Kosovë-Maqedoni, takim i liderëve shqiptarë
Përmirësohet edhe pozicioni i shqiptarëve në Maqedoni/
-Ali Ahmeti takson: Presidentin Thaçi, Kryeministrin Haradinaj dhe Kryeparlamentarin Veseli/
I-Presidenti Thaçi priti liderin e BDI-së, Ali Ahmetin/
Prishtinë, 29 Maj 2018-Gazeta DIELLI/
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim të Maqedonisë, Ali Ahmetin.Presidenti Thaçi dhe kryetari Ahmeti kanë diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës e Maqedonisë dhe rëndësinë e integrimit euroatlantik të dy vendeve tona.
“Është shumë e rëndësishme që të ecim përpara si rajon, sepse vetëm kështu e forcojmë paqen dhe stabilitetin në tërë Ballkanin Perëndimor”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se Kosova i përkrah përpjekjet për zgjidhjen e kontestit rreth emrit të Maqedonisë.
“Zgjidhja e kontestit të emrit e rrjedhimisht edhe hyrja e Maqedonisë në NATO është në interes të paqes në tërë rajonin tonë”, pohoi presidenti Thaçi.
Ndërsa, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, theksoi se bashkëpunimi i afërt i lidershipit shqiptar ka bërë që të përmirësohet edhe pozicioni i shqiptarëve në Maqedoni.
Presidenti Thaçi dhe kryetari Ahmeti kanë folur edhe për rëndësinë e autoudhës Prishtinë-Shkup, e cila do t’i afrojë edhe më shumë qytetarët tanë me njëri-tjetrin.
***
-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pret në takim liderin e BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmetin/
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, me të cilin ka biseduar për temat më të rëndësishme për Kosovën dhe Maqedoninë. Kryeministri Haradinaj vlerësoi rolin konstruktiv të kryetarit Ahmeti dhe të shqiptarëve në Maqedoni, për të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, Maqedonia por edhe rajoni.Kryeministri e njoftoi për progresin që ka arritur Kosova dhe hapat që është duke ndërmarrë Qeveria e Kosovës në proceset integruese evropiane dhe euroatlantike si dhe për zhvillimin ekonomik të vendit dhe hapjen e perspektives për të rinjtë.“U dakorduam që të angazhohemi bashkërisht që t’u gjejmë zgjidhje shumë çështjeve të rëndësishme, të cilat presin prej kohësh”, tha kryeministri Haradinaj duke vlerësuar raportet e mira ndërfqinjësore të cilat janë në funksion të paqes dhe zhvillimeve demokratike në rajon.Edhe kryetari Ahmeti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të të dyja vendeve dhe mundësinë e thellimit të raporteve bilaterale, në të gjitha fushat e interesit të përbashkët për popujt e të dyja vendeve.
Kryeparlamentari Veseli takoi kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti
Kryeparlamentari Kadri Veseli ka pritur sot në takim kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoni, Ali Ahmeti, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë e Maqedoni, si dhe për mënyrat e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan lart raportet ndërfqinjësore dhe theksuan nevojën e kultivimit të mëtejmë të tyre e të bashkëpunimit me interes reciprok, si në fushën e ekonomisë, ashtu edhe të arsimit e të kulturës.Veseli e Ahmeti konsideruan se Kosova dhe Maqedonia, si dy faktorë të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në rajon, tashmë kanë hyrë në rrugën e pandalshme të integrimit euro-atlantik, si perspektivë e vetme për të ardhmen e të dyja vendeve.Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, vlerësoi rolin e faktorit shqiptar në Maqedoni, si në ruajtjen e stabilitetit të brendshëm, ashtu edhe në orientimin euro-atlantik të Maqedonisë.Nga ana e tij, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, vlerësoi lart hapat që ka bërë Kosova në konsolidimin e institucioneve shtetërore dhe rritjen e përfaqësimit e të njohjes ndërkombëtare të saj.
Shqiptaret e Maqedonise dhe Marrëveshja e Ohrit
Ahmeti: Shqiptarët me Marrëveshjen e Ohrit fituan lirinë, tani na duhet barazia/
Shqiptarët në Maqedoni, me arritjen e Marrëveshjes së Ohrit e fituan lirinë, mirëpo tani, një nga prioritetet e BDI-së do të jetë që kjo liri të materializohet edhe me barazinë, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Ahmeti, Bashkimi Demokratik për Integrim, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të dhjetorit, shohim se ka vendosur të garojë me emra të rinj të panjohur. Pse vendosët për një variant të këtillë?
Ali Ahmeti: Ky është vullneti i shumicës së anëtarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim. BDI-ja funksionon si një lëvizje mjaft demokratike, ku respektohet vullneti i shumicës, ku respektohet vullneti i ndryshimeve, sigurisht që edhe në të ardhmen do të ketë prurje të reja. Dhe, ky rend do të vazhdojë edhe në të ardhmen, do të thotë gjithçka bëhet me mirëkuptim, gjithçka bëhet me dialog, me kompromise dhe të gjitha përpjekjet i bëjmë për të gjetur zgjidhje sa më të mirë.
E kemi shumë vështirë në Bashkimin Demokratik për Integrim që të bëhen diferencime, sepse pjesa dërmuese janë njerëz që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë, njëherësh kanë aftësi menaxhuese, drejtuese, por ky është vullneti i shumicës.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Ahmeti, 14 vjet jeni në pushtet. Çka do t’u ofroni votuesve në këto zgjedhje, në çka do të fokusohet fushat e juaj?
Ali Ahmeti: Shqiptarët në Maqedoni me arritjen e Marrëveshjes së Ohrit sigurisht se fituan lirinë, mirëpo tani, një nga prioritetet Bashkimit Demokratik për Integrim do të jetë që kjo liri të materializohet edhe me barazinë, sepse duke mos pasur barazi, sigurisht se edhe liria nuk mund të jetë ajo e tëra për të cilën kanë shpresuar qytetarët. Liri po, por edhe barazi.
Dhe, kjo barazi duhet të arrihet dhe të kemi mirëkuptim nga të gjitha palët, nga të gjitha komunitet si në aspektin ekonomik, pra barazi në ekonomi, barazi në ndarjen e përgjegjësive për të administruar me shtetin, barazi në të gjitha fushat, si në investime, si në arsim, si në ushtri, polici, administratë – do të thotë këto janë disa çështje shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë drejt për së drejti edhe me forcimin e marrëdhënieve ndëretnike në Republikën e Maqedonisë.
Marrëdhëniet ndëretnike janë një nga segmentet më të forta, ku duhet të investojnë të gjitha palët, sepse ky vend do të ketë të ardhme më të mirë duke pasur marrëdhënie të mira mes etnive dhe barazia e shqiptarëve në të gjitha fushat në këtë shtet, do të jetë në të mirë të proceseve në të ardhmen.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Ahmeti, po flisni për barazi… pse nuk e realizuat këtë gjatë ushtrimit të pushtetit deri më tani?
Ali Ahmeti: Është punuar në vazhdimësi për barazi, mirëpo ne kemi pasur çështje jashtëzakonisht të rëndësishme për të përmbyllur, e të cilat çështje burojnë nga Marrëveshja e Ohrit për materializimin e kësaj marrëveshjeje – duke filluar që nga liria kombëtare, në radhë të parë, që u ka munguar shqiptarëve, e deri te përfaqësimi i drejtë, ekonomia. Në aspektin ekonomik është dashur shumë më shumë kohë dhe investime për të qenë pjesë e barabartë.
Radio Evropa e Lirë: Për integrimin e vendit (Maqedonisë) në Bashkimin Evropian dhe NATO, duhet të zgjidhet çështja e emrit, madje në disa deklarata ju thatë se prisni që Qeveria e ardhshme ta zgjidhë çështjen e emrit. Do të bënit koalicion me VMRO DPMNE-në nëse në këtë drejtimçojnë rezultatet zgjedhore?
Ali Ahmeti: Tani është një realitet në Republikën e Maqedonisë, ku qytetarët akoma janë të organizuar në parti politike mbi baza etnike. BDI-ja nuk preferon se cila bazë është më e pranueshme, cila parti është më e mira nga komuniteti maqedonas, sepse nga komuniteti maqedonas është elektorati maqedonas ai i cili vendos se kush do të jetë përfaqësuesi i tyre legjitim.
Se cila forcë politike do të marrë legjitimitetin, kjo do të varet prej vullnetit të shumicës së maqedonasve, dhe ne nuk mund të imponojmë vullnetin e BDI-së, apo të themi vullnetin e shqiptarëve se kush është më i preferuari te pala e komunitetit maqedonas. Përderisa kemi një realitet të tillë ku akoma jemi të organizuar mbi baza etnike, përderisa jemi të organizuar dhe votojmë mbi parti politike me etni dhe përkatësi kombëtare shqiptare dhe maqedonase, duhet respektuar në parim vullneti i shumicës së elektoratit, pavarësisht se kujt komuniteti është.
Mirëpo, do të varet shumë nga negociatat, të cilat do të zhvillohen në të ardhmen; do të varet shumë nga platformat që do të kenë palët në të ardhmen. Sigurisht se në të ardhmen do të zhvillohen negociata mbi bazë të programeve politike, mbi bazë të programeve partiake, mbi bazë të synimeve dhe qëllimeve që kanë partitë politike. Kuptohet se mund të ketë dallime në drejtim të vizionit që kanë për të ardhmen partitë politike. Bashkimi Demokratik për Integrim ka vizion të vetin, ka ndërtuar koncept, opsion të vetin, se si mund t`i realizojë qëllimet në drejtim, të, siç theksuat dhe ju, proceseve euroatlantike.
Ne kemi bindje të fortë se e ardhmja e këtij vendi është në BE dhe NATO, e ardhmja e këtij vendi është në ndërtimin e fortë të marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe maqedonasve, e ardhmja e këtij vendi është të ndërtojë raporte të mira me të gjithë fqinjët përreth, e ardhmja e këtij vendi është që të gjitha komunitet të jenë të barabarta në të gjitha fushat e jetës së shtetit.
Radio Evropa e Lirë: Besoj i keni dëgjuar bisedat e përgjuara që i publikoi opozita… Nuk ju ka goditur juve, personalisht, ajo se si anëtarë të Kryesisë së VMRO DPMNE-së i quajnë shqiptarët?
Ali Ahmeti: Jo, për ne nuk është shqetësuese absolutisht, sepse shqiptarët dinë se për kë duhet të përcaktohen. Për fat të keq, deri më tani nuk ka ndodhur akoma që një parti politike maqedonase t’i mbrojë të drejtat e shqiptarëve apo të kërkojë pa frikësim avancimin e këtyre të drejtave dhe sigurisht se interesat politike, interesat kombëtare – përderisa kemi një organizim dhe një realitet të këtillë – të drejtat e shqiptarëve dhe avancimin e këtyre të drejtave i mbrojnë partitë politike shqiptare.
Radio Evropa e Lirë: Ish-kryeministri Nikolla Gruevski, me partinë e të cilit jeni pjesë e koalicionit qeveritar, personalisht, u është falënderuar se Prokuroria Speciale Publike do të punojë derisa Maqedonia të futet në BE dhe NATO që nënkupton zgjidhjen e çështjes së emrit.Ku qëndron ndërlidhja e këtyre dy çështjeve, mund të precizoni deklaratën tuaj?
Ali Ahmeti: Unë kam bërë një deklaratë shumë transparente përderisa të gjitha palët jemi marrë vesh, si parti politike, mendoj katër partitë kryesore politike të përfaqësuara në Parlament për Marrëveshjen e Shkupit, që ju e quani Marrëveshja e Përzhinos, dhe njëra prej vendimeve që ka dalë nga ato takime me lehtësimin nga ana e komunitetit ndërkombëtar, si nevojë për të tejkaluar krizën, në të cilën ndodhet vendi dhe për ta futur në binarë për zgjidhje të situatës, vendosëm që të krijohet dhe Prokuroria Speciale Publike për t`ju dhënë fund të gjitha pikëpyetjeve, të gjitha dilemave.
Prandaj, ne, e kemi përkrahur dhe vazhdojmë ta përkrahim edhe më tej Prokurorinë Speciale që të mos mbeten dilema te qytetarët se kush është i inkriminuar; të mos lihet hapësirë për manipulime dhe spekulime partive politike, që më pas ata të mund të shpallin fajtorë njerëz të pafajshëm, përderisa ata nuk përballen me gjyqin dhe drejtësinë dhe drejtësia të jetë ajo që do të thotë fjalën e fundit.
Për këtë arsye, ne kemi kërkuar mandate të përhershëm të Prokurorisë Speciale Publike, deri në mbylljen e të gjitha këtyre dilemave. Kjo është në të mirë të vendit, është në të mirë të stabilitetit që të mos u lihet hapësirë spekulimeve, hakmarrjeve politike për qëllime të politikës ditore, të mos u lihet hapësirë njerëzve, funksionarëve të caktuar apo partive politike që përmes manipulimeve ata të arrijnë deri në pushtet.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Ahmeti në disa deklarata për opinionin ju flisni për qendra, të cilat nuk ia duan të mirën Maqedonisë dhe të cilët qëndrojnë pas krizës. Konkretisht kush janë ato qendra?
Ali Ahmeti: Ka shumë qendra, të cilat punojnë në dëm të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe sidomos të integrimit të vendit tonë në NATO. Ka shumë qendra, të cilat punojnë dhe veprojnë në drejtim të krijimit të një kaosi dhe mosbesimi mes dy etniteteve më të mëdha në Maqedoni, përkatësisht në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve.
Kjo sepse ato qendra sigurisht se nuk janë pa përvojë dhe e dinë se harmonia, afërsia dhe mirëkuptimi në mes shqiptarëve dhe maqedonasve për të çuar vendin përpara, është një çështje shumë e mirë është një çështje në të mirë të Republikës së Maqedonisë dhe si të thuash kanë hedhur xixa që këto raporte të keqësohen, të vështirësohen.
Unë këtu nuk flas dhe nuk akuzoj qeveritë e vendeve fqinje, por në të gjitha vendet ka grupe dhe grupime që nuk u intereson e ardhmja e mirë e Republikës së Maqedonisë, nuk duan që Republika e Maqedonisë të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së.
Pra, ka grupe dhe grupime në të gjitha vendet fqinje brenda rajonit, që janë të interesuara që këtë vend ta ndajnë për interesa të ndryshme. Por këtu, pa u keqkuptuar, nuk flas për qeveri të vendeve të rajonit, por flas për grupe dhe grupime që nuk janë pa ndikim dhe influencë në vendet e tyre, ku ata veprojnë – qoftë duke depërtuar dhe me idetë e tyre edhe në vendin tonë në Shkup dhe në qytetet tjera në Republikën e Maqedonisë, duke promovuar idetë e tyre, platformën e tyre në një formë përmes rrugëve legale dhe gjysmë-ilegale, po pjesërisht duke vepruar dhe ilegalisht.
ALI AHMETI ZEVENDESON MINISTRAT NE QEVERI, I MIRATON KUVENDI
Parlamenti i Maqedonisë miratoi sot kandidatët për ministra dhe zëvendësministra të propozuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Kryeministri i qeverisë teknike, Emil Dimitriev fillimisht refuzoi dy prej emrave, por më pas ishte ai që iu drejtua Parlamentit për të miratuar të gjithë emrat e propozuar për në kabinetin e tij.
Bekim Maksuti në vitin 2012 së bashku me tashmë ish-kryeministrin Fatmir Besimi kishte bërë homazhe tek varrezat e luftëtarëve të rënë të ish-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në një fshat të Likovës dhe kjo ishte bërë fillimisht pengesë që z.Dimitriev ta pranonte atë i pjesë të qeverisë së tij. Maksuti u zgjiodh për zëvendësministër të Mbrojtjes. Arlind Zeqiri, ministër pa portofol, ishte personi i dytë i diskutueshëm për kryeministrin maqedonas
Zëvendëskryeministër i ri për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit do të jetë Festim Halili. Arbër Ademi, zëvendëskryeministër për Euro-Integrime. Driton Kuçi – Ministër i Ekonomisë. Valdet Xhaferi. Ministër i Drejtësisë. Pishtar Luftiu, ministër i Arsimit. Ministrinë e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor do ta drejtojë Bashkim Ahmeti. Shyrete Elezi u zgjodh për ministre të Pushtetit Lokal.
Ministrat e rinj janë të rinj edhe në moshë dhe pa shumë përvojë politike. Shumica e tyre janë ligjërues në Universitetin e Tetovës. Emil Dimitriev tha se pret nga kjo përbërje një përkushtim maksimal dhe respektimin e Kushtetutës. Lidhja Social Demokrate refuzoi të votojë për listën e ministrave të rinj.
Vendimi i BDI-së për të ndryshuar anëtarët e kabinetit, erdhi pas një skandali brenda dy zyrtarëve të lartë brenda partisë dhe shikohet në mënyra të ndryshme në opinionin publik. Disa mendojnë ndryshimi ishte pozitiv për t’iu lënë hapësirë njerëzve të rinj të tregojnë kapacitetet e tyre, por të tjerë vlerësojnë se këto janë vetëm manovra të partisë shqiptare në pushtet.(VOA)
ALI AHMETI-PERSERITJA E FATIT TE KEQ
Opinion nga Rexhep KASUMAJ-Berlin/
Reflektim/
Pas një heshtjeje të gjatë (sa e gjatë për gjakun e dhimbjen!), Ali Ahmeti iu drejtua përmes Televizionit vernil shqiptar të Shkupit, bashkëkombësve të persekutuar.
Pa holluar e tjerrë mendimet e tij të trasha, i referohemi shkurtas ca pikëpamjeve që flasin metaforikisht për meskinërinë e klasës politike të shqiptarëve të Maqedonisë.
„Doja të shpëtoja jetë, por ata nuk më dëgjuan“, ishte teza e parë e florinjtë. Që në nisje do të shpaloste ai diskursin me pretendim këndellës e shfajsues: ruajtje e piramidës ku vegjeton politikisht dhe gllabëron pasurisht!
E pra, po të qenkësh kështu aherë pse ky vetë ( nëse njëmend ka bërë farë lufte) nuk dëgjonte të tjerët që i thoshin po këtë gjë: nuk kishte të drejtë të rrezikonte jetët e pafaj. Këtë refren përsëriste dhe Maliqi për Ushtarët e Kosovës, në mbyllje të mijëvjeçarit. ” Nuk kanë parasysh jetët reale të njerëzve”, ankohej përhumbshëm, thuase jeta e tyre që jepej pikërisht për ata të cilëve ai u qante hallin, nuk ishte reale. Por vendlindja e shtetit është lufta dhe ky është alfabeti i pandryshueshëm i lirisë. Dhe, ndaj, kumanovarët, nuk e kishin dëgjuar atë dhe tani, për habi, ndjehej i lehtësuar. Ndërgjegja nuk do ta ndiqte pas…
„Kam vënë kontakt për të ndihmuar“, pohon ai pastaj për tu shpjeguar pas pritmërisë së turmës injorante që mvesh udhëheqësin me velin e idhujtarisë. Veçse çështjë është: në çfarë cilësie vallë? Ishte ndërmjetës anësor shërbimesh të mira, dinjitar faltoresh a pleqnar kullash? Oh, sa e çuditshme dhe, njëherësh, e përgaztë kjo fjalë e figurantit të glorifikuar! Ndonëse pjesë e pushtetit, ai nuk mund të flasë a veprojë asnjëherë në emër të institucioneve të tij. Por, disi, nga jashtë dhe pa fuqinë e autoritetit shtetëror: as për të prerë shkaqet e kryengritjes, e as për të ndaluar ndërhyrjen e gjakosur – jo kundër luftëtarëve se ata ishin ballas, por kundër popullit të pambrojtur!
Në turrin e lodhshëm të marrëzive, Ahmet-ziu hedh dhe këtë rrufe: kishte, ky i miri, i pafajshmi, maqedonomadhi, merakun e qëndrueshmërisë së vendit të tij, të cilin e do të integruar në ngutshëm në Aleancën atllantike dhe, më pas, në Bashkimin e largët europian. Po si kështu? Cilën Maqedoni? Këtë të tillë siç është? Që segregon egërsisht kombin e atjeshëm autokton dhe, etnikisht, vital shqiptar? Kujt i duhet aderimi i Maqedonisë në botën e lirë, pos armiqëve të shqiptarëve! Ajo duhet më parë të rikoncipohet federalisht ose të shuhet fare. Zona e hirtë ballkanëse, brutale me sistemet dhe fluide me kufijtë, nuk mund ta shohë atë dritë…
A s’është, rrjedhimisht, vetë pozicioni i tij politik si një dekor festivalor pa asnjë potencë vendimmarrëse, një “argumentum a contrario”, pra një argument që rrëzon vetëveten? Ja pra, për këtë ishte vrarë djemëria në Kumanovë: që dhe hierarku politik shqiptar të kishte zë. Të mos ishte qyq i shurdhër. Sherbëtor në Atdhe.
„Më kërkuan që tu ndihmoja për të dalë rrethimit“, krekoset ai tutje në rrëfimin e shpërfillshëm nga ambientet e qeta e komode të tij! Përveç palë me vrasësit dhe pjesë e autorsisë së krimit, ai, nga zilia e, natyrisht, më shumë akoma nga trëmbja mneruese për imazhin a privilegjet sulltanore, përpiqet ti poshtërojë ata. Dhe, ndaj, hedh gurë e drurë për ti paraqitur në një pamje të errtë: pa ide e ndjesi flijimi, të mashtruar e pendestarë! Shpirt më të lig e mëndje më të çoroditur, nuk kam parë as në në imagjinatön e bujshme negative sllave dhe, madje, as në lektyrat shkollore me prralla të frikshme…Mirëpo jo: ky, në fakt, është Minotauri i vockël, që ia ka dalë të ulet edipërisht mbi fatet e nëpërkëmbura të popullit të vet!..
Ndiqni tani përskajimin e tij të idiotshëm: në Maqedoni paskëshin ndodhur tevona „shumë gjëra interesante“! Domethënë: aspak të rënda, aspak prerëse, aspak tronditëse, aspak të përgjakshme, aspak tragjike! Por vetëm – interesante! Nëse, pra, ato na qenkëshin kaq të denja veç për soditje kotnare – aherë ai i bën, kësodore, figurës së vet një autoportret të rrallë: portretin e prijësit politik që është i pashkollë, i padije, i painteligjencë elementare, i paetikë e moral, i paedukatë qytetarie, i pakulturë kombëtare, i paidentitet, i paskrupullt e heroikisht mizor!..
Mandej, diku në mbyllje nënvizon ai përbuzshëm: „Nuk e di se ç’duan ata“! A nuk thoshte po kështu dhe Xhaferi për të në fillimvitet 2000, se rebelimi i armatosur ishte një „kalkulim i gabuar i interesave nacionale“ nga Uçk-ja e atëbotshme?! Por, kushedi, ndoshta, kësaj here, ka të drejtë. Këta luftëtarët e Kumanovës, me gjasë, nuk e kanë të stërholluar instinktin përfitues të tij. Ishte, pra, Arbeni, e jo ky, që kishte gabuar. Rivali i ndërkryer i tij paskësh ditur mirë dhe mori gjithë ç’donte: pushtet pa fuqi, autoritet pa moral dhe pasuri pa fund!
Ah, ironi kohe! Po a nuk është, prandaj, ky vetë – statusi i tij periferik në politikat shtetërore dhe profili i tij si personifikim i kastës politike shqiptare, bashkështypëse dhe e pabesë, – pra ky dhe askush e asgjë tjetër, prova e mjaftueshme, kauza legjitime e justifikimi absolut pse derdhet sërish e vazhdimisht gjak në këtë krah të trojeve shqiptare?!
Dhe do të derdhet ende për lirinë dhe lavdinë e tyre!