Ambasadat e SHBA dhe Austrisë në Tiranë, në ndihmë të fëmijëve që lihen për birësim/
Ambasadori Amerikan Donald Lu, dhe ai Austriak,Thomas Schnoll u takuan dje me Ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço të cilit i prezantuan nismën “Komiteti i Nenit 5”. Qëllimi i kësaj nisme të përbashkët është përmirësimi i situatës ligjore për trajtimin e fëmijëve, prindërit biologjikë të të cilëve nuk mund të kujdesen dhe lihen për birësim. Gjatë takimit ambasadorët vunë në dukje nevojën për t’i ndihmuar këta fëmijë në gjetjen e një familjeje dhe shtëpie të re sa më shpejt, duke minimizuar pengesat e mundshme burokraktike. Në lidhje me ndryshimet ligjore që propozohen përmes nismës “Komiteti Neni 5”, Ministri Naço u shpreh se paralelisht do të ishte e nevojshme edhe nisja e një fushate ndërgjegjësuese me synimin për të ndryshuar perceptimin e çështjes së adoptimit në vend. Ndërkohë “Rritja e ndërgjegjësimit, nisja e një fushate publike informuese lidhur me këtë çështje, bashkarisht edhe me miratimin e Strategjisë ndërsektoriale për fëmijët, do të garantojë suksesin e kësaj nisme, e cila mendoj se kërkon koordinim të plotë për të pasur një rezultat pozitiv”, vijoi zoti Naço. Gjithashtu bashkëbiseduesit theksuan se gjetja e një zgjidhjeje sa më të mirë dhe të shpejtë për fëmijët e braktisur, birësimi i tyre në familje të përshtatshme, si dhe kontrolli në vijimësi i cilësisë së kushteve që këta fëmijë do të gëzojnë në familjet birësuese, duhet të mbetet në fokusin e këtyre ndryshimeve ligjore dhe punës së përditshme të organeve ligjzbatuese në vend. Në fund të takimit u theksua nevoja që të garantohet mbrojtja dhe mirërritja e fëmijëve që ndodhen nën kujdesin e institucioneve publike.
Sh.K.