• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ndëshkohet një mjek!!!

January 1, 2021 by dgreca

Nga Alma LIÇO/

Më nevojitet shpesh që një shkrim timin ta titulloj apo nis me termin “SKANDAL”. Sado e pakëndëshme të jetë përsëritja, nuk mundem ta shmang as sot atë. 

SKANDAL…Mjeku i nderuar i urgjencës spitalore të QSUT-së, Ilir Allkja, shkarkohet nga funksioni i tij. Shkaku???…Për shkelje të rëndë të Etikës së punës. Po, e vërtetë…ai ka shkelur një “Etikë”, por jo atë të punës. Ai ka shkelur “Etikën” e pashkruar e mos qenit ushtar partie. Zoti Allkja është një mjek që ka ngritur dhe ngre zërin për të denoncuar dobësitë e sistemit shëndetësor. Qëllimi i tij i vetëm…ky sistem të përmirësohet, të shërbejë e mbrojë si duhet shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

Por Kryeministri Edi Rama dhe shpura e tij nuk munden të pranojnë qytetarë të lirë që shprehin hapur qëndrimet dhe mendimet e tyre, për më tepër kur këto qëndrime bien ndesh me propagandën bajate qeveritare.

Dhe kjo qeveri bandite hakmerret duke e pushuar atë nga puna. Ndëshkohet me heqjen e bukës se gojës mjeku që nuk është puthadorës i Ministres së Shëndetësisë dhe qeverisë,  anëtare e së cilës ajo është. Agjitacion propaganda e komunizmit me dënimet e saj funksionon si në epokën e diktaturës.

Mizorë pa fund pinjollët e komunizmit…të njejtë me etërit e tyre shpirtërorë e biologjikë. Ashtu si në epokën e Enver Hoxhës, kur goditjet më të mëdha ndaj individëve apo familjeve që konsideroheshin kundërshtarë politikë të regjimit, ndodhnin në prag festash, edhe mjekut të nderuar i komunikohet lirimi nga detyra një ditë para festës së Vitit të Ri…Sadistë, të pashpirt, dhunues deri në absurd.

…Një muaj më parë, një djalë i pafajshëm vritet nga shteti pikërisht në ditën e rinisë, dhe qindra-mijëra të rinj që protestojnë në mbrojte të jetës, tërhiqen zvarrë e keqtrajtohen në komisariatet e policisë.

Në vazhdën e ngjarjeve të tilla të përsëritura, nuk kemi aspak pse të habitemi se si qindra mjekë dhe specialistë të të gjitha fushave po e braktisin këtë vend. Po ikin vlerat, po ja mbath rinia. Hemoragji që nuk ndalet. Nuk është e vetme varfëria shkaktare e gjithë kësaj gjëme. Më shumë se varfëria, ajo që i ka katandisur shqiptarët në të pashpresë është arroganca e një kryeministri dhe e pushtetit të tij të pakufizuar, është ngushtimi ekstrem i hapësirave të lirisë e të drejtësisë, është  fyerja e përdhosja e dinjitetit njerëzor…e të tjera!!!

Kur dhunohet një qytetar është dhunuar e tërë shoqëria. Kur ndëshkohet një mjek që përballet çdo ditë me detyrën fisnike të mbrojtjes së shëndetit dhe jetës së qytetarëve, sëmuret e tërë shoqëria.  

Reagimi konsekuent dhe i organizuar qytetar në mbrojtje të të drejtave njerëzore në të gjitha mënyrat që koha dikton, më shumë se kurrë është kthyer në nevojë imediate jetike për demokracinë e nëpërkëmbur e të dhunuar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Alma LIÇO, Ilir Allkja

Një udhëtim i pamundur!

December 29, 2020 by dgreca

NGA ALMA LIÇO/

Belësh, 25 Dhjetor 1970\Autobuzi u ndalpërbri një lokali që mezi dallohej nga degët e dy shelgjeve që vareshin mbi çatinë dhe dritaret e tij. Në pjesën e pasme, ngjitur me tështrihej i përgjumur liqeni, i cili për shkak të shiut që atë ditë rridhte pa pushim, ishte ngjyrosur në gri. Vende, vende mjegulla dukej sikur e bënte atë njësh me retë që vareshin nga qielli. Përvajshëm ato shkarkonin lotët e tyre të pashtershme që pluskonin mbi sipërfaqe e krijonin rrathë që hapeshin e treteshin. Ndonëse udhëtimi në atë rrugë gjoja të asfaltuar, plot me dëmtime e gropa më kishte pështjelluar pa masë, mblodha veten dhe ndihmova gjyshen time të ngrihej nga sedilja e saj. Pasi mora edhe çantën e vendosur mbi kokat tona, pritëm rradhën për të zbritur. Njëra nga shkallët prej llamarine e atij autobuzi të vjetër ishte e çarë dhe gjyshja mënd u rrëzua teksa zbriste. E mbajti për fat njëpasagjer që kish dalë para saj. Pasi e falënderuam përzemërsisht, të zëna për krahu, hymë në lokalin gjithashtu të ftohtë, si gjithë ambienti rreth e rrotull atë mëngjes dimri.Tavolinat e lokalit ishin pothuaj të mbushura me klientë, të cilët seç rrufisnin në pjata të mbushura me një lloj lëngu ngjyrë kafeje tëkuqerremtë, qënuk e dija se çfarë ishte. Kishte dhe nga ata që pinin kafe ekspres, shoqëruar me cigare e ndonjë gotë raki. Tymi i llullave kish mjegulluar tërë ambientin dhe kudo qelbej era alkol e duhan. Për fat, gjetëm një tavolinë të lirë diku nga fundi dhe zumë vend në të.

Ndërsa kudo atë ditënë botën e krishterë festohej dita e madhërishme e lindjes së Krishtit, në Shqipëri as që guxohej të përmendej kjo gjë. Ishte herezi. Për shkak të moshës ende të mitur, njohuritë e mija rreth besimeve fetare ishin shumë të cekëta, pasi për to flitej fshehurazi, me zë të ulët në familje, apo mes miqsh të ngushtë.Qindra klerikë kishin përfunduar pas hekurave e po vuanin mizorisht në burgjet e komunizmit, për shkak të vokacionit dhe aktivitetit fetar të tyre. Kisha parë si kremtohej kjo festë në Romë, në një nga rastet e rralla të mundësisë për të ndjekur televizionin italian. Isha mrekulluar nga mesazhet e paqes dhe dashurisë që u përcollën në atë kremtim dhe nuk arrija të besoja se përçuesit e kësaj fryme në Shqipëri ishin dënuar e masakruar. Teksa po përpiqesha të përfytyroja dhimbshëm martirizimin dhe keqtrajtimin qëkishin pësuar, si për ironi në një kënd të lokalit dallova një slogan ku shkruhej: “Feja – opium për popullin”.

Ishte koha e pushimevedy javore të semestrit të parë tëatij viti shkollor dhe unë mezi kisha pritur t´i kaloja ato me familjen time në fshatin e internimit. Prindëtmë kishin rikthyer atë vit të jetoja me gjyshen në Tiranë, dhe ishte e para herë që unë ndahesha kaq gjatë me ta. Katër muaj pa i parë. Sa mall ndjeja. Por ndërkohë nuk dëshiroja aspak që gjyshja të mbetej e vetme gjatë mungesës time dy javore. Ju luta, ju përgjërova të vinte me mua në fshat, dhe të ktheheshim sërish sëbashku nëTiranë. Pas hezitimesh dhe kundërshtish të arsyeshme për vështirësitë e paparishikueshme të rrugës, për më tepër në mes të dimrit, më në fund arrita ta bind të vinte me mua.Madje për tërritur shancet e mundësive dhe për tëpatur tërë ditën përpara në rrugën e pasigurtë që na çonte në fshat, fjetëm një natë në qytetin e Elbasanit. Gjyshja kishte shume të afërm që banonin në atë qytet.

Kur mbërritëm nëBelësh, ishte ora 10 e mëngjesit. Në mungesë tëpërhershme tënjë mjeti publik, lipsej të ishim të vëmendshme se mos ndonjë automjet rastësor udhëtonte në drejtim të Dragotit.Kështu quhej fshati ku ishte internuar familja ime. Ndodhte shpesh të mos kishte një të tillë dhe jo rrallë na duhej të udhëtonim rreth katër orë në këmbë, në atë rrugë të pashtruar, që në ditët me shi bëhej akoma mëe pakalueshme. Sakaq u afrua kamerierja dhe na pyeti çfarë dëshironim të merrnim. Meqenëse nuk shërbehej çaj, porositi vetëm gjyshja një kafe. Ndonëse mundohej ta fshihte, kuptohej qartazi se sa e preokupuar ishte për aventurën e paparashikueshme që na priste atë ditë dimri aspak premtuese, me shi.

Disa tavolina me tutje dallova një mik të familjes, banor të fshatit tonë, i cili me sa dukej kishte të njëjtin shqetësim me ne, atë tëkthimit në shtëpi.

Ju afrova dhe e ftova në tavolinën ku kishim zënë vend. Prania e tij sikur na dha zemër, duke nakursyeredhe vështrimet e çuditshme ezhbiriliuesetë klientëve të tjerë. Ishim të vetmet femra në atë lokal. Në vijim të bisedave me karakter familjar, ai na siguroi se do të qëndronte me ne, si do që të paraqitej situata e mundësisë apo pamundësisë së udhëtimit. Orët po rrokulliseshin njëra pas tjetrës, dhe asnjë automjet në drejtim të fshatit nuk po dukej. Përveç disa qerreve që dukej sikur hiqeshin zvarrë me kërkëllimë dhe qerrexhinjve majë tyre, mbuluar me pelerina mushamaje të zezë, asnjë zhurmë makine apo zetori nuk dëgjohej. Sikur të mos mjaftonte ankthi i pasigurisë, duhej të gëlltisnim edhe qesëndisjen e kamarieres, që dukej tejet e bezdisur nga qëndrimi ynë i gjatë atje. Të gjitha lëvizjet e mjeteve kontrolloheshin lehtësisht nëpërmjet xhamave tëdritareve të pjesës ballore të lokalit. Dy-tre orë më pas do tëpllakoste nata dhe ne do mbeteshim në atë vend,  të bllokuar si nëçark. Gjyshja, së cilës i ishte nxirë buza nga të ftohtit, u ngrit e mpirënga vendi dhe me gjysëm zëri, tha:

  • Të kërkojmë ndonjë mjet që unë të kthehem në Elbasan. Nuk mund të pres më. Zere sa na zuri nata këtu. Ju mund ta bëni edhe në këmbë. Unë nuk mundem.

Nuk kisha asnjë argument ta kundërshtoja. Madje ndjehesha në faj që e kisha përfshirëe tërhequr gjyshen në një aventurë të tillë në mes të dimrit. Për të më lehtësuar barrën që ndjeja, më përkëdheli flokët, duke më thënë:

  • Mos u mërzit shpirt i nanës. Do vijmë sërish bashkë në pushimet e verës. Dhe sigurisht do ta kemi më të lehtë , pasi në verë lëvizin më shumë mjete dhe dita është më e gjatë.

Dolëm jashtë lokalit në kërkim të ndonjë mjeti për gjyshen. Shiu vazhdonte të binte pa pushim. Pesëmbëdhjetë minuta më pas, shoferi i një makine rastësore që udhëtonte për nëElbasan, pati mirësinë ta merrte atë me vete. Ajo u largua duke na përshëndetur me dorë, ndërsa unë ja plasa të qarit. M´udhims aq shumë gjyshja tek kthehej e vetme në shtëpinë tonë në Tiranë.

Miku i familjes u kthye nga unë dhe më tha:

  • Nuk kemi ç´presim më. Duhet të nisemi në këmbë. Në këtë orë nuk ka më asnjë shpresë për ndonjë mjet që udhëton në atë drejtim.

Nuk e zgjatëm më tej. Pasi vendosëmçantatnë kurriz, hapëm çadrat dhe morëm rrugën drejt fshatit. Madje duhej të nxitonim që të mos na zinte nata në mes të baltës. Lluca dhe gropat me ujë e kishin vështirësuar në mënyrë të tejskajshme atë rrugë që dukej e pafund. Pothuajse nuk folëm fare gjatërrugës. Përveç zhurmës karakteristike të gjerbave të shiut, atë heshtje e prishnin edhe të lehurat e qenve të shtëpive të fshatrave të vendosura gjatë rrugës. Ndonjëherë ndjeheshin aq afër, sa me mbërthente frika se mund të përfundonim të sulmuar prej tyre dhe nuk kishim asgjë për t´u mbrojtur.

Isha aq e dëshpëruar për zhgënjimin dhe dështimin e pësuar, sa nuk më bëhej të shkëmbeja asnjë fjalë. Megjithë nxitimin, nata na zuri rreth gjysëm ore para se të mbërrinim në fshat. Rruga në errësirë ishte plot të papritura. U rrëzova disa herë dhe u përbalta kokë e këmbë. Isha njomur deri në palcë. Ndonëse në familjen time më prisnin, rënia e natës ua kishte prerë shpresat se mund të mbërrija atë ditë. U befasuan sa më s´ka kur trokita dheu çfaqa pas derës së shtëpisëdhe më mbuluan me të puthura e përqafime plot mall e dashuri. Më ndihmuan të hiqja rrobat me baltë dhe pasi u pastrova dhe ndërrova, më së fundi u rehatova pranë tyre. Me lot në sy i tregova për aventurën e gjyshes dhe kthimin mbrapsht në Elbasan. Ata nuk dinin gjë se ajo do vinte me mua. Dëshiroja tua bëja surprizë. Por nuk qe e thënë. Nuk qe e shkruar gjithashtu që gjyshja të kthehej më në atë fshat. Pas asaj eksperience të mbrapshtë, ajo u ndje e pamundur të përballej me një udhëtim aq tëpasigurtë, dhe hoqi dorë përfundimisht. Dy vite më pas do të mbyllte sytë përgjithnjë duke lënë në zemrën time thesarin e dashurisë nga më të bukurat që kam jetuar e provuar në jetë, atëgjyshe- mbesë.

Filed Under: Histori Tagged With: Alma LIÇO, Belesh 1970, Udhetim i Pamundur

Mos i fyej Rudinë!!!

August 2, 2020 by dgreca

Nga Alma Liço-
Duke i hedhur një sy faqeve të shtypit online, rastësisht me zuri syri një shkrim të gazetares Rudina Xhunga, e cila shprehej tejet e keqardhur që nuk kishte mundur të intervistonte nënën e Kryeministrit, e cila ndërroi jetë një ditë me parë. Pa as më të voglin dyshim, largimi nga kjo jetë i një qënieje njerëzore përbën dhimbje për familjen, të afërmit dhe ata që e kanë njohur. Në raste të tilla shprehja e ngushëllimeve është një gjest mbështetjeje me përmbajtje humanizmi.
Nëna apo baballarë që kanë kaluar të tetëdhjetat vdesin çdo ditë me dhjetra, qindra. Pavarësisht dhimbjes së të afërmve, ky fenomen nuk përbën asgjë të jashtzakonshme, pasi të gjithë njerëzit një ditë do largohen nga kjo jetë. Ata ikin dhe askush nuk shkruan për ta. Ata vazhdojnë të jetojnë në kujtimet e atyre që i kanë njohur. Sigurisht, që për personat që lenë gjurmë në histori, për të mirë apo për të keq, do të shkruhet e flitet gjatë, mbase edhe shekuj pas vdekjes së tyre.
Duke lexuar shkrimin e Rudinës, po vrisja mendjen se kush ishte ajo gjëja e veçantë në aktivitetin e kësaj gruaje, sa për t´i mbetur peng asaj-gazetares, që nuk mundi ta intervistonte??…vërtet nuk po gjeja asgjë të tillë.
Arsyetimi im ndërthurur me përvojën jetësore dhe përjetimin e krimeve të komunizmit, për të gjetur të “veçantën” e saj, më çoi në disa përfundime. Pa dashur të zgjatem , veçova tre prej tyre:
1. Aneta Rama ishte e motra e Spiro Kolekës, ish anëtarit të Byrosë Politike të PPSH dhe bllokut komunist, atij blloku që gatoi krimet më të mëdha monstruoze, vëllavrasëse mes shqiptarësh, atij blloku që na katandisi në popullin më të varfër e të skllavëruar në Europë.

2. Aneta Rama ishte e shoqja e Kristaq Ramës, skulptorit shërbëtor të bindur të regjimit kriminal komunist. Në biografinë e tij rëndon dakortësia dhe firma për varjen e poetit Hafzi Nela, një shpirti të lirë, vetëm sepse kish guxuar të thurte disa vargje të dhimbshme për realitetin ku jetonte. Kjo ndodhi në vitin 1988, kur regjimi po zvarritej në grahmat e fundit.

3. Aneta Rama ishte e ëma e kryeministrit aktual, psikopatit bandit që me metodat e tij korruptive, përçarëse dhe diktatoriale, ka bërë që shqiptarët të dëshirojnë t´ja mbathin nga sytë këmbët nga vendi i tyre i mrekullueshëm, që po katandiset çdo ditë e me shumë në të pajetueshëm.
Që të adhurojë ende komunistet dhe pinjollët e tyre, është e drejtë e Rudina Xhungës, pasi nga ajo kuzhinë ka dalë. Nuk është e vetmja. Edhe të intervistojë duke u tretur nga adhurimi, panterën e zezë Nexhmije Hoxha, është e drejtë e saj, sado fyese dhe acaruese të jetë kjo për viktimat që ajo dhe i shoqi kanë shkaktuar.
Por si gazetare, nuk është aspak e drejtë e saj që me qëndrime apo adhurime publike të tilla, të lëndojë e fyejë qindra nëna që kanë humbur bijtë e tyre në burgjet e komunizmit apo ua kanë ekzekutuar ata në kufi. Ato vajtojnë për ta dhe eshtrat e tyre të humbura ende sot e kësaj dite.
Si nuk ndjeve një herë të vetme shtysë, moj Rudinë, si gazetare të intervistoje njërën prej tyre?
Ato kanë shumë, po shumë për të thënë…dhe po i thonë çdo ditë…për fat të mirë, jo të gjithë gazetarët janë të indoktrinuar e të pashpirt si ti.
Duke adhuruar si gazetare krimin, mos i fyej Rudinë!!!

Filed Under: Politike Tagged With: Alma LIÇO, Mos i fyej, Rudine

Përkujtim i eksodit të ambasadave në qytetin gjerman të Heidelbergut

July 5, 2020 by dgreca

NGA ALMA LIÇO/DIELLI /
2 korrik 1990. Mijëra bashkëqytetarë vërshuan si një uragan i papërmbajtshëm e thyen dyert e përfaqësive diplomatike në kërkim të lirisë. Ishin dallëndyshet e para që kërkuan të fluturonin të lira e të thyenin prangat e robërisë. Secili prej tyre ishte një hero, pasi rreziku i atij hapi aq të guximshëm mund t´u kushtonte atyre jetën. Në sundimin e saj të gjatë, gati gjysëm shekullor, diktatura kishte vrarë e masakruar me qindra qytetarë gjatë përpjekjes së tyre të dëshpëruar dhe njëkohësisht kurajoze për të kapërcyer telat me gjemba të kufirit, dhe kërkuar strehim në njërin nga vendet fqinje.
Vitet rrodhën si lumë dhe u mbushën tridhjetë vjet nga ajo ngjarje e përmasave historike. Shumë është folur e trajtuar gjatë këtyre viteve rreth atij eksodi biblik të shqiptarëve. Në këtë shkrim modest, nuk dëshiroj të përsëris ato që janë thënë dhe stërthënë në rrjedhën e këtyre viteve, sikur të mos bëhej shkak që kjo ngjarje e madhe të bashkonte një natë më parë, në qytetin gjerman të Heidelbergut, qytetarët shqiptarë, protagonistë të asaj aventure të rrezikshme. Takoheshin pas tridhjetë vitesh. Sa nostalgji. Të gjithë i bashkonte përjetimi dhe rrugëtimi i vështirë që kishin ndërmarrë së bashku drejt lirisë. Emocione të jashtzakonshme. Secili prej tyre kish ndjekur më pas rrugën e tij, me mundësitë që ua krijoi ai vend i begatë e i lirë. Madje shumë prej tyre kishin vite pa u takuar. Djelmoshat asokohe të rinj, tashmë ishin burrëruar, shumica martuar e bërë prindër. Dikush nuk i kishte me flokët e bukur të rinisë, apo dikujt thinjat fisnike ua kishin mbuluar ato. Po ashtu edhe vajzat. Të martuara e bërë nëna. Erdhën në këtë event përkujtimor, që u trajtua si një festë qytetarësh të lirë, së bashku me fëmijët e tyre. Ishin takime vërtet emocionuese , të mbrujtura me mall e nostalgji.
Në fillim të mbrëmjes, nismëtari dhe organizatori i bashkimit të protagonistëve në një event të tillë, Zoti Albert Lamaj, kish përgatitur një përmbledhje me filmime të atyre ngjarjeve të papërsëritshme. Risjellja e momenteve dramatike, që zinin fill me kapërcimin e kangjellave të ambasadave nga qytetarë të pambrojtur, e vijonte me të gjitha vështirësitë që pasuan në ato ditë përjetimesh jo të zakonta, përloti shumë nga të pranishmit, protagonistë të atyre ngjarjeve. Nuk mungoi as jehona që shtypi gjerman i bëri asokohe asaj.
Më pas, përmes kujtimesh dhe emocionesh, dy prej protagonistëve të pranishëm, përshëndetën këtë takim sa festiv, aq edhe përkujtimor, me aq shumë vlera qytetare dhe atdhedashurie.
Zoti Ylli Tabaku, ish i burgosur politik për rreth 28 vite në burgjet e diktaturës, përmes të tjerash, përcolli me shqetësim faktin e trishtë, se ndonëse kanë kaluar 30 vite nga rënia de Jure e regjimit, Shqipëria ende nuk mund të konsiderohet vend i lirë e demokratik, pasi pushteti ka ruajtur vazhdimësinë e tij në duart e pinjollëve të komunizmit, të cilët e drejtojnë atë në mënyrë korruptive dhe me të njëjtën mendësi. Ai i bëri apel më të rinjve që të mos e harrojnë kurrë atdheun, pasi ai do ketë gjithnjë nevojë për kontributin e tyre. Madje ai bëri thirrje për organizime programore politike të suksesshme të shqiptarëve në emigracion, për të ofruar në Shqipëri alternativa qeverisëse konkuruese, demokratike.
Zoti Bibjan Mirakaj, ish i internuar politik familjarisht përgjatë 25 vitesh, emocionoi gjithë të pranishmit me fjalën e tij. Ai përshkroi dinamikën e atyre ngjarjeve, duke i konsideruar heronj ata që i bënë sfidë diktaturës. Etja e tyre për t´u çliruar nga prangat e robërisë e rendur në rrugën e panjohur e plot rreziqe drejt lirisë, çau perden e hekurt të njërës prej diktaturave më gjakatare në botë, asaj komunisto-enveriste. Përmes një frymë paqësore bashkimi dhe atdhedashurie, ai përcolli mesazhin se lufta për demokraci nuk duhet të ndalet, pasi Shqipëria ka nevojë për të gjithë qytetarët e saj, kudo që ata ndodhen, për më tepër që ata, të cilët jetojnë në Shqipëri, si pasojë e keq-qeverisjes dhe korrupsionit galopant, përballen me padrejtësi të mëdha sociale, që kulmojnë dëshpërimisht me humbjen e shpresës për të ardhmen.
Mes përlotjesh dhe duartrokitjesh, mbrëmja vazhdoi më pas me trokitje gotash, biseda miqësore mes miqsh, muzikë e valle me motive bashkimi për të gjithë shqiptarët ku ata ndodhen. Pas disa orësh u mbyll kjo festë, ku nëpërmjet kujtimeve dhe ndjesive që do i shoqërojnë ata gjithë jetën, u përçua fryma e atdhedashurisë. Përqafime të ngrohta, dhe seicili u nis më pas për t´iu rikthyer jetës e tij, pa dyshim më i pasur shpirtërisht. U ndanë me bindjen e palëkundur se me kontributin dhe përkushtimin e tw gjithëve, Shqipëria është dhe do të mbetet atdheu i të gjithë shqiptarëve.Vatra e përbashkët që do t`i bashkojë ata gjithmonë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Alma LIÇO, Gjermani, Perkujtimi I 2 Korrikut

“FQINJI” I ÇMENDUR

June 1, 2020 by dgreca

-Dedikuar gjyshes sime-/

NGA ALMA LIÇO*/

Bummm…bummm….bummm. Si kurrë më parë porta trokiti me forcë. Jo, nuk mund të ishin fqinjët bujarë tiranas, që aq miqësisht vinin çdo ditë ta takonin e ta pyesnin çfarë i nevojitej. Ata nuk trokisnin kurrë kaq dhunshëm, si të dëshironin ta shkulnin nga vendi atë portë të vjetër prej druri. Dikush tjetër ndodhej pas saj. Dikush, që për nga agresiviteti, nuk premtonte aspak të qe i mirëpritur. Kush vallë po kërcënonte kësisoj? Cili mund të ishte? A mund t´i ndodhte diçka më e keqe se gjëma e dy muajve të fundit? 
Vajzën e saj të vetme, së bashku me të shoqin dhe tre fëmijët e mitur i kishin degdisur në internim, në një fshat të thellë të zonës së Dumresë. Zemrën e kishte plagë. E mbetur e vetme në atë shtëpi, nuk po mundej të gjente ngushëllim. Motivi i jetës së saj ishte marrë peng. Ishte syrgjynosur e dënuar të vuante në një kasolle të mjerë, mes kodrash me shkurre e mundimesh pa fund. Persekucion politik…pa faj…pa shpjegim…
Ohhh…Kush vallë mund të ishte pas asaj porte???
U ngrit me mundim nga minderi ku po qëndronte gjysëm e shtrirë duke vrarë kohën, dhe me përtesë iu afrua portës që vazhdonte të trokiste me ngulm. E çorientuar siç ishte, u përplas me njerën nga vazot e oborrit dhe u rrëzua së bashku me të. Ajo u bë copë e çikë, ndërsa kërcejtë e luleve të thara u hallakatën në oborr. Ndjeu një therje në gjurin e djathtë dhe pa se po i rridhte gjak. Ishte çarë keqas. Një copë e vazos së thyer e kishte prerë si të ishte thikë. Por trokitjet frenetike të portës që nuk dinin të ndaleshin, e bënë atë të ngratë të ngrihej vështirësisht dhe të afrohej drejt saj. Duke u dridhur, rrotulloi çelësin në bravë. Tre burra të panjohur u çfaqën në pragun e saj. Personat që po trokisnin, e shtynë atë grua të moshuar, duke rrezikuar ta rrëzonin sërish. Madje njeri prej tyre, mbante uniformë policie. Pa denjuar që ajo të merrte disi veten dhe t´i pyeste se çfarë kërkonin nga një plakë shtatëdhjetë vjeçare, njeri prej tyre, me ton të prerë, pothuajse ulëriti :
-Ku është dhoma në të cilën ka banuar jot bijë?
Pa e kuptuar aspak arsyen e një pyetjeje të tillë, gjyshja mezi shpiptoi:
-…Pooo…ne jetonim së bashku në këtë shtëpi…nuk kishim gjë të ndarë…por ajo…
I nervozuar, ai e ndërpreu dhe vijoi:
-Ku është dhoma e gjumit të sat bije!!…dhe pa pritur përgjigje e shtyu atë, e bëri përpara. Dy burrat e tjerë e ndoqën nga pas, dhe u futën në oborr. E gjora grua, ende nuk po kuptonte se çfarë po ndodhte. Burri që po hakërrehej, i shtyu me forcë dyert e dy dhomave të shtëpisë përdhese, tashmë mbetur e shkretë. “EUREKA”…njera prej tyre ishte vërtet e zbrazur. I lehtësuar për këtë zbulim, u kthye sërish drejt saj, dhe shtoi:
-E shikon këtë shok? Eshtë invalid, dëmtuar në minierë.Quhet Zenel Disha. Këshilli i lagjes ka vendosur ta strehojë në dhomën e sat bije. Ajo nuk jeton më këtu. Dimë gjithçka!!!
Ai komunikim arrogant nuk linte asnjë hapësirë për kundërshti. Tre burra kundër një të moshuare të mjerë, zemër plagosur. Tre burra, që po e dhunonin në banesën e saj, pronë modeste e familjes.  
Mezi ngriti kokën dhe e drejtoi shikimin nga burri që do banonte në atë shtëpi të vogël, së bashku me të. U tmerrua. Ai banor i çuditshëm ishte rreth të dyzet e pesave. Flokët e rëna ekspozonin shenjat e të çarave në kokë, që ndoshta qenë shkaktuar nga aksidenti në minierë. Fytyra gjithë vrraga dhe sytë e kuq që i ndizeshin flakë, i jepnin atij një pamje të frikshme. Instiktivisht, ajo mori kurajon dhe iu afrua pak. Qelbej erë alkol. Ai qeshi në mënyrë të pakontrolluar e të neveritshme dhe i zgjati dorën.
– None, si je? Do jem unë çuni jot tashi…harroje gocën.
Nuk e kuptoi si arriti të përmbajë veten pa lëshuar një ofshamë që i mbërriti në grykë dhe që mundi ta gëlltisë.
Pa i dhënë kohë të mblidhte veten, burri me veshje civile iu drejtua sërish:
– Jepi Zenelit çelësin e dhomës, pasi nesër do sjellë orenditë e tij…dhe mos të të shkojë mendja të trokasësh në ndonjë derë…pasi është marrë vendim i prerë për këtë. Ohhh… çelsi qenka në bravë. Merre Zenel!!!
Disa sekonda më pas, tre burrat u larguan në mënyrë triumfale, ashtu siç kishin ardhur, duke tërhequr pas vetes derën e jashtme me forcë. Gjyshja e gjorë u zvarrit deri në kuzhinë, ku pasi pastroi si mundi këmbën e gjakosur, e dizinfektoi me jod të cilin e mbante kurdoherë në shtëpi. Ambulanca e lagjes ishte goxha larg, dhe ajo nuk mund të shkonte për mjekim deri atje, pa e shoqëruar dikush. Me një copë pëlhurë të vjetër e lidhi e shtrëngoi më pas, si mundi. Dhembja e shpirtit e bëri të harronte therjet e plagës në gju. Tre burra kundër saj. Madje mes tyre edhe një polic. Po polici përse duhej vallë??? Vërtet mendonin se një e moshuar shtatëdhjetë vjeçare do të mundej të kundërshtonte e të bentë rezistencë??…ohhh…sa mizore…
Ishte vendosur tashmë, do ndante shtëpinë me një të marrë. Me një të sëmurë që për vite kishte qenë i mbyllur në një spital psikiatrik. Si do mundej ta përballonte, për më tepër që ai dukej edhe i alkolizuar? Me kë mund ta ndante një të papritur që do të vijonte me një bashkëjetesë kaq traumatike? Zemra po i delte nga kraharori. Ishte në luftë me mundësitë dhe pamundësitë e saj. Por ndërkohë, dëshironte me gjithë shpirt të ishte e fortë, e dobishme për të bijën e sikterrisur, për nipërit e saj…nëse një ditë do ishin të lirë…nëse… përgjërohej me gjithë shpirt ta gjenin të hapur atë shtëpi…t´i priste me krahë hapur…duhej të rezistonte…
U shkreh në lot. Askush nuk mund t´i shihte, aq më pak t´ja fshinte ato. Ajo, mësuesja e nderuar, që për dyzet vite kishte rendur fshatrave për t´u mësuar fëmijëve a.b.c-në, ndjehej tërësisht e pafuqishme, e sulmuar nga ata që mund të kishin qenë nxënësit e saj. Nuk fjeti aspak atë natë. Një shi i rrëmbyer fshikulloi pa mëshirë xhamat e dritareve të vogla, duke bërë ndërkohë të pikonte çatia e asaj shtëpie të vjetër prej qerpiçi. Gjyshja numëronte pikat e shiut që gjerbonin mbi një legen, që e vendoste në dysheme sa herë binte shi. Ritmi i tyre krijonte një monotoni acaruese, aq sa i dukej sikur ato pika i përplaseshin mbi kokë. Në kllapi, ato ngatërroheshin, dhe ajo niste sërish nga e para numërimin. Dhe përsëri ngatërroheshin e mbivendoseshin në mënyrë të pakuptimtë mbi njera tjetrën. E nesërmja do të sillte një realitet të ri, të frikshëm për zvarritjen e ditëve të saj, edhe ashtu mjaft të trishta. 
Rreth orës dhjetë të mëngjësit, një kamion i vogël përshkoi të nesërmen rrugicën e ngushtë me kalldrëm, dhe u ndal me zhurmë para shtëpisë. Me ndihmën e dy djemve të fuqishëm, “anëtari” i ri i familjes futi në dhomën e prindërve të mi, ato pak orendi që dispononte. Ishin të vjetëruara, të ndotura, dhe mbanin erë të rëndë. Më pas, pa nxjerrë asnjë fjalë nga goja, ishte mbyllur brenda saj, dhe nuk kishte lëvizur fare gjatë njëzet e katër orëve në vijim, madje nuk kish dalë as në banjon e përbashkët e të vetme të asaj shtëpie, që si në shumë banesa përdhese të atyre viteve, ndodhej në fund të oborrit. 
Kësisoj, filloi për gjyshen përballja befasuese me veprimet e tij të pazakonta. Njëzet e katër orë, asnjë zhurmë, asnjë lëvizje. A ishte mirë?…Ishte gjallë?…Ndoshta kishte nevojë për ndihmë!!…Duhej ta mësonte. Pas një hezitimi, gjyshja trokiti në derën e tij. Sërish asgjë nuk pipëtiu. Çfarë i kishte ndodhur?? Mos kishte vdekur!!…Fundja i sëmurë ishte…dhe gjyshja trokiti sërish…
Kur nuk kishte më shpresë të hapej ajo derë, fqinji i vetëquajtuar “çun” i saj një ditë më parë, u çfaq në derë, i përgjumur, me sy të kuq e të fryrë.
-Çfarë do none!! – Pse më zgjon !!!…— iu hakërrye.
E trembur e gjora gjyshe, mezi i tha:
-Je mirë?…Ke nevojë për gjë???
-Jo…- u përgjigj prerazi ai. Dua të fle. Më lër rehat, Kuptove?? – Psherëtiu, përplasi derën dhe nuk kapërceu pragun e asaj dere edhe për njëzet e katër orë të tjera. 
Gjyshja përjetoi sërish të njejtin ankth…por nuk trokiti më. Dy ditë pa dalë nga ajo dhomë…a kishte vallë për të ngrënë?…po nevojat personale, ku i kryente???
Të nesërmen e ditës së dytë, në mëngjes herët ai doli pa zhurmë, duke flakur në oborrin e vogël dy shishe të boshatisura pijesh alkolike. U zhduk, për t´u kthyer vetëm në mbrëmje. Provoi të hapte derën e kuzhinës ku qëndronte gjyshja, dhe meqënëse e gjeti të mbyllur, trokiti në të. Pasi hezitoi pak, ajo e hapi atë derë. Duhej të përballej me të keqen që tashmë do të ishte prezente çdo ditë në jetën e saj. Duhej të përpiqej të mos e kishte armik atë të çmendur. Ai hyri brenda dhe u ul në minderin e gjyshes. Qelbej erë urine dhe alkoli. Sytë si nuk po i plasnin nga damarët e fryrë e të kuq. Pa pritur që ajo të thoshte diçka, filloi të broçkulliste fraza pa lidhje. Ai përjetonte një delir prej të marri, që e bënte të besonte se shteti komunist nuk mund të ekzistonte pa atë…se ai ishte besniku që e mbronte nga armiqtë…se ai ishte gati të vriste këdo që nuk e donte partinë. E shkreta gjyshe. Pas ndonjë ore të kësaj ligjërate të çakorduar e të pambarimtë, ajo iu lut të shkonte të flinte, pasi edhe ajo ishte shumë e lodhur dhe kish nevojë për pushim.
-Mirë none…ta prish unë ty?? — shi, shi…paske vra ene komën…mos e çaj kaptinën se njallet…
Dhe pasi përsëriti për të disatën herë heroizmat e asaj dite, u largua drejt dhomës tashmë të tij. Duke menduar se u sos për momentin tortura në praninë e të marrit, gjyshja mori frymë disi e lehtësuar. Por pesë minuta më pas, ai doli sërish në oborr, dhe filloi të këndonte me zë të çjerrë…Enver Hoxha e mprehu shpatën…
Pasi mprehu për një orë shpatën, ai hyri më në fund në dhomën e tij, dhe nuk u ndje më. Të nesërmen, përsëri heshtje varri. Nuk pipëtiu asgjë. Ai nuk doli fare nga dhoma.
E shkreta gjyshe, filloi të ambientohej me sjelljen e tij të çuditshme, dhe ta trajtonte atë si një të keqe me të cilën duhej të bashkëjetonte. Duke e njohur këtë realitet, njëri nga fqinjët shumë të gjindshëm, i vendosi shula të rinj e të sigurtë në derën e kuzhinës dhe atë të dhomës së saj të gjumit. 
Për të evituar vizitat e tij të frikshme e të padurueshme të mbrëmjes, sapo ndjente kërcitjen e bravës së portës së oborrit, gjyshja fikte dritën dhe qëndronte në qetësi absolute. Donte t´i jepte atij të kuptonte se e kishte zënë gjumi, dhe se nuk duhej ta shqetësonte. Por ai nuk bindej se ajo mund të flinte në atë orë, dhe trokiste pa pushim në derën e saj të kuzhinës. Sakaq, avujt e alkolit depërtonin nëpërmjet hapësirave të saj, dhe gati i merrnin frymën. Me zemër të ngrirë, gjyshja mezi priste që ai të lodhej e të hiqte dorë nga insistimi i marrë, që ajo t´i hapte derën. Dikur ai tërhiqej, por shkaktonte skandale të pafundme në oborr…herë thyente ndonjë vazo…herë-herë sokëllinte këngën e tij të preferuar…Ndonjëherë urinonte e kryente nevojat e tij në mes të oborrit. Ndodhte, që pas një nate me shi, ajo fëlliqësirë përhapej në gjithë ambientin e vogël të shtruar me çimento e të plasaritur. E shkreta gjyshe. I duhej të pastronte të nesërmen, duke vjellë e nxjerrë zorrët nga pështjellimi.
Në mbrëmje të tilla, e ngujuar, ngashërehej pa zë dhe i lutej Zotit t´i jepte forcë e kurajo për të përballuar këtë situatë absurde. As në makthet e saj më të këqia, nuk kishte imagjinuar kurrë se në atë moshë do ndante banesën me një të çmendur, e do të vuante gjithë pasojat e kësaj.
Duke ndjerë dështim në invazionin e mbrëmjes, mendja e tij e sëmurë gjeti një tjetër mënyrë diabolike, që ta detyronte gjyshen t´i hapte derën. Në njërin nga muret e oborrit, ishte vendosur kutia e siguresave të energjisë elektrike. Duke liruar njërën prej tyre, shkaktohej ndërprerja e saj në gjithë shtëpinë.
Disa ditë e duroi gjyshja këtë situatë, duke kaluar gjithë mbrëmjen në errësirë, madje duke mos guxuar as të ndizte ndonjë qiri, i cili do të qe sinjal se ajo nuk po flinte. Shpresonte e gjora se ai do të lodhej nga kjo lojë infantile dhe e fëlliqur, e do të hiqte dorë nga ndërprerja çdo natë e energjisë elektrike. Por ai e vazhdoi këtë lloj eksperimenti shantazhues me të njejtin zell. Madje, gajasej me zë të lartë kur gjithçka mbulohej nga errësira. U dorëzua me në fund gjyshja e shkretë. Në këmbim të ndriçimit, duhej të duronte çdo natë për dy orë gjepurat dhe idiotësitë e tij, si dhe erën e rëndë shkaktuar nga mungesa e higjenës. Në krizat e tij delirante, ai fantazonte se politikanët komunistë të bllokut të udhëheqjes ishin miqtë e tij të ngushtë që i kërkonin atij shërbime të veçanta, të cilat vetëm ai qe i aftë t´i kryente. 
Kishte netë kur kthehej i gjakosur nga grushtet apo rrahjet që rëndom ndodhnin ndërmjet pijanecësh ordinerë, dhe në raste të tilla rrihte gjoksin për trimërinë e tij në përballje me disa armiq, të cilët ai kishte mundur t´i çfaroste. Ngjasonte me një lloj Don Kishoti, që sikurse ai luftonte me mullinjtë e erës. Por në ndryshim nga heroi i Servantesit, “armiqtë” e tij ishin realë, pasi ai mbulohej me plagë të çara apo mavijosura. Ahh…mungonte edhe Rosinanti.  
Tek e shihte të gjakosur, përveç tmerrit, gjyshja ndjente edhe keqardhje për papërgjegjshmërinë e tij. Butësisht, i lutej që të kërkonte ndihmë mjekësore, gjë që ai e kundërshtonte me kokëfortësi. I shtruar për vite në spitalin psikiatrik, ndoshta kishte tmerr nga mjekët dhe refuzonte çdo kontakt me ta.
Në momentet kur konstatonte të ishte më i qetë, ajo i lutej të shkonte në dhomën e tij, pasi ndjehej e lodhur dhe se kishte nevojë të flinte. Pavarësisht lutjeve të saj të përsëritura, ai largohej kur t´i thoshte mendja. Vijonte më pas me sorollatje poshtë e lart në oborrin e vogël, duke kënduar këngën e preferuar, ose duke fantazuar me zë të lartë rreth betejave imagjinare.
Gjithsesi, së paku çdo javë ai mjeran mbyllej dy ditë brenda, pa u ndjerë fare. Gjyshja po ambientohej me këtë regjim të çuditshëm, dhe e qetësonte disi veten se kishte forcën ta përballonte atë situatë. Madje, herë pas here ndjente keqardhje për të. Ndodhi një rast, kur ai nuk doli për katër ditë nga dhoma dhe nuk reagoi as kur gjyshja i trokiti disa herë në derë. E alarmuar, ajo i kërkoi një fqinji që të njoftonte autoritetet zyrtare, e të kërkonte ndihmë për një person të mbyllur prej katër ditësh, pa asnjë shenjë jete, se aty ndodhej një person i gjallë. Disa orë më pas, fqinji erdhi i shoqëruar nga dy policë dhe një infermier, të cilët pas disa thirrjesh, shpërthyen derën. Zhurma e saj e zgjoi atë nga gjumi.Duke mbyllur hundët prej erës së rëndë, ata ju afruan atij, dhe e pyetën si ndjehej. Me sy të zgurdulluar, ngritur përgjysëm në shtrat, u përgjigj se nuk kishte nevojë për asgjë. Vetëm ta linin të qetë të flinte. Për habinë e gjyshes, ai nuk manifestoi asnjë lloj agresiviteti ndaj policëve që hynë aty me forcë. Ndoshta ushqente ndonjë frikë të fshehur ndaj tyre. Ndoshta.
Kësisoj, u zvarritën muaj të pafund tmerri për gjyshen. Në letrat që dërgonte, ajo kurrë nuk shkroi për “anëtarin” e çekuilibruar të familjes dhe vuajtjet e shkaktuara prej tij. Përpiqej e gjora të na e kursente këtë hidhërim, për të cilin ishim tërësisht të pafuqishëm ta ndihmonim.
…Dy vite më pas prindërit vendosën të më rikthenin pranë gjyshes. Isha vetëm dymbëdhjetë vjeç. Si e mitur, masa e internimit nuk ishte bllokuese për mua, ashtu siç ishte për prindërit e mi. Ata më konsideronin tashmë të përgatitur mjaftueshëm, sa për të mos e lënë gjyshen të vetme. Vërtet, vuajtjet e internimit më kishin maturuar para kohe.
Mbërritja në Tiranë më përballi edhe mua me këtë të papritur. Kapërceva pragun e shtëpisë ku kisha lindur e kaluar dhjetë vitet e para të fëmijërisë, dhe hyra paksa e përhumbur në oborrin dikur aq të dashur për mua. Gjithçka më dukej kaq ndryshe. Por në të vërtetë isha unë që kisha ndryshuar. Dy vitet e internimit kishin lënë gjurmë të thella në vetëdijen time.  
Gjyshja po më priste me padurim. Nëpërmjet një letre, prindërit e kishin njoftuar për mbërritjen time. Nuk di sa minuta qëndruam të përqafuara në oborr, ndërkohë që na rridhnin lotët. Sa shumë ishte plakur e gjora gjyshe pas internimit tonë. Së fundmi mblodhëm veten. Unë mora valixhen që e kisha lëshuar mbi dyshemenë e oborrit dhe nxitova drejt dhomës së gjumit. Gjyshja u prish në fytyrë dhe më tha: 
-…Jo aty, mos…!
-Pse, – e pyeta, çfarë ka ngjarë? 
Ajo më ftoi të shkonim në kuzhinë, dhe pasi u ulëm në minder, me zë të mekur më tregoi atë që kish ndodhur pas syrgjynosjes sonë. U tmerrova. Isha tërësisht e papërgatitur për këtë realitet. E ngrata gjyshe, ishte e detyruar të mos më fshihte asgjë, pasi dhe unë duhej të mbrohesha aq sa ishte e mundur nga ai individ i çakorduar. Më tregoi me detaje gjithçka kishte hequr. Duke e përqafuar, me lot në sy i përsërisja se ajo nuk do të vuante aq shumë, pasi nuk do të ishte më vetëm.  
Të nesërmen në mëngjes u përballa në oborr me të. Për mua nuk ishte surprizë. Fillimisht ai shtangu, dhe pastaj më pyeti kush isha unë. Me një lloj ngurrimi iu prezantova, dhe çuditërisht pashë një lloj kënaqësie në sytë e tij. Këtej e tutje do të ishin dy persona në atë shtëpi, të cilëve ai do t’u kërkonte vëmendjen. Sjellje tipike e një njeriu të braktisur e të vetmuar. Ishte ekzakt si ma kishte përshkruar gjyshja. 
Kishte pamje të frikshme me ata sy të përgjakur, me kokë të deformuar nga qepjet, apo shenjat e operacionit.Instiktivisht ndjeva një lloj mëshire për të. Ai ishte fajtor pa faj. Përgjegjës për këtë situatë kaq anormale ishte shteti bandit diktatorial që dhunonte edhe të drejtat më elementare, siç ishte privatësia e banesës. Unë u solla ekzaktësisht si më mësoi gjyshja, duke u mbyllur kur mundeshim me shula dhe duke evituar në maksimum përballjen me të. Pavarësisht gjithçkaje, së paku gjyshja nuk ishte më njeri pa njeri.
Një vit e gjysëm më pas, një epidemi e rëndë gripi i rrëmbeu jetën gjyshes sime. Dha shpirt në krahët e mi. Nuk mund ta përshkruaj dot dhimbjen e humbjes së saj dhe vështirësitë e atij funerali në mes të dimrit dhe të epidemisë. Bashkë me largimin e saj, perënduan edhe të gjitha ëndërrat e mija për një jetë ndryshe nga ajo që më impononte internimi. Çuditërisht, i çekuilibruari u zhduk për katër ditë nga shtëpia kur gjyshja mbylli sytë. Nuk mund ta di se çfarë ndjeu. Ishte kaq i mjegullt e i pakuptueshëm raporti i tij me jetën dhe vdekjen. Keqardhje ndoshta?… Nuk e di.
Pas një përpjekjeje të dështuar për të ndjekur shkollën e mesme, dhe përjashtimin pas përfundimit të vitit të parë të saj, u ktheva përfundimisht, pranë familjes sime, në fshatin e internimit.
Ndërsa shtëpia jonë në Tiranë, mbeti në duar të të çmendurit. U rrënua tërësisht. 
Qëndruam njëzet e tre vite në internim. Vuajtje, dhimbje pa mbarim. Një ditë ky kalvar mori fund, por asgjë nuk mund të kthehej më si më parë. Të marrin e mjerë, nuk e takuam më kurrë. As nuk e mësuam fundin e tij. 

Mbetën vetëm kujtimet. Ato na shoqërojnë si bashkëudhëtarë të pandashëm në trenin e kohës. Nuk mundet askush të na i rrëmbejë. 

*Ps. Dedikuar një periudhe shumë traumatike të jetës së gjyshes sime, Shefikat Sefa. (Narazani). Në nderim të figurës së saj, si një ndër mësueset e para (gra) të rrethit të Elbasanit, sot një rrugë e këtij qyteti mban emrin e saj.

Viti 1932. – *Në foto (në qendër) gjyshja ime me nxënësit e saj. Fëmija që mban në krahë është mama ime.

Filed Under: Featured Tagged With: Alma LIÇO, Fqinji i çmendur, Gjyshja

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT