Nga Alfons GRISHAJ/
Të gjithë e dimë se bretkosat janë banues të kënetave, moçaleve e lumenjve të ndotur. Por, nuk është krejt ashtu… ka disa lloje bretkosash, që jetojnë në pemë, në barishte… biles ka dhe bretkosa urbane!
Sot do merrem me bretkosat urbane, të cilat njihen dhe për korin e “dashurisë” dhe të “seksit”, e që në vendin tim janë me shumicë. Kori i tyre është kulmi kakafonisë që gërvish natyrën deri në çmenduri, jo për të bezdisur ndokënd, mos o Zot, por për të ftuar të dashurat në vallen e shumëzimit. Ashtu siç thoshte zhaba e pakorrigjuar, Leon Trocki: “Femrat nuk duhet të kenë pronar, por duhet të jenë të lira…”, ashtu dhe bretkosat e lartpërmendura, edhe pse kanë bërë ndonjë betim “anakronik”, mundohen të jenë të lira!
Parajsa e netëve të verës çalon nga arroganca urrakëllitjeve të pandërprera. Dirigjenti i moçalit, Zhaba, zë me pompozitet pozicionin e liderit, gjë që i bie në sy dhe vetë miopit, çfarë tregon se ai dhe vetëm ai është kryesori, ai dhe vetëm ai drejton korin që ekzekuton simfoninë e zhurmshme. Si Mbret i lakuriqësisë udhëheq uarranëëë… pasthirrmën e instiktit kënetor. Buzë tij bretkosat e zhveshura nuk shqetësohen aspak për lakuriqësinë. Dhe vetë pederat e sotëm kanë kopjuar stilin e moskokëçarjes të botës moderne si manifestin origjinal të paturpësisë së lindur. Selia e grabitur ngjason me parajsën, por nuk është asgjë tjetër, vetëm selia e baltës ku zhvillohet trashigimia e brezave. Mjerë ai që afrohet aty… se, o kthehet në bretkosë, ose fiton zakonin e tyre për të jetuar me baltë. Terri i natës, ngjyra ekzaltuese, supremja e fshehjes dhe e pabesisë ngjiz instiktin amfib të përzier me atë kafshëror dhe rrit etjen e Perëndive të rreme, të cilët besojnë se janë pronarë të gjithësisë… dhe si ujqërit i ulurijnë dhe dritës së hënës .
ADN e shtrembër ekspozon përbindshmërinë, pasojë e kryqëzimit amfib me atë shtazor, sa herë që ndjesia logjike ngatërrohet me instiktin. Pas kësaj, natyrshmëria e lakuriqtë balton rrugët e pastra të shpresës për ndryshim.
Zhurma që bëjnë është propaganda e “racës së re” me mentalitet të vjetër. Përpjekjet për të treguar se e ardhmja e filozofisë së zhvillimit është bretkosa kibernetike që mund të ndryshojë jetën me një të shtypur tastjereje, nga vdekje në “Rilindje”, tregon tashmë se ndryshimi qenka përsëritje. Përsëritje dhe atëherë kur kori vishet me kostume algash, sinonim gjallesash dhe gjelbërimi. Ashtu si dhe bretkosat e brrakave malore, kanë të njëjtën qasje: arkitipe të përsosura aktrimi.
Asnjë shpresë nuk ka për të ndryshuar molekulat biologjike të ADN-së që trashëgon kopil-llëku banal. Bretkosat do mbesin bretkosa atje buzë kënetave dhe moçaleve, në qytet apo kudo të shkojnë, qoftë dhe në pallate të arta. Pas pak kohe ato pallate do kthehen në moçale, baltë dhe këneta.
Së fundi: Kërkojnë ndryshim pëllumbat e paqes?! Metamorfoza nuk bëhet kurrë solide për petulla e gjilpëra, por për kujza (Kauza) të reja që ripërtërijnë krahë të fuqishëm dragojsh për të fluturuar njëherë e përgjithmonë nga dialektikat e gënjeshtëra dhe baltat. Nëse jo, puplat e pëllumbave do mbushin sërish jastekët e bretkosave kibernetike, që ndryshojnë format, por jo lakuriqësinë dhe helmin!