• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FUQIA E TË PAFUQISHËMVE

February 27, 2020 by dgreca

30-vjetori i vizitës së parë të Vaclav Havel-it në Washington/
                                             Nga Frank Shkreli/ Më duket si jo më larg se dje.  Ishte pikërisht 21 Shkurti, 1990, kur ish-Presidenti i Çekosllovakisë, Vaclav Havel për here të parë vizitoi Washingtonin dhe Zërin e Amerikës.  U prit nga Presidenti i atëhershëm Xhorxh Bush i vjetri dhe mbajti një fjalim historik para dy dhomave të Kongresit amerikan, një nderim i rradhë që Kongresi u akordon udhëheqsëve më të dalluar të botës. Vetëm katër muaj më parë, Vaclav Havel kishte qenë në burg për aktivitete anti-komuniste.  Havel ishte i pari udhëheqës i një vendi të ish-bllokut sovjetik që pritej në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, pas shembjes së Murit të Berlinit.  Në fjalimin para Kongresit amerikan, Vaclav Havel, ish-disidenti anti-komunist çek, u foli ligjëvenëse amerikanë për rrugën e tij të jashtëzakonshme të presidencës së tij duke thënë se, “Kur më arrestuan më 27 Tetor, unë jetoja në një vend me një qeveri ndër ato regjimet më konservatore komuniste të Evropës lindore, ndërkohë që shoqëria jonë vuante nën thembrën e një sistemi totalitar sovjetik.  Sot, më pak se katër muaj më vonë, unë jam duke u folur para jush si përfaqsues i një vendi që ka vendosur rrugën e vet të pakthyeshme drejt demokracisë, të një vendi që gëzon plotësisht lirinë e fjalës, një vendi i cili po përgatitet për zgjedhje të lira dhe një vendi që do të zhvillojë një ekonomi tregu dhe të ketë politikën e vet të jashtme, të pavarur.  Të gjitha këto zhvillime janë shumë të jashtëzakonshme…”, u tha Presidenti Havel, anëtarëve të Kongresit, në vizitën e tij të parë në Washington si President i Çekosllovakisë. Çekosllovakia po i këthehet Evropës, është shprehur ai, por në vend që të kërkonte ndihmë për vendin e vet, Vaclav Havel i kërkoi Shteteve të Bashkuara që të ndihmonin Bashkimin Sovjetik, në të njëjtën rrugë, drejtë demokracisë. 

“Shpëtimi i botës nuk gjëndet askund tjetër përveçse në zemrën e njeriut dhe se lufta e ftohtë duhet të zevëndsohet me një periudhë, në të cilën të gjithë ne, pa dallim — të mëdhej e të vegjël — do të kemi mundësi të krijojmë atë që Presidenti juaj i madh, Abraham Linkolni e ka cilësuar si, “familjen njerëzore”, është shprehur Havel, në fjalimin e tij para Kongresit amerikan, 30-vjetë më parë. Fjalimi i Vaclav Havelit pasqyronte, ndër të tjera, frymën e esesë së tij të famshme politiko-filozofike, “Fuqia e të Pafuqishëmve”, një artikull i gjatë kritik, ku trajtohen çështjet shoqërore, politike dhe kulturore të asaj kohe në Çekosllavaki, por është aktuale edhe sot për cilëndo shoqëri post-komuniste ose, siç e quan ai shoqëri post-totalitare, në përgjithësi.  Në atë ese, dramaturgu Havel shqyrton në hollësi natyrën e regjimit komunist të asaj kohe, jetën brenda një regjimi të tillë dhe se si — për nga vet natyra totalitare e regjimeve të tilla — nga qyteteraë të thjeshtë, ato krijojnë disidentë dhe kundërshtarë të regjimit.  Duke thekësuar fuqinë e qytetarëve të rendomtë, të cilët para një regjimi të tillë totalitar, mund të konsiderohen si të pafuqishëm, Havel nënvijon, në atë ese, idetë dhe veprimet e mundëshme për organizmin e komuniteteve dhe individëve të ndryshëm kundër regjimit, të lidhur me një kauzë të përbashkët, siç ishte rasti i Kartës 77, një organizatë kjo çekosllovake e të drejtave të njeriut, në kohën e komunizmit. “Fuqia e të Pafuqishëmve” është në të vërtetë një manifesto që bënte thirrje për disidencë anti-komuniste në Çekosllovaki e Poloni, por edhe në vende të tjera me regjime komuniste të asaj kohe.  

Se si të rezistohej sistemi totalitar dhe post-totalitar, ishte një mision që e preokuponte shumë Vaclav Havelin dhe bashkpuntorët e tij disidentë të asaj kohe. Për “sistemin post-totalitar”, Vaclav Havel ka shkruar se, “Unë nuk dua të them se me parashtesën “post”, nënkuptohet se sistemi për të cilin flasim nuk është më totalitar.  Përkundrazi, unë dua të them se ky sistem (komunist) është totalitar, në një mënyrë që është krejtësisht i ndryshëm nga diktaturat klasike”.  Biografi i Vaclav Havelit, Xhon Kiinë e përcakton kështu botën post-totalitare sipas Havelit: “Brenda sistemit, secili individ bie në një grackë, brenda rrjetit të dendur instrumentash qeveritarë të shtetit…”.  Në një sistem të tillë, post-totalitar, ka shkruar Havel, marrëdhëniet midis të fuqishëmve dhe qytetarëve të thjeshtë – “mund të cilësohen si një labirint influencash, shtypjesh, frikësimesh dhe vet-cenzure, që i gëlltit të gjithë brenda tij, ose në minum, një labirint i tillë i bën njerëzit të heshtin përball paragjykimeve të padëshiruara të gjithëfuqishëmve”, pushtetarëve totalitarë. 

“Sistemi i post totalitarizmit prek njerëzit në çdo hap, por këtë e bën me dorëzat e tij ideologjike”, ka shkruar Havel.  “Kjo është arsyeja pse jeta në atë sistem është kaq e përshkuar me hipokrizi dhe gënjeshtra: qeveria me burokraci, quhet qeveri popullore; klasa punëtore skllavërohet në emër të klasës punëtore; degradimi i plotë i individit paraqitet si çlirimi i tij përfundimtar; privimi i njerëzve nga informacioni thuhet se po ua ve në dispozicion informacionin; përdorimi i fuqisë për të manipuluar, quhet kontrolli publik i pushtetit, dhe abuzimi arbitrar i pushtetit quhet respektimi i kodit ligjor; shtypja e kulturës, quhet zhvillimi i saj; zgjërimi i ndikimit perandorak paraqitet si mbështetje për të shtypurit; mungesa e shprehjes së lirë konsiderohet si forma më e lartë e lirisë; zgjedhjet qesharake bëhen forma më e lartë e demokracisë; ndalimi i mendimit të pavarur bëhet më shkencori i pikëpamjeve botërore; okupimi ushtarak bëhet ndihmë vëllazërore. Për shkak se regjimi është rob i gënjeshtrave të veta, ai duhet të falsifikojë gjithçka. Post-totalitarizmi, falsifikon të kaluarën. Ai falsifikon të tashmen dhe falsifikon të ardhmen. Falsifikon statistikat. Pretendon se nuk posedon një aparat policie të gjithëpushtetshëm dhe joparimor. Ai pretendon të respektojë të drejtat e njeriut. Pretendon se nuk përndjekë askënd. Pretendon se nuk ka frikë nga asgjë. Pretendon të mos pretendojë, asgjë”, ka shkruar Vaclav Havel në esenë, “Fuqia e të pafuqishëmve”, për sistemet post-totalitare, një ese, që në atë kohë ka shkundur themelet e komunizmit. 

Sidoqoftë, ka shumë për të shkruar për Vaclav Havelin dhe për idetë e tija politiko-filozofike kundër totalitarizmit dhe post-totalitarizmit të çfarëdo ngjyre qoftë, për diçka që unë nuk e konsideroj veten të aftë, por e përmendë këtë ese – me rastin e 30-vjetorit të vizitës së Vaclav Havelit në Washington –edhe si një shembulli i qytetarëve çekë, në atë kohë, të cilët, bazuar në idetë politiko-filozofike të Vaclav Havelit, i treguan botës se “të “pafuqishmit” mundën të shembënin regjimin totalitar komunist, me mënyra paqësore.  Shëmbja e komunizmit nuk është arrijtur lehtë dhe nuk është realizuar pa përpjekje të mëdha prej dekadash, nga disidentë anti-komunistë si Vaclav Havel me shokë.  Për këto veprimtari, Vaclav Havel ishte dënuar me burg edhe gjatë vitit 1989, viti i fundit i komunizmit, për të disatën herë.  Katër muaj pasi të lirohej nga burgjet komuniste, në fund të atij viti, dhe pas “Velvet Revolution” ose “Revolucionit (paqësor) të Kadifesë” në Çekosllovaki që zgjati nga 17 Nëntori deri me 29 Dhjetor,1989 — Vaclav Havel u zgjodh president i vendit të tij, duke i dhënë fund një herë e mirë regjimit komunist prej 41 vitesh në Çekosllovaki.  Një triumf historik ky si pasojë e demonstratave popullore dhe i “Fuqisë së të pafuqishëmve” siç e ka cilësuar Vaclav Havel.  Në këtë 30-vjetor të vizitës në Washington, analiza politiko-filozofike e sistemeve post-totalitare e Vaclav Havelit është edhe sot më aktuale se kurrë më parë, për cilëndo shoqëri post-totalitare qoftë, sidomos për disa vende ish-komuniste, të cilat Haveli do të thoshte se në botën e tyre post-komuniste ose post- totalitare – madje edhe pas 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit — vazhdojnë të jetojnë, brenda gënjeshtrës komuniste dhe jo brenda të vërtetës historike!

Vizita e Vaclav Havelit në Zërin e Amerikës, 21 Shkurt, 1990

Pas fjalimit të tij në Kongres, Vaclav Haveli është këthyer në Shtëpinë e Bardhë për bisedime të tjera politike, ekonomike dhe marrëdhënie lindje-perëndim me Presidentin Bush, Presidenti Havel kishte vendosur që të mos largohej nga Washingtoni pa vizituar Zërin e Amerikës për tu takuar me Shërbimin Çekosllovak të VOA-s dhe me udhëheqsit e lartë të këtij enti.  Më kujtohet ajo ditë si të ishte dje.  Muri i Berlinit ishte shembur! Vaclav Havel, udhëheqsi moral dhe disidenti i shquar anti-komunist i Çekosllovakisë, i cili kryesonte qeverinë e parë të lirë ç’prej vitit 1948, tashti po vizitonte Uashingtonin, si udhëheqës i ri i atij vendi.   Lajmi se Vaclav Havel dëshironte të vizitonte Shërbimin Çekosllovak të Zërit të Amerikës, natyrisht, shkaktoi një entuziazëm të paparë deri atëherë në radhët e gazetarëve çekosllovakë por edhe për ne të tjerëve, pasi më në fund ishte një realitet historik që vetëm disa muaj më parë as nuk mund të imagjinohej:  Në mesin tonë gjëndej Vaclav Havel – disidenti i famshëm anti-komunist çek, përkrahësi i të drejtave të njeriut dhe dramaturgu për të cilin kishim folur aq shumë në programet e Zerit të Amerikës në të gjitha gjuhët.  Komunizmi kishte renë me të vërtetë — Vaclav Havel gjëndej në Washington.  Për më tepër, ai ishte midis nesh, po vizitonte Zërin e Amerikës.  Dukej si një ëndërr e pa imagjinueshme.  Vërtetë diçka themelore dhe e papritur kishte ndryshuar në botë. Komunizmi nuk ishte më!

Pasi kishte qenë dëgjues i rregulltë i Zërit të Amerikës gjatë luftës së ftohtë, ai ishte njëri prej përkrahësve më të zellshëm të transmetimeve ndërkombëtare, sidomos atyre amerikane.  Duke iu drejtuar stafit të Zërit të Amerikës gjatë asaj vizite më 21 Shkurt, 1990, Zoti Havel tha, “Ju të Zërit të Amerikës na keni informuar të vërtetën, jo vetëm mbi ngjarjet anë e mbanë botës, por edhe mbi ato që po ndodhnin në vendin tonë nën komunizëm.  Në këtë mënyrë, ju keni ndihmuar në realizimin e revolucionit tonë anti-komunist paqësor, për të cilin kemi pritur aq shumë kopër një kohë të gjatë.’’, është shprehur ai, para stafit të Shërbimit Çekosllovak të Zërit të Amerikës, në vizitën e tij në kryeqendrën e VOA-s 30-vjet më parë në Washington, më 21 Shkurt, 1990.

Filed Under: Analiza Tagged With: 30 vjet

KUJTESE-HAVZI NELA, Në 30 vjetorin e ekzekutimit

August 9, 2018 by dgreca


1-Havzi-nela
NGA RESHAT KRIPA/U vra poeti. Përse u vra? Mos vallë kishte kryer ndonjë krim? Jo. Ai shkruante vetëm vargje. Shkruante për lirinë, për atdheun, për dashurinë. A mund të vritet poeti pse shkruan vargje? Një gjë e tillë ndodhte në shtetin që pretendonte se luftonte për  lumturinë e qytetarëve të vet, në shtetin që thoshte se luftonte për të drejtat e njeriut, në shtetin ku po krijohej “njeriu i ri” i socializmit që do të bëhej varrmihësi i këtij kombi. Megjithatë ai mbijetoi. Mbijetoi me vargjet e tij. Mbijetoi me idealet e tij.

Ai kishte një pasion, një dëshirë të madhe për të shkruar. Donte të shkruante atë që mendonte, atë që ëndërronte. Por jetonte në një kohë ku sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për t’ia arritur kësaj ai kishte shpikur një formulë po kaq totalitare të letërsisë dhe artit për t’ia kundërvënë mendimit të lirë, formulën e të ashtuquajturit “realizëm socialist”, një formulë absurde që ndrydhi talentet e mëdha dhe u hapi rrugën veprave standarde pa asnjë vlerë.

Por nuk ia arriti qëllimit. Në morinë e madhe të atyre që talentin e vunë në shërbim të diktaturës, kishte edhe të tjerë që, megjithë masat shtrënguese, gjenin mënyrën për t’u shprehur. Talentet e mëdha i rezistuan çuditërisht shtrëngimeve absurde në format nga më të ndryshmet. Ata më stoikët pranuan më mirë plumbat në gjokset e tyre se sa përdhunimin e lirisë. Ata nuk bënë kurrë art të imponuar, duke marrë mbi vete edhe pasojat. Arti i tyre kishte brenda vetes të koncentruar një kod të brendshëm të demokracisë, lirisë dhe bukurisë njerëzore. Brenda këtyre veprave, nëpërmjet alegorizimeve apo formave të tjera artistike indirekte, jepeshin mesazhe të qarta të domosdoshmërisë së mendimit të lirë. I tillë ishte dhe poeti ynë.

Dora e tij ii hidhte këto në letër. I lexonte dhe i rilexonte me vete, pa guxuar t’ia tregonte ndokujt. Në to shkruhej për dhimbjen, për mallin, për shpresën, për gjithçka. Në këto shkrime sundonte besimi për të ardhmen edhe atëherë kur shumëkush e kishte humbur atë. Në pjesën më të madhe këto shkrime mbetën të panjohura për adhuruesit e letërsisë së vërtetë. Ato u shndërruan në “Kangë të pakëndueme”, me të cilat kënaqej vetëm autori i tyre dhe që prisnin një ditë “Me shpërthy dhe me u këndu pa frikë e pa zori”.

Para syve më dalin vargjet e shquara të poetit të madh rus Mikhail Lermontov:

                       U vra poeti! – rob i nderit –

            Ndër shpifje e thashetheme u shtri,

            Me etje hakmarrjeje prej vrerit,

            U mposht krenar me plumb në gji.

            Në shpirt poetit s’iu durua,

            Dhunimin e turpshëm kur e pa,

            Përkundër fyerjes u çua,

            I vetëm si më parë…dhe ra!

Kështu ra dhe poetët ynë. Ra për të mos u harruar kurrë, për t’u lartësuar si një memorial madhështor në piedestalin e martirëve të këtij kombi.

10 gusht 1988. Sistemi komunist kishte marrë rrokullimën. Në të gjithë vendet komuniste të lindjes kishin shpërthyer revoltat që do të shembnin sistemin. Por Shqipëria, si dhe herë të tjera do të ishte e vonuar. Pikërisht në këto ditë komunizmi shqiptar do të tregonte fytyrën e tij të vërtetë. Në mes të Kukësit do të varej në litar, vini veshin, do të varej në litar një tjetër poet, një tjetër bir i kësaj toke, Havzi Nela. Një jetë e tërë me të përpjeta e të tatëpjeta. Ishte jeta e njeriut që kishte dëshirë të mësonte dhe nuk e linin për të mësuar, që kishte dëshirë të punonte dhe nuk e linin për të punuar, që kishte dëshirë të jetonte dhe nuk e linin as për të jetuar.

Një odise e gjatë përpjekja e tij për dije. Vjedhurazi mbaroi Institutin e Lartë Pedagogjik me korespondencë në Shkodër. U end fshat më fshat ku, nëpërmjet poezive të tij, u mësonte fëmijëve dashurinë për atdheun. Arrestohet dhe dënohet me akuzën e arratisjes së tij në Jugosllavi.  Pas 11 vjetësh lirohet dhe internohet në fshatin Arrëz.

24 qershor 1988. Gjykata e Lartë e Shqipërisë, e përbërë nga ish Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Avdiu dhe nga gjyqtarët Vili Robo dhe Fatmira Laskaj, vulosi dënimin e tij me varje në litar. Edhe varrimi i tij ishte cinik. Ai u fut në dhe në këmbë në një gropë të hapur nga shkulja e një shtylle. Regjimi i mohoi edhe të drejtën e një varri si gjithë të tjerëve. Si shpërblim të kësaj mizorie, disa vite më vonë, kur në vend do të ishte vendosur sistemi demokratik, këta gjykatës do të dekoroheshin nga Presidentët e Republikës. Kjo është Shqipëria e sotme, Shqipëria në botën e çudirave.

Ekzekutimi i Havzi Nelës ndodhte në një kohë kur vendet e tjera komuniste kishin vite që e kishin harruar dënimin me vdekje për motive politike. Sipas deklaratës së bërë nga përfaqësuesi sllovak, Piter Bielek,  në Kongresin e Shoqatës Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit, mbajtur në Tiranë në vitin 2009, dënimi i fundit me vdekje për motive politike në Sllovaki ishte dhënë në vitin 1956. Krahasimin bëjeni vetë, të nderuar pjesëmarrës.

Megjithatë vargjet e tij mbijetuan. Ato vazhdojnë edhe sot të gjëmojnë me nje forcë të jashtëzakonshme:

             Kur të mësoni se kam vdekë,

            Kur të thoni “Ndjesë pastë!”

            A e dini çfarë kam hjekë,

            Unë, poeti zemërzjarrtë?

            Kur të pyesni: – Ku e ka vorrin?-

            Kur t’kërkoni me ma gjetë,

            Thoni: – Ai urreu mizorin! –

            Thoni: – Dheu s’ka me e tretë!

Ky ishte Havzi Nela, poeti i madh i dhimbjes njerëzore.

Filed Under: Histori Tagged With: 30 vjet, egzekutimi i Havzi Neles, reshat kripa

30 VJET PA AT MESHKALLEN

July 27, 2018 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

AT  PJETER  MESHKALLA  S.J.: “PJESA E FRIKSUEME ASHT E LIDHUN NGA KAFSHATA E BUKËS !”/

AT PJETER MESHKALLA S.J. (1901 – 1988)/

AtPjeterMeshkalla-11

28 KORRIK 1988 – 2018: 30 VJET  PA  AT  MESHKALLEN…/

  • Shqipja me kthetrat e Saja skaliti në një shkamb t’ Atdheut: “Edhe një Hero ma pak!”

Populli i Shkodrës, pa dallim Feje përcolli në banesën e fundit At Pjeter Meshkallen S.J., Atdhetarin e flaktë dhe të vendosun në Idealin e Tij. Dijetarin mendjendritun e puntorin e palodhun për unitetin e Popullit e t’Atdheut, Misionarin e vërtetë, Ushtarin e zdathun të Krishtit, Luftëtarin e paepun të Demokracisë dhe të të Drejtave Njerëzore në Shqipni, Mësuesin e pavdekshëm të rinisë sonë dhe, kundërshtarin e papërkulun e të pathyeshëm përballë diktaturës terroriste komuniste, autore e “Revolucionit antinjerzor kultural” .

  • 30 vjetorin e paharrueshem të At Meshkallës, po e hapi me thanjen Prof. Arshi Pipës: “…Në kjoftë se kam shpëtue nga burgu i Burrelit e jam sot i gjallë, i detyrohem lutjeve të njerëzve si Padër Meshkalla e të tjerve, të cilët kujtoj se kanë kontribue në determinimin e fatit tem.”(Intervistë tek revista “Kumbona e së Diellës” Shkodër, 1993).
  • E do të vazhdoj me disa thanje të zgjedhuna të At Pjetrit të Madh të Shkodres sonë:

Unë e njoha mbasi doli nga burgu heren e parë kur bani 15 vjetë, aty nga 1962… Kujtoj njëditë, e pashë tek dera, dhe simbas zakonit, e ftova me hy mbrend për një kafe, por Ai nuk erdhi. Më diftoi se ishte nisë për vizita të largëta prej shtëpisë, po shkonte për festën e Bajramit ndër disa miqë Muslimanë. Të parën vizitë e bante tek Hafiz Ali Tari, mandej me radhë për tri ditë shkonte ndër shtëpijat e atyne Muslimanëve për të cilët ruente kujtime të mira nga jeta e burgut, që kishte kalue me tá…

  • Në pranverën e vitit 1940, kur Shqipnia ishte e pushtueme nga Italia fashiste, e cila veç tjerash kishte dhunue edhe Flamurin tonë Kombëtar, At Mëshkalla, bashkë me At Gjergj Fishtën “U folën nxanësve që ata mos me përshëndetë në mënyrën fashiste. Për këte Ai asht konsiderue “i padëshrueshëm” nga autoritetët fashiste…”
  • 1945 Ai u takue në një shtëpi të Tiranës me Mehmet Shehun, që njihej një ndër terroristët e grupeve vullnetare të Spanjës, qysh në vitin 1936, dhe ishte At Meshkalla Ai që i tha troç ndër sy, se çfarë do të banin komunistët në Shqipni, porsa të forcojnë paksa pozitat shtetnore. Kur At Meshkalla i tha: “Ju do të kërkoni me zhdukë Fenë me dhunë, se ky asht parimi i parë i komunistëve, aty ku ata marrin pushtetin, dhe Kishat e Xhamijat ju do t’i këtheni në klube dhe kinema.”, Mehmeti ju përgjegj: -“Kjo asht vetëm propagandë e atyne që nuk e duen pushtetin tonë popullor dhe kërkojnë me na armiqësue me popullin, kjo nuk do të ndodhë kurrë në Shqipni!”.
  • 1947 Në hetuesi At Meshkalla deklaron: “Me Luftën Nacional-Çlirimtare u bashkuen edhe komunistët, e më që këta nuk njohin dhe nuk respektojnë Fenë, unë nuk jam pajtue me komunistët… Aktivitetin propagandistik kundër Partisë Komuniste Shqiptare e kam fillue në vitin 1943. Kjo parti atëherë drejtonte luftën N.Çl., por unë, tue kenë kundër komunizmit, kam luftue edhe punën e tyne.” (Dosja Nr. 4191|1 Arkivi MPM)
  • Ai ishte kundër diktaturës komuniste e këte e vërteton gjithë jeta e Tij e martirizueme.
  • 1950 At Mëshkalla më tregonte se, kur ka marrë vesh vdekjën e Don Kolec Prennushit kur ishte në burgun e Burrelit, “…kam kja për të parën herë në jetën teme, kaq shumë jam pikllue. Ai ishte shoku dhe miku i vetëm i gjithë jetës seme!…”.
  • “…Shtrembënimi (prishja, turbullimi) i ndjesive dhe i karakterit të turmave, i frynë vetë zjarrit që ka ndezun në to propaganda e pandërgjegjëshme. Të gjitha klasat shoqnore edhe ma të pazhvilluemet i kërkojnë sot artit sorogate të lehta.”
  • “Jam kënaqë kur një i ri nuk ka marrë tesëren e BRASH-it, se kjo organizatë udhëhiqet nga komunistët dhe i kam thanë: “bravo të kjoftë” dhe i kam shtërngue dorën…”
  • 1967Në letren që i dergon Kryeministrit terrorist Mehmet Shehu, në Tiranë, me rasen e “Revolucionit Kultural” i ka shkrue: “Nuk më ka shty me Ju shkrue, Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.” 5 Prill 67.
  • Dhe vazhdon:“Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhe, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; …fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, oportuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut”.(Arkivi Ministrisë P. Mbrendshme Tiranë 1998)
  • Ky veprim që bani ju sot asht vetëm turp para Zotit e para Popullit, asht turpi juej para gjithë vendeve të Europës, mbasi kjo që po bani ju këtu bahet në pragun e 500 vjetorit të vdekjës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Mbrojtësit të Krishtënimit! Vetëm këte mendoni, shka ka me thanë Europa për ju! Ajo e njeh Popullin Shqiptar dhe e di se ka 2000 vjet që Populli ka ndjekë e do ta ruej në zemër Fenë…”
  • 19 KORRIK 1967, nga ora 14.00 zhvillohet gjyqi tek shtëpia e Dr. Kadukut, ku ndodhën vetem aktorë të Teatrit “Migjeni” dhe, disa agjenta sigurimi “të ftuem”…

Kryetar i Gjyqit ishte Muhamet Tyli, anëtarë: Ferit Halluni e Gjovalin Jaku, prokuror Kostaq Shandro dhe kryesekretari Ibrahim Stankaj, të cilët, me vëndimin nr. 44, dënojnë të pandehurin Pjetër Mëshkalla me 10 (dhjetë) vjet heqje lirie dhe me konfiskim pasunie.

  • At Mëshkalla iu afrue mikrofonit e tha këto fjalë: “Ju më dënoni sa të doni, mbasi mue nuk keni shka më bani, unë prapseprap do të dal, sepse ju shpejt keni me mbarue, mbasi shoshojnë keni me hanger e aty, asht fundi i juej! Feja e Krishtit nuk mbaron kurr!”
  • At Mëshkalla po merrej me lule në kampin e Vlonës. Kishte shkue drejtori i burgjeve të Shqipnisë dhe e kishte pyetë: “Pse punon kaq bukur, pra, ti edhe nuk na don aspak né?!” – At Mëshkalla iu përgjegj: “Asht e vërtetë që unë nuk iu due ju aspak, por më pëlqen me iu ba ju, që me gojën tuej me lavdue punën e armiqve tuej!”
  • 1965 Njëherë e pyeta: “Si e shpjegoni Ju, Padër, që Kleri Katolik asht i pashembullt për qëndrimin e Tij si në birucat e Sigurimit, si ndër burgje e kampe pune, ashtu edhe ndër gjyqe, që pa asnjë mëdyshje janë kenë të gjitha montazhe, për këte unë nuk kam asnjë dyshim, se kjo asht diçka e njohun dhe e provueme, atëherë, pse ndodhi ashtu me Don Ejëll Kovaçin? (Don Ejëlli asht pushkatue me akuza false e shpifje në vitin 1958. Edhe Ai nuk ka nënshkrue “Statutin e Kishës Katolike” të përpiluem nga Qeveria Komuniste në vitin 1951 dhe të nënshkruem nga pjesa ma e madhe e klerit që ishte i lirë).
  • At Mëshkalla më dha këte përgjegje: -“Kleri Katolik Shqiptar asht kleri ma heroik që ka me cilsue Historia në rrugën dymijëvjeçare të Krishtit, sepse, mbas pesëqind vjet robnije nën Turqi, po të merret historikisht prej vitit 1912, kur Shqipnia u formue si shtet e deri me 1944, që këtu erdhën në fuqi komunistët, tue lanë në njëanë okupacionin fashist italian (me të cilin nuk jam pajtue kurrsesi), janë vetëm 30 vjet mundësi për me formue një Kler Shqiptar, e për 30 vjet me nxjerrë aq Heroj sa kemi nxjerrë na, nuk ka asnjë Kler në Botë. Përsa i përket qëndrimit të ndonjenit që e kanë ligështue në tortura të pashembullta, si Don Ejllin e ndonjë tjetër, nuk duhet me harrue fjalët e Kardinalit Minzenti, në Revolucionin Hungarez të vitit 1956, që pat thanë se, po rashë në duart e komunistëve, mos merrni asgja për bazë se çka mund të flas mbas arrestimit, mbasi torturat mund të me bajnë mos me kenë ma ky që jam sot; e sigurisht, torturat e Sigurimit Hungarez as nuk mund të krahasohën asnjëherë me torturat e Sigurimit Shqiptar. Dikush nuk ka gjetë forca për me përballue, dikush po. Unë për vedi po të diftoj çfarë me ka ndodhë kur jam arrëstue në fillim. Kur hetuesi po më pyeste, unë i kundërshtova…Ai më ra një shputë dhe unë rashë përtokë… m’u duk se m’u hap qiella dhe i kërkova ndihmë Zojës së Papërlyeme: O Zojë, më ndihmo me bajtë këto tortura, më forco mos të ligështohem, me ruej nën dorën Tande!… Ndoshta, askush nuk e beson, por asht fakt që gjatë gjithë hetuesisë mue vetëm një shputë më kanë ra, e ç’prej asaj ditë që Ju mbështeta Zojës, nuk më ka prekë ma kush prej tyne me dorë!”.

                                    ***

  • At Pjeter Meshkalla shkruen: “…Na jemi gurët (të mëdhej o të vegjel) të hjedhun në fillim, të cilët zhduken e nuk shifen ma, por janë në thëmel të parë!

Qé, ambicioni i themelit. M’u zhdukë e mos me u pa ma!…”.

Gurët e Atij themeli asht e vërtetë se komunistëve iu dukën të vegjël. Ata menduen se Ata gurë me të vërtetë do të zhduken e nuk do të shiheshin ma në truell të Kastriotit. Ndoshta, mendohej se dallgët e “Revolucionit” do të rrafshonin bashkë me gurët “që kishin fillue me nxjerrë krye”, e pikërisht me Ata gurë, që ishin vu mbi thëmelet e kulturës europiane edhe Heronjtë, që kishin la me gjakun e Tyne Ata themele, por koha tregoi se gurët e parë nuk kishin luejtë, nuk ishin thye, as nuk ishin ciflosë e plasë, nuk ishin shkatrrue e as rrokullisë, jo, kurrë!

  • ATA GURË të vendosun në themel të tokës Shqiptare që në Shekullin e Parë të Epokës së Ré nga Shen’Pali, edhe sot Ata gurë po mbroheshin nga Pjetri, që tha:

“Ju, Kishat rranoni, por Toka nuk lot!

  • Ju, prishni Kisha e Xhamija, por Ata do të ndërtohen prap një ditë!..”

Dhe, shka tha At Pjetri, ashtu u ba edhe perrreth Rozafës!…

            Melbourne, 27 Korrik 2018.

 

Filed Under: Histori Tagged With: 30 vjet, Fritz radovani, PA AT MESHKALLEN

KUJTESË: 30 VJET PA EDITORIN E DIELLIT DR. ATHANAS GEGAJ

January 29, 2018 by dgreca

1 dr.athanas-gegaj30 vjet të shkuara vdiq Dr. Athanas Gegaj. 28 janari është ditëvdekja e ish editorit të gazetës “Dielli”. Dr. Athanas Gegaj u lind me 3 Janar 1904 në Buxhë të Trieshit në Malësinë e Madhe, trojet shqiptare në Mal të Zi. Ai pat studiuar në Kolegjin Illyricum t’etnëve franceskan në Shkodër, ku kreu maturën 1927-28. Më 1931 studioi në Louvain në Belgjikë, ku u laurua në histori-filozofi. Posa u kthye në Shqipëri u shugurua frat. Dha mësim në kolegjin franceskan deri në pushtimin fashist të Shqipërisë. Për shkak të kundërshtimit të pushtimit, u internua në Itali. Që nga ai moment nuk i kthye më në Shqipëri. Më 1941 e barktisi petkun franceskan. Dr. Athanas Gegaj shërbeu si sekretar i Mbretit Zog në mërgim.Më 1962 erdhi në SHBA, ku u bë editor i gazetës Dielli, duke e kryer këtë detyrë për më shumë se 8 vjet.

Ndër veprat kryesore që shkroi Dr. Athanas Gegaj, është monografia “L’Albanie et l’invasion turque au XVe siècle” (Arbëria dhe pushtimi turk në shek. XV, Louvain – 1937), si dhe shumë artikuj të ndryshëm në shtypin françeskan të “Hyllit të Dritës”, dhe shumë shkrime, analiza, shkrime historike, editoriale në gazetën Dielli.

Ndërroi jetë me 28 janar të 1988 në Santa Monica, Los Angeles, California.

Me këtë rast po sjellim një intervistë që Dr. Athanas Gegaj, kur ishte editor I Diellit ia dha Zerit të Amerikës me rastin e 500 vjetorit të vdekjes se Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Intervista u botua për here të pare në gazetën Dielli pasi u trasmetua nga Zeri i Ameriës.(Dielli)

***

 

Intervistë e Zërit të Amerikës me historianin Athanas Gegaj për Heroin Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu me rastin 500 vetorit të Vdekjes së Heroit.

-Kjo intervistë u transmetua nga Zëri i Amerikës më 18 e 19 Janar të vitit 1968-

Zoti Gegaj, kur Fan Noli shkroi librin e tij mbi Skënderbeun më 1949, ai tha se vepra juaj frëngjisht mbi Skënderbeun ishte më e mbaruara që kishte parë dritën gjer në vitin 1949, si nga forma, nga lënda dhe nga baza dokumentare. Përsa kohë punuat për këtë vepër dhe kur e mbaruat?

I mbetem mirënjohës Peshkop Nolit për lavdërimin që shprehu për veprën time “L Albanie et l’invasion turque au XV-e siècle’ ose “Shqipëria dhe invazioni turk në shekullin e XV-të “At Noli ka qenë një njeri me kulturë të gjerë dhe ishte po në të njëjtën kohë një ekspert i çështjeve të historisë meskohore të Shqipërisë. At Noli gjeti në këtë vepër gjëra qe e interesuan si studioz kompetent të jetës dhe të veprave të Skënderbeut, prandaj si shqiptar i madh që ishte, ai cëmonte në kulm çdo gjë që ka te bëjë me historinë e popullit shqiptar dhe me lartësimin e tij si komb. Për sa i përket veprës time “Shqipëria dhe invazioni turk në të XV-tin shekull” kam punuar dendur dy vjet. Kërkimet e para i bëra në vitin 1935 dhe vazhdova në kërkime dhe në përgatitje të librit gjatë vitit 1936. Në dhjetor të këtij viti libri ishte gati për shtyp,por duke qenë thezë doktorale, m’u desht ta mbroj publikisht në një nga Aulat e Universitetit të Louvain,ku kisha kryer studimet e mia. Libri u gjet interesant dhe autoritetet e Universitetit aprovuan botimin e tij. Libri në fjalë u botua më 1937 në Louvain-Paris dhe një Shtëpi Botuese e Parisit u ngarkua për shpërndarjen dhe shitjen e tij.

Ku i bëtë kërkimet dhe,në qoftë se i mbani mënd, nën cilët profesorë?

Kërkimet e mia filluan në Paris për ca muaj, ku veçanërisht në “Bibliothèque Nationale” të qytetit gjeta shumë material të dorës së parë. Kurioziteti im u ngjallë veçanërisht kur për kombinacion, më ra në dorë një botim i të mirënjohurit profesor rumun, Constantin Marinesco, i shkruar frëngjisht: ”Alfonsi i V,mbreti i Aragonës e i Napolit dhe Shqipëria e Skënderbeut”, botuar në formë broshure nga Shkolla Rumune në Paris më 1923. Libër i vogël po, por një zbulesë për sa i përket historisë së Skënderbeut e relacioneve mes Shqipërisë dhe mbretërisë së Aragonës e të Napolit. Nga Parisi kalova në Napoli, në Romë, në Firence dhe në Venedik, duke u ndalua për ca kohë dhe në Milano. Në arshivat dhe në bibliotekat e këtyre qyteteve gjeta material të shumtë dhe fillova të përpiloi librin. Profesori im i mirënjohur,që e mbikqyri të tërë materialin më dha aprovimin e tij për botim,ky ishte Adoph De Mayer i Universitetit te Louvain.

Si filluat të interesoheni për të shkruar një libër mbi Skënderbeun?

Interesimi im për historinë e Skënderbeut është një gjë tipikisht shqiptare. Aj është heroi i kombit tonë dhe një fytyrë ndërkombëtare që zotëron në historinë e Europës në të XV shekull. Për më tepër Skënderbeu është ai personalitet që ka nderuar dhe nderon çdo kohë popullin shqiptar. Po interesimi im për historinë ë Skënderbeut fillon atëherë kur isha student në Shkodër, dhe veçanërisht kur arriti nga Amerika “Historia e Skënderbeut” botua në Boston nga At Noli me 1921 me anën e Organizatës Vatra. Ky libër entuziazmoi të tërë moshën e re shqiptare,sepse kishte meritën që jo vetëm se kishte shkrojtur në një gjuhë të bukur,por nga ana tjetër paraqiste heroin tonë në një dritë të re. Leximi i këtij libri më ka shoqëruar për shumë vjet e më në fund më shtyu të kërkoi gjëra të reja për rreth heroit tonë,për t’i paraqitur, edhe botës së jashtme Skënderbeun sipas nevojave të kritikës historike,duke ndarë në sa ishte e mundur fytyrën e tij gjigante nga legjendat.

Ç’ishin disa nga problemet që përballuat gjatë shkrimit të kësaj vepre?

Problemet që m’u paraqitën në përgatitjen e kësaj vepre qenë të shumta. Më së pari duhej që unë t’u zhveshja nga çdo simpati e ndjenjë personale. Historia në këtë rast lipsej të ishte një histori kritike, e bazuar mbi dokumente të kohës, mbi botime, me vlerë kritike që në çdo kohë janë bërë mbi Skënderbeun. E qe një problem i rënde, sepse Skënderbeu, si në çdo zemër shqiptare, ashtu edhe në mua, mbetej përherë hero i kombit, që gjësend nuk mund ta shndërrojë fytyrën e tij! Nga ana tjetër kërkova me çdo mjet të konfrontoj historinë e vërtetë me botime të panumërta mbi Skënderbeun. Këtu m’u desh të luftoj për të paraqitur një Skënderbe sipas thënieve historike; po në të njëjtën kohë kërkova, me çdo kusht me çdo mjet, që Skënderbeu të mbetej dhe aj, që na e paraqet legjenda ose më mirë kronika e kohës. Për këtë gjë luftova, por kërkova të mbetem objektiv në çdo rast.

Cilat janë disa nga gjërat e ra, që nuk diheshin më parë, dhe që i vutë në dukje ju në librin tuaj?

Në përgjithësi nuk ekzistonte një vepër kritike mbi Skënderbeun. Botimet kritike ishin marrë me ca probleme të historisë së Skënderbeut, dhe ato që u paraqiteshin si histori kritike, kishin mungesa te shumta nga çdo pikëpamje. Merita modeste e veprës time është koordinimi i të gjitha këtyre botimeve, duke i konfrontuar me dokumenta të kohës. Merita e kësaj vepre prandaj mbetet në ndarjen e legjendës nga historia dhe në udhëzimin e ri të një studimi kritik të jetës dhe të veprave te Skënderbeut. Për këtë gjë gurrat e arshivave dhe aktet zyrtare të kohës më udhëzuan të ndaj legjendën nga historia e vërtetë e Skënderbeut.

Ç’është rëndësia e këtyre zbulimeve?

Rëndësia e këtyre zbulimeve për rreth historisë se Skënderbeut është kryekreje në metodën e re e kritike që përdora për të paraqitur Skënderbeun në dritën e vërtetë të jetës se tij dhe të veprave të tija. Duke punuar në këtë mënyrë kërkova që Skënderbeu të mbetej aj që është. Dhe më vjen mirë të ju them se historia e Skënderbeut sa më kritike të jetë, aq më gjigante na paraqitet jeta e tij. Legjenda e lartësoi tepër, por historia e kritika, gjë që kërkova të realizoj me çdo mënyrë, nuk e vogëlsojnë fytyrën e tij si luftëtar, si strateg, si hero i një kohe dhe i një kombi.

Sipas mendimit tuaj, Zoti Gegaj, ç’kuptim ka, ose ç’kuptim duhet të ketë jeta e Skënderbeut për shqiptarët në kohe të sotme?

Jeta e veprat e Skënderbeut janë një shembull i pavdekshëm në gjiun e popullit shqiptar. Kujtimi i tij i drejtoi të gjitha luftërat e orvatjet për liri, që bëri populli shqiptar gjatë shekujve të robërisë deri në ditën e independencës së tij. Jeta dhe vepra e Skënderbeut janë të bazuara në bashkim të gjithë shqiptarëve. Si në kohëra të kaluara,ashtu edhe sot,jeta dhe veprat e Skënderbeut janë të bazuara mbi vëllazërim të gjithë shqiptarëve, mbi lirinë e vendit nga i huaji, mbi të drejtat e barabarta te çdo qytetari, mbi respektin e çdo shqiptari të ndershëm, dhe mbi ruajtjen e traditave tona, atë të besës, të burrërisë, të mikpritjes dhe të krenarisë kombëtare. Për më tepër Skënderbeu na mëson se shqiptari nuk do të kursejë gjësend për t’i ardhur në ndihmë një shqiptari tjetër dhe për të krijuar një atdhe të përbashkët shqiptar, ku secili të jetojë i lirë dhe të punojë për atë vend që na e lanë trashëgim të parët tonë. Ky vend është Shqipëria e Shqiptarëve,ku secili është zot në shtëpi të tij dhe kërkon të jetojë me dinjitet e në bashkim,ashtu siç na mësoi Skënderbeu. E ku na mësoi edhe një gjë tjetër: Shqipëria është e gjithë shqiptarëve. Këta do ta mbrojnë me çdo mjet e me çdo sakrificë për Atdheun e Shqiptarëve, dhe si vdiset për liri,pa u bë skllav i huaj, pa përulur karakterin burrëror të popullit shqiptar.

Cili është shkaku që Skënderbeu vonoi të kthehet në Shqipëri për të rrëmbyer Krujën dhe principatën e tij nga duart e turqve?

Shkaku kryesor që Skënderbeu vonoi të marrë në dorë drejtimin e rezistencës shqiptare, qytetin e Krujës dhe principatën e atit të tij është njohuria e thellë e fuqisë Otomane. Për më tepër ai, nuk shihte një fuqi tjetër në Evropë,që te ishte gati të përballej me ushtritë e sulltanëve, që po marshonin ngadhënjyese në të gjitha anët. Shqipëria ishte ndarë në principata, pothuajse të gjitha nën influencën e huaj, turke ose veneciane. Kishte për më tepër parasysh historinë e atit të tij, që nuk pati përkrahje, dhe sa herë ngriti krye, qe përulë nga ushtria e sulltanëve. Me gjithë këta Skënderbeu ishte në kontakt me princat shqiptarë dhe ëndërronte të kthej sa më parë në Shqipëri për të drejtuar rezistencën shqiptare. Kur pa se një fuqi e re, Hungaria po luftonte në brigje të Danubit, atëherë Skënderbeu gjeti kohen e volitshme,u kthye në Shqipëri dhe organizoi vendin për të përballuar fuqinë Otomane. Deçizioni i Skënderbeut të kthehet në Shqipëri dhe të organizojë vendin kundër fuqisë otomane është një nga deçizionet më me pergjegjësi të historisë. Vetëm një Skënderbe mund të merrte një deçision të atillë!E për këtë gjë,ai është i madh dhe i pavdekshëm në historinë e popujve.

Cilët kanë qenë faktorët që Skënderbeu, me një fuqi të vogël mundi të bëjë ballë forcave të mëdha e të armatosura gjer në dhëmbë të sulltanëve të Turqisë?

Faktorët kryesorë që Skënderbeu me një ushtri te vogël mund t’u bëjë ballë forcave të armatosura të Sulltanëve të Turqisë, sipas mejtimit tim, janë këto: Skënderbeu ishte strateg i përsosur, një komandant, që nuk dinte çka është frika, një njohës i vendit dhe i zakoneve shqiptare; dhe për më tepër Skënderbeu nuk e la kurrë armikun që t’i imponojë planet e tija në luftë. Fuqitë shqiptare Skënderbeu i ndante sipas nevojave të rasteve; ky linte përherë një rezervë dhe shtegun të hapur, që të mos rrethohej nga armiku. Më tepër Skënderbeu qe ai që e sulmonte armikun duke i dhënë ushtrisë së tij një shembull që ka mbetur një traditë burrërie shqiptare. Ai përballonte vdekjen si një ushtar i thjeshtë. Ku ishte rreziku më i madh aty ishte Skënderbeu. E nuk kishte ushtar shqiptar që të mos kërkonte të bëjë atë gjë që bënte Skënderbeu! Më në fund Skënderbeu dhe kapedanët e ushtarët e tij luftonin për liri. Ai dhe ushtarët e tij e dinin se nuk u mbetej tjetër veçse vdekjes ose lirisë. Për këtë gjë Skënderbeu e trimat shqiptarë shkruan epopenë shqiptare të shekullit të XV. Kjo është epopeja më e bukur e çdo kohe.

Skënderbeu bashkë me mbrojtjen e Shqipërisë mbrojti edhe Krishterimin dhe qytetërimin e Evropës nga sulmet e turqve. Pra përse disa vende të Europës, sidomos Venediku nuk i dhanë përkrahjen e duhur?

Nuk ka dyshim se Skënderbeu mbrojti qytetërimin europian dhe ua theu hovin fuqive otomane që ishin gati të marshojnë në Itali dhe në Europën qendrore. Skënderbeu pati ndihma nga Alfonsi i V i Aragonës dhe i Napolit, si dhe nga papët e Romës që e kishin kuptuar mirë rrezikun otoman. Sa për Venedik, sadoqë ishte një fuqi e madhe detare kjo për shkaqe tregtare kërkonte të mbante marrëdhënie të mira me Turqinë; dhe ishte rivale e mbretit të Aragonës e të Napolit. Më vonë më 1463 e kuptoi rrezikun dhe përkrahi Skënderbeun, por qe tepër vonë.

Pas “Lidhjes së Kapedanëve” që u bë në Lezhë, e cila e vuri në krye Skënderbeun, çfarë formasg administrative u shtuan asi kohe në Shqipëri?

Sipas Lidhjes së Lezhës, Skënderbeu mbetej kryekomandant i forcave shqiptare. Dalë nga dalë të gjithë i bashkoi për rreth vetes së tij, duke u lënë liri në administrimin e principatave të tyre. Këto principata ishin shumë të kufizuara e shpesh te okupuara nga turqit ose nga Venediku. Secila principatë i jepte Skënderbeut përkrahjen me ushtarë, por shpenzimet e luftës i përballonte Skënderbeu, shpesh herë i ndihmuar nga Mbreti Alfons, papët e Romës, nga Raguza dhe nga të ardhurat e kripës. Më vonë pati përkrahje dhe nga Venediku. Forma administrative në Shqipëri në këtë kohë ishte ajo që zotëronte në Europë, duke mos harruar se deri qyteti i Krujës ishte qytet i lirë, prandaj forma administrative u mbështet në ligjet e vendit.

Sipas mendimit tuaj, çfarë drejtimi do të kishte marrë fati i Shqipërisë sikur Skënderbeu të kishte jetuar më gjatë?

Po të kishte jetuar më gjatë Skënderbeu, sadoqë ishte i shtytur në moshë, fatet e Shqipërisë do të ndryshonin. Ai më 1463 bëri një marrëveshje me Republikën e Venedikut, i siguroi Shqipërisë përkrahjen e saj dhe ai vetë qe emëruar komandant suprem i ushtrive shqiptare-veneciane. Për më tepër Skënderbeu do të kishte kohë të udhëzojë djalin e tij Gjonin, kështu që rezistenca shqiptare e përkrahur nga tjera fuqi europiane,do të mund t’i siguronte Shqipërisë lirinë dhe indipendencën; këtë gjë e meritonte dhe ca fuqi të kohës kishin filluar ta kuptojnë rëndësinë strategjike të Shqipërisë.

Dhe qysh prej kohës që është botuar vepra juaj dhe ajo e Fan Nolit mbi Skënderbeun, a kanë dalë në shesh dokumenta të tjera që nuk diheshin më parë rreth jetës dhe luftërave të Skënderbeut?

Studimet përmbi jetën dhe veprat e Skënderbeut nga koha e botimit të veprës time e pastaj kanë vazhduar. Më së pari është vazhdimi i botimit të Acta Albania dhe Acta Albanie Veneta; këto të fundit përgatitur nga Qendra e Studimeve Shqiptare të Italisë. Dhe At Valentini është duke botuar “Studi Veneti” te ”Fondazionit Cini”, që kanë të bëjnë me historinë shqiptare gjatë shekujve XIV-XV. 500-vjetori i vdekjes së Skënderbeut nga shume pikëpamje shpresoj të jetë deçisive përsa i përket epokës së Fatosit tonë kombëtar.

***

Shënim

Shënojmë se 500-vjetori i vdekjes së Skënderbeut u kujtua me nderime të mëdha në Kosovë dhe në të gjitha viset shqiptare në ish-Jugosllavi. Në këtë përvjetor historik në Prishtinë u organizua një simpozium ndërkombëtar për jetën dhe veprën e heroit tonë kombëtar, ku u shquan historianët nga Shqipëria ne krye me Profesor Aleks Buda. Ky akademik i përmendur në kumtesën e tij për Skënderbeun citoi vazhdimisht Barletin, Nolin dhe Gegaj. Kjo ishte ngjarja më e madhe kulturore që kishte përjetuar Kosova deri atëherë. Profesorët nga Shqipëria sollën ne Prishtinë filmin “Skënderbeu” dhe disa relike te tij. Një natë para se të fillonte simpoziumi në teatrin e Prishtinës u dha një shfaqje teatrale për Skënderbeun. Rolin e heroit tonë kombëtar e luajti për mrekulli Hasan Salaj. Në oborrin e fakultetit bashkë me disa studentë tjerë biseduam me profesorët nga Shqipëria. Ishin shumë të përzemërt, sidomos Aleks Buda. Vlen për t’u shënuar se intervista e Dr. Athanas Gegaj dhënë Zërit të Amerikës u dëgjua në atë kohë me shumë vëmendje sidomos nga familjaret e tij në Malësi të Madhe në Mal te Zi. Trieshi qe është vendlindja e Dr.Athanas Gegaj e nderoi heroin tonë kombëtar në mënyrë të posaçme me rastin e 500-vjetorit të vdekjes, duke i dhënë shkollës tetëvjeçare emrin Gjergj Kastriot-Skënderbeu që e mban me guxim e respekt për gati një gjysmë shekulli, pavarësisht kërcënimeve të ndryshme. Kështu veproi edhe Ostrosi i Krajës në Mal të Zi, mbasi edhe ata para një gjysmë shekulli e pagëzuan shkollën e tyre Gjergj Kastriot-Skënderbeu. 500-vjetori i vdekjes së Kastriotit solli një ringjallje të vërtetë kombëtare në trojet tona te pushtuara nga sllavët e Ballkanit. //Gjekë Gjonlekaj

Filed Under: Opinion Tagged With: 30 vjet, ditevdekja, Dr. Athanas Gaga, Kujtese

30 vjetë marrdhenie dilpomatike mes Shqipërisë dhe Kanadasë

October 30, 2017 by dgreca

1 kanada shqiperiDitën e shtunë më 28 tetor 2017, nën kujdesin e ambasadës shqiptare në kryeqytetin e Kanadasë, Otava, u përkujtua 30 vjetori i vendosjes së mardhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Kanadassë me një koncert të « Trio Fammus » i ndjekur nga  një kokteil/

Nga Ajet Nuro, Montreal, Kanada/

Ndoshta lajmi për vendosjen e marrdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Kanadasë para 30 vjetëve nuk ka patur atë rëndësi sa edhe vendosja e marrdhënieve diplomatike me Gjermaninë Perëndimore apo Britaninë e Madhe por,  sot 30 vjetë më vonë ajo merr një rëndësi të veçantë. Në epokën e vendosjes së marrdhënieve, lajmi, e shumta ka gëzuar ata që do të donin një Shqipëri më të hapur me botën, ndoshta pa guxuar të mendojnë një Shqipëri të lirë dhe demokratike. Sot, ai veprim i thjeshtë ka sjellë në peisazhin diplomatik, ekonomik dhe social të Shqipërisë një nga vendet më ndikues në jetën e shqiptarëve. Modeste në diplomacinë ndërkombëtare, me një imazh paqësor por me një ekonomi solide, Kanadaja është vendi i dytë për nga volumi i investimeve në Shqipëri pasi për disa vite ka mbajtur vendin e parë. Kanadaja, është bërë atdheu i dytë i disa dhjetra mijëra shqiptarësh që janë vendosur, punojnë dhe jetojnë në këtë vend.

30 vite histori suksesi

Në këto 30 vjetë nga vendosja e marrdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Kanadasë shumë ngjarje kanë ndodhur, ngjarje që kanë ndikuar edhe në marrdhëniet mes dy vendeve. Së pari, vetëm tre vjetë pas vendosjes së mardhënieve diplomatike Shqipëria hyri në epokën e ndryshimeve madhore që çuan në ndryshimet demokratike dhe fillimin e një tranzicioni të gjatë shoqëruar me probleme ekonomike e sociale që bënë që mijëra shqiptarë të linin vendin e tyre për t’u larguar në vendet fqinje dhe shumë prej tyre edhe përtej oqeanit Atlantik në Amerikë dhe, edhe në një vend të ri ku shqiptarët nuk kishin shkelur më parë (përveç një komuniteti të vjetër të pas Luftës së Dytë Botërore), në Kanada.Së dyti, lufta në Kosovë, e rreshtoi Kanadanë me vendet e NATO-s që ndërhynë në Kosovë për të shpëtuar shqiptarët e atjeshëm nga shfarosja. Kanadaja ishte nga vendet e pakta që vendosi të merrte 5000 refugjatë për të ndihmuar sado pak në krizën e refugjatëve të shpërnguluar nga vendi i tyre nga dhuna e makinës ushtarake serbe.

Kanadaja, ndonëse një vend i largët, ka marrdhënie ekonomike me Shqipërinë dhe duke qenë se ajo ka ekspertizë në sektorë strategjikë si nafta, gazi dhe minierat, ajo ka mundur të siguroj një vend të nderuar në rangun e vendeve investuese në Shqipëri. Jam i bindue se me politika tërheqëse dhe sidomos me krijimin e  kushteve politike e sociale, investimet kanadeze në Shqipëri mund të shtohen për të ndikuar pozitivishtë në ekonominë e brishtë shqiptare.

Në 30 vjetë nga vendosja e marrdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Kanadasë një komunitet i tërë shqiptarësh është vendosur në Kanada. Ata janë integruar në një vend ku « multikulturalizmi » përbënë krenarinë e këtij vendi dhe mund të themi se ata i gjenë në të gjitha sferat e jetës ekonimke, politike e sociale të këtij vendi.  Shqiptarët janë të vendosur në metropole si Toronto (Ontario), Montrteal (Kebek), Kalgari (Alberta), Vankuver (Kolumbia Britanike) por edhe në qytete të vogla dhe janë të integruar më së miri në të gjitha aspektet.

30 vjetë marrdhënie diplomatike dhe më shumë se kaq

Nën kujdesin e ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Kanada, shkëlqesisë së Tij zotit Ermal Muça mund të them me plot gojën se jo u përkujtua por u festua 30 vjetori i këtyre marrdhëneve mes dy vendeve tona. Të shtunën më 28 tetor 2017, u mblodhën në Ottawa në National Gallery of Canada, miq të Shqipërisë, pjestarë të trupit diplomatik në Ottawa, përfaqësues të Parlamentit të Kanadasë dhe atij të Ontarios, përfaqësues të ministrisë së tregëtisë së jashtëme të Kanadasë si dhe shqiptarë nga Toronto, Montreali, Hamiltoni dhe qytete të tjera. Unë kam marr pjesë në shumë festa organizuar nga ambasada jonë në Ottawa por përkujtimi i 30-vjetorit të marrdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Kanadasë përbënte një kulm për sa i përketë pjesmarrjes së bashkatdhetarëve tanë. Koncerti i « Trio  Fammus » ishte një zgjedhje e shkëlqyer që u pëlqye nga të gjithë pjesmarrësit. Për shqiptaro-kanadezët koncerti i familjes Papajorgji, Jani (violinë), Sofia(piano) dhe Livia (violinë), ishte një përkëdhelje e nostalgjisë së atdheut të largët dhe krenari e pasurisë kulturore e muzikore  dhe për të huajt një udhëtim në muzikën shqiptare e klasike botërore transmetuar me virtuozitet e mjeshtëri nga artistët shqiptarë.

Një kokteil pas koncertit shërbeu si pikë takimi mes të gjithë pjesmarrësve.  shqiptaro-kanadezë të ardhur në shenjë respekti për shtetin shqiptarë dhe atdheun e tyre, drejtues shoqatash që grumbullojnë shqiptarët këtu në Kanada si dhe intelektual shqiptarë, ishin të gjithë të gëzuar që gjendeshin së bashku. I pranishëm ishte edhe gazetari i talentuar i komunitet tonë, gazetari i televizionit PASQYRA në Toronto zoti Ilir Lena.

Do të doja të falenderoja organizatoriët e këtij aktivitetit, ambasadorin e Shqipërisë në Kanada, zotin Emal Muça si dhe stafin e tij për organizimin e aktivitetit.

Mardhënie të shkëlqyera por …

Nëse marrdhënet mes Kanadasë dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera e Kanadaja është duke e mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin e Europian dhe në strukturat e tjera Euro-Atlantike kjo nuk do të thotë se nuk ka vend për përmirësime. Nëse Kanadaja ka mundur të zëri një vend të dytë për volumin e invesitmeve në Shqipëri, investimet Kanadeze mund të jenë shumë e shumë më të mëdha nëse do të nxiteshin kompani të tjera të përmasave të vogla dhe të mesme. Duhen gjetur rrugët për një gjë të tillë. Pse mos të shtohen lidhjet dhe marrdhëniet në fushën e edukimit, shëndetsisë dhe fusha të tjera. Nëse shqiptarët mundën të ngrenë një statujë të Nënë Terezës në Montreal ndërsa në Toronto të shpallin muajin nëntor muaji i trashëgimisë shqiptare dekretuar nga parlamenti i Ontarios (për mos të përmendur arritje të tjera), ata janë në gjendje të japin edhe më shumë ndihmë në forcimin e marrdhënieve dypalëshe.  Ngjarjet e fundit në Shqipëri, përfoljet për lidhjet e krimit me politikën (thashethemet kanë ekzisuar gjithmonë….) ishin një temë që nuk mungoi në bisedat mes shqiptarëve por edhe në formë pyetjeje nëse investimet kanadeze do të stepen nga këto ngjarje. Sigurisht, klima politike dhe sociale është një nga kushtet bazë të suksesit të investimeve të huaja. Por, nëse flasim për një rritje të komunitetit shqiptar në Kanada, arritjes së një pjekurie të këtij komuniteti, ai  mund të ndikoj edhe më shumë në fatet e vendit të origjinës së tyre. Më duket se duhet t’i qëndrojmë larg atij slloganit famkeq të epokës komuniste « të mosndërhyrjes në punët e brendëshme ». Nëse Kanadaja n’a ka dhënë mundësinë të jemi qytetarë të saj duke ruajtur qytetarinë tonë shqiptare, kjo e fundit nuk duhet të jetë thjeshtë një stoli. Në Kanada, pjesmarrja në jetën politike të vendit është një detyrë, pse jo edhe në atë shqiptare?  Shqiptaro-kandezët si pjesë e diasporës shqiptare kanë shumë për t’i dhënë Shqipërisë. Ata nuk duhet të presin t’u kërkohet ndihmë. Shqipëria është e të gjithëve. Ne duhet të jemi pjesë e historisë dhe e traditës së shkëlqyer të disaporës sonë që është gjendur gjithmonë pranë atdheut, pikërisht në momente vendimtare.

Pamje nga aktiviteti

 

Nga e majta Lulzim Laloshi, Laze Leskaj dhe Ajet Nuro
Shqiptarë nga Montreali me ambasadorin e Shqipërisë në Kanada zotin Ermal Muça

 

Artistët e Trio Fammus Jani Papadhimitri, Sofia Papadhimitri dhe Livia Papadhimitri
Kryetarja e nderit e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze Toronto, zonja Ruki Kondaj dhe kryetarja e shoqatës Kulturore Shqiptare të Montrealit zonja Anila Erindi
Me artistët e Trio Fammus

 

Me artistët e Trio Fammus
Nga e majta në të djathë Laze Leskaj, Mariola Leskaj, Alma Nuro dhe Ajet Nuro

 

Nga e majta Laze Leskaj, Aulona Leskaj, Alma Nuro dhe Marjola Leskaj
Një grup shqiptarësh nga Toronto në foto me ambasadorin shqiptar në Ottawa z. Ermal Muça
Shqiptarë dhe aktivistë nga Toronto, Ontario

 

Kryetarja e Shoqatës kulturore shqiptare në Montreal si dhe kandidate për këshilltare në një nga rajonet e Montrealit zonja Anila Erindi
Zoti Ilir Lena (Televizioni Pasryra) duke intervistuar zonjën Anila Erindi

 

“Delegacioni” i Montrealit
Një grup shqiptarësh nga Montreali, Kebek

 

Autori, Cezarina Kora dhe Alma Nuro

Filed Under: Emigracion Tagged With: 30 vjet, Ajet Nuro, diplomaci, Kanada -Shqiperi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT