• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lufta Brenda llojit , Simptomë e Inteligjences Negative

July 4, 2017 by dgreca

1 Alfons-Grishaj

Nga Alfons Grishaj/

Çdonjeri ka në vetvete egon dhe superegon…  Sipas Frojdit, superego zë një vend më të madh në trurin e njeriut. Ajo kultivon tek njeriu gamën e sjelljes dhe veprimeve në mënyrë direkte dhe indirekte. Mekanizmi i Mbrojtjes Neurozë vjen si pasojë e egos…Tek disa Politikanë dhe udhëheqës organizatash , kjo është dhe dukuria e sjelljes së egër dhe konfuze. Përkufizimi i shkarjes logjike intelektuale ka në themel Inteligjencën Negative, dukuri kjo,  e diktatorëve si Enver Hoxha, Hitleri, Stalini etj…

Po politikanët tanë, a mund ta kenë Inteligjencën Negative?! Sipas sjelljes dhe shkapërcimeve ka një përputhje dramatike. Për këtë, shembulli i fundit në kampin e demokratëve ka hequr çdo pikë dyshimi… Inteligjenca Negative është e pranishme sa në kampin e Socialistëve, aq dhe në kampin e Demokratëve. Kjo dallohet përmes figurave të veçuara që nuk e kanë për asgjë të shkrumbojnë çdo gjë të arritur, mjafton të kënaqin egoizmin e tyre të sëmurë. Ata i japin gjithnjë të drejtë vetes (e kam theksuar dhe më parë), kolegut apo kundërshtarit, asnjëherë! Sigurisht, këto karaktere nuk janë të nivelit të Stalinit apo Enverit, por kanë të njëjtën  sëmundje. Partia Demokratike Shqiptare, humbi të paktën 15 deputetë prej kësaj psikoze. Arsyeja e dytë është se, PD nuk pati plan A dhe B, para se të shkonin tek kutitë e votimit…! Masa e demokratëve ka kohë që është shkëputur prej lidershipit … dhe, demokratët, o abstenojnë, ose hedhin turra – jazë herë tek LSI e herë tek PS…! Këtu nuk është faji i Lulzim Bashës, por i një klani të deformur nga kolltukët, të cilët pa frikë mund t’i quajmë, Inteligjenca Negative. Kjo “Inteligjencë” gjeti boshllëkun e duhur duke u shfaqur me gjithë vrullin e saj. Personazhe që ishin përgjegjës direkt dhe indirekt për humbjen e mësipërme, fërkuan duart me një pamje histeriko-skizofrenike… Sedra e katedrave dhe mukoza e rremë u shqyen keq. Ligësia autoritare rrëshqiti në dekadencën ordinere me një shpejtësi marramendëse. Grafia e popullit kaloi në revistë çdo kockë dhe ind të fshehtësisë së gjallesave që i brohorisnin më parë. Ishte një zhgënjim i madh dhe këtë zhgënjim, populli e tregoi përmes votës. Pati dhe blerje votash… Por, çdo qytetar apo fshatar i shekullit XXI mund të pyesë fare thjeshtë: “More zonja dhe zotërinj, kur ju nuk merreni vesh me njëri-tjetrin që keni vite së bashku, si mund të merremi vesh bashkë, kur na bie të takohemi një herë në katër vjet?!”

Kurse vëzhguesi i paanshëm, do pyeste: “Kush është më e rëndësisshme, një penë që qëndis për të ardhmen apo një shpatë që e pret atë?!” Jam i sigurtë që, duke mos njohur metamorfozën, pyetjet bien në vesh të shurdhër. Lufta brenda llojit, do të thoja, është lufta më e paprinciptë, e cila nuk ka derte, nuk ka keqardhje, nuk ka horizont, nuk ka shpirt, por ka vetëm një qëllim: shkatërrimin me çdo kusht të kundërshtarit, vëllaut , bashkëpuntorit,  dhe pse ky qëllim sjell vetëshkatërrim! Pra, ky është kulmi i Inteligjencës Negative, që nuk sjell asnjë lloj progresi, vetëm dekompozim! Thirrja për maturi e mikut tim, Kreshnik Çollaku, është një paralajmërim për klithësit e “revulucionit” të brendshëm. Po a nuk ishin këto njerëz (që klithin sot për një luftë brenda llojit) që lëshuan pak e nga pak terrenin që të vinin në pushtet të majtët ?! Para se t’i kërkojnë llogari Lulëzim Bashës, t’i kërkojnë llogari vetes që e qelbën me punërat e tyre të mbrapshta dhe fodullëkun primitiv. Jam dakord me gjykimin e shtruar, të miku tim, Genc Pollo, i cili thotë se  duhet një analizë serioze… Kjo është mençuria intelektuale dhe jo boritë …

Sa për ilustrim, në retrospektivë: Para disa vitesh, kisha për shpirtë një mision të shenjtë për tek  Kisha e Shna Ndout, Laç …, por kisha  dhe një kërkesë nga  disa demokratëve. Vendosa të udhëtoj për në atdhe për  misionin e shenjtë , por dhe për të paqëtuar heronjtë e demokracisë me shpërdoruesit e pushtetit demokratik… Si udhëheqës i “Unionit Anti-Komunist Shqiptar”, ndjenja e përgjegjësinë morale dhe shpirtërore më thërriste që në ato momente udhëkryqi të isha pranë heronjve realë. Luftëtarëve të lirisë, u kishte ardhur në majë të hundës; mohimi,  padrejtësitë, papunësia që klani i “revolucionit” të sotëm kish shkarkuar mbi të gjithë demokratët, në të gjithë vendin. Vendosëm që të mblidheshim në Shkodër, në Kinema Republika. Fatmirësisht ndodhi që dita që kishim lënë takimin të korespondonte me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, porosita që në sfondin e tribunës të vendosej urimi për Pavarësinë e Kosovës, dhe jo baneri i Unionit Anti-komunist. Fjalimi im u hap për Kosovën (dhe jo për hallet e anti-komunistëve) duke uruar për fitoren e madhe… Më pas vazhduam me procedurat e takimit tonë. Përfaqësues nga e gjithë Shqiperia sollën pakënaqësitë për disa drejtues të PD-së, të cilët, po vrisnin demokracinë dhe heroizmin e demokratëve të vërtetë… Salla e Kinema Republikës, numëronte rreth 200 përfaqësues të Unionit, dhe të ftuar. (Takimin tonë e ndiqnin përfaqësitë ishin KE dhe OSCE…) Dhe pse të zemëruar deri në kockë, u mundova t’i qetësoja, duke i këshilluar që të zgjidhej një përfaqësi për të negociuar me vëllezërit dhe motrat demokratë që kishin pushtetin. Pjesëmarrësit në atë takim ishin shumica heronjve të lirisë që nga fillimet e para dhe pjesëmarrës të 14 Shtatorit… Ata nuk e kishin për asgjë të rrëzonin një qeveri, por kë do rrëzonin, vetveten?! Më premtuan se do e zgjidhnin përfaqësinë ose do të heshtnin duke shpresuar në njohjen, dhe respektimin e kontributeve të tyre… Televizionet lokale dhe  ALSAT i Tiranës, i bënë jehonë atij takimi. Fotografja demokrate, Vjollca Tafili, duhet të ketë ekzemplarë  fotosh nga ai takim…

Pra, kishim një gjendje të dukshme të shkëputjes së lidershipit nga baza e demokratëve të vërtetë. Vendin e tyre e kishin zënë klientët që vinin nga rradhët e kundërshtarëve. Fajin për këtë nuk e kish Lulëzim Basha, se ai as që mendohej se mund të bëhej kryetar asokohe, por arrogantët që e shpërdoruan besimin e demokratëve në vite, duke bërë që akumulimi i të keqes të humbte shpirtin dhe fuqinë e palcës së demokracisë shqipëtare, bazën!

 

Populli vuante dhe po vuan për bukën e gojës, duke marrë rrugët e mërgimit, bash prej këtyre politikanëve të babëzitur që njohin vetëm të drejtën e egos absolute të vetvetes dhe asnjëherë detyrën për çfarë janë zgjedhur. Mendoj se, përpara se të luftojmë me njëri-tjetrin duhet t’i thërrasim ndërgjegjes për t’u larguar nga epitetet e “hekurta” që prangosin mirëkuptimin dhe zhvillimin e demokracisë së brendshme në dëm të rregullave të lirisë dhe besimit të elektoratit. Nuk duhet fajësuar komshiu  apo oponenti, por paaftësia personale dhe kolektive për të dalë nga qendrimi i gabuar! Lëreni Bashën të punojë …!!!

 

Kandidimi i Selamit përballë Bashës, është një kërkesë e rregullave demokratike dhe duhet respektuar. Eshtë koha që “sedërlinjtë” të ulin hundën dhe të punojnë së bashku sa nuk është vonë! Shtëpinë e demokratëve nuk e ndërtuan “sedërlinjtë” e as kritikët e “sedërlinjëve” ,  as demokratët parazitë (që bëjnë rolin e heroit), që sulmojnë Jozefinën sot,  por heronjtë e vërtetë… Mjaft me fallsitet e hipokrizi ! Punoni së bashku, askush nuk është i tepërt !

Randolf thotë: Justice is never given; it is exacted and the struggle must be continuous for freedom is never final fact, but continuing evolving process to higher and higher levels of human, social, economic, political and religious relationship.

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, e Inteligjences Negative, Lufta brenda llojit, Simptomë

Demokracia Shqiptare si “Ligji i Xhunglës ”

June 28, 2017 by dgreca

1 Alfons-Grishaj1 Alfonsi2

Nga Alfons Grishaj/

Megjithëse kanë kaluar vite, demokracia shqiptare është akoma në një gjendje të mjeruar. Në parti, organizata, institucione shtetërore, institucione kulturore etj., shfaqen herë pas here mbetjet e një  kohe të tmerrshme që la plagë të mëdha në shoqërinë shqiptare. Edhe sot, kjo pasojë që gangrenizoi shoqërinë, shtetin dhe të ardhmen, shfaqet me shëmtinë e saj, ku personazhi kryesor i një subjekti i jep vetes të drejtën e fuqisë e një Perëndie… Ai legjitimon vetveten si një drejtues i pazëvendësueshëm dhe i pagabueshëm.

Në këtë maratonë, babëzitja lë vranga, duke kafshuar me egoizëm të egër. Viktimë e egërsisë dhe pabesisë bie rrethi shoqëror, organizata, partia apo shteti. Megjithëse ka me mijëra ilustrime për një dekadencë të tillë, përsëri në shoqërinë shqiptare ka idhuj dhe pasues të kësaj gangrene. Hipokrizia e adhuruesve aminxhinjë që rrethojnë Perëndinë e gënjeshtërt me saze të shurdhta i ka dhënë zë një propagande të verbër, që përhapet gjithaq me anë të një megafoni rrëngallë që i përcjell zërat thjesht si pëllitje. Në politikë, kjo i ka kushtuar rëndë Shqipërisë, kurse në organizata shoqërore ka qenë një kurth asfiksie ose shkatërrues  që ka manipuluar dhe ndaluar përparimin e zhvillimit shumë dimensional.

Mbetjet e këtyre trupave amorfë janë shpërndarë për të rikrijuar parti apo organizata të tjera, të cilët kanë sjellë të njëjtën pasojë të rëndomtë, produkt negativ dhe regres! Sipas informacioneve të shkruara dhe gojore  dhe personale, në këtë katrahurë, praktikë e vendeve dhe mendjeve të pazhvilluara, operojnë vrasësit e shpresës. Lideri  balonë dhe rekrutët e “Injorancës  së shkolluar”, siç thoshte Bjelinski, kanë përçudnuar lidershipin deri në atë shkallë sa të vjen për të qarë duke shikuar se si është varrosur kultura tradicionale e burrërisë, fjala dhe tradita. Ato flasin për traditën, për burrërinë, që në të vërtetë, nuk është asgjë reale dhe e prekshme, por vetëm një fasadë reje…

Kjo kategori e ka shumë të vështirë për të kapur kohën. Patericat i gjykojnë si shtylla mbajtëse të një ndërtese klasike…! Por në fakt, nuk është ashtu, se këtu nuk bëhet fjalë për një relike muzeale po për një organizëm të gjallë që duhet rigjeneruar me mendje dhe gjymtyrë të reja. Për shembull: Nëse ne do ta gjykonim Vatrën si një objekt apo si një  relike muzeale, me plot të drejtë dikush do të thoshte se ajo e ka kryer misionin e saj…Realisht, Vatra nuk është një relike muzeale, por një Institucion i gjallë 105 vjeçar, që ashtu si Kisha apo Xhamia, të cilat kultivojnë vlerat  e shenjta  shpirtërore, Vatra kultivon vlerat e larta patriotike dhe kombëtare. Por nëse kjo Vatër kthehet në qëllim në vetvete për t’i shërbyer një familjeje apo një nervi amatoresk, ajo ka mundësi të degradojë në të njëjtën shkallë si dhe institucionet në Shqipërinë etnike…

Shoqëria shqiptare ka krijuar një preçedent të rrezikshëm: kulturën e suportit të partive, apo  organizatave që punojnë në dëm të shoqërisë, duke i zënë sytë vetes për të mos parë bajraktarizmin unikal të lidërve primitivë, të cilët janë pasuruar në mënyra të paligjshme, pa e konceptuar pushtetin qe nuk e kanë si instrument shërbimi për masat, por, si një money tree për ta shkundur në xhepat e tyre. Përgjegjësia ndaj shtetit dhe popullit janë në nivelin zero. Nëse shoqëria shqiptare do të ishte e ndërgjegjshme që me referendum të krijonte një model tjetër, si ai i sistemit amerikan, ku pushtetet janë të ndara, transparenca është maksimale dhe ligji është funksional, atëherë, populli shqiptar do fitonte lirinë, mirëqënien dhe dinjitetin. Po a i intereson ky hap transformimi politikanëve të babëzitur shqiptarë?  Kurrësesi jo! Po të ndodhte kjo, fundi i tyre do ishte pa lavdi. Koncepti i kastës së krijuar në vorbullën e etnisë tonë nuk krijon mundësinë e debatit konstruktiv që bazohet në normat e shenjta  të demokracisë. Nëse je me kastën në fjalë, je hero! Nëse i kritikon, humb titullin…! Po i dole kundra, mund të humbasësh dhe gjithçka. Ligj ky, i emëruar: “Ligji i Xhunglës!” Konotacioni tragjik i këtyre dy fjalëve përmbledh dhe sakrilegjin  e zgjedhjeve të fundit, ku humbësi i madh mbetet përsëri populli, trupa e madhe zgjedhore, vetë sovrani.

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj

Idea e Pushtetit Politik si shprehje e egoizmit

May 30, 2017 by dgreca

1 Alfons-Grishaj

Nga Alfons Grishaj/

Në mendimin e përgjithshëm shqiptar, pushteti politik nuk është instrument i kontrollit dhe i zhvillimit shoqëror, por egoizëm definitiv, i cili vjen në rritje në një shkallë aq të rrezikme sa rrezikon subjektin, shoqërinë dhe shtetin.

Asnjëherë nuk e kam parë më parë këtë dukuri të shfaqet në një mënyrë të tillë sa groteske aq dhe të çoroditur si në ditët e sotme. Trumbetat kanë rënë por marrshimi është ndalur nga shkreptimat e rrufeve në qiell të hapur. Shiu dhe acari vjen pas kësaj… Disa fytyra të dashura që i njoha prej vitesh si demokratë e njerëz vullnetmirë, ma kanë mjegulluar disi imazhin e tyre. Froni i pushtetit i ka transformuar aq sa vello e plastikës së  hidhërimit ua ka humbur  hijeshinë edhe logjikën e ftohtë që duhet të ketë politikani intelektual. Hyrja e tyre në politikë  nga  profesione të ndryshme pa njohur asnjë lloj enovacioni në karrierë, i transformoi në politikanë të rëndomtë e megalomanë, nganjëherë dhe arrogantë. Leksionet për demokracinë i morën në mënyrë aberrative dhe ashtu i përcollën nga fyelli i bariut të malit në shinat e botës moderne, çka tregon dhe rezultatet e rakitizmit të politikës shqiptare. Botërisht njihet ambicja për fronin dhe egërsia për ta mbajtur atë, por unë kam menduar se periudhave të tilla do t’ u vinte fundi, për t’i lënë kohën e duhur riparimit të shkatërrimeve që shkakton mosqarkullimi i elitave, dukuri që e bën autoritarist pushtetin në demokraci dhe e kompromenton rëndë atë si sistem vlerash aq sa për sytë e qytetarëve të thjeshtë ajo të mos ngjajë shumë e ndryshme nga diktatura.

Politikanët tanë duket se kanë harruar se si erdhën në politikë, si u bënë të pasur në aq pak kohë dhe si kanë qendruar aq gjatë në pozita privilegjesh në një vend ku mirëqenia është tashmë një ëndërr e shuar për shumicën e shoqërisë sonë. Retorika e zhurmës propagandistike, prej vitesh ka mbytyr zërat që i thonë të vërtetën shoqërisë dhe metoda krahasuese në ligjërimin politik as që aplikohet më. E pra, pas luftës më të përgjakshme e më shkatërrimtare në të gjithë historinë e njerëzimir, shteteve perëndimore nuk iu deshën më shumë se dy dekada për të futur shoqëritë e tyre në stadin e mirëqenies së qendrueshme, dhe kjo falë respektimit të vlerave të demokracisë.

Tek ne ndodhi e kundërta. Pa një traditë kapitaliste dhe trashigimi në demokraci, të gjithë me një kostum, atë të qepur nga PP, politikanët tanë e shndërruan pushtetin në qëllim në vetvete, duke parë poshtë vetëm dendësinë e turmës. Megjithatë, bosët e politikës së sotme që nuk lanë të afërm, “shok” apo klient pa rregulluar për llogari vetiake në kurriz të shtetit dhe shoqërisë, shpesh madje edhe në vetë kurrizin e  partisë që u dha  emër dhe pushtet, pa ndjerë ndonjë përgjegjësi morale, lanë të gjithë demokratët e vërtetë dhe popullin në përgjithësi pa asnjë shpresë për një të ardhme më të mirë. Çfarë është më e keqja, kanë luajtur me moralin shoqëror si mica me miun, duke e quajtur këtë si “ligji i nënkuptueshëm” i funksionimit të demokracisë.

Në sfondin e kësaj drame “moderne”, karakteristikë e së cilës është ndryshimi i situatave nga komike në tragjike dhe ndryshimi i roleve nga shkaktar në pësues, shohim tashmë që në skenë, kanë  dalë të luajnë rolin e disidentit, të “llastuarit, të përzgjedhurit dhe të parapëlqyerit” e liderit të djeshëm me mesazhin alarmues: “Demokracia në rrezik!”. Po kur paskemi pasur ne një demokraci të “lulëzuar” që po na u vyshka me një “të shkelur”?!

Demokracia vetëm metaforikisht mund të quhet lule. Si sistem ajo është diçka krejt tjetër dhe shëndetshmërinë e saj e garantojnë parimet e lirisë perëndimore, normat e të jetuarit dhe të  bashkëvepruarit në kuadër të një organizmi jetik si dhe respektimi i vlerave që ato përçojnë. Pavarësisht tonit dhe vetë kuptimit të reagimit të tyre, është me vend t’u kujtojmë “disidentëve” si dhe mbarë opinionit publik që për demokracinë nuk mund të kujtohemi vetëm kur ajo shndërrohet në një çështje personale dhe pikërisht atëherë kur të cënohet karriera. Ata njerëz kanë qenë aty prej dekadash, kanë mbajtur prej shumë mandatesh poste të larta dhe kanë pasur gjithnjë aq pushtet sa për të luftuar për konsolidimin e vlerave të demokracisë, e në rastin konkret edhe të asaj brendapartiake. Personalisht, mendoj dhe besoj se asnjë individ i vetëm, qoftë ky dhe kryetari, nuk mund të zhbëjë rregullat demokratike. Nga ana tjetër, edhe nëse është si thonë “disidentët”, prapëseprapë ata vetë nuk mund të zhvishen nga përgjegjësia, sepse kanë pasur gjithë kohën e mjaftueshme në dispozicion për një aksion politik parandalues, ndërkohë që, çdo mendje racionale, çastin e mungesës së emrit në listë, nuk do ta gjykonte si momentin “ideal” për të nisur një proces ballafaqimi brendapartiak, kur një tjetër shumë herë më i madh e më i rëndësishëm është në zhvillim e sipër.

Në politikën demokratike, qarkullimi i elitave është një nga ligjet bazë. Ata që nuk e respektojnë këtë ligj, nuk e njohin demokracinë, dhe ata që nuk e njohin demokracinë nuk mund të kenë vend në lidership. Nëse kontributi në demokraci shihet vetëm i lidhur me mandatin e deputetit, atëherë më duhet ta them se kjo mënyrë të menduari nuk ka asgjë demokratike. Ajo është thjesht një shprehje e shëmtuar e egoizmit, sepse politikani në demokraci është shërbestar dhe statura e qartë e tij ka tipar të qenësishëm altruizmin.

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: alfons Grishaj, Idea e Pushtetit Politik, si shprehje e egoizmit

Booby Trap i Dosjeve të Komunizmit

April 19, 2017 by dgreca

Nga Alfons Grishaj/

Ndërgjegja humane është një rrjet me dy hyrje të shkallëzuara:  porta e vetëdijes dhe porta e dijes. Lidhja e ngushtë e tyre paraqet dy hallkat e një zinxhiri. Nëse dija nuk është e mjaftueshme, është vetëdija ajo që ngarkohet për të plotësuar boshllëkun…

Të parën e shohim si mëshirim tek besimi në një inteligjencë e cila shkon deri tek harmonia kozmike. Të dytën, e hasim ngado dhe kudo, si një ingranazh jetik, si formulë dhe hallkë për ekzistencë.

Në këndvështrim objektiv, njeriu pajtohet me kushtet e rrethanat e caktuara në kohë dhe hapësirë, krijon një  kompromis (të varfër) të detyruar. Sigurisht kjo nuk duhet të bëhet një modus vivendi në mënyrë definitive për zgjidhjen. Nëse ne pranojmë kushtet dhe rrethanat si përcaktuese, duhet të pranojmë se këto kushte dhe rrethana janë të lëvizshme siç janë kushtet e botës fizike dhe shpirtërore. Njeriu mund të sillet si një trup i ngurtë, pra si një objekt, por kjo nuk sjell dobinë e kërkuar relative. Ngatërrimi i informacionit pa burim të filtruar dhe braktisja e vetëdijes çojnë në konfuzion dhe shtrembërim të të vërtetave të jetës. Nëse ne e përdorim trurin si të tillë, ne nuk kemi  privilegjin për të dalluar shkëmbin dhe shpellën, të vërtetën dhe gënjeshtrën, abstrakten dhe realen. Megjithatë, ndërgjegja e degraduar humane është e prirur për të besuar më tepër gjërat e sheqerosura ose sajimet e qëllimshme (dënuese e denigruese të grupimeve diktatoriale apo të ndotësve demagogjikë) se sa të vërtetën e prekshme, nganjëherë tejet të dhimbshme.

Lufta e njeriut me njeriun është e lashtë sa vetë historia. Mitologjia antike, edhe pse fryt i përfytyrimeve, fillon me luftën e Perëndive dhe përshkallëzohet më gjaksore tek njerëzit, ndërsa Bibla, e pasqyron edhe më qartë agresivitetin çnjerëzor, realitet i përsëritur herë pas here në histori, sa sot me të drejtë dyshohet në ekzistencën e një ndërgjegje universale. Kjo, sepse dukshëm shumë njerëz nuk kanë mësuar asgjë nga përvojat e së shkuarës. Kështu  ngjet edhe tek ne dhe më e kapshme kjo dukuri bëhet sa herë bie fjala për qendrimin ndaj së shkuarës. Dikush hedh një fjalë, të tjerë lëshohen ta tjerrin sipas dëshirës, duke endur kështu skenarin e një shfaqjeje të shformuar.

Kështu në skenë po shfaqen  sërish dramat e personazheve realë. Të vuajturit e djeshëm, janë ribërë subjekti i preferuar i përfaqësuesve të institucioneve, opinionistëve dhe mediave. Dija dhe vetdija janë përmbysur duke përdhosur norma e kode të tëra e për rrjedhojë janë ngatërruar edhe rolet. Tipik është rasti i njërit nga personalitetet e mbijetuara nga regjimi çnjerëzor komunist, Visar Zhiti. Ai ka mbrojtës dhe akuzues, çmues dhe përçmues. Çmuesit e tij janë të sferave dhe bindjeve të ndryshme, ashtu si dhe kundërshtarët. Në skenarin që luhet në kurriz të tij, shohim djajtë të sillen si engjëj duke i propozuar kurorë pas ndëshkimit dhe autoritetin e lartë të papërgatitur në gjykim. Dikush e nënçmon tek i tregon një letër, një tjetër e mbron se nuk ka vënë firmë…

Adhuruesit e thjeshtë janë spektatorë të pafuqishëm në lojra të tilla. Ata, qoftë kur japin mendim pozitiv, qoftë kur japin mendim negativ, nuk arrijnë të ndryshojnë ndonjë gjë, përveç ndryshimit të opinionit të tyre nën trysninë e opinionit zyrtar. Sepse në fund të fundit, ata janë aty për të kryer ritualin e duartrokitjes e për të përshëndetur suksesin e aktorëve. Në këtë kontekst, ne ballafaqojmë qëllimin dhe objektivin, sarkazmën dhe cinizmin, dëshirën dhe zhgënjimin. Vuajtjet e Visarit nuk i kanë provuar as mbrojtësit dhe as kundërshtarët. Të gjithë flasin kuturu si në pazarin e dhenve, ku përsëri diferencën e bën  kasapi.

Tek e sheh këtë teatër primitiv, vetiu vijnë disa pyetje: Të gjithë këta njerëz të “kulluar”  të shekullit  XXI, a kanë bërë një ditë të vetme në tmerrin që ka kaluar Visari dhe mijëra bashkëvuajtës të tij?  A kanë  patur rastin që në pjatën e tyre të gjellës të largojnë krimbat për të ngrënë lakrat? A kanë provuar prangat  gjermane  dhe duart e tyre tek shtërngoheshin me cepin e kapotës deri në zero, kur dikush rrëzohej përdhe pa ndjenja, apo një tjetër vdiste duke e lënë zemra? A kanë patur rastin që të ngrihen në acarin minus 20 gradë, kur për të mbijetuar, trupin e mbështillnin me gazeta, dhe këmbët me lecka dhe copza batanijesh të kohës së luftës së parë botërore? A kanë patur rastin të lageshin përditë në dushin e galerive (dy mijë metra në thellësi të tokës) me ethe që vibronin në palcë? A kanë patur rastin që në apelin e përditshëm të shohin rrallimin e shokëve të fatit një e nga një nga vdekjet e pritura dhe të papritura? A kanë  patur rastin të provojnë elektroshok, apsez, haloperidol, 2 me 1, chloropromazin, terralene, nozinane, imipramine, opium dhe torturat çnjerëzore, gjoja në emër të eksperimentimeve shkencore? A kanë patur rastin  të informohen për pushkatimet, internimet e të afërmve të tyre?

Dr. Kristo Kallapolli, për hatrin e fëmijëve të tij (sigurimi e kërcënonte se do t’ia ndëshkonte familjen), do të pranonte akuzën bajate të “poli-agjentit”! Eshtë kollaj që të predikosh moralin e qëndresës, pa peshën e zinxhirëve mbi shpinë dhe kaskat e vdekjes mbi kokë. Po zotërinj! Eshtë kollaj dhe turp!!!

Tablloja rëndohet, kur shohim dhe njeriun e letrave Kadare, tek shprehet se nuk do ta falë Lubonjën (për të cilin  nuk kam ndonjë konsideratë për vetë flip-flop-et e tija), i cili, gjoja e paskësh paditur. Ja klemenca e përçudnuar e shkrimtarit …! Çudi! Por çudia nuk mbaron me kaq edhe pse rrallë kush pyet se çfarë i ndodhi shkrimtarit Kadare nga paditja e Fatos Lubonjës? Pse nuk e burgosën, kur të burgosnin për një fjalë goje…?! Lavdia e pompuar nga privilegjet rozë vetpaditet tek bëhet qesharak duke bërë rolin e viktimës, kur në fakt, viktima është Lubonja. Por le ta pranojmë për një çast që dhe vetë Kadare është viktimë. Cili do të ishte atëherë kuptimi i këtij debati?! Fajtorë janë vetë viktimat, dje dhe sot! Hartuesit, urdhërdhënësit dhe përdoruesit e dosjeve famëkeqe, domethënë, vetë Sigurimi dhe ish kasta e lartë e PPSh, nuk janë përgjegjës për krimet e diktaturës dhe pasojat e saj.

Siç shihet, asnjë nga të “kulluarit” kritikë nuk i njeh vuajtjet dhe tmerret që kanë kaluar të persekutuarit. Atëherë, si mund  të bëhet një gjykim racional kur nuk ekziston njohja…?!

Të gjithë njerëzit që kanë kaluar nëpër dyert e terrorit komunist e dinë se si janë bërë dosjet dhe kush i ka udhëhequr. Tani me dosjet e persekutorëve duan të vrasin përsëri viktimat e rregjimit, e kush bën këtë gjykim? O Zot, më fal…! Gjykimi është kalibri që mason të mirën dhe të keqen.

Nuk i ka hije asnjë personi të bëjë rolin e gjykatësit apo aktorit mbi tragjedinë e viktimave dhe aq më pak ta quajë veten të përndjekur, kur njihen që disa prej tyre e kanë çuar në piedëstal dikatorin Hoxha…

Letrat ill-smelling që ka lënë diktatura janë një stisje e tmerrshme që ngjan si një booby trap, që vret më tepër të persekutuarit (90%) sesa përsekutorët e kuq që i sajuan ato …

Atëherë, çfarë u mbetet të persekutuarve për të mbrojtur nderin e tyre të nëpëkëmbur, të bëhen kamikazë ?!

Rumi thoshte : “Plaga është drita në të cilën ju hyni!”

Falë persekutorëve, të persekutuarit e kanë fituar atë.

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, Booby Trap, i Dosjeve, të komunizmit

Alfons Grishaj ne Sofren Poetike te Diellit

April 1, 2017 by dgreca

ALFONS GRISHAJ/

1 Alfons-GrishajPer Arben Brocin/

1 Arben BrociHej trim, vëlla, o luftëtar!/

Patosin e lirisë e mbolle me gjak/

Ç’ më theri dhimbja në damarë,/

Kur shtrirë të pashë mbi atë prag!/

“Ah…! Birë , e mjera unë…

Të isha unë në vendin tënd !”

Vëlla, liria kushton shumë!

Britma e nënës ther e dhemb.

S’ njeh lot nëne politika,

Jetën shpesh ta bën skëterrë.

Ferrin ndezur e mban klika,

Bishë që vjell veç helm e vrerë.

O vëlla! Frymëzim, o legjendar!

Flijimi yt, ozon në hapësirë,

I gjallë përjetë në atë altar.

Shih e na gjyko, o shpirt i lirë!

Çilësi i Artë… … *

Oh! Ma leht do t’kisha mbajt mbi shpinë qiejt e thyem si Atlas,*

Se sa shkarravinat dhe injorancën që si degë të kalbuna të nëpërkamen,

Tuej pjell aty-këtu verbëri n’emën  të dijes.

Trashëgim i hidhun prej shekullit të kaluem…

Algat e barishtet e knetave

Rreken  me i shitë si lule  dermani…

Dhe si Cerberi që ruan të vdekunit mos me ik

Ashtu ruajnë njeni-tjetrin

Tuej ruejtë unitetin e vdekjes!

Arkitekti i së keqes me garuzhdën e ndryshkun

Përzin prehen në kazanin ku zihen rrobat e pista,

Ku as  fini, as sapuni nuk ka me mujt  me i la kurr ma.

Sarkazma  narciziste mbledh si qelbi mizat…urrejtjen kuturu,

Rreshta çekiçësh në parakalim  gumzhijnë: “Urra!Urra!”

Tuej ndrrue formën porsi shtrigat, me lundër maskash dhe rrema fshesash,

Simbolet drapën-çekan dojn me i filigramu n’kordat e violinës

Që muzikën  e vërtetë me e vra, e me u ndi veç ata …

Kori i korbave të çoroditun…

Oh! Sa rand ka me ra  topuzi qiellor mbi kurrizin e tyne prej krokodili,

Dushi kozmik prej acidi ka me i shkërmoqë

Sa, s’ kanë me mujtë me u zvarritë as tek portat e mëshirës,

Me prek  simbolin e Çilësit t’ Artë…

Trupa të rranum, kanë me rrëshqitë  honeve pafund !1 Kujtim Qafa Kujtim Qafës

Burrë nopran si kreshtë e malit,

Gjoks vidiumi, për atdhe, mburojë

Shpatë për tradhëtarë, zemër shqiponjë,

Kalorësi  i lirisë trokth majë kalit.

U nblodhën “vajtorët” si dikur  motit

Për sëmundjen që ra mbi këmbë e dorë,

Shpresuan vdekjen  të ligjtë e gjorë,

Por harruan engjëjt dhe dorën e Zotit.

Galdoj tek të shoh trim dhe të fortë,

Shqim qirinjtë e zisë, t’i ndezim në tortë,

Se festë e gëzim ne kemi përsëri.

Kemi rrugë për të bërë ende për liri,

Për kauzën e shenjtë, të madhen Shqipëri.

Në këmbë! Se heroi  nuk ka kurrë mort!

Shpjegim fjalësh:

1-Dy Celësat, njëri  Artë dhe tjetri i Argjentë, është  simboli Papal,  simbolikë e  fuqisë së Krishtit…Çelësi i Artë, simbolizon diellin dhe energjinë mashkullore, kurse Celësi i Argjendë, energjinë femërore dhe hënën…

Çelësi i  Artë hap ose mbyll portat e qiellit, kurse Celësi i Argjendë, hap ose mbyll portat e tokës.

2-Atlasi ishte i biri i Titanit. Ata e humbën luftën me Zeusin. Pas kësaj, Zeusi, e dënoi Atlasin që të mbante qiejt  gjithë jetën mbi shpatulla.

3-Çerberi = Cerberus, ishte  monstër me disa kokë, i cili  ruante portat e Hadit  që të mos iknin të vdekurit.

4-Poem,  poezi…

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: alfons Grishaj, ne sofren poetike, te Diellit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 28
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”
  • Përurim i “American Dream” në Vatër
  • Një vit që ka filluar mbarë për Vatrën në Chicago
  • Kategorizimi i qyteteve shqiptare sipas Sami Frashërit në vitin 1890
  • Abas Kupi, historia, e vërteta dhe dashuria për atdheun…
  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI
  • “E DREJTA ZAKONORE E ÇERMENIKËS. KANUNI I MUST BALLGJINIT” 
  • Retorika e Serbisë si agresion psikologjik: narrativa e rrezikshme e Aleksandar Vuçiçit në Ballkan
  • Çfarë “shteti” deshi Mehmet Ali pashë Misiri në luftën e tij kundër sulltanit osman?

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT