Ambasadori amerikan, Donald Lu u ka dërguar një letër deputetëve për reformën në drejtësi, përmes së cilës u kërkon atyre kërkon miratimin e saj.
“Është koha për të marrë një vendim, udhëheqësit të gjejnë një kompromis që të mbështet nga opozita dhe mazhoranca”, apelohet nga ambasadori Lu në këtë letër.
Duke shtuar se orojekti i 14 qershorit i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi i përmbush plotësisht standardet e Komisionit të Venecias dhe standardet evropiane.
Diplomati amerikan shpjegon më tej edhe se përse ndërkombëtarët kanë kundërshtuar vendet e rezervuara.
“SHBA dhe BE i kanë kundërshtuar vendet e rezervuara sepse kjo formulë do të etiketonte menjëherë anëtarët e komisionit të vetingut si pro qeverisë ose pro opozitës. Vetingu ka për qëllim të kthejë besimin në gjyqësor duke larguar manipulimet partiake. Ndikimi i qartë politik sugjeron se modeli i vendeve të rezervuara do e minonte këtë besim”, sqaron ai.
Në fund, Lu bën sërish thirrje për negociata në kërkim të kompromisit. Megjithatë e ka një paralajmërim.
“Megjithatë, nëse udhëheqësit politikë nuk e duan kompromisin dhe nuk bien dakord për një tekst të përbashkët, ju bëjmë thirrje që ju ta votoni reformën. SHBA besojnë se kjo reformë është jetike për të ardhmen e vendit tuaj. Ju bëjmë thirrje që më 21 korrik të votoni pro reformës në drejtësi”, konkludon ambasadori amerikan.