DOKTOR LLUKË GJIDEDE, PIER FOSHARD I STOMATOLOGJISË DHE PROFESOR I MIRËNJOHJES QYTETARE/
Nga MSc. Albert R. HABAZAJ/ sekretar i shoqatës “Labëria”, Vlorë/
Wikipedianët,me faqen elektronike universale WIKIPEDIA, na informojnë se stomatologjia është disiplina që studion, diagnostikon, parandalon dhe mjekon kavitetin oral. Termi stomatologji vjen nga Greqishtja e vjetër “Stoma” – gojë dhe “logos” – shkencë. Në ditët e sotme, termi “Stomatologji” është duke u zëvëndësuar me “Dentistri”. Për herë të parë veçimi i Stomatologjisë si disiplinë e veçantë nga mjekësia e përgjithshme u bë nga Hipokrati [Hippokrátēs: 460 – 370 pes, themelues i mjekësisë klinike në Greqinë e vjetër, që ndau mjekësinë nga magjia (nga shtrigat), “babai i mjekësisë perëndimore” në Epokën e Perikliut (Greqia klasike), një nga figurat më të shquara në historinë e mjekësisë botërore]. Sipas të dhënave arkeologjike, mendohet se stomatologjia ka filluar të praktikohet më tej se 7000 vjet Para Krishtit…Mjeku i famshëm francez Pier Foshard (Pierre Fauchard, 1678 – 22 mars 1761) është pagëzuar si “babai i stomatologjisë moderne”.
Doktor Llukë Gjidede është cilësuar si Pier Foshard i stomatologjisë në rajonin e Vlorës dhe më gjerë; ndërsa nga banorët e Topalltisë, të Myzeqesë e të Labërisë (ku përfshihet dhe Himara e tij dhe imja) njihet si Profesor i Mirënjohjes Qytetare. Për burra të lartë si Doktor Lluka, fjala shpreh e peshon. Me mendimet e tij kristaline dhe të vyera, me rrënjë të pashkulura në atdhetarinë dinjitoze, Doktori i Vlorës, penelin e shpirtit e ngjyen në mjaltin e mirësisë njerëzore dhe të mirënjohjes qytetare. Nuk kam ndërmend t’i bëj biografinë jetësore, shkencore, shoqërore apo atdhetare Doktor Llukës, sepse nuk u intereson vlonjatëve fare jetëshkrimi i Doktorit, ngaqë Ai është personalitet i qytetit, me plot gojën, është dinjiteti njerëzor, besimi për jetën. Kohë më parë në Pallatin e Kulturës “Labëria” në Vlorë u zhvillua një veprimtari mbresëlënëse kushtuar veprës “Historiku i dentistrisë Vlorë” të Doktorit të Shkencave Mjekësore Llukë Gjidede. Folën shumë miq të Doktorit dhe intelektualë të qytetit. Thanë me dashamirësi dhe vërtetësi, që Doktor Lluka e meriton të ketë titullin Profesor. Shpreha dhe unë pak fjalë shpirti, ku në substancë thashë se mjeku nga vetë profesioni është natyrshëm i gatuar si human. Së pari, falënderova Dr. Asqeri Llanaj, që më mundësoi praninë në këtë takim të lartë simbolik. Së dyti, përmënda faktin që, një herë, kur u takova me Dr. Halit Harizaj, kirurg i njohur në Spitalin Rajonal të Vlorës, pas përshëndetjes, më tha: “Berti, dua të vij një ditë në Skelë, te puna jote, por mbasdite, të pimë një kafe në qetësi, dhe vetëm, se dua të më bësh një nder”. “Me kënaqësi doktor, je i mirëpritur”, – ia ktheva me respekt. Po mendoja se ç’nder mund t’i bëja unë doktor Halitit…Iishte nder t’i bëja unë nder. Erdhi një mbasdite dhe më ftoi të uleshim në një lokal të qetë, të pastër. Pimë kafe me doktorin dhe zhvilluam një bisedë shumë të përzemërt. Nga doktor Haliti merr kulturë të gjerë dhe edukatë të mirë, kur bashkëbisedon me të. Porositi raki dhe meze dhe, megjithë këmbënguljen time, pagoi ai. Cili qe nderi që më kërkoi doktor Haliti? “Të bëja një shkrim respektor për Doktor Llukë Gjideden”. Kaq. Dhe më falënderoi. A nuk duhet të isha unë ta falënderoja 100 herë për kujtesën fisnike. Ja këta janë doktorët e vërtetë të qytetit të Vlorës. Së treti, shpreha se u tha në këtë takim që, kryedentisti ynë, Doktor Llukë Gjidede e meriton titullin Profesor. Ashtu është, por do të bëj një korrigjim jo thjesht terminologjik. Profesorët janë të nderuar, por Doktor Lluka është profesor mbi profesorë, me botimet shkencore, me aftësitë profesionale, me shembullin personal, me modelin familjar, me identitetin krenar si shqiptar e bregas me rrënjë, me qëndrimin e lartë moral. Profesorët duhet të krahasohen me Doktor Llukën, jo metaforikikisht, por realisht e çdo ditë të jetës. Doktor Lluka është një kompozitë jo vetëm gjuhësore, por së pari një kompozitë intelektuale dhe qytetare sipërore. Qysh në vitin 1983, Ai ka mbrojtur disertacionin në kërkim të gradës shkencore “Doktor i shkencave mjekësore” me studimin “Anomalitë e zhvillimit të nofullave dhe vlerësim i metodave të mjekimit kirurgjikal” në 169 faqe (dispencë) me një aparat bibliografik të pasur, prej 194 autorësh, ndër ta shqiptarë, por shumica absolute të huaj, renditur sipas kriterit alfabetik. Në qoftë se shkencën e dentistrisë e krahasojmë me një reliev me fushëza, fusha, livadhe, kodrina, kodra, me male e me male të lartë, Doktor Lluka është sipër, mbi Bogonicë, afër Çikës, që qëndron ballëlart e kryerëndë si kurorë e hijshme e vargmaleve të Vetëtimave (Akrokeraunet). Ai e njeh pëllëmbë për pëllëmbë hapësirën e rajonin të Vlorës. Ai ka shkelur gati në çdo fshat, ka shëruar njerëz me shërbimin stomatologjik pa dhembje dhe me fjalën e ngrohtë, të ëmbël e vëllazërore dhe ka lënë gjurmë nderi e respekti, kudo ku ka shërbyer. Vlora është mirënjohëse ndaj mirëbërëse. Është dhe fodulle dhe nuk ta fal kollaj respektin. Shërbimtarëve dhe Shërimtarëve po. Mbahet mend e nderohet doktor Ali Mihali. Mbahet mend e nderohet Doktor Flloku, babai i artistit të madh dhe poetit Timo Flloko. Ata ishin shërimtarë të qytetarëve. Emrat e tyra janë përjetësuar dhe në institucione apo emra rrugësh në Vlorë. Mbahet mend dhe nderohet Doktor Lluka. Ai është shërimtar i qytetarëve vlonjatë, labë, himariotë e myzeqarë. Ai është mishërim i gjallë i sentencën Da Vinçiane: “Dituria është bijë e përvojës. E vërteta është bijë e kohës”. Nuk e bën “kabull” doktori t’i thotë Çikës: “O kryemal, të lutem, hapëm pak vend aty, te supi yt!” dhe pse e meriton. Çika më duket sikur i thotë: Urdhëroni, Fisnik, afër meje, të marrin njerëzit dritë e mirësi nga Bujaria Juaj Lartësore!” Dhe Doktor Lluka, me atë qetësinë e tij olimpike, me atë thjeshtësinë e tij hyjnore ia kthen Çikës: “Hirësi! Nuk kam bërë gjë tjetër, veçse kam mbledhur kallëza në një fushë të korrur”. E na kujton kështu filozofin e njohur gjerman Arthur Schopenhauerin me shigjetat e tij të mendimit. Nuk pretendoj të bëj promovimin e librave të Tij, se s’jam i zoti, as t’i bëj reklamë emrit të Doktor Llukës, se ai s’ka nevojë. Vlora dhe vendi, qytetaria jonë ka nevojë për të. Ai s’i ka dashur dhe si do kurrë spaletat, dekoratat, aq më tepër fjalët e fryra me tullumbace të bukura. Ai është i thjeshtë si e vërteta; i pastër si ujët e gurrës në Vale, mbi Iljazin e tij e mbi Tërbaçin tim; i ditur si Nestor i kohës; bamirës si Ai (nuk po i them si nënë Tereza, se Doktor Lluka përbën vetë një model të ri mirëbërësie). Ndoshta mund të mërzitet pak për këto radhë që po shkruaj e botoj për të, sepse ia di natyrën e tij, që i ka “zët” fjalët e mira e lavdërimet, sidomos nga miqtë, por s’ka gjë, do të kalojë, për hir të miqësisë shekullore të Iljaz Vunoit me Tërbaçin; për hir të të një lugë gjaku të përbashkët që kemi; për hir të miqësisë fisnike midis Gjidedëve dhe Habazajve; në vlerësim dhe në nderim të çdo 23 Shtatori, qysh nga viti 1979 deri më sot, që Doktor Lluka vjen me lule të frekëta për homazh në Tërbaç. Ai e meritonte njëqind përqind, dhe me kohë, biles, dekoratën më të lartë të vlerësimit moral që jep Shoqata Kulturore Atdhetare Kombëtare “Labëria”: “PERSONALITET I SHQUAR I LABËRISË”, që mori Dr. Llukë Milo Gjidede disa javë më parë, me motivacionin: “Si himariot, që ka demonstruar dashuri për atdhe. Për kontribut të tij të demonstruar në përgatitje intelektuale brenda dhe jashtë vendit, për kontribut shkencor e profesional në shkencën e shërbimit dentar. Për cilësitë organizative si drejtues i spikatur i institucioneve shëndetësore, për botimet shkencore që na ka dhënë, për veprat atdhetare dhe shkrimet me nivel kulturor”.
Faleminderit, Doktor Lluka, o vëllai im nga drita e përbashkët e malit të Çikës, që diellon mbi Vuno e mbi Tërbaç!
BËHEM SAKRIFICË LIRIE
Homazh të pafajshmëve të Parisit/
Nga Albert HABAZAJ/
Nuk kam fjalë, më sëmbon dhembja,/
Dhemb ligjërimi, zemra e syri…/
Si baçkallom’ e vjetër mendja/
Kur në palcë të lirisë hyri./
Si trumcakë të trembur fonemat/
Shpërndahen qiellit pa orientim…/
Në Paris s’pijnë ujë dilemat,/
Në Paris është dhe shpirti im./
Ndez qiririn e me shkrepje të flakës
Jam para teatrit “Batalcan” për nderim.
Për cipën e faqes, për zjarrin e vatrës,
Për Parisin shkoj për sakrifikim.
Më dhemb fjala e s’flas dot më,
Humanizmit m’i shndrit frymëmarrja;
Dy tufa lulesh tek viktimat vë,
Çelin për jetën shpresa të bardha.
Vlorë, 13, 16.11.2015
Ne Foto:Gazetaret e Vlores, Homazhe per viktimat e Parisit
KULTURA FETARE BEKTASHIANE NË KRAHINËN E VLORËS
Nga Prof. Dr. Bardhosh GAÇE & MSc. Albert HABAZAJ/
Kultura fetare bektashiane, si doktrinë dhe praktikim i saj në disa krahina të vendit tonë, është një syth për etnologjinë religjonale dhe antropologjinë fetare
Vlora, ashtu si vise të tjera të Shqipërisë, krahas ortodoksisë, myslimanizmit dhe katolicizmit, është vatër e ndezur dhe e dashur e bektashizmit shqiptar. Dëshmitë më të hershme të doktrinës bektashiane flasin vetë dhe ato e kanë zanafillën në Mesjetë, me teqenë bektashiane të Sinan Pashës në Kaninë, teqenë zëmadhe të Smokthinës, teqenë e Kuzum Babait, Kurorën e Malit mbi Sevaster e me vatra të tjera të gjalla.
Udhëheqësi i kombit shqiptar, bektashiani Ismail Qemal Vlora, në kujtimet e tij të botuara në Londër, na mëson se udhëri bektashian fetar i bektashizmës, ka qenë i përhapur në trevën e Vlorës qysh në shek. XV, ndër pinjollët paraardhës të tij. Teqeja, e themeluar në fshatin Kaninë nga Sinan Pasha, i biri i Gjergj Aranitit, katragjysh i Ismail bej Qemal Vlorës, ka qenë një nga qendrat e mëdha të kulturës fetare bektashiane. Fakti që në kohët e mëpastajme kjo teqe kishte rreth 7200 libra në shumë gjuhë të botës, tregon, se ajo ka lozur një rol të madh në jetën shpirtërore të banorëve të kësaj treve.
Gjurmët e fillimeve të bektashizmit në Vlorë ndeshen edhe sot, sipas rrëfimeve, gojëdhënave e rrënojave të objekteve të kultit, si në Sevaster, Smokthinë, Brataj, Kuç, Kaninë, Drashovicë e gjetkë.
Një nga faktorët e përhapjes së bektashizmit në rrethinat e Vlorës ka qenë se në radhët e jeniçerëve, ku kryenin shërbimin ushtarak banorët e këtij vendi, kishte mjaft vlonjatë, të cilët kur ktheheshin nga ky shërbim, u bënë përhapës të bektashizmit dhe ngritjes së objekteve të kultit.
Emri i ndritur i haxhi Bektash Veliut, në shekujt e mëpasëm, u bë mjaft i përhapur, me një lutje rituale që ende thuhet edhe sot ndër banorët e Labërisë: “Për haxhi Bektash, për atë diell e për atë dhè!”. Kulti shpirtëror i haxhi Bektashit është rrënjosur aq thellë saqë në malin e Çipinit (Këndrevicës), në pozicionin midis dy kreshtave ku lind dielli, në shekujt e kaluar, banorët shkonin dhe bënin kurbane çdo fillim të muajit gusht, duke iu drejtuar qiellit me fjalët brilante që thamë, si lutje rituale. Kulti i haxhi Bektash Veliut ka qenë i përhapur edhe në malin e Shashicës, sidomos në ritualin e shtimit të blegtorisë, pjellorisë së tokës e ruajtjes nga fatkeqësistë e natyrës. Sipas studiuesve të etnologjisë kulturore dhe fetare, blegtorët e Shashicës shpesh thoshnin: “Bagëtia do të na vejë mirë me ndihmën e haxhi Bektash Veliut”, ose : “Kemi shpresë tek haxhi Bektash Veliu”.
Një nga qendrat e mëdha të përhapjes së bektashizmit ka qenë Kuzum Babai, kjo fortesë natyrore e përrallore, që i rri Vlorës si kurorë mistike e mrekullueshme. Siç e përshkruajnë mjaft studiues të huaj si Evlia Çelebi (1611 – rreth 1684), rreth 400 vjet më parë, si dhe studiues të tjerë si Ëilliam Martin Leake [Uiljam Martin Lik] (1777 – 1860), Sir Henry Holland, (1788 – 1873), François Charles Hugues Laurent Pouqueville [Pukvil] (1770 – 1838); etj., Kuzum Babai, ky vend i shenjtë, mbart mbi vete një legjendë të rrallë. Shenjtori, për të besuar se ishte i dërguari i haxhi Bektash Veliut, në vendin e quajtur Budak [Vlorë] preu kokën e tij dhe me të në dorë u ngrit në majën e një kodre, duke u thënë turmës që e ndiqte pas: “Ky vend është vendi im i shenjtëruar, që ju të besoni tek haxhi Bektash Veliu”. Teqeja mbi Vlorë e ka ushqimin e besimit shpirtëror nga Ballëm Babai (Sejjid Ali Sulltan, është ky emër i Kuzum Babait (Quzum Baba). Teqeja e Kuzum Babait mendohet se daton rreth viteve 1600 dhe pati lulëzim sidomos në shek. XVII. Në dokumentetet e kohës thuhet se një nga paraardhësit e familjes Vlora, që kishte ndërtuar tyrben e Kaninës, investoi në këtë vend dhe ndërtoi godinat (teqetë e Kaninës) rreth viteve 1786, [frymën e parë e ka në vitin 1411 nga Sinan Pasha].
Vlen ta theksojmë faktin se bektashizmi i Vlorës ka lozur një rol të madh në përhapjen e ndjenjës kombëtare. Konflikti me parimet e Perandorisë Osmane bëri që në vitin 1828 teqetë dhe bektashinjtë e Vlorës të mos pajtohen me reformat centralizuese të perandorisë së vjetër. Ky qëndrim shkaktoi prishjen e rreth 13 teqeve, dëbimin dhe internimet e bektashinjve, si dhe shfarosjen në masë të besimtarëve.
Në vijim të kësaj veprimtarie në shërbim të interesave kombëtare shqiptare, siç njoftojnë konsujt e Austrisë dhe Italisë në qytetin e Vlorës, në verën e vitit 1878, babai i teqesë së Kuzum Babait në Vlorë dha një lutje, në fjalët e së cilës thuhet se kishte parë një ëndërr, sikur një fat i bardhë fluturonte në qiellin e Shqipërisë, që shpëtimin e saj nga mizoritë e Portës së Lartë, e shikonte nga Austro – Hungaria dhe vendet e tjera të botës moderne. Kjo lutje tronditi Portën e Lartë, gjë që vërtetohet me disa raporte që nënshkruan këta konsuj, të cilët nënvizojnë fermanët e lëshuara nga sulltani, që kërkonte me çdo kusht shpjegime të mëtejshme. Është koha kur sapo kishte shpërthyer Lidhja Shqiptare e Prizrenit (LSHP), kur fati i vilajeteve shqiptare diskutohej në Konferencën e Berlinit (13 qershor – 13 korrik 1878) dhe kështu fatthënia e babait të teqesë së Kuzum Babait të Vlorës, vuri në lëvizje qeveritarët e Stambollit. Ky mendim përforcohej edhe më qartë, kur në dokumentet e kohës mësojmë se disa nga bektashinjtë e teqeve në Vlorë, Tepelenë, Berat e gjetkë u përfshinë në veprimtarinë e LSHP. Në filim të shek. XX, një veprimtari të gjerë ka lozur në Vlorë edhe baba Sali Beqiri i Tepelenës. Në historiografinë shqiptare ka ende monumente që duhet të ndriçohen edhe më mirë. P.sh., pas ngritjes së Flamurit dhe Shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912, ky flamur u bekua nga At Moçka (ortodoks), Haxhi Muhameti (mysliman), Dom Nikoll Kaçorri (katolik) si dhe nga babai i teqesë së Vlorë (bektashi).
Një nga meritat e mëdha në Vlorë është dëshmia e harmonisë fetare, bashkëpunimi e mirëkuptimi midis feve dhe besimtarëve që i praktikojnë këto doktrina e besime. Po përmend disa shembuj të ngjarë: Kur at Moli erdhi në Vlorë, në vitin 1912 nga Amerika, në kishën e Shën Todrit të këtij qyteti, u bë një pritje e madhe, ku fjalën e parë përshëndetëse e mbajti i pari i teqesë së Kuzum Babait. Në ndërtimin e kishës së Shën Todrit, krahas tregtarëve dhe dashamirësve të tjerë, teqeja e Kuzum Babait dha 25 franga për ndërtimin e saj, po ashtu edhe mjaft besimtarë bektashinj sipas mundësive. Një shembull i gjallë në kujtimin e njerëzve është edhe drama e muhaxhirëve në ullishtet e Vlorës në vitet 1914 – 1915. Teqeja e Kuzum Babait strehoi 1260 muhaxhirë, të cilët ishin përzënë nga vatrat e tyre prej shovenë grekë me zjarr e hekur në viset jugore të vendit; mjekoi e ushqeu dhe 1500 të tjerë. Në epopenë termopiliane të Njëzetës luftuan të tërë bashkë: myslimanë, ortodoksë e katolikë, burra e gra për çlirimin e Vlorës dhe të krahinave shqiptare të pushtuara nga Perandoria e Re Apenine. Vlen të dimë se më 17 Janar 1921 bektashinjtë shqiptarë organizuan në Teqenë e Prishtës (Skrapar) Kongresin I Bektashian, ku varf Ali Prishta shpalli autoqefalinë e Klerit Bektashian Shqiptar (pavarësinë fetare nga Ankaraja) dhe shkëputi varësinë prej Kryetarit Suprem të Ankarasë. Toleranca fetare ka qenë një nga shembujt e gjallë, e cila është manifestuar edhe në gjithë jetën shoqërore të qytetit. Për Kongresin e Dytë Bektashian, që u zhvillua në Teqenë Hajdarie të Gjirokastrës, më 9 korrik 1924 na kanë rënë në dorë dokumente arkivore me vlerë. Këtu në Vlorë, në arkivin e Ibrahim Shytit gjendet një dokument i nënshkruar nga baba Ali Tomorri. Ky dokument është nën titullin: “Kuvendi i bektashinjve” dhe në të shkruhet: “Kuvendi i bektashinjve u mbodh në Gjirokastër, mori fund me vendime që të bëhen reforma në dogmën bektashiane. Reformat do të bëhen si do koha e sotme përparimtare, si e do interesi kombëtar dhe e lejon feja muhamedane, e cila në themel e në parim është një fe njerëzore…”. Në këtë letër që baba Ali Tomorri e ka shkruar nga Tepelena, më 12 korrik 1924, vë në dukje se ky kuvend zgjeroi statusin e tij. Delegat i Vlorës në kuvendin e bektashinjve shqiptarë, veç babait të teqesë së Kuzum Babait, ishte edhe intelektuali Ibrahim Xhindi. Kongresi i Dytë Bektashian vendosi që predikimi fetar të bëhej në gjuhën shqipe, në gjuhën e Biblilave, me gjuhën e Naimit. Kongresi hartoi e miratoi Statutin, ku u përcaktuan parimet themelore dhe drejtimet kryesore të veprimtarisë dhe të organizimit të bashkësisë bektashiane në Shqipëri. Statuti u botua këtu, në Vlorë me titull “Statuti i Komunitetit Bektashian”. Autoqefalia, përdorimi i gjuhës shqipe në ritet fetare dhe në veprimtarinë e besimtarëve të këtij sekti, e forcuan Bashkësinë Bektashiane në Shqipëri, shëndoshën edukimin shpirtëror, moral e mbi të gjitha atdhetar të besimtarëve sipas devizës: “PA ATDHE NUK KA FE”, ku rol të fuqishëm patën veprat e Naimit të Madh. Për Vlorën tonë, vlen të kujtojmë se, në vitin 1930, një kontribut të rëndësishëm për kulturën e fesë bektashiane dhanë poeti kombëtar Ali Asllani (1884 – 1964) si dhe Murat Vlora, të cilët përkthyen disa nga pjesët e literaturës bektashiane më në zë. Krahas copëzave për jetën e haxhi Bektash Veliut përkthyer nga Murat Vlora, Ali Asllani përktheu dhe përhapi vjershërimin e poetit të madh Jonuz Emre. Këtë gjë e kishte bërë më parë edhe poeti i madh popullor Mato Hasani nga Brati, që rrojti një shekull me këngë e me luftë për liri (1866 – 1966) e që këndonte shpesh këngët e poetit kombëtar të Turqisë Jonuz Emre [Yunus Emre (1240? – 1320)], i cili kishte shumë popullaritet për kohën. Në krijimtarinë e tij, Xha Matua pati ndikim nga ky poeti madh i kohës, por asnjë varg për këngë nuk kopjoi nga ai. Në këto tradita bektashiane, veproi edhe dede Ahmet Myftar Dede (dede Ahmet Myftari, 1916 – 1980), i cili, që në vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe më pas, gjallëroi edhe më shumë teqenë e Kuzum Babait dhe gjithë vatrat e bektashizmit në Vlorë. Ai ishte në ballë të besimtarëve në ndërtimin e rrugëve, shtëpive e shkollave të djegura e të shkatërruara nga lufta e përbindshme.
Edhe sot e kësaj dite, banorët e Vlorës thonë se pylli i bukur i bregdetit (te ish “Soda”), Ura e Drashovicës, rruga e Llakatundit etj., i përkushtohen atij. Në kohët e sotme, këtë traditë donte të vazhdonte edhe baba Bajrami, i cili edhe pse s’është me ne fizikisht, rron në shpirtin dhe zemrat e besimtarëve. Veprimtaria e gjyshatës bektashiane të Vlorës, me qendër në teqenë e Kuzum Baba Sulltanit, këto vitet e fundit njeh një përparim dhe përhapje të gjerë. Janë vite që mund të quhen me plot gojën si vite të rimbëkëmbjes, të ringritjes së institucioneve fetare, të organizimit të komunitetit bektashian, deri në njësinë më të vogël; janë vite që pranë institucioneve fetare grupohen jo vetëm myhibët e moshatarët, por edhe shumë të rinj e të reja si dhe shumë intelektualë të fushave të ndryshme të ekonomisë. Kështu që këto institucione bektashiane rikthyen shpresën dhe besimin e dhunuar në kohën e diktaturës. Po ç’duhet të dimë për bektashizmin më tepër, jo thjesht për kulturë fetare, por sidomos për vlerat humanitare që shpërndan në komunitet kjo doktrinë me pamje dhe lëndë demokratike? Bektashizmi është urdhër i rëndësishëm sufist i fesë islame, i përhapur gjerësisht në Anadoll e në Ballkan të Europës Juglindore, veçanërisht ndër Shqiptarët. Emrin e ka marrë nga themeluesi Haxhi Bektash Aliu, lindur në Persi (Irani i sotëm) më 1249 dhe vdekur në Turqi më 1344. Bektashianët e moderuan fenë mëmë konservatore dhe risia e tyre u pranua, u përhap dhe u praktikua sidomos në rajonin e Europës Juglindore. Ata u shfaqën si panteistë, u shquan për respektimin dhe përdorimin e parimeve të tilla humane dhe liberale si tolerance, mirëkuptimi, dashuria dhe vëllazëria midis njerëzve, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare. Themeluesi i tyre, Haxhi Bektashi paraqitej si pasardhës i Aliut, dhëndrit të Muhametit, prandaj dhe ndjekësit e tij e adhurojnë në të njëjtën masë si Muhametin, ashtu edhe Aliun. Kryegjyshata, e cila qysh nga viti 1937 e ka selinë në Tiranë (Shqipëri), vepron me 6 gjyshata: e Krujës me qendër Teqenë e Shememi Babait në Fushë Krujë; e Elbasanit me qendër Teqenë e Baba Xhemalit; e Korçës me qendër Teqenë e Turanit; e Beratit me qendër Teqenë e Tahir Babait (në Prishtë, Skrapar); e Gjirokastrës me qendër Teqenë e Zallit dhe e Vlorës me qendër teqenë e Kuzum Baba Sulltanit.
Duke vlerësuar teqenë e Kuzum Baba Sulltanit si qendër kryesore për krahinat e Vlorës, Mallakastrës e Fierit, u arrit edhe ngritja e turbes Kuzum Baba (prill 1998), si një objekt kulti i një rëndësie të veçantë. Pas realizimit të ndërtimit të teqesë, sipas kërkesave, u vunë në veprimtari të plotë organizmat e gjyshatës me synimin për ringritjen, restaurimin e tyrbes dhe teqeve që mbulon Gjyshata e Vlorës, siç kemi shembujt e ringritjes së tyrbeve në Vlorë, në Drizar, Kapaj, Hambaraj, në Kurorën e Malit Sevaster, etj. Traditën më të ndritur të besimtarëve bektashianë e mban të ndezur me dritë kulture, me zjarr kombëtar, me uratën e dashurisë njerëzore dhe me mirësi hyjnore Kryegjyshi i Kryegjyshatës Botërore, baba Mondi, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, udhëheqës shqiptar fetar dhe udhëheqës botëror (Kryegjysh) i bektashizmit. Baba Mondi pastë jetë të gjatë e të ndritshme, besimtarët e dashamirësit uratën e tij të bardhë!
Vlorë, e shtunë, 31. 10. 2015
KUVENDIM LETRAR DHE FESTË KULTURORE NË LLOGORA
– Me një bërthamë krijuesish të Principatës Letrare mes gjelbërimit të pishnajës-/
NGA MSC. Albert HABAZAJ/
Kryetar i Shoqatës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë/
Ka disa veprimtari letrare të bukura, që bëhen pa bujë, të thjeshta, të pastra, me shpirt e të larta. Kalojnë kohë e mbresat që festa të tilla kulturore lënë në vetëdijen tonë, në vend që të zbehen deri në venitje, bëhen më të pashlyeshme, me gjurmë dritërimi të thella dhe mesazhe më të qarta, më gjurmëlënëse në mirësinë e tyre dhe shoqërisht të dobishme. I tillë qe dhe takimi letrar i papërsëritshëm në strukturën e organizimit në kohë, në hapësirë dhe me personat realizues. Nuk qe një takim si shumë e shumë të tjerë të kësaj natyre. Qe ndryshe. Në rrafshin kohor, gushtovjeshta ende nuk e kishte marrë stafetën e freskisë dhe të begatisë tradicionale. 24 Gusht 2015. Festë letrare kulturore në Llogora. Kishte ardhur nga Durrësi shkrimtari, poeti, studiuesi dhe kritiku Vladimir Muça. Nga Fieri kishin ardhur: poeti emblematik dhe dramaturgu enciklopedik Maku Pone, shoqëruar me rebelin e vrullshëm të vargut qytetar, me poetin, mësuesin, këngëtarin, gjurmuesin e folkorit burimor dhe gazetarin Gentjan Banaj. Nga Vlora ishin Princesha e Letrave Shqipe, ringjallur si Krishti, Vilhelme Vranari Haxhiraj, Mjeshtre e Madhe; shkrimtari lakonik, publicisti i mprehtë dhe veprimtari i dalluar shoqëror Ahmet Demaj; baletmaestri shpirtpalodhur për artin dhe kulturën emancipimprurëse Fitim Haxhiraj; poeti i spikatur lab Dero Murataj, që të paktën për këtë poezi disktik: “Kur të vdes dua dy varrre/ një për vete, një për halle” do të mbahet mend. Vetëm me këto dy vargje amanet, Babushi (kështu i flasin Deros në familje e në shoqërinë letrare të Vlorës) e la gjurmën e tij, aq sa, ashtu si (sikur dhe hiç mos të botojë më), kur të tjerë e jo pak me kollaro e me para botojnë e botojnë nëpër furrat e botimit, nëpër furriqet e shtypshkrimit metro kub me fletë të shtypura e të lidhura, por nxjerrin vetëm fullufice. Në takim qe dhe një miku ynë, Arsim Canaj, jo shkrimtar, por qenkesh një njohës i jashtëzakonshëm i letërsisë dhe kishte një humor të admirueshëm. Kuptohet që në atë takim shkëlqimtar në ngrohtësinë e tij isha dhe unë, Albert Habazaj, që po shkruaj këto radhë respekti e vlerësimi për shoqëri të tilla letrare kulturore, që i bëjnë mirë shëndetit tonë letrar. Ne ishim mbledhur me fjalën e lirë demokratike qytetare, me dëshirën e mirë të kuvendonim letrarisht, me nivel të lartë artistik, për fjalën e lirë letrare, me nivel të lartë artistik dhe mesazhet tona, për veç shtypit të shkruar si “Tirana Observer”, përçohen edhe përmes faqes së internetit me “Fjalën e lirë” dhe shtypit elektronik si “Dielli”, “Tribuna Shqiptare” etj. Qe fat për ne vizioni i Fitimit “skenaristit” të këtij takimi, që aktiviteti pati kurorën e dafinës, (të shprehem më saktë e në konkekts) pati bredhin e gjelbër të kurorës së festës: Dr. Terziun. Nga Londra kishte ardhur poeti, prozatori, botuesi dhe kulturologu Dr. Fatmir Terziu, të cilin gjejmë rastin ta urojmë edhe publikisht për fitimin e merituar të “Pendës së Artë” nga Klubi Krijuesve Jonianë, Akademia Letrare, 26 Shtator 2015. Më pëlqeu shumë mendimi i poetes së talentuar Fatime Kulli, saqë më duket se fjalët e saj uruese janë dhe të miat: “Askush më parë se Fatmir Terziu nuk e meriton këtë çmim! Jo vetëm për vlerat që posedon në krijimtarinë shumëdimensionale të tij, por, edhe si një kontribues i madh, i palodhur për kulturën shqiptare në Londër”. Takimin e bëmë në natyrë. S’kishte më bukur. Kujtuam vargjet brilante të Naimit për natyrën shqiptare, recituam vargjet e Çajupit tonë për Labërinë tonë të dashur. E ç’është takimi i mbretit me mbretin para takimit të poetit me poetin?! Na dukej vetja si në ëndërr. Natyra mrekullore e Llogorasë e eklipsonte disa herë magjinë përrallore të çakmakut të Andersenit!… Filluam të diskutonim me njëri- tjetrin për kulturën në tërësi, për etnokulturën, për letërsinë e sotme, për krijimtarinë e njëri – tjetrit. Poeti durrsak Vladimir Muça u dhuroi miqve të kësaj feste letrare librin e tij më të ri “Ekuinoks” me poezi (tanka), (2015) dhe krijuesit, duke shfletuar librin, recitonin vjershat e shkurtra dhe të këndshme si luleshqerre, lakonike, moderne, me musht metaforik, që hera – herës ngjanin si shpata të mprehta me flakë vetëtimash. U fol pastaj për poezinë e të talentuarit Gentjan Banaj. Ajo u quajt poezi e re e fateve njerëzore; një poezi qytetare që përgjithëson hollë, që ka shtrirje, se është një poezi filozofike, e mendimit, e cila pa sherbetin e ndjenjës, sajdisur me nikoqirllëk nga autori, nuk do të qëndronte aq hijshëm krahas poezisë më të mirë të Principatës Letrare, që, sot për sot, shtrihet në hapësirën Vlorë, Fier, Lushnje, Berat deri në Rrogozhinë. Sa mirë e ka thënë poeti nga Mitrovica, Sabit Idrizi, që poezia e Gentit është përpjekje sizifiane e autorit për të dalë nga nata dhe për t’u futur hullive të pafundme të dritës. Në vargjet e tij ne prekim sublimen letrare, për hir të humanizmit universal, për hir të dashurisë. Ka kontraste të fuqishme dhe të freskëta poezia e tij, ka ngjyra, ka lëng të shijshëm poetik. Bashkohem me cilësimin që bën shkrimtari, kritiku dhe poeti i mirënjohur ndërkombëtarisht Petraq Risto, kur thotë se në poezinë e Gentian Banajt “dashuria dhe urrejtja kanë dritën e plagosjen”. “Drita shuhet./ Një puthje ftohet/ Nga mirupafshim në lamtumirë./ Pas kodrës dielli ngulet/ Mbi një qiparis…/…Dhe nata varros diçka” me kitarë “Një tel këputet/ Kitaristi shpohet në sy/ Nota vdes, gjysmë kitarist/ Gjysmëvarr kitara”!- shkruan dhe këndon Genti, i cili, interesant, qysh në pamje, edhe pa e njohur, të jep imazhin e poetit lirik, si një bulëz mesdhetare e Eseninit. Gentian Banaj udhëton me dashurinë. Është kudo me të. Edhe kur u jep mësim nxënësve; edhe kur bën montazhin në “TV Apolon”, edhe kur përgatit emisionet televizive “Poeticum” e “Art- Folk” aq cilësore, krijuese, plot supriza e të mirëpritura; edhe kur shkel çdo vatër etnofolkorike për kulturën shpirtërore dhe materiale të banorëve, fshatarave dhe krahinave; edhe kur filmon orë e orë të tëra me kamera, edhe kur krijon; kudo Genti është me Hyjneshën shoqëruar, me Dashurinë. Ai më duket si sinonim i saj. Deri në dhembje. Deri në rebelim. E pranveron dashuria. Si duket, si gjithë poetët. Me nderim të veçantë folëm sidomos për krijimin e pashtershëm poetik të Maku Pones, që, me gjasë, poezia e bukur që krijon, e mban aq të ri dhe fisnik. (Poeti Maku Pone është 76 vjeç, ta takosh sot, ngjan sikur është 46). (Vërtet të tillë magji paska poezia?!). Unë kam botuar një shkrim për kontributin letrar të Maku Pones, kështu që s’kam ndërmend të bëj prezantim letrar për të, por dua të ndalem tek mbresat që përjetuam me profesorin e vargut në festën e Llogorasë. Të gjitha fjalët tona për krijimtarinë e tij të begatë rezononin me vlerësimin e arkeologut të letërsisë shqipe, Prof. Moikom Zeqos: “Lirika e Maku Pones është universi i gjithçkaje. Tek Maku mungojnë tonet patetike, xhestet tribunale, madhështitë e jashtme, por jo një fill inkoshient i dramacitetit të jetës, fatit, bëmave të njeriut”. Poezia e tij gëzon një dimension universal, ndërtuar me elementë mikrokozmikë, gati të padukshëm, por që i japin frymëmarrje e larushi krijimit. Edhe unë shpreha mendimet e mia për veprën letrare të M. Pones, ku ndër të tjera thashë: Shtylla vertebrale, që mban në këmbë konstruktin e fortë poetik të Pones është drita e bardhë e artit të fjalës së kulluar, sa hënore, aq tokësore. Dy këmbët, që mbajnë harmoninë e urës poetike nga koleksioni klasik i letërsisë së sotme shqiptare në poezinë bashkëkohore, janë ndjenja me “gjak dashurie në rrënjë” dhe mendimi filozofik, që fqinjësohet me “rrufetë” e perëndishme, si “vizion brirësh a eshtrash”. Libri më i ri “Dritësi e terr”, (2014) është pjesë e dytë e trilogjisë poetike të autorit të njohur fierak, që ka pararendës vëll. 1 me titull “Në kërkim të fytyrës” dhe vijon me vëll. 3 të trilogjisë me titullin metaforik “Zjarr i hidhur”. Spunton për këtë vëllim poetik, autori e ka marrë nga shkrimtari dhe diplomati i njohur grek Vassilis Vassilikos (18. 11. 1934), trajtuar, kuptohet, sipas këndvështrimit të tij poetik. Libri më i ri “Dritësi e terr” i poetit Maku Pone është një gëzim letrar për ne, lexuesit e vëmendshëm të librit të mirë dhe përdoruesit e dobishëm të penës. Në këtë kohë, ende të pakthejlltësuar letrarisht, kur gufosemi nga lukunia barbare e librabërësve, që unë po i cilësoj vandak me bezga të njoma, që s’ndezin as në palcë të korrikut [shprehje frazeologjike, mospërf. njeri i trashë nga mendja], libri me poezi “Dritësi e terr” i Maku Pones, vjen si thërrime diellore, që na ngroh bukurisht me fisnikëri botën tonë shpirtërore, duke na përmirësuar në ndjenjë, në mendim dhe në shijet estetike. Në takim u fol edhe për krijmtarinë time letrare, sidomos për dy librat me poezi “Mërgata e Luleve” dhe “Dhembim degët e shqyera”. Realisht, Opusi letrar i Vilhelme Vranari Haxhirajt qe lajtmotivi takimit. Sipas traditës dokesore të Vlorës e Labërisë po themi që nderi iu bë mikut më të largët, shqiptarolondinezit shpirtbukur e mendjeflori. Në fakt ai na nderoi ne me pjesëmarrjen e tij, me fjalën e tij, me veprat e tij letrare e studimore që na dhuroi. Doktor Terziu 15 tituj ia dhuroi Bibliotekës së Universitetit të Vlorës. Si shkrimtar vlonjat e kryetar i shoqërisë Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve “Petro Marko”, Vlorë, por sidomos si drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, plotësova për shkrimtarin dhe studiuesin e njohur elbasanas që na nderon në botë Falënderimin e meritueshëm me motivacionin:”Ju shprehim falënderimet tona më të përzemërta për librat që i dhuruat bibliotekës sonë për pasurimin e fondit të saj. Veprimi juaj është një akt fisnik, human dhe qytetar. 15 titujt e monografive tuaja që na dhuruat: monografi shkencore: “Kritika ndryshe, vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare”, pjesa e parë (2009); “Elbasani në arkivat britanike”, studim (2015); krijimtari letrare: “Mos hesht”, poezi (2000, 2013); “Djalli i Argadasit”, tregime (2002); “Misteriozja”, tregime (2009); “Lumenjtë e ëndrrave”, poezi (2012); “Grykës”, roman (2010); “Bunari”, roman (2012); “Borxh ajrit”, poezi (2013); “Miriapodë”, poezi (2013); “Kojrillat”, roman (2013); “Blirët e Pejës”, roman (2014); “Xhungël mendimesh”, poezi (2014); “Fijet e barit të thatë”, roman, (2015) dhe “Era nuk jepet me qera”, poezi (2015) janë kontribut konkret, që ne e vlerësojmë. Edhe një herë faleminderit! Krijimtaria letrare – studimore e Dr. Fatmir Terziut u bë pronë e Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, në funksion të studentëve dhe të pedagogëve tanë. Pena dritë, mik i nderuar!” Edhe opinioni qytetar bëhet më i ndjeshëm pozitivisht nga veprime të tilla që shpërndajnë kulturë e qytetari ndër njerëz. Ja si shprehen dashamirësit e letërsisë: Niko Seferi: “Vepra të tilla vijnë era qytetari. Bravo njëmijë herë! Kështu duhet për gjithë shkrimtarët dhe poetët e mëdhenj, veprat e tyre të bëhen pasuri e popullit tonë, e bibliotekave dhe e çdo qytetari. Vetëm kështu do ecim”. Poeti dhe përkthyesi Hajdar Kullafi, që jeton në Itali shprehet: “Një akt bujarie, që nderon shkrimtarin largpamës dhe universitetin e Vlorës”. Ndërsa Sadie Kryeziu shkruan: “E meriton, sepse krijimtaria juaj [e F. Terziut] është thesar i çmuar i letërsisë shqiptare. Këtë shembull duhet ta ndjekin edhe biblioteka të tjera Universitare, se vetëm kështu një komb ecën përpara paralel drejt integrimit të diturisë”. Ka shumë vlerësime për Fatmir Terziun si studiues i ditur, i qetë, i qartë e i guximshëm, si poet i mirë universal, i mendimit të lirë, i lirisë qytetare, që shpesh herë e krahasojnë dhe me Lorkën. Mbi të gjitha, Terziu është një njeri me shumë vlera njerëzore, intelektuale dhe shumë fisnik. Është një krijues që po i jep frymëmarrje letërsisë shqipe, si model i shëndetshëm, për dijen, kulturën dhe artin e letërsisë. Fatmir Terziu është një studiues këmbëngulës e shembullor, që vjen nga palca e traditës qytetare të Elbasanit me rrënjë të pashkulshme dibrane dhe e mbjell në Europë e në botë farën e krijimit bioshqiptar. Ndërsa ne diskutonim me zjarr e çiltërsi, zogjtë maleve të Vetëtimës cicëronin hareshëm nga gëzimi se në shoqërinë e tyre ishin shtuar dhe poetët. Ndërsa pishat e larta e të drejta qasnin këndshëm drejt nesh gjethet halore përherë të blerta, nën atë fllad jetëgjatë me jod deti dhe erë mali, sipër në Llogora. Donin të merrnin pjesë në diskutimin tonë?! Donin të recitonin tok me ne?! Donin të na mbushnin këngët tona me hijeshinë e tyre?! Donin të na bekonin?! Ndoshta, për të gjitha bashkë. Me vërtetësi dhe dashuri, ne vlerësuam kontributin e Fatmir Terziut në publicistikë, në eseistikë, në poezi dhe në prozë. Folëm dhe për studimtarinë e tij të vyer, nga e cila, deri më sot, ka botuar dy vepra për dy dashuritë e tij të mëdha: Elbasanin dhe Letërsinë. E nderon Elbasanin autori, sepse ai qytet u bë udhejeta e tij e familjes së tij, e prindërve të dashur, e njerëzve të zenmmrës, sepse Elbasani u bë vendi ku u forcua personaliteti dhe përkushtimi i tij intelektual. Nga vepra e Terziut mësojmë se Elbasani në arkivat britanike është qysh herët. Emri i tij përmendet i ndërlidhur me mjaft faktorë ballkanikë, shqiptarë e më gjerë. Është emër që pason qytetërimin mes Rrugës Egnatia, është vetë ardhja e tillë e shenjtë që në udhëtimet e Shën Paul. Por emri i tij është një referencë qëndrese, identiteti dhe force. E hasim në mjaft korrespodenca, letra, shkëmbime diplomatike, gazeta e materiale të tjera arkivore. Emri i tij fatmirësisht në pak raste është deformuar, ndërsa qëndron i pastër dhe mjaft konkret në gjetje. Me të lidhen mjaft emra të huaj, emra shqiptarë të fushave të ndryshme që në kohë të hershme e deri në ditët tona. Për këtë është dhe ky studim, që ka plotësuar një mangësi të dukshme në gjetjen e gjërave të sakta që lidhen me fatin e kësaj treve me contribute për historinë dhe qytetërimin shqiptar, emërdëgjuar dhe etnologjikisht. Sipas Dr. Terziut, në arkivat britanike është edhe ekzemplari me titullin origjinal: “Elbasani” dhe me skicimet bardhë e zi në kopertinën e tij kryesore nga autori çek Stanislav Kostka Neumann (1875- 1947), gazetar, përkthyes, skicues dhe poet. Me monografinë “Kritika ndryshe, vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare”, autori nuk e shikon krijimtarinë të përhershme dhe as kohëpakët, port ë përqëndruar historikisht, në mënyrë sociale, intelektuale, shkruar dhe lexuar në kohë të caktuar, me një synim të caktuar, nën kondita të njohura historike, me synim historic, kulturor, personal, racor, seksor, klasor dhe në gjithfarë perspektivash. “Nëpërmjet krijmtarisë ne shohim ideologjinë në operim”, nënvizon studiuesi dhe kritiku Terziu. Për këtë studim ka vlerësime nga poeti i njohur Agim Shehu, (sot në Zvicër): “I adhurueshëm për energjinë e veçantë në të shkruar, harmonizuar kjo me pjekuri mendimi e mprehtësi fjale. Nuk di ku e ka burimin kjo, në gjenetikë, në përvojë, apo në sedër fisnike për të shkarkuar grumbullimet në kohë të mendimit dhe ndjenjës së shtypur dikur!”. Naim Berisha e vlerëson kështu librin: “Kritikë dhe analizë me bazë. Kjo e bën studiuesin bashkëkohor Fatmir Terziu një kompleks në fushën e krijimtarisë dhe medias…”. Dr. Heather Nunn nënvizon: “Aspektte e trajtuara nga Terziu janë më shumë se një riprezantim i kulturës në rrafshin e saj krijues”. Dr. Charlotte Crofts përdor një sentencë të lakmueshme: “Shoh diçka më tepër se rëndësia për të lexuar”. Ndërsa Prof. Dr. Michael Chanan vëren: “Duket se bagazhi i njohurve të autorit sjell mjedis të lexueshëm dhe interesant”. Unë do të shtoja se vlerësimi dhe mendimi kritik i Dr. Terziut është si ajo bisturia e mjekut, vërtet e mprehtë, por që të krijon besim të plotë në shërim dhe në shëndet letrar të veprës që Terziu ka në dorë. Më duket se mendimi kritik i tij ndikon pozitivisht tek autori i veprës letrare, që kritiku ka kaluar në operim, sepse, përveç promovimit, mbart në vetvete një magji inkurajuese. Më duket se e përmirëson edhe autorin, edhe lëndën që poeti, eseisti a prozatori ka prodhuar; e përmirëson artistikisht, qytetarisht, krahasimtarisht me standartet e kohës, duke realizuar kështu një harmoni këndëshëm të pranueshme letërsi – qytetar. Emri i Fatmir Terziut njihet në disa fusha, nga të cilat po përmend kontributet e tij, përveç se në letërsi, edhe me librat studimorë, me esse e studime, kontributet në konferenca e simpoziume; është vlerësuar për disa filma me metrazh të shkurtër dhe dokumentarë, për referate dhe kapituj në libra dhe në revista akademike. Në fushën e letërsisë dhe të filmografisë ka marrë vlerësime dhe çmime të ndryshme. Më ka bërë përshtypje dituria e tij dhe qetësia e të folurit, përherë e pranvertë. Ai shkruan me kompetencë shkencore dhe me origjinalitet për humanizmin që larëson krijuesin, për postmodernizmin, për estetiëk në “luftën “krijues – lexues”, për raportet krijimtari- media, media e vjetër- media e re, për Shekspirin e T. S. Elliotin, për Pjetër Budin, Frang Bardhin e Pjetër Bogdanin, për kodin etik të Kadaresë, shkruan për Dritëroin, Fatos Arapin e Azem Shkrelin, për veprën e Vilhelme Vranari Haxhirajt, të Rozi Theoharit, Mimoza Ahmetit, Fatime Kullit, Iliriana Sulkuqit, Luljeta Lleshanakut, Beatriçe Balliçit, të Jusuf Gërvallës, Teodor Laços, Agim Shehut, Petraq Ristos, Stefan Martikos, Primo Shllakut, Pëllumb Kullës, Naum Priftit, Lazër Stanit, Agron Tufës, Rudian Zekthit…Ai shkruan për poetin dhe folkoristin e shquar Spiro Dine, që na la thesarin e gurrës popullore të shkruar në “Valët e detit” (1908). Ai shkruan dhe për poetin e ri vlonjat, të talentuarin Andi Meçaj. Dr. Terziu është një mjek i letrar për kritikën dhe analizën e veprën letrare bashkëkohore. Aq sa është erudit, aq është dhe i thjeshtë me bashkëbiseduesit. I shikon si të barabartë njerëzit, me dashuri. Kjo ia rrit më shumë vlerat këtij njeriu me virtyte, pagëzuar nga dielli. Dëshiroj të theksoj dhe vlerësimin që bën shkrimtari ynë me emër, përkthyesi vlonjat Faruk Myrtaj: “Terziu është një krijues i mirëfilltë në disa zhanre: shfaqet usta me fjalën në poezi dhe prozat e tij, por i tillë është edhe me figurën e mendimit në filmat e tij”. Për poezinë e Fatmirit ka mendime të bukura. Pavarësisht moshës që ka (e çfarë është për poetin një gjysmë shekulli e pak?!), Fatmiri si çdo poet është rini, një rini që poezia e shpreh të përjetshëm, “ambasador” lirik të çdo zemre që dashuron. Vetëm një shpirt i thellë e i hollë e ruan të tillë erotikën në zemër për t’ua rikthyer të rinjve te vargjet e tij. Si në mbyllje, zemra e tij u thërret nga do që janë lexuesve me shpirt poeti pasi bota e meriton pagjumësinë e njeriut me shpirt të hollë poezie: “Zgjohu edhe natën, njeriu im”! edhe nëse poeti një ditë mbyll sytë, poezia e tij rri zgjuar si te yjet që pikojnë dritë, apo te mimozat që lëshojnë lule me ngjyrë yjesh. E thotë tejdukshëm e bukur i madhi Agim Shehu, se Fatmir Terziu edhe në publicistikë të le përshtypjen se ke të bësh me një penë që është poetike. Një poet, ku ndjenja përçohet përmes mendimit dhe figura ka shtrirjen moderne të saj. Ka shumë poezi të autorit, ku lexuesi ndalon për të shijuar figurën, gjetjen e bukur të saj, sa poetike dhe të qartë. Ato tregojnë se ke të bësh me poet të mirëfilltë. Kush ndërton një poezi a një figurë, di të bëjë gjithçka tjetër, mjafon të punojë me kujdes e përgjegjësi letrare sipër letrës. Fatmirësisht këtë ka realizuar Fatmiri ynë. Në takimin festiv të Llogorait, që mori dhe formën e një kuvendi poetik, u evidentua nga folësit se në poezi Fatmiri shkruan rrjedhshëm, me gjuhë të pasur, i saktë në sintaksë, i kompozuar mjeshtërisht dhe rrëmbyes deri në vargun e fundit, aq sa kur e mbaron poezinë e Terziut ke dëshirë ta lexosh sërish. Poezia e tij është një pemë “hijemadhe” në pyllin e madh letrar dhe ai është një krijues i analizës artistike, ku dallon brishtësia e shpirtit të ndjeshëm deri në dhimbje. Poezia e Terziut është së pari poezi e shpirtit, e ndjenjës së madhe, poezi e thëllimave dhe e gjerësive. Vargjet e Fatmirit janë drithëruese e drithëmojnë. Në betejat e përditshme të jetës, poezia e Fatmir Terziut dallon si poezi e pjekur, kuptimplote. Për prozën letrare të F. Terziut kritika letrare ka vlerësime pozitive. Me prurjet e tij në gjininë e prozës së shkurtër (tregimit) dhe të prozës së gjatë (romanit) Terziu shfaqet tashmë si një figurë e lartë letrare e ndërgjegjes estetike. Spikat roli i tij letrar, dituror e didaktik në ringritjet nga harresat historike dhe kujtesës sociale etnike, duke rimbjellë në letrat e sotme shqipe romanin etnologjik, si dikur Petro Marko me romanin “Ultimatumi” (1972, 2002), etj. Herë – herë, shkrimtari e fut lexuesin në një botë që duket jo reale. E pakryer vërtet. Perfekte deri në qelizë. Ashtu si një rreth që kur rritet pafund, nuk është më rreth por vijë e drejtë. Tregimi i Terziut është tregim psikologjik, rrëfim nga zona midis botës reale dhe asaj imagjinare, ku njeriu ndalet, si në kufi, përpara së panjohurës, por me vështrim prapa. Mendimi i tij stepet, si një makinë që ndryshon marshin, para se të marrë rrugën drejt kryqëzimit të paradoseve për të gjetur zgjidhjen; aty ku perceptimi dhe arsyeja takohen, tregimi i Terziut është një ngjarje shqiptare e kohës sonë, ku gjithëkush përpiqet të shërojë plagët e shkaktuar, nga anonimët sigurisht, sepse të gjithë ankohen se kanë vuajtur. Por personazhet e kapshëm, që Terziu krijon, janë viktima të ostracizmit shoqëror e politik disa dekadash, dhe që tani përpiqen të integrohen. Ka edhe të tjerë sia at që enden natën; shohin, shkelin e lenë gjurmë të thella, por nuk shihen. Shkrimtari Fatmir Terziu përdor stilin konciz e dinamik. Dialogje të shkurtra si frymëmarrjet e ndërprera nga ankthe të ditës. Autori është një mjeshtër i romanit aksion, intrigues, në lëvizje, me tematikë aktuale, ku lirikja e dramatikja brenda librit duken si në një simbiozë të plotë. Në prozë autori përdor shkathët gjuhën filmike, kjo falë përvojës në fushën e filmografisë. Terziu ka siguri në të shkruar. Ka kontroll të përpiktë fjale. Veti prozatorësh të pjekur. Përgjegjësi fjale. Një nga temat e preferuara që rrok pena e tij është makutëria, grykësia, pangopja deri në përbindshmëri, vese këto që kanë lënduar shoqërinë, me plagët që i kanë shkaktuar, që dhembin e rrjedhin në realitetet shoqërore. Kritiku Vladimir Muça, i ftuar nderi në këtë takim, së bashku me Terziun, u ndal me dëshirë tek romani “Bunari”. Ndër të tjera, ai na tha se jo vetëm në gojën dhe mendje e personazheve, por dhe në mendjen dhe shpirtin e vetë autorit arrihet që fjala “Atdhe” të përdoret si lajtmotiv, si ndërgjegje, si një ëndërr e kahmoçme, si një dhembje e ngurosur në thellësi të bunarës së shterur e që loton gjak si në mitet e legjendat e kahmoçme të Motit të Madh, si një realitet po kaq i dhëmbshëm i ditëve tona. Romani jetësohet nën obsionet e një kataklizmoje të një mutacioni njerëzor, natyror, mes një deti hamëndësimesh të pashpresa, ku përmes spaciove poetike autori risjell me mjeshtëri mitikën legjendare të mbijetesës, si një spirancë jetësore. Çdo gjë fillon nga humbëtirat historike nga virusi i harresës me një diksion të pastër poetik. “Poezia është vërtetë një dhuratë nga Zoti” – na thotë Fatmiri fjalëqeshur mendimthellë, duke e quajtur veten të privilegjuar që u vlonjatizua aq shpejt në Principatën Letrare të Llogorasë. Ky është intelektuali që rrezaton dinjitetin dhe identitetin e botës shqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë, me të cilin kaluam një ditë të bukur në një kuvend letrar me një festë krijuesish në Llogora. E lashë për në fund rrëfimin për Princeshën e Hijshme të Letrave. Psenë do ta them në mbyllje që këtij shkrimi që do të vijojë pa fund, sa të rrojë krijmi i miqve të mi të mirë, sepse jemi miq nga letërsia, jo letrarë nga miqësia. Në fakt, Opusi letrar i shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj – Heroinë e shkrimtarisë ishte sinqerisht në çdo fjalën tonë të shprehur apo të pathënë. Edhe kur flisnim për të tjerët, (brenda rrethit tonë letrar), emri dhe vepra e Princeshës përmendej, ishte i pashmangshëm. Numri i regjistrimeve të gjetura në Bibliotekën Kombëtare të librave të Princeshës është 32 dhe numri i regjistrimeve të shfaqura është 32. Ka të tjerë në prodhim. Ëshët gurrë krijimi. Kontributi i saj është gati në të gjitha gjinitë letrare, si romani, skica tregime, novella, poezia, në letërsinë për fëmijë, sidomos me romanin fantastiko-historik për fëmijë, fabula e gjëegjëza, përralla historiko-fantastike, përrallëza dhe tregime për vogëlushat deri në tetë vjeç, në letërsinë etnologjike dhe folkoristike, studime etj. Nuk do të ndalemi sot me profilin e saj letrar, sepse do t’i kushtojmë një shkrim të veçantë. Dy fjalë do të shkruaj për romanin më të ri “Loja e fatit”, që autorja na fali me bujari hyjnore atje, lart mes gjelbërimit të freskët e frymëzues të pishnajës, në sofrën poetike, në natyrë, si në mbretëri. Në 170 faqe libër, Mjeshtrja e Madhe e Punës Vilhelme Vranari Haxhiraj, me gjasë, ka derdhur tërë arsenalin letrar dhe kulturor, akumulim i përvojës së gjatë artistike, i gjenezës fisnike dhe emancipuese, i krahasimtarisë sipërore që autorja ka si parim. “Loja e fatit” befason deri në tronditje letërsinë e sotme. Princesha, me veprën e saj, ka dëshmuar dhe dëshmon se, falë vullnetit balzakian dhe talentit yllësor është shkrimtarja më prodhimtare, më e ndjeshme, më afër dhe zëfortë ndaj shqetësimeve socioshqiptare këtë çerek shekull, mbi të cilin ecim. “Loja e mëkatit” nga Dr. Terziu u cilësua si një roman i shkruar me stilin e Xhejms Xhojsit (irlandezit me famë boërore James Joyce, 1882-1941). Autorja në të gjitha veprat e saj i ka kënduar me shkronja shpirti si lule shqipe lirisë, dashurisë, emancipimit, të bukurës, të vërtetës. Ashtu sikurse Xhojsi tek “Uliksi”, që në kërkimin e tij madhor estetik e eksperimental montoi “strukturat e thella” të fjalës, me një punë “inxhinierike” mbi trajtat e errëta të komunikimit gjuhësor, nga strukturat e anglishtes dhe preku rrënjët arkaike të të folurit, edhe shkrimtarja shqiptare me origjinë nga Kont Vrana i Kaninës, ka një prurje moderne në kuptimin e plotë të fjalës, veçse, nuk “monton” si Xhojsi, por i burojnë së brendshmi, vetvetiu “strukturat e thella” të fjalës, buisur në Shqipëri, në Vlorë, në Kaninë, në Llogora, bekuar nga Pisha Flamur. Siç shkruan Terziu, me “Lojën…” nis me një narrativ linear, të tendosur, me një stigmë që kapërcen det, tokë, dritë, ajër, bunker dhe izolim, madje shterpëzon konceptin njeri në itinerarin jetë- vdekje, liri- bunkerizim…, duke sfumuar në këtë gjysmë ferr fate njerëzish, madje edhe të një foshnjeje të braktisur që bëhet më pas ulërimë e kontekstit. Narrativi i strukturuar bukur e thjesht, në një formë sa të kapshme e po aq të pastër dhe të pasur në gjuhë e në lexim…, pasi plagët që shëron Vranari, kanë qenë, janë dhe do të mbeten debat i kudogjendshëm”. Ndërsa kritiku Vladimir Muça shtoi: “Nga një ngarkesë e tillë estetike, mëkati…ka marrë përmasat e universalitetit nga pena mjeshtërore e Vilhelmes si: mëkat moral, shoqëror, ekonomik, ndërshtetëror e institucional”. Të ngelet në mendje simbolika e personazheve, tipologjia strukturore, vizioni vranarian i realitetit, risia e narracionit, eksperimentet stilistiko- gjuhësore që na sjell letrësia e Vivrës (Vilhelme Vranari Haxhiraj)… Me pjesëmarrësit në këtë festë letraro – kulturore u zhvillua dhe konkursi i recituesve me repertor nga krijimtaria poetike e Princeshës. Qe vërtet një mrekulli realizimi aq emocional, ndjesor dhe me nivel artistik, gati sikur poetët e Llogorasë të ishin aktorë profesionistë. Në fakt poetët janë artistë. Kryeartistë janë. Në fund juria bëri vlerësimin dhe shpalli fituesin. Vendin e parë për recitim me nivel të lartë interpretativ dhe emocional e meritoi (me vota të hapura) poeti fierako – kaninjot Gentjan Banaj. Gjithë mikrofestivali artistik pati një udhëheqës artistik, një regjisor patjetër. Improvizimi, krijimi, investimi dhe regjia qe e mjeshtrit altruist Fitim Haxhiraj. Fitimi është emblema e sakrificës për letërsinë dhe artin në Vlorë. Vilhelmja dhe Fitimi kishin 50 vjetorin e martesës. E festuan me më të dashurit e tyre: me nipat e mbesat, që lulëzojnë freskët si lule maji dhe me ne, miqtë e krijmit. Festa dhe dreka me këtë rast qe tamam për mbret. Në Llogora. Pranë Zotit të Vetëtimave, afër Perëndisë së Krijimit. Çika sipër na flladit e na rreh ballin me erë mali, dhe Joni poshtë na mjekon e na shëron këmbët me jod deti. Për udhëtim. Për udhëtimin tonë letrar të pandërprerë…
LIRIA E ÇAMËRISË – ZGJIDHJE E ÇËSHTJES SË MADHE KOMBËTARE
Nga MSc. Albert HABAZAJ/ poet, studiues,/
Sekretar i Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Labëria”, Vlorë Vëllezër të Shqiptarisë, miq europianë dhe ju, o njerëz të mirë nga çdo vend i Botës sonë! Pikërisht sot, më datën 29. 09. 2015, ora 11. 30’ këtu, në MALIVELD (HAGË) zhvillohet ky tubim paqësor për të përkujtuar viktimat e gjenocidit grek ndaj popullsisë të masakruar çame, si dhe për ta bërë më të njohur botërisht padrejtësinë që i është bërë dhe vazhdon t’i bëhet kësaj popullate të shpërngulur nga trojet e veta nga ana e shtetit të sotëm grek, vijim i të djeshëm grek.
Edhe sot jemi bashkë, si substancë e bërthamës diellore mbarëshqiptare. Edhe shumë të tjerë janë bashkuar me ne, në mbështetje të kësaj çështjeje të madhe, të vërtetë, të drejtë. Kënaqësia është e përbashkët dhe reciproke për këtë pjesëmarrje me dobi historike! Organizatori i këtij tubimi paqësor për çështjen çame, fisniku Festim LATO ndezi pishtarin për zjarrin e vatrës. Ne duhet ta mbajmë ndezur zjarrin kombëtar, sepse është zjarri ynë, imi, yti, joni, shqiptarisht, drejtësisht, fisnikërisht!
Me një mirësi të bukur, jemi mbledhur këtu në Holandën magjike të Rembrandit e të Van Gogut, në Holandën e tulipanëve aq simbolikë për universin njerëzor, në Holandën e ëndërruar qytetarisht. E për çfarë jemi mbedhur?! Për të kërkuar liri. Për veten tonë, për Çamërinë tonë, si pjesë e së tërës. Ç’kërkoi Abdyl Frashëri me rilindasit e tjerë kur u fut tek Bismarku, në një trajtë tjetër, atë kërkon Festim Lato e Tahir Gjinovci, profesorët e kombit Rasim Bebo, Lisien Bashkurti, Eshref Ymeri, Rami Memushaj, Fatmir Terziu e shumë të tjerë; atdhetarë të kulluar si Dalip Greca, Ajet Nuro e sa e sa zogj të Shqiponjës Shqiptare që fluturojnë shqiptarisht në të katër anët e horizontit. Atë kërkon At Nikoll Marku, shembëlltyra rilindase e besimit fetar e kombëtar shqiptar. Atë kërkoj edhe unë, Albert Habazaj, si djalë Vlore e Labërie, si vëlla Çamërie, si një nga bijtë e denjë të SHQIPTARISË: Lirinë e Çamërisë Tuaj, të Çamërisë Time, të Çamërisë Sonë. Sa e thjeshtë e sa elementare kjo kërkesë e drejtë jona, që, si starti i kërkesave të qytetarisë demokratike, na del dhembshëm nga shpirti, me një krenari të paulur dot nga pizevengët e Lirisë, kjo kërkesë lirie dhe kjo përkujtesë për legalizimin e trojeve shqiptare të Çamërisë në gjendjen Civile të Europës, në hartën e Qytetërimit Universal. Sa dinjitoze tingëllon sot kjo kërkesë, sepse, siç këndon dhe poeti i njohur Agim Shehu: “Sup më sup kur rrin’ shqiptarët/ formohet vargmal kështjelle,/ flet një komb mijravjeçarësh:/ Moj Evropë, që na preve dhe ndaj zemra këngën vet’ e zuri për trimat që rrojnë akoma:/ Ismail Qemal Flamuri,/ Isa Boletin Shqiponja…”/ HasanTahsin dijetari/ dhe Rasih bej Dino Çami/ Gurakuqi firmëtari/ Vallen e Shqipes ma mbani! Loti i brengosur i Çamërisë do të shndërrohet në një rruzull drite, në një sumbull diellore për shënjtërinë e të rënëve për Atdhe dhe varreve të tyre që janë simbole kombëtare për bijtë e saj nesër. Në nderim të shekullit të ri të shqiptarëve, duke u përulur para gjakut të derdhur për vatrën, me shpresë e besim se ky shekull është Ora e Atdheut Tonë, shoh krahun e majtë të Shqiponjës gjakosur e sakatosur, shoh Çamërinë martire për tekat e Europës plakë, që ngrihet, sikurse krahu i dhjathtë i Shqiponjës, Kosova, që po i shëron plagët e luftës, po integrohet në familjen europiane me larmi identitetesh qytetare e kulturore të kombeve që jetojnë në gjirin e saj por që ende kullon gjak lirie. Nga vendi i Shqipeve, zogjtë e saj ngrihen, marrin lartësi të fluturojnë të lirë drejt qiellit të pastër, drejt botës së qytetëruar, drejt Perëndimit që na përket, drejt jetës dinjitoze që meritojmë të jetojmë. Ky është mesazhi që unë interpretoj, sa me koherencë aq edhe me emocion, sepse në objektivitetin e punës e misionit tim, më thërret gjaku që më gëlon në deje, sepse “çamër, labër, kosovarë/ jemi një fis e një farë,/ jemi një e të pandarë/ sepse jemi shqipëtarë”, sepse kam besim që komuniteti ynë po i flet mendjes dhe po kujton porosinë e Skënderbeut të Madhërishëm, kur mblodhi kapedanët e tij princër dhe me fabulën e thuprave, që të ndara e një nga një i thyen kushdo, ndërsa të tëra tok, të bashkuara e të lidhura si një trup i vetëm, s’u bën dot “derman” askush, as bajlozi i detit me skalione hordhish, as katallani i zi me taborre egrane e me dyndjet barbare të pasosura…Vonesa u bën dëm vonestarëve, se “nga hiçja – malli Birçja”, por më mirë vonë, se është gjithmonë më mirë vonë se kurrë, thotë një fjalë e vjetër. Këto që kumtoj këtu, në mes të Hollandës së zhvillimit, ku pulson zemra europiane dhe gjykimi ligjor e drejtësor, janë vagëllime, që bëhen vezullime e marrin dritë të bardhë mirësie nga shpirti i bukur i vëllezërve dhe motrave tona çame, herë në dukje të heshtur, herë e shpesh me një mal me oshëtima e me një det me gjëmime brenda globit të madh të shpirtit epiriot të Çamërisë sonë, kësaj kreshnikje martire, që qëndron në këmbë si malet e rëndë. Nderim Çamërisë sonë, të papërkulurës Zonjë, të urtës Nënë, të dhembshurës Gjyshe, asaj që qëndroi si kapedane mbi dallgët e tërbuara të jetës, që u dyndën me egërsi e barbarizëm, sa nga hasmi i huaj grek, po aq dhe nga “vëllai” armik komunist. Kaloi një shekull dhe ende Çamëria është në robëri. Dëshiroj të ndaj me ju, o miq e shokë e vëllëzër disa emocione të mëdha që më ka ndezur në rrëmba poezia e Pelivan Barjamit për Çamërinë : “-Ti më flet me gjuh’ të zëmrës/ Çamëri, o nëna ime:/ Moj e bukur drit’ e hënës,/ kur do hysh në shtëpinë time?/ Moj e mira, pse je fyer/ dhe mbi troje sytë të mbenë?/ O zogu me krah të thyer/ kush të ka prishur folenë?!…/ – Folenë e ngrita mbi shkëmb./ Mërgova si dallëndyshe,/ dhe e verbër, e mbaj mend/ gurin tim, sinor të gjyshve. Pa më vranë e më përzunë,/ këmba – këmbës muhaxhirë,/ Foli Evropës, moj Nënë/ ç’ka që rri e bën sehir/!…”. Kjo poezi është thurur jo me penë, por me frymë Atdheu. Është e situr në dritë hëne, me hojet e mjaltit të krijimit artistik dhe të dashurisë kombëtare. Kjo këngë është ndjenjë, mendim, dhimbje, krenari dhe mesazhet e saj janë detyrë pastërtisht e lartë gjaku.
Para dy vjetësh a më parë kam botuar në gazetën “Dielli”/ on line artikullin “Pavarësia flamurëron dhe nëpër këngët e popullit”, ku, që në fillim shkruaja: “Pavarësia e kombit shqiptar është tempulli ku shqiptarët i falen Flamurit dhe Plakut të Bardhë, që së bashku me Bacën Isë, me Luigj Gurakuqin, me Rasih Dinon (nga treva e Çamërisë), me tërë ata burra të lartë e me gra fisnike si Laskarina Bubulinën, Elena Gjikën (Dora d’Istria), Marigo Posio e trimëreshat e tjera shqiptare, i zbardhën faqen Atdheut tonë të lashtë, larë me diell, qëlluar me furtunë”.
Pa u futur në thellësitë e kohës, kujtojmë nga Historia e fillimshekullit XX, se Muharrem Rushit Koska, me histori dhe me këngë ndër betejat e tjera për Atdhe, erdhi së bashku me Alush Take Konispolin në ballë të 300 çamëve, në krahë të vëllezërve labë, mallakastriotë, kolonjarë e skraparllinj, elbasanas e beratas, korçarë e myzeqarë, kavajas e gjirokastritë, me “dyfekët lidhur me gjalmë” për të hedhur në det Italinë, që pushtoi Vlorën e krahinat e tjera më 1920 – ën, për të shpëtuar kombin, për të rishpallur Pavarësinë Kombëtare Konkrete diell, qëlluar me furtunë”.
Në këtë tubim nuk vij thjesht të shpreh solidariten tim personal apo dhe të shoqatës Atdhetare kulturore “LABËRIA”, Vlorë, në emër të së cilës kam ardhur këtu, as vetëm të shpeh dhembjen, as vetëm të recitoj vargje romantike apo elegji të mbushura jo me vargje e me figura, por të mbushura me gjak të pastër e të pafajëshëm, çarë e mbushur mëri për Çamërinë tonë që dhemb e rrjedh e rrjedh plagë nga ashti kombëtar i patretur dot, por vij të denoncoj publikisht e botërisht këtë turp të padëgjuar dhe, fatkeqësisht, ende të pakorrigjuar të shovinistëve grekë ndaj Çamërisë; vij të ngre me forcë shpirti, me forcë emre, me forcë mendimi dhe me forcën e gjakut: Duam se s’bën ZGJIDHJEN E ÇËSHTJES ÇAME ME TË DREJTËN E ZOTIT! Boll kemi qarë, boll! Për nder, boll! Qaramanët veç me ligështime e mallëngjime na rrëmbushin, na emocionojnë e krijojnë situate keqardheje. Kjo dihet, por nuk mjafon kaq. Të 10 milionë shqiptarët, a më shumë sa jemi e kudo që jetojmë e veprojmë nëpër botë të bëhemi një zë i fuqishëm, një zë i pakthyeshëm e me dritë të fortë si flakë vetëtime, si ato shkrepëtimat e rrufeve gjëmimtare mbi malin e Çikës në Vargmalin e Vetëtimave (Arkokeraunet) të gëjmojmë e të mos na dridhet syri: duam Çamërinë tonë! Duam Çamërinë e lirë! Duam Çamërinë me trojet e saj, atje ku i kanë qenë brez pas brezi, çam pas çami, e shqiptar pas shqiptari! Ka ardhur moment të jemi një bllok i pathyeshëm në të drejtën tonë. Unë jam nga Labëria. Kam miq, shokë, kushërinj e krushq nga Çamëria. Edhe personalisht, (pa e personalizuar kurrë gjendjen, por si pjesë e së tërës) kam dhënë nga gjaku im për të shtuar rracën çame; kam marrë nga gjaku Çam për të shtuar rracën time labe. Ndaj them që vërtet jemi një gjak e një farë. Një nga djemtë e mi, Besniku, e ka nusen Çame. Ai është i lumtur, ne si prindër jemi krenarë. Di, që jo vetëm metaforikisht, historikisht, me të drejtën zakonore e dokesore, me gjakun kombëtar Labëria e Çamëria janë kushërira të para. Me lirinë e Çamërisë ne zgjidhim Çështjen e Madhe Shqiptare, e cila na siguron identitetin e pasaportës kombëtare ndër kombet e tjera të rajonit, të Europës e të botës qytetare. Në nderim të gjakut të derdhur për vatrën, kam një këngë që më dhemb e dua ta ndaj me ju:
KËNGË E PAMBARUAR PËR ÇAMËRINË…
Hap syrin, s’mundem pa klithur,
Për Burrneshën fytyrëgrisur,
Këngë e ngrysur dot pa prerë
Ka qenë Zonjë kur s’kish’ të tjerë.
Loti i kripur si kokërr ulliri,
Rri varur nga dhimbja në cepin e syrit,
Veç vallja furtunë e Osman Takës
Vjen së largu, t’i qetësojë plagët…
Më dhembin degët e shqyera,
U bëj mëllagë me piklën e lotit;
Si stina e vajzave të feks Çamëria,
Ka qenë imja që pa lerë Zoti!
O kopësht i bukur i lirisë
Do të çelin lule bajamet…
Për Çështjen Çame një zë i fuqishëm intelektual dhe atdhetar është edhe Prof. Dr. Eshref Ymeri. Kam kënaqësinë dhe nderin të sjell mesazhet e tij për këtë tubim madhështor: Të nderuar bashkëkombas, pjesëmarrës në këtë tubim me një rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare!
Ne shqiptarët jemi i vetmi komb në Evropë që nuk e kemi zgjidhur Çështjen Kombëtare: trojet tona etnike vazhdojnë të jetë të hallakatura nëpër disa shtete të Evrops Juglindore, për qejfin e shovinizmit evropian që na i copëtoi padrejtësisht në Kongresin famëkeq të Berlinit të vitit 1878 dhe në Konferencën famëkeqe të Londrës të vitit 1913. Partia Komuniste e Shqipërisë, në vitet e Luftës së Dytë Botërore, e braktisi në mëshirë e fatit popullsinë shqiptare të Çamërisë, duke e lënë pa mbrojtje përballë shovinizmit grekokriminel që kreu masakra të pashembullta kundër saj.
Në këto kushte, kur Çështjes Çame i është vënë përsipër guri i rëndë i heshtjes së madhe, qoftë dje, në periudhën e diktaturës komuniste, qoftë sot në pluralizëm, kur klanet që hipin e zbresin nga pushteti nuk e kanë absolutisht në rendin e ditës zgjidhjen e Çështjes Çame, vetë popullsia çame duhet të vetorganizohet, duhet të nxjerrë nga radhët e veta burra me dinjitet kombëtar, të pakomprometueshëm as nga mercenarët në krye të politikës shqiptare, as nga shovinizmi grekokaragjoz. Popullsisë çame në Shqipëri, e cila ka dhe duhet të ketë si Yll Karvani rikthimin në trojet e veta stërgjyshore, nuk i duhen disa parti politike, të cilat kanë për mison përçarjen e saj. Asaj i duhet vetëm një parti politike me vetëdije të lartë kombëtare që të marrë në dorë zgjidhjen e çështjes së saj, duke e detyruar klasën politike të shkundet nga mercenarizmi dhe nga servilizmi i pështirë para shtetit grekokaragjoz që sot është katandisur në atë derexhe, saqë është bërë gazi i botës.
Burrat e vërtetë që popullsia çame duhet të nxjerrë në krye nga radhët e veta, duhet të marrin në dorë Rezolutën Çame, me të cilën u tall parlamenti i kohës së Fatos Nanos dhe të kohës së Sali Berishës. Këtë Rezolutë, burrat e vërtetë të Çamërisë duhet ta nxjerrin nga sirtarët e mykur të parlamentit shqiptar dhe të demaskojnë haptas Shpëtim Idrizin, i cili u betua dhe u stërbetua se atë Rezolutë do ta çonte në Gjykatën e Strasburgut, në Departamentin e Shtetit dhe në Kongresin Amerikan, por pastaj e hëngri fjalën dhe tani as që e zë më në gojë fare. Pra, praktika e deritanishme ka vërtetuar se Shpëtim Idrizi pati rrahur gjoksin për Çështjen Çame sa të zinte kolltukun e deputetit, duke u bërë fresk me servilizëm të dy partive të mëdha, të cilat nuk e dinë se ku bie me adresë Çështja Çame.
Popullsia Çame sot nuk është e lirë. Nuk është e lirë për faktin se çdo qytetar çam nuk lejohet të shkojë të vizitojë trojet e veta në Çamëri.
Filozofi dhe sociologu britanik Spenser (Herbert Spencer – 1820-1903) thotë:“Askush nuk mund të jetë krejtësisht i lirë, derisa liria nuk është arritur për të gjithë”. Popullsia çame nuk e gëzon lirinë e lëvizjes drejt trojeve të veta amtare, sepse çdo qytetari çam, shovinizmi grekokaragjoz i gris pasaportën në kufi. Shkrimtari i madh gjerman Gëte (1749-1832) thotë:“Kushdo mund ta fitojë lirinë, në qoftë se ai është i aftë të gjejë vetveten”.
Burrat e Çamërisë, duke ndjekur shembullin e paraardhësve të tyre të shquar që sakrifikuan aq shumë për trojet amtare, duhet ta ngrenë më këmbë popullsinë çame që ajo të fitojë lirinë e lëvizjes për në trojet e stërgjyshore, në mënyrë që të vihet në vend padrejtësia e rëndë historike që na shkaktoi shovinizmi evropan dhe të ndëshkohet nazifashizmi grek për masakrat që kreu në vitin 1944. Sepse krimet kundër njerëzimit nuk parashkruhen asnjëherë”. Në emër të gjakut të derdhur për Vatrën, për zjarrin e pashuar shqiptar, të kërkojmë njëzëri, si zgjidhje të Çëshjes së madhe Shqiptare:
LIRINË E ÇAMËRISË DHE NJOHJEN E SAJ NDËRKOMBËTARE.
RROFTË ÇAMËRIA!
RROFTË SHQIPËRIA!
TË FALEM ÇAMËRI!
TË PUTH NË GJUNJË FLAMURIN KOMBËTAR!
- « Previous Page
- 1
- …
- 4
- 5
- 6
- 7
- 8
- …
- 19
- Next Page »