TV “Kultura Shqiptare” festoi me madhështi 20 vjetorin e krijimit të tij/
Nga Keze Kozeta Zylo/*
Në sallën e koncerteve në Symphony Space në Manhattan një vend drite i artit dhe kulturës, qindra shqiptarë erdhën dhe festuan së bashku 20 vjetorin e krijimit të TV “Kultura Shqiptare” me themelues dhe producent z.Adem Belliu. Sigurisht pas një burri te suksesshëm thuhet se në krah qëndron një grua po aq punëtore dhe e sukesshme siç është zonja Mimoza Belliu e cila së bashku me dy fëmijët Gertoldin dhe Verën arritën që të realizonin ëndrrën e tyre të bukur në Amerikë. 20 Vjetori i krijimit të TV “Kultura Shqiptare” është një histori suksesi, është një punë sa me sakrifica, por po aq dhe e bukur.
Të shkosh me kamera në dorë, të ndjekësh aktivitetet e ndryshme kulturore, artistike, festat kombëtare që zhvillojnë organizatat e ndryshme në diasporë është një pune jo fort e lehtë, është një punë që do pasion, durim dhe profesionalizëm, të cilat ata i kanë si një trinom të pandashëm.
Kremtimi i 20 vjetorit ishte konceptuar me realizimin e një koncerti të larmishëm si natë çmimesh ku debutuan artiste të mirënjohur shqiptarë dhe disa prej tyre kanë dhënë shfaqje në skenat botërore, çka e bënte dhe më interasante dhe më tërheqëse këtë natë magjike artistike. Regjisor i këtij koncerti ishte artisti Andis Gjoni.
Mbrëmjen e ka hapur z.Gertold Belliu bashkëthemelues i TV “Kultura Shqiptare” i cili ka përshëndetur gjithë pjesëmarrësit. Në sfond u shfaq dokumentari rreth historisë 20 vjeçare të TV “Kultura Shqiptare”.
Prezantueset e kësaj mbrëmjeje ishin zonjushet bukuroshe Meryl Hila, Dea Elezaj dhe djemtë simpatike Vasilio Mosko dhe Klaudio Rroku.
Koncerti u hap me “Fjalët e qiririt”, “Mësonjëtorja” që janë interpretuar nga tenori Riad Ymeri i cili bashkë me zërin dukej sikur sillte pakëz dritë, dritëz shqipërie.
Në këtë natë jubilare që u quajt dhe nata e çmimeve u nderuan disa organizata dhe aktivistë që kanë pasur një bashkëpunim të ngushtë me TV “Kultura Shqiptare”. I pari që u nderua me çmim ishte shoqata “Vatra”, shoqata më e vjetër dhe me jetëgjatësinë më të lartë në botën shqiptare. Në emër të shoqatës “Vatra”, çmimin e mori z.Dritan Mishto kryetar i Vatrës dhënë nga z.Adem Belliu.
“Vjeshta” me lluksin aristokratik u interpretua nga tre instrumentistë me plot elegancë si Gjilberta Lucaj, Akiko Chiba dhe Anat Almani.
Fiorela Miria një vajzë që premton shumë me zërin e saj të bukur interpretoi këngën “The laughing song” nën shoqërimin e pianistes së talentuar Hermira Gjoni.
Z.Richard Lukaj “Nderi i Kombit” i dorëzoi çmimin e nderit shoqatës së mirënjohur “Motrat Qiriazi”. Në emër të kësaj shoqate çmimin e mori presidentja e saj zonja Isidoros Beti Tsamblakos.
Zonjusha Elona Muça dhe Youn –hee Kim kanë interpretuar “Libertango”, A.Piazolla, ndërsa Klajdi Cerriku ka interpretuar “Rini e qeshur” nga A.Krajka.
Sopranoja e mirënjohur Dëshira Ahmeti Kerliu solli shenjtëreshën shqiptare në skenë Nënë Terezën me Hymnin e saj “Valsi Hyjnor” nën shoqërimin e artistëve Mialtin Zhezha dhe Ida Tili Trebicka.
“Albanian American Civic League me president ish kongresistin Joe Dio Guardi u nderua me çmim në emër të së cilës e mori z.Agim Aliçkaj dhënë nga Kozeta Zylo bashkëthemeluese e TV “Alba Life” dhe e Shkollave Shqipe.
Artisti i shquar Frederik Ndoci ka performuar “Balada e Gurit” këngë fituese e Festivalit dhe që hyri në konkurrim në Festivalin europian.
Sabre Dance nga A.Khachaturian interpretuar nga pianistja e njohur Ida Tili Trebicka shoqëruar nga Lorivert Cobo.
Ish gazetari i Zërit të Amerikës z.Gjekë Gjonlekaj Publishing Co. është nderuar me çmim dhënë nga zonjusha Vera Belliu bashkëpunëtore e TV “Kultura Shqiptare” qysh në moshën 4 vjece, vajza bukuroshe që drejton me aq kulturë dhe mirësi.
Ansambleisti i shtetit të Nju Jorkut z.Mark Gjonaj ka nderuar me proklamatën e mirënjohjes TV “Kultura Shqiptare” dhe ka vlerësuar lart punën e palodhur të drejtuesve dhe të gjithë stafit të tij.
Motrat Enesa dhe Jona Dedinsa veshur me kostum kombëar interpretuan plot dashuri këngën “Brezi me kapuc të bardhë”.
Shoqata “Atlantiku” u nderua nga TV “Kultura Shqiptare” në emër të së cilës e mori kryetari i saj gjenerali Gani Shehu dhënë nga veterani i Luftës z.Gjocaj
Mjaft prekëse ishte vidioja e shfaqur në nderim të atyre që janë larguar nga kjo botë dhe që kanë qenë aktive në TV “Kultura Shqiptare”.
Me duartrokitje të stuhishme u mirëprit artisti i skenës shqiptare Mirush Kabashi i cili kishte udhëtuar nga larg ardhur nga Shqipëria jonë e dashur. Mjeshtërisht dhe me një nivel të epërm interpretoi poezinë nga “Ah, moj Demokraci”!…shkruar nga poeti i mirënjohur i ndjeri Pano Taçi ish i persekutuar politik.
Artistja e vogël dhe shumë e dashur për publikun Valentina Veizaj intepretoi “Këndoj për Shqiptarinë”.
Editori i gazetës “Dielli” z.Dalip Greca u nderua me çmim nga TV “Kultura Shqiptare” dhënë nga znj.Flora Nikolla presidente e Albanian Excellence.
Një buqetë me lule nga të gjitha trevat shqiptare solli sopranoja e mirënjohur shqiptare Lindita Mezini Lole nën titullin “Jehonë Shqiptare” me orkestracion nga Alfred Kaçinari.
Me çmim u nderua dhe z.Beqir Sina anetar i stafit i cili nuk ndodhej fizikisht në sallë.
Skena u mbush plot me instrumente shqiptare të interpretuara nga studentë të huaj të drejtuar nga Maestro Raif Hyseni dhe kanarina e këngës shqiptare Merita Halili.
Leart Ajeti interpretoi “Një lule që m’ka çel tash”.
Festivali i “Zërave të rinj” ëshë nderuar me çmim në emër të së cilës e ka marrë Pranvera Cobo dhënë nga Bora Balaj, fashion designers.
Zonjusha Erijona Balaj interpretoi “Going Crazy”. Ansambli i valleve “Epos” kërceu “Valle me motive të Shqipërisë së mesme”.
Një vidio përshëndetëse u shfaq për bashkëpunëtorët e TV “Kultura Shqiptare”.
Zonja Marjana Bulku moderatore e emisionit “Një jetë disa histori” është vlerësuar me çmim dhënë nga znj.Mimoza Belliu bashkëthemeluese e TV “Kultura Shqiptare”.
Intrpretimi i lartë artistik i mjeshtrit të skenës Mirush Kabashi me poemën “Shpresë” të Naim Frashërit u mirëprit me ovacione nga pjesëmarrësit, sepse janë vargjet lapidar që ngrenë peshë zemrat e popullit si:
Ti, Shqipëri më ep nder, më ep emrin Shqipëtar/ Zemrën ti ma gatove plot me dëshirë e me zjarr.
Është kjo poemë që çliron vetëm energji të pashterrshme dhe ndez zemrat e mërguara të shqiptarëve anë e mbanëbotës…
Koncerti dhe festa jubilare e 20 Vjetorit të TV “Kultura Shqiptare” u mbyll me një kor të përbashkët të të gjithë artistëve që morën pjesë në koncert. Eshtë kënga që s’shuhet kurrë në gjokset e shqiptarëve të cilët në sallë shoqëruan artistët si: Po nga gjith’ ato më parë/ dua më shumë Shqipërinë/ që të vejë puna mbarë/ edhe përjetë të ketë Lirinë.
Pjesëmarrësit kaluan një natë magjike që do të ngelet gjatë në kujtesën e tyre dhe njëkohësisht do të jetë frymëzim i mëtejshëm për TV “Kultura Shqiptare” një televizion që ka hedhur themelet për të mos u rrëzuar kurë!
*Fotografite mund ti shine ne Facebook(Dielli vatra)
29 tetor, 2017
Manhattan, New York