• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dhuna seksuale në konflikt dhe përtej

March 28, 2016 by dgreca

Nga Atifete Jahjaga/* Është kënaqësi e posaqme për mua që kam mundësinë t’ju drejtohem në këtë forum të rëndësishëm i cili diskuton një nga mjetet më të heshtura të luftës, dhunën seksuale, mjet i cili po shkatërron jetërat e qytetarëve të pafajshëm nëpër mbarë botën.

Siç e dini, kjo cështje është një çështje të cilën unë e kam afër zemrës, sepse kjo ka prekur shoqërinë time jo shumë kohë më parë, duke mbjellur farën e vujatjes dhe dhimbjes thellë në jetërat e viktimave dhe në mbarë shoqërinë.

Dhuna seksuale ishte përdorur si mjet i luftës në Kosovë ndaj mijëra grave dhe burrave me qëllim që të instalohet mbi qytetarët e pafajshëm frika dhe shtypja, pastrimi etnik, nënqmimi i burrave si dhe të zhvishet një shoqëri e tërë nga vlerat e saj njerëzore.Afër njëzet mijë qytetarë të pafajshëm mbajnë në vete plagët e veprave të tmerrshme të dhunës seksuale të kryera nga forcat serbe, të cilat i shëndrruan trupat e tyre në  fushëbeteja për përfitime politike.

Dhe përderisa ne lëvizëm përpara për të rindërtuar të ardhmen tonë nga gërmadhat e shkatërrimit dhe vujatjes së pamasë njerëzore, duke u munduar me shumë sfida të ndërtimit të një vendi paqësor, stabil dhe të sigurt, ne i lamë viktimat e këtij krimi të tmerrshëm që vetë ta luftojnë turpin, izolimin dhe përjashtimin shoqëror pa mbështetje të duhur institucionale dhe shoqërore.

Krimet e papara të kryera mbi trupat e tyre flasin zëshëm për një krim të hatashëm, por ne si shoqëri jemi rrallëherë të gatshëm që ta dëgjojmë këtë vuajtje, e cila ishte tëpër e rëndë për ne ta dëgjojmë.

Ne ditët e para të mandatit tim si Presidente e Kosovës, unë shkova ta takoj një grup të grave, të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës. Isha dëshmitare e faktit se lufta për to nuk kishte përfunduar akoma. Kujtimet e krimit ishin akoma të frekëta dhe se tmerri po rëndonte akoma mbi shpatullat e tyre.

Bisedova me gratë aktiviste, te cilat kishin ngritur zërin për drejtësi dhe njohje të të mbijetuarëve, me zemër të thyer për atë që kisha parë, por e vendosur për të sjellë ndryshim dhe të punojmë bashkarisht për ta thyer këtë tabu shqetësuese e cila po e mbante peng të ardhmën e të mbijetuarëve si dhe të ardhmen e mbarë shoqërisë sonë. Vendosa që të udhëheqë diskursin social dhe institucional drejtë ofrimit të drejtave të mbijetuarëve dhe njohjes së sakrificës së tyre.

Me 7 mars 2014 themelova Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës për të ofruar një përgjegje të strukturuar institucionale.

Do ta mbaj në mend me krenari ditën e parë të punës të Këshillit Kombëtar sepse ajo shenon herën e parë që ne si institutcione dhe si shoqëri shprehëm vendosmërinë tonë të paluhatur për të thyer këtë tabu, për të luftuar stigmën e cila akoma  rrethon të mbijetuarit dhë për të punuar pa u ndalë për ti trajtuar njëlloj sikurse edhe kategoritë e tjera të dala nga lufta, me rrespekt dhe dinjitet dhe për të nderuar sakrificën e tyre.

Sot, të mbijetuarit e kanë fituar të drejtën për njohje ligjore, e kemi thyer tabunë, dhe pos kësaj edhe kanë gjetur mbështetje të miqëve në mbarë botën, të njerëzve si ju, të ciltë po e ndëgjojnë zërin e tyre dhe po e mbështesin kërkesën e tyre për drejtësi.

Me 12 qershor të vitit të kaluar, në Ditën e Clirimit të Kosovës, Prishtina u kthye në kryeqytetin e të drejtave të mbijetuarëve të dhunës seksuale gjatë luftës, nëpërmes instalacionit artistik “Mendoj per Ty” të artistes Alketa Xhafa-Mripa dhe producentes Anna Di Lellio, kur fusha e blertë e stadiumit të Prishtinës u mbulua me pesë mijë fustane dhe funde, të cilat flisnin zëshëm për veprat jonjerzore të kryera mbi gratë e vendit tonë, dhe të cilat kërkoin njohje dhe dënim të këtij krimi të luftës.

Dhe përderisa po ecja nëpër stadium, nepërmes mijëra fustaneve, pashë dy funde të cilat mbanin mesazhe të cilat ta thenin zemrën; në njërin prej tyre shkruante: “ Unë kam një përjetim të hidhur”, ndërsa në tjetrin “ Ky fund mban një histori të mbyllur që nga pranvera e vitit 1998”.

Sot, këto funde gjenden të varura në muret e Zyrës së Presidentit të Kosovës për të na përkujtuar sakrificën e mijëra grave dhe burrave, për më shumë, për të na përkujtuar obligimin të cilin e kemi ndaj tyre, për ti trajtuar me dinjitet.Gjatë viteve kam dëgjuar tregime të grave ëndrrat e të cilave për tu bërë nëna kurrë nuk u realizuan sepse ato humbën fëmijët akoma të palindur për shkak të dhunës jo njerëzore të kryer mbi to. Kam dëgjuar tregime të nënave të cilat kanë qenë dëshmitare të përdhunimit, rrahjes dhe torturimit të vajzave të tyre, para syve të tyre, tregime të grave të abuzuara seksualisht në mënyra të paimagjinueshme para syve të burrave, baballarëve të tyre, para syve të mbarë fshatit. Tregime të fëmijëve të vegjël të cilët nuk i mbijetuan këto akte jo njerëzore. Tregime të grave të cilat humbën familjet e tyre për shkak të turpit nga ky krim, gra dhe vajza të reja, të lëna prapa me njollën e turpit të vendosur thellë në trupat e tyre.

Në të gjitha këto tregime poashtu u bëra dëshmitare e guximit të vajzave të reja dhe grave, te cilat përkundër cdo gjëje, gjetën forcë për të rindërtuar jetërat e tyre, të kujdesen për femijët dhe familjet e tyre, të cilat i luftojnë për cdo ditë tmerret të cilat i kanë përjetuar dhe të cilan nuk dorzohen asnjëherë. Gra të cilat e inkurajojnë njëra tjetrën për të mbijetuar dhe të cilat i thonë njëra tjetrës se ato janë heroinat e shoqërisë sonë.

Është forca dhe kurajoja e tyre e cila më jep shpresë se vendosmëria e tyre për njohje kombëtare dhe ndërkombëtare të ktij krimi, kërkimi I drejtësisë nga to dhe kërkesa për një jetë në paqe, do të ndëgjohet.

Kemi akoma shumë për të bërë për tu ofruar atyre drejtësinë të cilën e meritojnë. Edhe 17 vjet pas përfundimit të luftës akoma asnjë person nuk është dënuar për krimet e dhunës seksuale të kryera në Kosovë. Por, ne jemi akoma më të vendosur për ti kryer obligimet tona institucionale dhe shoqërore dhe për të kërkuar drejtësi për të mbijetuarit.

Ne jemi duke luftuar betejat të cilat i kishim fituar dikur. Ne kemi shfuqizuar skllavërinë por vajzat tona akoma po skllavërohen.

Ne kurrë nuk e kishim menduar se përsëri do të ishim dëshmitarë të skenave të tmerrshme të grave dhe vajzave të lidhura me zinxhirë, të abuzuara seksualisht  në mënyra më të tmershme dhe të shitura si skllave seksuale. Kjo po kryhet çdo ditë nga militantë të ISIL-it.

Duke parë krime të papara të cilat zhveshin gratë, vajzat dhe fëmijët nga identiteti ityre, ne i lëmë ato të turpëruara përderisa kryesit e veprave lëvizin lirshëm në një kulturë të mosdënimit për vepra të cilati kanë kryer. Mund ta them qartazi se nuk janë vetëm viktimat ato të cilat e paguajnë cmimin e padrejtësive të shkaktuara mbi to nga ky mjet lufte por është mbarë shoqëria e cila vuan poashtu.

Ne mund ta ndalim këtë mjet lufte i cili cdo ditë po shkatërron jetëra në cepe të ndryshme të botës, po shkatërron thelbin e njerëzisë sonë; por ne duhet të veprojmë bashkarisht dhe ta luftojmë këtë kulturë të mosndërshkueshmërisë.

Dëshiroj të falenderoj nga zemra Presidenten për organizimin e këtij evenimenti, dhë të gjithë ju të cilët keni ardhur për të ofruar mbështetje për këtë kërkim për paqe dhe drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe në mbarë botën.

Ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën e të mbijetuarëve të dhunës seksuale në konflikte por mund të sigurhemi që do tu ofrojmë drejtësi. Për më tepër, mund të sigurohemi se do ta ndalojmë dhunën seksuale në konflikte njëherë e përgjithmonë. Le ti bashkohemi kësaj kauze dhe ta mbrojmë humanitetin tonë.

Ju falemnderit.

*Fjala e Presidentes Jahjaga në forumin “Dhuna seksuale në konflikt dhe përtej”.

Presidentja e Republikës së Kosovës znj. Atifete Jahjaga adresoi Forumin ” Dhuna seksuale në konflikt dhe përtej” e organizuar nga Fondacioni për Mirëqenie të shoqërisë i Presidentes së Maltës znj. Marie Louise Coleiro Preca. Ky forum u organizua me rastin e vizitës shtetërore të Presidentes Jahjaga në Republikën e Maltës.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ahtifete Jahjaga, Dhuna seksuale, në konflik, t dhe përtej

FORCA E GRUAS KOSOVARE

March 8, 2016 by dgreca

 Nga Atifete Jahjaga-Presidente e Republikës së Kosovës/

Secila grua e këtij vendi ka histori të çmuar sakrifice, rezistence, besimi, shprese. Histori të cilat mund t’i kemi dëgjuar, të cilat i kemi ndarë me njëri-tjetrin me krenari apo për të cilat kemi kërkuar të veprojmë së bashku për t’i ndryshuar e për të mos lejuar që të përsëriten më. Janë edhe me qindra mijëra histori të cilat përbëjnë jetën e shoqërisë sonë, që na flasin për të shkuarën tonë e që përcaktojnë çdo ditë të sotmen e të ardhmen që na pret. Histori të cilat nuk i dimë e që jo rrallë herë zgjedhim të mos i dëgjojmë.
Në këto pesë vite si Presidente e vendit, kam pasur nderin dhe privilegjin e veçantë t’i dëgjoj nga afër shumë nga këto histori, të përlotëm e të gëzohem me to, të ndjej dhimbje e të ndjehem krenare, të marr forcë prej tyre e kurajo, të bëhem njësh me to e të përbetohem për të punuar çdo ditë pareshtur që forca që ato përfaqësojnë të jetë forca që e shtyn përpara shoqërinë tonë.
Kam ndarë në vende të ndryshme të botës historinë e grave të Kosovës, të zërit të tyre të fuqishëm në kohëra rezistence e lufte, të përpjekjeve të tyre stoike për të thyer izolimin, për të dokumentuar krimin, për t’i kërkuar botës t’i thotë ndal atij, të pathyeshme e të gatshme për çdo sakrificë për të mbrojtur familjen e vendin, për t’na mbrojtur të gjithë ne.
Kam dëgjuar me emocion të veçantë edhe rrëfimet e shumë miqve tanë për forcën e krenarin që kishin parë te gratë e Kosovës si te ato që kishin artikuluar e mbrojtur të drejtat e të gjithë qytetarëve, po ashtu edhe te ato që kishin takuar në kampet e shumta të refugjatëve në kohën kur kishim humbur pothuajse çdo gjë.
Kam refuzuar të pranoj dhe ende refuzoj, që këtë vlerë të shoqërisë sonë e cila duhet t’na bëj të gjithëve të ndjehemi krenar çdo ditë, ta lejmë në heshtje, apo ta përkujtojmë e ta njohim vetëm në ditë si kjo e sotmja, në ditën ndërkombëtare të gruas.
Sot kur e gëzojmë lirinë, kur e nderojmë sakrificën e gjeneratave të tëra, kur jemi duke e ndërtuar shtetin tonë me përpjekje të shumta, duhet të rikujtojmë se me shekuj rezistuam së bashku, andaj sot duhet të punojmë shumë më shumë që këtë rrugëtim të ndërtimin të shtetit tonë ta vazhdojmë, ashtu siç ia nisëm, së bashku, duke e pranuar që ky vend na përket të gjithëve.
Dy vite më parë, në këtë ditë, morra vendim të udhëheq diskursin institucional e shoqëror për një ndër pasojat më të rënda që lufta la mbi popullatën e pafajshme të vendin tonë, një krimi makabër lufte që ktheu në fushëbetejë trupat e mijëra qytetarëve tanë.
Vendosa ta bëj këtë pasi për shumë kohë kishim heshtur për këtë anë të historisë tonë, duke e kthyer atë në histori të ndaluar e të fshehtë tonën, duke e kthyer padrejtësisht në histori turpi që rëndonte mbi supet e shpirtin e viktimave të këtij krimi e jo mbi ata që e kryen këtë krim.
Me krenari do e kujtoj gjithmonë atë ditë, takimin e parë të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, pasi së bashku institucione dhe shoqëri civile, e ndryshuam kursin e historisë sonë, e njohëm dhunën seksuale si krim lufte, viktimat i quajtëm të mbijetuar duke i respektuar dhe duke njohur publikisht si asnjëherë më parë sakrificën e tyre dhe padrejtësinë e kryer mbi to.
U përbetuam se do të ndërmarrim çdo hap të mundur për të rehabilituar, riintegruar, risocializuar të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, për të kërkuar drejtësi për to. U mbështetem në vlerën tonë më të madhe që ne nuk lëmë prapa askënd.
Në këto dy vite me anë të Këshillit kemi arritur të shembim njëherë e përgjithmonë heshtjen institucionale e shoqërore, tabunë në adresimin e këtij krimi lufte dhe punuam pareshtur për të luftuar stigmën që ende e rrethon këtë krim.
Arritëm që të ofrojmë njohjen ligjore për të mbijetuarit, t’ju ofrojmë të mbijetuarve kushte e shërbime më të mira psiko-sociale e shëndetësore, të përpilojmë plan të qartë veprimi për të lehtësuar qasjen e tyre në drejtësi dhe t’ju ofrojmë atyre gjithmonë e më shumë mundësi për fuqizim ekonomik.
Ia kthyem botës sytë drejtë këtij krimi lufte që ka ndodhur në Kosovë dhe i kërkuam ta njoh e ta dënoj atë duke u bërë edhe pjesë e nismave globale për ta parandaluar përdorimin e dhunës seksuale si mjet lufte.
Me anë të Këshillit u bë shumë punë, u vendosen objektiva afatgjate për trajtimin e drejtë dhe dinjitoz për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, duke i ofruar edhe vendeve të tjera të botës që përballen me pasoja të ngjashme lufte, shembullin e mirë se si një shoqëri duhet të trajtoj të mbijetuarit e saj, duke e marr nën udhëheqjen e institucionit më të lartë të vendit, atë të Presidentit.
Por institucionet e vendit kanë ende punë për të bërë për të përmbushur obligimet që kanë ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Unë pres nga institucionet e vendit të jenë vigjilent dhe të marrin përsipër përmbushjen e të gjitha obligimeve që u takojnë.
Tashmë unë pres që Qeveria e vendit të përmbush obligimin e saj dhe të formoj sa më parë Komisionin qeveritar për njohje dhe verifikim dhe që procesi i njohjes së statusit ligjor për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës dhe beneficionet e parapara me ligj të gjejnë zbatim. Çdo vonesë në këtë drejtim është humbje e besimit nga të mbijetuarit, besim të cilin e rifituam me aq shumë mund e përpjekje.
Unë pres nga sistemi i drejtësisë i vendit të vazhdoj përpjekjet dhe përkushtimin për t’ju ofruar të mbijetuarve mbrojtjen e duhur dhe qasjen e merituar në drejtësi edhe në të ardhmen.
Pres që të vazhdojnë hapat e ndërmarr në integrimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në të gjithë kornizën legjislative në mënyrë të barabartë dhe të denjë, ashtu siç kemi bërë me të gjithë kategoritë e tjera të dala nga lufta.
Duhet të vazhdojmë të kërkojmë më shumë angazhim nga komuniteti ndërkombëtar për të njohur krimin e dhunës seksuale që u krye gjatë luftës në Kosovë dhe dënim për kriminelët e këtij krimi.
Dhe mbi të gjitha kërkoj dhe pres nga e gjithë shoqëria jonë, që të njohin këtë krim lufte, që të respektojnë sakrificën e të mbijetuarve dhe të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e tyre për të ndërtuar një jetë në paqe larg këtij krimi.
Unë sot këtë ditë ua dedikoj atyre, forcës së tyre, respektit për to duke ju thënë se nuk do të ndalem së ofruari mbështetjen time deri në realizimin e plotë të të gjithë të drejtave të tyre. Do t’ju jem gjithmonë mirënjohëse që hapen zemrën e tyre me mua, që më bën pjesë të tyren.
Ato nuk pëshpërisin më, ato flasin qartë dhe më zë të lartë kërkojnë drejtësi.
Edhe ne e kemi për obligim që të vazhdojmë të flasim shumë qartë, brenda dhe jashtë vendit, si institucione e si shoqëri e tërë, që nuk do rreshtim së kërkuari drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dhe nuk do të ndalemi deri në realizimin e plotë të të gjitha të drejtave të tyre.
Nuk duhet të ndalemi më derisa drejtësia të vihet në vend.
Një shoqëri e cila di të mburret me vlerat e qytetarëve të saj, me sakrificën e forcën e tyre, është një shoqëri e cila mund të përballoj çdo sfidë e qartë në vizionin e saj për të ardhmen. Unë kam besim në shoqërinë tonë.
Prishtine,E martë, 08 mars 2016

Filed Under: Editorial Tagged With: Ahtifete Jahjaga, FORCA E GRUAS KOSOVARE, Presidentja

KOSOVA: NJË SHTET NË TRANZICION

October 2, 2015 by dgreca

FJALA E PRESIDENTES NË FORUMIN BOTËROR TË LIDERVE NË UNIVERSITETIN COLUMBIA/

I nderuari Z. Dean/

Të nderuar mysafirë,/

Zonja dhe Zotërinj,/

Jam e nderuar që kam mundësinë të rikthehem këtu në Universitetin Columbia, në serinë e Forumeve të Liderëve Botërorë, dhe të flas mbi angazhimet për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme si dhe t’ju përkujtoj entuziazmin, forcën dhe shpresën e cila na mbanë përgjatë kësaj periudhe të tranzicionit.

Edhe unë, si shumë bashkëqytetarë të mi, kam përjetuar periudhën e represionit dhe të luftës. Dhe poashtu kam humbur miq dhe të dashur të mi gjatë këtij konflikti të tmerrshëm.

Dhe shpesh kam menduar se çfarë është ajo që inspiron shoqëri të tëra që të lëvizin përpara. Si e gjejnë ato atë forcë dhe vullnet për rimëkëmbje ?

Për shumë pjesëmarrës në audiencë sot lufta e Kosovës e vitit 1998 dhe intervenimi humanitar i NATO-s I cili ndaloi gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999 është një e kaluar e largët.

Por, kjo e kaluar nuk është edhe aq e largët për ju. Ajo çfarë populli i Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar ka bërë dhe po e bën akoma, është relevante edhe sot e këtu për të ardhmen e intervenimeve dhe shtet ndërtimit.

Ajo ofron mësime të rëndësishme për atë se si duhet të lëvizet përpara pas konflikteve, gjë për të cilën dua t’ju flas sot.

Njëzet vjet më parë ne nuk mund të punonim, nuk mund të shkonim në shkollë e as nuk mund të ecnim rrugës pa u keqtrajtuar nga policia serbe.Ne ishim shumë të varfër, nuk mund të votonim dhe ishim më të prekur nga përdhunimet dhe vrasjet. Thjeshtë, ne nuk mund të jetonim.Sot, jemi akoma një vend i varfër por jemi gjallë dhe të lirë.Ne kemi shndërruar vetveten nga një komb i cili nuk guxonte të ëndërronte në një komb me shumë e shumë ëndrra.E kuptuam shumë shpejt pas përfundimit të luftës në Kosovë, kur konflikti morri fund, se mbijetesa nuk është e vetmja brengë.Ka aq shumë humbje për të mbajtur zi për ta, Ka shumë, – tepër shumë- varre për tu hapur. Dhe më  e keqja, ka aq shumë nga ta të cilët janë të humbur, njerëz të zhdukur, për të cilët nuk mund as të hapim varre.Ka edhe shtëpi për tu rindërtuar, si dhe sfida të rikyqjes së rrymës elektrike dhe ujit.Një sistem të tërë të edukimit për ta vendosur sërish në binarë. Një ekonomi të kolabuar për ta rigjallëruar. Lidhje dhe marrëdhënie për ti rivendosur, tensione për të menaxhuar si dhe fuqi për të negociuar.Ka shumë prioritete garuese ndërmjet veti. Në fakt, ka aq shumë për të bërë dhe secila çështje shndërrohet në prioritet.

Ne kemi lëvizur shumë nga faza e emergjencës.Kosova nuk është më një vend i shkatërruar nga lufta. Nga viti 2008, është një shtet I pavarur, shteti më I ri në Evropë.Gjatë shtatë viteve të kaluara, ne kemi forcuar suverenitetin tonë. Institucionet tona demokratike janë shëmbëlltyrë e demokracisë sonë parlamentare të cilën e kemi ndërtuar.Ne kemi mësuar së demokracia është çështje komplekse. Se ndërtimi i një shoqërie gjithëpërfshirëse është një ambicie, një punë gjithmonë në vazhdim.Ne mundemi dhe gjithmonë duhet të punojmë më mirë. Ne jemi duke mësuar se si të jetojmë së bashku dhe se si të gjejmë forcë në dallimet tona etnike dhe fetare.Ne jemi akoma duke u munduar të krijojmë një ekonomi të hapur, me konkurrencë të barabartë dhe pa korrupsion.Disa kanë filluar të ndihen të lodhur nga mosarritja e premtimeve për prosperitet si dhe përparim social dhe ekonomik.Ne dëshirojmë që gjenerata e re e Kosovarëve të qëndrojë në Kosovë dhe ta ndërtojë vendin e tyre, dhe të mos e lëshojë vendin në kërkim të mundësive jashtë kufijve.Këto janë disa nga pasojat e menjëhershme dhe të dukshme të luftës dhe rindërtimit. Por, ka edhe të tjera pos atyre që vërehen në shikim të parë.Jo shumë kohë më parë, në fillim të mandatit tim si Presidente e Kosovës, unë isha ftuar që të flas në një konferencë rreth fuqizimit të gruas.Me një president femër, e para ndonjëherë në historinë e Ballkanit, Kosova tërhiqte shumë vëmendje. Brenda dhe jashtë Kosovës kjo shihej si mundësi për më shumë përfshirje në vendim marrje të grave.Në konferencë, ne diskutuam për situatës së përgjithshme. Ne shpenzuam shumë kohë duke diskutuar për barazinë në vende pune, mundësi të barabarta edhe drejtën e grave në pronë dhe pronësi.Ne brengoseshim se a ishte e drejtë kuota prej 30 për qind pjesëmarrje të grave në institucionet e Kosovës.

Se a thua këto masa do të bëheshin ndonjëherë të qëndrueshme.

Se a kishte arsye për të besuar dhe a ka përvoja të tilla për të na siguruar, se kuotat do të jenë efektive, dhe atë jo vetëm për gratë.Në u ndjemë të përfshira- pjesë e debatit të rëndësishëm në nivel global mbi mosbarazinë gjinore.Ne e ndjemë se debati ynë ishte duke ndodhur në kohë të duhur, ishte përparimtar dhe në nivel me trendet globale.E ndjemë së përkundër faktit se sapo kishim dalur nga lufta, çështjet tona nuk kishin dallim nga ato të vendeve tjera.Por ajo se çfarë më treguan disa gra të cilat qëndronin në një skaj të sallës së konferencës, më ndryshuan mua rrënjësisht, dhe mënyrën se si mendoja për këto çështje.Ato ishin të mbijetuara të dhunës seksuale, disa nga mijëra gra të cilat ende mbajnë vrragët në vete, plagë fizike dhe psiqike të këtij lloji të torturës- përdhunimit si mjet lufte.Njëra nga ato më tha se ajo ishte përdhunuar para familjes së saj kur forcat serbe erdhën ti largonin sipas planit të kampanjës së tyre për pastrim etnik.Tjetra foli për grupe te grave të mbajtura të mbyllura dhe të përdhunuara për javë me radhë. Kjo ishte hera e parë që ato ndanë tregimet e tyre me dikë jashtë rrethit të ngushtë të të mbijetuarve.

Si shqiptare kosovare dhe më vonë si zyrtare policore, e cila ndihmoi në ndërtimin e Forcës së Policisë së Kosovës, unë isha në dijeni për këto krime të tmerrshme të kryera ndaj grave të Kosovës.

Kisha lexuar për një nënë e cila nuk mund ti thoshte askujt se vajza e saj ishte e përdhunuar edhe shumë kohë pasi ajo ishte e gjetur e vdekur në bunarin e shtëpisë.

Me një kampanjë sistematike të përdhunimit, të ndërmarrë gjatë luftës në Kosovë, forcat Serbe të sigurisë kishin për qëllim që lufta të vazhdonte edhe shumë kohë pasi që kishte përfunduar.

Të linin prapa tyre një shoqëri të frikësuar, të vrragosur, të turpëruar dhe tërësisht të thyer. Një shoqëri të paaftë për të treguar atë së çfarë i ka ndodhur grave të tyre.

Poashtu, isha në dijeni për punën e palodhur të grave aktiviste të cilat i kishin dedikuar jetërat e tyre në ndihmë të të mbijetuarave të përdhunimit, sido që ato kishin vendosur të trajtonin traumat e tyre.

Këto aktiviste ishin shtyllat mbi të cilat të mbijetuarat e dhunës  seksuale u mbështetën për më gjatë se një dekadë.Pjesa tjetër e shoqërisë ishte e shumë e preokupuar me rindërtimin e shtëpive dhe ndërtimin e narativeve heroike të cilat normalisht ndodhin pas luftërave çlirimtare, për të treguar kujdes ndaj të mbijetuarave të përdhunimit.

Në periudhën kaotike të pasluftës, dhe në mungesë të drejtësisë për të mbijetuarat, shumica e tyre zgjodhën heshtjen e plotë.Disa prej tyre të cilat vendosën që tu flasin për këtë familjeve të tyre mbetën të vetmuara për shkak të stigmës të cilën përdhunimi e mban mbi vete në Kosovë, e Kosova nuk është i vetmi vend ku kjo ndodhë.Prokurorët ndërkombëtarë kanë dokumentuar krimet e luftës dhe krimet ndaj njerëzimit të kryera nga forcat serbe në Kosovë. Ata edhe I kanë gjykuar kryesit e veprave.Por nuk ka pasur gjykime për kryesit e përdhunimeve, as në Hagë, as në Kosovë, edhe pse Kosova administrohej nga Kombet e Bashkuara.Të mbijetuarat rrallë herë dolën të flasin për tmerrin e ushtruar mbi to. E as shoqëria kosovare nuk fliste për këtë çështje, pjesërisht për shkak të faktit se ne nuk dinin se si ta trajtonim këtë çështje.Kur gjykatat, ato ndërkombëtare dhe ato lokale, dështuan të sigurojnë drejtësi edhe pas pesëmbëdhjetë vitesh, unë u zotova se shteti të cilin  e krijuam, për të cilin ato kishin vuajtur aq shumë, nuk do ti dëshpëronte ato përsëri.E tmerruar nga vështirësitë ekonomike, përjashtimi shoqëror si dhe me viktimizimin e vazhdueshëm të mbijetuarave të përdhunimit, në vitin 2012, vendosa ti bashkohem kauzës së tyre. Fillova të ndërmarr kampanja në të mirë të tyre, dhe mbështesja vendosjen e statusit ligjor për to si viktima civile të luftës.Paqja e jonë nuk do të ishte  e plotë derisa ato nuk do të gjenin paqe. Ndërtoja mbi dijen dhe ekspertizën e rrjeteve te ndryshme të grave të cilat ndihmuan të mbijetuarat e përdhunimit gjatë luftës.

Vitin e kaluar unë themelova Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, për ta vendosur këtë çështje në zyrën më të lartë në vend dhe në maje të agjendës sime.

Ky Këshill përmban në vete entitete të ndryshme, nga ministritë , komisione parlamentare, deri te OJQ-të  e grave, me qëllim që në mënyrë gjithëpërmbledhëse të merret me çështje legjislative dhe politikëbërëse.

Deri tani, kemi arritur të aprovojmë një ligj i cili u ofron atyre repracione, një nga pak ligje të këtij lloji në botë.Kemi krijuar dispozita dytësore ligjore për përmirësimin e statusit të të mbijetuarve.Kemi udhëhequr kampanja për ngritje të vetëdijes. Kemi mbledhur fonde për mundësi të ndryshme punësimi.Mbi të gjitha, u kemi dhënë zë të mbijetuarve dhe kemi rikthyer dinjitetin e tyre.Dhe këtë vit, në ditën e çlirimit të Kosovës, më 12 qershor, instalacioni Mendoj në ty u bë thirrja e shoqërisë sonë për mbështetje të të mbijetuarave.Me iniciativën e artistes kosovare Alketa Xhafa dhe producentes nga Nju Jorku, Anna DI Lellio, dhe me mbështetjen e zyrës ime, pesë mijë fustane u vendosën në stadiumin futbollistik të Prishtinës për nder të mijëra të mbijetuarave të përdhunimit gjatë luftës.

Ato fustane ishin të njerëzve të Kosovës. Për një muaj, gra dhe burra nga mbarë vendi dhuruan fustane në emër të solidarizimit me të mbijetuarit.Shumë njerëz, dukë përfshirë edhe të mbijetuarit, i kanë dhuruar fustanet të cilat i kanë bartur për ngjarje të posaçme.

Një fustan të veshur në dasmën e vëllaut.Një deputete e parlamentit dhuroi fustanin e bartur ditën kur nënshkroi deklaratën e pavarësisë.Kishte poashtu edhe fustane të bartura në raste pikëllimi: një fustan martese e cila dështoi për shkak të përdhunimit.Ato u ekspozuan në stadiumin futbollistik të kryeqytetit në mënyrë që të shfaqin peshën e kësaj forme të torturës dhe njohjes së faktit se turpi nuk qëndron mbi viktimat por mbi kryesit e këtij krimi të tmerrshëm.Ato poashtu e zbehën vijën ndarëse. Përdhunimi mund ti ndodhte secilës nga ne gjatë luftës.Luftëtarët e dikurshëm, këngëtarë, anëtarë të parlamentit, ministra dhe mijëra qytetarë të zakonshëm u bashkuan që në mënyrë simbolike tu tregojnë atyre se ato nuk janë vetëm.

Se ato do të përfshihen dhe nuk do te jenë më të vetmuara.

Zonja dhe Zotërinj:

Ka aq shumë shpresë për shoqëritë të cilat përfshijnë të gjithë. Dhe pa përfshirje të grave, posaçërisht atyre grave të harruara asnjë shoqëri nuk ka përfshirë secilin.

Ne akoma duhet që të ndërtojmë atë lloj shteti të cilin ia premtuam para ardhësve tanë, kur si refugjatë me shpejtësi u kthyem nëpër shtëpitë tona.

Dhe si në çdo fillim, ka edhe ngecje. Tranzicionet janë të gjata.

Por ka edhe shume shpresë- shpresë për ndryshim, shpresë për angazhim dhe ndikim, si dhe shpresë për tu bërë më të mirë.

Është po kjo shpresë e cila i ka ndihmuar Kosovës që të lëvizë përpara.

Ju faleminderit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ahtifete Jahjaga, fjala ne Kolumbia, KOSOVA: NJË SHTET, NË TRANZICION

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT