Nga Alfons Grishaj/Elefantët dhe delfinët mendojnë se, njerëzit janë të bukur. Siç duket, dimensioni i trurit ndihmon kuriozitetin në këtë përcaktim. Delfinët kanë qenë gjithnjë të palëkundur në zgjedhjen e tyre, kurse elefantët jo, sepse u manipuluan prej njeriut. Rreth 1500 vjet para Krishtit, ata filluan të përdoren si makina ushtarake (Gjithashtu , koka e elefantit në një trup njeriu njihet si një nga Zotat Indian, quhet Ganesh). Asokohe vetëm njëherë u përdorën për paqe, rreth 475-500 vjet para Krishtit, nga Princi Siddartha Guatama (më vonë i quajtur Buddha) i Republikës Shakya, i cili përdori elefantët për presion ndaj kundërshtarit për të ndaluar luftën që të mos kish më gjakderdhje.
Perandori Çandragupta, kishte në përbërjen e tij ushtarake rreth 21 mijë elefantë. Persët dhe Indianët i përdorën në luftëra kundër Aleksandrit të Madh. Hanibali, pat formacion elefantësh kundër Romës, biles dhe Pirroja ynë i rreshtoi në luftë kundër Romakëve. Luftëtarët e asaj kohe dëshironin të ishin elefantë dhe me fuqinë e tyre ta shkatërronin armikun. Prej asaj kohe deri më sot, bota ka evoluar, por psikologjia është e njëjtë.
Një ditë, i mbylla sytë dhe nisa të meditoja për njeriun e shndërruar në elefant dhe anasjelltas. Me këtë test, doja të dija se si sillet njeriu-elefant dhe a ndryshon sjellja e elefantit kthyer në njeri, i cili tashmë është i pamanipulueshëm nga njeriu… Ky ishte dhe thelbi i këtij “udhëtimi” që më dha më tepër se një përgjigje.
Po ç’ndodhi? Njeriu i kthyer në elefant shikonte njeriun si krijesën më të shëmtuar mbi dhe, biles shfrynte me një neveri të pashoqe. Elefanti-njeri, e shikonte njeriun-elefant me trup të madh, të fuqishëm, duke ecur ngadalë si damë balloje, me noçkën e madhe, shërbyesen ideale të trupit gjigand që e bënte edhe më të adhurueshëm. Por, mendonte ashtu njeriu që u kthye në Elefant. Ai filloi të ulërinte dhe të shtypte çdo gjë të gjallë që nuk i bindej. Mbasi shtroi gjithë kafshërinë, u vuri taksa edhe mizave e pilivesave që bënin dashuri në ajër. Pastaj iu rikthye “njeriut”: “Nuk e kuptoj kush të ka krijuar ty, një send kaq i vogël, i shëmtuar… me dy këmbë të vogla thupre, nuk ke as krahë për të fluturuar, as sqep për të nxjerrë dhe shqyer sy, as dhëmbë të mprehtë për t’u mbrojtur… atëherë pse duhet të jetosh?” Elefanti-njeri, ngriti duart në qiell: “Kur isha unë si ti, Perëndi e bukur më dukeshe dhe kisha dëshirë të të mbaja në shpinë pafund; tani që ti je elefant kërkon të më shtypësh me peshën e fjalëve. Nuk do më lëndoje më shumë me peshën e putrës tënde mbi trupin tim, se me fjalët që më the.” Njeriu-elefant skërmiti dhëmbët dhe u çua në dy këmbë duke vënë putrën mbi trupin e elefantit-njeri. Me një forcë mizore e shtypi duke i shuar etjen ëndrrës shekullore të paqes mes krijesave. Pastaj u rrotullua, gjest që linte të kuptoje se qe gëzuar për vendimin që kish marrë. Me krenari fodulle shprehej se, qeniet inferiore si njeriu, nuk e meritonin të bënin pjesë në bashkësinë e forcës supreme, se ekzistenca e tyre ishte rastësore dhe e panevojshme, prandaj dhe nuk kishin kurrëfarë të drejte të shijonin frytet e natyrës. Këtë vendim ua komunikoi gjithë egërsirave, luanëve, tigrave, ujqërve, çakajve, çitave etj…
Në mbledhjen finale ai u shpreh gjithë neveri: “Thonë se, dikur dhe unë paskam qenë njeri, në të vërtetë isha, por e urreja veten aq shumë… sa mundësia e parë që m’u dha, u bëra si ju. Tani jam kënaqur! Më parë, gjuha juaj më dukej tmerr, tani jo vetëm e kuptoj, por dua ta flas deri në fund të jetës, sepse është gjuha e ekzistencës superiore që e flasin qëniet më të privilegjuara të rruzullit!”. Egërsirat u lëpinë dhe përshëndetën me ulurimë njëzëri. Ulurima në kor ishte aq e tmerrshme dhe e fuqishme sa krijoi uragan tingujsh që fshiu nga faqja e dheut gurë e pemë, bashkë me to dhe korin e kuorumit.
Ngadalë, pa e ndjerë fare, nga meditimi u zhvendosa në një gjendje hipnoze. Një fëmijë me sy të mëdhenj blu u shfaq përballë meje. Mbolli ca lule molle, borzilok, livando, viollca, trëndafila të bardhë e lulekuqe. Aureola mbuloi dhenë. Natyra po rilindte. Bashkë me të dhe shpresa e epokës së artë.