• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ish ambasadori amerikan Arvizu flet pas largimit nga Departamenti i Shtetit

November 24, 2017 by dgreca

A. ArvizuKjo është intervista e parë e Alexandër Arvizu pas largimit nga Departamenti i Shtetit. Në të shfaqen hendeqet e një interviste via email (te mungesa e pyetjeve pasuese), por gjithsesi është një bisedë, që është munduar të kapet te damarët e çështjeve që shqetësojnë, sot, dje apo nesër Shqipërinë politike, të paktën.a.arvizu

Intervistoi: Alfred Lela/*

-Z. Ambasador, ta fillojmë nga fundi: edhe pse Anne, bashkëshortja juaj, lajmëroi largimin tuaj nga Departamenti i Shtetit, disa gjëra mbetën të paqarta: U larguat, dolët në pension, apo u ngopët?

Sistemi i Burimeve Njerëzore (HR) në Shërbimin e Jashtëm amerikan është shumë i ndërlikuar, është ndryshe nga pjesët e tjera të qeverisë amerikane. Unë kam qenë në pozicionin tim të mëparshëm si DAS (Deputy Assistant Secretary) për më shumë se dy vjet dhe ishte koha që të ndërroja pozicion. Dosja ime po shqyrtohej për tre pozicione të ndryshme, një në Washington, dhe dy të tjera jashtë Amerikës. Por nuk u mor asnjë vendim. Kështu që m’u desh të largohesha. Nuk është mirë kur vendimet merren duke mos u marrë vendime. Por, nuk ka gjë.

-A mbështesni atë që Anne tha në një status në Facebook, ku ajo ishte shumë e ashpër rreth mënyrës se si po shkojnë gjërat në Departamentin e Shtetit që pas mbërritjes së z. Tillerson?

Çdokush që është i mirëinformuar do të të thotë se diplomacia amerikane po degradon nën këtë administratë. Dhe ky degradim është veçanërisht i dukshëm në Departamentin e Shtetit. Shumë diplomatëve senjorë (të karrierës) iu kërkua të largoheshin apo ikën vetë, sepse nuk mbante më. Këta janë diplomatë amerikanë me përvojë dhe shumë të trajnuar, që kanë shërbyer si në administratën Demokrate ashtu dhe Republikane përgjatë viteve. Nuk është një pamje e bukur.

– Kur ju kontaktuam në shtator, ju thatë se ‘nuk u ishte kërkuar të qëndronit”. Kështu që u larguat. Në të njëjtën kohë pati zëra se po merreshit në konsideratë si zgjedhje e mundshme për vendin e ambasadorit amerikan në Kosovë. A është kështu?

Do të kishte qenë një nder të përfaqësoja Shtetet e Bashkuara në Kosovë.

-Cili është statusi juaj aktual: A jeni një diplomat në pension, që po shihni mundësinë që përvojën e gjerë në diplomaci ta përdorni në sektorin privat, siç kanë bërë shumë diplomatë para jush dhe vazhdojnë të bëjnë?

Nuk jam i sigurt se çfarë do të bëj në të ardhmen. Kam nevojë për disa muaj pushim dhe për t’u menduar. Jam 59 vjeç, kështu që kam edhe disa vite të tjera të mira (qesh). Fatmirësisht situata jonë financiare është e mirë dhe jam mirënjohës për këtë.

-I ndiqni rregullisht zhvillimet në Shqipëri?

Po, mundohem të informohem me sa më lejon koha, kryesisht duke hapur portale të ndryshme online herë pas here, megjithëse siç ti e di, unë nuk lexoj apo flas shqip, gjë që mbetet një problem. Jam në kontakt me miq atje dhe ata më ‘ndihmojnë’ të kuptoj se çfarë po ndodh (qesh).

-Cilët janë disa prej njerëzve me të cilët mbani kontakte në Tiranë?

(Qesh) Ndoshta nuk do t’ju bëja ndonjë shërbim atyre po t’ua përmendja emrat publikisht. Janë rreth 30-40 njerëz me të cilët mund të them se mbaj kontakte të rregullta ose deri diku të tilla. Përfaqësojnë profesione të ndryshme dhe pikëpamje të ndryshme politike, gjithashtu. Jam përpjekur të bëj të njëjtën gjë kur kam qenë në Tiranë.

-A ka diçka për të cilën ju merr malli posaçërisht nga Shqipëria?

Pothuajse gjithçka, me thënë të drejtën. Të jesh ambasador i Amerikës në Shqipëri duhet të jetë një prej punëve më të mira në botë. Më pëlqente të ngrihesha në mëngjes dhe të mendoja për ditën që kisha përpara. Çdo ditë ishte një lloj aventure e re, sepse ka kaq shumë sfida përballë shqiptarëve, dhe ata të bëjnë të ndihesh i vlerësuar, sepse kaq shumë shqiptarë duan të besojnë në një të nesërme më të mirë. Dhe Shtetet e Bashkuara mund të jenë një pjesë e kësaj.

-Cila është gjëja që të mungon më pak nga Shqipëria?

Ndoshta cinizmi dhe hipokrizia. Sigurisht të politikës, por jo vetëm në politikë. Ngado.

-Mendoj se mund të flisni më lirshëm tani që nuk jeni më i kufizuar nga kushtëzimet e Shërbimit të Jashtëm. A do të thotë kjo se mund të jeni më kritik ndaj qeverisë Rama?

A po thoni se nuk kam qenë kritik gjatë kohës që isha në detyrën time zyrtare? Jam i sigurt se z. Rama nuk do të ishte dakord.

-Z. Rama arriti të merrte një mandat të dytë, por zotat nuk e donin të lumtur. Shpërthimi i skandalit ku përfshihet ish-ministrit i tij i Brendshëm, z. Tahiri, e tronditi qeverinë e tij, e cila tani po përpiqet të mbledhë copat. Qeverisja e vendit është kthyer në ‘menaxhim të krizës’. Çfarë mendonit për z. Tahiri gjatë kohës që ishit Ambasador?

Menaxhim krize? Nuk jam i sigurt se bie dakord me këtë vlerësim. Sa i takon z. Tahiri Ambasada amerikane kishte një raport shumë të afërt dhe bashkëpunues me të kur ai ishte ministër i Brendshëm. Dhe jo vetëm me të, por me zyrtarë të tjerë të lartë të asaj ministrie, përfshirë Elona Gjebrenë dhe Genc Gjonçajn. Dhe, sigurisht, të gjithë strukturën e Policisë së Shtetit. Bashkëpunimi ishte i shkallës së parë.

–Çfarë mendoni për të tani?

I kam lexuar disa prej akuzave kundër tij dhe ato janë serioze. Dhe nuk e di se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo. Nëse ka bërë diçka të gabuar dhe kjo mund të provohet në gjykatë, atëherë ai patjetër që duhet të përballet me pasojat. Por, siç e thashë, nuk e di nëse ai është fajtor.

-Partia Socialiste në pushtet refuzoi t’i hiqte imunitetin parlamentar z. Tahiri. Pati nga ata që e panë këtë si një fillim shumë të keq të procesit të vetingut, pasi jepet ideja sikur ‘makina e vetingut’ do të kapë vetëm politikanë të anës tjetër, apo gjykatës dhe prokurorë që nuk janë në ‘zonën e miqësisë’…

Deputetët gëzojnë imunitet sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Shqipërisë, për arsye të ndryshme. Por imuniteti nuk duhet të jetë mburojë nga hetimet, nëse ka prova të besueshme për aktivitet kriminal.

-Në një tjetër lëvizje të çuditshme, z. Rama zgjodhi si kryetar të Parlamentit z. Gramoz Ruçi (në fakt, ai pëlqen t’i drejtohesh me shoku Gramoz). Si ju duket kjo zgjedhje?

Pse është e çuditshme? E kam takuar Ruçin disa herë kur isha Ambasador. Bisedat tona ishin gjithnjë produktive dhe të sjellshme. Socialistët kanë shumicën, kështu që është e natyrshme që një ligjvënës veteran i socialistëve të bëhej kryetar Kuvendi.

-Ambasadori Lu refuzoi të merrte pjesë në seancën e parë plenare të Kuvendit të ri, hera e parë për ceremoni të tilla. Disa e panë këtë si mënyrën e tij për të shprehur mosdakordësi me zgjedhjen e Ramës për kreun e Kuvendit. A është e drejtë të thuhet se ambasadorët amerikanë nuk veprojnë si persona privatë, por si përfaqësues të Uashingtonit, duke e bërë rrjedhimisht pozicionin  zyrtar të Shteteve të Bashkuara të shkojë përkundër zgjedhjeve të tilla: komunistë të linjës së ashpër të përfaqësuar në pozicione të tilla pushteti?

Ambasadorët amerikanë në Shqipëri kanë shumë fleksibilitet për të bartur detyrat e tyre, por gjithnjë si përfaqësues zyrtarë dhe jo si persona privatë. Kam dëgjuar se Ambasadori Lu nuk ishte i pranishëm në seancën e parë plenare. Jam i sigurt se ka pasur arsyet e veta; ndoshta ka pasur një angazhim tjetër. Duhet të pyesni atë.

-Ndërkohë z. Meta është bërë President. A jeni në pozita miqësore me të? A ishte ai zgjedhja e duhur për këtë post? A bëri ai një zgjedhje të mirë duke e pranuar këtë post?

Kam shumë respekt për z.Meta. Po, ne jemi në kontakt, megjithëse ai është gjithnjë një person i zënë me punë si Kryetar Shteti dhe unë e kam parasysh këtë. Për shkak të staturës së tij politike, z. Meta nuk është peng i asnjërës prej partive politike kryesore dhe kjo është një gjë e mirë. Po, mendoj se ai është një zgjedhje e mirë si President. A ishte një zgjedhje e mirë për të? Duhet të pyesni atë. Më lejoni të shtoj diçka për z. Meta. Si çdo lider tjetër politik në Shqipëri, ai ka të mirat dhe të metat e tij. Por ka pasur një prirje për ta ‘demonizuar’ z. Meta dhe LSI dhe për t’i fajësuar ata shpërpjestimisht për problemet e politikës shqiptare. Kjo është gjithashtu e vërtetë edhe për të ashtuquajturin faktor ndërkombëtar, përfshirë edhe Uashingtonin zyrtar. Ishte frustruese të dëgjoje nga Departamenti i Shtetit gjëra të tilla si: “pse të merremi me Metën dhe LSI? Sigurohuni që Berisha (më vonë Basha) dhe Rama të pajtohen për këtë apo atë gjë”. Dhe unë u thosha: “Nuk e kuptoni, apo jo? Berisha dhe Rama (apo Basha dhe Rama) nuk do të bien dakord dhe ky është problemi!”. LSI është pjesë e dinamikës. Është realiteti politik i Shqipërisë sot. Çdo zgjidhje që nuk e përfshin konstruktivisht LSI nuk është serioze.

-Në pranverë, kur ju vizituat Shqipërinë, u bëtë pjesë e negociatave të cilat u pasuan nga një vizitë finale e z. Hoyt Yee dhe një marrëveshje ndërmjet z. Basha dhe z. Rama, e quajtur ‘Paketa McAllister Plus’. Në retrospektivë, çfarë mendoni për atë marrëveshje?

Përshkrimi që i bëni rolit tim është bujar; Ambasadori Lu ishte i sjellshëm që më la të merrja pjesë në ato takime. “Pakti” apo çfarëdo tjetër që ju doni ta quani, shtroi rrugën për zhvillimin e zgjedhjeve. Zgjedhjet nuk ishin perfekte, por ato ishin të pranueshme. Kështu që ‘pakti’ ishte një gjë e mirë.

-A është e vërtetë se marrëveshja ishte e llojit ‘merre ose lëre’ dhe nëse z. Basha nuk do ta pranonte, Uashingtoni do t’i njihte zgjedhjet e përgjithshme edhe pa pjesëmarrjen e opozitës?

A kishte ndonjë zgjedhje Basha? Nëse PD nuk do të merrte pjesë në zgjedhje, ato do të zhvilloheshin gjithsesi dhe hamendësimi im është se rezultati, me shumë mundësi, do të ishte njohur nga pothuaj të gjithë në komunitetin ndërkombëtar.

-Pjesë e marrëveshjes Rama-Basha ishte gjithashtu një Task force speciale, e cila pas zgjedhjeve hartoi një raport të gjatë ku thuhej se zgjedhjet e 25 qershorit u njollosën nga shumë shkelje. Z. Rama e refuzoi raportin si të njëanshëm duke zgjedhur në thelb prishjen e marrëveshjes politike të majit. Çfarë mendoni për qeverinë me disa parti, e cila përfshinte disa ministra të opozitës, dhe a e keni lexuar apo keni dëgjuar për raportin në fjalë?

Kam dëgjuar për raportin, por nuk e kam lexuar dhe kështu që nuk mund të komentoj.

-Partia Demokratike i humbi zgjedhjet dhe disa vëzhgues apo palë të prekura, ia hodhën fajin listës së z. Basha dhe zgjedhjes së tij për të përjashtuar nga listat ‘gardën e vjetër’ dhe zgjedhjen në vend të tyre të emrave të rinj….

Partia Demokratike ishte në një pozicion të vështirë për disa arsye dhe një humbje në vitin 2017 ishte e pashmangshme. Strategjia elektorale ishte një problem madhor, por disa prej vendimeve të diskutueshme të PD për listën e kandidatëve e bënë edhe më keq situatën. Për shembull, moskandidimi i Jozefina Topallit ishte i panevojshëm dhe fyeu shumë besnikë të PD në Shkodër, ku ajo është një figurë simbolike. Në një rrafsh më të gjerë, është e rëndësishme që përpjekjet reformuese ta çojnë PD në erën post-Berisha, në mënyrë që të bëhet kompetitive sërish. Është e rëndësishme për qindra mijëra votues shqiptarë që e konsiderojnë veten ‘konservatorë’, të kenë një zë të besueshëm që i përfaqëson interesat e tyre, të tillë që të mund të sfidojë të majtën në zgjedhje. PD-së i duhet punë.

-Z. Basha e pa një prej arsyeve të humbjes te kriminalizimi i procesit elektoral dhe parave të drogës të përdorura për të tjetërsuar apo blerë vota. Kishte nga ata që nuk pajtoheshin me këtë, deri kur u bë publik një hetim i policisë dhe prokurorisë italiane. Trafikantë droge u përgjuan duke thënë se Saimiri (mendohet se bëhet fjalë për ish-ministrin) ka bërë 5 milionë euro, por atij i duhen nja 20 milion për t’i përdorur në zgjedhje. Ata që ishin skeptikë ndaj argumenteve të z. Basha tani po e pranojnë idenë se para të shumta, të ardhura nga droga u përdorën në fakt në zgjedhje.

Problemi i drogës dhe krimit të organizuar është absolutisht serioz dhe qeveria duhet të bëjë punë më të mirë. A janë përdorur para nga aktivitete të jashtëligjshme në zgjedhje? Jam i sigurt se po. Por nuk është kjo arsyeja e tkurrjes së PD.

-Vendimi i Top Channel për ‘të ulur në stol’ drejtorin e lajmeve, Sokol Balla, dhe për të marrë hapur një qëndrim kritik ndaj qeverisë së Ramës, u bë lajm i madh javën e shkuar. A është ky rasti i Top Channelit në ditën e vet më të mirë (media në opozitë me pushtetin); a është luftë mes mediash për territore; apo është një lëvizje e Ramës për të bërë aleatë të rinj dhe për të harruar të vjetrit?

Kam lexuar për disa nga shumë ndryshimet në TCh qëkur iku Kel Joti, disa kohë më parë, por nuk e di historinë e plotë. Për shembull, ata nuk ishin në anën e lajmeve por të argëtimit. Por u trishtova kur dëgjova se artistë të talentuar si, Adi Krasta dhe Eneida Tarifa, kishin ikur nga TCh. Ndoshta kanë ikur për arsye profesionale, nuk e di. Sa i takon Departamentit të lajmeve, përveç Sokol Ballës disa gazetarë profesionistë impresivë kanë shërbyer më parë si drejtorë lajmesh atje, përfshirë Kel Demin dhe Bledar Zaganjorin. Nuk e njoh drejtorin e ri të lajmeve. Shpresoj që Balla të vazhdojë të drejtojë Top Story-n. Më pëlqenin, si Top Story, ashtu dhe Opinioni.

– Ambasadori Lu ka bërë zhurmë duke thënë se, në janar, për herë të parë do të bien në rrjetë ca peshq të mëdhenj. Shumë janë skeptikë, sepse në të shkuarën shumë peshq të  mëdhenj u kanë kaluar anash rrjetave dhe disa pyetën ‘pse në janar, dhe jo tani? Gjë e cila na sjell disi te thirrja juaj e famshme Act Now!

Faleminderit që e rikujtoni ACT Now!  Jam krenar për atë që u përpoqëm të bënim. Sa i takon përmasës së peshqve që do të kapen, shpresoj se do të bëhet progres serioz me reformën në drejtësi, përfshirë vetingun.

-Gjatë shërbimit tuaj në Tiranë, jam i sigurt se keni pasur momente të mira dhe të këqija me krerët e lartë të politikës shqiptare. A ju kujtohet ndonjë?

Kishte plot nga të dyja. Një gjë që shumë shqiptarë nuk e kuptojnë, janë ecejaket ndërmjet Ambasadës dhe Departamentit të Shtetit në Uashington. Shumicën e herëve komunikimi dhe koordinimi është i mirë, por jo gjithmonë. Gjatë katër viteve të mia në Tiranë, ndjeva se vetëm një zyrtar i lartë në DSh kishte një pamje të qartë dhe objektive të situatës në Shqipëri dhe ky ishte Tom Countryman. Ai nuk ishte gjithmonë dakord me mua, por unë gjithnjë kisha shumë respekt për të.

-Në disa qarqe shqiptare ju konsideroheni ‘sorosian’. A jeni i tillë? Pse flitet kaq shumë për ndikimin e Sorosit?

(Qesh) e keni seriozisht? Unë, sorosian? Kushdo e mendon apo e thotë këtë është një idiot dhe shpresoj se do ta botosh këtë. Siç e di çdo shqiptar, Instituti Republikan Amerikan, Instituti Demokrat Amerikan, bashkë me Shoqërinë e hapur të Sorosit janë tri prej organizatave më prominente amerikane, që janë angazhuar në ndërtimin e institucioneve demokratike, bazuar në modele perëndimore që nga rënia e komunizmit. Nëse shohim mbrapa përgjatë 25 viteve të shkuara, nëse do më pyesje nëse Sorosi dhe ShH ishin ndoshta shumë të përfshirë, apo se kishin shumë kontrata për OJF-të, ndërtimin e kapaciteteve…etj, përgjigja ime do ishte: ndoshta. Ndoshta. Të gjitha këto kontrata janë kompletuar dhe jam i sigurt se përgjatë viteve të gjithë ata që janë përfshirë në procesin përzgjedhës, qoftë Ambasada amerikane, USAID, Departamenti i Shtetit etj., janë përpjekur të ishin sa më objektivë të mundeshin.

Por Soros, IRA apo IDA  janë organizata të mëdha dhe kanë shumë burime, kështu që po, është krejtësisht e mundur, që ata të kenë gëzuar ndonjë avantazh herë pas here. Por, të fajësosh Sorosin për këtë apo atë gjë, nuk ka kuptim. Ky është rasti klasik i fenomenit të gogolit. Në Shqipëri, ashtu si në Amerikë, ka teoricienë konspirativë që shpikin gogolin për të tërhequr vëmendjen.

-Nëse do të evidentoje një problem të vetëm shqiptar, cili do të ishte ai? Është politik, shoqëror, kulturor apo çfarë?

Shqetësohem për Shqipërinë. Shqetësohem sepse them, ja ku jemi, më shumë se 25 vjet pas rënies së komunizmit dhe njerëzit po humbin shpresën. Shoh që cinizmi po rritet gjithandej. E shoh të pasqyruar në qëndrimet e njerëzve, në kulturën popullore. Ndonjëherë, Tirana i ngjan Panairit të Kotësive të njeriut të varfër dhe është në fakt shumë e sikletshme.

Shih skenën artistike, për shembull. Shqipëria ka kaq shumë artistë të talentuar, por problemi i ‘anti-vlerave’ është i keq dhe po sheh rritje. Ka vulgaritet në shumicë, sipërfaqshmëri dhe artificialitet kudo. Dhe disa prej liderëve influentë të industrisë së argëtimit duhet të kenë turp nga vetja, sepse ata e inkurajojnë këtë ‘mani’, këtë garë të turpshme ku ‘pëlqimet’ në Facebook apo YouTube blihen si karamele të lira. Për çfarë? Ndërkohë shumë talente premtuese dhe artistë të vërtetë shqiptarë vuajnë dhe janë nën trysni të përhershme për të bërë kompromise në mënyrë që të mbijetojnë. Nuk është e drejtë. Kjo është në njëfarë mënyre një përgjigje e gjatë për pyetjen tuaj, por ajo që po përpiqem të them është se prirjet (trendet) negative në kulturën popullore janë në fakt emblematike për sëmundje më të gjera që ne shohim aktualisht në Shqipëri.

Të gjithë flasin për ‘krenarinë’ shqiptare, por ajo që duhet është më shumë dinjitet shqiptar, bazuar në kulturën e mrekullueshme, traditat dhe vlerat që e bëjnë Shqipërinë speciale. Mentaliteti komunist është kudo në shoqëri dhe jo vetëm në atë që njerëzit e konsiderojnë si ‘të majtë’ tradicionale, është kaq veprues edhe në të djathtën. Po, korrupsioni duhet luftuar. Ndëshkueshmëria. Kriminaliteti. Të gjitha. Por, pas gjithë këtyre viteve ngjan si bla bla bla. Ajo që duhet bërë është kjo: kolektivisht, duhet të gjeni kurajën dhe frymëzimin për të kapërcyer mentalitetin komunist, sepse ai është çka po e pengon Shqipërinë për të përmbushur potencialin e saj të plotë.

-Një pyetje të fundit, më e lehta dhe më e vështira në të njëjtën kohë: Kush ka qenë ambasadori më i mirë amerikan në Tiranë që nga rënia e komunizmit?

(Qesh) Kjo, në fakt, është shumë e lehtë. Bill Ryerson, pa dyshim. Ndjekur nga Mariza Lino dhe John Withers. Nxitoj të them se mendoj se Donald Lu po bën një punë të shkëlqyer. Dhe e di se po flas në emër të gjithë atyre që kanë shërbyer në atë pozicion, kur them se ka qenë mundësia e një jete me kujtime që ne do t’i gëzojmë gjithnjë.     Mare nga Politiko.al

Filed Under: Interviste Tagged With: Alfred Lela, Ambassador Arvizu, Interviste

Analiza- 7 shenja se komunizmin duan ta rikthejnë

November 8, 2014 by dgreca

TE-PA-PER-7-SHME/ Një rubrikë e përjavshme që do të qëmtojë për shenja të dallueshme ose jo në peizazhin politik apo social të vendit. Për të ndërtuar me anë të shenjave kahun e prirjeve./
Shkruan Alfred Lela/
Mehmet Shehu, burrë shteti?
Bashkim Shehu nuk beson se i ati, ish-kryeministri i Shqipërisë Mehmet Shehu, si pasardhës i Enver Hoxhës do t’i ndryshonte gjërat. Dhe, duhet thënë, jo vetëm me njohjen që i jep afërsia e lidhjeve at-bir, por edhe me instinktin e shkrimtarit, Bashkim Shehu ka të drejtë. Pavarësisht kësaj ka në Shqipëri nga ata që mendojnë se Mehmet Shehu është ‘burrë shteti’. E kanë thënë publikisht në kujtim të 110-vjetorit të lindjes së ish-kryeministrit me gjasë të vetëvrarë. Nëse e marrim si aksiomatik pozicionim e të birit, Bashkimit, logjika të shtyn drejt mendimit se idhtarët e Mehmet Shehut e përlëvdojnë shefin komunist të luftës, jo për një iluzion të tyre për një hapje apo liberalizim të Shqipërisë, por për të kundërtën. Për instinktin e komunistit të vijës së ashpër të mishëruar te Shehu, i cili ndryshe nga Alia, nuk do e kish dorëzuar Shqipërinë te rrjedha e kohës pa gjak. Ndër ata që ‘e duan’ Mehmet Shehun më shumë se i biri, ka historianë të certifikuar apo ish-shefa shërbimesh sekrete të rënë në krahinarizëm. A thua të jetë historike axhenda e tyre apo komuniste?
Busti i Zogut rrëzohet nga komunistët
Një grup nostalgjikësh të Enver Hoxhës dhe anëtarë të disa fraksioneve të ekstremit të majtë që njihen si parti komuniste ndjekur me prapashtesa të larmishme, kanë provuar të rrëzojnë shtatoren e mbretit Zog në bulevardin që mban emrin e tij. Mjeti i përdorur ka qenë një kavo çeliku, por nisma ka dështuar, me sa duket për shkak të ‘seriozitetit’ me të cilin është ngulitur shtatorja e Zogut. Komunistët, para se të ndërmerrnin këtë aksion, pak pas ardhjes së të majtës në pushtet, i kishin shpallur qëllimet e tyre që para 23 qershorit kur deklaruan se pas fitores së zgjedhjeve do ta hiqnin përmendoren e atij që në ligjërimin e komunistëve njihet si ‘satrapi Ahmet Zogu’. ‘Alergjia’ e shtuar e të majtëve ndaj mbretit Zog u shfaq demonstrativisht edhe pas një ‘aksioni konservator’ të shefit të së djathtës, Berisha kur ai qe kryeministër. Figura e Ahmet Zogut u bë mjet qendror i narrativës së ‘dekomunistëzimit’ në një shoqëri si shqiptarja, e cila, si në verb ashtu dhe në aksion, për shumë arsye shprehet majtas. Në çelikun e asaj kavoje të hedhur mbi supet e shtatores së Zogut kishte pra edhe një shpagim anti-Berishë.
Bunkeri postBllok i Fatos Lubonjës
Fatos Lubonja është një prej atyre intelektualëve të majtë, sa tipik aq dhe kontroversial. Trashëgimia e tij intelektuale shtrihet mes shkrimeve, burgosjes nga regjimi komunist dhe një aksioni postburg që identifikohet me të majtën, edhe pse pësimet i pati prej saj. Megjithatë, Lubonja nuk mënoi që një simbol të trashëgimisë komuniste në Shqipëri, bunkerin, ta përdorte si antitezë dhe antimjet. Mu në bulevardin kryesor të Tiranës, pak metra prej ish-selisë së Komitetit Qendror të Partisë Komuniste dhe Bllokut të elitës komuniste, ai shndërroi në art dhe memorie një objekt të përzishëm e pa kujtesë si Bunkeri. Asgjë më shumë se ajo kupolë e stilizuar nuk mundohet t’i ndërtojë kryeqytetit shqiptar një histori të afërt në të shkuarën dhe në të ardhmen njëherësh. Gjetja e simbolikës, por ndoshta më shumë e vendit, i çarti krejt shumë prej komunistëve të vijës së ashpër. Nuk ka asnjë të akuzuar nominal për këtë bëmë ‘guerrilasish’, por pandehmat dhe shenjat bëhen pjesë e një neokulture të mbërritur me 23 qershorin. Lubonja e mitizoi bunkerin jo në funksionin e tij të parë, por në të kundërtën. Duke e quajtur bashkë me dy pjesë të tjera të ansamblit memorial, PostBllok.
Enver Hoxha rikthehet për festat
Ashtu siç djalli që merr shumë forma, edhe ish-diktatori komunist është kthyer disa herë nëpërmjet portreteve të veta apo deklaratash eksponentësh të ndryshëm publikë. Është shfaqur në duart e veteranëve të luftës dhe nostalgjikëve, dikur të grumbulluar në Shoqatën e Vullnetarëve të Enverit, të cilët pas ardhjes në pushtet të së majtës kanë marrë zemër. “Komandanti’ është dhënë, i ri dhe i pashëm, në pankarta, sa te varrezat e Dëshmorëve të Kombit e sa ato të Tufinës. Më pas në Përmet, në formën e nderimit me grusht ndanë varreve të të rënëve të luftës nga fëmijë shkolle të klasave të ulëta. E ndodhur në Përmet mund të konsiderohet si njëfarë Kongresi i Përmetit 2. Më i certifikuar Enveri erdhi në ligjërimin e historianit dhe politikanit Paskal Milo, i cili ka folur për një rivlerësim të figurës së tij duke u fokusuar te lufta. Kjo narrativë hileqare është mbërthyer te fjalia ‘Enveri ka bërë edhe gjëra të mira’. I njëjti arsyetim mund të përdoret edhe për Hitlerin: edhe ai mund të lëvdohet për rimëkëmbjen ekonomike të Gjermanisë për shembull. Pse jo?
Nexhmije Hoxha: gjithmonë këtu, gjithmonë gati
Prania më e fortë e komunizmit në trajtën e tij të rilindur është e veja e diktatorit, Nexhmije Hoxha. Iluzioni që shpërndan heshtja dhe përvujtnia e saj tradhtohet vetëm nga thikat e holla të fjalive lëshuar me një kujdes makiavelik, të cilin e kanë vetëm ata që e shohin veten të mbijetuar pasi e kanë çuar popullin e tyre në mizerjen e egër të mbijetesës. Nexhmija Hoxha në këtë rrafsh është njëfarë dr. Mengele nazist, që i fabrikon viktimat e veta dhe më pas e artikulon krimin si kauzë të progresit e idealit. E veja e diktatorit i ka gabuar edhe gazetarët që nuk i janë ndarë për intervista: në vend të kujtimeve që ata kanë pritur prej saj, ajo u ka shërbyer atyre dhe publikut përligjien e trashëgimisë komuniste. Ndjesë nuk është kërkuar prej saj, e madje ravgimi për ndjesën ka humbur në ngashnjimin e një artefakti të komunizmit, që është vetë ajo. Ajo na shëtitet para syve si një panda e plakur dhe e patëkeq e një komunizmi të keqkuptuar. Të gjithë janë në rol: ajo, që na ishte e largët dhe e paprekshme, por dhe që vendoste fatet tona, e kemi më në fund kaq pranë. Çfarë rrengu u punon popujve ironia e historisë!
Rishkrimi i historisë së re nga skribët e vjetër
Paradigma ‘rishkrim historie’ të çon menjëherë te pyetja ‘historisë së kujt?’ Sa histori ka Shqipëria? Nëse flasim për historinë e shkruar deri në vitin 1991, tekstin e saj e dimë. Përpjekjet, nganjëherë kretine, të rishkrimit të historisë pas viteve ’90 kanë qenë, më shumë se historiografi, një zulmë për të futur në peizazh personazhe të lëna jashtë. Bardh-e-zisë së historiografisë komuniste iu shtuan zbardhës të së zezës së fashave përbërëse të saj: nacionalistë, ballistë, zogistë e të tjerë. Rishkrimi i historisë tani, me komisione të përbëra nga shkrues të saj të para ’90-ës ngjan me një shaka të trashë. Edhe kur thirret ndonjë ‘ndërkombëtar’ për të ‘certifikuar’ një paanësi të rrejshme, merret në punë një ish-anëtar i grupeve marksiste-leniniste, apo të Shoqatave të Miqësisë që vizitonin dikur Shqipërinë me dietat e Enver Hoxhës. I tillë është rasti i gjermanit Michael Schmidt-Neke, një protégé i Aleks Budës dhe autor i një libri për ‘diktaturën mbretërore të Zogut’.
Shkulja e një monumenti me dy gishta lart
I programuar në dy ‘pulte komandimi’ të ndryshme, si në stil ashtu dhe background, rrëzimi i monumentit të demokracisë në Kavajë i mbërriti kronikës së lajmeve me habinë e gjestit të panevojshëm. Edi Rama dhe Elvis Roshi, njëri piktor e basketbollist i ngjitur në majë të politikës, e tjetri emigrant e biznesmen i shndërruar në politikan, prodhuan far west-in e një shpagimi që u marketua si masterplan urbanizimi. Pavarësisht pabukurisë së supozuar nga kryeministri, jo monumenti por simbolika dhe vendi ku ngrihej, bënin thirrje për respekt. U zgjodh përbuzja për arsye që protagonistët i dinë më mirë, por edhe të tjerët munden, të paktën t’i marrin me mend. Kryeministri foli për realizëm demokratik duke futur në një thes dy gishtat e gjatë sa minarja të monumentit të Kavajës dhe muranat përkujtimore të të aksidentuarve nëpër zgëqet e pluhurta të rrugëve të Shqipërisë! Asnjë metaforë apo përpjekje për të, megjithatë nuk e shmang dot përshtypjen se e majta ka (ri)hapur një luftë kulturore me të djathtën që mbështetet në stilema dhe klishe të vjetra të marinuara në 45 vite pushtet pa shtet. E majta e ka Hollivudin e saj: te filmat e Kinostudios Shqipëria e re!(Botoi:MAPO)

Filed Under: Analiza Tagged With: 7 shenja, Alfred Lela, duan ta rikthejnë, se komunizmin

DUKE KËRKUAR SHQIPËRINË TIME

September 1, 2014 by dgreca

(Mbresa nga leximi i librit “Secilit Shqipërinë e tij” të Alfred Lelës)/
Nga Eugjen MERLIKA/
Duke u nisur për një udhëtim të gjatë me një “pallat lundrues” të stërmadh, siç mund t’a quaj anijen “crociera” Preziosa, në ujrat e Mesdheut lindor, zgjodha për të lexuar në kohën e lirë librin e gazetarit Alfred Lela, të botuar në fund të vitit 2013, me një titull mjaft joshës : “Secilit Shqipërinë e tij 146 profile”. Arrita t’a lexoj atë në orët ndërmjet veprimeve të ndryshme, të programuara nga organizatorët e udhëtimit, si eskursionet e përditëshme në qendrat e ndryshme historike e shfaqjet e tjera brënda anijes. Qe një javë në të cilën mendimi u nda dysh : historia e lashtë e botës mesdhetare dhe Shqipëria e viteve të fundit. Duke lundruar në ujrat e deteve që lagnin edhe këtë të fundit, por larg brigjeve të saj, mbresat e përditëshme të librit të Lelës më shkëpusnin nga mjedisi i bukur ku isha e më zhysnin në jetën shqiptare. Me që ky libër u lidh në kujtesën time me një ngjarje të rrallë, siç qe ai udhëtim, po hedh në letër disa mbresa e përshtypje nga leximi i tij.
Nëntitulli i vëllimit (146 profile) të jep menjëherë idenë e brendisë së tij e lista emërore në kapakun e mbramë e plotëson atë. Shifra nuk i përgjigjet listës së personazheve të skicuara, mbasi autori, në disa prej tyre rikthehet disa herë, duke plotësuar portretin me penelata të reja që diktohen nga daljet e herë pas herëshme të tyre në ndodhi apo qëndrime, të cilat i përkasin kronikës politike të jetës shqiptare. Kuptohet pra se vëmëndja e autorit, gazetar që ndjek çdo ditë zhvillimet e jetës së Vendit, duke marrë përsipër t’i pasqyrojë ata, jo me imtësinë e tregimit të një kronisti, por me prirjen anglo – saksone të analizës së çasteve kyçe e trajtimit të tyre në sitën e arsyetimit vetiak të pavarur, është më shumë e përqëndruar tek veprimtaria shtetërore, që përcakton edhe drejtimin e ecjes së shoqërisë.
Për pasojë në profilet janë më të shpeshta emrat e Berishës, të Ramës, të Metës, të Bashës, të Topit, Topallit e ndonjë tjetri, tek të cilët ai kthehet më shumë se një herë në portretizim. Motivi është i qartë, mbasi pak a shumë janë ata aktorët e parë të jetës politike të dhjetëvjetëshit të fundit, madje shumica e tyre, fatkeqësisht, edhe të gjithë periudhës së kalesës. Por interesat e autorit shtrihen edhe në fusha të tjera. Konceptimi i vëllimit na çon në një teatër imagjinar, që është Shqipëria pas komuniste, në të cilin aktorët, të përmasave e natyrave të ndryshme, lëvizin lirisht, herë herë në mënyrë kaotike, secili në botën e në rolin e tij, për t’u ndërthurur me njëri tjetrin nëpërmjet bindjesh, synimesh apo interesash që herë përkojnë e herë kundërshtojnë njëra tjetrën. Shkrimtari i kalon ata apo ato në skanerin e tij, duke u munduar t’i diagnostikojë si një mjek i mirë, pa u ndikuar nga motive apo bindje vetiake. Kjo nuk përjashton qëndrimin e tij ndaj dukurive e personave, mbasi ai nuk është një fotograf i thjeshtë. Ai qëndrim përcaktohet nga botkuptimi e formimi i tij, që është ai i një liberali të djathtë, i cili e sheh botën më shumë me sytë e një intelektuali bashkëkohor perëndimor, se sa me atë të një shqiptari tradicional. Në këtë kuadër ai priret të vlerësojë më shumë pritmëritë e së ardhmes se sa bëmat e së shkuarës, duke paraqitur një nga avanpostet e mendimit fletoror shqiptar të sotëm.
Kjo prirje e bën atë të mënjanojë nga vëmëndja e tij shumë personalitete të së kaluarës, pavarësisht nga spektri politik kujt i përkasin, madje edhe kur ata përmenden, mbeten në funksion të lidhjes me idetë apo ngjarjet e sotme. Duket se për autorin, ata që nuk janë më në gjëndje të luajnë një rol aktiv në jetën e Vendit, dalin nga skena e i kalojnë historisë. Ai nuk ka shumë afërsi me të, nuk zhytet në sferën e saj të diskutimeve pa fund që kanë pushtuar një pjesë të mirë të vëmëndjes dhe energjive intelektuale të më shumë se njëzet viteve të fundit. Për të është e rëndësishme e ardhmja, njerëzit e saj, idetë e tyre, vrulli e pasioni për t’i vënë në jetë, ecja përpara e shoqërisë, mundësisht simbas modeleve që ka njohur në vitet e Bostonit. Ikonat vlejnë, herë herë edhe frymëzojnë, japin shëmbull që mund e duhet imituar, duhen respektuar për ndihmesën që kanë dhënë në çaste të vështira të jetës së Kombit, por nuk mund të jenë faktor frenues i së sotmes.
Çfarë paraqet e sotmja në rrafshin politik në sytë e Alfred Lelës ?
“…..Ndër to zë vend primitiviteti në dialektikën e marredhënieve mes eksponentëve të klasës politike shqiptare. Mungesa e një kredoje dhe dëshira për avancimin e saj ; pritat bizantine në vend të konkurrimit të hapur ; besëprerjet pasuar me “më dil, të të dal”, në vend të platformave politike të përbashkëta. Përmbi të gjitha, dëshira këmbëngulëse për t’u ricikluar edhe pasi cikli është mbyllur : për t’u bërë politikan mbasi ke qenë njëherë bandit ; deputet, pasi ke shkëlqyer si spiun ; kryetar partie, kur “analfabet” të përshkruan më së miri ; ministër shteti, kur je denoncuar si zhvatës i Republikës ; drejtor drejtorie, kur edhe gjumë fle me çizmet e hajdutit e maskën…. “
Ky fragment i referohet episodit Prifti-Meta, por fuqia përgjithësuese e tij është rrënqethëse. Kjo është politika që duhet të sigurojë t’ardhmen e Shqipërisë ? Çfarë shpresash mund të ushqejë një shoqëri që ka vënë në krye të saj drejtues të tillë ? Shqipëria e hershme, ajo e Kanunit dhe e jetës patriarkale, kishte në nenin e parë të Kodit të saj etik ndershmërinë, i pandershmi nuk gjente vënd në institucionet e saj drejtuese. Autori ka kurajën qytetare t’a padisë këtë gjëndje mjerane, pa rënë në ujdi me të për interesat e ngushta. Kjo është në nderin e tij, sepse shkrimtarët nuk kanë pushtet temporal, por funksioni i tyre është të formojnë opinionin, t’i thonë atij të vërtetën.
Gjëndjen që padit autori e sheh me një buzëqeshje të hidhur në buzë e me një brengë të madhe në zemër. Penda e tij ngjyhet në qesëndi, të cilën e hasim në pjesën më të madhe të shkrimeve, ndoshta edhe rrjedhojë e humorit të famshëm anglo-sakson me të cilin është ushqyer në vitet e mërgimit. Qesëndia përzihet me zemërimin mbasi, edhe se ka kaluar gati një e katërt shekulli nga tjetërsimi i sistemit, hapat tona drejt synimeve të zhvillimit kanë qenë si ata të breshkës. “Parvenu-të” e jetës politike në demokracinë e cunguar e kanë kthyer atë në një garë të shfrenuar pasurimi vetiak. Mesazhi i autorit nuk është më vetëm një konstatim i thjeshtë, por kthehet në një pamflet padije, në të cilin tërthor i thuhet lexuesve se duhet ndërruar rrugë e fytyra.
“Komunistët, të shndërruar sipas rastit në kriptokomunistë, socialistë, mjedisorë, social demokratë e të tjerë, ende nuk kanë guxuar të prodhojnë meaculpa-n e tyre për trashëgiminë gjakatare të 46 viteve në pushtet.”
Këtu gazetari i lëshon vendin kirurgut social, që ngul bisturinë në plagën e hapur, në vazhdimësinë e trukuar të sistemit, në hipokrizinë e tij të dukshme, që shfaqet me “integrimin” në botën perëndimore e me ruajtjen e “idhujve” të luftës e të regjimit në format më të ndryshme.
U mundova të trajtoj vetëm njërën anë të tematikës së gjërë të vëllimit që, fatmirësisht, shtrihet edhe në fusha të tjera të rëndësishme të jetës njerëzore. Nuk mungojnë në vepër portretet e shkrimtarëve, të artistëve, të kolegëve të televizionit apo letrës së shkruar, të personazheve të politikës së huaj, fqinjë e të largët, të përfaqësuesve të saj në Shqipëri, të jetës politike të Kosovës, por edhe të kronikës së zezë. Të gjitha këto i japin librit larminë e nevojshme në gjininë e publiçistikës. Lexuesi mund të jetë i një mëndjeje me autorin, ose mund të ketë një tjetër opinion për temat apo personazhet e trajtuar, por nuk mund të mos vlerësojë meritat e Lelës në stilin e të shkruarit, guximin në paditjen e një realiteti të sëmurë, në shumë shfaqje të tij, humorin qesëndisës e të hollë, pohimin e vlerave njerëzore që duhet të jenë të pranishme kudo e kurdoherë, prirjen për të qenë objektiv në gjykim pavarësisht nga bindjet e tij, për të nxjerrë në pah të bukurën e të mirën, por edhe për të goditur të keqen.
Titulli i librit, deri në një farë mase, e “detyron” lexuesin të kërkojë e të gjejë në faqet e tij Shqipërinë e tij, mbasi përfytyresa e saj paraqet një larmi të pafund situatash njerëzore. E kërkova dhe un atë, por më duket se ajo për autorin i përkiste një të shkuare, të cilën ndoshta nuk e njihte mirë, nuk përbënte interesin e nevojshëm për pendën e tij, apo e zbehte prirja për të mos hapur plagët… Por në galerinë e personazheve të librit katër prej tyre i aviten Shqipërisë sime : Amik Kasoruho, Dom Simon Jubani, Luljeta Lleshanaku e Refik Toptani. Ata përshkruhen në episode apo çaste të tashme, secili në të veçantën e tij. E shkuara kalohet me një ose dy fraza, që mundohen të japin idenë edhe në përkorësinë e tyre.
Luljeta është poetja që “Nuk shkruan për të përditshmen; shkruan për të përjetshmen në të përditshmen.” Një sintezë lart vlerësimi për poeten, tashmë të njohur. E shkuara i lihet lexuesit t’a përfytyrojë : “Fëmijërinë dhe rininë e parë e ka kaluar në Krujë nën një shenjë të veçantë për kohën : ajo ishte mbesa e Abaz Kupit…” Mbresa është po ajo e një faqeje të tërë, por Lelës i pëlqen të kursyerit në të shkruar, një veti e vyer që nuk e kanë të gjithë.
Dom Simon Jubani është meshtari i parë i mbas revolucionit ateist të komunizmit shqiptar, që zgjati plot 23 vjet. Është një nga simbolet e vona të martirizimit të klerit katolik shqiptar, dukuri që shpresoj se do të dalë në pah zyrtarisht e me forcë, në vizitën e ardhëshme të Papës Françesku në Tiranë , më 21 shtator. “ Ai trup, që si i Krishtit, bashkë me kamzhikët në shpinë mori edhe 26 kurora me therra ; një për çdo vit në burgjet komuniste.” Horizonti që hap figura për lexuesin nxit përfytyrimin në masën e duhur, konçiziteti nuk le për të dëshiruar.
Refik Toptani është një personazh i trajtuar me shumë mirëkuptim : “një burrë që i përket një prej dyerve të mëdha të Shqipërisë ”. “Ndihet i huaj në vend të vet” “Prandaj ai qan dhe përkon të bisedojë me një gazetar, jo revanshin e kohës së humbur, por atdheun e tij brenda kaosit që i është shfaqur herë pas here si atdhe, por nuk ka qenë gjë tjetër veçse ishull….” Shumë vetë besoj se do të gjejnë diçka nga vetja e tyre në këtë portret që autori e jep me pak penelata e me një ngjarje mbresëlënëse në Ambasadën Amerikane në Romë.
“Njeri letrave dhe burrë zotni” në gjuhën angleze (ndoshta do të ishte mirë të përdoreshin më pak shprehjet n’anglisht, për të cilat duket se ka dobësi) e titullon autori shkrimin për të ndjerin Amik Kasoruho. Jeta e tij përshkruhet më gjërë, më me hollësi e shkrimtarit i del vetvetiu një pyetje që i drejtohet vetes e botës : “Si mundet pra, që nuk e ka lënë hijeshia, as e jashtme dhe as e brendshme, Amik Kasoruhon, që u lind më 1932, u burgos kur ishte 17 vjeç, në vitin 1949, për të dalë prej andej 7 vjet më vonë në moshën 24 vjeçare, në vitin 1956, e për t’a kaluar pjesën tjetër të jetës, deri në vitin 1990, i internuar?” Është një pyetje që merr përmasa përgjithësuese, për mua që kam patur fatin të njoh shumë shëmbuj të fisnikërisë njerëzore në ato kushte. Për autorin është frut i një përsiatje të thellë, si pasojë e njohjes nga afër të personazhit, por edhe një padi e fuqishme qytetare kundrejt krimit komunist, i cili masakroi pjesën më të mirë të shoqërisë shqiptare. Është një reflektim i intelektualit atdhetar, që shkon thellë në analizën e së keqes shqiptare, e cila filloi 70 vjet më parë, për të arritur në një tjetër pyetje me një frymëmarrje më të gjërë se e para : “Çdo kish qenë vetë dhe çdo kishim qenë ne, sikur ai dhe lloji i tij të mos kishin qenë të përmbysurit? Sikur ata, në fakt, të drejtonin vendin dhe punët e tij ”. Nuk e di nëse e kanë shkuar ndonjëherë nëpër mend një pyetje të tillë ata që kanë drejtuar shoqërinë dhe Shtetin shqiptar në 23 vitet e fundit.
Me këtë pyetje, që përbën një nga majat e mendimit të autorit në librin e tij, po i mbyll edhe un mbresat e mija, duke falënderuar, si lexues, Alfred Lelën, për punën e tij e duke i uruar suksese të mëtejshme në misionin e tij të formimit të opinionit publik me shkrimet e tij.
Fundgushti, 2014 Eugjen Merlika

Filed Under: ESSE Tagged With: Alfred Lela, Duke kerkuar Shqiperine time, Eugjen Merlika

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT