthimi i fundit që pritej me brohoritje nga turmat e Popullit të Shkodres…

■Rinia Shkodrane po realizonte andrren e sa e sa viktimave të Gjenocidit të tiranit Enver, e nder të fundit ishin Djelmët e Vajzat që pak ditë perpara kishin la me Gjakun e Tyne Rinor, piramidat kufitare të Shqipnisë cungueme nga “Europa plakë”, që i pat thurë një vjerrshë edhe Poeti Kombtar At Gjergj Fishta, që as Ai nuk “zehët me gojë”!!

■U hap fjala e mori dheun… Në Shkoder Rinia rrëzoi bustin e diktatorit Enver Hoxha!

■Ka “disa shqiptarë” që, “as sot nuk e dijnë, se Ai… që e zhguli e pshurri!”

■Një Shkoder Loce, uroj me zemer: “Enver Hoxha e pastë thye qafen, e kurrma mos ia pashim surratin, e i daltë fara e tij kudo në Trojet Shqiptare të Gjergj Kastriotit!”

Melbourne, Dhjetor 2015.

Filed Under: Analiza Tagged With: 25 vjet, Fritz radovani, pa Enver Hoxhen, shkodra

25 VJET TË SHQIPËRISË DEMOKRATIKE

December 8, 2015 by dgreca

Nga Harry Bajraktari*/

Një goditja e fortë çekani më 9 nëntor 1989 rrëzoi për dhe’ Murin e Berlinit, pas 28 vjetësh të ekzistimit të tij.Ky mur famëkeq kishte ndarë kryeqytetin gjerman në dysh, ashtu siç ishte e ndarë bota në atë demokratike dhe atë komuniste. Ky mur, si të themi, ishte edhe simbol i ndarjes së botës në dy blloqe, të quajtur ndryshe lufta e ftohtë.Kur ra ky mur i betonuar, ndërtuar në vitin 1961nga Gjermania Lindore, një muri tjetër në mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe viseve tjera shqiptare nën Jugosllavi, ende ishte në të njëjtin vend, i vendosur shumë para atij të Berlinit. Përderisa rrëzuarja e këtij muri në Evropën e qytetëruar po bënte jehonë të madhe, sodomos tek disa vende të sistemit komunist si në Poloni, Çekosllavaki e vende të tjera, regjimi diktatorial në Shqipëri, përkundër panikës që e kishte rrokur, s’po jipte shenja të dritës së gjelbërt. Kreu komunist i Shqipërisë dhe anëtarët e Byrosë Politike në këtë kohë, deklaronin se gjithçka mund të ndodhte, por jo edhe rënia e monizmit, ku ata kishin lumturinnë e jetës së tyre. Do të ishte naive që këta udhëheqës të mos e kuptonin valën që i kishte përfshirë vendet komuniste të Evropës Lindore dhe ato në Ballkan për ta përmbysur sistemin komunist që shihej i kalbur. Mirëpo, diktatura në Shqipëri, ende shpresonte në të vetmin mjet që i kishte mbetur në dorë të majtë-dhuna. Ajo çka kishte ngjarë me Çausheskin e Rumanisë, s’ do mend se ishte një parandjejnë i qartë edhe për Ramiz Alinë dhe bashkëpuntorët e tij komunistë. Siç do të shohim më vonë Ramiz Alia nën trysninë e Lëvizjes Studentore të 8 dhjetorit, në krye të se cilës u vendos demokrati dhe patrioti nga Tropoja Azem Hajdari, filloi ta shihte se koha e tij po përfundonte.

***

Një popull i ngujuar brenda mureve të hekurta kishte ardhur në një gjendje tepër  të rraskapitur që më s’ mund të priste dhe s’ kisht çka të humbte. Shikuar në këtë prizmë, vitet 90-ta të shekullit të kaluar për Shqipërinë ishin vitet më të rëndësishme në historinë e saj të re, pas pavarësisë më 28 nëntor 1912.Çdo kapërcim i madh historik ka kërkuar një udhëheqës që i ka prirë masës së dëshpëruerëve.Në këtë kohë nga Universiteti i Tiranës, doli studenti Azem Hajdari me një guxim të pashembulltë kundër diktaturës shumëvjeçare në Shqipëri.Ky kishte edhe përkrahjen e disa intelektualëve kyq nga Tirana, të Sali Berishës, Gramoz Pshkos dhe të disa intelektualëve të tjerëve që gjendja aktuale të përmbysej pa tronditje fatale, duke qenë në ruajtje dhe mbrojtje të popullit. Në këtë kontekst logjik Azem Hajdari formoi Lëvizjen Studentore për t’ i dhënë ultimatum Ramiz Alisë se alternativë tjetër, pos demokracisë, nuk kishte mbetur. Pushteti i Ramiz Alisë, duke u mbështetur në doktrinën komuniste apo më mirë të themi duke mos harruar ende ëndrrën e tij, nisi fushatën e persekutimit ndaj studentëve që kërkonin të drejtat e tyre demokratike, si popujt tjerë në Evropë. Kundër kësaj dhune dhe terrori që ushtronte kreu komunist i Shqipërisë, u ngritën fuqishëm studentët e Universitetit të Tiranës, nën udhëheqjen Azem Hajdarit. Në fillim studentët pakënaqësitë e tyre i shfaqën brenda sheshit të këtij institucioni të arsimit të lartë, e më pastaj edhe në sheshet tjera të Tiranës dhe në mbarë Shqipërinë. Azem Hajdari bëri thirrje në formë të prerë që të hapeshin portat e demokracisë edhe në këtë vend të katandisur nga dhuna. Ky student, tashmë konsiderohej i rrezikshëm për piramidën komuniste në Shqipëri. Dhe, për këtë arsye thirret në polici, por në asnjë mënyrë nuk pranoi t’ u bindej urdhërave të tyre.

Në demonstratën e madhe studentore në Tiranë 1990, Azem Hajdari, i cili ndodhej në ballë të Lëvizjes, për herë të parë doli parulla “Liri, demokraci…”Një parullë e tillë nuk ishte parë për 50 vjet në hapsirën e Shqipërisë, çdo gjë dhe ide ishte ngulfatur. Në krah të kësaj Lëvizje masive ishte edhe Dr.Sali Berisha e intelektualë të tjerë të cilët vepruan deri në rrëzimin e sistemit komunist dhe bashkëvepruan në proceset tjera të zhvillimit të demokracisë në Shqipëri.Në këtë demonstratë studentët u përballën me policinë dhe kjo ishte përballja e parë, gjithashtu për afro 50 vite. Sllogani i studentëve që valvonte shesheve të Tiranës: “Edhe ne si gjithë Evropa!, ishte më i fuqishëm se parrullat komuniste, tani të zhveshura dhe të mbetura leckë, pa vlerë.

Ramiz Alia, duke mos pasur rrugëdalje tjetër pranoi të ulej në një tryezë me Azem Hajdarin, Dr. Sali Berishën, Gramos Pashkon e demokratë të tjerë. Përfaqësuesit e kësaj Lëvizjeje historike gjatë bisedës ia bënë me dije se vetëm aplikimi i sistemit pluralist, Shqipërinë mund ta nxirrte nga një katastrofë totale. Në këtë kontekst i përkujtuan atij ngjarjet që kishin ndodhur në vendet komuniste në Evropë.Nga trysnia, pasardhësi i diktatorit Hoxha, Ramiz Alia, më në fund, u pajtua që në Shqipëri të niste pluralizmi politik.

Pra, në këtë periudhë formohet Partia Demokratike, e cila me aktivitetin e saj çoi përpara proceset demokratike në gjithë Shqipërinë.

Më 22 mars 1992, ditën e parë të pranverës, u organizuan zgjedhjet parlamentare dhe me këtë përmbyll kapitulli i tiranisë së errët në Shqipëri. Në mitingun e madh që organizoi Partia Demokratike në sheshin e Tiranës, foli lideri i saj Dr. Sali Berisha, i cili me tone entuziaste paraqiti projektin e një Shqipërie demokratike, ku të gjithë do të gëzonin të drajtat dhe liritë e tyre, në një Shqipëri evropiane.

Nga një dorë mizore më 14 shtator 1998 u vra simboli i Lëvizjes Studentore dhe i demokracisë, Azem Hajdari.Nuk ishte atentat vetëm ndaj tij, por ishte atentat ndaj Shqipërisë, ndaj të ardhmes së saj demokratike, atentat ndaj një Shqipërie që ishte nisur drejtë Evropës dhe ndaj njeriut i cilii bëri shumë për demokracinë shqiptare.Vrasja e Azem Hajdarit tronditi të gjithë liridashësit dhe idealistët e Shqipërisë, të gjithë ata që vuajtën për lirinë e fjalës dhe lirinë e të drejtes së ekzistimit.

Shqipëria pas 25 vjetësh të tranzicionit?

Kanë kaluar 25 vjet të ranzicionit në Republikën e Shqipërisë dhe kjo periudhë mund të konsiderohet deri në njëfarë mase e mjaftueshme për një zhvillim të demokracisë dhe të konsolidimit të shtetit në aspektin ekonomik e politik.Në këtë drejtim ka shumë pikëpyetje dhe gjithashtu mendime që kërkojnë përgjigje?

Shqipëria para 25 vitesh ishte nisur nga zero-ja, nga një asgjë, dhe ngjarjet që pasuan ishin shpresëdhënse dhe me kalimin e viteve edhe zhgënjyese. Nuk ishte e lehtë  shkëputja nga e kaluar dhe aq më e vështirë ishte ngjitja, kuptimi dhe vullneti i zhvillimit të një demokracie të mirëfilltë. Shqipëria për këto 25 vjet kaloi nëpër një periudhë të komplikuar tranzicioni: përmjet fajdeve, korropcionit, krimit të organizuar, kundërthënieve të ashpra partiake për arritur në pushtet, me përvojën e pakët të zhvillimeve demokratike, me shumë probleme të pronësisë dhe me fenomenin e pangopëshmërisë të politikanëve për t’ u pasuruar, duke keqpërdorur pozitën dhe votën e dhënë nga populli. Ndër problemet tjera të mëdha  ka qenë ndërrimi i botëkuptimit për ta kuptuar shpirtin e demokracisë dhe, në këtë kontekst, edhe krijimin e vetëdijes për ndërtimin e shtetit, që është gjëja kryesore e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik, tregut të lirë dhe të hapjes së vendeve të lira të punës. Në këtë periudhë Shqipëria u përballë edhe me ekzodin e shqiptarëve, duke kërkuar shpëtim në botën e jashtme për një vend pune.

Një shtet që s’ arrin të krijojë lumturi materale për qyetetarët e saj, nuk mund të ketë stabilitet politik e ekonomik dhe ardhshmëri të mirfilltë për qytetarët e saj.

Shqipëria e këtyre stërngarkesave për një çerek shekulli pati edhe sukseset e saj: gjatë kësaj periudhe Bashkësa Evropiane miratoi liberalizimin e vizave për qytetarët e Shqipërisë, u nënshkrua marrëveshja kryesore për Stabilizim Asocimin dhe shumë marrëveshje të tjera integruese me Bashkësinë Evropiane dhe me vende të tjera të botës për bashkpunim ekonomik e tregtar.

Ndër arritjet më të madha konsiderohet hyrja e Shqipërisë në Aleancën Veri Atlantike-NATO.

Gjithashtu u ndërtuan shumë rrugë, ndër to edhe rruga e kombit që lidhë dy pjesët shqiptare, Shqipërinë me Kosovën, që për kohë të gjatë ishin të shkëputura me një kufi hekuri. Shqipëria është vend i mundësive të mëdha të zhvillimit ekonomik, sidomos të zhvillimit të turizmit bregdetar, ku politika është pengesa më e madhe e saj.

Shqiprinë në të ardhshmen e presin shumë punë të rëndësishme: zbatimi i ligjeve, një pavarësi më e theksuar e gjykatave, një luftë më e madhe e zhvillimit ekonomik, e demokracisë dhe integrimit evropian. Jemi dëshmitarë se bota sot po lëviz shumë shpejt, prandaj Shqipëria duhet të lëviz edhe më shpejt për  t’ iu afruar Bashkësisë Evropiane dhe rrjedhave botërore. Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë kohë të presin, ata duhet të zënë trendet e kohës.

* Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Yllyria në New York.

8 Dhjetor , 2015

 

Filed Under: Analiza Tagged With: 25 vjet, harry bajraktari, TË SHQIPËRISË DEMOKRATIKE

Kosovë-Gazeta historike Rilindja, 25 vjet nga ndalimi që nuk e ndali

August 8, 2015 by dgreca

-Kronikë nëpër vitet e çerek shekullit të fundit të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, e cila pret të drejtën/
Nga Behlul Jashari*/
PRISHTINË, 8 Gusht 2015/ “Rilindja e popullit jeton edhe e pashkruar”. Pikërisht para 25 viteve – çerek shekulli, kisha shkruar reportazhin me këtë titull herët në mengjesin 8 gushtit 1990 duke ecur rrugëve e shesheve të Prishtinës dhe duke përshkruar reagimin e popullit në nisjen e ditës pa gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, të ndaluar natën me forcë në shtypshkronjë nga Serbia, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënë shtetrrethim redaksisë së gazetës, që edhe në ato rrethana kërcënimi e represioni nuk ndaloi punën.
Rilindja kishte dalur më shumë se një muaj pa i pranuar masat e dhunshme të Serbisë, që e përfshinin edhe atë në ditën e 5 korrikut 1990 të suprimimit të institucioneve të Kosovës e mbylljes së Radio Televizionit të Prishtinës. “Okupim klasik”, ishte reagimi dhe kundërshtimi i Rilindjes në komentin në faqen e parë në ditën e 6 korrikut. Beogradi, edhe pse në ditën e masave të dhunshme kishte marrë vendimin, kurrë nuk arriti ta bëjë gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja “organ të Kuvendit të Serbisë”. Asnjë punëtor i gazetës Rilindja nuk e pranoi këtë, të gjithë e kundërshtuan dhe e hodhën poshtë.
Masat e dhunshme pasonin 2 korrikun historik 1990, kur në shtetrrethim dhe para snajperëve serbë, Kosova me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të saj shpallte pavarësinë, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik. Edhe në një film dokumentar të shfaqur në seancën solemne të Kuvenditë të Kosovës në 25 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese shihej gazeta Rilindja në duart e delegatëve, në mbledhjen para dyerëve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës. Isha pranë delegatëve të Kuvendit të Kosovës në ngjarjen historike dhe shkruajta redaksionalin për gazetën Rilindja me titull “Fillim i së nesërmes”, të botuar në ballinë në 3 korrik 1990, ku theksoja se, “Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”
Me reportazhin “Rilindja e popullit jeton edhe e pashkruar”, të shkruar rrugëve më shumë në mendje e në fragmente me laps në një copë letre, përkundër ndalimit shkova dhe hyra në Pallatin Rilindja dhe nisa ta daktilografojë. Kolegët, që poashtu nuk përfillnin ndalimin e erdhën në Pallat, më shihnin si me habi pse po shkruaja kur gazeta s’do të dalë…
“Besoj se do e lexoni nesër në gazetë”, u thash, dhe ngjita shkallëve për te Ndërmarrja e Revistave, një nga gjashtë sa kishte Ndërmarrja Shoqërore e Përbërë Rilindja, te kryeredaktori i revistës letrare Fjala, Milazim Krasniqi. I tregova reportazhin dhe idenë që bashkë me lajmet kryesore që do i merrja nga terreni nga korrespondntët, si shef i korrespondentëve që isha, t’i botonte në Fjala. Fjalën e nxori që të nesërmen, pa pritur dyjavëshin kur dilte.
Në katër faqet e mesme me reportazhin dhe lajmet ishte “Rilindja e fshehur brenda Fjalës”, siç thonin shumë njerëz që e mbanin në duar e lexonin revistën që u botua e shtyp në tirazh rekord.
Kjo përvojë e botimit të shkrimeve-informacioneve të gazetarëve të gazetës Rilindja vazhdoi jo vetëm në Fjala që shpeshtoi botimin, por edhe te revistat tjera, Shkëndija, Kosovarja, Zëri i Rinisë…dhe për të pasur informacione edhe në ndonjë ditë më shumë gjatë javës doli edhe ideja që të nisë të ridalë edhe revista Bujku, e cila ishte e përdymuajshme për fshatin e bujqësinë dhe kishte vite që nuk kishte dalë fare…
Ishte 17 janari 1991. Për ridaljen një herë në javë të revistës Bujku dolën disa ide e propozime, edhe për fizionomi, edhe për kryeredaktor të revistës, por jo ndonjë zgjedhje e pranim detyre dhe po përfundonte mbledhja në lokalet e gazetës Rilindja…
Mora ushtrimin e detyrës së kryeredaktorit, kisha idenë dhe shkasin për ta nxjerrë Bujkun, jo si revistë, për si gazetë dhe të përditëshme “përkohësisht”.
Atë ditë kishte nisë lufta në Gjirin Persek…Edhe me këtë shkas, shkruajta “Fjalën e Redaksisë” me titull “Përsëri ‘Bujku’…”, për faqen e parë të gazetës, ku theksoja se del si “gazetë e përkohëshme…edhe për shkak të nevojës që edhe lexuesit shqiptarë në Kosovë, në mungesë të gazetës së përditëshme, të kenë informacione sa më të gjera e me kohë në gjuhën shqipe për ngjarjen që filloi të tronditë botën – fillimin e Luftës në Gjirin Persik. Për këtë shkak edhe me fizionomi e edhe me përmbajtje ky numër është i jashtëzakonshëm”.
Me përmbajtje të ngjashme, se nga e nesërmja do dalë një gazetë në terrin informativ të Kosovës shkruajta një letër për ta njoftuar Ambasadën e SHBA në Beograd, pasi kontaktova me Ambasadën e Shqipërisë dhe ua dërgova atyre me telefax që ta përcjellnin. Ajo letër sigurisht do të ketë gjetur mbështetje për ne, pasi edhe vazhdoi të dalë gazeta, në ballinën e së cilës Bujku shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen.
E nxjerrë pikërisht nga gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja, me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale, Bujku ishte gazetë e rezistencës, e lëvizjes gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik.
Pjesë e rezistencës ishte edhe grava e urisë, nga 24 maji deri në 3 qershor të vitit 1993, e prirë nga simboli i rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, e gazetarëve e shkrimtarëve shqiptarë në mbrojtje të fjalës shqipe dhe në kërkim të lirisë, në Pallatin e Rilindjes, të cilin regjimi pushtues i Beogradit po e merrte për ta tjetërsuar e shndëruar në ndërmarrjen fantome “Panorama”, të dhunës, kulturocidit e gjenocidit antishqiptar.
Gazeta e përditëshme Bujku doli deri në prag të vitit 1999, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.
Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme Rilindja në Prishtinë, duke punar nëpër shtëpitë e tyre, dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli nga 22 shkurti derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova. Kryeredaktor i gazetës Rilindja që dilte në Prishtinë në kohë lufte në Kosovë ishte Binak Kelmendi, e para tij kryeredaktorë të gazetës Bujku, pas të parit – autorit të këtij shkrimi, ishin edhe Xhemajl Rexhepi, Ruzhdi Demiri, Hydajet Hyseni e Avni Spahiu.
Ekipi Rilindjes, ku ishim bashkë me korrespondentin në Maqedoni Bedri Sadiku, hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup, të cilën e solli prej atje korrespondenti i Zërit të Amerikës, Isak Ramadani.
Në faqen e parë, ku shkruhej se “Dje në orën 5.17 Trupat e NATO-s hynë në Kosovë” editoriali i Blerim Rekës kishte titullin “Normandizimi i Kosovës dhe kapitullimi serb”.
Në Kosovën e lirë, gazeta Rilindja u rikthye në Prishtinë dhe vazhdoi të dalë përditë, kryeredaktor fillimisht ishte Berat Luzha, pastaj Ramush Tahiri dhe në kohën e dëbimit dhe deri në numrin e fundit autori i këtij shkrimi.
Gazeta Rilindja nuk u ndal,vazhduam të punojmë e ta nxjerrim edhe kur administratori i UNMIK për të na bërë presion të largohemi na e ndali ujin në Pallat disa muaj, dhe na jepte afate ultimative për vetëlargim, që nuk i pranuam. Edhe në ato kushte, gazeta Rilindja doli përditë deri më 21 shkurt 2002, kur na ndalën edhe rrymën elektrike dhe pastaj i mbyllën me grila hekuri të gjitha hyrjet në Pallatin e Rilindjes.

Gazetën Rilindja e dëbuan e mbyllën kundërligjshëm e padrejtësisht pak ditë pasi festoi 57-vjetorin, ditën e saj – 12 shkurtin.

Në numrin festiv të Rilindjes në faqen e parë “‘Sundimi i Ligjit’ apo ‘Sundimi i Bandave’? Kosova Duhet të Vendosë”, ishte titulli i shkrimit ekskluziv nga Ambasadori Xhon Menzis, Shef i Misionit, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë.

“Sot shënohet 57-vjetori i gazetës ditore ‘Rilindja’, gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe në Kosovë”, niste ambasadori amerikan shkrimin-editorialin, ku mes tjerash theksonte edhe se, “si shef i misionit të Zyrës së SHBA-ve në Prishtinë, unë e di mirë rolin që e ka ‘Rilindja’ në shoqërinë demokratike që është duke u krijuar në Kosovë”.
Edhe pas dëbimit, përsëri Rilindja nuk u ndal, si në kohën e luftës vazhduam të punojmë nëpër shtëpia e të nxjerrim numra të jashtëzakonshëm dhe protestues të gazetës tradicionale të Kosovës, jo të përditshëm-të kohëpaskohshëm.
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohshëm më 30 dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË, krahas titullit: Ministri Bajrami: Qeveria do të përkujdeset për Pallatin dhe për punëtorët e Rilindjes, e gatshme ta ndihmojë daljen e gazetës.
Ky paralajmërim ishte si rezultat i këtij premtimi. Me rastin e rifillimit të punëve për rinovimin e Pallatit të Rilindjes, më 7 nëntor 2008, ministri i atëhershëm i Administratёs Publike, Arsim Bajrami edhe në konferencën e shtypit me atë rast theksonte premtimin për zgjidhjen e ligjshme që do bëhet edhe për Rilindjen.
“Pallatin e Rilindjes përkohësisht e merr Qeveria nën pëkujdesje, ne do të kemi përkujdesje edhe ndaj punëtorëve të Rilindjes. Punëtorët e Rilindjes i kemi pasë pjesë të procesit…” , thoshte ministri Bajrami.

Por, mbetёn pa u realizuar premtimet…

Punimet për rinovimin e Pallatit të Rilindjes rifilluan pasi ai ishte lënë si gërmadhë nga e ashtuquajtura “zhveshje e brendshme”, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës të datës 15 shkurt 2005 për ndërprerjen e punimeve që po zhvilloheshin – anulimin e kontratës për renovim “për shkak të paqartësive juridike në lidhje me pronësinë dhe menaxhimin e objektit”. Kjo pasoi insistimet e vazhdueshme të Rilindjes dhe të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (tash Agjenci Kosovare e Privatizimit) për pronësinë, si dhe përgjigjen në letrën zyrtare të Rilindjes me shkresë poashtu zyrtare përkrahëse të kreut të UNMIK-ut, kryeadministratorit Harri Holkeri, më 3 nëntor 2003. Holker në letër na shkruante edhe se, “UNMIK-u do të bëjë gjithë çka është e mundur për të gjetur lokale alternative në mënyrë që kompania juaj të rifillojë punën në sektorin medial”, duke na mbështetur edhe në të drejtën e pronësisë, të shkelur nga kryeadministratori para tij, Hans Haeekerup, në kohën e të cilit u dëbuam nga Pallati.
Përkrahje të plotë për të drejtën patëm më pastaj edhe nga kryeadministratori, Soren Jessen Petersen, i cili na u përgjigj me letrën zyrtare të datës 17 gusht 2004, të nënshkruar nga zëvendësi i tij, Francesko Bastagli.
Meqë edhe pas rinovimit të Pallatit nuk u përmbushën premtimet dhe nuk u bë zgjidhja e duhur e ligjshme për ndërmarrjen tonë, iu drejtuam me shkresën zyrtare “Lutje-kërkesë që t’i jepet fund shkeljes së të drejtës dhe ligjit në rastin e Ndërmarrjes Shoqërore Gazetare Rilindja”, ministrit të Drejtësisë, atëherë edhe zv/kryeministër, Hajredin Kuçi, i cili në përgjigjen poashtu me shkresë zyrtare tё datёs 2 maj 2012, shprehte sigurime institucionale në emër të Qeverisë dhe personale “pёr zgjidhje tё drejtё dhe ligjore tё problemit tё objektit dhe tё punёtorёve tё Rilindjes”.
Në mbrojtje të të drejtave të gazetës Rilindja dhe punëtorëve të saj janë bërë tre padi në gjykatë, dhe kërkesë e vazhdueshme është 20 përqindëshi që u takon me ligj punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore nga vlera e pronave që kanë, kompensimi për dëbimin kolektiv nga puna, e gjithnjë nën një: Privatizimi i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja.
Në arsyetimin e kërkesës për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në 12 shkurt 2014, mes tjerash është theksuar:
Emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse 70 viteve, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.
Për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin, madje pa asnjë ndërprerje dhe në objektet ku kanë qenë.
Por, në rrethanat tona kur Pallatin Rilindja e ka marrë Qeveria dhe duhet ta kompensojë, ne privatizimin e gazetës nuk e lidhim me objektin. Kush e blenë gazetën – të drejtën për të qenë trashëgimitar i ligjshëm i emrit dhe traditës së Rilindjes, siguron vetë lokalet e punës. Fundja, gazeta Rilindja në historinë e vet ka kaluar nëpër disa objekte, fillimisht në Prizren në objektin që tash është i mbrojtur si trashëgimi e i shënuar si vendi ku nisi të dalë kjo gazetë, e pastaj në Prishtinë, ku parase të kalojë në Pallatin Rilindja ishte në objektin ku sot është Gjykata Themelore e Agjencia e Statistikave, të cilin në vitin 1976 e kemi dhënë për investim në Pallatin Rilindja, madje kemi dhënë edhe nga një pjesë të rrogave të punëtorëve mëse 15 vite me radhë po për këtë investim – për të shlyer kreditë që ka marrë ndërmarrja Rilindja për ndërtim të Pallatit të saj.
Rilindja është gazeta më e madhe, me tirazhin më të madh, në gjithë historinë e shtypit në Kosovë, po edhe të shtypit shqiptar dhe më gjerë në rajon.
Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja është një pasuri kombëtare, është një traditë aq sa ka gazeta e njohur franceze Le Monde e Parisit, e që krahasohet edhe me traditat e gazetave të tjera të shteteve euroatlantike, të demokracive më të përparuara në botë.
Çdo vend normal në botë e ka gazetën e vet të traditës, dhe duhet ta ketë edhe Kosova.
Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti.
E veçanta e Rilindjes në tregun e gazetave-mediave të pavarura e të lira do të jetë edhe tradita shumë e gjatë e saj, rruga historike e saj, e pakrahasueshme me gazetat tjera, pra është gazeta tradicioanale e Kosovës, çka është vendimtare për imazhin e saj e suksesin e sigurt të saj, duke pasur edhe profesionalizmin e shkallës më të lartë, që e ka poashtu traditë.
Për të investuar, për ta blerë, për ta vazhduar daljen e gazetës së përditshme tradicionale e historike të Kosovës Rilindja ka shumë të interesuar.
Interesimi i punëtorëve të Rilindjes, përpos për të konukurruar për ta blerë vetë – privatizuar gazetën e tyre, është edhe që të marrin 20 përqindëshin nga prona shumë e çmuar – firma-emri dhe tradita e Rilindjes, që e kanë ngritur edhe me shumë sakrifica.
Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila ka filluar të dalë në Prizren më 12 shkurt 1945 në frymën e Konferencës së Bujanit e me anagzhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, ka ruajtur emrin dhe traditën edhe në kohët më të vështira, dhe gjithmonë ka gjetur të ardhmen dhe ridaljen edhe kur e kanë mbyllur.
Dhe, shumë presim dhe besojmë: Do rikthehet përsëri Rilindja e popullit të Kosovës, e traditës dhe e të ardhmës…
* (Autori, kryeredaktor i parë-themelues i gazetës së përditshme Bujku dhe kryeradaktor i gazetës Rilindja në kohën e dëbimit nga Pallati i Shtypit dhe deri në numrin e fundit)

Filed Under: Histori Tagged With: 25 vjet, Behlul Jashari, Gazeta historike e Kosoves, Rilindja

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT