• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tradhëtia e Madhe

April 11, 2018 by dgreca

1 Alfons-Grishaj

Nga Alfons Grishaj/

 Asnjëherë nuk kam menduar se në kohët moderne me një përvojë politiko-shoqërore të  mjaftueshme të  ndodhin  budallallëqe diplomatike me përmasa të rrezikshme territoriale,  si  në Prishtinë.  Ministri i Brendshëm,  veproi si një diletant në kundërshtim me kompetencat, duke bashkëpunuar nën rrogoz me një shtet tjetër, pa informuar aspak Kryeministrin e tij. Ministri Brendshëm i Prishtinës veproi sikur Kryeministri i tij të ishte në Turqi dhe jo në Prishtinë. Kjo ngjarje ka lënë me gojë hapur shumë qarqe diplomatike europiane e perëndimore. Një akt i tillë do denohej në çdo shtet të botës si tradhëti. Mirëpo në Kosovë, Kryeministri Haradinaj, u mjaftua vetëm me shkarkim nga posti i Ministrit të Brendshëm.

Akti i turpshëm i Ministrit të Brendshëm, u përshëndet nga shtypi i Erdoganit, si një akt i guximshëm dhe jo si një tradhëti. Gazetat e Erdoganit, anatemuan Kryeminstrin Haradinaj, allaturka si në kohën e sulltanëve. Një gazetë e quante dhe pianik. Sikur të ish gjallë Omar Khajam, do u recitonte mjeranëve lap(!)arë,  strofat 211-212:

Të madhit Muhamet i çon selam:

Dhe e pyet Imami Omar Khajam!

“O Pejgamer, më thuaj aman,

Pse dhallën bën hallall, verën haram?

 

Përgjigjet Muhameti me selam:

“S’më more vesh, Imam Omar Khajam!

Dhalla hallall për lolot, mor aman,

Verën për t’ urtët nuk e bëj haram!”

Janë të kuptueshme gazetat e kohës së sotme, të cilat janë nën frenat e Sulltanit të Ri. Çudia e madhe vjen nga ca “faqe shqiptare”, me pezishkë diabolike gazetareske, të cilat, pa pikë turpi na tregojnë se kush janë miqtë dhe armiqtë e popullit shqiptar dhe arrijnë deri aty sa t’ na përmendin kryqat dhe çallmat. Ato anatemojnë tërthorazi Haradinajn si një kryqtar dhe si i tillë, ai duhet të vendosë kryq në qafë për t’u identifikuar, sepse vetëm kështu ithtarët e erdoganizmit, që nuk kanë derdhur asnjë pikë djersë për komb, e kanë të lehtë të shtijnë me shigjetat neotomane, kundër lirisë dhe mbrojtësve të saj! Me gjuhën e renegatëve, minjtë e Erdoganit e quajnë ish-pushtuesin turk, mik! Dhe mjerisht, vendi ynë siç ka nxjerrë shumë heronj, ka prodhuar dhe shumë renegatë dhe këlyshë renegatësh! Dhe sot i shohim puthadorët duke lëpirë dhe puthur këpucët e Sulltanit të Ri të Ankarasë.

Erdogan, i quan të gjithë kundërshtarët e tij, Gylenistë, dhe i paralajmëron të mos fusin duart në punët e qeverisë Turke. Kurse vetë ai, dhe pse fut dorën e hundët në punët e një shteti të pavarur e sovran, duke i kompromentuar Ministrin e Brendshëm, nuk përbën ndonjë problem?!

Edhe pse fuqia perandorake ka perënduar, politikat e vjetra të ish pushtuesve të Shqipërisë, nuk kanë hequr dorë nga synimet shekullore për ta mbajtur vendin tonë si një provincë të tyren. Me fuqinë e ofertave kompromentuese, këto politika ndërhyjnë në zhvillimet tona të brendshme dhe jo rrallë. Shumë devijime politike, ekonomike e diplomatike janë bërë tek ne si rezultat i këtyre ndërhyrjeve nga Ankaraja dhe Beogradi. Stadi i zhvillimit tonë ekonomik është pasojë e këtyre ndërhyrjeve, sepse këto dy vende, në kontekstin e ri gjeopolitik, ngaqë nuk mund mund t’i ëndërrojnë më Shqipërinë dhe Dardaninë, si mundësi për ekspansion territorial, po e përdorin si zonë tregu dhe influence! Si Serbët dhe Turqit, kanë mbetur të njëjtë. Ndërsa, kripto-turqit, apo kripto-serbët që flasin shqip e që jetojnë në vendin tonë, na servirin pjata minjësh për drekë. Njëra palë me gjak, tjetra me tradhëti.

Kështu, ca gazetarucë, nuk gjykojnë shëmtinë e ish Ministrit të Brendshëm, por gjykojnë një hero si Haradinaj, që sakrifikoi si pak kush për tokën e shenjtë të Dardanisë. Ramush Haradinaj është një shqiptar i vërtetë. Atdheu i tij është Shqipëria autoktone. Anatemimi i z. Haradinaj, apo i Ipeshkvit të Dardanisë, nuk i shërben askujt tjetër përveçse armiqve të Kombit. Sulmi ndaj  Ipeshkvit të Dardanisë, Dodë Gjergji, se gjoja ai nuk paska të drejtë të flasë për turpin e ndodhur, është një muzikë e vjetër.  O Zot! Po ku janë shkolluar këta  të mjerë?!  Po sikur Ipeshkvi Dodë Gjergji, të mos ishte prift dhe të ishte qytetar i lirë i Dardanisë, a do të kishte të drejtë të denonconte aktin e tradhëtisë që ndodhi në Prishtinë?

Sigurisht, priftërinjë e hoxhallarët shqiptarë, kanë të drejtë të shprehin mendimet e tyre politiko-sociale me gojën plot se janë nështetas dhe qytetarë të Republikës, dhe njëkohësisht kanë një plus që palo-gazetarët dhe palo-politikanët nuk e kanë. Ata ia kanë kushtuar jetën Zotit dhe të vërtetës, dhe jo veseve dhe luksit të rremë. Veçantia në Republikat laike është se, udhëheqsit shpirtërorë duhet të mbajnë fenë të ndarë nga politika dhe të zgjidhen në poste funksione shtetërore.

Çka më vret më tepër në “leksionet gazetareske”… është ligësia e përpunuar në laboratoret e varfërisë intelektuale, apo të huaja. Përmendia numërore në fe, është kompleks inferioriteti në vetëdije, në kulturë, në emancipim dhe logjikë kombëtare. Të gjithë ata që përmendin përqindjet, janë injorantë ose të djallëzuar. Kombet e qytetëruara nuk kanë “shumicë absolute”, por logjikë civile absolute, vetdije dhe identitet etnokulturor. Të vetmet shifra që vlejnë në demokraci, janë ato që i japin legjitimet një qeverisjeje që punon për interesat e shoqërisë që e zgjedh.

Termi “Tolerancë Fetare”, nuk është një term virtuoz, por një huazim me synime anadollake. Ky term, që ka lindur me ediktin e Milanos, nën firmën e Konstandit të Madh, me origjinë ilire, u ripërdor nga Sulltan Sulejmani, por që nuk gjeti zbatim në Shqipëri, u harrua në kohën e Enverit dhe u rishfaq dendur pas viteve 90, prej ardhacakëve nga terri. Tashmë me një kuptim më të rafinuar. Pakica ekziston falë mëshirës së shumicës! Kjo është dhe gënjeshtra më e madhe që e përdorin dhe disa të “mençur”, të cilët, tek filozofia e stërholluar osmane e asimilimit, gjejnë tezat dhe argumentet. Çdo argument tjetër etnologjik dhe historik është fshirë.

Në disa brezni, shqipëtarët gjejnë origjinën e tyre në Zef, Pjetër, Sofokli, Gjon etj. Lejimi që bëri Papati përdorimit të emrave jo të krishterë në publik, nga ana e atyre që praktikonin në fshehtësi ritet e besimit katolik, lindi kripto-katolikët. Një pjesë e tyre u konvertua gradualisht në muslimanizëm, por me një ndryshim të madh, se muslimanët shqipëtarë, nuk e mohuan kurrë origjinën e tyre, dhe ruajtën lidhjet e gjakut me vëllezërit, dhe kushurinjtë që mbeten kristianë. Këtu e ka bazën dashuria dhe respekti reciprok midis besimeve në Shqipëri. Vetëm familjet kolone turke, të vendosura në Shqipëri, kryesisht për arsye administrative (që janë me gishta), mund të krenohen se erdhën muslimanë dhe nuk u konvertuan. Tani ne po shohim  se,  disa të ardhur nga “Kosova” apo nga “Maqedonia” po na tregojnë dhe “origjinën” dhe “shumicën” etj. Këta na përmendin dhe kryqin dhe flamurin e Islamit pa ditur aspak çfarë janë.

Faktet shkencore,  për ata që kanë logjikë, janë të pakontestueshme: Judeistë, Krishterë, Muhamendanë, kanë një baba, Abrahamin (Ibrahimin).  Këto tri fe kanë 24 Profetë të përbashkët… Mjafton të lexosh me logjikë dhe zemër të pastër… Biblën, Torahun dhe Kuranin, dhe konkluzioni të vjen natyrshëm.  Sigurisht, ritualet, forma dhe mënyra e jetesës janë të ndryshme, por thelbi është i njëjtë, monoteizëm, një zot dhe një trashëgimi!

Përmendja  kryqit vend e pavend nuk është asgjë tjetër, vetëm  porta e kalbësirës së nënqenies, shpirtit. Krishti (Hazreti Isai), u kryqëzua për mëkatet tona, dhe  ky kryq, i shërbeu dhe po i shërben njerëzimit anë e kënd botës qëprej dy mijë vjetësh. Në emër të humanizmit dhe lirisë, ky kryq i shërbeu dhe Dardanisë. Kryqëzata (siç thonë disa udhëheqës serbë) kundër Serbisë naziste, për të çliruar popullin e Kosovës, u udhëhoq nga “Kryqtarët” e NATO-s … dhe mos të harrojmë se, bash midis sheshit të Prishtinës, është vendosur busti i një “Kryqtari”,  i cili quhet Bill Klinton,  çliruesi i popullit tonë, dhe jo busti i pasuesve të sulltanëve që e robëruan, gjakosën dhe çnderuan popullin shqiptar për afro 500 vjet!

Një porosi lapsarëve-puthadorë: kur të shkruani për ngjarjet në Shqipëri, veçanërisht në Dardani, kujtoni hordhitë turke që dogjën dhe përvëluan popullin shqiptar, eksodet biblike të popullit tonë nga toka e të parëve; kujtoni përdhunimet e motrava dhe nënave shqipëtare nga makina naziste serbe, kujtoni vrasjet barabare të motrave dhe vëllezërve tanë… kujtoni heronjtë e UÇK-së dhe gjakun e derdhur dhe do të kuptoni se armiqtë janë të ngjashëm në vepra dhe në qëllime, pavarësisht racës apo besimit. Pastaj, mos harroni të kujtoni Aleatët “Kryqtarë” që udhëhoqën NATO-n për të çliruar popullin e Dardanisë, liri që sot e gëzon e që përbën bazën për ditë më të mira. Pas kësaj, ju siguroj se, nuk do u ngelet asgjë tjetër për të gjykuar, veç mjerimit që ju ka molepsur që në djep!

Po e mbyll këtë shkrim me vargjet e Naimit nga poezia e famshme

“Trathëtorëtë”:

Shokë, kemi  ne mesin tënë

Shum’ armik’ e trathëtorë!

Popo! Mos u qoftë thënë!

Veç që s’kanë gjë  në dorë.

Filed Under: Politike Tagged With: alfons Grishaj, Tradhëtia e Madhe

Meditim në hipnozë

April 4, 2018 by dgreca

2-Alfons-Grishaj1-250x300

Nga Alfons Grishaj/Elefantët dhe delfinët mendojnë se, njerëzit janë të bukur. Siç duket, dimensioni i trurit ndihmon kuriozitetin në këtë përcaktim. Delfinët kanë qenë gjithnjë të palëkundur në zgjedhjen e tyre, kurse elefantët jo, sepse u manipuluan prej njeriut. Rreth 1500 vjet para Krishtit, ata filluan të përdoren si makina ushtarake (Gjithashtu , koka e elefantit në një trup njeriu njihet si një nga Zotat Indian,  quhet Ganesh). Asokohe vetëm njëherë u përdorën për paqe, rreth 475-500 vjet para Krishtit, nga Princi Siddartha Guatama  (më vonë  i quajtur Buddha) i Republikës Shakya, i cili përdori elefantët për presion ndaj kundërshtarit për të ndaluar luftën që të mos kish më gjakderdhje.

Perandori Çandragupta, kishte në përbërjen e tij ushtarake rreth 21 mijë elefantë. Persët dhe Indianët i përdorën në luftëra kundër Aleksandrit të Madh. Hanibali, pat formacion elefantësh kundër Romës, biles dhe Pirroja ynë i rreshtoi  në luftë kundër Romakëve. Luftëtarët e asaj kohe dëshironin të ishin elefantë  dhe me fuqinë e tyre ta shkatërronin armikun. Prej asaj kohe deri më sot, bota ka evoluar, por psikologjia është e  njëjtë.

Një ditë, i mbylla sytë dhe nisa të meditoja për njeriun e shndërruar në elefant dhe anasjelltas. Me këtë test, doja të dija se si sillet njeriu-elefant dhe a ndryshon sjellja e elefantit kthyer në njeri, i cili tashmë është i pamanipulueshëm nga njeriu… Ky ishte dhe thelbi i këtij “udhëtimi” që më dha më tepër se një përgjigje.

Po ç’ndodhi? Njeriu i kthyer në elefant shikonte njeriun si krijesën më të shëmtuar mbi dhe, biles shfrynte me një neveri të pashoqe. Elefanti-njeri, e shikonte  njeriun-elefant me trup të madh, të fuqishëm, duke ecur ngadalë si damë balloje, me noçkën e madhe, shërbyesen ideale të trupit gjigand që e bënte edhe më të adhurueshëm. Por, mendonte ashtu njeriu që u kthye në Elefant. Ai filloi të ulërinte dhe të shtypte çdo gjë të gjallë që nuk i bindej. Mbasi shtroi gjithë kafshërinë, u vuri taksa edhe mizave e pilivesave që bënin dashuri në ajër. Pastaj  iu rikthye “njeriut”: “Nuk e kuptoj  kush të ka krijuar ty, një send  kaq i vogël, i  shëmtuar… me dy këmbë të vogla thupre, nuk ke as krahë për të fluturuar, as sqep për të nxjerrë dhe shqyer sy, as dhëmbë të  mprehtë për t’u mbrojtur… atëherë pse duhet të jetosh?” Elefanti-njeri,  ngriti duart në qiell: “Kur isha unë si ti, Perëndi e bukur më dukeshe dhe kisha dëshirë të të mbaja në shpinë pafund; tani që ti je elefant kërkon të më shtypësh me peshën e fjalëve. Nuk do më lëndoje më shumë me peshën e putrës tënde mbi trupin tim, se me fjalët që më the.” Njeriu-elefant skërmiti dhëmbët dhe u çua në dy këmbë duke vënë putrën mbi trupin e elefantit-njeri. Me një forcë mizore e shtypi duke i shuar etjen ëndrrës shekullore të paqes mes krijesave. Pastaj u rrotullua, gjest që linte të kuptoje se qe gëzuar për vendimin që kish marrë. Me krenari fodulle shprehej se, qeniet inferiore si njeriu, nuk e meritonin të bënin pjesë në bashkësinë e forcës supreme, se ekzistenca e tyre ishte rastësore dhe e panevojshme, prandaj dhe nuk kishin kurrëfarë të drejte të shijonin frytet e natyrës. Këtë vendim ua komunikoi gjithë egërsirave, luanëve, tigrave, ujqërve, çakajve, çitave etj…

Në mbledhjen finale ai u shpreh gjithë neveri: “Thonë  se,  dikur  dhe  unë  paskam qenë njeri, në të vërtetë isha, por e urreja veten aq  shumë… sa  mundësia  e parë që m’u dha, u bëra si ju. Tani jam kënaqur! Më parë, gjuha juaj më dukej tmerr, tani jo vetëm e kuptoj, por dua ta flas deri në fund të jetës, sepse është gjuha e ekzistencës superiore që e flasin qëniet më të privilegjuara të rruzullit!”. Egërsirat u lëpinë dhe përshëndetën me ulurimë njëzëri. Ulurima në kor ishte  aq e tmerrshme dhe e fuqishme sa krijoi uragan tingujsh që fshiu nga faqja e dheut gurë e pemë, bashkë me to dhe  korin e  kuorumit.

Ngadalë, pa e ndjerë fare, nga  meditimi u zhvendosa në një gjendje hipnoze.   Një fëmijë me sy të mëdhenj blu u shfaq përballë meje. Mbolli ca lule molle, borzilok, livando, viollca, trëndafila të bardhë e lulekuqe. Aureola mbuloi dhenë. Natyra po rilindte. Bashkë me të dhe shpresa e epokës  së artë.

Filed Under: ESSE Tagged With: alfons Grishaj, Meditim në hipnozë

Lindja e Hibridit Kontroversial

March 18, 2018 by dgreca

2-Alfons-Grishaj1-250x300

Nga Alfons GRISHAJ/

Njeriu, krijon në jetë konceptin e vet për universin dhe shoqërinë. Zgjidhja  e tij lind si dëshirë dhe si nevojë, shpesh herë dhe si pasion. Për disa, dëshirat janë modeste e të kufizuara  brenda një kornize. Për ëndërrimtarët – vizionarë, hapësirat janë të pakufizuara deri në infinit. Por ka dhe një kategori tjetër, e cila mundohet të realizojë një ide apo një qëllim, të cilin edhe kur e arrijnë nuk ia dalin ta menaxhojnë, ose e trajtojnë në mënyrën e tyre. Qëllimi personal hipotekues (e kam përmendur diku dhe në një shkrim tjetër)  asfikson “suksesin” dhe paaftësia për ta trajtuar drejtë arritjen, lind një rrugë virale, e cila mund infektojë dhe degradojë atë dhe rrethin ku jeton. Rrezik ky, që shpesh të çon në autoritarizëm, pamëdyshje, kanceri i zhvillimit shoqërisë dhe shtetit.

Bernard Shaw said: “ The reasonable man adapts himself to the world, the unreasonable one persist in trying to adapt the world to himself. Therefore all progress depends on the unreasonable man.”

Por çfarë ndodh? Ashtu siç thashë më sipër, njeriu krijon konceptin për universin dhe shoqërinë, por shqiptari ka specifikat dhe natyrën e vet, çka duket në faktin që megjithëse ka kohë që vegjeton në konglomeratin e rruzullit akoma nuk ka tjetërsuar “stilin” e të menduarit dhe të vepruarit.

Një pjesë e shoqërisë tonë edhe pse ka vite që është larguar nga atdheu duke ndërtuar një jetë pa kokëçarje, jeton në bazë të normave tradicionale, kjo, është për t’u admiruar deri në njëfarë mase. Sepse, kur vjen puna tek gjykimi i shëndoshë dhe frutdhënës, ka prapë diçka që mungon. Gjykimi vjen i pluhurosur, nganjëherë anakronik e destruktiv. Kjo nuk ka të bëjë më shumë me traditën dhe genin, sesa me personin e transformuar nga kushtet dhe rrethanat e jetesës, nga ambieti shoqëror i djeshëm, por dhe i sotëm. Pse vazhdon të ndodhë kjo?

Unë do sjell shkurt pa ngarkesa këndvështrimin tim duke gjilpërizuar “diapozitivat” nga kazani i fikur i rregjimit, të cilët sollën shkatërrimin tradicional në kohë dhe hapësirë, duke fshirë  përfundimisht balancat e klasasave shoqërore shqiptare, bashkë me traditën mijë vjeçare, të zëvendësuar me filozofinë komuniste të “barazisë”. Dikush mund të thotë: “Ishte koha …, dhe koha sjell ndryshimet e veta.” Jo!  koha është e njëjtë, dhe jo siç thonë disa mendimtarë që koha sjell shërim dhe ndryshim. Moti dhe brezat lëvizin, duke evoluar, regresuar apo ndenjur në vendnumëro, por jo koha! Njeriu e ka në dorë ta administrojë kohën, t’i  japë formë si skulptori veprës, ose ta tresë në hiç!

Retrospektivë, diapozitivi i parë:

Populli shqiptar vuajti dhe u varfërua nga luftërat e gjata me pushtues. Në Shqipëri, latifondistët dhe të pasurit numëroheshin me gishtë. Midis klasës  tyre dhe shtresave të tjera pati një disnivel të theksuar. Latifondistët dhe klasa e pasur nuk luajti ndonjë rol sinjifikativ në zhvillimin e vendit, sepse ishin oportunistë, herë me “baba” turkun, herë më interesat e ngushta private që ua diktonte biznesi. Megjithatë,  ndihmuan në punësimin e fshatarësisë që nuk kishte tokë.

Diapozitivi  i dytë:

Familjet me prejardhje borgjeze, të cilat kanë qenë të pakta në Shqipëri, përbënin inteligjencëne vendit. Avokatë, doktorë, profesorë etj. Ato u bënë shembulli i dijes dhe vetëdijes kombëtare, dhe me klasin e lartë që i  karakterizonte, emancipuan shoqërinë në sjellje, kulturë e dije, duke ndërtuar bazamentin e ndërgjegjes shoqërore dhe nacionale shqiptare.

Diapozitivi i tretë:

Familjet qytetare, pavarësisht nga veshja, me apo pa ferexhe, me barnavekë apo me kësula të huazuara, allafrënga apo tradicionale, ruajtën  gjithnjë finesën dhe kulturën e hollë të stilit të jetesës dhe sjelljen civilizuese. Spiranca e vaporit kombëtar u ankorua gjithnjë në qytet.

Diapozitivi i katërt:

Familjet “malësore”, familje këto që u shpërngulën nga qyteti, të  detyruar nga rrethanat pushtuese. Zhvendosja e tyre për të ruajtur fenë dhe tradicionin e pastër krijoi  karakterin nopran, karakterin malkoc (Malkoc. Koc-mali, i fortë si shkëmbi. Kurse në gjuhën komuniste: Malësorë. Malok, njeri i rëndomtë, injorant; që ka prejardhjen prej malit etj… Fjalë e stisur pa pikë kuptimi neologjistik), i cili, adoptoi stil të ri jetese për t’i mbijetuar natyrës së egër dhe mungesave jetike. Besimi tyre për të qëndruar të pastër dhe burrëror u bë legjendë deri në ditët e pushtimin komunist. Ata ishin në ballë të luftërave për liri. Qenë të parët që ngritën krye kundër internacionalizmit proletar.

Diapozitivi i  pestë:

Popullsia fshatare, e cila përbënte dhe pjesën më vitale të popullit tonë, pikërisht për prodhimet bujqësore dhe blegtorale. Ishin  rregullatori jetik i qytetarëve dhe malësorëve. Qenia e tyre punëtore e urtë ndihmoi gjithnjë në zgjidhjen e problemeve jetike dhe kombëtare të popullit shqiptar.

Këndvështrimi aktual i pesë diapozitivave më lart, i shpërbërë forcërisht  në një:

Gjatë revolucionit komunist, këto pesë shtylla njerëzore që mbajtën gjallë frymën dhe balancën  nacionale u tradhëtuan. Boshti tradicional filloi të zvetnohet, duke huazuar traditën sllave (si më parë turke),  aspak perëndimore dhe civilizuese, për të cilën luftoi populli shqiptar me në krye, Skënderbeun. Kështu, aristokracia latifondiste dhe pronarët e mëdhenj të tokave, klasa borgjeze, shtresa qytetare, malësorët dhe fshatarët u shkrinë në epruvetën e dhunës ideologjike dhe kimike të PP-së, duke krijuar një hibrit kontroversial. Kjo ishte tradhëtia dhe pabesia më e madhe e regjimit. Në sfond u shaq zambi me drapër e çekan, kazëm e lopatë. Drapëri për të prerë qafa,  dhe çekani për të shtypur koka…kazma e lopata për të hapur varre për viktimat e prera nga drapëri dhe çekani. Pasojat qenë shkatërruese, sa dhe geni i fortë u dëmtua rëndë psikologjikisht, nga injektimi i sensit të frikës dhe vetëmbrojtjes përtej imagjinatës, deri në sëmundje.

Këtu, kam parasysh disa familje tradicionale patriotike të vuajtura nga diktatura që mbijetuan nga holokausti barbar komunist. Fatkeqësisht shoh se, trashëgimtarët e tyre, në vend që të jenë mendje hapur, persona nobël, e të përçojnë traditën brilante patriotike në bazë të principeve fisnike, notojnë në pellgun dehumanist, duke përdorur chicanery. Përmendja e biografive në punë vullnetare dhe anatemimi i njerëzve të civilizuar e patriotë  për retaliation nuk përkon me frymën e të parëve, dhe me filozofinë moderne perëndimore. Frymëzimi i pakuptimtë nga “tregimtarët” e përrallave me katallaj, vë në lëvizje lokomotivën e shpifjeve që ulërijnë tym të zi. Tymnaja nxin dhe atë pak virtyt që fiket bashkë me nisjen e nonsensit.. Në këtë rast, fisnikëria kualitative bjerr kuptimin e martirizimit të shenjtë. Ujitja e broçkullave me benzinë shfaq ndjeshëm egërsinë e huazuar nga ideatorët e drapër-çekanit. Fryma sjelljes ciklopiste ndez motorat e luftës  brenda llojit, grish frymën e vet’humbjes dhe ngul kazmën varrmihëse në proçesin e zhvillimit.

Ky budallallëk i shfaqur rrallë tek klasa e vuajtur, është me shumicë tek klasa  politike shqiptare, çfarë tregon se, brezi tjetër do të ketë të njëjtën ngarkesë virusale.

Në botën e qytetëruar respektohet mendimi i shumicës si shenjë civilizimi, si verdikt human e ligjor. Po pse nuk ndodh në shoqërinë tonë kjo dakordësi si rregull e busull në zhvillimet politiko-shoqërore?

Sëmundja e të shkuares në tashmen, egoizmi, cmira, ushqejnë  obsesionin në abisin e ripërsëritjes së refrenit të unshëm egocentric.

Çfarë duhet bërë për të shëruar mbartjen negative të mikrobit deformues në breza? Propaganda e shëndoshë duhet të jetë e qartë për një luftë parimore për të mundur të keqen. Nuk është e lehtë, biles shumë e vështirë. Në këtë luftë duhen të ndërgjegjësohen filantropët për të ngritur një fond për një komision psikologësh historianësh, dhe poltikanësh që nuk e kanë virozën anakronike  që të punojnë sëbashku me vetmohim për të dalë nga ky batak i turpshëm. Kjo do zvogëlojë hapësirën e infektimit dhe spekullimeve që ushqen rritjen e malit të plehrave. Përdorimi i kartonit të shumicës së shëndoshë (jo shumicës grabitqare) duhet të funksionojë për vendosjen e disiplinës, jo si ndëshkim indisiplinor, por si ligj. Nëse fryma e “arsyes” presupozon pritje dhe klemencë për të rregulluar nonsensin sistematik të hibritit kontroversial, biles stimuluar me dyshek dhe jorgan puplash… siguroj se, budallallëku do fitojë trofenë e arsyes,  çfarë nënkupton sakrifikimin e konceptit të lirisë dhe të drejtës. Si pasojë, fantazmagoria e hekuraçave dhe shulave të ndryshkur do rishfaqë botën e errët pa diell, në të cilën kemi jetuar më parë.

O, Zot! Në këtë kontekst, pranoj se, “radikali i lirë” është një molekulë që  nuk mund të karikohet!

 

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: alfons Grishaj, e Hibritit Kontroversial, Lindja

ALFONS GRISHAJ: Rruga e Hënës

March 14, 2018 by dgreca

Rruga e Hënës/
 NGA ALFONS GRISHAJ/                                                                                              

Alfons-Grishaj1-250x300

Hënëzë, gjuha  qilim i argjend,/

Shtrirë mbi det deri tek Juniper.*/

Kordone peshqish në kor luspa asper,/

Sirenë e bukurisë në mes rend./

 

Ashtu në guackë në gjuhën qilim,/

Venere  Botticel’  bulon mon cheri*/

Flokët ia kreh shkrifët i lehti  veri’

Rruazuar yjet, stërkala lule ilim .*/

 

O Zot! Çfarë mirazhi! Çfarë vegimi!/

Rrugës  hënës   bukuria hirelartë,/

Ecën  me naze  si  rrjedhë  burimi ./

 

Pas  perëndimit alle, ikën natë. /

Dashuria çel plot kolore  gjelbërimi,/

Stolisur  diamant , perla,  kollonatë.*/

2 HENA-300x225

Plotësimi i një dëshire

Pranë ujit  monedhë në dorë…

Mbyllni sytë , të lirë shpirtin .

Lërini prangat pa kurorë ,

Se Hyu , shtyn  pa rrallë shortin.

 

Po çelët sytë e njëjta pamje

Në deriçkë  t’atij  ferri,

Lypcari t’njëjtën skamje

Nën lëkurën e një derri…

 

Atëherë … lutja dhe dëshira

Nuk kanë qenë  porëzuar,

Nuk kanë ngjit si rrëshira

Në membranën  e bekuar .

 

Sërish pranë ujit jetë,

Lëreni shpirtin t’ flaurojë,

Se monedha ka me gjetë

Çelur dëshirën pa mburojë.

———

 Thirrje për Zogjtë në dimër *

Në acar, n’ dimnin e gjatë ,

Larg  zogjve krahë mpirë

S’ do t’ia dijë njeri i thatë,

Lagur , unshëm , zogjtë ngrirë.

Pemët kallkan , tokë me borë,

Pa pingërim* ,  k’putur hark,

Rrijnë shikojnë këta të gjorë

Asnji kokërr gruni në bark.

 

Mjellmë lutet n’ akullnajë.

Përpëlit krahët Cardinal.

Finch -Trishtili pa uzdajë.

Blue Grosbeak* fle eternal.

 

Tek bien …i sheh njeriu!

Shpesh i gjëmon,  i vret  për sport.

Ashtu si gjak  kërkon ethtriu,

Dhe mëkatari kurthon mort.

 

O  njeri, shpreson parajsën?!

Hiq  nga goja një kafshatë ,

Sërish zogjve  ngjallu shpresën…

Ta paksojmë këtë  lëngatë .

———

Poet

 

Fjaloset me grigjën njerëzore,

Me universin gjithnjë , poet.

Brenda tij janë dy pazmore  :

Njëra  dashni, tjetra …Profet!

———-

Profetët

Profetët- Perënditë, shenja hyjnore,

Si Indra, Shiva, Budha apo Zeusi,

Abrahami i parë, Muhameti prore,

Por Biri i Zotit është vetëm  Jezusi!

————

 

 

 

 

 

Muhezini

 

Kur jehon zë  në minare,

Palmat  ëndërroj n’ shkretëtirë,

Muzikë e ëmbël miklon jare,

Vizion! Sylëndina e  pavdirë.

 

 

*Juniper . Trageti Durrës-Koper, Slloveni.

*Mon cheri . E dashura ime.

*Ilim, Ilima . Lule mbretërore Hawaiane , e cila bëhet gjerdan lulesh.

*Kollonatë. Monedhë  floriri apo argjendi , që zbukuronin veshjet e nuseve.

*Në dimër. Biologët , kanë kalkuluar se : zonat që përfshihen nga dimri i

egër ,  mund të vdesin 80%  e  zogjve . Gjithashtu , është çmuar se vdesin

5 miliard zogj në vit , duke përfshirë këtu,  aksidentet , xhamat e ndërtesave

etj.

*Pingërim. Cicërimë.

*Blue Grosbeak. Zog me ngjyrë blu . Në krahë: pupla me ngjyrë kaf , gri ,

të zeza , kuqe etj.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, Rruga e Hënës

ALFONS GRISHAJ VJEN NE SOFREN E DIELLIT ME CIKLIN”ZGJIM”

March 9, 2018 by dgreca

2-Alfons-Grishaj1-250x300

ALFONS GRISHAJ/

Zgjim/

Sa vite ka që pres/

Mes këtyre kukullave të kristalta/

zgjimin tënd?/

Dhe ajrin dhe zërin tënd/

Do t’ia puthis pas shpirtit tim të thyer/

Duke fshirë çdo çast të humbur./

 

Nga kryqi im do të zbres pastaj/

Pa asnjë plagë…/

Dhe me gishtat e ngatërruar në flokët e tu/

Do të humbas në avujt e paformë.

 

Sa vite ka që pres,

Mes këtyre kukullave të kristalta

Që lotojnë pa pushim?

 

*** 

Çupa dhe Bariu

Lulet lëndinave

Prehur mbi perri,

Sa gjithë luginave

Ndihej një lumni.

 

Tek ecte tokësorja

Shumëngjyrshe magji

Paqtohej hyjnorja

Mbi atë mrekulli.

 

Tek shkelte mbi bar

Rritej shqim gjethi

Si të mbillte farë

Bulonte makthi*.

 

Ah, fatlumi  bari

Thuri një kurorë

Vjollca gjethe lari

Ia vuri mbi dorë.

 

Preku ato  flokë

Ti tregoj malkocit:

“Kurora është për kokë!”

Si pikë i ra vocit.*

 

E bukura voceja*

Kurorën mbi kry

Zgjati dhjetë yjet*

Mbi gjoks duke e ndry.

 

Sa ajër e liri

Ka në mal bariu,

Po aq mizori

Ka në tru  ethtriu*

 

Ato sy si gaca,

Gjumëdhënës pluhur,

Bariu dhe goca

Vdekur të përgjumur.

 

Rrugës mbushulinë*

Çupë e dramkosur*

Plot mbuhovinë*

Cipë e mavijosur.

 

Grabitur nga djalli

Në kullën e tij,

Shuheshin së gjalli

Vashat nji nga nji.

 

Por  ëngjëlli i saj

Që e ruante ngaherë

I hodhi një vaj

E dogji si serë…

 

Natës së flirtit

Djegur rrapatosë

Dhimbja e shpirtit

E afroi në gosë.

 

“Më ndihmo laureshë

Deri të lind dielli,

Do të bëj mbretëreshë

Fjalën kurr s’e shkeli.”

 

“Gruaja ime do jesh,

Do mbretnosh përjetë,

Ar e famë do kesh

Fusha, pyje ,det.”

 

Ah, goca perri,

Fshehtas pa tiranin,

Fugoi si veri

Prapa i la zanin.

 

Asnjë çast muhanak*

Nuk i hiqesh sysh

Kocka vajzash vandak

Kafka të ndara dysh.

 

Kapitur, ngushulluar

Ulur buzë stani,

Pamje e agulluar*

Hija e një vigani.

 

Bariu n’ krahë dojme*

Zemra logorisë,

Për vashën e sojmë

Zhuritur, lektisë.

 

Tre netë në gjumë

Ëndrra plot tmerr,

Të katërtën zhurmë

Bariun vrik në derë.

 

Dy lëmshe ndezur

Endeshin rreth stanit,

Ulurimë e zbrazur

Zëri i tiranit.

 

“Bari, vdekjen ke hak,

Se ma pive kupën,

Tek lëngoja në shtrat

Ma rrëmbeve çupën.”

 

Djaloshi,ky malkoc

Njohu satanain mirë,

“Ah, ky gjakatar doc

Don vashën e dlirë ?”

 

Krejt si tërmet dheu

Përplas bariu e dialli,

Bariu herë si Anteu,

Herë gurë stralli.

 

Terrin grisi agimi,

Per vdekje tirani

Nuk tërhiqej trimi

Gjak u mbush altrani*

 

Uluriu gjakatari,

“A je dorë qiellore,

Sytë e mi prej zjarri

Shuajn fuqinë njerzore!?”

 

Zbriti frikshëm djalli

Si ortek me borë,

Erë e gurë zalli

Ndoqi këtë gjaksor.

 

Bariu mbushur në gjak

Si kalorës përrallash

Mbrojti nder e konak

Pushoi në këngë zanash. 

 ***

Fermani i “Sulltanit”

“Jazek !”, – thërret  “Sulltani” i vjetër:

“Qafir, prej gjakut tand,  bok herif.*

Rinia arnaute  ka derë tjetër

Jo fronin  tem me u ba sherif ?!

 

Salak*,  zgjebe  ! Matuf , tru leylek.*

Prej belit t’ shqipes po don gajret ,

N’ vend qi me ja kput krahët melek

Na e kunorzove  hava – Hazret.”

 

Eh , ngusht u zu njaj trim zamani,

Ndrron   poturet  kalëron ferman,

Tuj gjujtë shqelma    si hajvani,

Derës shejtanit thërret: “derman.”

 

Mvrejt si  halldup në qafë hallkan,

Leh si qeni n’ terr  , ferrë e derë ,

Por fermani  zi  bëhet  kallkan

Shkrujtë nga njaj  qi  nuk ka nderë. 

*** 

Trishtim (10-05-1997)

Trishtohu shqiptar për çfarë po ndodh!

Kull’ e Babelit nuk ka lindur tek ti.

Fjalor hieroglifesh në të tymosurën lëkurë

Zhveshur në bisht të gjarpërit,

Tingëllon si zile shkurreve e zallit.

 

Si bishë ulërij të tronditet dheu

Vezuvi të zgjohet nga gjumi.

E biri i Tiranit të kthehet në strofullën e largët,

Që Teuta të mbretërojë sërish në paqe në këtë tokë të amshuar.

 

Brinjët e poleve nuk mund t’i kapë njeriu,

As zemrën e dheut nuk mund ta shpojë një flamur i pabesë

Që qan si lokomotivë e vjetër në lindjen e largët.

 

Trishtohu  vëlla, që thur qefine…

Në këtë hapësirë sferike gjysmë natë , gjysmë ditë,

Se toka rrotullohet dhe askush nuk e di…

Mbase terri të takon ty, dhe vëllaut tënd, dritë.

 ***

Trimit

Kujdes ti, o trim! Njeri i lirë,

Se gjithmonë pas ditës vjen nata,

Dinaku i shitur, fytyrë nxirë

Rri e pret nëse të zë lëngata.

 

***

Patriotëve te rremë

Ka kohë “patriotizmi” ka dalë porno,

Si hana kur hahet  drapër emfatik.

Gishtat  tregues mprehun thik’ në torno

Lojcakë ushkurësh , mjeranë  fanatik.

 

Laramanë foltoresh , mushkonja në oaz,

Qingjat sacrificë për egon pis bakal,

Perëndimi i syve , jargët helm maraz.

Zambizm bëjn’ lirinë , këta bukshkalë..

***

Gënjeshtari

Shkurre e ferra gënjeshtari,

Diku mbjell, diku dhe korr!

Et’ për gjah ka mëkatari,

I hesht goja veç në vorr. 

***

I pandreqshmi

Nuk duhen shumë kohë  burgu

Për fajtorin që quhet njeri,

Por për kafshen që vjen nga vulgu

Nuk mjaftojnë as një mijë vjet qeli.

————————————————-

*Makthi,  Lloj bari me lule të verdha e të bardha me aromë mjalti.

*Voc  ,   Djal i ri .

*Voce ,   Vajzë e re .

*Ethtriu,  Djall, satana.

*Mbushulinë, Hi pluhuri.

*Dramkosur , Dramatizuar .

*Mbuhovinë, Pluhnajë .

*Muhanak   , Burg.

*Agulluar    ,Pamje e errët.

*Dojme       ,  Pasiguri.

*Altrani       ,  Fushë beteje.

*Dhjetë yjet ,  Dhjetë gishtërinjtë, dy duart.

*Bok herif , Turqisht  – British slang ,  Bastard, etc…(!)

*Salak , Turqisht ,  Idiot .

*Leylek, Turqisht ,  Lejlek..

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: alfons Grishaj, Cikli, Zgjim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 28
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT