• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË KOSOVË ALBANOLOGË NGA E GJITHË BOTA, NIS SEMINARI NDËRKOMBETAR

August 23, 2021 by s p

-Seminari i 39-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, nis punimet në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë/

-Kryeministri Kurti: Nëse albanologjia është shkenca që drejton dijen shqiptare, ajo duhet të bëhet shkenca që motivon fakultetet/

-Historiku i Seminarit të themeluar para 47 viteve…/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 23 Gusht 2021/ Në ambientet e Bibliotekës Universitare të Prishtinës sot është bërë hapja solemne e punimeve të Seminarit të 39-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i themeluar para 47 viteve. Punimet e Seminarit mbahen nga 23 Gusht deri më 3 Shtator 2021.

 Në ceremoninë solemne të hapjes së punimeve të Seminarit ishin të pranishëm: Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës; Hajrullah Çeku, Ministër i Kulturës; Edona Maloku, Zëvendësministre e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë; Naser Sahiti, Rektor i Universitetit të Prishtinës; Sabri Laçi; Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë; Lindita Rugova, Dekane e Fakultetit të Filologjisë, Shkumbin Munishi, drejtor i Seminarit; Dhurata Shehri, bashkëdrejtore e Seminarit, akademikë, profesorë dhe seminaristë.

“Prodhimi i multidisiplinaritetit, relacioni i hollë i metodës me përmbajtjen, cilësia e shqipes dhe formëzimeve të saj letrare dhe kulturore, janë tri detyrat e përhershme që i kam ndeshur gjatë jetës në merakun e zëdhënësve tuaj”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në fjalën e tij para studiuesve të gjuhës dhe kulturës shqiptare, profesorëve dhe zyrtarëve të institucioneve universitare dhe shtetërore, në ceremoninë e hapjes.

Për pikën e tretë, Kryeministri Kurti tha se kemi një rënie në plan të përgjithshëm. “Besoj se po shpreh shqetësimin tuaj në këtë pikë. Drejtshkrimi dhe leksiku janë dobësuar nga tre shkaqe: 1. shkëputja e sistemit arsimor, për shkak të ndarjes së shqiptarëve në pesë shtete (duhet të mendojmë këtu edhe arbëreshët e Italisë), për shkak të aparteidit serb, për shkak të çoroditjes së sistemit arsimor gjatë dekadave të fundit; 2. Mësymja e teknologjive dhe mediumeve të tyre e sidomos thjeshtimi dhe rrallimi i shkrimit që kërkohet prej tyre; 3. Fakti që pjesa më e madhe e shqiptarëve janë larguar prej trojeve këto tri dekadat e fundit (pa përfshirë ata që kanë shkuar më herët)”, tha kreu i Qeverisë së Kosovës.

 Kryeministri Kurti theksoi se nëse ndiqet teza themelore se albanologjia është shkenca që drejton dijen shqiptare, ajo duhet të bëhet shkenca që motivon fakultetet në një pjesë të trupës së tyre.

Në një fjalë rasti, Zëvendësministrja Edona Maloku, nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë uroi fillimin e Seminarit, duke përmendur traditën e gjatë të Seminarit që ka nisur nga viti 1974. Gjithashtu, ajo e ka përgëzuar Seminarin për temat e zgjedhura ndër vite.

“Sivjet, bie në sy gërshetimi i bukur i traditës së seminarit me temat që prekin të rejat aktuale si lajmet e rreme e infodemia, që janë bërë më relevante se kurrë në këtë kohë pandemie. Trajtimi i temave të tilla në kuadër të Seminarit ndihmon që të kuptohen më mirë e më thellë mënyrat se si gjuha mund t’i ndajë njerëzit, por edhe të gjejë mënyra se si gjuha mund t’i bashkojë ata”, ka thënë Maloku. Më tutje, ajo ka thënë se përkrahja nga kjo ministri është bërë me kënaqësinë më të madhe.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, përgëzoi organizatorët dhe bashkëpunëtorët për qëndrueshmërinë e treguar dhe për vazhdueshmërinë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme kombëtare.

“Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe i Kulturës Shqiptare paraqet padyshim njërën ndër forumet më të rëndësishme, i cili organizohet për të diskutuar dhe promovuar aspekte të veçanta që e karakterizojnë gjuhën, letërsinë, kulturë tonë dhe albanologjinë në përgjithësi”, ka thënë Rektori.

Po ashtu, Dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova ka falënderuar pjesëmarrësit dhe seminaristët që kanë marrë rrugën për Prishtinë në këtë periudhë të paqëndrueshme për shëndetin publik dhe ka theksuar rëndësinë e Seminarit për albanologjinë.

“Institucioni i Seminarit është koncepti më i fortë i ndërkombëtarizimit të albanologjisë në botë, është prezantimi më me vlerë i shkencës vendore vështruar nga një kënd global, por edhe prezantim i shkencës globale për albanologjinë brenda një mediumi të përbashkët”, ka thënë Dekania.

Ajo nuk ka lënë pa përmendur miqësitë mes studiuesish, shkëmbimet e studentëve dhe bashkëpunimin mes Tiranës dhe Prishtinës. Rugova e ka përgëzuar gjeneratat e reja, duke mos harruar kontributin e albanologëve të tjerë.

Drejtori i Seminarit të sivjetmë, Profesor Shkumbin Munishi, ka theksuar organizimin e këtij Seminari në një kohë të jashtëzakonshme, i organizuar në kohë rekorde, që do të duhej të mbahej në tetor të 2020-ës, por shkaku i situatës me pandemi ishte anuluar.

“Sivjet po bëhen 47 vjet që kur ka filluar organizimi i Seminarit. Janë 47 vjet histori dhe traditë e padiskutueshme që e bëjnë Seminarin të veçantë dhe të patejkaluar jo vetëm në hapësirat ballkanike, por edhe më gjerë”, është shprehur Munishi.

Tutje ai e ka falënderuar rektoratin e Universitetin e Prishtinës që e ka mbështetur Seminarin në këto rrethana. Dhe në fund ka shpallur të hapur zyrtarisht edicionin e 39-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës, në vitin 1974. Ishte viti i Kushtetutës që avanconte të drejtat e shqiptarëve të Kosovës si element konstituiv me të drejtë vetoje, i federatës së atëhershme, nga shpërbërja e së cilës kanë dalë shtatë shtete.

Seminarit në vitin 1991 i është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme okupatore të Serbisë. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.Pas çlirimit të Kosovës në Qershorin 1999, nga viti 2000 Seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Filed Under: Featured Tagged With: Albanologji, Albin Kurti, Seminar Nderkombetar

SHBA-ja i dhuron Kosovës mbi gjysmë milioni doza të vaksinës Pfizer

August 20, 2021 by s p

-Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia dhuruan Kosovës kontingjentin e parë nga mbi gjysmë milioni doza të vaksinës Pfizer. Kjo paraqet donacionin më të madh të vaksinës kundër Covid-19 që ndonjë vend apo organizatë ia ka dhuruar Kosovës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 20 Gusht 2021/ Duke e përmbushur zotimin e presidentit Biden për të ndihmuar partnerët anembanë botës në luftën kundër Covid-19, sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia dhuruan Kosovës kontingjentin e parë nga 503.100 doza të vaksinës jetëshpëtuese të sigurta dhe shumë efektive të Pfizer, të cilat priten të arrijnë në Kosovë. Kjo paraqet donacionin më të madh të vaksinës kundër Covid-19 që ndonjë vend apo organizatë ia ka dhuruar Kosovës. Me këto doza, qeveria e Kosovës do të ketë mundësi t’i vaksinojë plotësisht dhe të mbrojë qytetarët e saj, duke lëvizur për 20 për qind më afër arritjes së qëllimit të saj të përgjithshëm të vaksinimit.

Dërgesa e sotshme është pjesë e përkushtimit të Presidentit Biden për të ndarë dozat e vaksinës COVID-19 nga furnizimet vendore amerikane për të mbështetur nevojat globale. Pasiqë asnjë vend nuk mund ta mposhtë COVID-19 vetëm, në qershor, Shtetet e Bashkuara fillimisht u përkushtuan  për të ndarë 80 milionë doza vaksine me botën. Që nga 3 gushti, ne kemi dhuruar dhe dërguar mbi 110 milion doza në më shumë se 60 vende, dhe ky është vetëm fillimi. Sikurse ka thënë Presidenti Biden: “Po i ndajmë këto doza jo për të siguruar favore apo për të nxjerrë koncesione. Po i ndajmë këto vaksina për të shpëtuar jetë dhe për ta udhëhequr botën që t’i japim fund pandemisë”.

Duke folur gjatë ceremonisë së arritjes së vaksinave, ambasadori Philip S. Kosnett tha: “Vaksinat bëjnë punë vetëm nëse njerëzit vaksinohen. Shumë njerëz ende besojnë se vaksina është e panevojshme ose nëse janë infektuar dhe i kanë mbijetuar Covid-it, që nuk do të sëmuren sërish. Kjo thjeshtë nuk është e vërtetë, veçanërisht në vazhdën e rritjes dramatike të rasteve të shkaktuara nga varianti Delta. Prandaj, ju lutemi, vaksinohuni për të mbrojtur veten, familjet dhe komunitetin tuaj”.

Vaksinat e dhuruara nga SHBA-ja u dorëzuan përmes mekanizmit për Angazhim të avancuar të tregut për lehtësim të Covax-it (COVAX AMC), që është nismë globale në mbështetje të qasjes me mundësi të barabartë në vaksina të sigurta dhe efektive kundër Covid-19. Me kontributin financiar prej 4 miliardë dollarë për Gavi në mbështetje të COVAX, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë donatori më i madh financiar në Covax. Covax-i baskëudhëhiqet nga Koalicioni për gatishmëri dhe inovacion ndaj epidemive (CEPI), Gavi – Aleanca për vaksina dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) së bashku me UNICEF-i si partnerë kryesorë për dërgesa. Me këtë dërgesë, Kosova ka pranuar mbi 700.000 doza përmes COVAX AMC.

Përveç vaksinave, prej fillimit të pandemisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhuruar gati 4 milion dollarë për pajisje mbrojtëse, pajisje mjekësore, grante për mësim përmes internetit, si dhe ndihmë tjetër lidhur me Covid-19 për të ndihmuar shkollat, objektet shëndetësore, familjet dhe komunitetet anembanë 38 komunave të Kosovës. Me ndihmën e sotshme, po vëmë themelet për një Kosovë sovrane, të vetëmjaftueshme dhe të qëndrueshme të së nesërmes; një Kosovë që përqafon përgjegjësitë e saj në vend, por edhe si partnere e barabartë në rajon, brenda Evropës dhe në botë, thekson njoftimi i dërguar sot pasdite nga Ambasada e SHBA në Kosovë.

Filed Under: Politike Tagged With: Albin Kurti, Vjosa Osmani

NË PRIZREN PËRMBYLLET DOKUFEST

August 15, 2021 by s p

-Kryeministri Kurti në ceremoninë përmbyllëse të Dokufest, ndau çmimin për filmin në garën kombëtare/

-Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest, e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRIZREN, 14 Gusht 2021/ Në qytetin e Prizrenit u përmbyll sonte edicioni jubilar i 20-të i festivalit të filmit dokumentar dhe të shkurtër DokuFest. Për një javë rresht në këtë festival u shfaqën rreth 200 filma e dokumentarë nga e gjithë bota, ndërsa qyteti i Prizrenit u bë vendtakim i dhjetëra mijëra vizitorëve. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti mori pjesë edhe në ceremoninë përmbyllëse të tij, me ç’rast ndau çmimin për filmin në garën kombëtare.

Filmi “Mardhë” nga regjisorja Flaka Kokolli mori mirënjohje speciale, kurse filmi “Një fëmijë” nga regjisori Bekim Guri u zgjodh filmi më i mirë kombëtar. Në fjalën e tij të shkurtër gjatë ndarjes së çmimeve Kryeministri Kurti ua uroi të pranishmëve dhe organizatorëve 20-vjetorin e DokuFest-it, ndërsa shtoi se ky festival, i cili u ngrit e edhe sot mbështetet në punën e palodhshme të vullnetarëve që ndihmojnë në realizimin e tij, është rritur shpejt dhe shumë si pak çka tjetër në Kosovën e pasluftës. Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest, e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë.Ndërsa para 22 viteve, në 15 Korrik 1999, në qytetin historik të Lidhjes Shqiptare, Prizren, ishte aktiviteti i parë i përbashkët kulturor Kosovë-Shqipëri i pas luftës – një koncert  i artistëve shqiptarë për festimin e arritjes së lirisë së Kosovës.

Filed Under: Politike Tagged With: Albin Kurti, DokuFest, kosova

KAUZAT SHQIPTARE – PARA DHE PAS HASAN PRISHTINËS

August 12, 2021 by s p

Nga Behlul Jashari/

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e “100 vjetorit – Hasan Prishtina Kryeministër i Shqipërisë”, në Shkup u mbajt sot tribuna tematike “Kauzat shqiptare – para dhe pas Hasan Prishtinës”, organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve.

Photo by: – Wikimedia Commons

Në pamundësi për të qenë i pranishëm në këtë organizim, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti përcolli mesazhin për të qëndruar pranë njëri-tjetrit, me projekte të përbashkëta, pasi vetëm kur të jemi të lidhur fort me njëri-tjetrin, do të mund të hapemi me fqinjët pa u rrezikuar. Mesazhi i plotë i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti: “Miq të dashur, shkupjanë, shqiptarë nga të gjitha anët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Të nderuar përfaqësues të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Ju falënderoj për ftesën që më keni bërë, si organizatorë të tribunës me temën “Kauzat shqiptare para dhe pas Hasan Prishtinës”. Në të njëjtën kohë ju kërkoj falje që nuk munda të marr pjesë sot fizikisht në këtë aktivitet që mbahet me rastin e Vitit të Hasan Prishtinës, në nderim të 100 vjetorit, prej kur kjo figurë markante e historisë sonë, ishte kryeministër i Shqipërisë. Nuk munda të vij për shkak të angazhimeve të shumta e diskutimeve të rëndësishme të Kuvendit të Kosovës, por me zemër do të doja të isha pranë jush. Pas pak ditësh do të jem sigurisht aty, si pjesëmarrës në ceremoninë e përurimit të Bulevardit “Hasan Prishtina” në Shkup. Po të isha aty, sigurisht do të kishim diskutuar gjatë mbi kontributin e Shkupit e të shqiptarëve të Maqedonisë në çështjen kombëtare. Nga gratë tona nder i Kombit, Sevasti e Parashqevi Qiriazi dhe Gonxhe Bojaxhiu, Nëna Terezë, nga kryengritjet e hershme të Dervish Carës qysh në 1844, e deri te çlirimi i Shkupit nga Hasan Prishtina, Bajram Daklani, Bajram Curri, Isa Boletini, Mehmet Deralla, Idriz Seferi etj. Do të flisnim edhe për zhvillimet e thellimet e mendimit strategjik shqiptar, nga Ukshin Hoti e deri te Arbën Xhaferri. Por këto të gjitha do t’i diskutojmë në raste të tjera. Mesazhi që dua të jap sot është ai i të qenit pranë njëri-tjetrit, me projekte të përbashkëta, me koordinim dhe me punë. Vetëm kur të lidhemi fort me njëri-tjetrin, do të mund të hapemi me fqinjët pa u rrezikuar. Kahja jonë si shqiptarë është perëndimi, aleatët tanë janë ShBA dhe BE, aspirata jonë legjitime është barazia me popujt e tjerë të Ballkanit dhe bashkimi paqësor e demokratik kombëtar, e detyra jonë më emergjente është që të luftojmë korrupsionin dhe t’i hapim rrugën zhvillimit ekonomik. Rajoni fiton siguri dhe stabilitet afatgjatë vetëm nga dënimi dhe izolimi i kriminelëve, dhe askush nga politikanët shqiptarë nuk duhet të bashkëpunojë me krimin. Kohë të mira po vijnë për shqiptarët por edhe për fqinjët tanë, sepse partnerët tanë të mëdhenj janë më të vendosur se kurrë për të na ndihmuar në luftën tonë për drejtësi e demokraci, por edhe kundër ndikimeve negative ruso-kineze në qytetet e në shtetet tona, por edhe në rajon. Jam i sigurt se shqiptarët, në të gjitha shtetet ballkanike ku jetojmë e veprojmë, nuk do ta humbim këtë moment të rëndësishëm historik. Ju përshëndes të gjithëve dhe uroj punime të mbara në sesionet e tribunës, me respekt të thellë për organizatorët, bashkëpunëtorët shkencorë e gjithë pjesëmarrësit” përfundoi fjalën e tij Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës.

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, kosova

Kryeministri Kurti falënderon Task-Forcën Reaguese të FSK-së, për shuarjen e zjarreve në Shqipëri

August 12, 2021 by s p

Prishtinë, 12 gusht 2021

Pjesëtarët e Task-Forcës Reaguese të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët morën pjesë në operacionin për shuarjen e zjarreve në Republikën e Shqipërisë, u mirëpritën në një takim falënderues nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj. Me 9 gusht, me urdhër operacional, ata kishin zbarkuar në Republikën e Shqipërisë si pjesë e kontingjentit të përbërë nga tri skuadra të zjarrëfikjes dhe shpëtimit të Gardës Kombëtare, si dhe një ekip të Kompanisë për Operacione me Civil. Gatishmëria, kontributi dhe angazhimi i juaj meriton vlerësimin dhe mirënjohjen më të lartë nga të gjithë ne, tha Kryeministri Kurti në takim. Ai shtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës i qëndron pranë zotimit të saj për të dhënë vëmendjen e merituar Forcës së Sigurisë, duke i ngritur kapacitetet profesionale në shërbim të misionit të saj. (Dielli)

Filed Under: Kronike Tagged With: Albin Kurti, shqiperi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 20
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT