• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MENTALITETI“TARIGUZ”SERB

July 28, 2017 by dgreca

1-adil-fetahu-300x180Nga Adil FETAHU/Me nocionin mentaliteti, nënkuptohet  tërësia e strukturës shpirtërore, mënyra e të menduarit, të kuptuarit, të prirjes dhe disponimit të njeriut, po edhe të rendit shoqëror, të gjeneratave e brezave të një populli. Është edhe fenomen social, që manifestohet  në karakterin e njeriut, në forma të ndryshme të psikës së tij ndaj rrethit, si: xhelozia, urrejtja, lakmia, zilia, pabesia, frika, koprracia, shpirtëngushtësia, zemërimi, gëzimi, keqardhja, dhembshuria, pikëllimi, turpi…Këto forma të manifestimit të karakterit të njeriut kanë të bëjnë me individin. Po a vlejnë këto për një popull si tërësi? Gjithësesi po, sepse popullin e përbëjnë individët. Dhe varësisht se çfarë karakteri kanë shumica e individëve, çfarë sjellje mesatare e çfarë mentaliteti ka  shumica e një populli a një shoqërie, apo pjesa dërmuese elitare e tij/saj gjatë historisë, asi karakteri, asi mentaliteti e aso vlere mund t’i atribuohet tërë atij populli e atij shteti.  Mentaliteti i gjeneratave e brezave krijohet nga funksionimi i karakterit të elitave politike, fetare, asimore-edukative të shoqërisë së caktuar, të popullit e shtetit të caktuar.

Për mentalitetin e popullit serb, kam hasur një shkrim  në të cilin thuhet: “Mentaliteti dhe sjellja mesatare e serbëve gjatë historisë karakterizohet dhe funksionon sipas parimit ‘TARIGUZ”. Kjo fjalë “Tariguz” përbëhet prej akronimeve, ku secila shkronjë, paraqet nga një fjalë  apo një emër, në gjuhën serbe): T – terorizam (shq. terrorizëm), A – atentati (atentatet); R – ratovi (luftërat); I – izbeglice (refugjatët); G – genocid (gjenocidi); U – umisljaj da  su nebeski narod (mendimi për vete, se është popull qiellor/hyjnor);  dhe  Z – zafërkavanje  sa celim svetom (tallje me tërë botën). Përveç shpjegimit të asaj se çka simbolizon secili akronim, nuk kishte shpjegim tjetër. Unë, pastaj mora “për detyrë”, që këtë fjalë me akronimet “Tariguz”, për  mentalitetin serb, ta shkoqis e ilustroj me të dhëna e fakte të pamohueshme, duke iu përmbajtur renditjes së akronimeve.

T – T e rr o r i z m i

Në dyqint vjetët e fundit, Serbia është e njohur për  terrorizëm e organizata të ndryshme terroriste që janë formuar dhe kanë vepruar, qoftë brendapërbrënda shtetit serb, sidomos kundër popujve joserbë  (shqiptarë, boshnjakë, turqë, gjermanë, hebrejë, etj.), qoftë në përmasa ndërkombëtare. Serbia ka qenë dhe është strofull e terrorizmit burimor serb, që edhe ka eksportuar terrorizëm. Orgazniatat terroriste në Serbi i formojnë, ushtrojnë e udhëheqin përfaqësuesit nga pozitat më të larta të shtetit, qofshin ata në funksion apo në pension. Mentaliteti terrorist në Serbi është kultivuar nga qarqet shtetërore, ushtarake, policore dhe kishtetare, dhe terrorizmi kishte karakter politik, etnik dhe fetar, gjithmonë në funksion të projektit të Serbisë së Madhe.  Qysh në vitin 1860, ishte formuar organizata terroriste serbe, e quajtur  “Srpski nacionalni pokret” (Lëvizja Kombëtare Serbe) e cila, përveç terrorit të ushtruar për t’i përzënë qytetarët joserbë, deri vitin 1867, duke djegur fshatra të tëra dhe duke minuar e shkatërruar objekte të ndryshme, pothuajse nuk  la asnjë  gjurmë të kulturës materiale a shpirtërore myslimane (turke, shqiptare, boshnjake) në principatën e Serbisë. Organizata terroriste “Ujedinjenje ili smrt” (Ose bashkim, ose vdekje), e formuar në vitin 1903, prej së cilës në vitin 1911 doli dega e saj, e njohur me emrin “Crna ruka” (Dora e zezë), asokohe ishte organizata e gjashtë në botë, nga dhjetë sosh më brutalet. Në kohën më të re, para, gjatë dhe pas Luftës së  Parë dhe asaj të Dytë Botërore, e sidomos gjatë luftërave në ish-Jugosllavi 1991-1999, organizatat tërroriste në Serbi janë shumëzuar si këpurdhat pas shiut, shumë prej tyre me karakter klerofashist dhe të terrorizmit shtetëror, si: “Mlada Bosna” (Bosnja e Re), “Srpski cetnicki pokret” (Lëvizja Çetnike Serbe), “Srbi na okupu” (Serbët e Bashukuar).  Shumica prej atyre që janë themeluar gjatë luftërave të fundit (1991-1999),  veprojnë legalisht,  si organizata paramilitare të partive politike, apo si organizata joqevritare, janë të regjistruara dhe financohen nga burime të ndryshme legale dhe ilegale, vendore e ndërkombëtare. Ja disa prej tyre: “Srpska oslobodilacka armija” (Armata Çlirimtare Serbe), “Srpsko nacionalno vece” (Këshilli Kombëtar Serb), “Pokret za odbranu  Kosmeta” (Lëvizja për Mbrojtjen e Kosmetit),  “Garda cara Lazara” (Garda e Car Llazarit), “Srpski izvor” (Burimi Serb), “Obraz” (Fytyra), “Grobari” (Varrmihësit), “Nacionalni stroj” (Fronti Kombëtar), “Krv i cast” (Gjaku dhe Nderi), “Beli orlovi” (Shqiponjat e Bardha), “Gvozdeni puk” (Regjimenti i hekurt), “Cuvari mosta” (Rojat e Urës), “Razbijaci” (Shkatërruesit), e shumë të tjera, të njohura e të panjohura për opinionin, por të njohura mirë dhe përkrahura nga shteti serb! Shumë prej tyre e kanë selinë në pjesën veriore të Kosovës (Mitrovicë, Zveçan, Leposaviq, Zubinpotok), por edhe nëpër enklavat tjera serbe anembanë Kosovës, ndërsa aktivitetin e tyre në Kosovë e shtrijnë  edhe ato që selinë e kanë në Serbi.

A – A t e n t a t e t

Duke pasur parasysh numrin e madh të organizatave terroriste serbe, është e kuptueshme që ato kanë kryer atentate të panumërta, brënda dhe jashtë shtetit të Serbisë, por që të gjitha kanë qenë në funksion klerofashizmit dhe të politikës hegjemoniste serbomadhe. Në historiografinë e Serbisë janë emrat e 12 princërve, mbretërve e kryeministrave të vrarë me atentate, qoftë për motive politike apo për motive hakmarrje. Ndër më të njohurit janë: princi Mihaillo Obrenoviq (1868), princi Aleksandar Obrenoviq dhe gruaja e tij Draga Mashin (1903),  mbreti Aleksandar Karagjorgjeviq (1934), Millan Nediq (1941), Ivan Stambolliq (2000),  Zoran Gjingjiq (2003). Po organizatat terroriste serbe kanë krye atentate edhe kundër personaliteteve udhëheqëse të shteteve të jashtme. Në vitin 1914, në atentatin e Sarajevës u vra princi austriak Franc Ferdinand, që u bë shkak i shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1928, në Skupshtinën (Kuvendin) e Jugosllavisë u krye atentat kundër deputetëve kroatë, në të cilin u vranë tre dhe u plagosën katër tjerë. Në vitin 1986 atentatori serb vrau kryeministrin e Suedisë, Ulof Palme, ndërsa në vitin 2003, një tjetër atentator serb,  vrau me thikë ministren e punëve të jashtme të Suedisë, Anna Lindh, që shokoi  gjithë Suedinë. Sa atentate kanë bërë organizatat terroriste serbe mbi shqiptarët dhe kroatët në emigracion, si Enver Hadrin, vëllezërit Gervalla e Kadri Zekën, etj. Një tentim grushtshteti dhe atentat kundër kryetarit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviqit, u bë gjat zgjedhjeve parlamentare në atë shtet fqi (tetor 2016). Thuhet, se ndaj Josip Broz Titos ka pasur 50 tentime atentati, brenda e jashtë shtetit, por që kanë dështuar?!

R – L u f t ë r a t

Në enciklopedinë Wikipedia, gjendet regjistri me të dhëna për luftërat në të cilat ka marrë pjesë Serbia, si fise të ndara a të bashkuara, si principatë, si mbretëri a si republikë, që nga viti 848 e deri në vitin 1995. Regjistri është ndarë në shtatë periudha, dhe sipas tij janë  evidentuar 135 luftëra në të cilat ka marrë pjesë Serbia. Aty nuk janë përfshirë edhe lufta e fundit në Kosovë (1998-99), dhe lufta me UÇPMB-në (2001).

Historianja e njohur serbe, Llatinka Peroviq, në një shkrim të saj (e-novine, 29.09.2008), thotë se  “prej vitit 1876 deri më 1990, Serbia ka zhvilluar tetë luftëra. Pas Luftës Ruso-Turke (1877/78), Serbia u zgjërua me territor dhe fitoi pavarësinë. Pas Luftës Ballkanike (1912) Serbia e rriti territorin, duke marrë Kosovën dhe Maqedoninë, me ç’rast i ashpërsoi marrëdhëniet serbo-shqiptare, të cilat zgjatën tërë shekullin e njëzet, duke shtypur me gjak kryengritjet e shqiptarëve, duke kolonizuar Kosovën, duke aplikuar regjim ushtarak, duke i trajtuar shqiptarët si pakicë kombëtare edhepse ata ishi më shumë se tri kombet tjera: Sllovenët, Maqedonët dhe Malazezët”. Nga goja e kësaj historianeje serbe, demantohet thënia e kryetarit të Serbisë (Tomisllav Nikolliq), i cili thoshte: “Serbia gjithmonë ka qenë në hartën e secilit pushtues, por vet kurrë nuk ka bërë luftë pushtuese”. Ndërkaq, gjithë bota e di, se Serbia të gjitha luftërat i ka bërë për pushtim të territoreve të hueja dhe për të krijuar Serbinë e Madhe e për të dalë në Adriatik, që është projekt i përjetshëm i saj. Po, luftërat që ka bërë Serbia, janë më brutalet, që përveç karakterit pushtues, kanë  të gjitha tiparet e gjenocidit dhe të pastrimit etnik. Brutalitetin e luftërave të Serbisë e ka provuar populli shqiptar, qysh prej mesit të shekullit 19 e deri në fund të shekullit 20. Gjenocidi as lufta nuk është patologji e individëve, por e idesë që i shtynë ata në gjenocid, ndërsa te serbët kjo ide është zhvilluar përmes miteve  të kishës e të shtetit, për “Serbinë hyjnore”. Kriza morale e mentale-civilizuese në të cilën është zhytur Serbia, pasojat tragjike dhe dështimi i projektit të Serbisë së Madhe, mbahen me mite e gënjeshtra tradicionale të kishës e të letërsisë serbe. Revista “Gllas crkve” (Zëri i Kishës,1990), shtronte me titull të madh dilemën: “Evropsko zemaljsko blago, ili nebesko kosovsko carstvo” (Begatinë evropiane të kësaj bote, apo mbretërinë qiellore të Kosovës”, dhe natyrisht për mjekërroshët e kishës serbe, dhe jo vetëm për ata,  prioritet i prioriteteve është Kosova.  Në këtë frymë,  ministri serb Aleksandar Vulin, në një ceremoni në Selanik (1 tetor 2016), deklaroi :”Nuk mund të betohemi se nuk do të ketë më luftë në Serbi…Nuk mund t’i turpërojmë të rënët dhe të parët tanë”! Ishte ky një kërcënim i haptë dhe i drejtpërdrejtë, se Serbia do të zhvillojë luftë të re për ta ripushtuar Kosovën. Ky monstrum sot është ministër i mbrojtjes së Serbisë! A thua rastësisht?!

Shumicën e luftërave që ka bërë Serbia gjatë historisë, i ka humbur, bile edhe atëherë kur e ka ndihmuar nëna Rusi. Dhe jo vetëm se i ka humbur, por edhe është koritë. Gjenerali rus, i cili komandoi luftën kundër Turqëve, në Gjunis afër Aleksincit (1876), në të cilën kishte 123000 ushtarë serbë e rus ,  pasi e humbi luftën, i shkruante Petersburgut: “Të gjithë rusët u vranë, të gjithë serbët ikën”!

Ushtria “heroike” serbe, është “trime” vetëm me civilët duarthatë, fëmijë, gra e pleq, se ballëpërballë me ushtarë të armatosur, kurrë nuk ka treguar ndonjë trimëri a heroizëm. Ka mbetë e shkruar në analet e luftërave,  kur kapiteni i SS divizionit, Fric Klingenberg, vetëm me gjashtë ushtarë e kaloi Danubin, hyri në Beograd,  zhvilloi ca përleshje sporadike, e takoi kryetarin e qytetit dhe me shantazh, e bindi të urdhërojë ushtrinë të dorëzojë armët, ndërsa 1400 ushtarë “të zënë rob” nga shtatë gjermanë, u detyruan jo vetëm t’i dorëzojnë armët, por edhe të ngujohen brënda objekteve, si rob lufte. Edhe ushtarët tjerë nga rrethina e Beogradit, u detyruan të vijnë e t’i dorëzojnë armët! Ndodhi kjo më 12 prill 1941. Komanda e Rajhut kishte planifikuar që pas dy javë bombardimi, të dërgonte pesë divizione këmbësorie për ta okupuar qytetin, por nuk pati nevojë, se vetëm pas  pesë ditë bombardimi, kapiteni Fric me gjashtë ushtarë, vet e okupoi Beogradin! Kur e kishin pyetur Fricin, se si e okupoi kryeqytetin e një shteti,  vetëm me 6 ushtarë, ai përgjigjej, me shpoti: “Nuk isha shumë i zënë me punë tjera ato ditë, prandaj duhej të bëja diçka”! Kaq, për luftërat dhe trimërinë e ushtrisë “heroike” serbe.

I – Refugjatët

Për shkak të luftërave të ndyta e shkatërrimtare që ka bërë çdoherë soldateska kriminale serbe gjatë historisë, sipas parimit të tokës së djegur dhe spastrimit etnik të tokave të pushtuara, vrasjes masive e mizore të civilëve, pa kursyer moshë as gjini,- në të gjitha luftërat ka shkaktuar valë të refugjatëve të shumtë. Ky ishte program kombëtar serb, qysh prej vitit 1830 e këndej. Në kryengritjet dhe luftërat për Pashallukun e Beogradit (1804 – 1867), pastaj në luftën për zgjërimin e atij Pashalluku edhe me katër nahijet tjera (1876-1878), nga territoret e pushtuara, përmes krimeve më të llahtarshme Serbia dëboi popullsinë myslimane: shqiptarë, boshnjakë e turqë. Këto dëbime shkaktuan valë të refugjatëve, nga të cilët shumë u vranë rrugës ose vdiqen në kushte të vështira të dimrit, ndërsa ata që shpëtuan gjallë, u vendosën në Kosovë, Sanxhak, Bosnje, Turqi, Maqedoni e Shqipëri.

Në katër luftërat e fundshekullit të kaluar në ish-RSFJ (1991-1999), në të cilat “Serbia nuk ka marrë pjesë”, por që të gjitha i ka humbur,  përveç 140 000 të vrarëve, e poaq të plagosur (në Kosovë mbi 13000 të vrarë, e për të plagosur as që ka shifra të sakta), mbi 4 milionë njerëz janë çvendosur e shpërngulur prej vendbanimeve të tyre të përhershme, prej të cilëve mbi 2 milionë refugjatë kanë ikur jashtë shtetit të vet, ndërsa 2 milion tjerë ishin refugjatë brëndapërbrënda shtetit të vet. Në Kosovë llogaritej se ishin 1200000-1400000 refugjatë, prej të cilëve jashtë shtetit ishin shpërndarë afër 1 milion (HRW, Human Right Wach jep shifren prej 862979) shqiptarë të Kosovës, u shpërndanë si refugjatë në shtete të ndryshme të botës.

Po luftërat e fundit i shkaktuan edhe mbi 200000 refugjatë i popullit serb. Nga aksioni i ushtrisë kroate për çlirimin e Kninit me rrethinë, nga bandat ushtarake serbe (gusht 1995), kolona e refugjatëve serbë, së cilës iu bashkuan edhe 24000 ushtarë “trima” të ashtuquajturës “Republika Srpska Krajina”, me gjithëfarë mjete të transportit, nepër Bosnje arritën në Serbi, shumë prej të cilëve shteti serb i përcolli e vendosi në Kosovë, me qëllim të ndryshimit të strukturës etnike. Kështu, kategoria e refugjatëve është pjesë e luftës dhe mentalitetit “Tariguz” serb!

G – Gjenocidi

Kush e di historinë e shtetit serb, nuk ka se si të mos fitojë bindjen se mentaliteti gjenocidal është pjesë e gjenit, karakterit dhe DNK-së nacionale serbe. Sa herë populli  (shteti) serb ka zhvilluar lufta e ka pushtuar territore, ka bërë masakra e gjenocid mbi popullsinë vendore të territorit të pushtuar, dhe këtë më së tepërmi mbi popullin shqiptar. Mentaliteti gjenocidal në Serbi është kultivuar nga qarqet shtetërore e ushtarake, nga elitatat intelektuale, kulturore e kishtare, përmes projekteve e programeve për zhdukjen e shqiptarëve,  të përshkuara me një urrejtje patologjike ndaj shqiptarëve, në baza raciste- etnike e fetare (Cvijiq, Çurbilloviq, Andriq, Moleviq, Ekmegjiq,etj.). Disa valë gjenocidi ka bërë, duke filluar prej shpërnguljes së shqiptarëve nga Pashalluku i Beogradit, pastaj nga Sanxhaku i Nishit, për të vazhduar gjatë luftërave ballkanike: në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri,  Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, për të kulmuar në luftën e fundit në Kosovë në vitet 1998-99, kur mendoi se i qëroi hesapet me shqiptarët e Kosovës njëherë e përgjithmonë, por që nuk i doli ashtu. Gjenocid ka bërë gjithashtu edhe ndaj popullit boshnjak e gjerman. Ndaj shqiptarëve gjenocid kanë bërë edhe Greqia dhe Mali Zi.

Për mizoritë e kryera ndaj shqiptarëve, me të gjitha tiparet e gjenocidit, ka prova e dokumente të shumta, të vërtetuara edhe nga personalitete serbe: Dimitrije Tucoviq, Kosta Novakoviq, Dushan Popoviq, etj,  pastaj nga personalitete të hueja: Miss Edit Durham, edhe raporte të Komisionit Ndërkombëtar për Hulumtimin e Shkaqeve dhe Zhvillimin e Luftërave Ballkanike (1914),  edhe të reporterëve të luftës si Lav Trocki, Leo Freundlich, gazetarë e repoterë tjerë. Në librin e tij  “Lufta e fshehtë e Serbisë, propaganda dhe mashtrimi” (Sarajevë,1996), Filip Xh.Kohen, ndër të tjera, shkruan: “Fashizmi serb është më i hershëm se fashizmi i Hitlerit, se fashizmi serb ka filluar në vitin 1804, të cilin dyzet vjet më vonë e ka formësua Ilija Garashanin, në “Naçertanien” e tij , dhe qysh atëherë është shfaqur nocioni i pastrimit etnik, dhe se gjenocidi serb mbi popullsinë josereb po zgjatë qe dyqint vjet”. Dr Mijo Milas, në revistën javore “7 dnevne” (5 nëntor 2016), ndër të tjera shkruan: “ Gjenocidin e parë në Europë e ka kryer Serbia, në vitet 1912-1913, por heshtja për këtë zgjatë edhe sot e kësaj dite”. Edhe historianja serbe, Dubravka Stojanoviq, në një shkrim autorial, me titull “Genocid Srba nad Albancima 1844-1912” (Gjenocidi serb mbi Shqiparët, www.info.ks.net), shkruan për mizoritë që ka bërë Serbia mbi Shqiptarët në dy shekujt e fundit. Kryeministri aktual i Maqedonisë, Zoran Zaev, derisa ishte në opozitë, kishte nënshkruar një marrëveshje me partitë shqiptare, sipas së cilës Maqedonia do ta paditë Serbinë për gjenocid ndaj Shqiptarëve, derisa e ka pasur Maqedoninë nën sundim. Për gjenocidin serb ndaj shqiptareve, di gjithë bota, por heshtë, madje heshtin edhe vet shqiptarët!

U – Kisha serbe ka krijuar mitin propagandistik-luftënxitës për popullin serb, si popull hyjnor-qiellor, dhe këtë mit e lidhë me Luftën e Kosovës (1389), sipas të cilit: “kushdo që jep jetën për Kosovën, siç e kanë dhënë Obiliqi e Llazari, bëhet banor i qiellit”. Mitin për Kosovën e ka përhapur kisha, ndërsa e kanë mbështetur e përdorur udhëheqësit politik, kishtarët, ushtarakët, historianët, shkrimtarët, artistët. Dhe ky mit ka shërbyer si impuls për ekspansion të Serbisë në luftërat për pushtimin e tokave të hueja dhe për pastrimet etnike, në rend të parë të shqiptarëve, por edhe të tjerëve (boshnjakë e gjermanë). Këtë mit nuk e lëshon prej goje edhe patriarku aktual  i KOS, Irinej. Marrina  të shndërruara në mite, për serbët si popull qiellor mund të gjeni në qindra libra, në këngët e në mediat serbe. Sipas tyre, serbët janë më të civilizuarit e më të lavdëruarit; të gjithë popujt e Evropës e të botës e kanë prejardhjen prej Sorabëve (të parët e serbëve!); katër “S” në flamurin serb nuk janë shenjë e kryqit, por simbolizojnë katër anët e botës, në të cilat janë shpërndarë serbët pas Fundosjes së Madhe para 7000 vjetëve,- e përralla të tilla fantastike. Po ta lexoni shkrimin (www.intermagazin.rs) “Da li smo nebeski narod” (a jemi popull qiellor),  e shumë shkrime tjera, do të bindeni se  budallallëku i miteve serbe është më i pafund se vasioni!

Z – Manovrimi e manipulimi me mite, me gënjeshtra e gjysëm të vërteta, shtrembërimi i fakteve, i historisë dhe realitetit, janë specialitet i mentalitetit serb, që shfrytëzohet nga kisha, shteti, politika, historia, diplomacia serbe. Publikisht, politika e përgjithshme serbe mbështetet në parimin: “Me të gjithë mirë, me askend sinçert”. Vet “babi shpirtëror” i popullit serb, shkrimtari e akademiku Dobrica Qosiq, e ka lënë të shkruar në një roman të tij (“Deobe”), se në mentalitetin serb gënjeshtra konsiderohet si formë e patriotizmit dhe vëretim i inteligjencës së lindur serbe.  Atë që flasin, nuk do të thotë se mendojnë as se do ta zbatojnë ashtu. Tjetër thonë haptas, e tjetër punojnë fshehtas. Luajnë role të dyfishta: me të vegjlit paraqiten si (lider) të mëdhenj, me të të mëdhenjtë paraqitën si viitimë (e konspiracionit). Nuk janë të besueshëm, as nuk kanë besim ndaj askujt (madje as ndaj nënës Rusi!). Në raport me Kosovën, tallen me do marrëveshje që i nënshkruajnë gjoja për noramlizim të marrëdhënieve, kurse në praktikë bëjnë çmos për destabilizim të brendshëm, e për izolim dhe bllokim të jashtëm. Këso politike tallëse Serbia aplikon edhe në raportet me BE-në, NATO-n e shtete tjera,  derisa flerton me Rusinë. Sa kohë është tallur me Tribunalin e Hagës, lidhur me ekstradimin e kriminelëve që ia kërkonte ajo gjykatë!

Nga të gjitha këto shkoqitje të akronimeve, del qartë se mentaliteti serb mbështet në parimin – “tariguz”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Adil Fetahu, MENTALITETI “TARIGUZ”, SERB

“Vatra“ e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi

June 13, 2017 by dgreca

NË 105-VJETORIN E NJOHJES SE FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS – “VATRA” NGA SHTETI AMERIKAN/

4 korrik 1917 Noli_me_Wilson.IMG

NGA ADIL FETAHU/Federata Panshqiptare  e Amerikes “Vatra” u themelua si Federatë e disa shoqërive shqiptare, të cilat vepronin në ShBA, si bie fjala Shoqëria “Malli për Memëdhenë”,  “Besa-Besë”, “Flamuri i Krujës”, “Dallëndyshja” etj., me 28 prill 1912, ndësra njohja zyrtare dhe licenca e themelimit iu dha nga shteti Masaçusets më 13 qershor 1912.  Nuk ishte e lehtë të bashkoheshin e të shkriheshin shoqëritë shqiptare në një shoqëri, sepse shqiptarët janë individualistë të  mëdhenjë, që nuk e durojnë as hijen e vet, dhe vështirë pranojnë ta “humbin” subjektivitetin e krijuar. Por, falë mençurisë së intelektualëve të forte, siç ishin Konica, Noli, Floqi, Tromara, Kotta etj, u arrit të akordohen e bashkohen, rreth nje „Vatre“.

Federata Panshqiptare  e Amerikes “Vatra” u bë strumbullari i mërgatës shqiptare në Amerikë, që i shërbeu jo vetem asaj mergate, por edhe atdheut, shtetit e kombit shqiptar. Në krye të “Vatrës” e të organit të saj “Dielli”, prinë e vepruan shumë atdhetarë dhe intelektualë të shquar, si Petro Nini Luarasi, Sotir Peci, Fan Noli, Faik Konica, Kostandin Çekrezi, Kristo Floqi, Mirko Adams, Paskal Aleksi, etj. Shoqëria “Vatra” dhe gazeta “Dielli”, bënë më të mirën e mundshme për çështjen kombëtare dhe për shpëtimin e Shqipërisë nga copëtimi dhe zhdukja totale, që i kanosej prej monarkive fqinje dhe pazarllëqeve që bënte diplomacia ndërkombërtare pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Fushata historike e “Vatrës” për shpëtimin e Shqipërisë u intensifikua sidomos prej vitit 1917, kur edhe Amerika hyri në luftë. Atëherë, fushata e “Vatres” u hap (qershor 1917) me moton e paharruar të vargjeve të Nolit: “Mbahu neno, mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë” , që ishin refreni i poezise „Jepni për Nënën“. Dhe, vërtetë, djemtë shqiptarë në Amerikë bënë çmos, pa kursye asgjë për kauzën shqiptare. Falë atyre “djemëve”, çështja shqiptare fitoi përkrahjen dhe mbrojtjen e Amerikës. Vet Fan Noli, në vitin 1917 u takua me presidentin e ShBA-ve, W.Wilson, nga i cili kërkoi mbrojtje, dhe  mori garancione se do ta mbrojë pavarësinë e Shqipërisë, ndërsa premtimin e realizoi në Konferencën e Paqes, në Paris (1919-1920), përmes programit të paqes botërore, të quajtur „14 pikat e Wilsonit“ (8 janar 1918). Në atë Program theksohej qartë se „nëse s’do të ketë drejtësi për të tjerët, s’do të ketë as për ne“. Në pikën 11 të Programit, ndër të tjera thuhej: „…marrëdhëniet e disa shteteve ballkanike ndërmjet tyre të vendosen me negociata miqësore, në saje të vijave të vendosura historikisht dhe të përkatësisë kombëtare, e të sigurohen garanci ndërkombëtare të pavarësisë politike dhe ekonomike si dhe integriteti territorial i disa shtteve ballkanike“. Kurse në pikën 14 parashihej „themelimi i një asosciacioni të kombeve, me qëllim që të sigurohen garancione për politikën, pavarësinë dhe integritetin territorial njësoj si për shtetet e mëdha ashtu edhe për shtetet e vogla“. Në bazë të kësaj pike u themelua Lidhja e Kombeve, anëtare e së cilës u bë edhe Shqipëria më 17 dhjetor 1920), përsëri në saje të përkrahjes amerikane dhe angazhimit të „Vatres“ e miqve të saj.

Në Konferencën e Paqes, presidenti Wilson u distancua nga Memorandumi (28 qershorit 1919) sipas të cilit, Anglia dhe Franca e neglizhonin njohjen e pavarësisë së Shqipërisë nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913), dhe lejonin copëtimin e saj. Me rastin e largimit nga Konferenca dhe kthimit për në Washington, presidenti Wilson i kishte lënë delegacionit të tij udhëzime të vecanta se si të vepronte për cështjet e pazgjidhura. Nga anija me të cilën po kthehej për në Washington, më 30 qershor, i kishte dërguar sekretarit amerikan për punë të  jashtme, Rober Lansing, telegram me këtë përmbajtje: „Para se të largohesha kisha ndërmend t’ju shprehja ju dhe kolegëve të mi të tjerë  interesimin tim të thellë për të ardhmën e Shqipërisë. Kam frikë se ndoshta, në morinë e cështjeve, nuk do t’u japin të drejtave të saj (të Shqipërisë, (a.f.) rëndësinë dhe konsideratën e duhur dhe ato do të lihen në harresë. Ju lutem, të jeni shumë i vëmendshëm në lidhe me to”, porosiste presidenti Wilson.

Ishte ndikimi i “Vatres” që presidenti amerikan e shpëtoi Shqipërinë. Ajo mobilizoi, organizoi dhe vuri në lëvizje e veprim të gjitha forcat intelektuale e material të patriotëve shqiptarë në funksion e dobi të shtetit të tyre. Kontributi i saj ishte vendimtar që mbrojti Shqipërinë nga copëtimi dhe zhdukja. Kryeministri grek Elefterios Venizellos, pas Konferencës së Paqes kishte deklarua: “Vatra” ma mori nga dora Vorio Epirin”!

Në këtë përvjetor (të 105-të) të njohjes nga Shteti Amerikan(Vatar nisi procesin e themelimit dhe veprimit, i kujtojmë me shumë respekt e pietet të gjithë ata patriotë të “Vatrës”, të cilët u angazhuan me mish e me shpirtë e dhanë gjithçka prej vetes dhe kontribuan për shpëtimin e Shqipërisë. Poashtu, i kujtojmë, u jemi mirënjohës e falënderuar përjetë edhe të gjithë miqve të shqiptarëve, të cilët u angazhuan për mbrojtjen e të drejtave tona legjitime, prej presidentit Wilson, deri te presidentët Bush e Klinton, dhe personaliteteve tjera të shquara.

Një meritë të posaçme për afirmimin e punës së “Vatres” dhe sensibilizimin e kauzës tone ka gazeta më e vjetër shqiptare, organ i Shoqërisë “Vatra”, gazeta “Dielli”, që prej themelimit të saj (1909), e cila ishte krah i fortë e zëdhënëse e “Vatres” dhe aspiratave e të drejtave shqiptare, jo vetëm në mërgatë, por më tepër në Atdhe. Rrezet e “Diellit” ndiçuan e ngrohen jo vetëm mërgimtarët tanë atje, por gjithë shqiptarët kudo që ishin. I kujtojmë me shumë respekt botuesit, menaxherët, redaktorët, bahkëpunëtorët e gazetës, prej të parit deri më sot. Urojmë, që “Dielli” i “Vatres” gjithmonë të përhape dritë e ngrohtësi e të mos perëndojë kurrë!

Urime 105-vjetori  te njohjes se Federatës Panshqiptare te Amerikes “Vatra” e vatranëve të gjithë kohës, dhe gazetës „Diellit“ e  personelit te saj, prej numrit te parë deri më sot e tutje!

Adil FETAHU

(adil_fetahu@hotmail.com)

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: 105 vjetori, Adil Fetahu, i njohjes se Vatres

FYERJA DHE SHPIFJA, DUHET TË SANKSIONOHEN SI VEPRA PENALE

May 2, 2017 by dgreca

*Pse u “dorëzua” Ministria e Drejtësisë para zhurmës së gazetarëve e të “shoqërisë civile”/

* Ligjet duhet t’iu përshtatën kushteve, traditës dhe mentalitetit të vendit, duke mbrojtur vlerat sublime/

Përmbajtja e dispozitave të cilat “vdiqën para se të lindnin”/

Nga Adil FETAHU/

Kohë më parë, Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, inicoi plotësimin e Kodit Penal, duke propozuar që në atë ligj të futën dy nene të reja, sipas të cilave shpifja inkriminohej si vepër penale, për të cilën, varësisht nga rrethanat dhe vlerat që sulmohen me atë vepër, parashihej dënimi deri pesë vjet burgim.  Bëhej fjalë për plotësimin e Kapitullit XIV të Kodit Penal të Kosovës, në të cilin janë përcaktuar veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. Konkretisht ishte propozuar që pas nenit 134, të futeshin si plotësim të Kodit, neni 134/C dhe 134/D, me këtë përmbajtje:

Neni 134/C: – Shpifja ndaj shetit dhe simboleve shtetërore

 

  • Kushdo që publikisht, në një takim, ose nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të shkruara: 1.1: fyen apo me keqdashje shprehë përbuzje ndaj Republikës së Kosovës ose ndaj rendit të saj kushtetues, ose 1.2: fyen ngjyrat, flamurin, stemën apo himnin e Republikës së Kosovës,- dënohet me burgim deri në tre (3) vjet, ose me gjobë.
  • Kushdo që heq, shkatërron, dëmton, e bënë të papërdorshme ose palexueshme, ose ndryshon me dashje flamurin e ekspozuar publikisht të Republikës së Kosovës, ose një emblemë shtetërore të vendosur nga një autoritet publik i Republikës së Kosovës, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet, ose me gjobë.
  • Kushdo që me qëllim mbështetë përpjekjet kundër vazhdimit të ekzistencës së Republikës së Kosovës ose kundër parimeve të saj kushtetuese, dënohet me burgim deri në pesë (5) vjet.
  • Tentativa për kryerjen e veprave penale të përcaktuara në këtë nen është e dënueshme.

 

Neni 134/D: Shpifja ndaj organeve kushtetuese

 

  • Kushdo që publikisht, në një takim ose nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të shkruara shpif ndaj një organi kushtetues, Presidentit, Kuvendit, Qeverisë, Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës ose një prej anëtarëve të tyre në këtë kapacitet në një mënyrë të dëmshme për respektimin e shtetit dhe kështu qëllimisht mbështetë përpjekjet kundër vazhdimit të ekzistencës së Republikës së Kosovës ose kundër parimeve të saj kushtetuese, do të dënohet me burgim nga tre (3) muaj deri në pesë (5) vjet.
  • Vepra penale nga paragrafi 1 i këtij neni mund të ndiqet vetëm me autorimin e oranit kushetuese apo anëtarit të organit të sulmuar me këtë vepër.

 

* * *

Për qartësinë, gramatikën as sintaksën e tekstit të dispozitave të cituara, nuk do të flasim. Sipas informacioneve që ka dhënë Ministria e Drejtësisë, dispozitat e mësipërme janë kopje e dispozitave gjegjëse të Kodit Penal të Gjermanisë, prandaj as nuk më habitë mish-mashi i tekstit të përkthyer.

Sidoqoftë,  ndaj plotësimeve të paralajmëruara me dy dispozitat e cituara, reaguan disa media dhe ndonjë  organizatë e të ashtuquajturës “shoqëria civile”, duke pretenduar se kështu po atakohet liria e fjalës dhe e shprehjes. Reagimit, kinse,  iu bashkangjit edhe përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, gjoja se këto ndryshime qenkan  në kundërshtim me “trendet ndërkombëtare”. Zhurmaxhinjtë e inkriminimit të shpifjes, duke përfshirë këtu edhe përfaqësuesin e Zyrës së BE-së, thonë  se “legjislacioni civil në Kosovë ofron masa të mjaftueshme në lidhje me shpifjet dhe fyerjet.

A është shteti i Kosovës më demokratik se Gjermania etj.?!

Vet fakti që dispozitat e cituara më sipër janë kopje e dispozitave në fuqi të Kodit Penal të Gjermanisë, flet se dispozita të tilla përmbajnë kodet penale të shteteve demokratike. Këtu përveç Gjermanisë, po përmendim se shpifja dhe fyerja, si vepra penale,  janë të penalizuara edhe në kodet-ligjet penale të Austrisë, Belgjikës, Bullgarisë, Çekisë, Danimarkës, Finlandës, Greqisë, Holandës, Italisë, Letonisë, Lituanisë, Luksemburgut, Hungarisë, Maltës, Polonisë, Portugalisë, Sllovenisë, Sllovakisë, Spanjës, Suedisë. A mos është Kosova shtet ma demokratik se ato, apo ne po duam të bëhemi “ma katolik se papa”, duke lejuar që gjuha e sharje-fyerjes dhe urrejtjes te mos kete kufi.  Dispozitat në ligjet e shteteve të përmendura, nuk janë “mbeturinë  arkaike e një epoke të kaluar”, siç pretendon dikush, por janë ligje në fuqi. Pse, a s’mund t’i ndërrojnë ato “mbeturina” shtetet e përmendura? Po, ato mbrojnë vlerat dhe dinjitetin e shtetit e të qytetarëve të vet. Dhe, kur kësaj ia shtojmë profesionalizmin dhe pavarësinë e mediave, dhe kulturën e popullit të atyre vendeve, del se në Kosovë këto dispozita duhet të mbahen në fuqi së paku edhe për pesëdhjetë vjetët e ardhshme. Madje, tradita dhe mentaliteti i popullit në Kosovë është i tillë, që për një fyerje apo një shpifje, lindin konflikte me pasoja, deri edhe vrasje. Prandaj, fyerjen dhe shpifjen duhet t’i parandalojë shteti, me ligje e masa të rrepta, për të mbrojtur dinjitetin e njeriut e të shtetit dhe për të ndaluar pasojat ma të rënda që mund të derivojnë prej tyre.

Procedura civile nuk ofron   mbrojtje efikase kundër fyerjes e shpifjes

Pretendimi se mbrojtja e dinjitetit të njeriut e të shtetit është e garantuar mjaftueshëm me ligjet civile, është i pabazë. Këtë e vërteton gjendja aktuale e përhapjes së këtyre shprehjeve në praktikë, kudo e ndaj çdokujt, dhe pambrojtja ndaj sulmeve të tilla. A din dikush të më tregojë, se sa veta u gjobitën dhe me çfarë shuma për sharje, fyerje e shpifje publike që u bëhen njerëzve, institucioneve, simboleve të shtetit.  Sa veta e çfarë shuma (adekuate)  morën kush si kompensim të dëmit moral (dhe material) të shkaktuar nga fyerja ose shpifja?Jo këtë nuk mund të ma thotë askush, sepse kjo procedurë është e panjohur dhe nuk funksionon në sistemin tonë gjyqësor, edhe ashtu joefikas për çfarëdo çështje e procedure.

Kodi Civil i Kosovës, në nenin 159 par.4, ka përcaktuar se përgjegjësia civile për shpifjen dhe ofendimin rregullohen me ligj special, kurse në dy dispozita (neni 213 par.2, dhe neni 214) përmend kompensimin e dëmit moral dhe material të shkaktuar me shpifje dhe ofendime, dhe këtë çështje e lë të rregullohet me ligj të veçantë. Për vlerësimin e dëmit moral, thotë se duhet  duhet të merrën parasysh rrethanat e rastit, duke përfshirë intensitetin, kohëzgjatjen dhe pasojat e dëmit, dhe se ligji mund të përcaktojë se si llogaritet kompensimi i dëmit moral.

Ligji mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve (neni 182), shpërblimin e dëmit jomaterial e parasheh ashtu që: në rast të cënimit të së drejtës së personalitetit, gjykata mund të urdhërojë shpalljen e aktgjykimit, përkatësisht të përmirësimit me shpenzime të dëmtuesit, ose të urdhërojë që dëmtuesi ta tërheqë deklaratën me të cilën është bërë shkelja, ose diç tjetër me të cilën gjë mund të realizohet qëllimi që arrihet me shpërblim. Kjo dispozitë është aq e përgjithshme, sa që nuk përcakton as sqaron asgjë sa i përket efikasitetit të mbrojtjes kundër fyerje-shpifjeve. Po çfarë efekti arrihet  për të fyerin a të shpifurin me tërheqjen e deklaratës, është sikur të krahasosh shpërndarjen nga aeroplani të  një thesi pupla, e pastaj të përpiqesh t’i bledhësh ato!

Një ligj special për këtë fushë është Ligji Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes (Ligji Nr.02/L-65; UNMIK/Rreg.2007/13). Ligji parasheh kompensimin e dëmit të shkaktuar me shpifje e fyerje (neni 14 e 15), por është aq fleksibil, sa nuk garanton kurrëfar mbrojtje efikase, as “ndëshkimi” të fyesit/shpifsit. Për shembëll, në nenin 14 par. 2 dhe 3 të atij ligji, thuhet: Kompensimi për humbjen reale financiare, ose dëme materiale, të shkaktuara nga një shpifje do të caktohet nga gjykata vetëm kur humbja është konstatuar në mënyrë të veçantë. Lartësia e kompensimit për dëmin jomaterial ose dëmin që nuk mund t’i përcaktohet lartësia në vlera monetare…, do të caktohet nga gjykata duke marrë parasysh peshën e dëmit të shkaktuar nga shpifja dhe gjendjen materiale të personit i cili ka shkaktuar shpifjen. Për fyerjet, ligji është edhe më i butë dhe gati-gati nuk ofron kurrëfarë mbrojtje as satisfaksioni. Po si do ta përcaktojë gjykata peshën e dëmit të shkaktuar nga fyerja ose shpifja?! Dhe gjykata u dashka të jetë e mëshirshme për gjendjen e keqe materiale të shpifsit/fyesit!

Mediat tona, të shkruara dhe elektronike, e sidomos disa portale, çdoditë gëlojnë me sharje, fyerje e shpifje kundër individëve, me akuzat më të rënda, për të cilat do të duhej të përgjigjej ose i shpifuri, ose shpifësi, sepse dy të vërteta të kundërta nuk ekzistojnë. Ato thuhen nga urrejtja dhe me qëllim dënigrimi të nderit dhe autoritetit personalitetit të cilit i drejtohen.  Të vjen tugu kur nëpër portale të ndryshme lexon sharje, fyerje, shpifje të nivelit më të ulët, duke hyrë thellë në privatësinë e njerëzve e të familjeve. Madje sharje, fyerje e shpifje shqiptohen edhe në debatet në kuvende të komunave e në Kuvendin e Kosovës, apo gjetkë. Skena publike dhe mediat janë bërë arena ku mund të flitet gjithçka, të fyhet e shpifet gjithkush, pa kurrëfar turpi e konsiderate, dhe pa kurrëfar pasojash për fyesit e shpifësit! Këto “vlera” na i solli  liria e shprehjes sipas  standardeve evropiane. Këto nuk përkojnë me  traditën, kulturën dhe mentalitetin tonë. Për sharje, fyerje e shpifje të tilla, shumëkush ka hëngër dajak, por ka pasur edhe pasoja më të rënda, dhe nuk do të thotë se ai mentalitet është çrrënjosur, sa të durohet gjithkush e gjithçka. Prandaj, fyerja dhe shpifja, gjithësesi duhet të penalizohen në Kodin Penal të Kosovës, dhe të gjykohen e dënohen sipas rastit dhe peshës. Në Kushtetutën tonë është përcaktuar se “dinjiteti i njeriut është i pacënueshëm dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”. A nuk është cënim i dinjitetit kur dikush fyhet në mënyrën më të vrazhdë dhe shpifet me shpifjet më të rënda?

Nuk është e vërtetë se penalizimi i fyerje/shpifjes është në kundërshtim me standardet evropiane,  siç mundohen ta paraqesin disa “ekspertë të demokracisë evropiane”, e aq më pak  me lirinë e shprehjes, të përcaktuar me Konventën (evropiane) për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut. Përkundrazi, sipas dispozitës së nenit 10 par.2 të asaj Konvente, “ushtrimi i lirisë së shprehjes, bartë me vete detyra dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet formaliteve, kushteve ose dënimeve që parashikohen me ligj dhe që janë të domosdoshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, të tërësisë territoriale ose të sigurisë publike, për parandalimin e trazirave ose të krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose moralit, për mbrojtjen e emrit ose të të drejtave të tjerëve…”. A thua nuk e dinë përmbajtjen e asaj Konvente shtetet demokratike të Evropës, të cilat i kanë të sanksionuara në ligjet e tyre   fyerjet/shpifjet si vepra penale. Ku dolëm ne më të mënçur e më demokratë?!

Jam i vetëdijshëm se shumëkush nuk do të pajtohet me këtë opinion timin, sidomos përfaqësues të mediave e të shoqërisë civile, dhe ata që gojën e kanë plot sharje, fyerje, shpifje e denigrime, por e mira e përgjithshme e do që këtyre shprehjeve t’iu ndalet hovi, e të ruhet dinjiteti i secilit dhe kultura e komunikimit. Ka mjaft hapësirë të flitet e të luftohen rastet a dukuritë negative në shoqëri, në mënyrë më të kulturuar e të argumentuar, pa përdorë sharje, fyerje e shpifje. Këto nuk janë argumente, por mungesë e kulturës dhe edukatës elementare të  atyre që i përdorin. Prandaj duhet të sanksionohen, gjykohën e dënohen.

Filed Under: Analiza Tagged With: Adil Fetahu, Fyerja, lepra penale, Shpifja

URTËSIA POPULLORE, ORIGJINALE, NË VEPRAT E ZEQIR LUSHAJT

May 1, 2017 by dgreca

1 Zeqir-Lushaj LibraShkruan: Adil FETAHU/

Veprat e Zeqir Lushajt nuk janë për një lexim, e pastaj t’i mbulojë pluhuri në raft. Ato asnjëherë nuk marrin pluhur, pasi merrën në dorë dhe kalojnë dorëpasdore, lexohen e rilexohen me ëndje, qoftë proza a poezia. Dhe sa herë i lexon, vërenë thellësinë e mendimit,  fuqinë e mesazhit dhe frymëzimit për të mirën e të mbarën, për njerëzit, për vendlindjen, për atdheun, për natyrën, për dashurinë ndaj vlerave, përkushtimin ndaj punës, arsimit, kulturës, diturisë, edukatës, tolerancës, taditës, njerëzisë, bujarisë. Veprat e tij janë plot realizëm, plot dashuri, plot  proverba, urti popullore të cilat i formulon dhe përdorë me vend, në kontekste të ndryshme.

Sipas Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe (1980), proverbi është fjali e shkurtër, që shpreh një mendim të plotë, të figurshëm e të mprehtë, që përgjithëson përvojën e shumë brezave dhe përmbanë një mësim të urtësisë popullore për jetën dhe dukuritë e saj (fq.1559). Letërsia jonë popullore është përplot urtësi:  me vlerë shkencore e kulturore, kundër injorancës e mediokritetit, të cilave duhet gjetur vendin adekuat, qoftë në shkrime, në bisedë a kuvend. Zeqir Lushaj, përveçse urtinë popullore  e ka mësuar  heret në odën e kullës së tij në Gri, nga babai Sadik Selmani, miqtë dhe mysafirët e tij të shumtë, e pastaj e ka provua dhe zbatua në jetë, dhe e ka futë në  shkrimet e veprat e tij letrare. Për këtë Vështrim, kam nxjerrë fjalët e urta nga nëntë vepra të Zeqir Lushajt, nga poezia dhe proza. Tri tjera nuk i kisha në dispozicion, sepse m’i kanë marrë të tjerët për t’i lexuar, bile librin “Si n’kurbet, bre vëlla” ua kam dhënë djemëve të mi në kurbet (që punojnë e jetojnë në Londër), me porosi që t’i lexojnë dhe t’ua japin  edhe shokëve-gurbetçarë për t’i lexuar, e për të nxjerrë mësim prej tyre. Autori ka përdorë fjalët e urta edhe në librat e poezië edhe të prozës, prandaj mund të ketë përsëritje, sikurse ka përsëritje të qëllimshme edhe të poezive dhe të figurave stilistike, prej një vepre në tjetrën. Për t’ua përshtatur rimës së vargjeve, autori ndokund ka mund të ndryshojë renditjen e fjalëve, por duke ruajtur përmbajtjen dhe mesazhin.  Në këtë Vështrim kam përfshi fjalët e urta të nëntë veprave të Zeqir Lushajt (brënda kllapave është faqja e librit). Nuk i radhita fjalitë me kryerreshta, për shkak të hapësirës së botimit.

Lisi i shkruar  (vjersha):

*Kur vdes ama, bletët hupin (15); * Që të rritet lavdia, duhen vepra (23); * Gjumi është vdekje e përditshme, vdekja është gjumë i përjetshëm (25);  * Çka s’të pëlqen të ta bëjë dikush, mos i bënë dikujt (32);  * Kemi qëlluar ndërnyje mes Perëndimit e Lindjes, tërhiqen dy skajet e mesi vuan prej dhimbjes (41); * Ne dijmë gjithçka, veçse jo – kush jemi, ec e gjeje se për ku po vemi? (42); * Fati është mbreti i botës (45); * Po i pranove lekët, vare pushkën në gozhdë (46); * Ç’ka s’ta merr mendja, nuk është as në çitapë (56);  * Cila është e vërteta, ëndërra apo jeta? (59); * Shokët e fëmijërisë, mos i largo (86);  * Lisat rritën me gjatësi të ndryshme, por të gjithë rrënjët i kanë në tokë (86); * Nuk përzihet floriri me baltën e vorbave (99);  * Armët në gozhdë, fjala në vend të vet (103); * I vogël, për karshillak ndaj madhështisë (114); * Gegë e Toskë janë vëllezër binjakë, të një barku, me babe e nënë (122); * Kush e përbuzë Atdheun, qoftë i përbuzur nga Perëndia (126); * Pas një jete të çfarëdollojshme, vdekja është (veçse) një ëmbëlsi (133); * Ma gjeni (vetëm) një njeri që u ankua – pasi vdiq (134); * Ushtari gjithmonë meriton respekt, edhe pak – mëshirë (140).

Dyqani i mendjes (shkrime publicistike):

*Gjithçka që sot është e vërtetë, nesër mund të jetë e dyshimtë (5); * Jeni të lutur t’i lexoni këto shkrime me frymën e kohës, kur janë shkruar ato (6); * Gazetat, librat, sallat e leximit dhe bibliotekat, – urtia popullore, me kohë, i ka quajtur “Dyqani i mendjes” (6); * Mjer ai që nuk e sheh dhe nuk e njeh vehten e tij (7); 8 Politika është bërë më keq se tifozllëku i sëmurë në sport, e për disa (është bërë) edhe pazar i turpshëm (8); * Roja (nga e keqja) nuk është frikë, është mençuri (12); * Ai që ndërroi parti, s’e ka për gjë të ndërrojë edhe emrin (15); * Nuk ngelë Berati pa dhallë, pse ngordhi një dhi në Velabisht (15); * Nga e thëna në të bërë, në mes është një det i tërë (16); * Europa na prêt, nuk ka për të luajtë vendi (17); * Po bien kokrra-kokrra, si  fiq i qullavtë (19); * Shqipëria e vogël, gjithmonë pre dhe lakmi e të mëdhenjëve (21); * Nga 10 shëndete në dasma, 7 a 8 i kishte (shëndete) për partinë (24); * Këta (që ndërrojnë patitë) më gjasojnë në zogjtë e qyqes, të cilët nuk e dijnë se kush i ka pjellë, as të kujt janë (24); * Ndonëse vet jam ateist, gjithmonë i kam respektuar besimtarët, se ata kanë diçka fisnike, janë besnik të një ideje (27); * Kur lufton vëllai me vëllanë, nuk ka të fituar, por vetëm të humbur (31); * Atij që martohet dhe atij që armatoset, ruaju një vit (43); * Kur e vret veten, nuk ke prej kujt ta lypësh hakun (63); * Ruajut të keqes, mos të bëhet ves (64); *Nëse amatorizmi është deridiku i mire në sport, kulturë etj, në politikë është tepër i dëmshëm (64); * Edhe (kur) kokën do të na e mbulojnë thinjat, ndër mend do ta kemi një emër të nderuar – mësues (70); * Jeta e mësuesit është shkrirë te puna dhe jeta e të tjerëve (70); * Edhe dashit i merret fytyra, po t’ia heqësh kumbonën atij, e t’ia vesh një deleje (77); * Ai që kërkon më shumë se sa i takon, do ta merrë faqën e zezë (80); * Nuk vdes njeriu, emri dhe vepra e të cilit janë të pranishme në çdo vatër, në mendjen, në zemrën dhe në kulturën e një kombi  (86); * Më shumë i peshon koka, se krejt trupi (132).

3. Pengjet (vjershërime):

* Më mirë pak e – jotja, se shumë  – e botës (15); * Kurvat (emër përbuzës) gjithë bota i shanë, gjithë bota i përqafon, çfarë hipokrizie (20); * Po ta di kur vdes, i bëj vorrin vetes (33); * Edhe i vdekuri don me zgjedhë  vend (34); * Fukarallëku … na i dha rrugët (41); * Gjithkush vdes një ditë, si shenjti si i pafeu, por një që nuk vdes është – Atdheu (43); * Prishet kollaj, e ndreqet zor (62); * Po Filani ku na hupi, qatje në qyshk si llullë magjupi (65); * Në sofrën shqiptare, një lugë e një gotë më shumë (66); * Bane  Zot andërr (82); * Qeni që rri shumë lidhur, kur lëshohet mund ta hajë edhe të zotin e tij (83); * Sa për fatin e këtij vendi, shtriju qëtash sa gjanë e gjat dhe jep shpirt (85); * Hupi si shurra e pulës (89); * Emrit  Bos, duhet shtuar një bashkëtingllore – “h” (91); * Pensioni – paradhënie e vdekjes (99);  * Këtë punë e din edhe lopa (122); * Kur kapitalistët shkembëjnë vetëm para me para, gjërat përfundojnë keq (124); * Të fundit u shkëputëm nga Turqia, nga komunizmi dolëm në fund; të fundit do të hyjmë në Europë, të fundit kudo, e kudo në fund! (126);  * Vajza dhe liria janë peng e gjithkujt (132).

4. Zbehje e heroizmit (shkrime publicistike):

* Heroizmi na ka frymëzua, na ka nxitur për vepra të mëdha në dobi  të Atdheut e të Kombit, në të gjitha kohët (fq.13); * Shkrimet nuk i ndryshoj dot, as tani mbas dekada vjetësh (15, dhe 67); *Unë jam betuar, me gojë e me shkrim, me dorën në zemër, para Flamurit Amerikan, në ditën e dyshtetësisë sime, se do t’i respektoj të drejtat e njeriut, lirinë e mendimit e të shprehjes, lirinë e fjalës (16); * Shumë i  këputi pushka në lulën e rinisë, por më shumë lindën dhe përkundën në djepa nënat shqiptare, prandaj, do të vinte patjetër dita e lirisë (21); * Në mes trimave, veç trimëri e burrëri do të mësosh (33);  * I vogël nga trupi, por i  madh nga zemra, trimëria dhe ideali (33); * E dvetin nënën: ku e ke djalin? – Ka lënë shkollën e ka marrë malin (44);  * Kënga është gjuha e shpirtit (61); * E kam një amanet nga Lekë Dukagjini: Mos folni keq për kohët, se bani më shumë dëm (67); * Burrat takohën në këmbë, por flasin ulur (69); * Burrat e nderojnë njëri-tjetrin, e të gjithë sëbashku e nderojnë kombin, o- o- o politikanët tanë partiakë. Fëmijët shpesh edhe shahën e grindën, burrat afrohen, ulen, flasin e merren vesh (71); * Le të bëhen jo 20, por 200 parti, e Shqipëria do të mbetet Një. Do të dëshiroja thirrje e mesazhe vetëm për bashkim (75, dhe 107); * Pushka në kallbllak, më shumë vret njerëz pa hak, prandaj çoja grykën pak (75); * Lëvizja është jetë, të ndenjurit kot është vdekje (86);  * Shih e shkruaj (98); * Asgjë nuk duhet të na ndajë, gjithçka duhet vetëm të na bashkojë më fort (75, dhe 107); * Kur rri me njerëz të mirë, të thjeshtë e të dashur, pak rëndësi ka sa vajti ora (123); * Me burra si Shaban Hyseni i Margegajve, nata e dimrit të duket e shkurtër (125); * Amanet, mos e hup vorrin, se po e hupe vorrin, edhe në jetën e pasosur do të mbetesh “emigrant” (136, 147, 150, 151); * Besimi edukon, frenon nga të këqijat dhe mobilizon për të mirë (143); * Djemtë janë për luftë, e burrat janë për kuvend (153); * Burrat kanë shkua në luftë, këtu veç gratë kanë mbetë (157); * A na keni thënë se nuk po luftojmë për kolltuqe e grada, po për çlirimin e vendit? (186); * Hyra në histori, duke u fotografua me njeriun më të fuqishëm të botës, me vet Presidentin (e ShBA-ve, 199).

5. Duhama e Valbonës (vjersha):

* Varret kallxojnë ku i kemi të parët; kur mbyllet shtëpia, kanë vdekur varret (36); * Më mirë të jeshë i vogël aty ku ke le, se edhe kolos por njeri pa Atdhe (40);  * Duhej të vdiste motra, që të lindëte legjenda (Rozafa, 63); * Paska shumë mënyra për të jetue, edhe tuj ba qejf, edhe tuj luftue (79); * Pesëqind fjalë, për një pare (106); * Vendi i huaj, të ha (106); * Katolikët i fiki festa, myslianët i fiki bjeshka (154); * Dora thatë, s’ ka uratë (174).

6. Fjala mbi tel (tekste këngësh popullore):

* Veç bashkimi është forca e Kombit (7); * Mbi Ballkan vuajtjet do t’sosin, veç kur popujt t’vetëvendosin (8).

7. Piedestali (vjersha):

* Ndërrojmë përditë si lëkura e kameleonit, servileë ndaj të huajit, e gjelkokolsh ndaj tonit (8); * Kthe kokën prapa e shih gjurmët tua pas, po përbuze rrugën tënde, bota shkrihet në gaz (11);  * As Drinin nuk e lam të lirë, tre herë u prangos në pranga, tuj i thanë: rri se je mirë! (20); * Po fjete në mulli, mbushesh paskaj e hi (26-27); * Ne që dalim në pension pa zënë punë me dorë, dijmë të duartrokasim e prodhojmë diktatorë  (37); * Gjuha kocka s’ka, por kocka thyen (41); * Fjalën e rëndë nuk ka vagë që e peshon (42); * Kur nuk i beso pushkës, mos i del kujt në pritë (53); * Shih me sy, e plas me zemër (63); * Kush prishë punë nga dashuria, i ardhtë hakut Perëndia (87); * Mos folni keq për kohët, se bani ma shumë dam (98); * Po ndahemi, për t’u takuar prapë (106); * Sa pak lisa po le në këmbë ekologjia jonë politike (133); * Fjala nuk vdes kurrë (153); * Shpirti i autorit është brënda librave të tij (165); Oda pa oxhak, gruaja pa pshtjellak (168); * Kutia e duhanit,  qitet edhe e thatë! (171);  * Po s’i shtërngove rrathët e shekës, prishet hesapi (179); * Emri i mirë duhet n’këtë botë, njeriut nuk i hahet mishi (as i pihet çorba) (192); * Mikpritja e mirë, (edhe) shëllirën e bënë mjaltë (196).

8. Rrokada (politike):

* Fjala mos t’më shkruhet kabahat (7); * Qeni që i ha robtë e shpisë, do vrarë (16); * Politikanët shqiptarë e krijojnë krizën për pesë minuta, e nuk e zgjidhin as për pesë vjet (22); * Vjedhja e plaçkitja dhe korrupsioni shtetëror, duket se janë në garë: kush më shumë, e kush më parë (23); * Kur s’din me zhdredhë, mos e dredh (27); * Kujdes gishtin, se mos e ha n’dhambë! (31); * Hamë bukë me marre, jo me krypë (43); * T’i lëshojmë rrugë Rinisë (50); * Betohen për ne, zhvatin për vete (64); * I poshtruar, me imunitet (66); * E përqafojmë Perëndimin, me kokën kthyer pas – kah Lindja (72); * Kur para kuajve atllarë ka dalë magari, ai karavan duhet fillue prej së pari (78);  * Kush është kanë, ka me kanë (84);  *Gjaja ma mirë kullosin pa çoban, veçse përditë ujku i han (90); * Libri i jetës, zor lexohet (93); * Kah po i kullotni? (99);  * Kanuni është prodhim i vendit (101); * Me luejtë derën në thinxa, nuk duhet shumë punë (103); * Në monizëm të demaskonin para popullit, në demokraci të demaskojnë para ekranit (109); * Kau i djathtë, s’bëhet i majtë (112); * Mbiemri “i mirë”, dhe folja “me sundue”, shqiptarisht – zor me u pajtue (133); *Uthulla e fortë, enën e vet e tharton (134); * Kur merr rrugën e mërgimit, t’u ka vra ora (138); * Zullumi këputet nga trashja (145); * Qeni i shtëpisë së madhe, nuk  gjuhet (kollaj) me gurë (148);  *Çika e burrit të fortë (zëngjinit), e rrehë djalin e fukarasë (148); * Potera politike (dhe politikanët), gjithë ditën veç tallen me ne (154); * Ia kam lanë Zotit me marrë hak (157); * Me gruan që jeni nda, burrnia e lypë, as mos me e lëvdue, as mos me sha (162);  * Pluralizmi si lumenjtë, bajnë bërllogje turlifare dimër e verë, majtas e djathtas kujt ia lënë në derë (164);  * Unë jam prapë Unë për miqë e shokë, me të dy këmbët mbi tokë (166); * Edhe për një fjalë të papeshuar mirë, gjumi i natës nuk të merr (168); * Veç bleta e di si bëhet mjalti (172);  * Si guri mbi vorbë, si vorba mbi gur (173); * Dhëmbi i ujkut, n’ bythë t’thiut (174); * Po vazhdove kështu, do të hash bukë pa pare (179); * Sado tar rrahësh një thumb, (ai) veç një maje qet (185);  * E keqja e Shqipërisë, vet shqiptarët (192).

9. Sportit i mbeta borxh (Shkrime publicistike):

* Në Malësi do të gjeni bukë të bardhë, zemër të bardhë dhe borë të bardhë (14); * Shkolla kurrë nuk plaket (35); * Mendja e shëndoshë, në trup të shëndoshë (36); * (Nipat e mbesat) ua mbushin shtëpinë e zemrën plot, (dhe) ua heqin pleqërinë (51); * …edhe për me luejtë ka çelë shteti shkolla të nalta? (52); * Njerëzit e artit, kulturës, arsimit, shkencës e letësisë, mos i pyetni kurrë as për stinë as për moshë, sepse ata as nuk plaken as nuk vyshken kurrë (62); * Nuk mësohen skitë, pa hipur mbi ski e rrëshqitur mbi borë (103); * Emri i mirë, kujtohet (147).

* * *

Lexuesi i vëmendshëm i veprave të Zeqir Lushajt, mund të vërejë se shumica e fjalëve të urta të cituara më sipër, janë  formulime origjinale të vet atorit të veprave, e fare pak janë aso të marruna nga thesari popullor e të përshtatura kohës dhe kontekstit ku janë përdorë.  Sepse, dija e autorit i ka nxjerrë nga përvoja e tij e gjatë e punës dhe jetës në fusha të ndryshme:  në politikë, gazetari,  arsim, kulturë, sport, kurbet, kontakti me  shumë njerëz të ditur e me përvojë. Dhe këto urti të autorit, e kanë pasuruar akoma më tepër urtinë bashkëkohore. E gjithë proza dhe poezia e Zeqir Lushajt, pasqyron në mënyrë komplekse, artistike, me shtrirje të gjërë, botën shqiptare, edhe të periudhës së monizmit, edhe të pluralizmit, po edhe atje përtej Atlantikut ku qëndroi një kohë relativisht të gjatë në kurbet. Krijimtaria e Lushajt ka një individualitet realist, në rrjedhat e kohës, dhe realizmi i jep fuqi veprës së tij. Tanimë të gjithë lexuesit e veprave të Zeqos, e vërejnë stilin e veçantë të këtij autori, qoftë përkah gjuha, qoftë për frymën e urtisë dhe filozofisë popullore. Kur lexon veprat e Lushajt, krijon një afërsi dhe ndihesh sikur je duke biseduar me autorin. Unë me këtë ndjenjë i lexoj e rilexoj veprat e Zeqir Lushajt.

Filed Under: Kulture Tagged With: Adil Fetahu, E ZEQIR LUSHAJT, NË VEPRAT, origjinale, URTËSIA POPULLORE

A PO VAZHDON FAZA E TRETË E KOLONIZIMIT, (EDHE) NË KOSOVËN E PAVARUR?

February 11, 2017 by dgreca

Shkruan: Adil FETAHU/

Për kolonizimin e Kosovës janë shkruar e botuar shumë libra e punime, nga autorë të ndryshëm,  shqiptarë e serbë, po edhe  nga të tjerë. Një ndër librat më komplete me të dhëna për kolonizimin e Kosovës, është libri i dr Millovan Obradoviqit: “Agrarna reforma i kolonizacija na Kosovu, 1918-1941” (Reforma agrare dhe kolonizimi në Kosovë, 1918-1941), botim i Institutit të Historisë së Kosovës, 1981,  që është tema e doktoratës së Obradoviqit, nën mentorimin e profesorit Ali Hadri (ndjesë e dritë pastë).

Mirëpo, kolonizimi i Kosovës ka filluar më heret, dhe ka vazhduar më vonë, para dhe pas periudhës të cilën përfshinë libri i Obradoviqit. Në të vërtetë, kolonizimi i Kosovës ka fillaur që nga ditët e para pas pushtimit dhe aneksimit të Kosovës nga Serbia dhe Mali Zi (1912), kur Serbia pushtoi pjesën më të madhe të Kosovës e të Maqedonisë, ndërsa Mali Zi pushtoi rajonin e Dukagjinit: Pejë, Gjakovë, Istog. Të dy shtetet pushtuese, menjëherë ndërmorën veprime me qasje e mënyra të ndryshme, gjoja për eliminimin e marrëdhënieve feudale mbi tokat dhe për të bërë reformë agrare. Me rastin e shpalljes së  luftës kundër Turqisë, për të përfituar përkrahjen e popullsisë vendore në  atë luftë,  Qeveria e Serbisë publikoi  një proklamatë, në të cilën thuhej: “Serbia, duke hyrë në ato vise, iu sjell popujve liri e të drejta të barbarta…, sepse gjendja (në pushtimin turk, a.f.) është bërë e padurueshme si për Serbët, Bullgarët, Grekët dhe Arbanasit. E kundërshtojnë të gjithë me radhë: edhe Myslimanët, edhe Katolikët edhe Pravosllavët… Në Serbinë e Vjetër, përveç të krishterëve, ushtria do të takojë Serbë Myslimanë, dhe me ta edhe Arbanasë të krishterë e myslimanë, me të cilët populli ynë jeton së bashku qe 1300 vjet, duke ndarë me ta fatet dhe fatkeqësitë. Ne, të gjithëve dhe në gjithçka  ju sjellim liri, vëllazërim dhe barazi me Serbët”.

Ato liri e të drejta dhe ajo barazi e proklamuar, pas pushtimit u “shkrinë” si bryma para diellit. Gjendja e shqiptarëve u përkeqësua shumë më tepër se nën pushtimin otoman, duke i detyruar të punonin hangari për ndërtimin e rrugëve dhe urave, duke i mobilizuar në ushtri, që t’i largonin nga vendbanimet  e tyre. Pushteti okupues shtoi presionin e zullumin mbi popullsinë shqiptare, duke i detyruar ata të shpërngulën  në Turqi apo në Shqipëri, duke  lënë tokë e shtëpi e gjënë e gjallë, në të cilat menjëherë vendoseshin serbë. Shpërngulja mori hov në vitin 1913 e 1914. Ata që shpërnguleshin, nëse mund të shitnin pronat e tyre, ato i shitnin me çmime tejet të lira, dhe këto i blenin serbët, më pak bujqit e më shumë nëpunësit e shtetit, ushtarakë e ministra, në mesin e të cilëve edhe vet kryeministri Nikolla Pashiqi që “kishte blerë” 3000 hektarë tokë në Gazimestan, në periferi të Prishtinës, ndërsa krimineli-atentatori  mbi deputët kroatë në Kuvendin e Mbretërisë së Jugosllavisë (20 qershor 1928), Punisha Raçiq, bashkëpunëtori më i ngushtë i Pashiqit, kishte “blerë” 3500 ha tokë e pyje në rrethin e Deçanit dhe 50 ha tokë pjellore në fushën e Shkupit. Pyjet i kishte prerë e shitë, dhe paratë i ndante me shefin e tij, Pashiqin.  Ata thoshin se do bëjnë reforma për eliminimin e marrëdhënieve feudale mbi tokat, ndërsa vet u bënë feudët më të mëdhenj.

Më 20 shkurt 1914, qeveria serbe kishte miratua Dekretligj për popullëzimin (kolonizimin) e viseve të aneksuara Mbretërisë së Serbisë, kishte caktuar organet kompetente (civile, ushtarake e policore) për të zbatuar kolonizimin, dhe  të drejtën e kolonizimit për serbët, qofshin nga Serbia  ose nga bota e jashtme. Organet “agrare” filluan me matjen dhe kufizimin e ngastrave për t’ua ndarë kolonëve. Kështu veproi edhe Mali Zi në rajonin e Dukagjinit.  Procesi i kolonizimit u ndërpre për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore (1914-1918), për të vazhduar më pastaj, prej vitit 1918, deri në vitin 1941, dhe prej 1990 deri në ditët e sotme! Nëse procesin e kolonizimit e shikojmë nëpër etapa periodike, do të mund ta ndanim në tri periudha kryesore: 1) periudha 1912-1918; periudha 1918-1941, dhe periudha 1990-1998 (e cila po vazhdon edhe në Kosovën e çliruar e të pavarur!). Një mesoperiudhë e viteve 1945-1948, ka të bëjë me të ashtuquajturin revizioni i reformës agrare, dhe kthimin e numrit më të madh të kolonistëve, të cilët kishin ikuar nga Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në periudhën e parë (1912-1918) kishin ardhur jo shumë kolonistë, për shkak se në fillim shteti i Serbisë nuk kishte mundësi t’iu siguronte kushte të nevojshme për jetesë, e pastaj plasi Lufta e Dytë Botërore. Ndëra në periudhën e dytë (1918-1941) u vendosën shumë kolonë në Kosovë. Nën parullën e zbatimit të reformës agrare, shumë familjeve shqiptare iu morën tokat e tyre, në bazë të kriterit të maksimumit, si dhe tokat tjera të përbashkëta: meratë, kullosat, toka të braktisura të kaçakëve e të ikurve tjerë nga presoni dhe krimet që bënte regjimi serb. Dhe, shih ti, historian e pseudoshkencëtarë tash thonë se tokat nuk u janë marrë shqiptarëve, por bejlerëve turqë! Po, ku kishte bejlerë turqë pas pushtimit të Kosovës dhe aneksimit nga Serbia?! Sipas të dhënave të paraqitura në librin e dr Millovan Obradoviqit, në periudhën 1918-1941, organet agrare, përfundimisht me vitin 1939, kishin  përkufizuar e përfshirë për t’i ndarë 192.212,94 ha toka, të punuara e të papunuara, ndërsa në regji të shtetit në Kosovë kishin ardhur 13.519 familje kolonësh, me 58263 pjesëtarë familjesh (diku flitet për 65000), prej viseve të ndryshme: Serbi, Mali Zi, Kroaci, Vojvodinë, Shqipëri (Vrraka), madje edhe nga Italia (12 familje, Bullgaria 26 dhe Rusia 16)! (libri i M.O, fq.220-221). Përveç kolonëve në regji të shtetit, në atë periudhë kishin ardhur edhe mbi 5000 familje në regji “private”.  Ishte fati në fatkeqësi, që për shkak të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, nuk u realizua marrëveshja e lidhur midis Jugosllavisë e Turqisë (1938) për shpërnguljen e 40000 familjve shqiptare, se ashtu kolonizimi do ishte shumë më i madh në pronat e të shpërngulurve.

Vazhdon faza e tretë e kolonizimit 1990…

Kolonizimi i Kosovës me serbë e malazezë, në forma e me metoda të ndryshme, ka zgjatur tërë kohën sa ka zgjatur pushtimi (1912-1999). Intensiteti i kolonizimit është varur nga kushtet ekonomike dhe ato politike që kanë dominuar në periudha të ndryshme në Kosovë  e në Serbi, respektivisht në Jugosllavi. Po, nëse kolonizimi ishte program shtetëror qysh prej gjysmës së parë të shkullit 19-të, kjo që po ndodhë tash, pas “çlirimit” të pjesëshëm të Kosovës, është absurd i llojit të vet. Sepse, po vazhdon projekti i madh i kolonizimit të fazës së tretë, i filluar në dekadën e fundit të shekullit të kaluar (1989-1999), i planeve serbe për të ndryshuar strukturën etnike dhe pronësore.

Sipas statistikave zyrtare të regjistrimit të popullsisë, që gjithmonë kanë qenë të manipuluara në dëm të shqiptarëve, në vitin 1981, popullsinë e Kosovës e përbënin Shqiptarët 77,4%; Serbë 13,2%; Malazezë 1,7%; Turqë 0,8% etj. Kjo strukturë, avancimi dhe emancipimi i përgjithshëm i popullit shqiptarë, ishte brengë e madhe e nacional-shovinistëve serbo-malazezë e maqedonë, prandaj, pas vdekjes së Titos dhe pas demostratave studentore të vitit 1981, në të gjitha strukturat shoqërore e shtetërore të Serbisë e Jugosllavisë u ngrit nacionalizmi agresiv, për ta suprimuar autonominë kushtetuese-juridike të Kosovës e për ta penguar popullin shqiptar në rrugën e përparimit dhe emancipimit. Nga qerdhet e nacionalizmit destruktiv serb:  Akademia e Shkencave dhe Arteve, Kisha Ortodokse, Shoqata e Shkrimtarëve dhe shoqata e organizata të ndryshme, partitë politike e struktura tjera, me ndihmën e mediave,  me sajesa të rreme, nxiteshin serbët e Kosovës për t’u ankuar gjoja për presion ndaj tyre, duke kërkuar masa drastike kundër shqiptarëve. Peticioni i 2016 serbo-malazezëve nga Kosova (i nxitur dhe përpiluar nga Dobrica Qosiqi), dërguar organeve më të larta shtetërore e partiake në të gjitha nivelet (tetor 1985); Letra përkrahëse peticionit, e 209 “intelektualëve” të Beogradit (përsëri me  Qosiqin në krye, më 21 janar 1986); ishin këto pararëndëse të publikimit të Memorandumit famëkeq të AShAS (1986), që nxitën erupcionin e nacionalizmit dhe kërkesat për suprimimin e autonomisë së Kosovës. Në një klimë të tillë, Kryesia e KQ të LKJ, në mbledhjen e 21 janarit 1987, propozoi 120  ndryshime e plotësime (amendamente) në Kushtetutën e RSFJ-se 1974, me të cilat, ndër të tjera, Republikës së Serbisë i jepeshin më shumë kompetenca mbi krahinat autonome. Se si rrodhi pastaj ndryshimi i Kushtetutës së Serbisë dhe i Kushtetutës së Kosovës (mars 1989), dhe pasojat  që prodhuan ato ndryshime (okupimin klasik të Kosovës më 5 korrik 1990), tashmë “e dinë edhe vremçat e malit”.

Në planin e kolonizimit të Kosovës, Serbia në mënyrë perfide e ka shfrytëzuar potencialin politik dhe ekonomik e financiar të Jugosllavisë së atëhershme. Në mbledhjen e dy kryesive: Kryesisë së LKJ-së dhe Kryesisë së RSFJ-së (1988), u mor vendim për gjoja ndihmë Kosovës me kuadra profesionale. Qëllimi i Serbisë ishte që përmes atyre kuadrove të vinin sa ma shumë serbë, për të ndryshuar gjendjen e përgjithshme në favor të serbëve. Kushtet për ardhjen e tyre ishin mjaft joshëse. Njëkohësisht, zhvillohej propagandë në forume e media, për krijimin e kushteve për kthimin e serbëve e malazezëve të shpërngulur, dhe ardhjen e të gjithë atyre që dëshirojnë të punojnë e të jetojnë në Kosovë. Një platformë politike e LKJ-së propagonte kthimin dhe ardhjen e 200 000 serbëve e malazezëve në Kosovë. YU-programi parashihte që sillte në Kosovë 100 000 serbë e malazezë. Propaganda serbe trumbetonte numrin prej 400 000, që duhej të vinin, në mënyrë që sadopak “ta përmirësonin” strukturën etnike. Thoshin se aq kanë ardhur emigrantë nga Shqipëria gjatë luftës (1941/45) dhe pas luftës,  dhe ata duhet përzënë nga Kosova e në vend të tyre të vinin serbë e malazezë. Përkundër kësaj propagande të rrejshme, informata zyrtare e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Jugosllavisë (në vitin 1956), kishte dhënë shifrën se nga Shqipëria në Jugosllavi kanë hyrë gjithsejt 754 emigrantë dhe se prej tyre, në tërë Jugosllavinë,  kishin mbetur vetëm 243 emigrantë nga Shqipëria, kurse të tjerët kanë dalë në shtetet e Perëndimit.  Kur i krahason shifrat zyrtare të organit kompetent, me shifrat e propagandës serbe, të vjen pyetja: a kanë  kufi këto gënjeshtra serbe?!

Gjithnjë me inisiativën dhe propozimin e Serbisë, Kuvendi i RSFJ-së në mbledhjen e mbajtur më 17-18 janar 1990, miratoi Programin jugosllav të masave dhe aktiviteteve për ndaljen e shpërnguljes së serbëve e malazezëve nga KSA e Kosovës, kthimin më të shpejtë të atyre që janë shpërngulur dhe ardhjen e të gjithë atyre që dëshirojnë të punojnë e jetojnë në Kosovë (shih: “Gazeta Zyrtare e RSFJ”, nr. 8, dt. 9 shkurt 1990). Në pikën 4 të Programit, ndër të tjera, ishte përcaktuar krijimi i baraspeshës  së rrënuar  demografike në Kosovë, baraspeshë që kurrë nuk ka ekzistuar. Programi përcaktonte  integrimin e ekonomisë së Kosovës me atë të viseve tjera. Sipas pikës 7 të Programit, qëllimi kryesor ishte ndalja e menjëhershme e shpërnguljes së serbëve e malazezëve, dhe krijimi i kushteve të përhershme për nxitjen e kthimit të të shpërngulurve dhe ardhjen e të gjithë atyre (serbëve e malazezëve) të cilët dëshirojnë të  punojnë e jetojnë në Kosovë. Për këtë qëllim, parashihej rishqyrtimi i rregullativës së gjithmbarshme juridike të Kosovës, dhe të bëhen ndryshime e plotësime të ligjeve, akteve nënligjore dhe akteve tjera në të gjitha nivelet, në të gjitha republikat e krahinat; të përpilohen programe konkrete të masave dhe aktiviteteve për të realizuar me sukses qëllimet e Programit jugosllav. Për secilën pikë të Programit ishin caktuar bartësit e aktivitetit dhe afatet e realizimit të aktiviteteve të caktuara në fushën e legjislacionit,  gjyqësisë, administratës, ekonomisë, arsimit, shëndetësisë etj. Në politikën demografike parahihej  planifikimi i familjes dhe  ndërmarrja e masave tjera sociale, për të penguar natalitetin e shqiptarëve (pika 90 e 91 e Programit të aktiviteteve). Si rezultat i kësaj politike demografike, prej 307.749 fëmijëve që gëzonin shtesat fëminore  në dhjetor 1990, deri më 31 dhjetor 1992, me pretekste të ndryshme ato shtesa dhe beneficionet tjera iu kishin ndërprerë 274.006 fëmijëve shqiptarë.

Në zbatim të Programit jugosllav, Kuvendi i RSFJ-së, më 14 shkurt 1990, miratoi Ligjin dhe Programin për sigurimin e banesave (në periudhën 1989-1993) për nevoja të kuadrove dhe për kthimin në Kosovë të personave të shpërngulur.  Me atë program parashihej që deri në fund të vitit 1993, të siguroheshin 2000 banesa dhe 711 troje me infrastrukturë të rregulluar dhe kredi për ndërtim individual, gjoja për kuadro profesionale që do vinin për të punuar e jetuar në Kosovë. Programi ishte aq i detajizuar, sa  që parashihte  sipërfaqen e përgjithshme (115.273 metra katrore), dhe strukturën e banesave: banesa tridhomëshe (234), dydhomëshe (1345), njëdhomëshe (314) dhe garsonjera (107). Ndërtimi i banesave dhe ndarja e trojeve duhej të bëhej në lokacione të përshtathme për jetesë, nëpër qendra ose afër qendrave të qyteteve.

Pas Programit jugosllav, të përmendur më lart, Kuvendi i RS të Serbisë, më 22 mars 1990, miratoi Programin dhe Planin operativ (prej 95 pikash) për sendërtimin e paqes, lirisë, demokracisë dhe prosperitetit në KSA të Kosovës. Edhe Programi jugosllav, edhe ai serb (të dyja ishin serbe,a.f.), janë aktet më famëkeqe për rrënimin e autonomisë dhe kolonizimin e Kosovës me serbo-malazezë, me metodat më përfide e me mbështetjen politike, administrative, ekonomike e financiare të  Federatës dhe të republikave tjera. Në zbatim të  Programit dhe Planit të vet, Kuvendi i Serbisë miratoi ligje, akte nënligjore e vendime speciale për rrënimin e autonomisë dhe marrjen e kompetencave të pushtetit qendror dhe atij lokal në Kosovë, duke i vu në dorë të nacionalistëve serbë, të caktuar në organet e dhunshme. Me to Serbia krijoi bazën juridike dhe faktike për kolonizimin e Kosovës, duke i favorizuar serbët e malazezët  në  ndarjen e banesave, trojeve dhe tokave bujqësore, duke iu krijuar lehtësira e favore për zhvillimin e bizneseve dhe duke i punësuar në sektorin shoqëror dhe në organet e pushtetit.

Më 16 korrik 1991, Kuvendi Popullor i Republikës së Serbisë, miratoi Ligjin mbi kushtet, mënyrën dhe procedurën e ndarjes së tokës bujqësore qytetarëve të cilët dëshirojnë të jetojnë dhe të punojnë në KSA të Kosovës.  Ligji kishte përcaktuar se si do të formohej fondi i tokave bujqësore për t’ua dhënë kolonistëve, ndërsa ishte paraparë që t’u jepen nga 5 ha për familje, dhe që të gjithë familjarët të bëhen bashkëpronarë të asaj toke, dhe se ajo tokë nuk mund të tëhuajsohej pa kaluar 30 vjet prej ditës kur u është dhënë. Për t’i forcuar ekonomikisht familjet e vendosura kështu, parashihej dhënia e kredive për ndërtimin e shtëpive dhe objekteve tjera ekonomike, për mekanizëm bujqësor, për blerje të kafshëve. Ato kredi do të jepeshin nga mjetet e Fondit për nxitjen e zhvillimit të KSA të Kosovës, pa pjesëmarrje vetanake, me afat kthimi për 25 vjet, me kamatë vjetore 5%, me “grejs-period” 5 vjet, por nëse në familje lindë fëmiu i tretë, “grejs-periudha” bëhej 10 vjet prej ditës së lejimit të kredisë! Kështu, derisa për familjet shqiptare,  Programi parashihte kufizimin e lindjeve përmes planifikimit të familjes, për familjet serbe, kishte stimulime ekonomike e sociale për sa më shumë lindje të fëmijëve. Me ligjet e miratuara më vonë, afati i kthimit të atyre kredive ishte caktuar 40 vjet.

Qysh prej vitit 1988, zhvillohej një propagandë intensive për të joshë kuadrot serbe e malazeze që të vinin për të punuar e jetuar në Kosovë. Nga një listë e gjetur ne arkivin e ish-Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Kosovës, me  emra e të dhëna tjera të 315  kryefamiljarëve të paraqitur (në vitin 1989) për të ardhur në Kosovë, me familjet e tyre, kishte edhe kësi “kuadro” : njëfar Bakiq Gojko, inxhinier i diplomuar i komunikacionit, nga Beogradi, ishte paraqitur me projektin e tij, në të cilin kishte propozuar: 1) themelimin e Entit për ekspertiza të komunikacionit nga fusha e veprimtarisë matriale e financiare, në Prishtinë; 2) nacionalizimin e Bjeshkëve të Nemuna dhe shpërnguljen e të gjithë rugovasve, për të krijuar qetësi në atë pjesë (këtë e propozon të realizohet në bashkëpunim me Republikën e Malit të Zi); dhe ardhjen e 150 kuadrove për të punuar në gjykatat e Kosovës! Kjo tregon se çfarë kuadrosh do vinin e çfarë ndihme do i bënin Kosovës!

Përveç programeve shtetërore, edhe partitë politike, kisha serbe, shoqatat dhe organizata të ndryshme aktivizuan makinerinë e tyre propagandistike në funksion të kolonizimit të Kosovës. Partia në pushtet, SPS (Partia Socialiste e Serbisë), propagandonte shifra të rrejshme të të interesuarve për të ardhur në Kosovë, për kushtet ideale në vendbanimet e ndërtuara për kolonistë, për sigurinë që iu garantonte shteti i tyre (Serbia), që e kishte pushtuar dhe shtrirë kontrollin e plotë mbi Kosovën. Kështu, Bratisllava (“Buba”) Morina, që ishte në krye të Komesariatit për Refugjatët (të ikur nga Bosnje-Hercegovina dhe nga Koacia), dhe Radivoje Papoviq, që ishte rektor i dhunshëm në Universitetin e Prishtinës, në emisione televizive për gjithë rrjetin jugosllav (“Yutel”), ftonin qytetarët serbë e malazezë, të vinin në Kosovë, ku mund të punësohen e të jetojnë shumë më mirë se nëpër qendrat e stërngarkuara të qyteteve në Serbi (Beograd, Novi Sad, Nish, etj.). Por, nga verbëria e vet nacional-shoviniste, me ose pa vetëdije, propaganda e shtetit vepronte edhe në drejtim të kundërt: shpeshherë në emisione televizive jepeshin pamje të arrestimit të “nacionalistëve e separatistëve shqiptarë” dhe konfiskimit të arsenalit të madh të armëve të tyre, apo ndonjë rast vrasje, të cilën e kishin kurdisur vet organet policore, dhe këto pamje shkaktonin frikë për të ardhur në Kosovë. Ndoshta nga këto pamje, serbo-malazezët e ikur nga Shqipëria (Vrraka), hezitonin të vinin në vendbanimin e ndërtuar  enkas për ta (120 shtëpi) në Junik-Baballoç, duke thënë: “Ne nuk kemi ikur nga Shqipëria, për të ardhur në Kosovë (ku gjithashtu është tokë shqiptare,a.f.), por kemi dashur të na vendosni diku në Serbi, në shtetin tonë”.

Ndërtimi i vendbanimeve për kolonistë ishte planfikuar të bëhej në të gjitha komunat, gjithandej Kosovës; në disa prej tyre ishin ndërtuar, në disa sa kishte filluar ndërtimi, në disa ishte projektuar e rregulluar infrastruktura, e në shumicën veç ishin caktuar lokacionet, ngastrat dhe sipërfaqet e trojeve dhe tokave që do t’iu jepeshin kolonistëve. Vitin e parë të realizimit të programit (1991) u ndërtuan 196 dhe u blenë 22 banesa, në Fushëkosovë, Obiliq, Pejë, Deçan, Klinë, Lipjan, Viti, Zubinpotok,  Skenderaj, Gjilan, dhe  filloi ndërtimi i 122 banesave në Prishtinë, 9 në Pejë dhe 12 në Istog. Në ndërkohë, u ndërtuan  aq sa shteti kishte mundësi financiare në ato kushte krizës së përgjithshme dhe të luftës që zhvillonte  në Bosnje e në Kroaci. Për çdo vit me buxhetin federativ ndaheshin mjete për realizimin e programit, dhe kjo zgjati deri në shperthimin e luftës në Kosovë. Kështu, Kuvendi I RFJ (Serbi-Mali Zi), edhe  më 3 dhjetor 1998, miratoi Ligjin për sigurimin dhe ndarjen e banesave dhe kredive per kuadrot dhe kthimin në Kosovë të personave të shpërngulur  (“GZ e RFJ”, nr.59, dt.4 dhjetor 1998), sipas të cilit, në buxhetin federativ për vitin 1999, ishin ndarë  40 milionë dinarë, për përfundimin e ndërtimit të 412 banesave dhe rregullimin e 200 trojeve. Me mjetet e siguruara nga YU-programi, deri në vitin 1997 ishin ndërtuar 972 banesa dhe ishin ndarë 30 kredi për ndërtimin individual të shtëpive.  Ato banesa e kredi ishin dedikuar më tepër për kuadro profesionale që do vinin në Kosovë. Kishte një Komision federativ dhe një rregullore mbi kushtet, kriteret dhe përparësitë se kujt do t’i jepen banesat e kreditë. Në krye të Komisionit, ishte njëfar Rexhep Hoxha, zëvendës-ministër federativ i  drejtësisë (më duket se ishte nga Dragashi). Serbo-malazezët vendas, bënin gjithëfarë manipulimesh e falsifikimesh për të marrë banesa ose kredi, duke u paraqitur si persona të shpërngulur dhe kuadro deficitare (madje edhe asi që kishin të kryer vetëm shkollën e mesme). Në qershorin e vitit 1997, disa serbë nga Istogu qëndruan një muaj ditë në “Pionirski Park” në Beograd, në një protestë, përse nuk iu dhanë banesa nga ai program, të cilët natyrisht nuk i plotësonin kushtet dhe kriteret e caktuara me rregullore. Në Komesariatin për refugjatët, të cilin e udhëheqte “Buba” Morina, kishin aprovuar një kriter, sipas të cilit, përparësi për t’iu dhënë banesa në vendbanimet e caktuara kishin refugjatët nga Kroacia, me status të kriminelëve të luftës  (nga rrethi i Vukovarit), dhe sipas evidencës së atij Komesariati, të tillë ishin nja 1400. Disa tillë u vendosën në 72 objekte në vendbanimin e ndërtuar në Velika Reka të Vushtrrisë. Atyre u ishte premtuar se do të punësohen në stacionin policor që do të themelohej në atë vendbanim, që do të përbënte një “alkemi” të kombinimit të kriminelëve të luftës në polici të shtetit!

Sa troje e toka bujqësore ishin caktuar për kolonistët

Po të shohim se si kishin planifikuar e caktuar troje e toka nepër komunat e Kosovës, për t’iu dhënë kolonistëve. Kemi parasysh se qeverisja lokale, sikurse edhe ajo qendrore, ishte plotësisht në duar të organeve të dhunshme serbe, të cilat bashkëpunonin ngushtë me organet qendrore të Serbisë, dhe këta në Kosovë paraqiteshin “patriotë” të mëdhenjë për ta ndihmuar kolonizimin e Kosovës me sa më shumë serbë e malazezë. Të fillojmë nga komuna e Prishtinës. Kjo komunë kishte planifikuar e caktuar plan urbanistik për ndarjen e 141 trojeve me nga 10 ari në Hajvali, 175 troje me nga 7,5 ari në Lebanë, 59 troje me nga 5 ari në Devet Jugoviq, 150 troje me nga 7 ari në Badovc, dhe siguronte se ka në dispozicion 72 ha tokë bujqësore për t’ua ndarë atyre që duan të merren me bujqësi. Sa i përket punësimit, siguronte se do të punësohen në organet e administratës, në Elektroekonomi, në Minierat e Kishnicës e Hajvalisë, etj. Komuna e Podjevës kishte caktuar të ndërtohej vendbanimi me 100 shtëpi familjare në “Fusha e Livadhisë”; 20 troje afër Kishës ortodokse, 106 troje afër NSh “Fagar”,  dhe mund të ndante 139 ha toka  të kooperativave bujqësore në fshatrat Shajkovc, Merdar, Obrançë, Shamalluk, Ballofc, Dyz, Zakut. Komuna e Fushëkosovës qysh prej vitit 1992 kishte ndërtuar e dhënë në shfrytëzim mbi 90 banesa për kolonistë (civil dhe ushtarakë), kishte siguruar lokacionin për ndërtimin edhe të 327 banesave nga YU-programi dhe Fondi i solidaritetit, kishte caktuar 75 ha tokë të punueshme në Uglar e Miradi të Epërme për t’ua ndarë atyre që duan të punojnë tokën, ndërsa të tjerët do të punësoheshin në administratë,  në polici, në Elektroekonomi, në “Therrtore”, në “Yumko” etj. Komuna e Obiliqit kishte caktuar hapësirën në Milloshevë, për ndërtimin e 250 shtëpive individuale, 15 ha për troje dhe 240 ha tokë të punueshme në Mazgit,  100 ari për troje në qendër të qytezës, dhe 1333 ha tokë të punueshme në rrethinë, duke premtuar punësim në Elektroekonomi.  Komuna e Lipjanit kishte filluar ndërtimin dhe ofruar mundësinë e ndërtimit të vendbanimeve për kolonistë në Magurë dhe Suhadoll, dhe përveç punësimit në “Golesh” e gjetkë,  “dispononte” sipërfaqe të mëdha toka bujqësore, livadhe, kullota e pyje për t’ua ndarë kolonistëve. Komuna e Gllogovcit, kishte ofruar mundësi ndërtimi të vendbanimeve koloniste në Komaran dhe Korraticë të Epërme, dhe të ndarjes së 5000 ha toke të punueshme, ndërsa punësimi i tyre të bëhej edhe në Fushëkosovë dhe Prishtinë! Komuna e Shtimjes  kishte caktuar tri lokacione për kolonistë: Koshtanë, Fidanishtë dhe Gllavicë, si dhe 12.827 ha tokë të punueshme. Komuna e Ferizajt kishte caktuar vendbanim për kolonistë në Babush, Nerodimje të Poshtme, Talinofc dhe Kosinë, dhe 1000 ha tokë të kooperativave dhe të merasë të fshatrave. Komuna e Kaçanikut kishte paraparë ndërtimin e 230 njësive banesore pranë rrugës magjistrale Prishtinë-Shkup, në një sipërfaqe prej 42 hektarësh, dhe 250 ha tokë t’iu ndahej atyre që merren me bujqësi, ndërsa punësimin ta bëjë në Fabrikën “Sharri”. Komuna e Shtërpcës kishte caktuar tri lokacione për vendbanime për kolonistë. Komuna e Mitrovicës kishte caktuar lokacionet në Suhadoll, Frashër dhe Shipol. Komuna e Vushtrrisë kishte paraparë disa lokacione për ndërtim të vendbanimit për kolonistë: në qytet rreth “Poletit”, në fshatin Maxhunaj, në Prilluzhë, në Stanofcin e Poshtëm dhe atë të Epërm, në Novolan, Samadrexhë, Pantinë, Vërmicë, Bukosh, Nedakofc, Dërvar, Begaj, dhe ndarjen e 170 ha tokë të punueshme në Gracë dhe Maxhunaj. Ajo e Zveçanit planifikonte ndërtimin e lagjeve të reja të banimit dhe ndërtim individual, dhe ndarjen e 100 ha tokë. Komuna e Skenderajt kishte përgatitur planin urbanistik për 74 shtëpi afër qendrës komunale, dhe 3200 ha tokë. Komuna e Zubinpotokut dy ngastra nga 2 ha, për 50 troje. Komuna e Leposaviqit kishte caktuar lokacionin në Soçanicë dhe Leshak. Komuna e Pejës kishte caktuar lokacionin për ndërtimin e 40 shtëpive me nga 10-15 ari oborr, në një pronë shoqërore pranë rrugës Pejë-Deçan, rreth 4 km larg nga qyteti, ndërsa 8 km prej Peje në rrugën Pejë-Prishtinë, për 100 shtëpi me nga 20 ari tokë/oborr, dhe për 30 shtëpi me nga 10-15 ari tokë në lagjën “Orashje” ndërmjet Pejës e Gorazhdevcit, por që komuna kishte në dispozicion edhe 1200 ha tokë të punueshme të pronës shoqërore, për t’ua ndarë kolonistëve, me qesim! Në ato lokacione ekzistonte infrastruktura e nevojshme. Komuna e Klinës ofronte lokacionin prej 6 ha, në afërsi të Motelit “Nora”, pranë rrugës Prishtinë-Klinë për të ndërtuar një vendbanim, pastaj në fshatin Budisalc, Biçë, Jashanicë, dhe mbi 3000 ha tokë të Kombinatit “Malishgan”. Komuna e Deçanit ofronte lokacion në fshatin Rastavicë, për ndërtim vendbanimi për serbo-malazezët e ikur nga Shqipëria, të vendosur në Baballoq e Junik, të cilëve u janë ndarë edhe 600 ha tokë, por komuna ka në dispozicion edhe 40 ha tjerë për t’ua dhënë. Komuna e Istogut kishte ndarë 97 ha tokë, kishte lëshuar 147 vendime për ndarje të trojeve me nga 20 ari truall, për ndërtim të shtëpive familjare, dhe kishte 3,7 ha tokë pjellore të kompleksit Bellopojë-Dubravë, për t’ua ndarë atyre që dëshirojnë. Edhe Komuna e Gjakovës ishte mjaft dorëlirë në dhënien tokës për vendbanime për kolonistë. Ajo kishte ndarë në ngastra nga 21 ari tokë për më se 100 shtëpi, në të dy anët e rrugës Gjakovë-Prizren, t’u jepte edhe nga 2-3 ha tokë bujqësore, nga 2-3 ha pyeje, dhe nga 0,5 deri 1 ha vreshta, nga një traktor dhe nga një lopë! Komuna e Prizrenit ofronte 150 troje nga 5 ari në Dushanovë, 60 troje nga 5 ari në Lubizhdë, 10 troje në Novakë, 30 troje në Jabllanicë dhe 35 troje në Prizren, dhe kishte në dispozicion edhe 160 ha tokë bujqësore për t’ua ndarë atyre që do merren me bujqësi. Komuna e Suharekës ofronte 100 troje në lokacionin e urbanizuar në Shirokë, 50 troje në Mushitishtë dhe kishte në dispozicion t’iu ndante edhe 120 ha tokë bujqësore. Natyrisht, garantonte punësimin e të gjithëve në ekonomi dhe në strukturat lokale. Komuna e Rahoveci ofronte lokacione në Xërxë, Bërnjakë dhe Hoçë të Madhe, dhe kishte në dispozicion për t’iu dhënë 920 ha tokë bujqësore. Komuna e Gorës ofronte 12 troje dhe 174 ha tokë bujqësore. Komuna e Gjilanit lavdërohej se ka lokalitete të shumta e të përshtatshme për vendbanime për kolonistë, për ndërtimin e shtëpive në lagjen “Park” (100), dhe në Lagjen e Serbëve (120), si dhe në fshatin Livoçi i Poshtëm (100). Komuna e Vitisë premtonte kolonizimin e 3000 serbo-malazezëve në Bashkësinë Lokale të Letnicës, prej nga ishin shpërngulur kroatët e atjeshëm, si dhe lokacionin për një vendbanim në Sadovinë, e që mund t’iu ndahen edhe 250 ha tokë të punueshme të “Agromoravës”. Komuna e Kamenicës ofronte të ndërtohej një vendbanim në fshatin Kololeç në sipërfaqe 25 ha, si dhe ndarjen e 260 ha tokë të kooperativës bujqësore. Komuna e Novobërdos, me plan urbanistik kishte paraparë dy lokacione për komplekse banimi individual dhe kolektiv në fshatin Prekoc (60) dhe në Bosan (76) banesa, dhe mund të jepte deri 40 ha tokë të punueshme, ndërsa punësimi do bëhej  në administratën lokale (sic), në organet shtetërore dhe në minierë.

Sipas të dhënave me të cilat operonin organet zyrtare për kolonizim, kooperativat bujqësore kishin 84.812 ha tokë, prej së cilës mund t’iu ndaheshin kolonistëve, po  ishin edhe 177.000 ha tjerë “tokë e askujt”, e cila paraqet bazë të mirë për kolonizim. Dhe, në qoftë se në dy periudhat e para të kolonizimit: atë 1912-1918, dhe 1918-1941, shqiptarëve u ishin marrë 228.080 ha tokë, në të cilat ishin vendosur  afro 65 mijë kolonë, në 15.943 shtëpi të ndërtuara për ta, për periudhën 1990-1998 ishte paraparë të merren 261.000 ha tokë, e të vendosën së paku 200.000 kolonë, ashtu që të ndryshohet struktura demografike dhe pronësore-kadastrale e Kosovës. Vetëm lufta që shpërtheu, bëri që ato programe ogurzeza serbo-jugosllave të mos mund të realizohen as përsëafërmi siç ishin paramenduar.

Manipulimi me refugjatët nga Bosnja dhe Kroacia në funksion të kolonizimit të Kosovës

Me shpërthimin e luftës në Bosnje-Hercegovinë dhe  në Kroaci, vërshuan refugjatët serbë nga zonat e luftës. Ata më së shumti u vendosën në Serbi, Vojvodinë, Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni. Me qenë se asokohe Kosova ishte nën pushtimin e egër të Serbisë, shumë refugjatë i solli në Kosovë, me shpresë se do të mbeteshin këtu përgjithmonë, dhe kështu të arrinte efekte nga programi i kolonizimit. Sipas regjistrimit të refugjatëve që kishte bërë UNHCR, në vitin 1996 në Kosovë kishte 20.179 refugjatë. Sipas komunave, ishte ky numër i refugjatëve në: Prishtinë  5612, Prizren 1615, Fushëkosovë 1415, Pejë 1223, Mitrovicë 1049, Gjilan 900, Obiliq 827, Gjakovë 818, Ferizaj 736, Istog 695, Vushtrri 682, Zubinpotok 562, Lipjan 481, Gorë 444, Leposaviq 437, Kamenicë 372, Viti 344, Suharekë 339, Zveçan 301, Skenderaj 240, Rahovec 219, Shtërpcë 121, Podjevë 109,  Novobërdë 108, Kaçanik 83, Gllogovc 79, dhe në Shtimje 28. Prej numrit të përgjithshëm të refugjatëve,  nëpër qendra kolektive, në objekte të ndryshme: në hotele, restorante, shkolla, konvikte, pushimore, palestra të sporteve, madje edhe në qerdhe të fëmijëve ishin vendosur 11.945, të tjerët ishin vendosur te të afërmit e të njohur të tyre.  Nja 2745 refugjatë ishin punësuar, qoftë në punë të përhershme apo me afat të caktuar.  Nga numri i përgjithshëm i refugjatëve, këta që kishin ardhur në Kosovë përbënin 3%. Në Vojvodinë kishin shkuar më se dhjetëfish më shumë (229.811). Refugjatët në Kosovë ishin ma të privilegjuar në krahasim me refugjatët në vendet tjera, për shkak se ata të tjerët i mobilizonin me dhunë në aradhat paramilitare dhe i dërgonin në frontet e luftës, ndërsa këta të Kosovës i ruanin për t’i shndërruar në kolonistë.

Po tash, në Kosovën e pavarur, a po vazhdon kolonizimi?

Kolonizimi i Kosovës po vazhdon edhe pas çlirimit, bile me paratë e buxhetit të Kosovës dhe të donatorëve të shteteve të cilat e kanë ndihmuar Kosovën të çlirohet nga okupimi serb! Natyrisht, as në periudhën 1990-1999 nuk përmendej fjala kolonizim, dhe as tash nuk përmendet ky term, por insistimi i Serbisë gjoja për kthimin e serbëve të shpërngulur, ka të njëjtin qëllim, duke manipuluar me shifra  të rrejshme për numrin e të shpërngulurve. Edhe tash po ndërtohen vendbanime të posaçme për serbë, si “kubucet” izraelite në tokat e pushtuara të Palestinës,  dhe po  iu ndërtohen shtëpi individuale në vendbanimet ekzistuese ose po krijohen vendbanime të reja vetëm për serbë. Askush nuk e di sa miliona euro të buxhetit të Kosovës e të donatorëve të huaj janë shpenzuar për ndërtimin  dhe mobilimin e shtëpive, rregullimin e infrastrukturës dhe objekteve tjera (shkolla, ambulanta, kisha), për t’i joshur serbët të kthehen apo të vijnë për të jetuar e punuar (sic) në Kosovë. Sa të tjera ka investuar vet Serbia për këtë qëllim, sidomos në Veri të Mitrovicës. Atje, përveç se i ka përzënë me dhunë shqiptarët nga banesat, të cilat i kanë uzurpuar kriminelë të ndryshëm, Serbia ka  investuar edhe në blerjen e shtëpive dhe banesave të shqiptarëve. Vetëm në periudhën 2003-2012, nga buxheti i Serbisë janë blerë 137 shtëpi e banesa në pjesën veriore të Mitrovicës, për të cilat, sipas mediave serbe, janë shpenzuar 15 milione euro, natyrisht me keqperdorimet (provizionet) që kanë marrë ndërmjetësues të ndryshëm. Në ato shtëpi e banesa të blera, dhe në sa të tjera të uzurpuara, janë vendosur kushedi sa serbë nga kontigjenti i refugjatëve kriminelë që kanë ikur nga Bosnja e Kroacia?

Me mjetet e buxhetit të varfër të Kosovës, dhe me donacione të jashtme, janë ndërtuar shtëpi gjithandej nepër Kosovë, me Programin e kthimit të serbëve e malazezëve. Madje shtëpitë edhe u janë kompletuar me mobilje,  u është premtuar sigurimi i ushqimit e nevoja tjera për gjashtë muaj, por shumica e tyre qendrojnë të zbrazta 10-15 vjet, dhe shkaterrohen, vidhen, demolohen, sepse shumica e “pronarëve” nuk kthehen në to, duke ditur se çfarë krimesh kanë bërë ndaj fqinjëve të tyre shqiptarë. Kështu, nga afro 500 shtëpi të ndërtuara në Klinë dhe fshatra të asaj komune, janë kthyer e vendosur gjithsejt 350 persona (jo familje, po individë), ndërsa të tjerat rrinë e shkatërrohen kot. Disa “pronarë” , bashkë me tokat (të cilat i kanë marrë falas si kolonistë), tash po i shesin edhe shtëpitë e reja të ndërtuara. Në fshatin Babush, të Ferizajt, u ndërtuan dhe kompletuan me mobilje 80 shtëpi për “të kthyerit”, u ndërtua shkolla e ambulanca, me tërë infrastrukturën e nevojshme, të cilat veçsa janë shkatërruar, sepse “pronarët” nuk u kthyen në to. Në fshatin Maxhunaj, Sllatinë dhe Dolan  të Vushtrrisë, qysh në vitin 2003-2004 janë ndërtuar e kompletuar me mobilje 63 shtëpi, u janë premtuar edhe nga 2000 euro para për çdo familje, por askush nuk jeton në to. E dinë ata se çfarë krimesh kanë bërë ndaj fqinjëve shqiptarë.  Shumë “pronarë” i kanë marrë mobiljet, dyertë e dritaret dhe i kanë shitur. Natyrisht, në shtëpi të tilla, të shkreta, bëjnë punën e tyre edhe hajnat shqiptarë. Shumë prej “pronarëve” të atyre shtëpive tash jetojnë në Mitrovicë, në shtëpitë e banesat e uzurpuara të shqiptarëve të asaj ane. Atje edhe shteti i Serbisë ka ndërtuar  edhe tetë soliterë për serbët, në Lagjen e Boshnjakëve. Dhe atë pjesë veriore të Kosovës është duke e popullzua me të madhe; kompleksi në Banjskë, banesa në Zveçan, ndërsa në të ashtuquajturën “Sunçana Dollina” (Lugina e Diellit), ka filluar projektin e një vendbanimi modern, tipik si kibucët izraelitë, me 300 shtëpi, me sipërfaqe nga 60 deri 100 m/katrore. Sa e sa shtëpi e banesa tjera janë ndërtuar në gjithë Kosovën për “të kthyerit”, dhe atë me angazhimin dhe financimin e shtetit të pavarur të Kosovës e me ndihmën ndërkombëtare, që praktikisht është vazhdimi i periudhës së tretë të kolonizimit, që pat filluar në vitin 1990.

Por, me gjithë privilegjet e përcaktuara sipas parimit të “diskriminimit pozitiv”, me gjithë ofrimin e kushteve dhe garancës për liri, me gjithë privilegjet që nuk i ka asnjë minoritet në botë, serbët e lazdruar të Kosovës nuk janë të kënaqur të kthehen, sepse ata kërkojnë  dhe presin e shpresojnë kthimin e Kosovës në Serbi, ose kthimin e Serbisë në Kosovë.

Filed Under: Politike Tagged With: Adil Fetahu, Kolonizmi i Kosoves

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT