Në Shenjë Mirënjohje dhe Respekti, Ju drejtohem:/
Presidentit të Republikës, Z. Bujar Nishani/
Shoqatës Pan-Shqiptare VATRA, Z. Gjon Buçaj/
Redaksisë së Gazetës Dielli, Z. Dalip Greca/
Më 24 Nentor 2014, me dekretin numër 8806 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani u dekorua pas vdekjes, Ali Kuçi ngaTomorrica e Skraparit me dekoratën e Artë të Shqiponjës, me motivacionin“ Në shenjë nderimi për veprimtarinë e tij të çmuar atdhetare dhe ndihmesën e dalluar në çështjen shqiptare, duke sakrifikuar dhe jetën për idealet e lirisë”.
Zëri i panjohur nga Shtetet e Bashkuara që ftonte familjarët e Ali Kuçit nga Tomorrica që të paraqiteshin në selinë e Presidencës në Tiranë për të tërhequr dekoratën, i përkiste të nderuarit Z. Gjon Buçaj, Kryetarit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra.
Ky dekorim për familjarët e Ali Kuçit erdhi si një rrufe në qiell të kaltër pas plot 68 viteve nga Dhjetori i largët i vitit 1946, kur ai arrestohet pa shkak në Lushnjë nga diktatura komuniste dhe një ditë më pas dërgohet në Berat. Për tre javë rresht mbit rupin e 76 vjeçarit u ushtruan tortura nga më çnjerëzoret që shkaktuan dhe vdekjen e tij. Varroset në errësirën e natës dhe në fshehtësi të plotë dhe pa adresë, siç ishte,shpesh,praktika,që,ndiqte,komunizmi për të gjithë,ata,që,vdisnin në hetuesi,ose,që,pushkatoheshin,sepse,diktatura,komuniste u trembej,dhe,kufomave pa shpirt. Askush nuk guxonte të fliste sepse nxjerrja e këtij sekreti paguhej shumë shtrenjtë. Natyrshëm,lindin,pyetjet:
Kush ishte Ali Kuçi dhe,përse u arrestua?
Përse u torturua mizorisht deri në vdekje?
Përse ju mohua një e drejtë që Zoti i Plotfuqishëm i jep çdo njeriu për tu prehur në një varr, ku të afërmit t’i venë një tufë lule?
Por diktatura komuniste që i mbulonte mëkatet e saj duke spekulluar me slloganin: “ Në emër të popullit”, preku me mijra e mijra njerëz atdhetarë nacionalistë dhe intelektualë të cilët pësuan fatin e Ali Kuçit. Për më tepër nuk u mjaftua me kaq por vazhdoi me luftën e ashpër të klasave deri në vitin 1990 kur sistemi i diktatuës komuniste perëndoi në Europën Lindore.
Ali Kuçi, si shumë bashkatdhetarë të tjerë, emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitet 1900. Djaloshi 25 vjeçar ngaTomorrica i vuri gjoksin aventurës amerikane dhe shumë shpejt u integrua në të. Ai bëhet një nga themeluesit e Shoqatës Vatra dhe në librin e botuar me rastin e përvjetorit të kësaj shoqate Ali Kuçi paraqitetsi Kryetar i Pleqësisë së Degës Nr 62 në New Florence të Pensilvanisë. Gazeta Dielli me editor Z. Bahri Omari, e cila ishte gazeta e parë që botohej në gjuhën shqipe në Boston të Shteteve të Bashkuara(pas Kombit të Sotir Pecit) në faqen e parë të numrit 1479-të të saj të datës 22 Mars 1919 ka fotografinë e Ali Kuçit me përshkrimin “Atdhetari i njohur dhe një nga përkrahësit dhe luftëtarët më të fortë dhe më energjikë të çështjes tonë këtu, thërret në konkursin e madh në fushatën për çlirimin e Shqipërisë drejtuar çdo atdhetari që jeton në SHBA ose Kanada. Z. Ali Kuçi fton në konkurs cilindo që dëshëron të mbajë flamurin e shpëtimit të Shqipërisë” .Në përfundim të konkursit, vijon gazeta Dielli, Z, Ali Kuçi i merr rekordin që mbahej nga një tjetër atdhetar në atë kohe, Z. Banush Feta.”
Nisur nga thirrja e Fan Nolit se Shqipërinë do ta bëjnë vetëm shqipëtarët, Ali Kuçi kthehet në atdhe dhe ndërton në fshatin Golem i Vogël të rrethit të Lushnjës një fermë të stilit amerikan. Por fatkeqsisht, si shumë atdhetarë e intelektualë të tjerë të përkushtuar për atdheun e tyre, diktatura komuniste ia shpërbleu mizorisht kontributin e dhënë në SHBA dhe në Shqipëri duke i marrë jetën.Ne fëmijët e tij edhe sot e kësaj dite nuk e dimë ku prehen eshtrat e Ali Kuçit.
Kjo eshtë shkurtimisht historia e jetës së Ali Kuçit nga Tomorrica, të cilin e dekretoi Presidenti i Shqipërisë, Z. Nishani, dekoratë e cila vuri në vend një të drejtë të mohuar dhe të harruar krejtësisht për 68 vjet. Në emër të motrave dhe vëllezërve të mi, pjesa më e madhe e të cilëve nuk jetojnë, dëshëroj t’i përcjell Z. Nishani mirënjohjen për dekoratën e akorduar babait tonë, Ali Kuçi.
Respekt dhe mirënjohje të veçantë i dedikojmë Shoqërisë Pan- Shqipëtare Vatra, e cila nuk e harroi asnjëherë djaloshin nga Tomorrica dhe këmbënguli me vite me rradhë për vlerësimin e kontributit të babait tonë edhe pse Ali Kuçi kishte mbi 90 vjet që ishte larguar nga vendi i ëndërruar për të gjithë për të vazhduar detyrimin e tij si atdhetar në atdheun e tij të dashur Shqipëri.
Po respekt dhe mirënjohje i dedikojmë gazetës Diellli, gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe në SHBA, e cila u bë zëri i shqiptarëve që jetonin këtu, duke publikuar informacione nga Shqipëria e largët si dhe suksese të komunitetit shqiptar në SHBA dhe Kanada . Sëbashku me gazetën Iliria(ku gazetari Dalip Greca shkroi për të parën herë për Ali Kuçin e harruar), gazeta Dielli vazhdojnë dhe sot të jenë burimi i informacionit në komunitetin shqipëtar të SHBA dhe Kanadasë duke publikuar sukseset dhe arritjet e vazhdueshme të bashkatdhetarëve tanë në këto troje si dhe duke sjellë informacionin mbi zhvillimet dhe arritjet e Shqipërisë në rrugën e demokracisë.
Me mirënjohjen më të thellë dhe konsideratën më të lartë!
Në emër të familjes së Ali Kuçit,
Luan Kuçi
Sterling Height, SHBA
ALI KUÇI, VATRANI QË UDHËHOQI NË FUSHATËN PËR SHPËTIMIN E SHQIPËRISË, U SHUA NË DUART E HETUSËVE
NË VEND TË NJË SQARIMI PËR LISTAT E KONTRIBUTEVE TË SHQIPATËVE TË AMERIKËS “PËR SHPËTIMIN E SHQIPËRISË”/
Prej ditësh Gazetë Dielli po boton online(www.gazetadielli.com) Listat e vatranëve që kontribuan në fushatën e madhe “Për Shpëtimin e Shqipërisë”, fushatë që nisi me 3 qershor 1917 dhe vazhdoi edhe në vitet 1918-1919.Përmes komenteve, telefonatave dhe emaileve që kanë ardhur në Vatër, një pjesë e lexuesëve kanë shprehur habi për sasinë e dhurimeve. Kjo është arsyeja pse po japim këtë sqarim.
Së pari; vlera e athershme e dollarit ishte shumëfishi i sotëm.
Së dyti, lista përcjellin vetëm kontributin e datës 3 Qershor 1917, pra ditënisjen e fushatës.Po të vështrosh listën nr 10, emri i parë është Ali Kuçi, i cili sipas kësaj liste ka si kontribut $10.00, aq sa dhuroi ditën e parë të garës, me 3 Qershor 1917, por nuk është vetëm ky kontributi i tij. Këtë e saqron më së miri ky numër i Gazetës Dielli të datës 22 Mars 1919. Në ballinën e gazetës të atij numri është shkruar me shkronja të mëdha se “Z. Ali Kuçi fton në konkursin e madh çdo shqiptar”. Ai deri në atë moment ishte mbajtësi i Flamurit të garës, kishte shënuar rekord ndaj vatranit tjetër, z. Banush Feta, që ishte deri në atë çast rekordmeni i garës me $650.00. Ali Kuçi që ishte në kryesinë e pleqësisë së degës së Vatrës PA, e ngriti rekordin në $680.00.
Në shënimin e Diellit shkruhej se:”Atdhetari i njohur dhe një nga përkrahësit dhe luftëtarët më të fortë dhe më energjik të çështjes sonë këtu, thërret në konkursin e madh në fushatën për Shëptimin e Shqipërisë çdo atdhetar që rron në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada. Zoti Ali Kuçi bën këtë deklaratë:” Ftonj në konkurs cilindo që dëshiron të mbanjë Flamurin e Shpëtimit të Shqipërisë.”- Ali A. Kuchi.
Kjo thirrje, ashtu si edhe thirrjet e mëparshme i ngriti në këmbë jo vetëm shqiptarët e Amerikës dhe të Kanadasë, por sollën kontribute për këtë fushatë Kombëtare edhe nga shqiptarët e Argjentinës.
Pak Histori: Kjo fushatë, sipas rekordeve të Vatrës, e kishte pasë shtysën që më 19 Maj 1917, kur Komisioni i Vatrës ishte mbledhë në një takim të rëndësisshëm dyditorë në zyrën e Federatës. Në këtë takim, gjatë ditës së parë u diskutuar për botimin e një Kalendari Kombëtar të Vatrës, të cilin e mori përsipër Fan S. Noli.
Ditën e dytë, të dielën e 20 Majit pas dreke, Komisioni mbaroi së kënduari raportin e delegatit të Vatrës në Londër- Mehmet Be Konitza( Mehmet Konitza ishte përfaqësues i Shqipërisë në Londër dhe paguhej që nga viti 1916 nga Vatra). Raporti përshkruante të gjitha veprimtaritë diplomatike n’Evropë për punët e Shqipërisë. Delegati Konitza shtronte propozimin që të formohej një Komitet në Evropë i përbërë prej miqsh shqiptarofilë dhe shqiptarësh atdhetarë, i cili do të punonte për fituarjen e të drejtave kombëtare të Shqipërisë me kufijt’ e saj ethnografike në Konferencën e Paqes. Organizimin e këtij Komiteti duhej ta merrnin përsipër shqiptarët e Amerikës.
Me këtë mendim të Mehmet Konitzës ishte bashkuar edhe Dr. Mehmet Be Turtulli, edhe ky delegat i Vatrës në Zvicër.
Pas raportit të delegatit Konitza, Komisioni lexoi edhe një letër të dr. Turtullit, i cili dhuronte 1,000.00(Një mijë dollarë) për nisjen e fushatës dhe jepte mendimin që të fillonte menjëherë çelja e fushatës nga Vatra për mbajtjen e Komitetit në Evropë për propogandimin e çështjes shqiptare.
Vatra falenderoi dr. Turtullin për ndihmën bujare me një letër zyrtare.
Komisioni i Vatrës vendosi të caktonte datën 3 Qershor 1917 për hapjen e fushatës, të cilën e quajti”Fushata për shpëtimin e Shqipërisë”, sipas propozimit të Dr. Turtullit. Fushata nisi me mendimin që të mblidheshin rreth 40 mijë dollarë, por vatranët u përgjigjën me duar e zemra hapur dhe mblodhën më shumë se trefishin e shumës, plot $150.000.00.(njëqin e pesëdhjetë mijë dollarë), janë miliona me vlerën e sotme të dollarit.
Pikërisht ata punëtorë që ksihin lënë familjet për të rregulluar ekonominë, që punonin rëndë nga 12-14 orë në ditë, që merrnin 8-9 dollarë në Javë,bënë mrekullinë për shpëtimin e Shqipërisë. Shqiptarët e Amerikës i dhanë çdogjë Shqipërisë dhe nuk kërkuan kurrgjë. Shumë nga këta patriotë as që mundën ta shkelnin tokën e Shqipërisë, ndërsa një pjesë, u kthyen për t’i shërbyer Shqipërisë dhe u dënuan si armiq!
Siç shkruan Petro Ktona në Misionin e Federatës Vatra, Emigracioni i ri le t’u jetë mirënjohës këtyre shqiptarëve, le t’i respektojë për patriotizmin dhe të kaluarën e tyre dhe të mos shikojnë influencën politike që kanë pësuar nga rrethanat e kohës.I gjithë Kombi duhet t’jete mirenjohes VATRES. Këta janë të gjithë patriotë shqiptarë.
Shuma prej 150 mijë dollarë ka qenë e mjaftueshme për të mbajtur delegatët në Konferencën e Paqes(Jo vetëm të Vatrës), për të dërguar Ambasadorë në kryeqytetet e ndryshme të Evropës dhe për të përballuar protestat e shumta të shqiptarëve, peticionet, dërgimin e kablogrameve, shtypin dhe të tjera shpenzime të nevojshme për një ndërmarrje kaq të madhe organizuar nga VATRA. Kjo sakrificë e vatranëve ndihmoi shumë në shpëtimin e Shqipërisë nga rreziku i copëtimit.
Ali Kuçi, ky vatran shpirtbujar, që pat kryesuar kryesinë e Pleqsisë së Vatrës në PA, e la Amerikën dhe u kthye në Shqipëri, nën thirrjen e Fan S Nolit “Të bëjmë Shqipërisë”. Madje ai ngriti edhe një fermë të tipit amerikan në Shqipëri. Nuk u kthye më në Amerikë. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, i mbrujtur me parimet e Demokracisë Amerikane, ndihmëoi këdo që luftonte për liri. Përkrahu edhe partizanët, edhe nacionalistët, por menjëherë pas lufte, ai u arrestua dhe iu kërkua që të jepte llogari”pse i kishte ndihmuar ballistët”! Asnjë fjalë për kontributet që u kishte dhënë partizanëve. Shpirti i tij i lodhur nga torturat fizike të trupit, u shua në qelitë e Hetuesisë së Beratit. Ky ishte shpërblimi për kontributin që kishte dhënë ai dhe pesëmijë vatarnët e tjerë për shpëtimin e Shqipërisë.
Nuk e dimë nëse ka ndonjë vlerësim për këtë figurë atdhetare, që dha gjithçka për Kombin, por Vatra nga ana e saj, i ka propozuar Presidentit të Republikës, që Ali Kuçi, së bashku me vatranët e tjerë martirë, të pushkatuar, burgosur, internuar nga diktatura, të vlerësohen e dekorohen.