Tirana zyrtare dënon sulmin-Deklarata e Ministrise se Jashtme te Republikes se Shqiperise/
Është sulmuar me gurë mbrëmjen e së shtunës Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Malin e Zi. Lajmi është bërë i ditur në profilin në Twitter të qeverisë malazeze, në të cilin thuhet se nga sulmi ka pasur vetëm dëme të vogla në fasadën godinës.
Sipas të njëjtit burim, sulmi është bërë nga një grup personash që mbanin flamuj të Serbisë dhe bërtisnin slogane, të cilat sipas mediave malazeze ishin antietnike.
Policia malazeze ka marrë menjëherë në mbrojtje ndërtesën e selisë diplomatike shqiptare, e cila bëhet objekt sulmesh për herë të dytë brenda një kohe të shkurtër.
Po c’patën malazeztë me Ambasadën Shqiptare në Mal të Zi? Gurët, ndoshta nuk do të jenë nga Podgorica, por ka gjasa i ka hedhë Moska ose Beogradi.
Tirana zyrtare dënon sulmin
Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka reaguar ndaj sulmit të verifikuar mbrëmjen e së shtunës ndaj ambasadës shqiptare në Podgoricë. “MPJ dënon sulmin e sotëm ndaj Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Podgoricë nga demonstrues huliganë”, thuhët në një reagim për mediat. Dikasteri numër një i diplomacisë shqiptare i bën thirrje autoriteteve të Malit të Zi që të marrin të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e godinës së ambasadës.
“Kjo, për të siguruar aktivitetin e saj normal dhe integritetin e personelit, si dhe për të nxjerrjë përgjegjësit e këtij sulmi para drejtësisë”, vijon njoftimi.
Ministria e Jashtme nënvizon më tej se Shqipëria do të vijojë të mbështesë kursin euro-atlantik të rajonit. “Përkushtimi ndaj vlerave euro-atlanike është i panegociueshëm dhe nuk do të frenohet nga grupe huliganësh, idetë e të cilëve kërcënojnë integrimin e mëtejshëm të rajonit tonë”, vijon njoftimi. Në të saktësohet më tej se shefi i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati është në kontakt të vazhdueshëm me homologun e tij malazez,Igor Lukshiç.