• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LUFTA E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS DHE NATO-S,NDËRMARRJE E PËRBASHKËT ÇLIRIMTARE

April 20, 2023 by s p

Dr. Albulenë Halili
Instituti Kërkimor “Maks van der Shtul”
Universiteti i Evropës Juglindore, Tetovë/

(Tri teza)

1. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një ndërmarrje çlirimtare

Në studimet bashkëkohore strategjike gjithnjë e më tepër po zënë vend teori të reja të cilat ofrojnë një kuadër të ri që synon t’i analizojë marrëdhëniet themelore të luftës me politikën në përputhje me traditën e Klauzevicit, sipas të cilit, “Lufta është vazhdim i politikës me mjete të dhunës”. Të rimenduarit e marrëdhënies themelore të luftës me politikën dhe përshtatja me teorinë klasike të Klauzevicit mbi logjikën politike të luftës, përbëjnë qasjet më të reja teorike në fushën e këtyre studimeve dhe jo vetëm.
Duke u nisur nga ky kuadër teorik modern, padyshim edhe nga dijet tona, vijmë në përfundim se çdo studim mbi luftën çlirimtare shqiptare të fundshekullit të kaluar, pra luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të fillojë me studimin e logjikës politike të luftës, të cilën e gjejmë te studimi i pararendëses legjitime të saj – Lëvizjes Popullore të Kosovës.
Kësisoj, filozofia politike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund të përkufizohet si vijon – çlirimi nga sundimi serb, irredentizmi përmes republikanizimit të Kosovës dhe bashkimi i trojeve shqiptare me shtetin amë, Shqipërinë, si qëllim i fundmë, i mishëruar në betimin e luftëtarit të UÇK-së, ku artikulohej arsyeja përse ai/ajo do të flijonte gjënë më të shtrenjtë e më të shenjtë – jetën.
Në përkufizimin e mësipërm do të veçoja për ta zbërthyer konceptin e çlirimit që është edhe objekt i tezës së parë të kësaj kumtese.
Konceptualizimi i çlirimit rri i dyzuar midis individit dhe kolektives dhe pandashëm me përkufizimin e lirisë si një premisë universale, nga njëra anë dhe shtypjes nga tjetri si mohim i kësaj lirie, nga ana tjetër. Filozofia e çlirimit mbështetet mbi të drejtën natyrore të individit dhe grupit të cilit ai i përket, për të qenë i lirë nga çdo zgjedhë. Premisa e parë e UÇK-së ishte çlirimi i tokave shqiptare nga pushtimi dhe sundimi serb.

2. UÇK-NATO ishin në një aleancë të heshtur për çlirimin e Kosovës

Në vitin 1999, kur fushata bombarduese e NATO-s po vijonte, një zyrtar i lartë perëndimor pati deklaruar se “NATO nuk do të kthehej në një forcë ajrore të UÇK-së”. Por si për ironi të këtij qëndrimi, kjo ndodhi. Shumë shpejt u vërtetua se në rastin e Kosovës një luftë ajrore pa atë tokësore nuk mund të siguronte një fitore. Edhe nëse do të arrihej një e tillë, në rastin më të mirë, do të ishte një fitore e Pirros. Serbët kishin vënë në zbatim operacionin “Patkoi”, një projekt të hollësishëm me synim gjenocidal, që u bë publik në prill në vitit 1999, i cili vijonte ta bënte spastrimin etnik në terren pavarësisht prej sulmeve ajrore të NATO-s, madje me intensitet të lartë e të përshpejtuar.
Kështu, konsensusi i brishtë atlantik filloi të forcohej. Konferenca e Rambujesë dhe roli i Rugovës në të e përforcoi edhe më shumë këtë bindje. Aleatët transatlantikë ishin bindur tashmë se UÇK-ja dhe ajo çfarë përfaqësonte kjo ushtri përbënte forcën dominuese në terren dhe me përkrahjen më të gjerë popullore, ndaj ishte e domosdoshme të bashkëpunohej me të. Për më tepër, gjatë fushatës së bombardimeve fati i popullsisë së mbetur civile ishte i lidhur me atë të UÇK-së. Kështu, ata vendosën për të kontribuar në një riorganizim, riorientim dhe ristrukturim të UÇK-së i cili do të ndodhte padyshim me ndihmën e kuadrove ushtarakë të Shqipërisë.
Pas kësaj kthese lufta për çlirimin e Kosovës u shndërrua në një ndërmarrje të përbashkët çlirimtare UÇK – NATO. Roli i luftëtarëve të UÇK-së në përcaktimin e shënjestrave të bombardimeve ka qenë shumë i rëndësishëm. Por, roli i tyre kryesor ka qenë detyrimi i njësiteve të ushtrisë jugosllave të dilnin në terren të hapur. Këtë e kishte pohuar pas mbarimit të luftës gjenerali amerikan Short, duke thënë se edhe pse NATO nuk ishte aleate zyrtare me UÇK-në, operimi i saj i suksesshëm në terren kishte ndihmuar aeroplanët gjuajtës të mësojnë pozicionet e ushtrisë jugosllave duke mundësuar asgjësimin e tyre.
Një nga studiuesit e njohur të marrëdhënieve transatlantike, Stanley Sloan, lidhur me këtë shkruan: “Ringjallja ushtarake e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si forca kryesore luftarake e shqiptarëve të Kosovës, luajti një rol vendimtar në shpërfaqjen e njësiteve serbe nga fshehja, duke i bërë ato më të ndjeshme ndaj sulmeve ajrore perëndimore. NATO, në fund, kishte një komponentë të forcës tokësore në strategjinë e saj, edhe nëse ajo u zhvillua në heshtje dhe me gjysmë zemre”. Gjatë kulmit të fushatës ajrore të NATO-s u shqua sidomos një bashkëpunim i madh midis grupeve të njësive të UÇK-së dhe forcave speciale britanike të cilat, në bashkëpunim me gjeneralët amerikanë që drejtuan fushatën bombarduese, janë meritorët e çlirimit të Kosovës. Ndaj me të drejtë historiani i njohur i Ballkanit, James Pettifer, shkruan: “UÇK-ja ishte gjithçka që NATO kishte”.

3. Intervenimi i NATO-s në Kosovë qe një test për të ardhmen e saj

Krerët e lartë të diplomacisë së ShBA-së dhe shteteve evropiane vendosën, më në fund, që përmes mekanizmit të NATO-s ta ndalonin gjenocidin serb mbi popullin shqiptar në Kosovë. Kjo nënkuptonte që Kosova në vitin 1999 kishte kaluar në instancat më të larta të sigurisë botërore. Për Kosovën ky ishte fillimi i zgjidhjes së një procesi 100-vjeçar. Për herë të parë gjatë historisë pesëdhjetëvjeçare të aleancës mbrojtëse NATO përdori forcën e saj ushtarake në një hapësirë jashtë territorit të saj dhe mbi një subjekt ndërkombëtar. Me këtë NATO doli nga doktrina tradicionale e saj si aleancë e cila ishte e përcaktuar të vepronte vetëm në rast sulmi dhe brenda kufijve të saj.
Në rast mosintervenimi në një krizë brenda orbitës së saj, NATO do ta vinte në pikëpyetje vetë ekzistencën e saj si një aleancë e mbrojtjes së paqes dhe demokracisë. Këtë e kishte pohuar dhe senatori Durbin në një seancë dëgjimore në Senatin amerikan në vitin 1999: “Unë besoj se NATO ka një të ardhme. Unë sigurisht besoj se Amerika ka një të ardhme në udhëheqjen e saj në botë. Ne jemi duke u testuar në Ballkan. Unë dua ta kaloj atë provë kështu që shekulli XXI të jetë një shekull i paqes”.
Pesëdhjetëvjetori i aleancës transatlantike qe një nga çastet më kulminante të historisë së saj të pas Luftës së Ftohtë. I gjithë Samiti i Uashingtonit, ku edhe u rishqyrtua koncepti strategjik dhe drejtimi i saj në mijëvjeçarin e ri, u përshkua nga zhvillimet në hapësirën ajrore ballkanike, për t’i dhënë fund gjenocidit serb mbi popullatën shqiptare të Kosovës. Koncepti i ri strategjik, i cili u miratua gjatë këtij samiti, i cili u mbajt një muaj pas fushatës ajrore të NATO-s kundër Serbisë, përmbante udhëzimet për përgatitjen e aleancës për sfidat e sigurisë, por edhe për mundësitë e shekullit XXI.
Në këndvështrimin global, ndihma e NATO-s për zgjidhjen e krizës në Kosovë luajti rol vendimtar për kthimin e besueshmërisë në këtë organizatë të krijuar për ruajtjen e sigurisë euro-atlantike dhe justifikimin e qellimit të krijimit dhe ekzistencës së saj.
Ndërkaq, parë nën thjerrëzën shqiptare, NATO përmes një aleance të heshtur i ndihmoi UÇK-së për ta përmbushur premisën e parë të filozofisë politike të kësaj ushtrie të hedhur në fillim të kësaj kumtese – atë të çlirimit, duke i hapur rrugë edhe përmbushjes së premisës së dytë, krijimit të një shteti të pavarur të Kosovës, gjë e cila, siç e dimë, u bë më 17 shkurt 2008, kur Kuvendi i Kosovës e shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

Marrë nga libri: “UÇK – vlerë kombëtare”, botim i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Filed Under: Politike Tagged With: Albulene Halili

A ka nevojë Shqipëria për një politikë të jashtme (të përbashkët)?

February 23, 2018 by dgreca

1 Albulenë Halili ok

Nga Albulenë Halili/

Shqipëria ka DY ministra për punë të jashtme: një për shqiptarët dhe një për të huajt. I pari është ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, ndërkaq tjetri është ministër vetëm i punëve të jashtme. Një vizitë në uebfaqen e ministrisë e vërteton këtë. Edhe në të gjitha forumet ndërkombëtare por edhe në artikujt e tij autorialë, Ministri Bushati prezantohet vetëm si ministër për punë të jashtme.  

Shqipëria ka NJË Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme. Andaj natyrshëm lindin pyetjet: përse një vend evropian do të duhej të kishte një ministri për Evropën?! Në cilën hemisferë ndodhet Shqipëria?! A nuk jemi ne ndër popujt e parë që kanë banuar në kontinentin më të vjetër të botës?! A nuk jemi ne vetë Evropa?! Përse atëherë vallë një ministri për Evropën?!

Shqipëria ka synime të ndryshme në programin qeverisës për politikën e jashtme.

Në uebfaqen e Kryeministrisë ky program synon “jo vetëm të korrigjojë gabimet e së shkuarës që kanë rrezikuar të ardhmen euro-atlantike të Shqipërisë, por të rrisë cilësinë dhe të përshpejtojë ritmin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, besueshmërinë në rajon dhe strukturat euro-atlantike.”

Ndërkaq, në uebfaqen e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, programi qeverisës për politikën e jashtme synon “të konsolidojë ankorimin euro-atlantik të vendit, të përshpejtojë dhe konkretizojë ritmin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, të forcojë miqësinë dhe marrëdhëniet tërësore me fqinjët si dhe të rrisë rolin, kontributin dhe besueshmërinë tonë në rajon në kuadër të zgjerimit dhe thellimit të bashkëpunimit rajonal.”

Vizioni i politikës së jashtme të Shqipërisë është i dykuptimshëm. Kryeministria i jep përparësi mbështetjes mbi partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkaq Ministria, atij me Bashkimin Evropian. Kryeministria inkurajon rritjen e shkëmbimeve dypalëshe, në mesin e të tjerave edhe me Mbretërinë e Bashkuar, Ministria për Evropën, në vend të saj, me Vendet e Vishegradit. Ministria dëshiron rritjen e shkëmbimeve me vende të rëndësishme në rrafshin global si me vendet e Gjirit Persik, Kryeministria në vend të tyre ka Brazilin.

Politika e jashtme e një shteti përbëhet nga strategjitë e interesit vetjak të zgjedhura nga shteti për të mbrojtur interesat e saj kombëtare dhe për të arritur qëllimet brenda mjedisit të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Që të dyja konceptet që përshkojnë strategjinë kombëtare të politikës së jashtme të Shqipërisë, integrimi në Bashkimin Evropian dhe partneriteti strategjik, nuk janë elemente që përbëjnë sovranitetin e një shteti, por koncepte që duhet të jenë të zbatueshme atëherë kur ai të ushtrojë sovranitet të plotë. Përndryshe kemi të bëjmë me sovranitetin nominal a relativ siç e quan Brzezinski apo edhe me doktrinën e Brezhnjevit për sovranitetin e kufizuar.

Është e natyrshme për vendet anëtare të një organizate të tillë që të japin pjesë të sovranitetit, por kjo nuk do të thotë se aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të shërbejnë si shkas që një shtet të heqë dorë apriori nga sovraniteti i tij. Aq më pak kur në dokumentin zyrtar të BE-së për Ballkanin Perëndimor, atë të një perspektive të besueshme për zgjerim, të publikuar para ca ditësh, për Shqipërinë nuk parashihet anëtarësimi as në 2025, siç parashihet në rastin e Serbisë dhe Malit të Zi.

Lënë mënjanë specifikat dhe sfidat e vetë kësaj organizate, e cila deri tani nuk arriti të bëhet një organizatë e njëmendët supranacionale politike, integrimi duhet të jetë pjesë e prioriteteve të Shqipërisë në veçanti dhe i tërë hapësirës shqiptare në Ballkan përgjithësisht, por nuk duhet assesi që ai të zërë vendin e parë në prioritetet e politikës së jashtme të Shqipërisë, aq më pak që integrimi të vendoset përpara sovranitetit.

Kështu duhet të veprohet edhe në rastin e partneriteteve strategjike. Vetë fjala partneritet nënkupton një raport të ndërsjellë mes dy palëve sovrane dhe tërësisht të barabarta. Partneriteti strategjik në asnjë mënyrë nuk duhet të jetë vizion i politikës së jashtme të një shteti.

Vizion i politikës së jashtme të Shqipërisë do të duhej të ishte aspirata për t’u bërë fuqi rajonale dhe të fitojë vendin e saj në arenën ndërkombëtare. Ndërkaq, ky vizion duhet të arrihet përmes partneriteteve strategjike, pra, marrëdhënieve politike, diplomatike, ushtarake apo ekonomike me shtete apo subjekte të tjera të së drejtës ndërkombëtare. Kështu, partneritetet strategjike duhet të shërbejnë si një lloj instrumenti për arritjen e vizionit dhe qëllimeve të politikës së jashtme të një shteti, e kurrsesi si qëllim më vete.

Në qoftë se vazhdojmë të humbim: sovranitetin territorial, me anë të marrëveshjeve me fqinjët për cedim të sovranitetit, si parakusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sovranitetin ekonomik, duke u vënë në varësi të drejtpërdrejtë nga Serbia, Turqia dhe Greqia, në mungesë të prodhimeve vendore dhe importeve; sovranitetin ushtarak, duke u mbështetur vetëm në sigurinë kolektive, atë të NATO-s; dhe së fundmi, sovranitetin politik, një pjesë vetë BE-së, akoma pa filluar negociatat për anëtarësim dhe përfaqësuesve diplomatikë, në fund në Ballkan do të krijohet edhe një e ashtuquajtur “Banana republic” e cila jo vetëm që s’do të jetë e aftë për të qenë partnere strategjike me SHBA-të e BE-në, por edhe do ta bëjë shumë të vështirë ruajtjen e sigurinë dhe stabilitetit të Ballkanit si prioritete strategjike të strukturave euro-atlantike të sigurisë.

Këtë herë, për nevojën e Shqipërisë për një politikë të jashtme të përbashkët midis Kryeministrisë dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Për nevojën e një politike të jashtme të përbashkët shqiptare, në shkrimet e radhës…

Filed Under: Analiza Tagged With: (të përbashkët)?, A ka nevojë, Albulene Halili, Shqipëria për një politikë të jashtme

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT