• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

E DUA XHAMINË BLU

February 25, 2019 by dgreca

– Emërtimi i PD-së, “Xhamia Blu” më çoi në retrospektivë duke e lidhur të shkuarën  me  shqetësimet  e miqve të mi në të tashmen. Gjithashtu  më solli në mendje vizitën time të parë në Stamboll… Pasi vizitova Hagia Sofia, kërkova të shihja  dhe  Xhaminë Blu, përballë të parës./

–  I përkas besimit të krishterë. Pasi kam studiuar Biblën dhe Kuranin,  kam arritur në përfundimin se (shumë e shumë vite më parë dhe e kam përsëritur disa herë dhe në takime të ndryshme), Librat e Shenjtë janë  Gjysh  dhe Stërnip ose Bijtë e Bijat që vijnë nga i njëjti trung dhe që kanë një baba: Abraham. Së fundi, bindjen time e vërtetoi dhe Ati i Shenjtë, Papa Francis,  në dokumentarin kushtuar jetës së Tij, “Pope Francis: A Man of His Word”, me  Drejtor të Dokumentarit, Wim Wenders dhe në  vizitën e Tij në Emiratet e Bashkuara./

–Tani hipokritët flasin  për një  takim të dytë të Diasporës?! ………..Takimi aktual i lidershipit socialist për diasporën është vetëm një përpjekje mjerane për elektorat majtist! Takimet për Diasporën asnjëherë nuk do jenë efikase dhe të plota derisa pozitë dhe opozitë nuk do kenë aprovuar një paketë strategjike ligjesh që të mërguarit të mos shkojnë në atdhe si delet pas dashit Kokëministër, por të shkojnë si fëmijët tek nëna, tek toka ku kanë lindur, tek dheu i të parëve. E drejta e tyre të jetë për të zgjedhur dhe  të zgjidhen. /

NGA ALFONS GRISHAJ/

1 Alfons Dan Everts.JPG

Ne Foto: Alfons Grishaj me ish Kreun e OSBE-se ne Tirane, Daan EVERTS/

1-Biseda telefonike

Para pak ditësh një miku im patriot që merret me  media më bëri një  telefonatë… jo si telefonatat që i kemi të shpeshta. Ai  shprehu indinjatën që Partia Demokratike e Shqipërisë dhe kreu i saj Basha, kishin zgjedhur në Këshillin Drejtues dhe Kryesinë e PD-së, 99% të besimit musliman dhe 1% të besimit të krishterë. Miku im, i cili për nga origjina i përket besimit Bektashian, pranon se për të, të dy besimet janë njësoj, por ky veprim e kish lënë pagojë: “Për vete, e  para jam shqiptar, pastaj jam besimtar, po kjo nuk kalohet lehtë.  Origjina e besimit shqiptar është  e krishterë. Është ky besim që  ka mbajtur të gjallë kandilin e diturisë dhe zhvillimit. Tani e tutje … unë nuk do e quaj më Parti Demokratike, por Xhamia Blu! Më beso, një gabim  i tillë do të ketë pasoja për PD-në, por dhe për kulturën demokratike dhe mirëbesimin reciprok.”

Biseda telefonike me mikun tim patriot, më solli në mendje vuajtjet, dhimbjet, atentatet, vështirësitë  që  jetuam  për të krijuar foltoren e lirisë, kështjellën e Partisë Demokratike. Atëherë nuk dinim kush ish i krishterë apo musliman,të gjithë ishim vëllezër dhe motra. Lojrat e tanishme nuk ekzistonin, sepse nuk dinim a do ta gdhinim të nesërmen. Eksperimentet  nuk zinin hapësirë  alibie se krijonin labirinthe pa dalje.

2- Duke kujtuar të shkuarën e hidhur, por duke mos humbur në të shkuarën  që të humbasim shansin e të ardhmes.

Aktualisht nuk ekziston  morali dhe ideali i hapave të para. Pazaret e sotme janë  amorale deri në atë pikë sa kur i dëgjon apo i lexon të vjen ndot prej vetes. Çdo gjë del pazarit, biles dhe të mbathurat me lajle e lule,  sepse  kodi i burrërisë,  i unitetit të brendshëm shkelet nga udhëheqësit e rremë. Në ndihmë i vjen dhe kritika ekstremiste që turbullon ujërat duke i çuar në mullirin e kundërshtarit… Padija nxit mekanizmin e fantazisë duke prodhuar hamendjen,  dhe kjo e fundit merr shtrirje gjeografike të tejskajshme, sa dhe disa nga ne fillojmë ta besojmë nonsensin e shpikur se PD qenkësh produkt i Ramiz Alisë! Nuk e di se si logjika e sprovuar mund të degjenerojë në delirium tremens?!  Mendoj se, kur gjuha i paraprin mendjes dhe diskuri nuk ka ftohtësinë e arsyes, pështjellimi është i pashmangshëm.

Më vjen shumë keq kur i lexoj apo i dëgjoj këto “pohime”, sidomos kur akuza del nga pena apo goja e ndonjë personi serioz. More… more njerëz!  Kush i plagosi dhe vrau  bijat dhe bijtë e nënave me 2 Prill në vitit 1991, dhe nuk ishin pak, 4 të vrarë dhe i pesti vdiq pas 15 ditësh, pa harruar se u identifikuan 120 të plagosur me armë zjarri dhe mjete të forta. Shumica  anëtarë  dhe  udhëheqës  të  PD-së, përfshi Arben Broci,  antar i Kryesisë PD, dhe Nazmi Kryeziu, që ishte kryetar seksioni. Kush i vrau Artan Lenjen, Pëllumb Pëllumbin, Olsi Lorjen, Josif Budën? Kush e vrau  Senahi Gjekën, antar i PD-së, plagosur me 2 Prill 1991, dekoruar me “Medaljen e Trimërisë”? Fundërrinat e komunizmit e ekzekutuan para derës së shtëpisë,  dhe më pas vrasjen u justifikuan  sikur ai qe  një kontrabandist. Veç të shihje vrimat e plumbave përreth shtëpisë së  Senahiut, sikur  të ishte në  Irak  apo Kandahar. Komunistët, me këto lloj pisllëqesh u munduan ta mbulonin dhe  vrasjen e  heroit legjendar,  Azem Hajdari.

Helmi i propagandës komuniste shqiptare deportoi përkohësisht dhe në OSCE, organizatën më të fuqishme botërore që ishte krijuar enkas kundër komunizmit lindor. Ndërruesit e xhaketave të kuqe punuan pandërprerë ditë e natë duke akuzuar PD si minuese të demokracisë, si vrastare. Bash vrastarët hiqeshin si të moderuar, duke u paraqitur si shpëtimtarët e demokracisë, kur mbi shpinë kishin një mal ekzekutimesh e internimesh. Po si mund t’u besohej  atyre njerëzve?!

Propaganda e kuqe është si uji që porsa gjen një plasë… merr mbarë gjithë godinën dhe po të mos ndeshë në pritë… merr oborrin, lagjen dhe më gjerë.

Kjo na bëri që të ballafaqoheshim në zyrën e OSCE ( OSBE), ku kemi debatuar me fakte, emra, data për vrasjet e aktivistëve të opozitës. Në emër të Unionit Anti-komunist Shqiptar, i dorëzova kreut të OSCE, listën e vrasjeve, burgosjeve dhe shkarkimeve nga puna (detyra) të aktivistëve të opozitës të kryera nga shteti, duke e pyetur z. Everts: “Unë ju solla gjithë këto fakte, ju lutem më jepni një fakt të vetëm që antikomunistët dhe PD të kenë vrarë apo keqtrajtuar komunistët gjatë trazirave në Shkodër (Shkodrën  “roccaforte” (bastion) i demokracisë, siç quhej nga Euronews dhe shtypi europian  gjatë viteve  97-99), Tiranë etj…?  Kryetari i radhës së OSCE.  Daan Everts, më shikoi drejtë  në sy  dhe serioz u çua në këmbë  “Today… God, I’m speechless! I am sorry! May I shake your hand Mr. Chairman?” Pas këtij takimi, z. Everts më shkroi një letër që dënonte dhunën e qeverisë së kallashnikovëve, letër që u botua me lejen e tij në gazetat RD-së dhe 55. Kryetari i radhës i OSCE Daan Everts, u bë miku më i mirë i UASH. Si diplomat me shumë përvojë,  ai i la porosi dhe pasuesit të tij, Geert Hinrich Ahrens, që t’i referohej Unionit Antikomunist në rastin e turbullirave dhe paqes.

Kur logjika manipulohet prej urrejtjes, nuk ka forcën e arsyes për të bindur askënd, sepse furia e denoncimit korruptohet rrugës nga urrejtja. Por, sapo e vërteta shpërthen energjinë pozitive, manipulimi i urrejtjes vdes dhe  triumfon realiteti.

Asnjëherë nuk jam munduar të justifikoj gabimet e PD-së dhe Sali Berishës, gabime që vinin nga papërvoja rrugëtimit përmes shtigjeve të panjohura të demokracisë. Dua të kujtoj dy momente të vështira që i kushtuan PD-së: Nxjerrjen e Partisë Komuniste jashtë ligjit dhe Piramidat. Nxjerrja e PK-së jashtë ligjit xhindosi Europën kurvë e cila e denoncoi këtë akt si  shkelje e të drejtave themelore të njeriut, biles ndonjë komunist italian shkoi më tutje duke thënë se rendi ri  në Shqipëri është fashist. Kjo i kushtoi shumë PD-së dhe Berishës, sa u deturuan ta pranonin sërish Partinë Komuniste që u rikrijua nga Hysni Milloshi… Kthesa e të Majtës Europiane me disa “demokratë” amerikanë “futën derrat e djegur” nën themelet e  kështjellës së demokracisë, ashtu siç bëri Gjeneral Selauhdin për të rrëzuar muret e kështjellës së shenjtë në Izrael. Piramidat qenë një formë kamuflazhi social-komunist si e vetmja formë për të ardhur në pushtet. Ringjallja e  kastës së rrënuar të diktaturës punoi ditë e natë për të frymëzuar  psikologjinë e pasurimit të lehtë, fitim aforfajt pa djersë nga një popull i varfër deri në kockë, i cili vinte pas një regjimi absurd, ku paga e punëtorëve shkonte 4 – 5 dollarë në muaj, dhe ajo e kuadrove, 7 – 11 dollarë. Gjatë pushtetit demokratik paga u rrit 120-150 dollarë, një rritje  e ndjeshme,  por  e pamjaftueshme në raport më tregun e lirë.

Strategjia e menduar mirë nga të majtët nxiti  revoltën  më agresive në historinë e popullit shqiptar. U dogjën institucionet, u plaçkitën bankat, ushtria u vetërrënua sipas planit, sepse brenda ishin dhe vepronin akoma detashmentet e të kuqve. Në këtë katrahurë humbën jetën mbi 3700 vetë. Për paratë e “vjedhura”, gijotina ra pafaj mbi qeverinë demokrate. Populli shqiptar i gënjyer nga propaganda e djallit gaboi rëndë duke ngatërruar piramidat e kuqe me demokracinë e brishtë. Në demokraci duhet punuar e   djersitur fort për të shijuar frytet e lirisë, por  siç duket, Shqipëria nuk ishte përgatitur akoma për këtë ndryshim. Pas traumës së tejskajshme të varfërisë në komunizëm, njerëzit menduan se erdhi koha të pasuroheshin lehtë, pa punuar. Po a ekziston ky irealizëm ndokund?! Vetëm në komunizmin e gënjeshtërt. Qeveria e PD u gjet e papërgatitur për hilen e radhës dhe bëri gabimin më fatal që nuk i arrestoi me kohë të gjithë fajdexhinjtë, të denonconte dhe të gjithë emrat e sportelistëve e arkëtarëve të piramidave, përfshi këtu dhe drejtorët e tyre, të cilët shpesh ishin ish oficerë dhe anëtarë të PP-së! Sikur të bëhej atëherë, populli do sqarohej, por dhe tani nuk është vonë. Piramidat e fajdeve ishin  një strategji e të majtës europiane që i dinte mirë  pasojat.

Tragjedisë së viteve të diktaturës iu shtua dhe një dhimbje, humbja e shtëpive dhe atyre pak të hollave që shqiptarët kishin kursyer me sakrificë të madhe. Populli që ishte mësuar, sipas propagandës komuniste, ta shihte shtetin si faktorin garantues të çdo aktmarrëveshjeje private të ligjshme e të paligjshme, fajësoi qeverinë, gjithnjë sipas së njëjtës optikë se shteti duhej të ishte dhe zgjidhësi i këtij problemi, ndaj dhe u gënjye lehtë kur Nano u premtoi rikthimin e plotë të parave, premtim që u shkel me cinizëm, sepse i tillë kishte qenë që në artikulimin e parë.

Sot, udhëkryqi i të kaluarës sjell një pyetje therëse në të sotmen: a duhet të rrimë gjithë jetën duke qarë me kokë prapa nga e shkuara, kur shohim të sotmen e shëmtuar dhe zhgënyese, të nesëmen e pasigurtë e pashpresë  nga një qeveri që  zvarrit  popullin në kufinjtë e vetëmohimit?

Pa asnjë mëdyshje theksoj se atyre që mendojnë të rrimë me kokë prapa duke i rënë njëri-tjetrit dhe forcave opozitare, PD-së, Bashës me shokë, duke dyshuar në të ardhmen, rinovimin e PD, më duhet t’u kujtoj një thënie të Jul Çezarit, kur iu ankuan se u dogj Biblioteka e Aleksandrisë e bashkë me të, e shkuara, Qezari iu përgjigj : “Unë nuk merrem me të shkuarën por ndërtoj të ardhmen!” Dhe nëse Basha ka për bazë përmbajtjen filozofike të thënies Çezarit, i qoftë  e mbarë udha e nisur, se u bëmë invalidë duke ndenjur me kokën pas. Të gjithë na duken të pabesë, të gjithë komunistë, të gjithë maskarenj, të gjithë tradhëtarë, të gjithë hajdutë!

E kam thënë me qindra herë se ka pasur krim shtetëror komunist… orgji-politike dhe zhurmë bretkosash. Ka kleptokratë dhe oligarkë, por populli shqiptar (një popull prej 15 milionësh) me gjithë mangësitë e veta është një ndër popujt më të mrekullueshëm në botë që ka fuqi të ndryshojë historinë dhe fatin e vet, dhe tani është koha që të krijojmë bazën e standarteve  civilizuese perëndimore, t’i shtrimë dorën e paqes njëri-tjetrit drejt një të ardhmeje të sigurtë. Kjo paqe duhet bërë, për hir të aspiratave të hershme, për hir të Shqipërisë për të cilën luftoi Skënderbeu dhe që ëndërruan rilindasit. Për Shqipërinë që deshi dhe do Vatra. Për atë Shqipëri që u përpoq Ismail Begu e Gurakuqi me shokë. Atë Shqipëri që sanksionoi Kuvendi i Lushnjës.

3- E dua Xhaminë Blu

Emërtimi i PD-së, “Xhamia Blu” më çoi në retrospektivë duke e lidhur të shkuarën  me  shqetësimet  e miqve të mi në të tashmen. Gjithashtu  më solli në mendje vizitën time të parë në Stamboll… Pasi vizitova Hagia Sofia, kërkova të shihja  dhe  Xhaminë Blu, përballë të parës. Turku që na shoqëronte  u habit  nga kërkesa ime. Ai iu kthye Erolit (Shqiptaro-boshnjak  biznesmen që jetonte dhe punonte ne Turqi. Asokohe, Qeveria Turke, kishte një ligj që nuk i taksonte për pesë vite biznesmenët boshnjakë, prandaj dhe boshnjakët e ndjenin veten si në shtëpinë e tyre): “Mos e humbisni kohën kot me  Xhaminë Blu. Aty hynë vetëm pleq dhe të lodhur në krye.”. Fjalët  i shoqëroi me gjestikulacion (karakteristikë e ballkanasve), duke  vënë gishtin në kokë. Eroli më tregoi çfarë foli stambollasi, të cilit nuk ia kujtoi dot emrin tani. U ktheva nga Turku, duke i vënë dorën në sup: “Unë i përkas atyre të lodhurve në krye”. Hoqa këpucët dhe hyra në xhami…, brenda gjeta besimtarë që i luteshin  Zotit!

I përkas besimit të krishterë. Pasi kam studiuar Biblën dhe Kuranin,  kam arritur në përfundimin se (shumë e shumë vite më parë dhe e kam përsëritur disa herë dhe në takime të ndryshme), Librat e Shenjtë janë  Gjysh  dhe Stërnip ose Bijtë e Bijat që vijnë nga i njëjti trung dhe që kanë një baba: Abraham. Së fundi, bindjen time e vërtetoi dhe Ati i Shenjtë, Papa Francis,  në dokumentarin kushtuar jetës së Tij, “Pope Francis: A Man of His Word”, me  Drejtor të Dokumentarit, Wim Wenders dhe në  vizitën e Tij në Emiratet e Bashkuara.

Sigurisht, ne nuk mund t’i ndalim djajtë e fshehur nën petkun e besimeve që mund të thonë: “Ky Papë është i marrë!”, ose këto që thotë Alfonsi janë gjepura. Po Zoti është i madh dhe Ai është gjykatësi dhe fituesi absolut, kurse ne… ne,  jemi gjithnjë të humburit.

Populli duhet të qëndrojë larg degjenerimit dhe urisë së udhëheqësve regresivë… qoftë shpirtërorë apo politikë. Populli shqiptar ka një rregullator brilant midis besimeve që  askush tjetër në botë nuk e ka,sa kur prishet ky rregull… quhet  gabim. Prandaj dhe miku im në Michigan dhe miq të tjerë  në botë e Shqipëri u çuditën me veprimin e lidershipit  të PD-së.

Më shumë se dy dekada, udhëheqësit e PD-së, e ruajtën raportin e besimeve  me fantatizëm, ashtu siç e ruajti populli shqiptar gjatë dy shekujve të fundit. Po a mund të jetë  ky raport tabu  në shekullin XXI?  Tradicioni i mirë duhet ruajtur dhe përçohet si kulturë kombëtare dhe jo si tabu. Nëse do të cilësohet  tabu, ju  siguroj se 90% të tabuve janë  rrëzuar në botë.

Shqetësimi i  elektoratit të djathë nuk qëndron vetëm tek besimet, por dhe në humbjen e kontributeve  të paraardhësve të PD-së, për disa figura që kanë kontribuar fuqishëm në PD dhe që njihen si lidera të sinqertë, të cilët sakrifikuan shumë më tëpër nga vetja për demokraci  se sa fituan. Largimi i tyre nga  të rinjtë e ardhur në PD është një gabim me pasoja, sepse duke menduar se korrigjohet një e shkuar, gabohet për të ardhmen. Atëherë çfarë ndodh? Të rinjtë që vinë për t’u bërë udhëheqës duhet të kalojnë po aq humbje dhe peripeci për t’u pasuruar me përvojën e të larguarve, d.m.th. shkelet mbi një sprovë që të mësohet përmes një prove të kaluar. Kështu vazhdon saga ku nuk ka gota e jo më shampanjë. Kjo pakujdesi zvogëlon elektoratin përditë dhe artificialisht ndihmon kundërshtarët.

Megjithatë, mangësitë që përmenda më lart mund të rregullohen me zgjuarsi, durim  e largpamësi. E përsëris, shpresoj se rinia dhe lidershpi i PD-së kanë çfarë të mësojnë nga sëmundja e gjatë e tranzicionit por dhe nga përvoja tashmë e konsiderueshme nga pikëpamja historike e opozitës. Shpresoj që ata të jenë idealistë dhe vizionarë që PD të fitojë, dhe  nëse fiton PD, fiton  Shqipëria. Kam besim gjithashtu tek rinia e “Rilindjes ”  se do të vijë një ditë që ajo rini do të gjejë rrugën e distancimit nga oligarkët dhe tradita e shëmtuar e të bërit karshillëk mbi gjakun e vëllaut të vet. Korigjimet njerëzore ngjallin shpresën për të ndërtuar të ardhmen, të ardhmen e Shqipërisë së bashkuar me opozitarë, por jo armiq! Në qoftë se  kjo rini politike ëndërron të bëhet e pasur pa menduar detyrën e shenjtë  ndaj atdheut, katastrofa politike do të bëhet stafetë. Regresi do mbretërojë e kthehet në kancer! Mos harroni çfarë thotë St. Francis, i cili dinte dhe  gjuhën e kafshëve dhe të zogjve: “Kujtoni, kur të ikni nga kjo botë asgjë nuk do merrni me vete… vetëm çfarë u është dhënë”. Në qoftë se kjo thënie perlë e Shenjtit më të madh që ka pasur njerëzimi, nuk do kihet parasysh, në  Shqipëri,  banditët  do të bëhen ministra, kryministra dhe presidentë. Pjesa tjetër do mbesin pleq, të cilëve do u largohen fëmijët jashtë atdheut, në perëndim për një jetë më të sigurtë. Shqipëria do vuajë nga hemoragjia Biblike, ku Diaspora do të arrijë në 18 apo 20 milionë. Shteti shqiptar do bashkojë trojet, por kurrë më popullin e vet. Shpirtërat e shqiptarëve të mërguar nuk do gjejnë kurrë qetësi duke u shuar një e nga një nëpër kontinente pa u rënë kockat në  paqe.

Tani hipokritët flasin  për një  takim të dytë të Diasporës?! 

Takimi aktual i lidershipit socialist për diasporën është vetëm një përpjekje mjerane për elektorat majtist! Takimet për Diasporën asnjëherë nuk do jenë efikase dhe të plota derisa pozitë dhe opozitë nuk do kenë aprovuar një paketë strategjike ligjesh që të mërguarit të mos shkojnë në atdhe si delet pas dashit Kokëministër, por të shkojnë si fëmijët tek nëna, tek toka ku kanë lindur, tek dheu i të parëve. E drejta e tyre të jetë për të zgjedhur dhe  të zgjidhen.

Nuk janë borxhli emigrantët, por qeveritë amorfe shqiptare që nuk janë në gjendje të kalkulojnë matematikisht dhe filozofikisht bashkimin e forcës dhe shpirtit vital të emigrantëve. Hipokrizia e qeverisë majtiste arrin kulmin kur përpiqet për të bashkuar Diasporën pa ndalur hemoragjinë e pjesës vitale shqiptare, rininë, që largohet përditë. Të zgjedhurit e ambasadave social-komuniste zgjedhin aminxhinjtë e diallit për t’i vënë gjyslykë qorrash diasporës. PO SI NUK DOLI NJË BURRË NËNE QË T’I THOTË HIPOKRITËVE QEVERITARË: “More, përse na ftoni neve këtu,  derisa ju nuk jeni në gjendje të mbani popullin që keni brenda kufinjve, t’u siguroni nevojat minimale rinisë, të cilët marrin përditë arratinë sikur t’i ketë rënë kolera Shqipërisë?! Po “delegatët” zgërdhihen si Urjah Hipët, duke dalë nëpër foto me kasapët e hemoragjisë, të cilët për mendimin tim, duhen rrëzuar me çdo lloj mjeti demokratik, e jo më të marrësh pjesë në takimet e tyre. Çdo pjesëmarrje në samitet e qeverisë së krimit, automatikisht është bashkëpunim në krim.

Jam i kënaqur që kam mbetur klasik pa u shkëputur asnjë çast nga Partia Demokratike e Shqipërisë, e cila është një vlerë e paçmuar,  rregullator kombëtar që sjell përparim e mirëqënie. Falë nënvetëdijes, pavarësisht se kush do vijë dhe  shkojë… PD  ka për të shkëlqyer,  sepse ka   kontributet e familjeve më në zë në Shqipëri (ka pasur dhe spiunë të Ramizit, por ata kur janë diktuar janë nxjerrur jashtë), ka kontributet e një rinie idealiste brilante përfshi këtu shumë bija e bij që dolën kundër kauzës së humbur të prindërve të tyre,  që nuk menduan asnjëherë për zyra, ofiqe e grada, por vetëm të sillnin ndryshimin e madh historik. Unë kam mbetur atje me ata  idealistë dhe idealiste  që e deshën dhe e duan Shqipërinë  si nënë  të madhe, si komb! Jam i sigurtë se forcat përparimtare do e gjejnë veten, dhe pse miqtë e mi të acaruar nga një proces votimi (besoj jo i qëllimshëm), e quajnë PD-në: “Xhamia Blu”! U them të gjithë atyre… dashamirësve, dhe kundërshtarëve të PD-së: E dua “Xhaminë Blu”, vepër e një rinie të papërsëritshme,vepër e  gjakut të shokëve  të mi Arben Broci, Azem Hajdari dhe heronjve të tjerë që sakrifikuan jetën. Vepër e një anëtarësie të ndershme që djersiti dhe sakrifikoi gjithçka për lirinë që gëzojmë sot.

Filed Under: Featured Tagged With: alfons Grishaj, Dan Everts, E DUA XHAMINË BLU

ME DASHNI

February 8, 2019 by dgreca

ALFONS GRISHAJ NE SOFREN POETIKE E DIELLIT/

2-Alfons-Grishaj1-250x300

ME DASHNI/

sa  her zemrimin tem e kam shpla n’ detin me kryp/

e  mprapa e kam tha n’ erën e egër t’ veriut/

tuj këndu me harp paqes me arna/

qi valvitet mbi dallg’t e detit/

pa u myt/

 

sa her e kam shky betimin me ndez nji qiri

n’ errsinën e mkatarit t’ thërmum e fikun

tu i mbledh thrrimet  si lot’ e dyllit

e  ndërtu rishtas nji zjarm t’ ri

 

sa her rrezatimin e synit e kam derdh mi trajtat e luleve

lutun me lulzue   dhe n’ dimën

qi me  busllue  ndjenjat

t’ ngatrrueme  si fije merimange mbi  tra

 

sa vjet ka qi penelin e kam varros

me kujtimin e gozhdum n’ syrtarin e memorjes

qi pshertinë prap si nji dame kineastësh n’ andrra

tuj m’ ftu  për nji vals qiellor

 

po bahem nji me andrrat  në flautin magjik

veç jo me hijet qi kan djeg dashnin teme n’furrën e urrejtjes

tuj mendu se kan djeg  nji idil

 

O Zot valsin e dytë e vallzoj  me dashni

e buzqeshje t’pa vrame

tu i grish trumpetat n’ hapjen e

portave t’ qenies shpirtit

drejt galdimit hyjnor

 

UDHËTIMI I DYTË

me Bukowskin kam shetitur në paralelet

e globit mes vargjeve  të mockinbird

traktateve  të jetës së

përditshme

 

me Rumin kam udhëtuar

brenda drithmës poetike

filozofisë së papërsëritshme

që zbulon universin

 

me Danten kam mësuar

ëmbëlsinë e dashurisë

sekretin e jetës

fundin palavdi

dhe lavdinë e pafund

 

ASKUSHI

askushi mori foton time

dhe si guzhinier i keq  gatoi një sallatë

në piatën e shpuar të delitantëve

duke  mbllaçitur  si kau  kashtën

pa shijur kallirin e artë të grurit

zëzëllonte  si vravashkë

ne fotoshapin e letrave higjenike

shtypur në  bordello

 

me këpucë Boss dhe

tantellë trotuari

zbërtheu zinxhirin

në  piacën e prostitutave

duke çelë  dritën  jeshile

tërlikeve të rënë…

 

 

 

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: alfons Grishaj, Askushi, cikel poetik, Me Dashni, Udhetimi i dyte

Një nga Dhjetë Urdhëresat, Gënjeshtra

January 24, 2019 by dgreca

/1 Alfons-Grishaj

….. FILLIMI/

Adami  dhe Eva qenë të parët që thyen urdhëresën e Zotit  me frutin e ndaluar. Që aty njeriu mendoi se do fshihej nga Krijuesi, duke gënjyer vetveten, por jo Zotin. Siç shihet, dashuria për krijesat hyjnore qe në format adhuruese, por jo  urdhëruese… sepse urdhëri nuk ishte bërë vetëdije  ekzistente.

Realiteti vazhdoi i hidhur, dhe shthurja e pabesia detyruan  Zotin t’i tregonte të birit të Lamekut, Noehin, të ndërtonte arkën se, Ai (Zoti),  do të ndëshkonte njerëzimin e pabesë.

Përsëri disiplina skematike dhe bindja ndaj të adhuruarit ishin larg shpirtërores. Ndjesia e përkushtimit ritual pluskonte në sensin pagan. Egërsia dhe brutaliteti nuk kishin kufi deri në fatalitet. Njeriu i vërtetë mund të kërkohej me kandilin e Diogjenit  në ditën me diell.

Ardhja e fenomenit Abraham, përkon me fillimin e ndërgjegjësimit se njeriu nuk qe i rastësishëm në tokë, por kishte një Krijues që fliste me gjuhën e Tij, dhe se  njeriu  ishte i detyruar  të ndiqte disa rregulla jetese  bazë  për të justifikuar frytin e dhënë: Jetën.

Mëkati dhe shpërfytyrimi i njeriut nuk ndalej, gjë që  detyroi Zotin të godiste përsëri tokën: Gomorën dhe Sodomën, jo në përmasat e kataklizmës, por të ndëshkimit lokal. Megjithatë, Hyu nuk u lodh me mirësinë e Tij, i cili flauroi herë pas here njeriun deri me  ardhjen e Profetit Moses, që skaliti prekshëm “Dhjetë Urdhëresat”, mes të cilave  qe: “ Mos dëshmo në rrenë”. Por dhurata më e vyer e Hyut, jeta u keqpërdor prej grykësisë së njeriut, derisa u quajt “gënjeshtër!” Vetë Solomoni Profet (Sulejman në Kuran), njihet si mëkatar… ku i vë dhe  vulën me thënien e tij: “Vanitas vanitatum omnia vanitas!”. Sa dhe sot e kësaj dite, disa e quajnë misterin e jetës: kotësi, gënjeshtër!

Njeriu vazhdoi t’a nënçmonte privilegjin e Hyut, deri me ardhjen e Krishtit (Anno Domini,  Në vitin e Zotit, ose Viti Një) Kryqëzimi dhe ringjallja e Tij e bëri besimtarin të ndërgjegjshëm që fryma e shenjtë ekzistonte dhe njeriu ishte produkt i saj, pra nuk ishte gënjeshtër. Shumë u kthyen dhe jetuan në bazë të ligjeve të sanksionuara  nga Hyu, dhe përballë  rrezikut për jetën asnjëherë nuk gënjyen, “Oh na falni, se ne nuk jemi të krishterë”, por u martirizuan dhe nuk e shkelën besimin ndaj Zotit.

Shekuj më vonë ky martirizim do përsëritej me Klerin Katolik (ku para pushkatimit thanë: Rroftë Shqipëria! Rroftë Krishti mbret!), dhe disa personalitete të Klerit Musliman  Shqiptar të  linçuar  nga Hidrat bolshevike, që kishin për Zot një gënjeshtër të madhe që quhej, Komunizëm. Dhe që të mbahej ky ‘Zot” duheshin flijime njerëzish si në kohën e Keltëve (ligjet barbare të flijimit të njerëzve për Zotat e rremë), ashtu si dhe  në anën tjetër të Atlantikut në qendër të Amerikës, njohur si qyteti i Teotihuacan, “vendi ku lindën Zotat”.

Civilizimi i botës, ngriti kështjella besimi, dhe rëre. Shpata bënte lumenj gjaku, ndërsa pushka, dete… Dega e ullirit nuk u mboll në çdo vend. “Dhjetë Urdhëresat” u shkelën, u nëpërkëmbën mizorisht. Urdhëri: “Mos bëj dëshmi të rreme” ose më saktë,  “mos gënje!”,  u përsos deri në atë shkallë sa dhe pse  mëkat, një pjesë e njerëzimit dhe sot nuk mund të jetojnë më pa të…! Politikanët    mëkatarë, gënjeshtrën e kthyen  në hobi dhe mjet përfitimi ashtu si Kryeministri Rama, që shitjen me centë të ndonjë shkarravine e sjell si justifikim të pasurimit tij!  Ndërsa pseudo-historianët  dhe pseudo-krijuesit, rrenën e stiluan në gavetë ushtrie. Gjithsesi, gënjeshtra  është  mëkat, por mendimi im është se,  gënjeshtra nuk rëndon njësoj si nga njeriu që përpëlitet për të mbijetuar dhe nga ai që e përdor për pushtet dhe privilegje. Nga ana vet, gënjeshtari është i bindur për vërtetësinë e mashtrimit dhe nuk i bën përshtypje, por nëse dikush e gënjen atë, zgavra e karakterit fals e quan fabulën të papranueshme, spekulative dhe shoqërisht të dëmshme e të rrezikshme.

Sot, fabula stiset në atë formë sa lexuesi i pavëmendshëm e merr gënjeshtrën  si asfalt në shkretëtirë, pa e kuptuar se pas këtij iluzioni të asfaltuar qëndron honi përpirës i rërës që fundos iluzionistin e bashkë më të… iluzionin.

Dhe pse, Volteri thoshte: “Fabula është motra e vjetër e historisë”, nuk ka lidhje me ndërrimin e detajeve,  datave, shtesa të emrave të paqenë në ngjarje, por me fabulat e stilit të “Njëmijë e një netëve” apo “Përrallat e Andersenit” që kishin si bazë legjendat e popullit.

Historia Moderne, është e prerë, distancuar nga sajimi, gënjeshtra apo zbukurimi. Divergjenca midis të vërtetës dhe gënjeshtrës nuk është si  “divergjenca” midis faktit dhe vizionit,  që shfaqet si dhuratë hyjnore dhe novacion, pasi kjo  mbjell fidane realiteti në antipod me  surrealen.

Për mendimin tim, Surrealizmi si lëvizje moderne është më tepër si një aventurë ekspresive kundër-fetare dhe politike (siç e pranojnë dhe vetë ata), se sa rregull dhe disiplinë klasike të jetuarit, menduarit dhe punuarit. Dhe pse, Paul Garon shprehet: “Surrealism, is not only an important method in elaboration the content of  ‘pie on the sky’  but it is only surrealism  that can take pie out the sky and put on in the diner table.”. (Surrealist  Subversions, citim i Sakolsky & Rosemont. F, 105). Realisht, kjo  thënie nuk përkon me të vërtetën e prekshme të tavolinës, por me sajimin e “bukur” dhe  thyerjen e rregullit të universit real, duke promovuar universin e çthurur. Gënjeshtra mund të jetë dhe propagandë, mund të jetë qëllim në vetvete, mund të jetë dhe sëmundje, por kurrësesi nuk mund të  përbëjë  kockën dhe palcin e të vërtetës,  siç na mëson Herodoti.

Nuk e kam ndërmed të bezdis lexuesin me thëniet e  Aristotelit, apo të bëj analogji (për veten tonë) me thënien e Epimenidës për Kretasit…, as të  shtjelloj Strawson, Tarskin etj. lidhur më gënjeshtrën, por vetëm do mundohem të tërheq vëmendjen e ndërgjegjes së atyre që përpiqen të shkruajnë histori: Nuk ka  shëmti më të madhe se devijimi i faktit  historik, antonim i të vërtetës, sëmundje  e karakterit të dobët. Gënjeshtra është si batica në breg që nuk e ndjen ujin derisa të lag, dhe, po të mos largohesh, të  mbulon të tërin.

E kaluara në të tashmen

Me të kaluarën e zezë nuk mund të bëhem mik, por as  nihilist. Me bindje e pranoj se ka pasur muzikë e këngëtarë, talente për t’u admiruar, shkrimtarë të mrekullueshëm, por gjithçka brenda kazanit lunatik. Dhe ndonjë punim serioz  historik, si për shembull:  Studimi i Universitetit të Tiranës për “Gjergj Kastrioti  Skenderbeu Dhe Lufta Shqiptaro-Turke e Shekullit XV, Tiranë 1967,  vishej me  tisin partiak dhe citime marksiste të panevojshme si: “Forcimi i pushtetit… të Skënderbeut në Shqipëri ishte për zotërinjtë venedikas një halë në sy”. F, 50-51. Mbase fjalët e Marksit ishin të sakta për rastin, po thënia e tij nuk u muar për saktësinë e shprehjes, por  për të denoncuar “armiqtë” e jashtëm perëndimorë  që në shekuj “ e patën halë në sy”  Shqipërinë. Siç shihet, nga punimi serioz bie niveli, dhe thënia e Marksit kthehet në art  teneqexhinjsh për të kallaisur bakrin izolacionist perëndimor të Partisë në pushtet. Sepse lexuesi serioz mund të pyes, meqë Venediku e kishte “halë në sy” Skënderbeun, pse bëri atëherë  aleancë me të… dhe anasjelltas? Saktë, kripto-propagandë, ose troç, gënjeshtër!

Siç shihet, kjo  gangrenë u hap në çdo dialog, tekst, poezi dhe  ese të asaj kohe. Sot, emigrantët shqiptarë në perëndim shohin të kundërtën e kripto-propagandës (!) që rrinte si çekan pas çdo personi ëndërrimtar e mendjehapur.

Sikur t’a zbusnim të kaluarën me gjykimin e sotëm perëndimor do të thoja se, të gjitha veprimet e asaj kohe ishin të kushtëzuara ne cungimin e konceptit të lirisë. Kjo kyç dëshirën dhe zbeh aksionin intelektual. Ideja e përgjegjësisë morale për veprimet nuk bie në njeriun e kushtëzuar, por mbi kushtëzuesin e lirisë që dhunon të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Vitet e fundit, ne fituam të drejtën të denoncojmë fallsifikimin, propagandën partiake (gënjeshtrën), vrasjet, burgimet, internimet, errësirën,  telat me gjëmba të një rrjeti mizor antinjerëzor… Përveç një pakice serioze studiuesish dhe historianësh, familjet që vuajtën, përfshi këtu disa intelektualë të ndërgjegjshëm të dy krahëve, vërejmë me dhimbje notimin në pauperizmin e vjetër. Disa e bëjnë me qëllim për të mbrojtur sajimet (gënjeshtrat) e veta, të tjerë flasin me hamendje duke ushqyer delirin e kotësisë së kotësive. Ca bashkohen me korin e bretkosave. O Zot! Teleportim fletushkash, gjallesash dhe të vdekurish!  Paradoksi gënjeshtër  vishet  me këmishë anti-plumb, duke asfiksuar të vërtetën. Gënjeshtarëve të vjetër u vinë në ndihmë dhe disa  “andreoid”,  që me urrejtje  duan  të  korigjojnë  të zezën në të bardhë, rrugës së “purifikimit…të zezën e bëjnë gri. Gjeometrikisht… një mëkat i ndarë përgjysëm, purifikim i gënjeshtërt! Atëherë pse hesht shoqëria jonë?!  Oportunizëm ? Për mendimin tim, oportunizmi ka qenë arma më e fuqishme e mbijetesës së shqipëtarëve, dhe këtë art e përdorin dhe sot  pa nevojë. Padiskutim ka njerëz pamëndyshje… të paepur për të  gjetur realen dhe çelsin e thesarit human.

                          Cubat  e Internetit

Fatkeqësisht, e drejta për të shkarravitur ka rënë dhe në dorën e  shpirtkatranëve, paganëve dhe hajvanëve, dhe këto janë sulur me të katra si “qentë në stervinë” për të “eksploruar” internetin dhe  duke shqyer dritaret e diturisë (se derë biblioteke apo librarie nuk shohin gjëkundi), e ashtu qenshe  krijojnë  “5  deri 25 vepra” që po t’i shtrydhësh të gjitha nuk nxjerr dot një epigram! Në këtë kërcim  kangurësh  kanë hyrë  dhe disa plaçkitës seriozë. Kalemxhinjtë e  syrtarëve të vjetër që shkruajnë për “estetikën”, “historinë”… “gjeografinë”   etj,  pa  hapur asnjë libër me dorë apo shkelur  asnjë pëllëmbë tokë të vendeve që shkruajnë. Burimi i shkrimit? Interneti! Dhe pse në internet janë qindra mendime, teori për një objekt  studimi, këtyre “kokave”  nuk u bëhet vonë  për burimin…po ka rëndësi “vepra” dhe turravrap bëjnë turli, me karrota, presh,  patëllxhana e kastraveca, këpurdha portabella, dhe së fundi  hedhin dhe ca bajga të thara si erëza moderne që çorba t’u shitet. O Perëndi! Paradoksi gënjeshtër nuk ka të sosur… është bërë gangrenë!

Pra, në shekullin XXI, gënjeshtra është bërë më virale se kurrë. Virusi mëkatar degjeneron pandërprerë dhe “thumbs up” janë të pakursyera, biles vlera aestetike. Siç shihet, miqësia e internetit nuk ka puls shkencor e as ndërgjegje kualitative, selektive  intelektuale, por vetëm instiktin viziv të shkronjësit, i cili dhe pse paraqet broçkulla e  gënjeshtra  duhet pëlqyer… se është  “miku e internetit”! Siç shihet rrena nuk është më mëkati i “Dhjetë Urdhëresave”, por Miss Zbukurimi (Gënjeshtra) me fustan të bardhë, gjoks klasik qumështor e vithe zanash, këmbë si shishe shampanje, që i bën pushtat të jargojnë, dhe intelektualët insufiçentë të fusin turinjtë në govatat e derrit. Kësaj i thonë: shformim i emancipuar, parathirrmë e pasthirrmës që po troket.

Mendimi im është: Në sensin logjik, çdo objekt ka një shtyllë konceptuale që konfirmon një fakt, dhe nuk ka nevojë imagjinare përderisa përpara kemivetë atë. Inkursioni i imagjinatës përdoret në rastin kur ne shohim objektin eluziv që nuk bind  koshiencën. Mënyra e perceptimit për të krijuar një objekt zgjon ingranazhin mistik të fantazisë që krijon maketin për t’i paraprirë objektit. E kundërta është sajimi imagjinar fantazmagorik që përpiqet të çmontojë  faktin  për të krijuar balonën emocionale pa helium, gënjeshtrën. Ashtu siç mendon dhe Frojd: “emocionalizmi i pavetëdijshëm është i pamundur”, unë mendoj se, ashtu dhe gënjeshtra e pavetëdijshme dhe e paqëllimshme nuk ekziston!

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, Genjeshtra, Një nga Dhjetë, Urdhëresat

KORI I BRETKOSAVE

December 26, 2018 by dgreca

2-Alfons-Grishaj1-250x300

Nga Alfons GRISHAJ/

Të gjithë e dimë se bretkosat janë banues të  kënetave, moçaleve e lumenjve të ndotur. Por, nuk është krejt ashtu… ka disa lloje bretkosash, që jetojnë në pemë, në barishte… biles ka dhe bretkosa urbane!

Sot do  merrem  me bretkosat urbane, të cilat njihen dhe për korin e “dashurisë” dhe të “seksit”, e që në vendin tim janë me shumicë. Kori i tyre është kulmi kakafonisë që gërvish natyrën deri në çmenduri, jo për të bezdisur ndokënd, mos o Zot, por për të ftuar të dashurat në vallen e shumëzimit. Ashtu siç thoshte zhaba e pakorrigjuar, Leon Trocki: “Femrat nuk duhet të kenë pronar, por duhet  të jenë të lira…”, ashtu dhe bretkosat e lartpërmendura, edhe pse kanë bërë ndonjë betim “anakronik”,  mundohen të jenë të lira!

Parajsa e netëve të verës çalon nga arroganca urrakëllitjeve të pandërprera. Dirigjenti i moçalit,  Zhaba, zë me pompozitet pozicionin e liderit, gjë që i bie në sy dhe vetë miopit, çfarë tregon se ai dhe vetëm ai është kryesori, ai dhe vetëm ai drejton korin që ekzekuton simfoninë e zhurmshme. Si Mbret i lakuriqësisë udhëheq uarranëëë… pasthirrmën e instiktit kënetor. Buzë tij  bretkosat e zhveshura  nuk shqetësohen aspak  për lakuriqësinë. Dhe vetë pederat e sotëm kanë kopjuar stilin e moskokëçarjes të botës moderne si manifestin origjinal të paturpësisë së lindur. Selia e grabitur ngjason me parajsën, por nuk është asgjë tjetër, vetëm  selia e baltës ku zhvillohet trashigimia e brezave. Mjerë ai që afrohet aty… se,  o kthehet në bretkosë, ose fiton zakonin e tyre për të jetuar me baltë. Terri i natës, ngjyra ekzaltuese, supremja e fshehjes dhe e pabesisë ngjiz instiktin amfib të përzier me atë kafshëror dhe rrit etjen e Perëndive të rreme, të cilët besojnë se janë pronarë të gjithësisë… dhe  si  ujqërit i ulurijnë dhe dritës  së hënës .

ADN e shtrembër ekspozon përbindshmërinë, pasojë e kryqëzimit amfib me atë shtazor, sa herë që ndjesia logjike ngatërrohet me instiktin. Pas kësaj, natyrshmëria e lakuriqtë balton rrugët e pastra të shpresës për ndryshim.

Zhurma që bëjnë është propaganda e “racës së re” me mentalitet të vjetër. Përpjekjet për të treguar se e ardhmja e filozofisë së zhvillimit është bretkosa kibernetike që mund të ndryshojë jetën me një të shtypur tastjereje, nga vdekje në “Rilindje”,  tregon tashmë se ndryshimi qenka përsëritje. Përsëritje dhe atëherë kur kori vishet me kostume algash, sinonim gjallesash dhe gjelbërimi. Ashtu si dhe bretkosat e brrakave malore, kanë të njëjtën qasje: arkitipe  të përsosura  aktrimi.

Asnjë shpresë nuk ka për të ndryshuar molekulat biologjike të ADN-së që trashëgon kopil-llëku banal. Bretkosat do mbesin bretkosa atje buzë kënetave dhe moçaleve, në qytet apo kudo të shkojnë, qoftë dhe në pallate të arta. Pas pak kohe ato pallate  do  kthehen në moçale, baltë  dhe këneta.

Së fundi: Kërkojnë ndryshim pëllumbat e paqes?! Metamorfoza nuk bëhet kurrë solide për petulla e gjilpëra, por për kujza (Kauza) të reja që ripërtërijnë krahë të fuqishëm dragojsh për të fluturuar njëherë e përgjithmonë nga dialektikat e gënjeshtëra dhe  baltat. Nëse jo, puplat e pëllumbave do mbushin sërish jastekët e bretkosave kibernetike, që ndryshojnë format, por jo lakuriqësinë dhe helmin!

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, KORI I BRETKOSAVE

Diaspora, shërbyesja e Kombit

October 17, 2018 by dgreca

… Një Diasporë patriotike e nderuar…frymëzon dhe rrit një komb të fortë dhe të qytetëruar/1-ok-Alfonsi-300x198Nga Alfons Grishaj/

Diaspora, kjo fjalë e përdorur për herë të parë nga izraelitët, pas shpërnguljes së pushtimit babilonas (mendohet se nga ana etimologjike rrjedh nga Greqishtja, “diaspeirein”, që do të thotë: “Të shpërndarë”, por ky shpjegim nuk është pranuar nga gjuhtarët izraelitë), u ndërkombëtarizua dhe përdoret dhe sot si definicioni i vetëm i pakicave të larguara nga shtetet amë.

Diasporat e kombeve të ndryshme kanë thënë gjithnjë fjalët e tyre në kohë  paqeje dhe ndryshimesh.  Amerika  është shteti model që u krijua nga diasporat e disa vendeve evropiane,  dhe  sot ajo gëzon statusin e shtetit më të fuqishëm në botë. Civilizimi dhe shtetet e fuqishme ekonomike janë  dadot që  rrisin diasporat.

Disa shtete si Amerika, Spanja, Gjermania, Italia, Australia, Anglia, Franca etj,  kanë një përqindje të madhe emigrantësh, të cilët kanë krijuar diasporat e tyre. Komunitetet  në emigrim kanë qenë dhe janë udhërrëfimi i ruajtjes vlerave kombëtare, patriotike, gjuhësore etj. Konstatoj se, disa diaspora  të kombeve të ndryshme kanë filluar të veniten, asimilohen në konglomeratin e etnive. Shpresoj që kjo mos ndodhë me kombin tonë.

Shqiptarëve të larguar nga atdheu, iu desh të bënin dy përpjekje, atë të rritjes mirëqënies, por dhe rritjen e ndërgjegjes kombëtare,  veçanërisht, frymëzimi për ruajtjen e kufijve të Shqipërisë. Me punën e tyre, ata ndërtuan një imazh të mirë, por historibërësit mbeten emigrantët e dekadës së parë, të dytë dhe të tretë të shekullit XX në  Amerikë, me në krye  Fan S. Nolin dhe Faik Konicën.

Tradita e emigrimit të shqiptarëve:

Thjesht, pa hyrë në histori dhe detaje, tradita jonë e emigrimit i ka fillesat e veta në kohërat e vështira të rreziqeve historike si rrjedhojë e vërshimit shkatërrimtar osman në territoret tona dhe ka vazhduar përgjatë shekujve me valë të ndryshme, por mund të thuhet se edhe vetë prirja natyrale për të emigruar për një jetë më të mirë e ka shkakun patjetër edhe sot e kësaj dite te rrethanat politike. Disa etapa kanë pasur përmasat e eksodeve e si të tilla mund të shënohen:

1- Emigrimi pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeu.

2- Emigrimet gjatë pushtimit pesëshekullor osman (rreth shtatë të tilla)

3- Emigrimet “për probleme ekonomike” në fund të shekullit XIX dhe gjatë dy dekadave të para të shekullit XX (Rumani, Egjipt, SH. B. A).

4- Ikja e emigrantëve të Shqipërisë për probleme politike pas luftës së Dytë Botërore, nga instalimi komunist në Shqipëri.

5- Largimi i pareshtur i malësorëve dhe dardanëve nga represionet politike të Serbisë.

6- Eksodi i ambasadave më 1990 dhe ai me anije drejt Italisë në mars 1991.

7- Eksodi Dardan nga makina kriminale Serbe gjatë luftës 1989-1999. Ky ishte dhe emigrimi më i madh dhe më i dhimbshëm në historinë e popullit shqiptar që nga koha e Skënderbeut.

Çështja e diasporës politike gjatë periudhës së komunizmit

Periudha e komunizmit është një periudhë e vështirë për vetë misionin historik të diasporës. Lufta e klasave i dha efektet e veta edhe larg atdheut. Përgjatë pesë dekadave (V-VI-VII-VIII-IX të shek.XX), pati një ndarje të dhimbshme, por parimore, mes nacionalistëve dhe enveristëve. Enveristët mbanin flamurin e huazuar me yll, kurse nacionalistët mbanin flamurin kombëtar. Njëfarë mënyre, të dyja palët ruajtën gjuhën, por jo zakonet, sepse u ndanë në bindjet e tyre: kult dhe tradicion. Kulti kishtë të bënte me huazimin komunist nihilist, kurse tradicioni me vazhdimësinë e gjeneracioneve të universit kombëtar .

Ndërhyrjet për të përçarë Diasporën nga jugosllavët e komunistët shqiptarë ishin evidente. Jugosllavët përdorën gjithë arsenalin e tyre propagandistik demonial, sa shqiptarëve të përkëdhelur, në kuadër të “Bashkim Vëllazërimit” u shpërndanin “Mirënjohje” e “Dekorata”.

Komunistët shqiptarë nuk mbeten prapa komunistëve jugosllavë. Ata dërguan “emisarë”  si Cufo Mullai me shokë. Megjithëse, Cufos desh i shkoi koka nga tre patriotë (…)-(…)-(…), ai nuk reshti aktrimin banal të spiunit vocrrak. Mullaj njihej që në Greqi si hafije, por falë historisë së babait, arriti të depërtone tek Legaliteti i Belgjikës. Si zakonisht, minjtë janë nuhatës ideal të vrimave të vogla për të penetruar ose shpëtuar…Pas kësaj, minjtë (Heronjtë e heshtur) fryhen tek sera e tyre, duke stisur gënjeshtra, si p.sh: “Korbat Ranë në Kurth”,  “Mërgata e Qyqeve”… dhe fallsiteti vazhdon dhe në ditët tona si një “dokument autentik”. Siç kam theksuar dhe në shkrimet e tjera, shumica e njerëzve tanë janë përrallorë dhe si të tillë kanë dëshirë t’u besojnë më tepër gënjeshtrave se sa të vërtetave. Mbase kjo… nga tradita e “legjendave” të huaja gojore… mbase dhe  përrallave me lubi e katallaj Kulturat e kazanit rus dhe distinktivat Mao, zbehën identitetin, duke  krijuar letërsinë Lej Feniste, e cila miun e bënte dragua dhe dragoin mi. Pra, kjo letërsi me erë na serviret dhe sot si zbulim dhe fakt?! Oh, mjerim intelektual…barsolinë  kungulli e fukarenjëve në tru!

Megjithatë, fryma tradicionale triumfoi si e vetmja rrugë për të fituar terrenin e humbur. Brezi nacionalist nuk ndryshoi, por ndryshoi brezi i indoktrinuar që  kuptoi se, me rregjimin diktatorial kishin humbur shumë. Kjo fitore u takon padyshim patriotëve të ndershëm që bashkëpunuan ngushtë me udhëheqësit shpirtërorë,  të cilët i kthyen qendrat fetare në streha nacionalizmi për të ruajtur  vlerat e larta të qytetërimit shqiptar.

Në ndihmë të emigrantëve të vjetër erdhën emigrantët e Shqipërisë, të cilët kishin qëllim për ta çuar dhe zhvilluar më tej kulturën dhe traditën. Angazhimi i tyre solli një frymë të re balancuese dhe integruese. Por, shpejt sëmundja proserbe dhe enveriste u përpoq ta ndalonte avancimin e të ardhurve nga Shqipëria, të cilët të etur për liri e përparim, moderuan balancat. Zhvillimet e emigrimit të ri rritën emrin e Shqipërisë në botë, por dhe nga ana ekonomike u bënë garanci për familjet që vuajtën nga impakti i tokës së djegur. Megjithatë shtetet e Shqipërisë dhe Dardanisë nuk çmuan asnjëherë kontributin e emigracionit si rregullator ekonomik dhe ruajtës të vlerave etno-kulturore, dhe aq më pak kontributin politik në shkatërrimin e Jugosllavisë dhe zhvillimin e demokracisë në Shqipëri.

Nga përvoja ime në 18 vite emigrim në Amerikë, nderimi i bërë Institucioneve Fetare në Michigan, ka qenë akti vlerësues më i sinqertë i iniciuar nga disa patriotë dhe mbështetur fuqishëm nga Ambasadori Galanxhi dhe Presidenti Nishani. Më pas, pati dhe disa nderime të goditura si, Vatra, Gazeta “Dielli” dhe disa personalitete. Me keqardhje mund të them se pjesa tjetër e dekorimeve shkoi në adresa të lehta, sepse nuk shkuan tek zemra e patriotizmit, por u stacionuan tek njerëzit me njohje personale apo të biznesit që arritjet i kishin në sektorin privat dhe jo në atë kombëtar. Shumë heroj të dekadave mbetën anonim. Subjektivizmi qorr i institucioneve të Shqipërise dhe Dardanisë, kërkonin “Emra të Mëdhenj”, duke nderuar njerëz të vegjël. Oh, mendësi anakronike! Stil i modernizuar nihilist, efikasitet qesharak deri në atë shkallë sa, “Nderi i Kombit” të emërtohei, “Nderi i Korbit”, ose të bëhei humori i ditës i të talentuarit humorist, Agron Llaka… Kjo ndodhi sepse informacioni njohës vilej nga persona zyrtarë që lidheshin me persona të tretë mbi bazën e  njohjes personale që nuk kishin asnjë lidhje me komunitetin e gjerë. Personat “këshilltarë” në të shumtën e rasteve ishin kalimtarë dhe aspak objektiv. Fatkeqësisht, ambasadat, që duhet të kryejnë rolin e evidentuesit të vlerave, mbetën të njëanshme dhe jo gjithëpërfshirëse. Në këtë këndvështrim, institucioni i ambasadës është i detyruar të ndjekë preferencat e ngushta të sahanit dhe jo  të tabanit.

Ministria e Diasporës, një institucion imprudent me në krye Majkon, bën propagandë partiake për të krijuar celula dhe testuar votat e emigracionit dhe as që i shkon në mendje  të krijojë një strategji integrimi dhe bashkëpunimi mbarkombëtar për të zvogëluar distancën midis subjekteve dhe preferencave. Natyrisht, njerëzit e vegjël janë të kufizuar në ndërgjegje dhe shpirt. Sikur dhe   këmborë të artë t’u varësh në qafë, rrugës e mbushin me sanë për të mos dëgjuar tingullin e mjetit që justifikon qëllimin e shpikjes. Ka biznesmenë patriotë, por ata janë të paktë, se vetë fjala biznesmen e ka definicionin tregtar. Sipas këtij termi komod, tregtari pabosht mund të jetë thjeshtë dhe “Tregtar Flamujsh”, prandaj shteti shqiptar dhe ai dardan duhet t’i klasifikojë dekorimet në fusha të ndryshme. Për shembull: nëse dikush shkëlqen në fushën e biznesit, le t’i jepet një dekoratë për suksesin në punë, por jo “Nderi i Kombit”! Nëqoftëse biznesmeni mbështet fuqishëm vendin e vet me ndihma, investime, donacione; frymëzon investitorë për të investuar në Shqipëri, propagandon dhe lobon në favor të atdheut, atëherë mund ta meritojë nderimin e lartë , si dekorimi i fundit  famullitarit-patriot Don Fran Kola, akorduar nga Kryeministri Haradinaj . Ose nderimi i patriotit Ekrem Bardha dhe patriotes  Donika Bardha, akorduar nga Presidenti Thaçi. Ekremin, për çeshtjen e Dardanisë do e llogarisja kontribuesin më të madh të gjitha kohrave, duke mos lënë prapa DioGuardin, dhe Gjokë Martini, që ka dhënë gjithçka për Kosovën, por që është harruar si shumë patriotë të mëdhenj!

Kalimthi po përmend dhe ca emra që lanë gjurmë në dekada që tashmë janë larguar nga kjo jetë, e që meritojnë të nderohen:

Imam Vehbi Ismaili, Baba Rexhepi, Petrit Butka, Llesh Grishaj, Mark Martini, Tajar Shaska, Arshi Pipa, Agim Karagjozi, Antoni Athanas, Njazi Bardha, Genc Kortça etj… Disa nga këta personalitete janë evidentuar, të tjerët janë harruar në atë botë.

Ka dhe personalite të kulturës dhe rigjenerimit tradicional, ardhur pas hapjes së kufinjve, të cilët me zgjuarsi e përkushtim i shërbejnë traditës duke ngritur institucione kulture dhe informacioni, organizata të reja rinie në shërbim të komunitetit, në ruajtjen e vlerave etno-kolturore.

Në raport me mësuesit dhe mësueset e gjuhës shqipe në Amerikë dhe më gjërë , qeveritë  tona janë shurdh-memecë. Mësuesit apo mësueset e gjuhës  së nënës, në mënyrë vullnetare u mësojnë fëmijëve shqipen pa asnjë përfitim. Siç e dimë të gjithë, parimisht dhe teorikisht  mësuesit janë njerëzit më të nderuar , praktikisht më pak të respektuar prej kastës  politike. Dhe pse mësuesit dhe mësueset  janë alfa dhe ura lidhëse midis vetëdijes dhe dijes, pjesa dërmuese e “politikanëve”, harrojnë hapat e para në shtegun e  njohjes. .

Në shekullin XXI pragmatistët nuk kanë kohë të tepërt për të humbur, vetëm mendimtarët e atdheut e justifikojnë atë.  Por,  nëse atdhetari punon për ruajtjen e vlerave kombëtare,  zhvillimin  e demokracisë dhe kultivimin e kulturës amtare, përse  shteti amë nuk ia njeh kontributin?! Qeveritarët e të dy shteteve tona duhet të dinë se, Diaspora nuk ka nevojë për vlerë monetare, por për evidentimin e vlerave si një element përbërës e stimul moral në ndërgjegjësimin e vazhdimësisë për të mos u asimiluar.

Jam i sigurtë se secili nga protagonistët në emigrim do bënte shumë më mirë detyrën e Kryeministrit, Presidentit, Kryetarit të Parlamentit, Ministrit apo Drejtorit se sa drejtuesit aktual në vendlindje. Mendërisht dhe shpirtërisht çdo emigrant është President apo Kryeminister. A e dini përse? Sepse emigrantët jetojnë me djersën e ballit, jetojnë me vlerat e larta të demokracisë, qytetërimit dhe zhvillimit, dhe… me dhimbjen dhe dashurinë për vendlindjen. Kurse disa udhëheqës qeverish e keqpërdorin vendlindjen si një money tree. Ata mjerisht, kanë mbetur tek qëllimi i kthyer në bonus, dhe ky qëllim nuk ka të bëjë fare me shtetin, po vetëm me xhepin. U sugjeroj qeveritarëve që, kur të vijnë në Diasporë, palltot  e rënda të megalomanisë t’i varin në gozhdat e zyrave… e të sillen kokëulur, sepse janë në borxh tri herë ndaj emigrantëve.

Sa për kujtesë: Diaspora ishte… është dhe do mbetet shërbyesja e Kombit, sepse i ka dhënë atdheut personalitetet më të mëdha të historisë saj: Gjergj Kastrioti, Marin Barleti, Gjon Buzuku, Nënë Terezën, Dora D’ Istria (Ku mbi treqind vajza shkodrane të “Shkollës së Femrave” themeluar nga Motrat Stigmatine, i dërguan si dhuratë një penë argjendi), Ismail Qemali, Faik Konica, Fan Noli, De Rada, Hasan Tahsini, Pashko Vasa, Naim e Sami Frashëri, Serembe, Martin Camaj e dhjetëra  emra të mëdhenj pa të cilët, Shqipëria do mbetej një qytetërim i harruar në pluhurat e bibliotekave të autorëve të huaj.

Dikur, studiuesit e huaj  botanistë apo biologë (fjalë që u përdor për herë të parë nga botanisti Karl Von Linne), merrnin farët dhe filizat e luleve apo pemëve të rralla nëpër botë për të krijuar  parajsën e kopshteve të bukura në tokën e tyre. Ndërsa  qeveritë tona, lulet e veta që përbëjnë rigjenerimin, vazhdimësinë dhe aromën e një Kombi i tresin në dhe të huaj. Ky është një krim, por që të minimizohet krimi në mëkat, duhet kujdesi  atëror i atdheut, që bisqet e thara të mbeten muzeale, kurse të njomat të ujiten që fara e tyre të mbillet kudo… në jetë të jetëve!

Mos harroni! Një Diasporë patriotike e nderuar…

frymëzon dhe rrit një komb të fortë dhe të qytetëruar.

Filed Under: Featured Tagged With: alfons Grishaj, diaspora, shërbyesja e Kombit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 28
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI
  • “E DREJTA ZAKONORE E ÇERMENIKËS. KANUNI I MUST BALLGJINIT” 
  • Retorika e Serbisë si agresion psikologjik: narrativa e rrezikshme e Aleksandar Vuçiçit në Ballkan
  • Çfarë “shteti” deshi Mehmet Ali pashë Misiri në luftën e tij kundër sulltanit osman?
  • 1939 / AUDREY SHAH : JU RRËFEJ TAKIMIN ME MBRETIN ZOG NË HOTEL RITZ (LONDËR)
  • Ndalimi i investitorëve nga tregu i shtëpive: a është zgjidhja reale?
  • “Pse ShBA nuk e pushtuan por e çliruan Venezuelën nga Maduro/t”
  • SPEKTËR…
  • ME SA POLITIKA SHIGJETON SERBIA NË DREJTIM TË KOSOVËS?
  • VENDI IM / 7th Annual Concert
  • ZOTI, SHPIRTI, BIBLA, DOGMA DHE MENDIME FILOZOFIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT