• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sinqeriteti-garanci e qendrueshmërisë

May 31, 2013 by dgreca

Në takimin me Albin Kurtin në Kishën e Shën Palit në Detroit/

Nga Pjetër Jaku/

Me datën 30 Maj 2013, Kryetari i Levizjes “ Vetëvendosja”, parti parlamentare ne Republiken e Kosoves pati një takim prej më shumë se 1 orë e 30 minuta në Kishën e Shën Palit në Detroit, konkretisht në bibklioteken e saj. Në takim merrnin pjesë Don Fran Kola, famullitar i kësaj qendre kombëtare dhe fetare, Kolë Gjokaj, kryetar i Këshillit të kësaj Kishe, Kryetar i Këshillit të Xhamisë Shqiptare në Detroit Nexhmedin Qafleshi, Pjetër Jaku nënkeryetar i degës së Vatrës në Detroit dhe botues i Revistes “ Kuvendi”, aktivistja Donika Bardha, ish kryetari i Fondacionit “ Vendlindja thërret” aktivisti Luigj Gjokaj, i cili e shoqëronte, administrator i ACTV, Armando Shtiza, Kujtim Qafa aktivist i njohur i komunitetti shqiptar të Detroitit, njëkohëshëm anëtar i kryesisë së degës së Vatrës, ish ushtari i UÇK-se Nikollë Perkaj, gazetari Agim Vuniqi dhe student ( Kryetar i Grupit Rinor) Ylli Zhubi.

Pas vizites në sallën e lutjeve ku Don Frani e informoi se, që prej aty kanë marrë rrugë gjithë nismat kombëtare në ndihmë të çeshtjes shqiptare, qoftë luftës kundër komunizmit, qoftë Pavarësisë së Kosovës, Albin Kurti vizitoi klasat e mësimit të gjuhës shipe dhe dy sallat e kësaj Qendre të mirëfilltë kombëtare.

Gjatë bisedës, e cila në të vërtetë pati frymën e mirëkuptimit dhe të diskutimit të sinqertë, Kryetari i Levizjes “ Vetëvendosja”, u njoh nga Dom Frani me mendimet jo vetëm të tij, por edhe të grupit pritës, në lidhje me zhvillimet më të fundit në Republikën e Kosovës, prej nga vinte Albin Kurti, në krye të Partisë së tretë parlamentare, ne të njëjtën kohë edhe Kryetar i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin e Kosovës. Don Frani theksoi se, me rëndësi është futja e kultures demokratike në Institucionet e Kosoves, sidomos në politikë, dëgjimi i njëri-tjetrit, fryma bashkëpunuese në kryerjen e të gjithë detyrimeve politike, sidomos në marrëveshjet me sovranin, duke mos pranuar kompromiset e dhimbshme, veçanërisht me gjakun e derdhur për Lirinë e Kosovës, kujdesi i vazhdueshem për shqiptarët jashtë kufijvë të Shqipërsië dhe Kosovës, luftën kundër përçarjeve mbi baza fetare, sidomos në shqiptarët nën Mal të Zi, etj…

Albin Kurti nënvizoi se, të qënit e disa feve në Shqipëri dhe Kosovë është pasuri kombëtare. Tek ne nuk bëhët më fjalë për tolerancë ndërfetare, pasi kemi arritur një shkallë më lartë, në atë të bashkëpunimit ndërfetar. Në aspektin kombëtar “ Vetëvendosja” është e njohur që në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ndërsa në arenen ndërkombëtare këtë koncept e solli Willsoni me shpëtimin që i bëri Shqipërisë. As lufta, as paqa, nënvizoi Kurti, -nuk janë të mundshme pa juve, pa diasporën, në veçanti mergatën shqiptare të Amerikës. Veç aspektit politik, diaspora ka një rëndësi të madhe edhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës, pasi rreth 600 miljon euro në vit hynë nga emigrantët. Qeveria duhet t’i kushtoj shumë kujdes ekonomisë, zhvillimt të prodhimit vendas dhe nxitjes me përparësi të tij, pasi nuk kemi pse t’i marrim pulat nga Brazili, ose farërat nga Egjypti. “ Vetëvendosja” nuk është ajo që e ka cilësuar politika kosovare. Ajo nuk ka qënë dhe nuk është kurrë kundër paqes, kundër marrëveshjeve, dhe as do të jetë kurrë pro marrëveshjeve të verbëra në dëm të shqiptarëve të Kosovës, në dëm të trojeve autoktone të Kosovës, në dëm të asgjëje, sado e vpgël në dukje, që cënon integritetin komëbtar, që cënon lirinë tonë. E drejta, sinqeriteti dhe e vërteta do të fitojë, sado vonë…

Lidhur me aspektin fetar, Kurti nënvizoi : “ Zoti të jep qënien, qënia të jep mundësinë, mundësia duhet përdorë. Ideja e pronësisë mbi besimin nuk është aspak produkt i fesë. Kisha ortodokse serbe kërkon prona edhe atje ku nuk ka qoftë edhe një serb të vetëm, në vend që t’i rikthehet bashkëpunimit në ndihmë të besimtarve të saj”.

Në mbyllje të takimit, Nexhmedin Qafleshi bëri dy pyetje në lidhje me mundësinë e bindjes së Europës për problemet e Kosoves dhe, se sa ata ( eurpianët ) i kanë kuptuar politikanët e këtij vendi? Së dyti, nëse është i mundur bllokimi i marrëveshjes Thaqi-Daçiq. Kujtim Qafa, pasi foli në lidhje me bashkëpunimin e kishës ortodokse serbe dhe shtetit, si dhe shejtinimin e disa luftëtarëve serbë nga kjo kishë, për analogji përmendi heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skenderbeun, i cili mbrojti katolicizmin, por nuk u bë shejt, perkundrazi mundohen te hedhin baltë mbi figuren e tij. Konkretisht, Kujtimi pyeti në lidhje me strategjinë e “ Vetëvendosjes” për bashkimin kombëtar.

Pjekuria politike dhe kultura e bisedimit tregojnë se në krye të kësaj Levizje është vërtetë përsoni që do ndihmoi konkretisht zhvillime pozitive në Kosovën e lirë!

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Albin Kurti, Pjeter JUaku, takim ne Detroit

Shpërlarja e shekullit

May 3, 2013 by dgreca

Nga Albin KURTI/
Neoliberalizmi dhe krimi i organizuar ecin dorë për dore në Kosovë. I pari jep mbështetjen konceptuale e teorike të praktikave kriminale të qeverisjes në Kosovë. Të ashtuquajturat reforma strukturore e vazhdojnë privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore tek ato publike. Dhe, jo vetëm kaq: ajo që është e të gjithëve është e askujt dhe duhet të bëhet e dikujt. Mendja e tyre njëdimensionale sheh vetëm prona të pronësueshme. Ekzistenca është pronë; prona është ekzistencë. Prandaj, si bisha të etura për gjak nuk përmbahen dot në gjahun e tyre ndaj gjithçkaje publike.
Po them krim i organizuar dhe jo korrupsion sepse nuk bëhet fjalë më, thjesht, për korrupsion. Kjo fjalë është tepër e butë për ta përshkruar egërsinë e zhvatjes së pasurisë publike në Kosovë. Miliarda euro janë në pyetje – ndërmarrja kriminale kundër ndërmarrjeve publike është gjithsesi e organizuar.
Aq i kriminalizuar është privatizimi në Kosovë saqë nuk të bëhet më ta quash privatizim. Prandaj, me të drejtë sindikalistët, gazetarët dhe politikanët opozitarë nisën ta quajnë shitje, pra shitje e një malli të vdekur meqë ndërmarrja nuk trajtohet as si organizatë e punëtorëve dhe as si kapacitet zhvillimor për vendin. Mirëpo, edhe kjo fjalë me shpejtësi u zhvlerësua porsi ndërmarrjet para se të shiten: fjala shitje ia lëshoi vendin fjalës falje. Pasi që ndërmarrjet shiteshin tepër lirë, meqenëse shitja nënkupton një vlerësim adekuat të mallit të shitur, zërat që flisnin për falje të ndërrmarrjeve dhe pasurive të Kosovës nën siglën e privatizimit u rritën shumë.
Së fundmi, privatizimi nuk është më as shitje e madje as falje. Sepse, falja ka të bëjë me të kaluarën dhe të tashmen. Mund të falësh diçka që ka të bëjë me të shkuarën ose të tanishmen, i falet dikujt tjetër ajo që të përket ty. Por, këtu po falet edhe e ardhmja, edhe potencialiteti e perspektiva e shoqërisë, nga dikush që nuk ka të drejtë ta bëjë këtë dhe që po e shndërron popullin e Kosovës nga sovran në borxhli. Kjo është arsyeja që ky privatizim është para së gjithash uzurpim. Dihet që në Kosovë nuk kemi një ligj mbi privatizimin e aq më pak një ligj mbi privatizimin e Distribucionit e Furnizimit të KEK-ut apo të 75% të aksioneve të Telekomit. Prandaj, së pari, vënia për privatizim e këtyre shënon një uzurpim paraprak nga Qeveria. Dhe, së dyti, bartja e pronësisë më pastaj paraqet veçse uzurpim të ri.
Le të ndalemi pak te ky uzurpimi i ri, repektivisht uzurpimi më i ri. Qeveria e Kosovës e miratoi uzurpimin e 75% të aksioneve të Telekomit të Kosovës për 277 milionë euro, formalisht, ndërkaq përmbajtësisht kësaj shume duhet t’i hiqen 75% të 35 milionëve, dividenda që tash s’fitohet dhe lejimi i projekteve kapitale më herët të bllokuara, ashtu siç e sqaroi Federata e Sindikatës së PTK-së. Nga ajo çfarë kam mësuar deri më tash, uzurpimi i PTK-së do të mbahet mend si shpërlarja e shekullit në Kosovë. Disa kompani të ndryshme vendëse të afërta me kryeministrin Thaçi, përfshirë këtu atë të njërit apo më shumë vëllezërve Zhugolli, po marrin pjesë në blerjen e Telekomit edhe po i shpërlajnë milionat e përvetësuara pas luftës. Bile, në mesin e këtyre kompanive janë edhe aso që organizojnë lojëra të fatit dhe biznesmenë të tjerë të lidhur me politikanë që nuk janë në Qeveri.
Shuma e ofruar është bërë prej një fondi investiv, konsorciumit ‘Axos Capital Partners’ dhe ‘Najafi Companies’. Kjo do të thotë se nuk po e marrin Telekomin e Kosovës kompanitë e specializuara në lëminë e telekomunikacionit, por fonde jotransparente të cilave nuk ju dihet saktësisht përbërja e prejardhja. Ngjashëm sikurse me rastin e privatizimit të Distribucionit dhe Furnizimit të KEK-ut, ku njëherë ishin të interesuara kompanitë e lëmive të energjisë si RWE e pastaj mbetëm tek ato që erdhën të mësohet te ne, edhe te Telekomi fillimisht ishin të interesuara kompanitë si Deutsche Telecom e T-Mobile, por tash përfunduam te këso fondesh investive. Sidoqoftë, pyetja themelore në këtë rast është: kapitalin e kujt e përfaqëson dhe menaxhon ky konsorcium në Kosovë? Sigurisht që ato 277 milionë euro të përfolura që nuk i kemi parë ende nuk janë të ‘Axos Capital Partners’ dhe as të ‘Najafi Companies’. Telekomunikimi është çështje sovraniteti dhe interes strategjik përveçse pasuri publike. Është e domosdoshme të dihet se të kujt janë ato para. Në këtë pyetje duhet të përgjigjen kryeministri Thaçi dhe ministri Beqaj.
Njerëzit në Kosovë po frikësohen të flasin hapur. Posaçërisht ata që punojnë në institucione dhe kanë informata. Pas të ashtuquajturës ‘vetëvrasje’ të Dino Asanajt, në Kosovë ka njëfarë klime që t’i përkujton vitet e ’90-ta. Mbase edhe privatizimi, përkatësisht uzurpimi i pasurisë pas luftës, është vazhdim me mjete tjera i shkatërrimeve të luftës e të paraluftës.
Kosova duhet të ngritet në këmbë që të mos lejojë nënshkrimin e kontratës ndërmjet Qeverisë dhe ‘Axos Capital Partners’ e ‘Najafi Companies’. Populli e shteti i Kosovës duhet t’i kthejë herëdokur këto ndërmarrje, të cilat më parë se u privatizuan, u shitën, më parë se u shitën, u falën, dhe, më parë se u falën, u uzurpuan. Përndryshe, ky vend i pazhvilluar e me qeverisje të kriminalizuar po bëhet i pajetueshëm për qytetarët e tij.

Prishtinë,prill 2013
Albin Kurti

Filed Under: Opinion Tagged With: Albin Kurti, Shpelarja e shekullit

ZYRTARE: ALBIN KURTIT I REFUZOHET VIZA PER NE AMERIKE

April 23, 2013 by dgreca

Albin Kurtit nuk po i lëshohet viza për të shkuar në Amerikë. Ai kishte planifikuar të vizitonte Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me Visar Ymerin, i cili tashmë ndodhet në Washington. Zyrtarët e VV-së kanë thënë se ende s’kanë marrë përgjigje për refuzimin e vizës, ndërsa Ambasada Amerikane në Prishtinë ka thënë se nuk komenton për rastet individuale. Liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit i është refuzuar përsëri viza për të shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kurti bashkë me Shefin e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes kishte planifikuar të shkojë në Amerikë në fund të këtij muaji për t’u takuar me shqiptarët në Washington.

Deputeti i Vetëvendosjes Visar Ymeri ka shkuar në Amerikë, ndërsa Kurti ka vazhduar të qëndroj në Kosovë.

Ambasada Amerikanë në Kosovë nuk ka komentuar rastin e Kurtit me arsyetimin se e kanë të ndaluar të flasin për rastet individuale.

“Ambasada nuk komenton lidhur me rastet individuale të vizave”, ka qenë përgjigja e Ambasadës.

Sidoqoftë, zyrtarët e Vetëvendosjes kanë thënë se ende s’kanë marrë përgjigje zyrtare prej Ambasadës Amerikane në Shkup se Albin Kurtit i është refuzuar viza për në SHBA. Por, Ambasada e SHBA-së në Maqedoni nuk iu ka dhënë shpresë se do t’iu kthej përgjigje pozitive.

“Përgjigja e Ambasadës pas aplikimit ka qenë që aplikacioni i Albinit “do të kalojë nëpër procedurat e nevojshme administrative shtesë, aplikacioni do të mbetet në pritje deri sa të kemi përgjigjen përfundimtare”. Ata gjithashtu kanë thënë që “do të përpiqemi të procedojnë me aplikacionin sa më parë që dorëzohet, por nuk mund të themi sigurt që do të miratohet dhe nëse miratohet, nuk mund të themi se kur është gati”, thuhet në përgjigjen e Lëvizjes Vetëvendosje, të martën.

Ndryshe, Albin Kurtit nuk i ishte mundësuar ta vizitojë Amerikën edhe në dhjetor të vitit 2011 pasi nuk ia patën dhënë vizën.

Në Vetëvendosje kanë thënë se s’kanë ende përgjigje negative as për vitin 2011.

“Ambasada e SHBA-së në Shkup nuk ia ka refuzuar vizën Albin Kurtit më 14 dhjetor 2011, thjesht nuk kemi ende përgjigje nga ana e tyre, pasi që sipas tyre janë duke e shqyrtuar dhe kur të kenë përgjigje do të na lajmërojnë”, ka thënë Erzen Vraniqi, sekretar i Zyrës për Media në Vetëvendosje.

Vraniqi ka treguar se Albini ka aplikuar për vizë në Ambasadën e SHBA-së në Shkup me ftesë të Voice of America nga Elez Biberaj dhe The Rockefeller Brothers Fund.

“Me ç’rast është ftuar nga të dyja këto në cilësinë e Kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Aktivitetet në të cilat është ftuar fillojnë me 7 maj 2013 e përfundojnë me 15 maj 2013”, thuhet në përgjigjen e Vraniqit.

Lëvizja e Albin Kurtit ka pasur disa herë konfrontime me zyrtarët amerikanë që kanë shërbyer në Kosovë. Madje, Ambasadorja e re amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson pati denoncuar Liderin e Vetëvendosjes se ka parë një letër tjetër kërcënuese të Albin Kurtit ndaj ish-Sekretares Albright.

“E kam parë edhe letrën që ai (Albin Kurti) ia kishte dërguar znj. Madeleine Allbright, shefes sime të mëhershme, ku ai kërcënonte se bashkë me miq e familjarë do të ballafaqohej me të në rrugë, nëse ajo do të vinte në Kosovë”, kishte thënë Ambasadorja Jacobson, më 11 dhjetor të vitit 2012.(Kortezi: Bota Sot)

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Albin Kurti, jo vize, per ne amerike

6 ARSYE PERSE PAKOJA E AHTISARIT ISHTE E PAFAVORSHME

April 2, 2013 by dgreca

PERSE PAKOJA E AHTISARIT ISHTE E PAFAVORSHME?

NGA ALBIN KURTI*

Të nderuara familje Balaj e Xheladini,/

I nderuari Zenel Zeneli dhe Hysni Hyseni,/

Deputetë të Kuvendit të Kosovës,/

Në të gjitha vitet e pasluftës thoshin ‘pavarësia në fund të vitit’ dhe për çdo fundvit thoshin ‘pavarësia në vitin e ardhshëm’. Nëntë vjet rresht ishte kështu. Me këtë mënyrë u krijua një fiksim me pavarësinë si fjalë për shtetin, pa e konsideruar përmbajtjen e saj. Pra, së pari pavarësia që kërkohej përjetohej formalisht, duke e ndarë formën nga përmbajtja. Dhe, së dyti, besohej që forma e përcakton përmbajtjen, duke e harruar të kundërtën, që edhe përmbajtja e përcakton formën. Dihet që përmbajtja e pavarësisë është sovraniteti. Kjo është arsyeja pse në demonstratën e 28 Nëntorit të vitit 2006, patëm thënë që pavarësia e plotë dhe e vërtetë, ajo me sovranitet, nënkupton katër gjëra me të cilat matet vetë pavarësia: integriteti territorial, ushtria, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ulësja në OKB. Atëbotë, përveçse u nda forma nga përmbajtja dhe u etablua dominimi i së parës, pra i formës, pasoi degradimi i tretë. Forma u degradua në emrin, në emërtimin për shtetin. Vetëm le të quhemi të pavarur, thuhej atëherë, kjo është e rëndësishme.

Pakoja e Ahtisaarit, siç e mbajmë në mend, nuk erdhi as në fund të vitit 2006 dhe u shty asokohe për shkak të zgjedhjeve në Serbi. Me 2 shkurt të vitit 2007 ateron Paketa e Ahtisaarit në Prishtinë, me 6 padrejtësitë themelore, si 6 faqet e kubit të paketës. Por, para se ta shpjegoj se cilat ishin këto 6 padrejtësi, duhet theksuar se me 2 shkurt 2007 në Paketën e Ahtisaarit askund nuk figuronte fjala pavarësi. Rekomandimin për pavarësi të mbikëqyrur, Ahtisaari ia dërgon veçmas Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së disa javë më vonë, pra edhe pas demonstratës së 10 Shkurtit. Po ashtu, duhet theksuar që në krejt Pakon e Ahtisaarit, një herë përmendet shqipja, te gjuha shqipe, askund fjala ‘shqiptar’, përveç te shprehja komunitetet joshqiptare, dhe 37 herë fjala ‘serbe’.

Atëherë, cilat ishin ato 6 padrejtësitë themelore të Pakos së Ahtisaarit.

1. Pakoja e Ahtisaarit flet kryesisht për të drejtat dhe privilegjet e pakicave dhe atë sidomos të pakicës serbe. Kuvendi i Kosovës me këtë Pako, kurthohet nga formula e shumicës së dyfishtë. Kuvendi për çështjet e ligjet jetike ka nevojë për shumicën e përgjithshme dhe shumicën e pakicës, gjë që praktikisht i jep të drejtë vetoje pakicës. Kjo do të mund të ishte ndoshta e arsyeshme sikur Kosova ta kishte okupuar Serbinë dhe të kishte bërë agresion mbi Serbinë, e jo si te ne ku siç e dimë kemi situatën e kundërt – Serbia ka bërë agresion dhe e ka okupuar Kosovën. Dhe, sërish, ndoshta kjo do të kishte kuptim sikur Kosova t’i kishte 60% shqiptarë e 40% serbë, e jo si në realitetin tonë ku shqiptarë janë mbi 90%.

2. Trashëgimi kulturore konsiderohej vetëm ajo fetare ortodokse, e cila është definuar si serbe. Pakoja e parashihte themelimin e 45 zonave të veçanta qindrahektarëshe eksterritoriale, që uzurpojnë pronë, kulturë dhe histori.

3. Paketa e Ahtisaarit përqendrohet më së shumti te decentralizimi. Komunat e reja me shumicë serbe fitonin kompetenca shumë më të mëdha se ato me shumicë shqiptare dhe plotësisht të pazakonshme për komunat, psh. në arsimin e lartë, shëndetësinë dytësore, etj. Lidhjet horizontale të tyre hedhnin farën e një entiteti autonom serb. Lidhjet vertikale me Beogradin dhe financimi, i cili do të ishte i liruar nga taksat në Kosovë, i hapnin rrugë kontrollit të Serbisë në çerekun e territorit të Kosovës.

4. Instalohej Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, i cili njëkohësisht do të ishte Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian me fjalën përfundimtare për gjithçka çdo herë. Ky monark i ri do ta kishte fuqinë korrektuese, pra ndryshimin e ligjeve, dhe zëvendësuese, përjashtim të ministrave e zyrtarëve të tjerë me emërim të dikujt tjetër në ato poste. Kësisoj po betonohej protektorati sundues ndërkombëtar mbi Kosovën.

5. Në vend që të flitej për dëmet e luftës që Serbia ia ka shkaktuar Kosovës, Pakoja e Ahtisaarit merret me borxhet e Kosovës. Kosova ishte përjashtuar nga sukcesioni i ish Jugosllavisë, nuk ishte zhdëmtuar për plaçkitjet dhe shkatërrimet, dhe tash duhej të merrte pjesë në borxhin e jashtëm të Serbisë.

6. Dikur, në vend se të çarmatosej ushtria kriminale serbo-jugosllave, u çarmatos UÇK-ja. Tash, në vend se të shpërbëheshin strukturat policore dhe paramilitare të Serbisë në Kosovë, Pakoja e Ahtisaarit parashihte shpërbërjen e TMK-së.

U bë kompromisi i dhimbshëm, Serbia fitoi shumë, por mbeti e pakënaqur. Pavarësia nuk na kaloi në Këshill të Sigurimit të OKB-së, Serbia nuk na e njohu pavarësinë dhe, përkundër të gjitha këtyre, Pakoja e Ahtisaarit u zbatua njëanshëm në Kosovë. Sot, Serbia është edhe më tej e pakënaqur dhe në Bruksel po zhvillohen negociata të reja. Serbia e pakënaqur është një Serbi hegjemoniste dhe shoviniste. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është normalizim i marrëdhënieve me hegjemonët dhe shovinistët e papenduar për krimet nga e kaluara. Sikurse dje komunat me shumicë serbe, po ashtu edhe sot bashkësia apo asociacioni i këtyre komunave, nuk është kërkesë e serbëve të Kosovës, por e qeverisë së Serbisë. Interesat e Serbisë po kamuflohen me nevojën për integrimin e serbëve. Ne gjithsesi jemi për integrimin e serbëve, madje jo vetëm në institucione por edhe në shoqëri. Mirëpo, integrimi i serbëve në Kosovë nuk mund të kalojë nëpër Beograd. As në veri, e as në jug, as dje, e as sot.

Ju falemnderit!(* Fjalimi i Albin Kurtit në seancën e Kuvendit të Kosovës, mbajtur më 1 mars 2013, për demonstratën e 10 Shkurtit 2007 )

Filed Under: Opinion Tagged With: Albin Kurti, gjashte arsye, ishte e pafavorshme, perse pakoja Ahtisari

Kripë në plagë

April 1, 2013 by dgreca

Nga Albin KURTI/
Nga lufta e fundit në Kosovë, Mitrovica e pësoi më së shumti. Ajo mbeti e ndarë në dysh me urën mbi Ibër si simbol që dallimin gjeografik e bën politik. Por, jo vetëm kaq. Mitrovica është qyteti i cili e pësoi më së shumti edhe pas luftës. Dëbimi masiv i shqiptarëve ndodhi plot tetë muaj pas përfundimit të luftës, duke i shndërruar kështu shqiptarët e veriut në pakicë. Ashtu qysh shqiptarët u bënë dhunshëm pakicë, njësoj serbët u bënë përmes dhunës shumicë. Pastrimi etnik i shqiptarëve u shoqërua me sjelljen e serbëve në atë pjesë, si nga viset e tjera të Kosovës po ashtu edhe nga Serbia. Akti i shpërnguljes së përnjëhershme dhe të zhurmshme të shqiptarëve u zëvendësua me procesin e gjatë dhe të heshtur të pastrimit të tyre etnik. Zëvendësimi i popullsisë ishte përgjithësisht brutal. Blihej shtëpia e shqiptarit e cila më pas rrënohej për t’u ndërtuar aty një ndërtesë shumëkatëshe që mbushet me popullsi serbe. Kësisoj, mbarimi i luftës në Kosovë ishte i kufizuar në territor: veriu i Kosovës mbeti në një gjendje lufte pa luftime. Qeveritë e pasluftës shpallën moratorium atje duke e konsideruar nën zë që gjendja e tillë është çmimi i fitores, thua se Kosova nuk kishte paguar mjaft kosto nga një shekull okupim. Kishte edhe të atillë që për të arsyetuar rehatinë e tyre të pasluftës në pushtet e interpretonin në mënyrë konspirative lumin Ibër si kufi ndërmjet ShBA-ve dhe Rusisë.
Ndarja politike në Mitrovicë u përcoll me vdekje klinike në ekonomi. Mitrovica është qyteti më i varfër dhe me papunësinë më të lartë në Kosovë, i vetmi qytet të cilit i është zvogëluar popullsia krahasuar me tri dekada më parë. Gjigandi ekonomik ‘Trepça’ nga një shans për të ardhmen e Kosovës u shndërrua në gërmadhë të ndryshkur që tash duan ta likuidojnë për t’i paguar borxhlinjtë nga koha e Serbisë së Milosheviqit. Eksploatimi kolonial i dikurshëm nga Serbia që sublimohej me parullën e mirënjohur ‘Trepça punon, Beogradi ndërton!’ u zëvendësua me eksploatimin jo më pak kolonial të xeheve të papërpunuara nga ‘Trepça’ e pasluftës. ‘Trepça’ sot trajtohet si një lopë që mjelet pa i dhënë ushqim. Qyteti kryesor industrial i Kosovës është bërë vend i mjerimit social. Sikur të mos mjaftonte kjo, në Mitrovicë lulëzojnë kontrabanda dhe ShIK-u. Qyteti i Mitrovicës është i ndarë për qytetarët dhe shtetin e Kosovës por jo edhe për krimin e organizuar në të dy anët e Ibrit që bashkëpunon lëmueshëm. Në anën tjetër, nuk ka vend tjetër në Kosovë si Mitrovica ku qytetarët përshpërisin duke qenë të vrojtuar pothuajse në secilin lokal nga agjentët e ShIK-ut. Pretendimet se ShIK-u është shuar në qershor të vitit 2008 thua se tregojnë saktësisht të kundërtën: pikërisht viti 2008 shënon ngritjen më të madhe të ShIK-ut. Pasi që e sollën PDK-në në pushtet, agjentët e ShIK-ut u instaluan nëpër pushtetin e institucioneve qendrore e lokale, nëpër ndërmarrjet publike dhe agjencitë shtetërore.
Në muajt e fundit, dialogu politik ndërmjet Thaçit e Daçiqit bëhej për aq shumë çështje të brendshme të Kosovës mirëpo s’ka dyshim që Mitrovica ishte çështja thelbësore. Komunës veriore të Mitrovicës sipas Ahtisaarit po ia shtojnë edhe asociacionin e komunave me shumicë serbe edhe fondin zhvillimor për veriun. Ai asociacion a bashkësi komunash paraqet mënyrën qysh komunat si Graçanica e Parteshi do t’i bashkohen veriut të Kosovës, ndërkaq fondi zhvillimor për veriun është mënyra se si veriu veçohet e ndahet fuqishëm nga jugu. Mitrovica e përgjysmuar politikisht dhe e dërrmuar ekonomikisht kishte nevojë për drejtësi e barazi, për bashkim e zhvillim si askush tjetër. Mirëpo, pikërisht Mitrovica po e paguan çmimin më të lartë të dialogut që ka të bëjë më së shumti me të. Mitrovica është plagë e hapur e Kosovës së cilës dialogu Thaçi-Daçiq po i hedh kripë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Albin Kurti, kripe en plage, Mitrovica

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI
  • “E DREJTA ZAKONORE E ÇERMENIKËS. KANUNI I MUST BALLGJINIT” 
  • Retorika e Serbisë si agresion psikologjik: narrativa e rrezikshme e Aleksandar Vuçiçit në Ballkan
  • Çfarë “shteti” deshi Mehmet Ali pashë Misiri në luftën e tij kundër sulltanit osman?
  • 1939 / AUDREY SHAH : JU RRËFEJ TAKIMIN ME MBRETIN ZOG NË HOTEL RITZ (LONDËR)
  • Ndalimi i investitorëve nga tregu i shtëpive: a është zgjidhja reale?
  • “Pse ShBA nuk e pushtuan por e çliruan Venezuelën nga Maduro/t”
  • SPEKTËR…
  • ME SA POLITIKA SHIGJETON SERBIA NË DREJTIM TË KOSOVËS?
  • VENDI IM / 7th Annual Concert
  • ZOTI, SHPIRTI, BIBLA, DOGMA DHE MENDIME FILOZOFIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT